Saturday, 24 May 2025

 

HYMN PËR FËMIJËRINË GJUNJËVRARË NËPËR GURË

 

Nga Timo Merkuri

Poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” e Odise Kotes vjen si një këngë zëulët për fëmijërinë, jo atë të lehtë dhe ëndërrimtare, por fëmijërinë që lozte mbi gurë, ku lëndonte gjunjët, hapte sytë ndaj mrekullisë dhe dhimbjes njëherësh. Është një fëmijëri që rritet pa fjalë, mes pjerësive të rrugëve dhe mureve të plasaritura në një qytet që flet me gurë e hesht me dinjitet. Zakonisht poetët e vizatojnë fëmijërinë me ngjyra të buta, por Kote pikturon thjeshtësinë e një përvoje që mbetet në trup e shpirt përjetë. Në këtë poezi nuk flitet për një vend të caktuar, por lexuesi e ndien menjëherë frymën e një Gjirokastre të brendshme, që formëson edhe fisnikëron këdo që ka kaluar fëmijërinë aty, me gjunjë të gjakosur e zemër të hapur ndaj botës.

I-Poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” e Odise Kotes është një rrëfim poetik i dhimbjes së fshehtë të fëmijërisë, vrarë në gjunjë rrugicave të qytetit, rrëfim i një heshtje që nuk bërtet, por mbetet si shenjë, si kujtim e si identitet. Ajo sjell risi në qasjen ndaj përvojës, simbolikës dhe gjuhës, duke e përkthyer përditshmërinë në përjetim poetik. Nën një ton të përmbajtur, por prekës, poezia i jep formë heshtjes si gjuhë e brendshme e fëmijëve, të cilët, edhe pse “gjunjëvrarë”, nuk e humbasin mrekullimin.

1. Më së pari Odise Kote përmbys mitin e fëmijërisë si periudhë e lumturisë duke na folur për një fëmijëri që gjunjëzohet mbi gurë, jo mbi qilima, madje ky gjunjëzim është lëndim, plagëosje gjunjësh nëpër lodra fëminore nëpër rrugët e qytetit me kalldrëm. Figura e fëmijës “gjunjëvrarë nëpër gurë” shpërfaq një risi poetike që rrëzon idenë e një fëmijërie plot butësi. Gurët këtu nuk janë as dekor e as peizazh, por terren i vështirë jetësor. Janë “gurë që s’janë të emigrantëve të rinj”, çka nënkupton një identitet vendas, një lloj rrënjosjeje gjer në dhembje. Këtu fëmijët nuk vrapojnë, por ulen në gjunjë, pse rrëzohen, godasin gjurin: “Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë nëpër gurë...” duke na kujtuar se nuk është vrarë në gjunjë vetëm fëmija, por edhe fëmijëria. Këtë varg të përsëritur, autori e ngulit në kujtesën e lexuesit dhe krijon një refren dhimbjeje.

2. Risia tjetër është mënyra se si poezia përdor përplasjen mes modës dhe realitetit: “Veshur pantallona xhins / të shqepura në gjunjët/ me gjasa mode...” Në botën e sotme, ku të çarat e xhinseve janë trend, poezia na zbulon se ato mbulojnë gjunjë të plagosur vërtet. Nuk kemi të bëjmë me estetikën e konsumit, por me gjurmë të një përvoje të brendshme, që mbahen “poshtë pantallonave tërë jetën”. Ato vërtet janë plagë fëmijërie, dhe moda shndërrohet në mjet mbrojtës, në një mbulesë që fsheh dhe hesht, por edhe artistikisht plaga bëhet stil, por stili nuk shëron. Ato plagë mbeten aty dhe çuditërisht të ngjallin mall e dashuri për qytetin e bashkëmoshatarët, dhe e kanë fshirë nga kujtesa dhimbjen e momentit të krijimit të tyre.

3. Në vend të një narative të zhurmshme, si gjithmon në të tilla raste, Kote na jep një heshtje që flet me sy duke na treguar se heshtja është një gjuhë që vetëm fëmijët e kuptojnë: “Bëhen vetëm sy dhe heshtje”. Unë ju them se kjo heshtje nuk është mungesë e fjalës, por një gjuhë e re, tepër e thellë. Ajo nuk është pasive, por selektive: kush nuk e kupton heshtjen, nuk kupton as fjalët e fëmijëve. “Kush se kupton këtë heshtje/ s’kupton as fjalët e tyre,/fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.” Fjalët e sinqerta të fëmijëve- do shtoja unë. Kjo mënyrë të shkruari është krijim i një kodi intim mes lexuesit dhe fëmijërisë, ku shprehja më e madhe është ajo që nuk thuhet. A ju kujtohet fëmijëria, sa shpesh rinit në heshtje, por sa shumë thoshte për shokët, prindërit dhe sidomos gjyshet ajo heshtja juaj?

4. Një nga risitë më poetike është përshkrimi i përplasjes mes rrezikut dhe magjepsjes:

“Dallojnë menjëherë pjerësi

dhe të plasariturat,

edhe pse e dinë se është e rrezikshme.

s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.”

Fëmijët, edhe pse të goditur, nuk heqin dorë nga admirimi i bukurisë së qytetit të tyre, që pë rata është më i bukuri në botë. Ata i shohin të carat e murreve të rrugëve apo të mureve të kështjellës, por prapë u afrohen. Kjo na flet për një përvojë fëminore që nuk ka frikë nga jeta, por e kërkon atë me sy të hapur, me kuriozitet, që plagët e marra nëpër kalldrëmet e rrugëve, nuk mund ta shterin. Unë nuk mund të flas për këtë mister kalldrëmi, fëmijëria ime ka të tjera mistere, por çuditërisht më bëjnë për vete këto  mahnitje kalldrëmesh.

5. Poeti shpreh një përkatësi të thellë ekzistenciale:

“Ata kanë ndjesinë se jetojnë në një vend,

që është vetëm për ta.”

Plagët e marra nëpër kalldrëme u kanë dhënë të drejtën e “pronësisë”mbi ato, ndonëse askush nuk ka kërkuar t’i ndiqte ndonjëherë, veçse të kujdeseshin nga makinat që kalonin, por unë dua t’ju them se kjo ndjesi nuk është thjesht fizike. Është hapësira e tyre e brendshme, për të cilën nuk nevojiten letra qëndrimi. Është një vend shpirtëror që as varfëria, as plaga, as të rriturit nuk mund ta shkelin. Është vendi ku fëmijëria, edhe kur është gjunjëvrarë, qëndron drejt në zemrën e kujtesës. Secili prej tyre e ka të ngulitur në kujtesë vendin, madje dhe gurin ku u vra në gjunjë.

Pra, e parë në një këndvështrim poetik poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” është hymn i heshtur për fëmijërinë që nuk ankohet, që rrëzohet, plagoset, por sërish sodit dhe mrekullohet. Risia e saj poetike qëndron në mënyrën si poeti ndërton një simbolikë të re mbi plagët, heshtjen dhe përkatësinë. Ato që në fillim duken si “pantallona mode”, në fund shndërrohen në dëshmi të përjetshme: “...me vraga që mbeten,/poshtë pantallonave tërë jetën...”. Është një poezi që nuk kërkon të lexohet me zë të lartë për të bërë jehonë. Mjafton përplasja me gurin dhe gjunjët që kujtojnë.

II- Poezia i flet lexuesit të sotëm me zërin e heshtur të plagëve që nuk shihen, me tonin e ulët të fëmijërisë së pambrojtur, që endet nëpër gurë e plasaritje urbane e shpirtërore. Ajo nuk është thirrje proteste (qoftë dhe fëminore për ato plagë), por është një kujtesë intime e ëmbël.

1. Kjo poezi e Kotes i flet shoqërisë së sotme për ca të vërteta dhe ca plagë të herëshme që i fshehin veshjet e modës moderne. Lexuesi i sotëm, i rrethuar nga imazhe perfekte dhe pantallona të shqyera si trend, përballet këtu me një mesazh ndryshe: jo çdo shqyerje veshjeje është modë; disa janë plagë. Poezia i thotë se pas formës që ndjekim, mund të fshihet thelbi që kemi harruar.

“të shqepura në gjunjët, me gjasa mode,

bëhen vetëm sy dhe heshtje.”

Kështu që moda kthehet në metaforë të përditshmërisë sonë të hekurosur, ku heshtja nuk është mosdije, por mbijetesë.

2. Poezia i kujton shoqërisë së sotme se jo çdo fëmijëri ka qenë me lodra e ngjyra.Në një kohë kur fëmijëria paraqitet si element i lumturisë, kjo poezi sjell një fëmijëri të përplasjeve me realitetin, një kujtesë që s’duhet harruar: gjunjë të vrarë jo nga loja, por nga vetë jeta, sepse këtu edhe vetë gjunjët e vrara janë një metaforë dhe duhen lexuar metaforikisht patjetër, sepse bashkë me fëmijën është vrarë “në gjunjë” edhe fëmijëria.

“Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,

me vraga që mbeten,

poshtë pantallonave tërë jetën ...”

Poezia e Odise Kotes i kujton lexuesit të sotëm se edhe fëmijët e sotëm edhe ai vetë si fëmijë, mund të kenë mbetur gjunjëzuar para realitetit, pa i ngritur zërin. Madje jo vetëm për një “vrarje” gjuri.

3.Kjo poezi e Kotes i bën thirrje shoqërisë të dëgjojë heshtjen që ka zë. Në një botë të zhurmshme, kjo poezi është një përmendore për heshtjen, por duhet të dish ta dëgjosh dhe ta lexosh heshtjen që s’bën zë.

“Kush se kupton këtë heshtje,

s’kupton as fjalët e tyre...”

Lexuesi i sotëm, që rrethohet nga fjalë të shumta boshe, shpesh herë në gjuhë të ndryshme ftohet të ndalet dhe të kuptojë heshtjen si një formë e re komunikimi, më e vërtetë, më e thellë. Kjo është një poezi që të mëson të dëgjosh pa fjalët pa zë.

4. I kujton kohës sonë se e bukura nuk është vetëm në ekrane kinemaje. Në kohën kur bukuria filtrohet dhe shfaqet përmes rrjeteve sociale, kjo poezi e vendos “mrekullinë” në tokë, në realitet, aty ku ka plasaritje muresh dhe rrezik: “Ç’gjë e mrekullueshme iu formëson vetveten? ”Fëmijët nuk i shmangen rrezikut sepse janë të aftë të mahniten , një aftësi që lexuesi i rritur mund ta ketë humbur.

Pra, kjo poezi është një pasqyrë që nuk të tregon fytyrën, por gjunjët, atje ku qëndron e shkuara jote, dhimbja jote e parë, fëmijëria që nuk mund ta kesh harruar. Në kohë sipërfaqësie, poezia i thotë lexuesit të sotëm: “Ata kanë ndjesinë se jetojnë në një vend, / që është vetëm për ta.” Ne duhet të ndjejmë dhe kuptojmë se ky vend nuk është sipërfaqe fizike, është brendësi shpirtërore dhe kjo poezi është ftesë për t’u kthyer aty, ashtu, me gjunjë të plagosur, por ende në këmbë.

