Tuesday, 11 April 2023

 Timo Mërkuri 

GABIMET E NJË R E Z O L U T E

 

 Në datën 07 prill 2023 në Gazetën Telegraf u publikua Rezoluta  e “miratuar” nga Simpoziumi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Nderi i Kombit” Labëria i zhvilluar në datën 25 mars 2023 shoqëruar më shënimin: “Miratuar nga intelektualë të shquar, kryesuar nga Kadare dhe Qose, kundër “Isopolifonisë“ që është regjistruar në UNESCO, se gjoja vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe buron nga muzika kishtare Bizantine”. Kjo Rezolutë i është drejtuar znj Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe për dijeni personaliteteve më të lartë ta shtetit.

Fatkeqësisht të gjitha pikat e rezolutës janë mbështetur mbi jo të vërteta, keq informime dhe keq interpretime duke përhapur një mjegullnajë informative me synim baltosjen e një arritjeje të artit gojor shqiptar në kuotën e “Kryevepër shpirtërore e njerëzimit”

 

a-Autorët e rezolutës shprehen kundër me: “prezantimin e polifonisë në faqen zyrtare elektronike (me emërtimin “iso-polifoni”) pasi bie ndesh me të vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu identitetin kombëtar shqiptar” por nuk kanë sqaruar se me cilat të vërteta shkencore (sic) bie ndesh dhe ku e godet identitetin kombëtar shqiptar.

UNESCO njohu dhe regjistroi këngën tonë vençe, polifonike me iso,  shumëzërrëshe, iso-polifonike si “Kryevepër shpirtërore të njerëzimit” dhe tekstualisht regjistrimi është: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë:Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”.

Rezolutistët pretendojnë se termi “iso”, si një term grek dëmton identitetin kombëtar shqiptar të këngës sonë, por unë sqaroj se: edhe po të ishte termi “iso” një term grek nuk i prishte asnjë punë këngës sonë, ashtu siç nuk i prishi as termi dyfish grek “polifoni”, por në rastin tonë termi “iso” është një term shqiptar, arbëror, ilir dhe ka kuptimin një-soj, i një llojtë, i një trajtshëm. Edhe njëherë sqarojmë se  Fjalori i Gjuhës Shqipe termin “iso” e  përkufizon: “Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat kryesorë në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rinjve). Këngë me iso. Iso, more djema, iso! Këndojmë (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell)” dhe asgjëkundi nuk shënohet origjina greke e saj.

Për ata që nuk e dinë themi se: “iso” është zëri më i hershëm i këngës sonë vençe, shumëzërrëshe, polifonike me iso, iso-polifonike i ardhur nga ritet mortore të vajtimit me ligje dhe përfaqson rrënkimin mortor të grave që shoqëronin vajtoren kryesore. Besoj se e dini që gratë dhe nënat shqiptare asnjëherë nuk kanë vajtuar vetëm, por gjithmon kanë vajtuar të shoqëruara nga një grup grashë, të cilat me rrënkimet e tyre kanë qënë nisëse të ligjërimit. Theksoj fazën e vajtimit me ligjërime të ritit mortor dhe jo fazën e të qarit “me bot”, që është faza fillestare, momenti i ardhjes së papritur të lajmit të vdekjes a vrasjes dhe ku veprimet dhe gjestet janë impulsive.

Fakti që “iso” është zëri më i hershëm i këngës dëshmohet nga logatja e cila nis me një iso rrënkuese, më pas interpretohet marrësi, hedhësi dhe kthyesi duke vijuar përsëri me iso. Këto janë të përjetuara në familjet tona ku vajtohet me ligjërime dhe grate, disa kohë pas mortit “logatin” për të ndjerin, madje në krahinën tonë të Himarës ndodhte shpesh që gratë, të cilave u kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi ta linin punën në mes, të uleshin diku e nisnin logatjen. Askush nuk guxonte ti ndërpriste.

E vërteta shkencore e këngës sonë vençe është origjina e saj nga vajtimi, ku rënkimi vajtimor i shndruar muzikalisht në “iso” është pjesë e rëndësishme e zërrave të këngës. Iso është kromozoni identifikues i këngës sonë, jo marrësi, kthyesi apo hedhësi të cilët janë zërra solo. Iso përfaqson kolektivitetin dhe  anonimatin e këngës sonë, tiparet më kryesorë të arteve orale jo marrësi, hedhësi apo kthyesi sepse ata janë të identifikueshëm. Të gjithë ne e dimë emrin e Dhimitër Varfit të madh, por pa më thoni pak emrat e mbajtësve të iso-s, ato i dinë vetëm himariotët e vjetër dhe njohësit e thelle të këngës himariote.

Në fjalën e hapjes të simpoziumit lexova: “Barinjtë (lebër), duke qenë të veçuar me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin gëzimet dhe hidhërimet..”. Nuk besoj se ka njeri që i merr seriozisht këto fjalë, të cilat në vetvete janë një mohim i origjinës e lashtësisë së këngës dhe ngushtojnë e hapësirën gjeografike të saj, madje e trajtojnë këngën tonë si një “art të kultivuar” dhe jo si pjesë e artit gojor, duke e ulur kështu moshën e këngës.      

 

b- Rezolucionistët kërkojnë të bëhet: “ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke dhe tezat e shkruara po në atë faqe se “Iso-Polifonia shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine” dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet e kremtimet fetare etj”.

Jo e vërteta, gabimi është qysh në krye në këtë kapitull të rezolutës: Askush nuk ka thënë se kënga polifonike me iso, iso-polifonia e ka origjinën nga “sirenat” greke apo nga “muzika kishtare bizantine”, e ca më pak që kjo këngë shoqëron “ceremonitë mortore”. Në një sqarim të vetin Akademiku Vasil S. Tole ka sqaruar se: “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është qartazi abuzive dhe keqdashëse. Dosja dhe formulari i aplikimit kanë në fokus kryesor dokumentimin, shtrirjen, llojet, stilet, vlerat e dukurisë dhe rëndësinë e saj për komunitetin. Pra dokumentimin e gjendjes faktike. Për këtë mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCOS: Albanian folk iso-polyphony - intangible heritage - Culture Sector – UNESCO”.

Hartuesve të rezolutës ju them që: para se të hidhni akuza të tilla kini detyrim barrën e provës, na tregoni se ku është shkruar në dokumentat zyrtare të dosjes që shteti shqiptar ja përcolli UNESCO këto formulime, fotografoni ose fotokopjoni dhe publikoni. Ndërsa për akuzën makabre që:kjo këngë shoqëron “ceremonitë mortore”, nuk po gjej fjalë që t’ja lejoj vetes për t’jua thënë, veçse ju kujtoj se ritet dhe ceremonitë mortore shqiptare janë të shenjta dhe nuk mund ti përdhosni me përçartje.

 

c-“Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht pranë UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës “Iso-Polifoni” ..dhe për ta zëvendësuar  me prezantim shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata” shkruajnë rezolucionistët. Pra as më pak e as më shumë të fshihet termi “iso-polifoni” dhe të zvëndësohet  me termin ”polifoni” (apo polifoni labe) në çertifikatën e UNESCO, sepse termi “polifoni” është shqiptar, shkencor dhe historikisht i mbështetur. Veçse asnjeri nga ju nuk ka shpjeguar dot pse termi “polifoni” është  shqiptar, shkencor e historikisht  i mbështetur ndërsa “polifonia me iso” është antishqiptare.

Shpjeguam origjinën e “iso-s” dhe ju  themi se “iso” është vetëm shqiptare,  ndërkohë që polifoni kanë të gjithë popujt e botës. Është “iso” tipari i vjetër, karakteristik dhe  “vetëm shqiptar”,  ajo është si shqiponja e zezë me dy krerë në flamurin tonë të kuq. Flamur të kuq ka edhe Kina edhe Turqia (p.sh.) por njeri e ka me yje e tjetri e ka me gjysëmhënë, vetëm ne e kemi me shqiponjë të zezë me dy krerë. Dhe ata kërkojnë të hiqet shqiponja nga flamuri-këngë? Është shumë von që të klithni thirrjet dumbabiste.

Përsa i përket shprehjes:të nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata”, hamendësimit tuaj i është dhënë përgjigje: dosja që ju dërgua UNESCO nuk është produkt  i një pune individuale por  punë  në grup: ” Dosja u përgatit nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Folklorit, Universitetit të Arteve dhe ekspertë të pavarur. Para dërgimit zyrtarisht të dosjes në emër të qeverisë shqiptare, në qytetin e Vlorës u organizua një seminar për prezantimin e dosjes dhe rëndësinë e kandidimit të saj në UNESCO” citon Akademiku në fjalë. Këmbnguljen tuaj për punë individuale duhet ta provoni me fakte e dokumenta jo me fjalë.

Veç këtyre lind edhe një pyetje tjetër, nqse vihen në jetë kërkesat tuaja për heqjen e iso-s nga çertifikata e UNESCO, mos do shtroni edhe kërkesën që të këndojmë pa iso?

ç- Rezolucionistët kërcënojnë Ministren e Kulturës: “Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, ..nuk do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin “Iso-Polifoni”, por vetëm nën termin “Polifonia Shqiptare”. Ore këndoni, si të doni e ju këndoftë zemra pa nuk grindemi për emrin. Por mos haroni të këndoni me iso dhe sidomos kujdesuni që në grupin e iso-s të vini ca djem të rinj e të fortë që të tundin malet nga iso e tyre, jo ca pleq që s’kanë fuqi për asgjë.

