Timo Mërkuri
GABIMET E
NJË R E Z O L U T E
Në datën 07 prill 2023 në Gazetën Telegraf u
publikua Rezoluta e “miratuar” nga
Simpoziumi i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Nderi i Kombit” Labëria i zhvilluar
në datën 25 mars 2023 shoqëruar më shënimin: “Miratuar nga intelektualë të
shquar, kryesuar nga Kadare dhe Qose, kundër “Isopolifonisë“ që është
regjistruar në UNESCO, se gjoja vjen nga
mitologjia e sirenave greke dhe buron nga muzika kishtare Bizantine”. Kjo
Rezolutë i është drejtuar znj Elva Margariti, Ministre e Kulturës dhe për
dijeni personaliteteve më të lartë ta shtetit.
Fatkeqësisht
të gjitha pikat e rezolutës janë mbështetur mbi jo të vërteta, keq informime
dhe keq interpretime duke përhapur një mjegullnajë informative me synim
baltosjen e një arritjeje të artit gojor shqiptar në kuotën e “Kryevepër shpirtërore
e njerëzimit”
a-Autorët
e rezolutës shprehen kundër me: “prezantimin e polifonisë në faqen zyrtare
elektronike (me emërtimin “iso-polifoni”) pasi
bie ndesh me të vërtetat shkencore dhe ato historike, duke goditur kështu
identitetin kombëtar shqiptar” por nuk kanë sqaruar se me cilat të vërteta shkencore
(sic) bie ndesh dhe ku e godet identitetin kombëtar shqiptar.
UNESCO
njohu dhe regjistroi këngën tonë vençe, polifonike
me iso, shumëzërrëshe, iso-polifonike si
“Kryevepër shpirtërore të njerëzimit” dhe tekstualisht regjistrimi është:
[“Albanian folk iso-poliphony” a
Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në
shqip do të thotë: “Polifonia
popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale
të Njerëzimit”.
Rezolutistët
pretendojnë se termi “iso”, si një term grek dëmton identitetin kombëtar
shqiptar të këngës sonë, por unë sqaroj se: edhe po të ishte termi “iso” një
term grek nuk i prishte asnjë punë këngës sonë, ashtu siç nuk i prishi as termi
dyfish grek “polifoni”, por në rastin tonë termi “iso” është një term shqiptar,
arbëror, ilir dhe ka kuptimin një-soj, i një llojtë, i një trajtshëm. Edhe njëherë
sqarojmë se Fjalori i Gjuhës Shqipe
termin “iso” e përkufizon: “Zë i
njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbështet zërat
kryesorë në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e
ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rinjve).
Këngë me iso. Iso, more djema, iso! Këndojmë (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso
me zë (me fyell)” dhe asgjëkundi nuk shënohet origjina greke e saj.
Për
ata që nuk e dinë themi se: “iso” është zëri më i hershëm i këngës sonë vençe,
shumëzërrëshe, polifonike me iso, iso-polifonike i ardhur nga ritet mortore të
vajtimit me ligje dhe përfaqson rrënkimin mortor të grave që shoqëronin
vajtoren kryesore. Besoj se e dini që gratë dhe nënat shqiptare asnjëherë nuk
kanë vajtuar vetëm, por gjithmon kanë vajtuar të shoqëruara nga një grup grashë,
të cilat me rrënkimet e tyre kanë qënë nisëse të ligjërimit. Theksoj fazën e
vajtimit me ligjërime të ritit mortor dhe jo fazën e të qarit “me bot”, që është
faza fillestare, momenti i ardhjes së papritur të lajmit të vdekjes a vrasjes
dhe ku veprimet dhe gjestet janë impulsive.
Fakti
që “iso” është zëri më i hershëm i këngës dëshmohet nga logatja e cila nis me
një iso rrënkuese, më pas interpretohet marrësi, hedhësi dhe kthyesi duke
vijuar përsëri me iso. Këto janë të përjetuara në familjet tona ku vajtohet me
ligjërime dhe grate, disa kohë pas mortit “logatin” për të ndjerin, madje në
krahinën tonë të Himarës ndodhte shpesh që gratë, të cilave u kishte ndodhur ndonjë
fatkeqësi ta linin punën në mes, të uleshin diku e nisnin logatjen. Askush nuk
guxonte ti ndërpriste.
E vërteta
shkencore e këngës sonë vençe është origjina e saj nga vajtimi, ku rënkimi
vajtimor i shndruar muzikalisht në “iso” është pjesë e rëndësishme e zërrave të
këngës. Iso është kromozoni identifikues i këngës sonë, jo marrësi, kthyesi apo
hedhësi të cilët janë zërra solo. Iso përfaqson kolektivitetin dhe anonimatin e këngës sonë, tiparet më kryesorë
të arteve orale jo marrësi, hedhësi apo kthyesi sepse ata janë të identifikueshëm.