III- Fjalori që përdor Kote në këtë poezi është i thjeshtë në pamje, por i mbushur me dritë të brendshme poetike dhe shumëkuptimësi. Ai krijon një tension të ndjerë mes konkretës dhe simbolikes, mes përditshmërisë dhe shpirtërores.

1. Kote përdor fjalë të përditshme që mbartin dramë të heshtur si: “pantallona xhins”, “të shqepura”, “gjunjë”, “gurë”, “plasaritura”.  Fjalët janë të zakonshme, të marra nga jeta urbane e fëmijëve të sotëm, por poetit i mjafton t’i rreshtojë në një strukturë të ngjeshur që të japin peshë emocionale dhe rrëfim të heshtur. “Pantallonat xhins” nuk janë vetëm rrobe, por perde që mbulojnë plagët reale. “Gurët” nuk janë vetëm elemente toke, por simbole të realitetit të ashpër, aqë më tepër po ti lexosh në kontekstin e fëmijërisë për të cilën flet poeti.

2.Këto fjalë që përdor poeti i përkasin fëmijërisë së djeshme, p.sh: “gjunjëvrarë”, “vraga”, “fëmijë a fëmijëri” ku fjala “gjunjëvrarë” është boshti emocional i poezisë. Është një bashkëlidhje e pazakontë që ngjiz pamjen e përkuljes, lodhjes, përplasjes me diçka më të fortë, gurin. “Vraga” bart kujtesë dhimbjeje që nuk shërohet, ndërsa “fëmijë a fëmijëri” është dyzim i qëllimshëm që nënkupton se jo vetëm gjunjët e një individi, por dhe vetë fëmijëria është lënduar. Nuk është nevoja që të bëjmë qasje historike, mjafton të kujtojmë fëmijërinë tonë, në çdo qytet a fshat ku kemi qenë. Plagët e lëndimeve fizike i kemi ende në trup e në shpirt.

3. Fjalët që përdor Kote në poezi i japin tingull heshtjes, psh: “heshtje”, “mahnitje”, “përgjërim”, “ndjesi”. Këto janë fjalë që nuk mund të “preken” fizikisht, janë fjalë të padukshme, por e mbushin poezinë me atmosferë të brendshme, i japin ajër. “Heshtja” bëhet zë, “përgjërimi” shfaqet nga sytë e fëmijëve dhe “mahnitja” është ndjesi që nuk analizohet, por përjetohet. Dhe nuk është vetëm monopol i fëmijëve, por te fëmijët është më e bukur.

4. Dhe së fundi Kote përdor fjalë që krijojnë vendin e brendshëm të fëmijës si: “vend që është vetëm për ta”, “fjalë të pathëna”, “nuk lëndojnë askënd”. Nëpërmjet përdorimit të këttyre fjalëve poeti e çon lexuesin drejt një bote të brendshme, intime, ku fëmija, edhe i plagosur, ka territorin e vet shpirtëror ndaj shpesh herë e “hipotekonin” në heshtje si “fusha jonë”, “cepi ynë”, “rruga jonë” etj, por ne folëm për këtë dukuri, ndonëse duhet ripërsëritur si element i fjalorit. Fëmijët këto fjalë i thoshnin mes tyre dhe jo “zyrtarisht”, mirëpo kujtojmë se fjalët e pathëna janë të fuqishme, sepse nuk kanë nevojë të dëgjohen për tu provuar. Aty nuk ka dhunë verbale, por ndjenjë e përmbajtur.

Ajo që është më e rëndësishme është fakti se fjalori i Odise Kotes në këtë poezi nuk kërkon të impresionojë, por të ngjallë ndjenjë. Me pak fjalë, ai arrin të japë shumë: një botë fëmijërie që ende sheh me habi, dhe: “s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.” Në këtë përgjërim, përkulje para gurëve, ndodhet edhe poezia, edhe lexuesi, të gjunjëzuar përballë së vërtetës që nuk bërtet, por mbetet ende e freskët.

IV- Figurat artistike në poezinë “Gjunjëvrarë nëpër gurë” të Odise Kotes janë ndërtuar me një ndjeshmëri të hollë që, pa e përmendur drejtpërdrejt, sjellin në mënyrë të natyrshme ambientin gjirokastrit, si kujtesë e ngulitur në gur, si shije e fëmijërisë së rrëzuar ndër kalldrëme.

1. Metaforat e poezisë lidhen me gurin dhe pjerësinë, karakteristikë e qytetit të gurtë. “gjunjëvrarë nëpër gurë”/“dallojnë menjëherë pjerësi dhe të plasariturat” Këtu guri nuk është vetëm element fizik, por kujtesë kolektive dhe hapësirë identitare. Pjerësitë e Gjirokastrës, të ngulitura në trupin e qytetit, futen në poezi si pjesë e natyrshme e rritjes, përplasjes. Gjunjëzimi është përballje me atë terren të vështirë, jo vetëm fizik, por dhe shpirtëror.

2.Interesantë se në poezi edhe heshtja ngjan me qetësinë e lagjeve të gurta, si: “bëhen vetëm sy dhe heshtje”. Figurat e metonimisë (sy = shikim, vështrim, përthithje e botës) dhe personifikimit të heshtjes krijojnë një atmosferë që lexuesi e ndien si një sokak i Gjirokastrës ku fëmijët heshtin para madhështisë dhe rëndesës së gurëve. Është një heshtje guri që flet pa zë.

3. Simbolika e “plasariturës” shfaqet si metaforë e qytetit në vargjet: “edhe pse e dinë se është e rrezikshme / s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes”. Plasaritja ( e mureve) është simbol i brishtësisë dhe i fisnikërisë së mbetur. Guri i çarë nuk është shembje, është dëshmi se ende qëndron, ndonëse koha e goditi dhe e çau qoftë në murret e rrugëve apo të kështjellës.

4. Në këtë poezi nuk thuhet asnjëherë “Gjirokastër”, por i gjithë ambienti shpirtëror i qytetit ndërtohet me figurat, ritmin, heshtjen, plasaritjen, gjunjëzimin, veshjen, sythin e mahnitjes që ngjitet lart si kalldrëm. Po ti shtojmë kësaj edhe faktin se Odise Kote kur shkruan, fjalorin, figurat dhe botën e krijimtarisë e merr nga Gjirokastra, atëherë s’kemi pse pyesim. Kote mund të shkruajë dhe për Tiranën, por krijon një Tiranë-lagje e Gjirokastrës, ndoshta dhe më të bukur se vetë Tiranën kryeqytet.  Por duke u rikthyer te vargjet:“Ata kanë ndjesinë se jetojnë në një vend,/që është vetëm për ta”, ky “vend”  i fëmijëve, nëpër gurë, në heshtje, në përulje është vetëm Gjirokastra, e përjetuar nga Odise Kote me poetikë dhe ndjesi, më shumë se në emër. Ashtu si trëndafili njihet dhe për së largu nga aroma e tij karakteristike edhe Gjirokastra njihet nëpër krijime të Kotes nga “aroma e gurtë” tipike e saj.

V-Në brendësinë e saj poezia “Gjunjëvrarë nëpër gurë” duke ju  qasur realizmit modernist, tingëllon si një hymn i thellë për fëmijërinë, jo për një fëmijëri ideale, por për atë që rritet mes gurëve, plagëve dhe heshtjeve, që nuk kërkojnë dhimbshuri, por kuptim. Ky hymn nuk ka tonalitet të lartë, nuk ka hymnizim epik, por ka ndjeshmërinë e një kënge që këndohet me gjunjë të plagosur dhe sy të çuditur: “Ç’gjë e mrekullueshme iu formëson vetveten?”

Duhet të kuptojmë dhe më shumë të ndjejmë se këtu fëmijëria nuk është vetëm një periudhë kohore kalimtare, por një truall shpirtëror ku formësohet qëndrimi ndaj botës: mes rrezikut dhe mahnitjes, mes përgjërimit dhe plagëve. Hymni lind pikërisht nga kontrasti mes ashpërsisë së realitetit (guri, rrëzimi, plagët) dhe butësisë që ruhet në shpirtin e fëmijëve, e që nuk lëndon askënd: “fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.” Vini re, poeti nuk i përkëdhel fëmijët, por i madhëron në pafajsinë e tyre. Ata qëndrojnë gjunjëzuar, jo si të mundur nga plagët e gjunjëve, por si të zgjedhur për të ndjerë thellë, thua se janë gjunjëzuar në një adhurim të gurit, të atij guri që u vrau gjunjët. Dhe kështu, poezia ngjitet në një dimension universal, ku fëmijëria bëhet vend i shenjtë, një altar i heshtur mbi kalldrëmet e jetës:

“Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,

me vraga që mbeten,

poshtë pantallonave tërë jetën…”

Ky është himni më i sinqertë për fëmijërinë: ai nuk e fsheh dhimbjen, por as nuk ia rrëmben dinjitetin. Ai këndohet me gjunjë të gjakosur, por me shpirt të formuar si i paepur. T’a admiroj këtë fëmijëri poetike, Odise Kote, jo pse s’është e dhembshme, por se është e vërtetë deri në gjak, e ndershme deri në heshtje, e bukur pa u stolisur fare. Një fëmijëri që nuk kërkon lëmoshë, veç kuptim, që nuk qesh me zhurmë, por më rrëzon në gjunjë para gurit.

 

Sarandë, më 24 maj 2025

 

 

Gjunjëvrarë nëpër gurë ….

Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë nëpër gurë

që s’janë të emigrantëve të rinj

nuk iu ikin dot rrëfenjave, kushedi përse?

 

Veshur pantallona xhins,

të shqepura në gjunjët, me gjasa mode,

bëhen vetëm sy dhe heshtje.

 

Dallojnë menjëherë pjerësi

dhe të plasariturat,

edhe pse e dinë se është e rrezikshme.

s’i rezistojnë përgjërimit të mahnitjes.

 

Ç'gjë e mrekullueshme iu formëson vetveten?

Kush se kupton këtë heshtje,

s’kupton as fjalët e tyre,

fjalët e pathëna që nuk lëndojnë askënd.

 

Ata kanë ndjesinë se jetojnë në një vend,

që është vetëm për ta.

 

Fëmijë a fëmijëri gjunjëvrarë,

me vraga që mbeten,

poshtë pantallonave tërë jetën ...

Sunday, 18 May 2025

 

STOLI KU ULET DASHURIA DHE NGJITET VDEKJA

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës është një miniaturë poetike e fuqishme dhe tronditëse, pse në vetëm katër vargje ajo përmbledh një gamë të gjerë emocionesh, kontrastesh dhe simbolikash që e bëjnë poezinë të bukur, të thellë dhe të fortë. Ajo është një poezi që zbulon se bukuria e vërtetë poetike nuk vjen nga shumësia e fjalëve, por nga intensiteti i përjetimit dhe forca e figurës. Kjo poezi është një lloj haiku modern shqiptar, ku thellësia fshihet në heshtjet mes vargjeve dhe çelësi i bukurisë së saj është kontrasti i ngjeshur, simboli i shumëkuptimtë dhe emocioni që shpërthen në fund, aty ku dashuria nuk është as vetëm ndjenjë, as vetëm dramë, por një lëkundje mes jetës dhe vdekjes.