 

d-Përsa thoni se:”Këtë Rezolutë e kanë miratuar të giithë personat e poshtë shënuar duke komunikuar nominalisht me Kryetarin e Shoqatës “Labëria” profesor Ago Nezha” këtu ndaloni pak të bisedojmë shtruar. Unë nuk e di në se një shoqatë ka të drejtë të nxjerrë një Rezolutë dhe t’ja adresojë në formë ultimate-ve institucioneve shtetërore, por di që çdo dokument që del nga një forum kolegjial firmoset nga të pranishmit më kompetentë që kanë të drejtë vote.

Ju kini përmendur aty personalitetin  Ismail Kadare si firmosës i rezolutës, unë nuk e di në se ka qënë i pranishëm apo jo, por di që te libri i tij “Autobiografia e popullit në vargje” ai  ka ngritur një hymn për iso-n, madje dhe romanin “Dimri i madh” e ka quajtur “një roman me iso”, tani na del që Ai paska firmosur që të hiqet iso nga emërtimi i këngës sonë?  Mua nuk më besohet. A mund ta publikoni firmosjen e Rezolutës nga personalitetet që citoni ju lutem? E them këtë se duke lexuar emrat e firmëtarëve, gjeta emrin e një mikut tim, i cili nuk ka qënë fare në simpozium, por ja që figuron nënshkrues, madje ai nuk e di fare që është hedhur një firmë e tij (jo prej tij) diku.

Miqësisht po ju them që emrin e bukur si një lule të Ismail Kadaresë mos e shkelni me “patkonjtë” e marrëzive tuaja, emrin e ndritur të Rexhep Qoses mos e përbaltni me baltovinën tuaj, emrat e nderuar të Profesorëve dhe deputetëve  mos i zhvlerësoni me mesazhe të tipit: “..kemi kënaqësinë të na bashkohesh në listën e Deputetëve për problemin e denoncimit të "Iso-polifonisë " që është tjetërsuar në UNESCO si polifoni bizantine greke.  Për çdo informacion të mëtejshëm lexo Rezolutën e Shoqatës Labëria botuar ditën e Shtunë te gazetat Panorama, Sot, Dita, Telegraf dhe Nacional. Respekte x, y.” dhe sidomos këta personalitete mos i vini në rresht gatitu para një “masoviku kulturjar”. A vlen tu them se edhe vetë formulimi i mesazhit ka një “të pavërtetë” në vetvete kur shpreheni se: “është tjetërsuar në UNESCO si polifoni bizantine greke”. Mendoj se duhet të jini më seriozë, mos e bëni si ai bariu mistrec i fshatit që sokëllinte: “Ujku ndër dhen” vetëm që të ndjehej i “rëndësishëm” se “ai e ngrinte fshatin në këmbë”. 

Këto mesazhe-ftesë për firmosje që u bëhen njerëzve të cilët nuk kanë qënë të pranishëm në simpozium dhe sidomos kur nuk janë kompetentë të fushës tregojnë një zhvlerësim të gjithë simpoziumit. Lista mund të zgjatet pafundësisht por vlera e rezolutës do bjerë në zero dhe atëherë nuk do flasim për “gabimet e një resolute” por për “ një rezolutë të gabuar”.

 

Sarandë, më 10.04.2023

 

Sunday, 9 April 2023

 

Timo Mërkuri

NJË BUQETË POETIKE NGA SABIT RRUSTEMI

PËR SARANDËN

 

 

Rileximi i një buqete poetike të Sabit Rrustemit për qytetin e Sarandës më krijoi një ngrohtësi shpirtërore, të njëjtë me atë që të krijon një buqetë trëndafilash të freskëta që ta dhurojnë për ditëlindje. Realisht Sabit Rrustemi shumë nga këto “lule” poetike i pati botuar edhe në librin e tij “Pa një vdekje mbes”, por meqenëse këtë libër nuk e kam dhe cikli i plotësuar me disa poezi të pabotuara më erdhi me shënimin “Një buqetë për Sarandën” mua m’u duk si një buqetë lulesh të freskëta, me aromë poezie, aq më tepër që kam disa vite pa u takuar me këtë poet, pas një periudhe intensive bashkëpunimi.

I-Sabit Rrustemi erdhi për herë të parë në qytetin e Sarandës në vitin 2010 i ftuar nga Klubi i Krijuesve Jonianë të qytetit tonë për të marrë pjesë  në Manifestimin Poetik “Trirema Joniane”  së bashku me poetet Albina Idrizi dhe Miradie Ramiqi. Realisht emrin e Sabitit ma sugjeroi Albina Idrizi, me të cilën isha njohur në Manifestimin e shoqatës sonë, që u zhvillua në Gjirokastër një vit më parë, me ç’rast i kërkova të na propozonte disa poetë nga Kosova për t’i ftuar në aktivitetin tonë. Poetët që më propozoi ishin disa, mes tyre edhe Sabit Rrustemi, të cilin, për veçantinë stilistike të  poezisë së tij dhe për një të shkuar aktive në çështjen e Kosovës, ne vendosëm ta ftojmë qysh  atë vit, ndërsa të tjerët vitet e mëpasme. Paraqitja e Sabitit në Manifestimin tonë u admirua për nivelin e poezisë me të cilën u përfaqsua dhe menjëherë krijuam një miqësi e cila vazhdon edhe sot. Sigurisht që ai u ftua nga shoqata jonë dhe në vitet 2011, (mungoi në vitin 2012 sepse rastisi që në Gjilan organizohej dhënia e Çmimit “Beqir Musliu”) 2013, 2014, 2015 dhe 2016, 2018. Për një bashkpunim të frytshëm me shoqatën tonë dhe për propogandimin e resurseve të qytetit dhe krijimtarinë poetike të  antarëve të shoqatës, në vitin 2014 Bashkia e Qytetit Sarandë i dha çertifikatën  “Mirënjohje e qytetit të Sarandës” atij dhe shoqatës Ars Club “Beqir Musliu”, në vitin 2015 shoqata jonë e vlerësoi poezinë e tij me çmimin “Penda e bronxtë’’, në vitin 2016 shoqata jonë i dhuroi një bocet bust të Homerit.

Sabit Rrustemi në vitin 2017  së bashku me një grup poetësh nga Kosova i dhuroi Bashkisë Sarandë një kontigjent librash të autorëve kosovarë, duke na dhënë dhe një kontigjent tjetër librash për Bashkinë e Himarës, por duhet të pranojmë se dhurata më e bukur e tij ishin poezitë që për temë kishin Sarandën, shkruar në periudha të ndryshme, të publikuara nëpër revista e gazeta dhe shumica e tyre të përfshira në vëllimin poetikPa një vdekje mbes”, botuar në Prishtinë në vitin 2016. Këto poezi sigurisht që i kam komentuar në faqet e internetit, i kemi  shijuar me shokët gjatë diskutimit që u kemi bërë pas publikimit, por tani e ndjeva se duhet ta falënderoj dhe në formën e një kritike mbi to, sepse: nëse shkrimi i tyre ishte një gjest dashurie ndaj qytetit tim, edhe kritika ime e tillë është, ngaqë siç është shprehur  Xhorxh Steiner: “Një kritikë letrare nuk është gjë tjetër veçse një borxh dashurie”. Gjithmonë kam qenë i mendimit se kritika më shumë se kritikë për dobësitë, duhet të jetë evidentim dhe vlerësim për risitë dhe këto poezi të Sabit Rrustemit përbëjnë një risi në krijimtarinë e tij poetike.

 

                 II-Kushdo që e ka njohur poezinë e Sabit Rrustemit ka ndjerë tek vargjet e tij  një nerv, një tension e tonalitet dhe vetë poetin e ka parë të “fshehur” pas metaforave, të cilat veç bukurisë poetike kishin qëllim edhe të “strehonin” idenë e poetit dhe atë vetë nga censura. Poezitë e ciklit për Sarandën janë krejt ndryshe, janë të çlirëta nga ankthet e tensionet shpirtërore , janë si një frymëmarrje e thellë në ajër të pastër pas daljes nga ndonjë ambient i mbyllur me ajër të ndënjur. Në poezitë e mëhershme të tij ka qenë ideja poetike ajo që kërkonte e krijonte metaforën ndërsa këtu metafora është thjeshtë një petale  e lules poetike, e hapur natyrshëm në stinën e lulimit. Ndjehet menjëherë që poeti është i frymëzuar nga natyra dhe ambienti (do dëshiroja të besoja edhe nga pritja jonë), dëshiron të qëndrojë e të shijojë më tepër në këtë qytet mungesën që ndjeu në Tiranën e vitit ‘93 dhe ‘94 për të cilin krijoi ciklin e trishtueshëm poetik “Parku me kërpudha”.

            Qytetin e Sarandës poeti e quan “Perëndeshë e të gjitha kohërave” dhe natyrshëm shton vargun tepër domethënës për ne..”imja dashuri”. Poeti nuk e ka ditur që qyteti ynë kishte patur në antikitet një tempull për perëndeshën e bukurisë, Afërditën në kodrën mbi portin e tij detar. Tempulli ishte prej druri,  ngritur mbi një bazament guri, por anijet që kalonin nëpër kanalin përballë ndalonin dhe marinarët zbrisnin e i blatonin dhurata dhe i luteshin për fat e mbarësi  në dashuri. Ky tempull cilësonte qytetin tonë qysh në periudhën antike si “qyteti i bukurisë”, cilësim që jeton edhe sot. Për vargun “imja dashuri” i gëzohemi ndjenjës së Sabit Rrustemit për qytetin tonë sepse të shkruash poezi do të thotë të shprehësh një dashuri, madje dhe  ngrohtësia që kanë vargjet e kësaj poezie është e njëjtë me ngrohtësinë që krijon vetëm dashuria, që vjen te lexuesi me vargjet si nëpërmjet valëve të detit dhe ky varg ngjan si një stërkatë deti që të stërpikë papritmas dhe jo vetëm që s’të shqetëson, por të jep një kënaqësi të veçantë.

 

          III- Interesante është dhe poezia “Duke vështruar Jonin” (fq.10) jo vetëm për krahasimin e tij “I qetë e i urtë/Si Iliria/ I veshur së jashtmi /nga bukuria” por për lidhjen organike që krijon me vargjet “sa herë i djegur/së brendshmi/nga dhimbtë e mia”. Këto dhimbje kanë qenë të dyfishta, dhimbje e poetit për mosnjohjen e kësaj bukurie  për vite me radhë, po ashtu dhe dhimbja e banorëve të qytetit për vuajtjet e popullit kosovar, të cilët ata patën rastin ta njohin kur jo pak prej tyre  erdhën në Sarandë gjatë eksodit. Thuhet se vëllezërit binjakë e ndjejnë dhimbjen e njeri tjetrit edhe në distancë, kështu është ndjerë dhimbja mes dy anëve të kufirit që na ndante. Unë ju them se dhe uji i detit e “ndjen” dhimbjen apo ngazëllimin e njeriut kur ky hyn në të. Sado metaforë e bukur kjo ka diçka reale, delfini e ndjen gëzimin e fëmijëve  si dhe ankthin apo frikën e tyre kur janë në ujin e detit dhe reagon, në rastin e gëzimit duke kërcyer mbi ujë në shënjë loje pranë tyre dhe në rastin e frikës e ankthit, duke e marrë fëmijën në shpinë e duke e nxjerrë në breg. Është ritmi i rrahjes së zemrës që trupi e përcjell nëpërmjet ujit te delfini, apo dhe peshqit e tjerë. Gjithsesi strofa e fundit:E rron/rron or rron/sall nga dashuria” është vërtet një refren hymni për qytetin tonë.

Duke e rilexuar me objektiv kritike poezinë e pabotuar “Drita që shoh” (shkruar mes datave 30 prill -04 maj 2011) më emocionojnë vargjet e tij: Në fund të Tunelit/drita që shoh je Ti/një botë e munguar/që vezullon syve të mi/më grishë e më falë/prej shpirtit tend/sall dashuri” pse, ndonëse është një deklaratë dashurie (për qytetin tim) është njëkohësisht një pohim i mungesave (një botë e munguar) të tij në jetën në vendlindje. Unë nuk e di pse nuk e ka publikuar Sabiti këtë poezi nga më të bukurat, nga më të ndjerat, poezi që më krijoi njomësi në sy, veçse më kujtoi se në ardhjen e parë në Sarandë ai rrinte i heshtur e i menduar e vetëm sodiste ambientin  përreth dhe duhej t’i flisje direkt atij që të hynte në bisedë.

  Më tërhoqi vëmëndjen poezia “Detit Jon” ku autori emrin e Sarandës e ndan në dy fjalë: “Sa Randë” me domethënie : Sa e r(ë)andë. Përsëri vetëdija poetike e ka çuar poetin te një nga interpretimet e emrit të qytetit ku plakat e bregdetit emrin Saranda e shqiptojnë në formën Sarëndë që zbërthehet “Sa (e) rëndë” siç e shqipton edhe poeti. Gjithmonë kam menduar se kjo trajtë e shqiptimit të emrit ka lidhje me faktin që qyteti ynë është i gurtë, rrugët, ndërtesat, muret mbajtës e ndarës, muret e kopshteve etj.të gjitha janë ndërtuar me gurë, malet janë me gurë të rinj dhe qyteti është ndërtuar mbi një shtresë të re gjeologjike të gurtë, duke krijuar kështu idenë e diçkaje të rëndë. Por se kisha menduar ndonjëherë që rëndon edhe bukuria, gjer në çastin që lexova në poezinë e Sabit Rrustemit:Sa Randë/ta kesh sipri tërë këtë bukuri/./ Qetësia jote/Sa Randë/rëndon” dhe si një prelud shkruan:Jon o Jon/as klithë/as lëshon gjëmë” (nga kjo peshë) sepse edhe deti e shijon këtë  bukuri.        

Do t’ju porositja që të lexonit poezinë “Liqeni që lahet vetë” për liqenin e Butrintit, ku autori duke shfrytëzuar fenomenin e derdhjes së liqenit në det dhe hyrjen e detit në liqen çdo gjashtë orë, fenomen që krijohet nga efektet e baticës dhe zbaticës për shkak se niveli i liqenit është i njëjtë me nivelin e detit, krijon efektin e “larjes” së liqenit  ndaj i kërkon të lajë dhe lotët e tij, ata lotë që “si ka parë kush”:

“I buti e i paqti Butrint

që në çdo gjashtë orë

i lanë plagët tona në det

merre dhe Lotin tim

atë Lot që s' e pa kush

e më djeg në shpirt

merre dhe lutje mos prit

 

As Joni s'e duron

siç e duroj unë

 

Joni që u bë lot vet

për atë të Bukur

qëkur e pret

 

Merre e kthema të paqtë

ashtu si je vet...”

Kjo është nga ato poezi që, si dënesat e shpirtit ngjajnë me  vullkanet nënujore, të cilat gjëmimin e llavën e kanë nën shtratin e detit, e veç një shtëllungë tymi vargëzon heshtazi mbi valë. Mos shihni atë tym që përdridhet si gjarpër mbi ujë duke u ngritur në qiell, afroni veshin e ndjeni rropamën e llavës nën ujë, aty është poeti. Poezia e Sabit Rrustemit është nga ato poezi që nuk duhet lexuar për t’u kuptuar, ajo është një poezi e shkruar me shpirt dhe si e tillë duhet ndjerë po me shpirt, sepse vetëm shpirti (i lexuesit) e kupton shpirtin (e poetit). Poezitë e kësaj buqete të Sabit Rrustemit të japin kënaqësi shpirtërore, të pasurojnë  shijet estetike dhe të përsosin gjer në finesë të shprehurit poetik.

IV-Poezia“Lulezemra e Butrintit” është një pasqyrim i mënyrës impulsive të krijimit të poezisë nga Sabit Rrustemi. “Lulezemra” siç e quan poeti është një bimë kacavjerëse me emrin “morenxa” me emwrtimin shkencor “smilax aspera”, tw cilwn greket e quajnë dhe “αρκούδο στις”, ferra e ariut. Kryesisht rritet në zonën e Dafinës (Bregdeti Jonian) duke u kacavjerë nëpër pemë gjer në 4-5 m lartësi. Në Butrint ajo rritet me shumicë duke u kacavjerur në të gjitha pemët shumëvjeçare të Parkut. Impulsi poetik i marrë nga gjethet në formë zemre e shtyu poetin ta quante “lulezemra” kur e pa për herë të parë gjatë vizitës të organizuar nga shoqata jonë në Butrint (prill 2011) dhe të shkruajë këtë poezi, por sipas natyrës së tij ai nuk e poetizoi duke e soditur, por e bëri pjesë të vetës së tij këtë bimë kur shkruan: Ti mbin/vetëm te dheu i rrënjëve të mia /te ky Dhe i trupit tim”, pjesë të jetës së tij: “Jeshilja ime e përhershme/qepesh trupit tim deri në majë/ krejt me zemër” të karakterit, forcës e idealit të tij:” Vertikal do të rri/të tharë kush s'do më shoh/derisa të kam Ty”.

Poezitë e çastit janë  nga më të bukurat për nga shpirtërimi që mbartin vargjet, metafora që ndrin si vesa mbi to e finesa e pwrzgjedhjes dhe estetika e renditjes së fjalëve në vargje, si te kjo buqetë poetike  e Sabit Rrustemit dhuruar qytetit tim, për të cilën, veçse duke i shprehur mirënjohjen mund ta mbyll këtë shkrim.

 

 

Sarandë, prill 2023

Wednesday, 5 April 2023

 

NJË SHKRIM JO SI REPLIKË

 

          E lexova me shumë vëmëndje fjalën që Prof. Aleksandër Peçi mbajti në Simpoziumin për Këngën Labe të organizuar nga Shoqata Atdhetare   Kulturore Labëria në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar më datën 25 Mars 2023. Personaliteti i tij më imponoi një lexim të vëmëndshëm dhe po ti shtojmë kësaj edhe interesimin tim të madh për temën dhe simpoziumin, besoj që ju krijoj bindjen se leximi prej meje është bërë shumë i kujdesshëm, madje mund tju pohoj se e lexova mbi dy herë. Duhet të pranoj se ky lexim imi i përsëritur mu imponua më shumë nga habia për atë që lexova të shkruar nga Profesori, sepse ato që kishte shkruaar ai si argumentime teorike nuk binte në kundërshtim me ato që kam shkruar, botuar e publikuar unë në lidhje me iso-polifoninë, madje në zbërthimin teoriko muzikor të problemit  mua më dukej se mbështeste idetë e mia, ndaj dhe unë këtë shkrim nuk dua ta quaj replikë.