I.Poezia “Stolat” e Ilirian Zhupës është një poezi që peshon më shumë se katër vargje Ajo është një prej atyre poezive të rralla që, megjithëse e shkruar me pak fjalë, hap dyert e një ndjeshmërie të gjerë, është një miniaturë poetike që nuk kërkon zhurmë për të bërë jehonë. Në katër vargjet e saj:        Në stola ulen ata që dashurohen,

Mbi stola hipin ata që varen.

Një jetë të tërë, dashuria ime,

Ulet dhe hipën mbi stola.

                                                                                                                    f.33

 ajo mbart një univers të tërë përjetimesh: dashurinë dhe fundin e saj, dritën dhe hijen, uljen dhe ngritjen e shpirtit.

Kjo poezi është një copëz e ngjeshur jete, e thënë në gjysmë zëri, por që bie si krismë në shpirtin e lexuesit. Vetëm katër vargje; dhe në to vendosen dy pole të mëdha të qenies njerëzore: dashuria dhe vdekja:”Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola hipin ata që varen”. Kaq pak fjalë, dhe megjithatë, një botë e tërë ndjenjash që hapet para nesh. Stoli, ky objekt i zakonshëm i parkut, kthehet në vendtakim të ekstremeve: Ai bëhet dëshmitar i puthjeve dhe i litarëve, i pëshpërimave të dashurisë dhe i heshtjes së fundit.

Dhe në kulmin e kësaj antiteze, vjen vargu i tretë, i butë dhe i dhimbshëm si një melodi e lodhur: “Një jetë të tërë, dashuria ime” ku poeti i flet dashurisë si një qenie të gjallë, si një mike e përhershme që e ka ndjekur gjithë jetën, e cila, ndonëse e bukur, nuk ka qenë asnjëherë e qetë. Prandaj dhe vargu i fundit vjen si një përfundim poetik, por edhe filozofik: “Ulet dhe hipën mbi stola”. Shih pak këtu, dashuria shndrohet në një lëkundje, ulje e ngjitje, frymë që nuk gjen prehje, pra ajo nuk është vetëm ndjenjë, ajo është dridhje ekzistence, që të zbret në tokë dhe të ngre në qiell, ose të hedh në humnerë. Ndaj themi se “Stolat” nuk është vetëm një poezi për dashurinë apo vetëvrasjen. Ajo është poezi për lëkundjen e shpirtit në këtë botë, për vendin ku ndjenjat tona ulen pak për të marrë frymë, dhe pastaj ngjiten, ndonjëherë për të fluturuar, ndonjëherë për të humbur.

Pikërisht ky është çelësi i bukurisë së kësaj poezie: një gjuhë e përmbajtur, por e ngarkuar me domethënie. Një imazh i vetëm, por që hap një hapësirë të madhe për të menduar. Poezia flet pak, por lë shumë për të ndier. E bukura e saj qëndron në heshtjet mes vargjeve, në ato që nuk thuhen, por ndjehen thellë, si të ishin përvojat tona.

II-Sigurisht që stoli në poezinë e Zhupës mund të lexohet jo vetëm si objekt fizik, por edhe si metaforë, madje këtu qëndron thellësia dhe bukuria e kësaj poezie.

Stoli është vendi ku bota nuk ka nevojë të flasë me zë të lartë, pse që në pamje të parë është një element i zakonshëm urban,por që në poezi kthehet në një pikë ndalese për emocione të jashtëzakonshme. I heshtur dhe i patundur, ai bëhet dëshmitar i skajeve të jetës: dashurisë që lulëzon e vdekjes që pret në hije. Vetëm në një poezi të përmbajtur, një send kaq i thjeshtë mund të marrë peshën e një bote të tërë.

Në një lexim të parë, stoli duket si një vend i përbashkët; një skenë e hapur ku njerëzit vijnë dhe ikin, si aktorë në një dramë që nuk ka mbarim. Të rinjtë dashurohen mbi të, ndërsa ata që dorëzohen përballë jetës hipin mbi të për t’u larguar përgjithmonë. Në këtë mënyrë ai bëhet vendkalimi mes ndjenjës së dashurisë dhe shuarjes, vdekjes. Në këtë kuptim, stoli është gjithçka që bashkon e ndan njëkohësisht: një fragment kohe ku çasti i gjallë dhe çasti i fundit takohen, pa qenë në konflikt me njëri-tjetrin.

Por stoli mund të shihet dhe si simbol i pritjes i asaj që zgjat, asaj që nuk merr gjithmonë përgjigje. Njeriu pret mbi stola (në park): një shikim, një zë, një kthim. Dashuria ndalet atje, shpresa merr frymë, e trishtimi shpeshherë e ul kokën. Në këtë dritë, poezia e Zhupës merr nuanca të një përjetimi të heshtur; ajo bëhet këngë e atyre që qëndrojnë pa lëvizur, duke e ndjerë lëvizjen vetëm brenda vetes.

Nuk përjashtohet as leximi filozofik: stoli si shenjë e përkohshmërisë së jetës, si një vend ku gjithçka ndalon vetëm për pak. Një frymë, një çast, një ulje. Dhe më pas; largimi mga kjo botë. Në këtë lexim, stoli bëhet metaforë e ekzistencës sonë të përkohshme. Ai është një copëz kohe, një ndërprerje në ecurinë  e pafund të jetës. Dashuria kalon aty, vdekja gjithashtu, por asnjëra nuk qëndron gjatë. E megjithatë, çdo qëndrim mbi të lë një gjurmë.

Kjo poezi, me pak fjalë dhe me një thjeshtësi të heshtur, arrin të ngrejë stolin në nivelin e simboleve që tejkalojnë kohën dhe vendin. Ai është san ë një vend publik aq dhe në një hapësirë intime njëherësh. Poezia e Zhupës , ndonëse shprehet në n jëjës, nuk flet për një stol të vetëm, por për të gjithë stolat mbi të cilët jeta ulet për një çast dhe më pas lëviz. Në këtë mënyrë, ajo bëhet universal, sepse secili prej nesh, në një moment të jetës, e ka njohur atë stol: si vend takimi, si vend ndarjeje, si vend heshtjeje.

Kështu pra, një poezi e vogël, me fjalë të kursyera, arrin të përmbajë brenda saj gjithë peshën e jetës njerëzore. Dhe stoli, në këtë poezi, nuk është vetëm dru apo hekur, por është më së pari një pikë drite ku përkulem kujtimet, dhimbja dhe dashuria.

III-Ka poezi që nuk i thonë çdp gjë me fjalë, dhe s’kanë pse, sepse ato flasin dhe nëpërmjet heshtjes  dhe  ato që thuhen me heshtje mbeten më gjatë se fjala, mbeten në kujtesë. Zhupa në këtë poezi nuk shkroi vetëm katër vargje, ai ndërtoi një hapësirë ku fjala dhe heshtja bëhen bashkohen në një dhe unë ju them se të flasësh me heshtje mes fjalëve, është shumë herë më e vështirë se të mbash referate shkencore. Unë ju them se heshtja mes vargjeve të Zhupës nuk është boshllëk, është drithërimë, është fryma që ndal për një cast, aty ku mendimi ndalon dhe ndjenja merr fjalën. Është pikërisht aty ku poezia shpërthen pa zë.

1.Në poezinë “Stolat”, nuk janë vetëm fjalët që mbajnë peshë, është ajo që qëndron midis tyre; Heshtja që flet, një heshtje e tejdukshme, që nuk shihet, por ndjehet. Një ndalesë e vogël që mbart një jehonë të madhe. Kjo heshtje nuk është bosh, nuk është mungesë, ajo është një hapësirë për frymëmarrje, ku vargu i mëparshëm zgjatet në ndërgjegjen e lexuesit dhe ai pasues ngjitet nga thellësia e mendimit.

2.  Vargjet:“Në stola ulen ata që dashurohen,”

(Heshtje)

“Mbi stola hipin ata që varen.”

Janë dy vargje ku shfaqet një ndryshim i papritur, thua se egziston  një lumë mes tyre.. Ajo që i ndan nuk është vetëm hapësira e terenit, por është rrëshqitja emocionale.

Në çastin e parë, poezia hapet me një imazh të qetë: dashuria, qetësia, ulja, afërsia. Por befas, pa paralajmërim, peizazhi ndryshon, vjen vargu i dytë si një rënie në zbrazëti dhe heshtja që i ndan është si qetësia para stuhisë, kur ajri mbushet me elektricitet. Është aty ku lexuesi e ndjen dridhjen përpara goditjes.

3. Dashuria nuk është një ndjenjë e qëndrueshme, por një figurë “ulet” dhe “hipën” në kufijtë e egzistencës dhe në mes, poetit i duhet të heshtë , jo për të fshehur, por për të lejuar të “flaës”atë që nuk artikulohet dot, heshtjen. A nuk e kini vënë re, në prani të dashurisë flet më shumë heshtja, si dhe në momentin e ekzekutimit të dënimit kapital, të pranishmit heshtin. Janë sublime të dy këto çaste, të papërsëritëshme në jetë.

“Një jetë të tërë, dashuria ime,”

(Heshtje)

“Ulet dhe hipën mbi stola.”

Në çastin e pushimit midis vargjeve, poeti nuk thotë asgjë, por lexuesi ndjen gjithçka: dridhjen, pasigurinë, valët e një dashurie që nuk është e pastër si në fillim, por e trazuar nga lodhja dhe nga përvoja.

4. Kjo heshtje në poezi nuk është rastësore, ajo në fakt është një taktikë poetike, një mënyrë moderne e të thënit gjithçka pa folur asnjë fjalë nga Zhupa. Poezia nuk i jep përgjigje lexuesit, përkundrazi, ajo e fton atë që të hyjë në zbrazëtirën poetike dhe ta mbushë me ndjesitë e veta. E parë në këtë aspekt themi se kjo poezi nuk kërkon të dominojë, por të ndikohet dhe heshtja është dritarja që i jep lexuesit të drejtën të  shtojë veten në tekst. Ilirian Zhupa si askush tjetër është poeti i heshtjes së bukur.

5. Dhe në fund themi se ajo që mbetet nga poezia “Stolat” nuk është një histori mes dashurisë e vdekjes. Përkundrazi është mënyra se si poezia flet me zë të ulët, me tone jo retorike, por në tensionin mes vargjeve. Kjo poezi, si një haiku i hidhur shqiptar, thotë shumë me pak fjalë dhe gjithçka tjetër e thotë heshtja. Aty ku nuk arrin fjala, mbërrin përjetimi,  sepse heshtja në poezi është zemra që rreh mes vargjeve. Dhe unë ju them se s’ka tingull më njerëzor se ai që nuk dëgjohet, por ndjehet.