            I-Qysh në krye Profesori thekson:S’mund të thuhet absolutisht jo, që polifonia jonë vjen nga muzika bizantine kur polifonia  është shume më e lashtë se viti 395” dhe se: “Në gjithë botën muzikat etnike kanë lindur shumë shumë kohë përpara kristianizmit”.

           Kjo deklaratë është plotësisht e saktë, por më e rëndësishmja është se kësaj linje i qëndroj jo vetëm unë por studiues të huaj, Akademia e Shkencave dhe gjithë mbështetësit e termit iso-polifoni.

           -Qysh te shkrimi im “Hymn për iso-n” në vitin 2005 dhe në librin tim “Shenjtëria e isos” e vitit 2008 e gjer më sot kam theksuar se kënga jonë polifo-nike me iso,  iso-polifonike, vënçe, shumzërrëshe etj. është shumë më e vjetër se koret bizantine .. dhe jo vetëm që nuk ka marrë gjë nga muzika kishtare bizantine, por është kjo e fundit që ka “huazuar” nga kënga jonë, madje këtë e kam theksuar dhe në shumë shkrime të publikuara më von se botimet e sipërcituara.

Kënga jonë është më e vjetër se kultura bizantine, pse laboratori krijues i popullit  (mendohet se) e përfundoi procesin e shndrimit të ligjërimit mortor në këngë diku nga shekujt  VIII-V p.e.s. (ndonëse unë mendoj për një kohë shumë më të herëshme, parahomerike).  Sigurisht që kultura bizantine e lindur shumë më von, (në shek.IV të e.s.)  s’ka qasje e jo më të ketë ndikuar apo të ketë “krijuar” këngën tonë polifonike me iso, iso-polifoninë, këngën vënçe.

            - Lorenzo Tardo në librin “L’Antica Melurgjia Bizantina nell’interpreta-zione della Scuola Monastica si Grottaferrata” shkruan: "Shqiptarët, duke urryer robërinë  otomane, kur lanë tokën e të parëve nuk sollën me vete  mënyrën muzikore të Konstandinopojës, dhe as artin akademik të Protospaltit të hollë (rafinuar), por sollën me vete traditën e tyre muzikore krahinore, malsore dhe arkaike ..". Më tejë shton: "Duket se në tërësi, kënga bizantine, pra, s'ka arritur të ushtrojë ndikim mbi këngën polifonike shqiptare, ndoshta më tepër duhet pohuar e kundërta, kisha imiton këngën popullore polifonike[1]".

           - Akademiku Vaso Tole[2]  shkruan:Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është qartazi abuzive dhe keqdashë-se...

 Nga ana tjetër, etnomuzikologjia jonë dhe studimet e profesorëve të nderuar Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Spiro Shetuni etj, dhe pas tyre edhe unë, ndajmë të njëjtin mendim se kënga popullore e Shqipërisë së Jugut është shumë më e vjetër se kultura e re muzikore bizantine, e për më tepër,  nuk mundet as teorikisht e as praktikisht që origjina e një tradite me shumë zëra siç është polifonia jonë me iso të burojë nga një traditë një zërëshe me shoqërim siç është këndimi muzikor bizantin, për të cilin kanë dhënë kontribut edhe emra të mëdhenj si Jan Kukuzeli nga Durrësi etj”.

         

              II- Nuk e di çfarë shihni ju te këto rradhë, por ajo që shoh unë është fakti se të gjithë jemi të mendimit, shprehemi e mbrojmë idenë që kënga jonë (polifonike me iso, iso-polifonike, vënçe, labçe, himariotçe etj.) nuk e ka origjinën nga koret kishtare, nga kultura bizantine  dhe nga asnjë kulturë apo komb tjetër, por është krijim autentik i popullit shqiptar, krijim vetëm shqiptar dhe e ka origjinën nga ligjërimet mortore. Është normale që të debatojmë për kohën e shndrimit të vajtimit në këngë, fillesën e të cilit unë e kërkoj në fund të matriarkatit dhe fillim të patriarkatit dhe e lidh me prurjen e baladave të herëshme si “Balada e murimit”, “Balada Kostandini e Doruntina” etj të cilat kanë periudhë lindjeje fundin e matriarkatit (në ato balada nuk gjënden asnjë gjurmë shteti e apo hierarkie civile a shtetëror, ndryshe nga veprat e Homerit, madje te balada e Kostandinit nuk ka as autoritet të burrit si kryefamiljar, sepse autoriteti është i nënës (matriarkati në ikje) ndërsa te balada e murimit autoriteti i burit është në funksion të besës së lidhur mes tre vëllëzërve dhe jo si një autoritet institucional). Ajo që ka rëndësi është fakti se këto balada kanë “udhëtuar”nëpër epoka në formën e kënduar, ndonëse me një tekst më të shkurtër dhe një melodi më të thjeshtë, por gjithsesi me tipar të përbashkët të të kënduarit kolektivitetin dhe anonimatin.

              Vërtet që vajtimi gjëndet te Homeri (kur Akili vajton Patroklin) dhe te Plutarku (kur flet për Panin e Madh në Butrint) në formën e një vajtimi kolektiv, por këto vajtime janë një risi për botën, për studiues e udhëtarët e huaj, jo për ne shqiptarët, që i kemi pjesë të jetës sonë edhe sot.  Në aspektin kohor, mendoj që më herët se Akili të vajtonte Patroklin kishte qënë Ajkuna që vajtonte Omerin (dhe vajtimi i Ajkunës ka kolektivitetin) dhe para se Sirenat ti këndonin Odiseut, shtojzovallet dhe zërat këndonin e kërcenin  në lëndinat tona ( se nuk kishte salla  institucionesh shtetërorë sado të fazës së parë, dhe as palate a kështjella fisnikësh) ndërkohë që Homeri flet për mbretër, princa, kështjella e ushtri të stërmadhe.

            Pas kësaj, natyrshëm lind pyetja: Duke qënë se të gjithë jemi të mendimit se kënga jonë polifonike me iso, iso-polifonike, vënçe, shumëzë-rrëshe etj. nuk e ka origjinën nga koret apo muzika kishtare bizantine, por e ka origjinën nga ligjërimet mortore, atëherë për se po debatojmë mes nesh?

 

III-Profesori në shkrimin e tij  tezës të mos pasjes origjinë të këngës sonë nga kultura byzantine i bën edhe një sqarim me termillogji dhe argume-nta muzikorë, por çuditërisht në mes të shkrimit “këputi “ një batutë që më bëri të qesh, madje me zë. Kjo batutë  që ishte në mes të frazës : “..pa le sot e dëgjova ne simpozium “Bizantin isosi “ ishte pikërisht shprehja “Bizantin isosi” që përdorej si epitet fyes për një akademik, i  cili gjatë gjithë shkrimit të tij anatemohej si shpikës i  tezës së origjinës bizantine të këngës sonë polifoni-ke me iso, iso-polifonike, vënçe, shumëzë-rrëshe, labçe, himariotçe, çamçe, lunxhiote, etj. ndaj më duhet të theksoj se me gjithë të qeshurin që më shkaktoi , më la një shije të hidhur pse përdorej nga një intelektual i njohur  ndaj një akademiku dhe epiteti në vend që të ulte apo  nxinte sadopak personin që i drejtohej, ulte figurën e atij që e përdori në simpozium.

Profesori dhe akademiku janë  të dy “maja malesh” në fushën e tyre dhe dy maja malesh nuk përplasen  me njera tjetrën sado i fortë të jetë tërmeti që i lëkund, Ata mund të lëshojnë “gurë” në kohë tërmeti, por këta gurë gjithsesi do bien në këmbët e tyre dhe kursesi nuk do godasin dot majat e njeri tjetrit. Duhet që njeri prej tyre të jetë “kodër”, madje  e mbështetur te mali që guri i rokullisur nga maja e tij të ndalet në majën e kudrës Veçse dihet që   “mali” nuk e sfidon “kodrën” kurrë.

Më sipër paraqita shkrimin e akademikut ku shkruante se: “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është qartazi abuzive dhe keqdashëse”. Profesori që i lejoi vetes të përdorte cilësimin “bizantin isosi” në fjalën e tij nuk paraqiti asnjë provë dokumentare, asnjë rresht të shkruar nga akademiku ku të pohonte apo cilësonte këtë tezë  të zezë  të origjinës bizantine të këngës sonë.

Parë në këtë përballje faktesh, akuzat ndaj tij janë hamendësime të disa njerëzve që burojnë nga moskuptimi  i zhvillimit, fakteve dhe problemit por: ”Njerëzit që nuk kuptojnë, shpikin. Dhe kjo është tejet e rrezikëshme” (Alda Merini).

 

IV-Atëherë kush dhe me ç’qëllim e krijoi këtë teori të origjinës byzantine të këngës sonë polifonike me iso? Profesori na e thotë vetë “.sot e dëgjova ne simpozium “Bizantin isosi”, pra ky term ka lindur dhe është përhapur mes atyre që organizuan simpoziumin, nga ata  që patën krijuar edhe termin “tole-polifoni”.

 I nderuar Profesor! “Bizantin isosin” e kini aty, madje edhe në tribunë (besoj). Është ai që përpiqet tju mbushë mendjen se akademiku paska thënë  më herët se kënga jonë ka origjinë nga sirenat, që fjalës së bukur shqipe “polifoni” ju shtua në UNESCO fjala greke “iso”, (kur dihet se fjala “polifoni” është një term grek, që ka fituar të drejtën e qytetarisë ndërkombëtare, ndërsa fjala “iso” është thjeshtë shqiptare, arbërore, ilire e parailirie dhe përdoret ende nëpër fshatra të thella nga pleq të pa arsimuar).  Është ai që vazhdon të kërkojë “grupe armiqësore në kulturë dhe art” dhe ëndërron të organizojë konferenca e simpoziume sipas shëmbëlltyrës së Pleniumit të IV të KQ të PPSH, por që harron se ka kaluar shumë kohë që nga ai plenium famëzi, njerëzit janë më të zgjuar dhe ajo që ka rëndësi është fakti se janë të lirë dhe skanë frikë nga instruktorët dhe sekretarët politikë.

 

V-Befasi për mua ishte kthesa llogjike e argumenteve, ashpërsimi i tonit dhe pozicioni prej nga fliste profesori.  Ai, pasi shpjegon  muzikalisht se : “shkallët byzantine s’kanë kurfarë lidhje me shkallën pentatonike” befas, si rrufe në të kthjellët shtron pyetjen: “Nuk e di Tole këtë ? Sigurisht që e di se ka shkruar libra dhe jep folklor në UA. Po pse e bën? Çfarë fsheh ai pas kësaj”?

E lexova dhe s’doja ta besoja që e lexova të shkruar nga një profesor, madje unë hamendësova se këtë frazë dikush tjetër e ka futur në materialin e tij dhe se ai vetë nuk e ka shqiptuar në simpozium, por u trishtova shumë kur lexova më poshtë se autori shkruante: “Ky është Vasil Tole i cili është krejtësisht i vetmuar e i mbytur në dallgët e këtij Deti të gjerë reagimesh që janë në mbrojtje të identiteti teritoial të polifonisë sonë popullore. Identiteti territorial i Polifonisë sonë popullore është i pa tjetërsueshëm  paaneksue-shëm”.

Toni prej prokurori që shqiptonte me ton të lartë në sallën e gjyqit akt akuzën  duke treguar me gisht “të pandehurin, armikun e kllasës, intelektua-lin me ndikime të huaja” kërkonte dënimin e tij maksimal. Si u shndrua në sallë gjyqi kjo sallë simpoziumi, si u bënë profesorët e muzikës prokurorë? Mos vallë vërtet ky simpozium ishte séanca e dytë e Pleniumit të IV famëkeq?

Ka edhe diçka tejet të dëmëshme fraza e mësipërme, pikërisht shprehja mbi identitetin teritorial të polifonisë sonë popullore” i cili është. “i pa tjetërsueshëm i  paaneksueshëm”?

S’dua të hamendësoj se “identiteti territorial i polifonië” nënkupton territorin e Labërisë dhe vetëm atë, sepse kjo është më shumë se gabim. Ky është faj. Territori i lindjes e lëvrimit të polifonisë me iso, iso-polifonisë, këngës vënçe është shumë herë më i gjerë se hapësira gjeografike që quhet Labëri. Ajo që quhet kënga labçe është në fakt një variant i këngës sonë iso-polifonike, polifonisë me iso. Ajo është një degë e pemës së këngës iso-polifonike, vençe, polifonike me iso madje është dega më e re e kësaj “peme”. Varianti lab i këngës është një gur diamanti në kurorën e iso-polifonisë shqiptare për nga bukuria, fortësia dhe rezëllimi, por gjithsesi një gur diamanti nuk e zvëndëson dot kurorën. Kuroraështë simboli, diamantët janë element “estetikë”.

Vaso Tole shpjegon se: “ Me sa kuptoj, tendeca e kundershtuesve eshte qe te rrudhin e zvogelojne shtrirjen gjeografike qe perfshin kjo tradite e jashtezakonshme vetem ne nje zone te caktuar, kurse qellimi i aplikimit te shtetit shqiptar ne UNESCO ne 2005 ishte qe e gjithe zona natyrale e kendimit me shume zera ne Shqiperine e Jugut te ishte e perfshire, gjë qe u njoh nga UNESCO me vendimin e saj të 25 nëntorit 2005 me emrin: “Polifonia popullore me iso e Shqiperise”.   Në dosje jane shenuar te gjitha emertimet e dukurise me shumë zëra qe populli dhe studimet kane evidentuar gjate procesit te kendimit dhe studimit te saj, duke mos pasur asnje kufizim ne perdorimin e tyre ne realitetin faktik”.

Pra ndërsa akademiku ka punuar që të njihet iso-polifonia si pasuri e gjithë kombit shqiptar, ju me simpoziume kërkoni që ta shndroni në krijim të vetëm të një krahine, Labërisë.  Gaboheni shumë, kënga jonë polifonike me iso, iso-polifonike, vënçe nuk është krijim lab. Vetëm variant lab i këngës iso-polifonike është krijim lab dhe ky variant është përshatje krahinore e këngës iso-polifonike. Për më gjerë do flasim mbi këtë temë do flasim në veçanti përsëri, ndonëse kemi folur shumë.

Përsa i përket akuzës se akademiku e ka hartuar dosjen i  vetëm, pa pyetur grupet e interest, ai sqaron:Dosja u përgatit nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Institutit të Folklorit, Universite-tit të Arteve dhe ekspertë të pavarur. Para dërgimit zyrtarisht të dosjes në emër të qeverisë shqiptare, në qytetin e Vlorës u organizua një seminar për prezantimin e dosjes dhe rëndësinë e kandidimit të saj në UNESCO”, fakte këto që janë zyrtarisht të dokumentuara.

 

            V-Në lidhje me simpoziumin, në qoftë se ju vërtet kërkoni autorin e termit “polifoni me iso, iso-polifoni” lexoni  babain e etnomusikologjisë shqiptare Rama-dan Sokoli, për të cilin ju thoni se “e ka quajtur polifonia popullore”, por që faktikisht  qysh  në vitin 1965  është  shprehur (duke e cituar me saktësi): “…atje ku flitet gegënishtja kemi muzikë homofonike, kurse përposhtë këtij lumi, atje ku ndihet rotacizmi i bashkëtingëllores “n” në “r” ose diftongu “ua” e tjera veçori fonetike të toskënishtes, atje ndihet dhe isoja së bashku me veçoritë e tjera polifonike”. Shihe se sa i qartë është: "…atje ndihet isoja së bashku me veçoritë e tjera polifonike". Pra ISO dhe veçori Polifonike! Shih “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965, fq.127.

 

Unë nuk mund të shtoj asnjë fjalë pas kësaj thënieje lapidare.

 

 

Sarandë, më 01.04.2023

 



[1] Informacion i sjellur nga Etnor Canaj. Libri i cituar ndodhet në Biblotekën e Akademisë së Shkencave Tiranë.

[2] Vasil S. Tole: “Mbi dosjen e polifonisë me iso në UNESCO” Tirana Diplomat dt 29 Mars 2023

Sunday, 26 March 2023

 

Timo Mërkuri

MBI NJË SIMPOZIUM TË KËNGËS LABE

 

Në fb në datën 22 mars 2023 nga ana e Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”u shpërnda një Ftesë  për pjesamrje në datën 25 (Mars 2023) ora 11.00 në sallën UNESCO te Muzeut Historik Kombëtar ku organizohej një simpozium për polifoninë labe njoftim që shoqërohej me një tekst ku binin në sy fraza :Kënga labe është magjike, ndaj, jo më kot UNESCO e ka vlerësuar si hyjnore”,Kënga labe ka lindur qysh me labin e parë mbi këtë dhè, me banorin e parë, që u shfaq, që është rritur, ka jetuar dhe ka ndërtuar jetën në këto troje e hapësira të Shqipërisë Jugperëndimore e Jugore , që i thonë Labëri”,Kënga labe është sa mosha e maleve tona, e lumenjve tanë, është sa mosha e kësaj toke”,Kjo njësi folkorike, kjo mrekulli e kulturës shpirtërore të banorëve të krahinës etnografike të Labërisë na thërret kujtesën vetiake e atë sociale, kujtesën e shkruar dhe atë të transmentuar brezash gojë më gojë, si stafetë identiteti dhe dinjiteti, krahasuar me të tjerët”.

Personalisht dëshiroja ta përshëndesja këtë simpozium duke dëshiruar që të ishte një faktor studiues dhe evidentues për aritjet e këngës shumëzërrëshe të popullit uniteti por duke qënë se përmbajtja e ftesës dhe statusi shoqërues janë dhe njohës e orientues për drejtimin e punimeve të këtij forumi, mendova të shprehesha qytetarisht.

 

I-Shprehja “Kënga labe është magjike, ndaj, jo më kot UNESCO e ka vlerësuar si hyjnore” është jo vetëm e pasaktë por ka tendenca të gabuara kufizuese. Në lidhje me frazën “UNESCO e ka vlerësuar hyjnore” po ju them se UNESCO nuk ka çertifikuar “këngën labe” si këngë “hyjnore” por ka çertifikuar “Këngën Iso-Polifonike shqiptare” (Albanian folk iso-polyphony) si kryevepër shpirtërore të njerëzimit.