IV-Stoli (në park) së pari u krijua për t’u ulur; për pushim, për bisedë, për biseda intime, për të soditur jetën etj.. Por në poezinë e Zhupës, ai shndrohet në një mjet për vetvarje dhe varje, ska rëndësi vendi ku kryhet ky akt. Kjo rrugë e tij, nga funksioni i natyrshëm në një përdorim tragjik, ngre një shqetësim të thellë filozofik dhe ekzistencial.

Së pari, ky devijim tregon transformimin e sendeve neutral (stolit) në dëshmi të fateve njerëzore. Një objekt që është menduar për jetë, bëhet mjet për vdekje. Ky shndrim i papritur shfaq se jeta dhe vdekja nuk janë të ndara nëpër rrugë të ndryshme,  shpesh ato ecin mbi të njëjtin send, në të njëjtin vend, vetëm në kohë të ndryshme.

Së dyti, në një lexim filozofik, kjo rrugë e stolit shpreh thyerjen e kuptimit fillestar të gjërave, atë çfarë Heideggeri do ta quante "rënia nga qenësia në funksion." Kur një objekt humb qëllimin për të cilin është ndërtuar dhe përdoret për një të kundërt të tijën, ndodh një dridhje ontologjike, një lëkundje në vetë qënien vetë jeta si koncept vihet në pikëpyetje.

Së treti, kjo zhvendosje tregon edhe mungesën e mbështetjes së shoqërisë për individin, ku edhe vendet e pushimit shndërrohen në vende të braktisjes së fundit. Stoli nuk është më mikpritës, por bëhet platforma e aktit më të vetmuar. Në këtë kuptim, rruga e stolit nuk është thjesht tragjike, ajo është metafora e përmbysjes së llogjikës njerëzore, ku bukuria dhe përdorimi, pushimi dhe paqja, dorëzohen përballë ankthit ekzistencial. Dhe kjo është pikërisht ajo që i jep poezisë së Zhupës përmasën universale.

V-Poezia “Stolat” është e vogël në përmasë, por është si shprehjet e rralla që mbeten gjatë në kujtesë, sepse thotë pak, por hap shumë kuptimshmëri. Fjalët vërtet janë të pakta, por janë si gjethet e pakta të një pemë dimri, ku  secila është e domosdoshme për peizazhin që krijon. Le ta ndjekim këtë poezi, siç ndiqet me sy guri i hedhur rrëshqitazi  mbi sipërfaqen e ujit, ku çdo vale rrethore që krijohet është një kuptim.

1.Në poezi, nuk ka fjalë të tepërta, madje çdo fjalë është thelb, jo zbukurim. Poezia nis si një frymëmarrje e qetë, por thellohet me çdo fjalë: “Në stola ulen ata që dashurohen/ Mbi stola hipin ata që varen”.Një  gjuhë e zakonshme, fjalë që mund t’i thoshte kushdo, por këtu janë vendosur në një ekuilibër të tillë ku çdo germë peshon. Ato nuk mbajnë vetëm kuptim por histori, nuk ka zbukurime por vetëm thellësi të heshtura që ndriçojnë vetë.

2.Fjalët ngjajnë me gurët e lashtë pellazgjikë të vendosur në një mur që i ka rrezistuar erozionit  mijra shekullor. Në këtë ndërtim poetik, asnjë fjalë nuk është e rastësishme. Ato janë vendosur të gdhendur në format e duhura, që nuk lënë hapësirë mes tyre dhe nuk kanë nevojë për lidhje me llaç, pasi pesha e gurëve është lidhësia më e mirë. Nëse do të hiqje nga poezia një fjalë, ajo do të do rrëzonte gjithë murin (vargun). Pikërisht kjo arkitekturë e fjalës së pakët e bën poezinë të qëndrojë me madhështi, si një tempull I vogël, ndërtuar për përjetësi.

3.Thjeshtësia është akt i zgjedhur qëllimisht nga poeti, jo mungesë. Minimalizmi  në poezi nuk është mosdije për të thënë më tepër, por vendim i poetit për të thënë vetëm atë që është e domosdoshme. Thjeshtësia bëhet ura më e shkurtër për te ndjeshmëria, për te dhembja dhe dashuria që jetojnë pranë e pranë, si dy të panjohur në të njëjtin stol.

4.Poezia “Stolat” është një monument i vogël që sfidon kohën. Nuk ka asgjë të tepërt, dhe pikërisht kjo mungesë e bën atë të plotë. Në këtë poezi, Zhupa ka gdhendur jo vetëm ndjenjën, por mënyrën e tij të të parit të botës: ku çdo gjë e vogël mbart peshën e së gjithës, pse është pjesë e të gjithës. Në pak vargje, kemi një cikël të plotë: dashuri, dëshpërim, jetë, vdekje; të gjitha në lëvizje të qetë mbi një stol që ndodhet kudo dhe askund. Dhe kështu poeti na kujton: fjalët më të thjeshta janë shpesh më të thellat; në to rrinë të fshehura plagë, kujtime, dhe ndoshta, edhe shpresa.

V-Në poezinë “Stolat” të Zhupës vjen një zë i qetë, por thellësisht i pranishëm, që i flet kohës sonë me një mençuri të brendshme e një heshtje që tingëllon më fort se fjalët. Zhupa sjell një risi poetike që nuk bërtet, por pëshpërit, duke shndërruar një send të zakonshëm në simbol të dramës sonë të përditshme, dhe kjo thjeshtësi e thellë, ky qëndrim përballë jetës me sy të ngulur dhe shpirt të përhumbur, është ndoshta një nga gjërat më të rralla që mund të ndodhin sot në poezi.

1.Në një botë të tejmbushur me komunikim, poezia na kujton heshtjen emocionale që s’ka zë.Në kohën kur fjala është bërë e lehtë dhe zhurma mbulon gjithçka, kjo poezi ndalet dhe flet për atë që nuk thuhet. Vargjet aq të heshtura sat ë drithërojnë: “Në stola ulen ata që dashurohen,/Mbi stola hipin ata që varen.” vendosin përballë nesh dy skaje të ekzistencës; dashurinë dhe dëshpërimin dhe çuditërisht në të njëjtën hapësirë, në të njëjtin send. Dhe ndoshta aty ku kemi kaluar pa e vënë re një stol, ka ndodhur një jetë që nuk kemi ditur ta shohim. Shumë prej nesh e kanë përjetuar këtë moment.

2.Në kohën e shpejtësisë, një varg i vetëm na ndal si frymëmarrje e thellë, kjo pse  shqetësimi i poetit nuk është të ndërtojë rrëfim, por të na ndalë.Imazhi i vargjeve:“Një jetë të tërë, dashuria ime,/Ulet dhe hipën mbi stola.” s’është gjë tjetër veçse lodhja e njeriut të sotëm, që endet pa ndalesë midis mallëngjimit dhe vetmisë? Ky varg është një pasqyrë që nuk flet vetëm për dashurinë, por për shpirtin e njeriut modern që, i përhumbur, lëviz brenda vetes pa arritur askund.

3.Atë që  bota e sotme do të ndajë me rregulla të ftohta (jetën nga vdekja), poezia i bashkon me ndjeshmëri të butë, aty ku dikush sheh një vend për të ndenjur, poeti sheh një vend për të ndjerë. Dhe nuk bën dallim mes një përqafimi dhe një fundi, sepse dhe vetë jeta është një vijë e hollë, që në një çast të papritur mund të këputet. Kjo poezi na rikujton se pranë bukurisë mund të fshihet trishtimi, dhe pranë trishtimit një kujtim dashurie.

4.Në një shoqëri ku shohim gjithçka përtej ekranit, poezia na fton të shohim më thellë njëri-tjetrin. Një stol nuk është më një objekt i rastësishëm në park. Është një ftesë për vëmendje. Sepse ndoshta, aty ku dikush po pushon, një zemër po thyhet në heshtje. Ilirian Zhupa na bën të ndalemi përballë të panjohurit – të afërmit tonë të heshtur – dhe të mendojmë: kush po ulet tani? Dhe përse?

I ndërtuara në pak vargje, “Stolat” nuk është thjesht poezi, është një vështrim i thellë mbi jetën e padukshme që zhvillohet pranë nesh. Është një thirrje e heshtur për t’u bërë më të butë, më të vëmendshëm, më njerëzorë. Dhe ndoshta, më të aftë për të parë poezinë edhe aty ku ajo nuk do të na tregojë që është e tillë.

 

Sarandë, më Maj 2025

Wednesday, 14 May 2025

 

 

VARGJET E KOHËS QË NA IKËN

 

Nga Timo Mërkuri

Brenda kohës që rreshqet si ujë ndër gishta, ku e sotmja ngjan shpesh me një udhë pa emër, poezia “Kemi fare pak kohë” e Odise Kotes vjen si një rrëfim i butë dhe thellësisht njerëzor; një fjalë e heshtur që ngjizet me mall, filozofi dhe qetësi tronditëse.

Poezia i përket rrymës moderniste, jo vetëm në formë, por në frymë, në mënyrën se si shpalos më shumë boshllëkun sesa kuptimin, më shumë pritjen sesa përgjigjen. Është fjala që ngjizet në mungesë, dhe kjo mungesë flet: “Dëshira më shpie tek një lumë…” Në këto vargje, koha shfaqet si një dhuratë e vogël, një pasuri që na është marrë pa u kuptuar. Ndaj dhe poeti, me një ndjeshmëri ekzistenciale, thotë: “Kemi fare pak kohë/për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” Ky është një refren që troket si zemra e dikujt që s’e ka më luksin të presë. Është një përkujtim i heshtur për lexuesin e sotëm, për njeriun bashkëkohor që rri pezull midis një dëshire të madhe për jetë dhe një kohe që ikën pa zhurmë. Kur Kote thotë  se “Kemi fare pak kohë” ai sigurisht që nuk e ka fjalën se “po na ikin vitet e po plakemi” apo diçka tjetër të këtij lloji. Kuptimi i këtij vargu është se: në kohën që kemi, më të shumtën e saj e harxhojmë me vogëlsira, mediokritete që më tepër na konsumojnë kohën dhe na pengojnë në ecjen përpara, në shfrytëzimin e efektshëm të saj, psh koha që harxhojmë me debate shterp politike etj të kësaj natyre është kohë që na ikën dëm dhe asjo që është më shqetësuese është fakti se kjo kohë është jo e vogël në jetën tonë tipike shqiptare, ku më shumë merremi me fjalë  se sa me punë. Sigurisht shpjegimi im është prozaik, por edhe harxhimi i kësaj kohe nuk ka asgjë poetike. Vetëm Odise Kote e fut mjeshtërisht në poezi prozaizmin e saj, madje pa e përmendur fare.