Populli shqiptar ka këngën iso-polifonike si tipike të tij, atë që quhet “kënga vënçe”, “shumëzërrëshi shqiptar”, “kënga polifonike shqiptare me iso” (siç e quante R.Sokoli). Kjo këngë ka shumë variante krahinore si: kënga himariote, kënga çame, kënga e Skraparit, kënga myzeqare , kënga e Dukatit, kënga e  Gramshit etj. Po kështu edhe në vende shqiptare jashtë kufijve shtetërorë ka këngë karakteristike iso-polifonike dhe për ilustrim mund tju përmënd grupin“Valët e Liqenit” të fshatin Ladorisht pranë Strugës. Këto variante janë të bukura dhe të ndritëshme si diamantët e kurorës mbretërore, por asnjë diamant nuk e përfaqëson dhe zvëndëson kurorën, sado I madh dhe me vlerë të jetë. Asnjë variant i këngës sonë iso-polifonike nuk e zvëndëson apo përfaqëson këtë këngë. Ato përfaqsojnë vlera krahinore, si pjesë e vlerave kombëtare.

 

II- Shprehja “Kënga labe ka lindur qysh me labin e parë mbi këtë dhè, me banorin e parë, që u shfaq, që është rritur, ka jetuar dhe ka ndërtuar jetën në këto troje e hapësira të Shqipërisë Jugperëndimore e Jugore , që i thonë Labëri” më duket më shumë një frazë entusiazte se sa përfaqsuese e një teorie. Kënga labe nuk ka lindur me labin e parë në këto troje që quhen Labëri, edhe për faktin se këto vise që sot quhen Labëri dikur quheshin Himarë dhe kishin njësim si në veshje, këngë, zakone e tradita. Kufizimi me emërtimin Labëri është kufizim i “lindjes” së këngës iso-polifonike në këto vise. Kënga labe është një variant i këngës iso-polifonike shqiptare,  e “shkëputur” nga kjo këngë në kushte historiko - shoqërore të caktuara dhe e rritur e selitur më vete si një bukuri dhe pasuri e mbarrë kombit shqiptar. Ajo është një “degë e pemës së këngës iso-polifonike”madje studimet historike e nxjerrin si një degë  të re (Shih Eqerem Çabej “Shqiptarës midis perëndimit dhe lindjes”) në krahasim me variante të tjera. Nuk ka “këngë labe”, ka “variant lab” të këngës iso-polifonike shqiptare dhe një variant të bukur e plot vitalitet.

III-Shprehja: “Kjo njësi folkorike, kjo mrekulli e kulturës të banorëve të krahinës etnografike të Labërisë na thërret kujtesën vetiake e atë sociale, kujtesën e shkruar dhe atë të transmentuar brezash gojë më gojë, si stafetë identiteti dhe dinjiteti, krahasuar me të tjerët” është për tu përshëndetur sinqerisht dhe unë e përshëndes te ky shkrim, veçse dua të sqaroj se shprehja “krahasuar me të tjerët” më lë një dyshim kuptimore: kush janë të tjerët? Unë besoj se duhet ta ketë fjalën për popujt e tjerë, të cilët kanë gjithashtu “këngë polifonike”. Popujt e tjerë kanë këngë polifonike në kuptimin e këngës me shumë zërra, porn ë kuptimin muzikor “polifoni” do të thotë shumë zërra solo. Zërrat solo të shumëzërrëshit tonë janë marrësi, hedhësi dhe kthyesi porn ë asnjë rast vetëm këta zërra nuk krijojnë atë që quhet “kënga vençe”, “kënga shumëzërrëshe” sepse kënga “vençe” ka dhe ison element shumë funksional, sa që mund të themi se: pa iso nuk egziston kënga vençe, shumë zërrëshe. Besoj se jinni dakort me mua që edhe “varianti lab” i këngës iso-polifonike, ai që rëndom quhet “kënga labe” ison e ka element të domosdoshëm, siç ka qiellin shqiponja, siç ka detin apo lumin anija. Nuk mund të kuptojmë fluturim shqiponje pa qiell, në vakum, nuk mund të kuptojmë lundrim anijeje pa det apo lumë. Nuk mund të kuptojmë këngën tonë pa iso. Pra popujt e tjerë kanë këngë polifonike,  ne kemi këngë iso-polifonike,

dhe pikërisht kjo këngë u çertifikua nga UNESCO,madje duke u cilësuar elementi “iso” si tipizues i saj.

Ka dhe një faktor tjetër ky emërtim, nqse termi “polifoni”është një term muzikor në gjuhën greke (që ka fituar të drejtën e qytetarisë botërore dhe nuk është gabim përdorimi i tij), termi “iso” është tipik shqiptar, me origjinë parailire që zbërthehet me dy shprehjet: “i” (që nënkupton numërin një, madje edhe sot pleqtë në zonat e thella “njëshin” e shprehin me tingullin “i”) dhe pjesën “soj” që nënkupton “lloj”, pra termi “iso” zbërthehet në “njëlloj”, i “njëllojshëm”,  i “njëtrajtshëm”. Fjalori i gjuhës shqipe ka këtë shpjegim për termin iso: 1. “Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat kryesorë në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rinjve). Këngë me iso. Iso, more djema, iso! Këndojmë (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell)”. Termi iso nuk ka kuptim më vete në greqisht. Kështu nqse termi polifoni është totalisht greqisht, termi iso-polifoni ka përpara iso-n shqiptare si flamur, që e drejton nga të shkojë.

 Në këtë kuptim jam dakort me shprehjen e sipërcituar “krahasuar me të tjerët”.  Nqse nënkupton ndonjë pjesë të studiuesve dhe lëvruesve të artit gojor, më vjen keq por nuk jam aspak dakort me këtë sulmim. Ky është hamendësim i imi dhe shpresoj të gabohem në ‘të.

 

IV-Kënga jonë iso-piolifonike (vençe, shumëzërrëshe, labe, himariote, çame etj është vërtet e shënjtë, “hyjnore” sepse ajo e ka origjinën nga ligjërimet mortore të nënave e motrave tona, janë amaneti i tyre dhe për ne, lotët dhe fjalët e nënave dhe të motrave janë të shenjta, janë hyjnore. Laboratori shpirtëror i popullit tonë i shndroi këto ligjërime vajtimesh mortore (theksoj ligjërime vajtimesh  dhe jo klithma e gjeste të qarësh me bot, të cilat janë faza e parë e ritit mortor, instiktive) në këngë, duke ecur nëpër “urën” e logatjes për të dalur te bregu i këngës. Qysh në fillesat e saj, te ligjërimi mortor, një grup grash shoqëronin vajtoren kryesore me rënkime të zëshëme, ato janë para ardhëset e grupit të isos. Shtrëmbërimet (që bëhen nga moskuptimi i frazave) se gjoja kënga jonë e ka origjinën nga kënga e sirenave janë thjeshtë bllof. Kënga e sirenave ka vetëm një qasje me këngën tonë iso-polifonike dhe elementi që qasen me njera tjetrën këto dy këngë është kolektiviteti, edhe kënga  jonë por edhe kënga e sirenave ka kolektivitet, sirenat ishin pesë dhe grupi iso-polifonik shqiptar ka pesë veta. Madje ndërsa kënga jonë ka si tregues edhe anonimatin, kënga e sirenave nuk e ka këtë tregues, pasi ato kishin emra, të cilat njihen nga literature.

V-Mësova se në simpozium u mbajtën disa referate e kumtesa shkencore nga personalitete të njohura të vendit, disa prej të cilëve janë dhe miq të mi dhe me disa kam replikuar miqësisht për këto problem. Sinqerisht do dëshiroja ti lexoja kumtesat dhe referatet e tyre, ti përshëndesja apo të debatoja miqësisht me to. Shpresoj që ato ti publikojnë punimet e tyre dhe sidomos të publikojnë projekt rezolutën e cila do i drejtohej UNESCOS. Komunikimi zyrtar me UNESCO është çështje shtetërore dhe jo mardhënie shoqatash krahinore.

Faleminderit.

 

Sarandë, më 26.03.2023

 

 

 

 

Thursday, 16 March 2023

 

ANSAMBLI POETIK I PAQES SË BRISHTË

 

           I-Njohja me vëllimin poetik “Paqja e brishtë[1]” të Sabit Rrustemit ishte një befasi për mua, jo aq për vonesën kohore të njohjes nga botimi i tij se sa për stilin dhe frymën  poetike, tejet të veçantë nga krijimtaria e deri atëhershme dhe e mëvonëshme e tij, stil dhe frymë poetike që më solli në kujtesë poezinë e Bretold Breht. Fakti që në këtë libër janë përfshirë krijime të periudhës 2001-2007  justifikon deri diku këtë stil  pse të kujton situatën social-politike të Kosovës pas çlirimit, periudhë kur vendi  ishte në administrim ndërkombëtar sipas Rezolutës 1244, ku UNMIKU ishte kryefjalë e përditshme. Ekipet politike kosovare ishin vetëm sa për t’u konsultuar dhe për të zbatuar atë që parashihnin rregulloret e UNMIKUT. Madje edhe zgjedhjet lokalee apo qëndrore nuk krijonin organe vendimarëse e ligjvënëse, situatë kjo  që vazhdoi deri më 17 shkurt 2008.  

Ardhja e Marti Ahtisari me atë “Pakon”e tij që s'kapërdihej lehtazi pse ishte “patate tepër e nxehtë”,  trazoi më tepër klimën politike në vend.