Në poezi, Kote na sjell një dashuri, e cila nuk është ngazëllim i klisheve tradicionale, por “aromë jasemini,” është “vrull” dhe kujtim i rrëmbyer, është varg që endet në eter dhe të bie drejt e në zemër. Ca më tepër, kohëzgjatja e saj nuk matet me orë, por me çaste që digjen shpejt dhe ndizen sërish brenda kujtesës. Në thelb kjo poezi e Kotes nuk kërkon të na bindë, por të na zgjojë, të na kujtojë se vërtet kemi fare pak kohë dhe se brenda kësaj pakësie fshihet gjithë madhështia e të jetuarit.

I-Jemi mësuar me befasitë poetike të Odise Kotes, por poezia "Kemi fare pak kohë" e tij e tejkalon pritshmërinëmë optimiste, pse është një reflektim intim e filozofik mbi kalimin e kohës, dëshirën për jetë të plotë dhe dashurinë që mbetet si një kujtim i gjallë përkundër humbjeve. Ai ndërthur në poezi ndjenjën e ngutjes me mallin e pashuar dhe një vetëdije të thellë për realitetin e jetës. Në realitet Odise Kote e ngre poezinë e tij mbi truallin modernist, me forma të lira dhe ndjeshmëri bashkëkohore, por burimi nga i cili ushqehet mbetet gjithnjë koha; ajo që ikën, që mungon, që lëndon e që shpëton. Ndaj me të drejtë e cilësojmë këtë poezi “maja e kurbës poetike në rritje e Odise Kotes”.

1.Vargjet hapen me një ton të sinqertë, gati lutës: “kemi fare pak kohë për t’i bërë gjithë gjërat që duam!”. Është një thirrje për të jetuar me ndjenjë, përpara se koha të “mbarojë” me vogëlsirat e rrëndomta, apo siç thuhet “ para se të fiket kandili”. Ky varg përsëritet si refren, duke theksuar idenë e efemeritetit të jetës dhe rëndësinë e momenteve të vogla që duhen kapur dhe jetuar me intensitet, sepse jeta në fakt është shumësia e momenteve të jetuara e përjetuara.

2.E parë në aspektin artistikisht, poezia spikat për:

Simbolikën: kthesat, udhëkryqet, stacionet pa destinacion përfaqësojnë humbjen, pavendosmërinë apo mashtrimin e jetës. Ndërkohë që “paratë e pista nderur në telin e rrobave” shprehin realitetin e sotëm, banalitetin e përditshëm që përplaset me idealet.

Kontrasti i brendshëm: poezia shfaq një tension mes dëshirës për të ndryshuar gjithçka dhe ndjenjës së qënies vonë ose të mospasjes kohë  për ta realizuar. Po ashtu dhe  ndjesitë e dashurisë përzihen me dëshpërimin dhe njëfarë kapitullimi përballë ashpërsisë së kohës.

Imazhet poetike janë plot freski dhe ndjeshmëri, si; “gjire si manushaqet e dëborës” apo “dëshira më shpie tek një lumë” që krijojnë një hapësirë të brendshme, intime, ku dashuria shpreh natyrën e vet, të egër e të pastër. Më shumë se me fjalë poezia flet me ngjyrën dhe dritën e imazheve.

Ton i poezisë është i butë dhe përsiatës; ndonëse ka dhimbje, nuk ka akuzë; poezia është krijuar si pohim i një ndjenje të paplotësuar, por jo i thyerjes shpirtërore. Dëshira për t’u bërë “kujtesë” është më shumë një formë e përjetësimit shpirtëror, jo një kërkesë për pronësi emocionale.

Në thelb, poezia e Kotes  është e ndjerë, e ndërtuar me një gjuhë të pastër e figuracion të matur dhe i flet lexuesit me ankthin e kohës së pakët dhe dashurisë së papërfunduar. Është një poezi për të kujtuar vlerat që nuk treten , dashurinë, ndjeshmërinë, kujtesën..

II-Në një kohë kur fjala zbrazet në tinguj, poezia e Kotes vjen si një frymëmarrje normale. Ajo nuk bërtet, nuk trondit me fjalë të mëdha, por të fton të heshtësh pak, të rrish në vend, të dëgjosh apo të meditosh një zë që i flet dashurisë me vetëdijen e humbjes dhe me fisnikërinë e kujtesës, e thënë ndryshe: të dëgjosh si i flitet dashurisë nga ai që dashuron vërtet. Në këtë poezi, risitë nuk krijohen për të qenë moderne me çdo kusht, por për të shpëtuar nga rrëshqitja në sentimentalizëm, për të gdhendur një tjetër mënyrë për të shprehur dashurinë.

1.Risia e parë është muzika e brendshme që buron nga përsëritja dhe të kesh muzikë në shpirt do të thotë të kesh dashuri. Vargu “kemi fare pak kohë / për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” është më shumë se një konstatim: është rrahja e një zemre që sheh orën (e dashurisë dhe të jetës) të ikë duke u marrë me gjera të vogla, e një zemre që e njeh fundin, por nuk dorëzohet. Është një refren i heshtur, që lidh fillimin me fundin, dhe rikthehet si një kujtim që s’mund të fshihet. Është vërtet një melodi e bukur për tu përjetuar, sepse tregon më së pari se ende jeton dhe kur jeton, ke shpresë e kohë për dashuri.

2.Në poezinë e Kotes gjuha e përditshme ndrin si poezi. Odise Kote thyen murin ndarrës mes të lartës poetike dhe tokësores jetësore. Kur shkruan: “Ndonëse përjashta në telin e rrobave / janë nderur paratë e pista për t’u tharë”ai fut në poezi një realitet që është i vërtetë. Ky është një gjest poetik i guximshëm, ai e vesh ndershmërinë me figure artistike, dhe e bën të zakonshmen të tingëllojë si zbulim i rrallë, përveçse si figurë letrare..

3.Poezia sjell një erotikë të  pastër, pa mesazhe të dukshme.Femra e dashur nuk është një trup për t’u përshkruar, por një ndjesi e dritëshme që ndriçon kujtesën. Ai nuk thotë: “je e bukur”, por e ndien bukurinë në aromë, në shije, në afrim shpirtëror:

“Ke aromë jasemini, shushurimë,

çaste të rrëmbyera,

je sërish vrull.”

Të flasësh me fjalë të tilla do të thotë të flasësh me fjalë dashurie dhe vrulli, ah ky vrull,  nuk është epsh, por frymëmarrje e ringjallur e ndjenjës së dashurisë që s’është harruar. Lexon këto vargje dhe rikthen kokën pas në kohë për të parë dhe pyetur veten, pse nuk i ke thënë dhe ti dikur, kur dikush i priste ti dëgjonte.

4.Odise Kote i ka përmbysur klishetë tradicionale  lirike në dashuri. P.sh. në vend që të mallkojë mungesën, ai përmbys çdo pritshmëri poetike.

“Nuk më mungon qielli,

nuk më mungon zëri,

nuk më mungon deti,

nuk më mungon fjala,

nuk dëshiroj dëshirën e dëshirës.”

Sigurisht që është mungesa më poetike në letërsi. Me këtë pohim, poeti shmang çdo stërnjohje, çdo mallëngjim të lehtë,  ai duket se nuk i lyp më jetës. Tani kërkon të mbetet, të jetë kujtesë. “Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde.” Në këtë varg kemi një nga risitë më të holla: dashuria kthehet në kujtesë poetike, në gjurmë, jo në zotërim. A ju kujtohet me sa mall shpirti kemi thënë apo na është thënë fjala e zakonëshme në dukje: “Mos më harro”. Dhe një luleje ja kemi vënë si emer këto dy fjalë, kaq të bukura dhe mallëngjyese janë, thjeshtë që të mos i harrojmë asnjëherë.

5.Si gjithmon dhe këtu, poezia e Kotes që nuk kërkon të shpjegohet, por të ndjehet Kjo është një poezi që nuk ndërtohet për t’u analizuar,madje nuk ka nevojë të analizohet, ajo krijohet për t’u përjetuar. Fjala s’është zbukurim, por dridhje. Poeti nuk kërkon të tregojë çfarë ndjen, por të të bëjë ta ndjesh edhe ti; zvogëlimin e kohës, thërrmimin e ëndrrës, një dashuri që rri pezull mes mundësisë dhe pamundësisë. Që të duket sikur të thotë “nxito djalosh” se nuk e gjen më.

Ndaj themi se poezia “Kemi fare pak kohë” e Kotes sjell në poetikën shqipe një frymë që bashkon heshtjen dhe fjalën, brishtësinë dhe mençurinë, rrëfimin dhe përmbajtjen. Ajo nuk i përket më vetëm autorit, por çdo lexuesi që ka dashur, ka humbur, ka dashur sërish , me më pak kohë, por me më shumë vetëdije.

III-Poezia “Kemi fare pak kohë” e Kotes u flet lexuesve bashkëkohorë dhe bashkëvendës me një zë që afron. Ajo nuk predikon, nuk komandon, nuk sforcohet të jetë moderne; është vetë koha jonë që flet prej saj: koha që na rrëshqet nga duart, koha që s’na pret.

1.“Kemi fare pak kohë/për t’i bërë gjithë gjërat që duam!” Ky nuk është vetëm një varg, është një orë me zile në shpirtin e brezit tonë të lodhur nga ngatërresat, nga kthesat që s’çojnë askund, nga stanjacionet e strgjatura dhe “stacionet pa destinacion.” Lexuesi shqiptar sot, ai që vrapon gjithë ditën dhe kthehet me duar bosh, e gjen veten te kjo poezi, në këtë rraskapitje që nuk ka emër, por që poezia e quan thjesht: “kohë të çmuar” që na është marrë.

2.Poeti nuk shkruan për një çift të panjohur në një vend të largët, diku në Afrikë apo Indi, ai flet për ne. Për ata që jetojnë në një vend ku shpesh paratë ndoten edhe para se të shpenzohen:

“Ndonëse përjashta në telin e rrobave

janë nderur paratë e pista për t’u tharë.”

Këtu, bashkëkohësit tanë e ndiejnë thumbin, ironinë e butë, por të saktë. Këtu s’ka nevojë për slogane, gazetat dhe radiot e TV flasin çdo orë për tendera “të fryrë” etj, por poeti mjaftohet  menjë pamje e zakonshme, një tel rrobash ku nderen paratë e pista të porsalara, dhe lexuesi e kupton: kjo është Shqipëria e tij.

3.E megjithatë, çuditërisht në një botë që zhurmon, kjo poezi zgjedh të shushurijë. Zgjedh erën e jaseminit në vend të britmës. Për lexuesin që e ka lodhur  zhurma e rrjeteve, nga fjalët e mëdha, nga lajmet që zhbëhen çdo një orë, kjo poezi është vrull i brendshëm, jo zhurmë e jashtme. “Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde” E njohim këtë dëshirë pse e kemi përjetuar në dashurinë e sinqertë, e dimë që është: jo të marrë, por të mbetet, jo të zotërojë, por të ndriçojë kujtimet e tjetrit. Është një mënyrë e re për të dashur, ndoshta më e sinqerta; më e heshtur, më njerëzore, më e durueshme.

4.Kur poeti thotë: “Nuk më mungon qielli,/nuk më mungon fjala…” lexuesi shqiptar mund të ndalet dhe të mendojë: nuk dua më të njëjtat gjëra si dikur. Dua më pak, por dua më vërtet. Në një kohë kur gjithçka përpiqet të jetë e shpejtë dhe e dukshme, kjo poezi na kujton se jeta është libër që shkruhet ngadalë. Kjo është thirrja e saj: të mos harrojmë të jetojmë, të duam, të jemi, megjithëse kemi fare pak kohë.

5.Në fund, kjo poezi nuk flet vetëm për dashurinë, por flet për mënyrën sesi duam ne si shqiptarë, si njerëz të lodhur, por të ndjeshëm. Flet për ne, pa na zëvendësuar me askënd. Prandaj, është e jona, prandaj, e ndiejmë si zë të brendshëm, jo si zë të huaj. Prandaj e duam poezinë e Odise Kotes, se dhe pa e kuptuar e ndjejmë se është poezia jonë.

 

Sarandë, më maj 2025

 

 

Kemi fare pak kohë ...

 

E dashur,

kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

 

Humbëm nē kthesa, udhëkryqe,

stacione pa destinacion,

kohë të çmuar,

apo kaq djallëzisht na ngatërruan?

 

Na rrëzuan prej shkëmbit: S’ka gjë, kjo është dhimbja jonë!

 

Vazhdojmë të jemi libër që shkruhet ngadalë,

me këmbënguljen e fortë:

të ndryshojmë e lëmë gjithçka pas.

Ndonëse përjashta në telin e rrobave

janë nderur paratë e pista për t’u tharë.

 

Dëshira më shpie tek një lumë

sepse ti ke ende erë mali,

kërcinj të lagur prej vesës,

gjire si manushaqet e dëborës.

 

Ke aromë jasemini, shushurimë,

çaste të rrëmbyera,

je sërish vrull.

 

Kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

Asaj që nuk do të kthehet më,

ia dhuroj këto vargje.

 

Nuk më mungon qielli,

nuk më mungon zëri,

nuk më mungon deti,

nuk më mungon fjala,

nuk dëshiroj dëshirën e dëshirës.

Dua diçka tjetër, dua të jem kujtesa tënde.

 

E dashur,

kemi fare pak kohë

për t’i bërë gjithë gjërat që duam!

Monday, 12 May 2025

 

 

KOHA QË NDRIT NË POEZI

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Në kohën më të bukur të trupit” e Natasha Lakos është një rrëfim i brishtë dhe intim mbi përjetimin e trupit dhe shpirtit në një moment ndjeshmërie, ku koha fizike dhe shpirtërore ndërthuren në një dritë të butë. Ajo nuk i qaset jetës perms një rrëfimi të drejtpërdrejtë, por përmes një gjuhe figurative, ku natyra, drita dhe ndjesitë bëhen zëdhënëse të një përvoje intime, femërore dhe njëherazi universale. Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm fizik, por një qenie që ndjen, që përjeton, që fërgëllon me botën përreth. Lako përmes një gjuhe të dritësuar nga imazhi, metafora, simboli dhe ritmi i brendshëm, na fton të ndjejmë poetikisht atë çast ku ndodhia dhe ndjenja përthithen në një, dhe ku vetë poezia bëhet melodi e përjetimit të dritës.

I-Titulli "Në kohën më të bukur të trupit" është një hyrje e heshtur dhe meditative drejt një përvoje jo vetëm fizike, por dhe shpirtërore, sensuale e poetike. Ai nuk cakton një periudhë konkrete të jetës; nuk është fëmijëria e pafajshme, as pleqëria e urtë, por një çast i brishtë kur trupi është në kulmin e ndjeshmërisë, i vetëdijshëm për veten dhe i hapur ndaj jetës. Është koha kur njeriu nis të njohë trupin e tij dhe pse jo, edhe ta eksplorojë atë. Kjo kohë është më shumë ndjesi se sa etapë biologjike; është periudha kur trupi dhe shpirti takohen në harmoni.

Po ashtu, përcaktimi i saj (kohës) si "më e bukura" nuk lidhet me përkufizime të jashtme si bukuria fizike, rinia, apo shëndeti i plotë. Ajo është një bukuri që buron nga brenda, nga ndjeshmëria që trupi fiton në marrëdhënie me botën dhe me veten. Ajo është një bukuri e përjetuar, jo e vëzhguar dhe dallimi këtu është tepër thelbësor.

Në vargun: "Ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

                         që kërkon shtat dhe shtrat..."

rrezja e diellit simbolizon dritën, ndjesinë, jetën, dëshirën që kërkon "shtat dhe shtrat", pra një trup që të mishërojë këtë ndriçim dhe hapësirë intime ku të pranohet. Trupi, në këtë kohë, është i gatshëm jo vetëm të përthithë dritën, por edhe ta shndrojë atë në ndjenjë, në përjetim, në poezi.

Një tjetër pasazh: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

                                  me mua të ndajë botën në fshehtësi."

krijon një atmosferë  bashkëjetese mes trupit dhe natyrës, që në fshehtësi e vendos trupin në dialog me jetën, në marrëdhënie ku sensualiteti nuk është vulgaritet, por një mënyrë për të ndier tërësinë e ekzistencës.

Pra, nqse do kërkonim të specifikonim se cilët janë faktorët që e bëjnë këtë kohë "më të bukur", pa dyshim që do pohonim se ata janë të shumtë, por ne le të cilësojmë disa, që i takojmë në vargjet e poezisë së Lakos dhe konkretisht:

-Vetëdija e trupit për veten; jo thjesht për bukurinë fizike, por për ndjeshmërinë.

-Pjekuria e ndjesive, që nuk janë më të shpërndara apo të paqarta, por të fokusuara e të thella.

-Dëshira për bashkëndarje, marrëdhënie intime me natyrën, dritën, ndoshta dashurinë.

-Poetika e çastit; është koha kur dhe përvoja më e vogël e momentit ka intensitetin e një zbulimi.

Kjo kohë mund të jetë rinia, por edhe një fazë e mëvonshme, kur gruaja ndihet e plotësuar me veten, trupi është i gjallë e i ndjeshëm. Në këtë mënyrë, titulli fiton një dimension universal: koha më e bukur e trupit është ajo kur jeta shijohet me të gjitha shqisat, kur përjetimi është i thellë dhe kur ndarja me tjetrin bëhet në fshehtësi të buta.

II- Lako në shumicën e krijimeve të saj nuk e shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë gjininë e heroit lirik, por te kjo poezi, lexuesi, ndonëse nuk e lexon, e ndien dhe përjeton qartë qënien  femërore të heroinës në mënyrën si vëzhgon botën, si komunikon me natyrën dhe trupin, si përjeton dritën dhe ngjarjet rreth saj. Ky përcaktim vjen nga toni i butë, ndjeshmëria delikate dhe lidhja intuitive me trupin e natyrën, të cilat janë të mishëruara në përjetimin dhe zërin poetik femëror. Disa vargje janë kyçe për këtë:

"Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kërkon shtat dhe shtrat..."

ku, vëzhgimi i rrezeve të diellit që kërkojnë “shtat dhe shtrat” vjen nga një zë që i përgjigjet dritës, jo thjesht si spektatore, por si një trup i vetëdijshëm për ndjesinë e vet, trup që përjetohet si femëror, jo vetëm që vëzhgon.

Po ashtu, vargu: "Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

                               me mua të ndajë botën në fshehtësi"

tingëllon si një bashkëbisedim delikat mes një femre dhe natyrës; një ndarje sekrete, e përqendruar në një intimitet të heshtur, që është tipik për një përjetim të brendshëm femëror. Figuracioni është i butë, përkëdhelës, sensual pa qenë erotik, i trupshëm dhe shpirtëror njëkohësisht.

Në tërësi, është trupi i përfytyruar në kulmin e bukurisë dhe ndjeshmërisë së tij, që i jep poezisë zërin e një femre, që e përjeton botën përmes një shpirti të mishëruar në trupin e vet. Edhe pse pa emërtimin gjinor, poezia vetë është një gjuhë e trupit femëror që tingëllon si fërgëllimë e brendshme e dritës.

III-Natasha Lako, me një ton të përmbajtur, por të ndjerë krijon një poezi që është një himn i butë për një stinë të brendshme: kohën më të bukur të trupit, ku  siç thamë, nuk kemi të bëjmë vetëm me rininë si kategori biologjike, por me një çast drite të brendshme, kur ndjeshmëria, vetëdija trupore dhe përfshirja në botë përftohen si përjetime të plota dhe të vërteta.

1.“Në kohën më të bukur të trupit,

Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,

Të njohura dhe të lira.”

Tre vargjet e para nuk përshkruajnë një trup në mënyrë të drejtpërdrejtë, por këtë e realizojnë përmes atmosferës që e rrethon. “Ndodhitë” janë “të njohura”, pra të përjetuara më parë ose të pritura dhe njëkohësisht “të lira”, çka e zhvendos tonin drejt spontanitetit, pjekurisë emocionale dhe trupore. “Harlisen rreth e rrotull” është një përshkrim i butë, gati i hareshëm, që i jep jetës rreth trupit një frymëmarrje lozonjare dhe rritjeje. Trupi është epiqendra, por poetja nuk e emëron drejtpërdrejt; ai jetohet përmes rrethanave, ndjesive, dritës.

2.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

Që kërkon shtat dhe shtrat,

E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.”

Këto vargje vendosin një tjetër qendër poetike: një rreze dielli që kërkon trupin ku rrezja është imazh i dritës së re, i agimit të ri, i dëshirës, por edhe i asaj që lind për të takuar tjetrin. Rrezja është “e posalindur”, e pafajshme, por ka një kërkesë trupore: kërkon “shtat dhe shtrat”, çka e shfaq më hapur gjininë femërore të heroit lirik. Metafora është plot ndjenjë, dielli kërkon vendin ku të prehet, dhe poezia merr ngjyrim sensual, por përmes simbolikës. Lëvizja e “vorbullës së rrotullimit” na kujton ciklet jetësore, luhatjet e brendshme, pasionin e pashprehur me fjalë, por i pranishëm në çdo hapësirë të vargjeve.

3.“Një bar i posadalë vërtitës,

Nuk e jep të plotë ngjarjen.

Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

Me mua të ndajë botën në fshehtësi.”

 

Këto vargje mbyllëse e bëjnë poezinë  më intime. Një bar i njomë  s’është në gjendje të shpjegojë  plotësisht përvojën e trupit apo të ndjesisë. Vetë natyra s’ka fjalë të mjaftueshme për të dëshmuar “ngjarjen”. Lulja “hap krahët dhe përkundet lulelofata” në një veprim që është sa sensual aq dhe shoqërues. Nuk është më trupi që përjeton botën, por bota (lulelofata) që hyn në fshehtësi me të, në një ndarje intime dhe të papërkthyeshme me fjalë.