“ Pakja më kaplon para kësaj Pakoje të trishtë

Në këtë botë mbi ujë me paqe të brishtë

………………………………………..

Duart më dridhen

Dhe këmbët

Më thehen dhëmbët

……………………….

Se ç’mungon brendësisë së sajë

Dreqi ta hajë me gaz e vajë

Mungon dashuria e kësaj bote

Mungon dhe puthja e saj” f.45

            Duhet të themi se: ndërsa në kohën e pushtimit shqiptarët kishin një unitet  përballë serbëve, ardhja e lirisë i hutoi me dritësimin e saj, sa që u degëzuan nëpër parti të ndryshme politike, madje tepër ftohtësisht kundër njëri tjetrit. Situata ishte e akullt dhe mes shqiptarëve e serbëve, sepse këta, në vend që të kërkonin ndjesë si agresorë e ushtrues të gjenocidit mbi Kosovën dhe popullin e saj, nisën të luanin rolin e viktimës. Shqetësues  ishte fakti se nisën dhe fërkimet politike mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, çka pruri dhe luhatjen e imazhit të Kosovës në arenën botërore. Të gjitha këto tensione e fërkime mund të shpinin lehtas në një luftë civile, që pavarësi sht nga shërbimet sekrete që e sponsorizonin, do ishte tragjedia më e madhe kombëtare.  Ishte merita e Presidentit Ibrahim Rugova, i cili duke vënë në plan të parë aspiratat e popullit të Kosovës për një shtet demokratik me drejtim europian dhe aleancë  euro-atlantike normalizoi situatën, e evitoi atë.

              II-Sabit Rrustemi në këtë situatë ishte i angazhuar politikisht si në pushtetin lokal, ku drejtonte Zyrën Për Mardhënie me Publikun në Komunën e Gjilanit, po ashtu dhe si deputet i Kuvendit të Kosovës në vitet 2001-2004, dhe kishte mundësinë të njihte e përjetonte situatën sociale dhe politike të vendit, të cilën si bronx e shkriu dhe e derdhi në një monument poetik. Ndaj në vargjet e këtij libri, si në jetën e tij gjejmë opozitarizmin e dyfishtë, si ndaj ndërkombëtarëve ashtu dhe vendorëve, shprehur me një stil poetik të veçantë ku nuk mungon dhe një tis ironie, si gjembi në trëndafil.Unë/Hapin s’po e ndal” shkruan poeti (f. 27) ndaj themi se  krijimet e këtij vëllimi janë më shumë produkt i kohës kur u shkruan dhe pasqyrim i saj se sa petale të çelura të talentit të tij poetik. Vargjet e këtyre poezive janë ngulçet e shpirtit që dalin me ofshamë e derdhen në letër, aty bashkohen me njera tjetrën në formë poezie ku kushdo mund të shohë e të lexojë si në një grafi dhimbjen e brengat e shpirtit a lulet e gëzimit dhe të kuptojë se: ato metafora që rrezëllijnë në vargje, janë lotët e shpirtit, të dhimbjes a gëzimit të poetit dhe melodiciteti i zanoreve është tingull kënge e vaji i tij. Vargu i poetit është siç është atdheu, i tendosur si hark në momentin për të lëshuar shigjetën, por që dora e mban fortë pse përpara ka atdheun e rilindur.

“Ulem këmbëkryq përball’ tij

Flas e çmallem

Përmes imazhesh përndizem”

te i cili

“ Rigjej veten  ëndrrave fëmijërore

………………………………………..

Dhe atë këmishë

Atë lëkurë dheu

Që në trup e mbaj

Kah shkoj”f. 3

             

               Është periudha e një paqeje të brishtë, ku një fishë ere dimërore e “pleqve[2] të marsit” mund të ngrinte filizin e saj. Pikërisht në këtë kohë autori vargjet dhe artin e tij e vë “roje” poetike te ky fidan i brishtë i lirisë,  çka kuptojmë arsyen pse poeti solli këtë varg të thantë me një stil, metafo-

rë e formatim poezie që të kujton poezinë e Bertold Brehtit.   

 

 III-Vëllimi poetik “Paqja e brishtë” nis me poezinë “Atdheu i rilindur”dhe mbyllet jo rastësisht me poezinë “Kodi mbrojtës i Atdheut” duke lënë të kuptohet se çdo gjë e tyre është dhe jetohet vetëm brenda  atdheut dhe për atdheun. Nëqoftëse në poezinë e parë për atdheun shkruan:

“Mbeti arrë e vogël po e  fortë

  këtë botë

U rilind për të satën herë ” f.2

            te poezia e fundit shkruan:

Atdheu shtrihet mëtej një syri të mprehtë

Mëtej një hapi të rreptë

 

Atdheu ka dhe emër

Dhe votër

E motër

………………………..

Ajo s’preket

Ajo s’ arrihet

As shijohet

Pa ia falë Palcën e Gjakut

Palcës së Dheut f. 47

              Duke  analizuar këto dy poezi shohim se tek e para shkruhet me një frymë “ëndërrimi” dhe meditimi pranveror për atdheun e rilindur, ndërkohë  që te poezia e fundit flitet e shkruhet me  ton serioz , si porosi amaneti, si urdhër, si një kujtesë që e sjell koha. Dhe përsa i përket titullit “Atdheu i rilindur”, cilësori “rilindur” përmbledh  historinë e atdheut, sa të dhimbshme aq dhe shpresëdhënëse, duke tërhequr vëmëndjen se: atdheu është si një fëmijë i porsa (ri) lindur që ka nevojën e ndihmës dhe kujdesit të të gjithëve.

              Poeti flet pak, poeti flet metaforikisht, por poeti është zëri i vërtetë i atdheut dhe kombit. Vetëm poeti ka të drejtën dhe kurajën t’i drejtohet një force e vendi pushtues në njëjës, sikur i flet një hajduti pulash, kapur në vjedhje e sipër:

 

“Ne këtu ishim kur erdhe

Si zot

 

S’di kush të ftoi

 

Dhe tempujt i kishim

Dhe faltoret

 

Dhe një zot mbi koka” f.9

 

Këto poezi për atdheun të duket se janë “ngritur” mbi poezinëVetëm të palindurit ende nuk janë gjetur” që flet për viktimat e krimeve serbe anë e mbanë Kosovës, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur. Në qoftë se dy poezitë e mësipërme mund të recitohen me tonalitet të ndryshëm, kjo poezi vetëm mund të klithet me dhimbje, pse bashkëtingëlloret e fjalëve ngjajnë me brinjë të thyera që të çpojnë në trup.

 

           IV-Ajo që na tërheq vëmendjen është se Sabit Rrustemi në këtë vëllim shfaq një dukuri të mëvetësishme poetike, atë që mund ta quajmë “ansambël poetik”. Ndryshe nga “cikli poetik” ku poezitë kanë tema, ide dhe stile të ndryshme, te “ansambli poetik” çdo poezi, duke qenë krijim më vete, është njëkohësisht pjesë e një grupi poezish të një teme ose të temave që kanë përafëri, të cilat trajtojnë artistikisht tërësinë lëndore, shpirtërore e ideore të asaj që do të shprehë apo tregojë poeti. E thënë më qartë:te “ansambli..”poezitë kanë drejtuar dritësimin e tyre, si prozhektorë te anët e ndryshme të personit, idesë, ngjarjes, ëndrrës etj. duke ndriçuar në këtë mënyrë tërësinë e objektit a subjektit poetik.  Ka një ngjashmëri me një ansambël ndërtimesh që synojnë të vënë në dukje diçka: një shesh, një stil urbanizimi, një lulishte apo një monument.  Në këtë stil janë ndërtuar banesat shqiptare në zonat veriore: kulla kryesore në mes, në një vend zotërues që shikon larg dhe rreth saj ndërtimet e tjera ndihmëse, të cilat shohin nga kulla kryesore. Duhet të kuptojmë se poezitë, pjesë të “ansamblit poetik” nuk janë variante të ndryshme të një poezie, por janë poezi të ndryshme që kanë qasje  ideje dhe stili me njëra tjetrën.

Dukurinë e “ansamblit poetik” e gjejmë  psh. te grupimi i poezive “Kosova me shenjtin e vetë”,Nga  thellësia e heshtjes”,  kushtuar Ibrahim Rugovës[3] sëbashku me poezinë “Lekë Dukagjini i ri”, e cila ndonëse i adresohet tërthorazi Hashim Thaçit, në qëndër të idesë ka Ibrahim Rugovën (përmes figures së Gjergjit). Te poezia “Kosova me shenjtin e vetë”, të bën përshtypje se poeti, tej natyrës së tij të hyjnizimit të frymës, këtu hyjnizon personin, individin kur shkruan:

“O Shenjti ynë

O Shenjti im

Me ne

E në ne

Për paqësim

Për pavarësim”f.26

            madje këtë frymë hyjnizimi e përsërit dhe te poezia tjetër “Nga  thellësia e heshtjes”,  ku shkruan:

Ti në thellësinë e majës së dielltë

Të Dardanisë

Përmes heshtjes po flet

……………………………….