Përfundimisht poezia nuk emëron dashurinë, as trupin, por i jeton ato përmes dritës, rrotullimit, gjendjes dhe natyrës. Feminiteti i subjektit lirik nënkuptohet jo vetëm nga zëri i brendshëm dhe përvoja sensuale, por nga mënyra si ajo hyn në marrëdhënie të heshtura me botën, si të ndash diçka që nuk thuhet, por jetohet. Poetja nuk  ekspozon, ajo  zhytet në thellësinë e përvojës. Është një kohë që nuk matet me moshë por me ndriçimin e brendshëm që ajo mbart.  Në këtë poezi, trupi nuk është vetëm materie, por është hapesirë për dritë, ndjeshmëri dhe fshehtësi. Prandaj është koha më e bukur.

IV- Kjo është poezi plot dritë, por drita nuk është thjesht ndriçim fizik, ajo është dritë që nuk zbret nga qielli, por lind brenda qenies në çastin kur trupi dhe ndjesia përputhen në një të vetme, gjë që të kujton poezinë “Vezullomë” të kësaj poeteje, për të cilën kemi folur. Drita është gjuha e padukshme e poezisë së Lakos, përmes së cilës lexohet ajo që nuk thuhet.

1.“Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kërkon shtat dhe shtrat”

Këtu drita është një qenie më vete, jo thjesht dielli, por një “rreze e posalindur”, ende e re. Ka një pafajësi të butë kjo rreze, por dhe nevojë të brendshme për mishërim. Këtu drita nuk ndriçon trupin, por kërkon të hyjë brenda tij, të bashkëjetojë me të, të bëhet një me atë. Pikërisht këtu ndodh përmbysja: nuk është njeriu që kërkon dritën, por drita që kërkon njeriun. Kjo e bën përvojën më intime dhe më të papërcaktueshme,  është drita që vjen nga brenda dhe projektohet jashtë: “E përfshirë në vorbullën e rrotullimit”, pra rrezja, si përfaqësuese e dritës, është “e përfshirë”, jo e lirë, por e tërhequr në një rrotullim  që mund të jetë koha, jeta, ndjesia. Ky vorbullim nuk është dhunë, por lëvizje e natyrale, një mënyrë tjetër për të thënë që drita është jetë në përzierje të pandashme me ndjesitë e trupit.

2.Edhe në fund, drita shfaqet në mënyrë të tërthortë përmes një luljeje: ‘Hap krahët dhe përkundet lulelofata’. Këtu lulja bëhet mishërim i dritës, jo më thjesht si element i natyrës, por një shfaqje e gjallë e butësisë, e ndriçimit të brendshëm. Drita nuk vjen më nga jashtë; ajo është lëvizje e heshtur që përhapet nga brenda, që e bën lulëzimin të duket si frymëzim, si frymë që merr formë në trupin e lules.

Në poezinë e saj, Lako nuk e përdor dritën si simbol klasik të shpresës apo ditës, por si një gjuhë sekrete për përvojën e trupit, një mënyrë për ta folur atë pa e emërtuar. Drita te kjo poete është më shumë ndjesi sesa shfaqje, më shumë jehonë sesa pamje. Është ajo që nuk duket, por që i jep kuptim gjithçkaje. Në këtë mënyrë, poezia vetë bëhet një trup drite, jo për t’u parë, por për t’u ndjerë. Dhe lexuesi, pa e kuptuar, bëhet pjesë e asaj fshehtësie që “ndahen me mua botën” në heshtje. Po kjo është edhe forca e vërtetë e artit: të ndriçojë pa verbuar.

V-Ndërsa lexoja vargun për “rrezen e diellit të porsalindur”, më kaloi në mendje kujtimi i një drite tjetër, që vjen e “ngarkuar” me emra të shenjtë te poezia “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël”, po të Lakos me vargjet: “E ngarkuar me vandakun e diellit Kleopatra, pastaj Maria / pastaj Maria Magdalena” dhe më lindi një mendim, i beftë, por i ngrohtë: mos vallë kjo dritë e Lakos  te poezia "Në kohën më të bukur të trupit" është më shumë se dritë? Mos është ajo një shenjë e shenjtëruar që shfaqet si padashur në vargje?

1.Ky mendim, megjithëse i lindur në një çast të vetmuar leximi, më tingëllon i mundur, kur e vendos brenda universi poetik të Natasha Lakos. Sepse në poezinë e saj, drita nuk është vetëm ndriçim, ajo vjen si frymë që prek lëkurën e ndjesisë, si diçka që nuk flitet, por që të përshkon, ashtu si dhe te vargu: “E ngarkuar me vandakun e diellit …Maria / pastaj Maria Magdalena” ku kemi shpjeguar se drita që mbartin ato ngarkuar nuk është vetëm diellore, ajo së pari është një dritë e shenjtë. Nëna e Krishtit dhe Maria Magdalena hyjnë në varg për të sjellë një përmasë tjetër të realitetit, një përvojë përtej reales. Te poezia “Në kohën më të bukur të trupit”,  në vargun “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur”, rrezja nuk është një vijë drite, ajo është një zë i heshtur që flet me shpirtin dhe zbulon më shumë se sa duket. Ajo kërkon “shtat dhe shtrat”, si një dritë që dëshiron të trupëzozhet, të hyjë në jetë, në frymë, një dëshirë për bashkim mes qiellores dhe tokësores. Nuk ka imponim në këtë kërkesë, vetëm një lutje e butë. Dhe natyra heshturazi, përgjigjet me një rit të brendshëm: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata / me mua të ndajë botën në fshehtësi.” Lulja këtu është një shenjtore e natyrës që përqafon të njëjtën dritë, që ndan me heroinën të njëjtën ndjesi. Janë dy trupa që përkohen në një heshtje të ndritshme. Nëse e kujtojmë, edhe shtatzënia e Shën Mërisë  erdhi përmes një arome trëndafili dhe u përjetua si një dritë që hyn në trup si frymë qiellore. Poezia e Lakos duket si përshkim i të njëjtës udhë: një zbritje e dritës në mish, një shenjë që ndriçon përditshmërinë dhe e shenjtëron me thjeshtësi.

Sigurisht që lexuesi do shtrojë pyetjen: A është kjo një lexueshmëri që vetë poetja e ka parashikuar? Unë ju them se mund të mos ketë qenë e menduar fjalë për fjalë, por është e natyrshme që poezia e saj të pranojë edhe këtë interpretim. Lako e ndërton vargun me shtresime kuptimore, ku gjithçka; trupi, koha, drita, heshtja kanë një jetë të shumëfishtë: konkrete, poetike, shpirtërore. Kjo na çon në një vëzhgim më të thellë për stilin poetik të Lakos: ajo nuk qëndron vetëm në përshkrimin e botës njerëzore, as në botën konkrete; ajo e tejkalon përmasën njerëzore për të përfshirë diçka më të madhe, më të vështirë për t’u emërtuar: të shenjtën. Edhe kur nuk e synon drejtpërdrejt, vargu i Lakos rrëshqet natyrshëm drejt të shenjtës, kjo nuk ndodh pse ajo e thërret me qëllim, por sepse brenda saj, si brenda çdo qenieje me ndjeshmëri të thellë, flasin heshtje të lashta, simbole që kanë mbijetuar në gjuhë dhe në kujtesën kolektive, përtej kohëve. Këtu ndoshta duhet të themi se gjuha shqipe është ndër më të lashtat në botë dhe Natasha Lako është një njohëse e thellë e saj, e kësaj gjuhë që që mbart në vetvete përvojën njerëzore dhe hyjnoren dhe nuk e dallon lehtazi kufirin midis dritës tokësore dhe asaj hyjnore. Gjuha poetike që përdor Lako është urë drejt së pakuptueshmes. Pikërisht aty ku fjala fillon të dridhet dhe ndjenja thellohet, nis përjetimi i së shenjtës. Pikërisht këtu ngatrrohen ata që thonë se poezia e Lakos është e vështirë.

2.Një nga figurat më tërheqëse që Lako përfshin në poezinë e saj është lulelofata , një lule që në botën reale përkon me pemën e njohur si “lulja e Judës”, me lule rozë-vjollcë që çelin drejt e nga trungu. Bibla e lidh këtë pemë me Juda Iskariotin, dishepullin që tradhtoi Krishtin dhe më pas, i penduar, u vetëvar në një degë të saj. Thuhet se për shkak të kësaj ngjarjeje, lulet e bardha të pemës u kthyen në rozë-vjollcë, si një shenjë turpi apo pendimi. Nqse në poezinë “Në Tiranën e kafshuar dhe të ëmbël” vargjet e rrezeve sillnin një dimension shenjtëri, te kjo poezi lulelofata e parë në prizmin e lules së lofatës sjell dimensionin e turpit dhe pendimit, me skuqje në ngjyrën e lules dhe me dëshirë për të shlyer fajin. Dhe çelja e luleve direkt në trung e degë ngjajnë  si plagët e gozhdëve në  duart e këmbët e Krishtit në kryq. Sigurisht që kjo histori nuk përmendet në poezi, por përfshirja e kësaj luleje në vargun e saj krijon rezonancë të thellë me kuptimin e dritës që përshkon poezinë. Nëse e marrim këtë figurë në vazhdën e poezisë së Lakos, atëherë ajo bëhet më shumë se një imazh natyror. Ajo bëhet një simbol i heshtur i një drite që prek plagën njerëzore dhe e ndriçon atë pa zhurmë. Në këtë mënyrë, poezia e Lakos shfaqet si një urë ku e bukura poetike kalon natyrshëm dhe ndjesia, kujtesa dhe simboli përthithen në një përvojë që prek të shenjtën. Ajo që dua të them unë është se në asnjë poezi  imazhet nuk flasin shpirtërisht si te poezitë e Lakos. Në aspektin e ndërthurjes së kësaj  qasjeje , në përgjigje të pyetjes mbi mënyrën e përfshirjes të saj  në poezi, ne mund të themi se: edhe nqse poetja nuk e synon, vargu i saj rrëshqet natyrshëm drejt së shenjtës. Kjo ndodh jo nga që ajo e fton, por sepse brenda saj,( si dhe brenda nesh) flasin heshtje të lashta, kujtime e simbole që kanë udhëtuar brez pas brezi. Gjuha poetike është një urë drejt së pakuptueshmes, ajo kërkon të prekë atë që nuk emërtohet lehtë dhe e shenjta është pikërisht aty, ku fjala nis të dridhet dhe ndjenja thellohet. Dhe pastaj është lexuesi, i cili në vetminë e leximit e gjen veten përballë një dritë tjetër, që ndonëse nuk është besim, është prani. Në atë çast, poezia nuk është më vetëm e autores, por është një përshpirtje e përbashkët, e njeriut me misterin. Ndoshta e vlen të kujtojmë se shkrimet e para të shenjta kanë qenë në formë poezie.