O zoti im

O shenjti im”f.27         

           Vlen të sqarojmë se ndërsa poezia e parë “Kosova me shenjtin e vet” është shkruar në 5 shtator 2005, ditë në të cilën Rugova njoftoi popullin se vuante nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, njoftim që solli një trishtim të madh në popull, si një natë pa yje sepse pavarësisht debateve politike dhe me forcat opozitare, gjithë populli pohoi drejtësinë, kontributin dhe paanësinë e tij politike në postin e Presidentit. Sabit Rrustemi jo vetëm që kishte njohje personale me presidentin Rugova, por ishte i zgjedhur prej tij në kandidimin për deputet , gjë që flet për një miqësi jo të pakët. Kjo është arsyeja pse këtë ditë, si një klithmë nga goditja e lajmit ai shkruajti  poezinë e mësipërme. Në datën 21 Janar 2006 Ibrahim Rrugova ngjitet në qiell si një shenjt dhe poeti 3-4 ditë më pas shkruajti poezinë e dytë, “Nga thellësia e heshtjes”. Është po ai Sabit Rrustemi poeti që më 1980 me poezinë “Mplakja e Zeusit” i kërkontye “Zeusit” të Jugosllavisë të zbriste nga Olimpi se ishte plakur, ndërsa tani, në emër të dashurisë së gjithë popullit, pasi e shënjtëroi për së gjalli Ibrahim Rugovën e ngriti në qiellin (jo vetëm poetik) e shqiptarizmës, si shënjtor të saj.

 Interes çfaq poezia “Lekë Dukagjini i ri”, shkruar më 17 shtator 2005 që përkon me  zyrtarizimin prej Rugovës të “Ekipit të Unitetit” ku u përfshi dhe Hashim Thaçi, të cilit edhe i adresohej  përmes figures së Lekë Dukagjinit të Ri. Aktualisht kjo poezi ishte si thirrje a ftesë për t’u bashkuar me Rugovën, aimbolizuar me figurën e Gjergjit për fatin e Kosovës. Prandaj dhe vargjet kanë një timbër të ngrohtë e tonalitet të qetë duke përdorur simbolikën historike:

“Bëhu krahu

Shpina

E shtylla e Gjergjit

 

Dyreku i Sh’pisë

E i tërë Dardanisë

Bëhu

………………………...

Gjergji në Shenjt po shndërrohet” f.38

         Dukuria e “ansamblit poetik”me përbërjen e tre-katër poezive krijon mundësin e zbërthimit të idesë poetike në të gjitha hapësirat që synon tema. “Ansambli poetik” i mësipërm nuk është i vetmi në këtë libër, madje mund të themi se “Paqja e brishtë” është libër i “ansambleve poetike”, i vetmi në llojin e tij. Një “ansambël poetik”më vete formojnë dhe dy poezitë  “Kandilat e Dokës”(f.30) dheUdha e Dokës”(f.33), të cilat ndonëse e marrin shkasin nga ngjarje reale e Dokë Karadakut nga fshati Terziaj, i internuar në Mihaliq të Turqisë në vitin 1846 për shkak të mospranimit të kthimit në besimin islam, ato në fakt shfaqin luftën e shqiptarit për të mbrojtur identitetin kombëtar, traditat dhe zakonet e tij. Arsyeja pse ka një ide përgjithësuese kombëtare, poezia është trajtuar në frymën e artit gojor, në stilin dhe botën e baladave, elegjive dhe legjendave , madje edhe klima e krijimit është huazuar nga arti gojor. Për nga ideja, në këtë grup bashkohet dhe poezia “Portret që s`kornizohet” (f.4), duke e bërë të plotë idenë e një “ansambli poetik” që dritëson portretin dhe luftën e shqiptarit.

Në këtë këndvështrim duhet të shihen edhe tre poezitë: “I zoti i shtëpisë dhe qeni” (f.15), “Ndëshkimi i qenit”(f.16) dhe poezia “Shpërblimi” (f. 17)  që paraqesin një “ansambël poetik” për “qenin ” dhe të zotin e tij, që mund të jenë një kryetar lokal dhe truproja e tij, një lider politikë dhe shefi i protokollit apo kuadrit etj. Këto poezi që në pamje të parë të duken si një poezi e  ripunuar në disa variante, këto realisht janë një “ansambël poetik”me tri poezi të së njejtës temë dhe ide, madje të shkruara me të njëjtin stil.

Të njëjtin mendim ndajmë dhe për poezitë “Pakja para Pakos së pritur”(f.44) dheNë dimrin e zjarrmisë” të shkruar të dyja brenda një jave janari të vitit 2005 ku me një ironi therëse, që mbart brenda vetes revoltën flet për “Pakon…” e Marti Ahtisarit, duke e portretizuar atë në ftohtësinë (jo gjakftohtësinë) e tij:

 Marti i mbështjellur me acarin e Veriut

I mati me sy përmes një shikimi

 

Tamam ua paskemi prerë tha..”

 

dhe  në pakon e tij “mungon dashuria e kësaj bote/Mungon dhe puthja e saj” (f.45). Në këtë “ansambël poetik” bashkohen lehtësisht poezitëPërurimi i qendrës multietnike”(f. 21), “Oxhaku i qendrës multietnike” (f.23). Interesante është poezia “Ali Podrimja është fajtor[4]” (f.40), poet i cili falë vargut të tij u mishërua si askush tjetër me Kosovën dhe fatin e shqiptarëve. Përmes një ironie të hollë tallet me “poetucët” që nuk e arrinin poetin “as me shikim”, lëre më me krijime poetike. Kjo poezi ka qasje poezinë me “Shkallët për në Olimp”(f. 7) madje edhe ngjashmëri stilistikore. Mbyllja ironike, tipike e Sabit Rrustemit me vargjet:

 “Medet për atë majë Olimpi

Të zitë e ullirit e pa me atë të çmendur

E s’u kënaq njëherë prej neve” (f.8)

 

..ka një qasje jo thjeshtë stili me poezinë “Ali Podrimja është fajtor” ku shkruan:

“Lëreni

mos ia prishni vetminë

le të shkruajë e le të çmendet

le të mbyllet në muzën e tij

edhe i’qind vjet

edhe i’mijë vjet

sepse dënim më të rëndë s'mund t'i shqiptojmë

as Ne vetë

 

Amin”(f.42)

..ku duhet të njohësh natyrën e autorit për të kuptuar natyrën e vargut të tij poetik.

 

V- Ne mund të citonim edhe poezitë e tjera dhe vendin e tyre në “ansamblet poetike” të këtij libri, por ajo që ka rëndësi është se: këto “ansamble…”me nga tri-katër poezi bashkohen në një “ansambël poetik” më të madh, që është vetë vëllimi poetik. Kjo pse në thelb të gjithë poezive janë njerëz e procese   kanë përcaktuar fatin e sotëm dhe të nesërm të njeriut shqiptar dhe Kosovës në tërësi,duke e dritësuar atë nga të gjitha

anët.

Poezitë e këtij libri mbajnë vulën e stilit poetik të Sabit Rrustemit, qoftë në formatin estetik të poezisë, metaforën e vargut, ironinë therëse dhe të fshehur në shumë kuptimshmërinë e vargut. Tendosja e mendimit poetik është shumë më e madhe edhe se te libri i tij i parë “Ku i la lisat era” të shkruar në situatë pushtimi (1981 ndonëse botuar në 1990) për arsye  (mendoj) se: aty ishte poeti në një front me gjithë shokët përballë pushtuesit serb, ndërsa këtu është në front përballë  disa prej shokëve, madje është opozitar edhe me disa prej (mendimeve, veprimeve, ideve) çlirimtarëve ndërkombëtarë. Por ndërsa në librin e parë ishte “fshehur” mes metaforave poetike apo poezive metaforike, te ky libër duket sikur metaforat “synojnë” ta vënë më në dukje opozitarizmin e tij dhe arsyen e sfidës. Te poezitë e këtij vëllim  Sabit Rrustemi e mer fjalën si gurë shkëmborë nga mallet e epeve, i  gdhend dhe i formëson gjer në imtësi imtësi si skulptori linjat e statujës,  i gdhend e i lëmon sipas vendit në fjali e në varg, i jep formën kuptimore që do, si të një njeriu të dashur,  madje ai shkon edhe me tejë: i jep frymë nga fryma e tij dhe i thotë: Jeto, ja hap sytë dhe i thotë: Shiko, ja “pastron” veshët  dhe i thotë: Dëgjo, i hap buzët dhe i thotë: Folë! Poezitë e Sabit Rrustemit janë statuja të gjalla që flasin, dhe flasin një shqipe të bukur.

Gjithsesi, e parë në kohën kur është shkruar dhe botuar kjo poezi është tribunale për nga tonaliteti e tensioni që mbart në vargje dhe ide, që na prezanton një poet luftëtar për idenë e një atdheu plotësisht të pavarur e demokratik.

 

 

Sarandë, më Mars 2023



[1] Sabit Rrustemi: “Paqja e brishtë” botim i “Rozafa”, Prishtinë 2007

[2] Ironizim i termit “Plakat e Marsit” për burrat me mendësi “pleqërie” pavarësisht moshës.

[3] Ibrahim Rugova (2 Dhjetor 1944 – 21 Janar 2006)

[4] E shkruar në datën 20.9.2002 dhe e lexuar për herë të parë, në "Takimet e Dom Mikelit", në Stubëll, viti 2002 e ku ishte i pranishëm dhe vetë poeti Ali Podrimja. Komisioni as që e kuptoi poezinë, por buzëqeshja e Ali Podrimes i “siguroi” se ishte “diçka” e mirë.