VI-Në këtë poezi të Lako-s, figurat artistike nuk janë mjete zbukuruese: ato ndërthuren në mënyrë të pandashme, duke krijuar një imazh të gjallë e dritësor, ku secila figurë flet në gjuhën e tjetrit. Metafora, simboli dhe personifikimi bashkëveprojnë si valë dritash, që nuk shfaqin vetëm përfytyrime, por ndërtojnë përjetime, ndjenja që nuk duhen vetëm lexuar, por duhen ndier në lëkurë, në frymë, në trup. Për ta ndjerë këtë ndërveprim figurash në krijimin e imazhit poetik, le të lëvizim kah imazhi te figura përbërëse, si pikënisje dhe si frymëmarrje e poezisë.

1.Kështu te imazhi i ndritshëm dhe i butë: “Unë ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur” aty ku poetja i “ngul sytë”, s’ka vetëm vështrim, por ka dëshirë, zgjedhje dhe përqendrim ndjesor. Këtu, metafora: “rrezja e posalindur” nuk është thjesht dritë natyrore, por një ndjenjë e sapolindur, një dritë brenda shpirtit që kërkon trup, simboli: “rrezja” përfaqëson diçka të pastër, të re, ndoshta një ndjesi dashurie ose ndërgjegjësi-min e bukurisë, ndërkohë që personifikimi: rrezja është qenie që “kërkon”, është aktive, e gjallë, e pranishme si një tjetër qenie që merr pjesë në skenën shpirtërore të subjektit lirik.Pikërisht ky ndërveprim I metaforës, simbolit dhe personifikimit, duke mbartur efektet e tyre dritësore, krijojnë imazhin e mësipërm.

2. Te imazhi i përbashkët i trupit dhe shpirtit,: “Që kërkon shtat dhe shtrat” ku drita nuk është më e huaj, por kërkon të hyjë, të rrijë, të bëhet një me heroine, metafora: “shtati dhe shtrati” nuk janë vetëm trup dhe krevat, por hapësirat e ndjeshmërisë, e dashurisë, e prirjes për t’u bërë një me diçka të padukshme. Simboli: shtrati është vendi i lindjes, i intimitetit, por edhe i bashkimit shpirtëror dhe personifikimi: i dritës që është kthyer në një qenie që ka nevojë, që “kërkon”. Pra, ndërveprimi i tre figurave, duke mbartur me vete “botën” e tyre krijojnë imazhin ëndërrsjellës të mësipërm.

3. Imazhi  tepër delikat lëvizës që duket se shfaq trupin tjetër të ndjeshsmërisëë, një alter ego që reagon ndaj të njejtës dritë: “Hap krahët dhe përkundet lulelofata” është i përbërë nga: Metafora: “lulelofata”, një bimë  jo-rastësore, e cila në thelb është një shëmbëlltyrë e subjektit lirik femëror, e natyrës së saj që hapet, përkundet, përjeton. Personifikimi: lulja “hap krahët dhe përkundet”, pra bëhet si njeri, si grua që përjeton të njëjtën gjëndje emocionale. Dhe simboli: “lulelofata” e cila mund të përfaqësojë natyrën femërore, ndjeshmërinë, bukurinë që nuk flet por përgjigjet ndaj dritës. Një ndërthurje e tre elementeve artistikë që krijojnë imazhin që të ngelet në kujtesë për finesën dhe bukurinë e tij.

4. Po kështu dhe imazhi i brendshëm, i heshtur, ku gjithçka është në përputhje me atë që nuk thuhet, por që jetohet thellë “Të ndajë botën në fshehtësi”e krijuar nga ndërveprimi i simbolit: “bota”, e cila  nuk është “bota” e jashtme, por universi i brendshëm i subjektit lirik e bashkuar me  personifikimin: “lulja”,  që si shoqe, ndan botën me subjektin, pse është bashkëjetuese në fshehtësi. Pra ky ndërveprim figurash krijon këtë imazh poetik i cili mbart bukurinë dhe dritësinë e tyre.

Mbartja e dritës nga figurat ndërvepruese është arsyeja që të gjitha këto imazhe shndërrohen në dritë ndjesie, në valë të buta që përplasen në shpirtin e lexuesit, sepse metafora, simboli dhe personifikimi nuk qëndrojnë të ndarë, por ndërthuren në një ritëm të brendshëm që krijon një botë të ndritshme dhe intime. Ndaj themi se poezia e Lakos është poezi që nuk flet me fjalë, por me dridhje, me rreze të padukshme, me një gjuhë që i ngjan më shumë ndjenjës sesa logjikës. Dhe kështu, poezia nuk lexohet me fjalë, por ndjehet me dritën e brendshme që ajo ngjall. Ky është ligjërimi poetik i Lakos: i heshtur dhe ndriçues, si rreze që kërkon vend në një trup. Përmes ndërthurjes së figurave, poezia nuk tregon ngjarje, por krijon një gjendje, një përqafim të brendshëm mes trupit, natyrës dhe dritës, që lexohet jo me mendje, por me ndjeshmëri. Dhe kjo është, në thelb, vetë poezia.

VII- Interesante është se poezia e Lakos, “Në kohën më të bukur të trupit”, përjetohet si një fërgëllimë gjatë leximit, si një dridhje që nuk kërkon fjalë, sepse lind para fjalës. Ajo nuk ka nevojë të shpjegojë veten; mjafton të jetohet. Fërgëllima e trupit në këtë poezi është një përjetim që nuk e gjen shpjegimin në logjikë. Ajo ndodh, si një reaksion i trupit ndaj një përjetimi të pastër, të heshtur, që nuk përkufizohet, por ndjehet në drithmën e gjakut, në ritmin e fshehtë të lëvizjes që poezia shkakton.

Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” nuk është thjesht një pamje natyrore, por një trup i butë që përthyhet në frymën e jetës. Lulja nuk është vetëm lule, por diçka që merr frymë bashkë me njeriun. Në këtë akt poetik, natyra nuk përshkruhet, por bashkëjetohet dhe poezia nuk është për të parë botën, por për t’u bërë një me të. Kështu, poezia e Lakos nuk kërkon të kuptohet, por të jetohet, ajo nuk vjen për të shpjeguar, por për të ngjallur ndjesi, për të trazuar trupin me një ndriçim që nuk kërkon sy, por prani. Dhe në këtë përjetim, ku fjala nuk është e domosdoshme, poezia bëhet trup, një trup që fërgëllon në heshtje dhe i përgjigjet dritës pa zë.

VIII-Pavarësisht se në pamje të parë duket se në poezinë e Lakos mbizotëron mendimi, ne kemi provuar se ato së brendëshmi janë plot melodicitet. Edhe kjo poezi tingëllon si një melodi e ëmbël e brendshme, jo e kënduar me zë, por e dëgjuar me shpirt. Është një muzikë që nuk i bindet ritmeve të matshme, por rrjedh ngadalë, si një ndjesi e brishtë që ndjek pulsimin e trupit dhe dritën e mëngjesit. Melodiciteti i saj buron jo vetëm nga ritmi i vargjeve, por nga mënyra si fjalët prekin njëra-tjetrën, si zërat e butë të tingujve shndërrohen në një ndjesi heshtjeje të pasur.

Qysh në vargun e parë, kemi një ndërtim të qetë:“Në kohën më të bukur të trupit” ku ka një harmoni zanore në bashkëjetesën e fjalëve “kohë”, “bukuri”, “trup”. Tingujt e hapur “o”, “u” krijojnë një rezonancë të qetë, një përhumbje që të fut si në një ethe të ëmbël. Në vargun: “Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,” fjalët rrëshqasin butësisht mbi njëra-tjetrën, me një ritëm që ngjan me rrezatimin e vetë dritës. Fjala “rrezeje”  me tingullin e dyfishtë “r” dhe zgjatjen e “e”-së, krijon një valë melodike të brendshme që zgjat. Fërgëllimi melodik shtohet edhe nga përsëritja e tingujve të njëjtë, si në: “Hap krahët dhe përkundet lulelofatë” ku “a”, “u”, “e” përzihen në një përqafim të qetë. Fjala “lulelofatë”, e rrallë dhe e butë, është vetë një melodi që hapet e mbyllet në gojë me një valëzimi natyror.

Edhe ritmi i vargjeve ndihmon melodicitetin: ata nuk janë as të prerë, as të ashpër, por ndjekin frymëmarrjen e një shpirti të qetë që po përjeton. Natyra në poezi nuk është jashtë nesh, ajo është bërë melodia e vetë trupit. Simbolet, si rrezja, lulelofatja, bari i ri, janë të butë, të ndjeshëm, si nota në një violinë shpirtërore. Nuk ka asnjë fjalë të rreptë , asnjë tingull të forte, të gjitha përhapen në një muzikë të heshtur që nuk dëgjohet, por ndjehet.

Kjo është arsyeja pse poezia gjatë leximit të përshkon si një melodi e ëmbël: ajo nuk flet me fjalë, por me frymëmarrjen e natyrës, me ndriçimin e dritës, dhe me lëvizjen e heshtur të një shpirti. Melodiciteti i brendshëm i kësaj poezie është aq i natyrshëm dhe i përthithur në strukturën e saj, saqë ajo qysh në leximin e parë tingëllon si një këngë e butë, e flladitur nga era dhe drita. Vargjet kanë një valëzim të qetë, që nuk imponohet nga ndonjë skemë metrike e rreptë, por buron nga vetë frymëmarrja emocionale e poetes. Është kjo frymëmarrje që e kthen poezinë në një tekst kënge, të gatshëm për t’u kënduar, jo si një produkt, por si një shpërthim i ndjenjës së jetuar.

Vargu “Hap krahët dhe përkundet lulelofata,” është një refren i heshtur, që mund të zërë vend natyrshëm në një këngë të ngadaltë, të lirshme, si këngët e Anita Takes. Ai ka lëvizjen, imazhin dhe ritmin; tri shtylla të një melodie të ndjeshme. Ndërkohë, vargjet si:“Një bar i posadalë vërtitës,/Nuk e jep të plotë ngjarjen” bartin një mister poetik që do ta pasuronte çdo kompozim të brishtë, intim, ku fjala s’ka nevojë të shpjegojë, por vetëm të rrjedhë. Madje edhe vetë ideja e rrezes që kërkon “shtat dhe shtrat” është një figurë kaq e gjallë, sensuale dhe muzikore, sa përfton menjëherë një ritëm të brendshëm, një këngë që fillon në shpirt dhe mund të përkthehet në zë.

Poezia është në vetvete një këngë pa muzikë, ku çdo fjalë është një notë, çdo ndjesi një harmoni, dhe çdo figurë një dritare që hapet mbi pentagramin e jetës së ndjerë. Dhe kjo është fuqia e saj e fshehtë: ajo nuk kërkon të bëhet këngë; ajo tashmë është.

 

Sarandë, më Maj 2025

 

 

Në kohën më të bukur të trupit

 

Në kohën më të bukur të trupit,

Harlisen rreth e rrotull ca ndodhi,

Të njohura dhe të lira.

Une ia ngul sytë një rrezeje dielli të posalindur,

që kerkon shtat dhe shtrat,

E përfshirë në vorbullën e rrotullimit.

Një bar i posadalë vërtitës,

Nuk e jep të plotë ngjarjen.

Hap krahët dhe përkundet lulelofata,

Me mua të ndajë botën në fshehtësi.