Të gjithë ne e dimë emrin e Dhimitër Varfit të madh, por pa më thoni pak emrat
e mbajtësve të iso-s, ato i dinë vetëm himariotët e vjetër dhe njohësit e
thelle të këngës himariote.
Në
fjalën e hapjes të simpoziumit lexova: “Barinjtë (lebër), duke qenë të veçuar
me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin
gëzimet dhe hidhërimet..”. Nuk besoj se ka njeri që i merr seriozisht këto fjalë,
të cilat në vetvete janë një mohim i origjinës e lashtësisë së këngës dhe ngushtojnë
e hapësirën gjeografike të saj, madje e trajtojnë këngën tonë si një “art të
kultivuar” dhe jo si pjesë e artit gojor, duke e ulur kështu moshën e këngës.
b- Rezolucionistët
kërkojnë të bëhet: “ndarja, në faqen zyrtare të UNESCO-s, e iso-s nga polifonia
dhe interpretimi sikur gjoja iso-polifonia vjen nga mitologjia e sirenave greke
dhe tezat e shkruara po në atë faqe se “Iso-Polifonia shqiptare buron nga
muzika kishtare bizantine” dhe se ajo shoqëron, midis të tjerash edhe funeralet
e kremtimet fetare etj”.
Jo e
vërteta, gabimi është qysh në krye në këtë kapitull të rezolutës: Askush nuk ka
thënë se kënga polifonike me iso, iso-polifonia e ka origjinën nga “sirenat”
greke apo nga “muzika kishtare bizantine”, e ca më pak që kjo këngë shoqëron
“ceremonitë mortore”. Në një sqarim të vetin Akademiku Vasil S. Tole ka sqaruar
se: “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje “që polifonia jonë rrjedh nga
muzika bizantine” dhe të arrish konkluzion të tillë duke u nisur nga kjo është
qartazi abuzive dhe keqdashëse. Dosja dhe formulari i aplikimit kanë në fokus
kryesor dokumentimin, shtrirjen, llojet, stilet, vlerat e dukurisë dhe
rëndësinë e saj për komunitetin. Pra dokumentimin e gjendjes faktike. Për këtë
mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCOS: Albanian folk iso-polyphony -
intangible heritage - Culture Sector – UNESCO”.
Hartuesve
të rezolutës ju them që: para se të hidhni akuza të tilla kini detyrim barrën e
provës, na tregoni se ku është shkruar në dokumentat zyrtare të dosjes që
shteti shqiptar ja përcolli UNESCO këto formulime, fotografoni ose fotokopjoni
dhe publikoni. Ndërsa për akuzën makabre që: “kjo këngë shoqëron “ceremonitë mortore”, nuk po gjej
fjalë që t’ja lejoj vetes për t’jua thënë, veçse ju kujtoj se ritet dhe
ceremonitë mortore shqiptare janë të shenjta dhe nuk mund ti përdhosni me përçartje.
c-“Shoqata
Kulturore Atdhetare “Labëria”, i kërkon Ministrisë të Kulturës, të ushtrojë
përgjegjësitë e saj kombëtare e shtetërore, për të ndërhyrë zyrtarisht pranë
UNESCO-s, për të fshirë prezantimin aktual të ashtuquajturës “Iso-Polifoni” ..dhe
për ta zëvendësuar me prezantim
shkencërisht dhe historikisht të mbështetur, si dhe të nënshkruar nga
institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata” shkruajnë
rezolucionistët. Pra as më pak e as më shumë të fshihet termi “iso-polifoni”
dhe të zvëndësohet me termin ”polifoni”
(apo polifoni labe) në çertifikatën e UNESCO, sepse termi “polifoni” është
shqiptar, shkencor dhe historikisht i mbështetur. Veçse asnjeri nga ju nuk ka
shpjeguar dot pse termi “polifoni” është
shqiptar, shkencor e historikisht
i mbështetur ndërsa “polifonia me iso” është antishqiptare.
Shpjeguam
origjinën e “iso-s” dhe ju themi se
“iso” është vetëm shqiptare, ndërkohë që
polifoni kanë të gjithë popujt e botës. Është “iso” tipari i vjetër,
karakteristik dhe “vetëm shqiptar”, ajo është si shqiponja e zezë me dy krerë në
flamurin tonë të kuq. Flamur të kuq ka edhe Kina edhe Turqia (p.sh.) por njeri
e ka me yje e tjetri e ka me gjysëmhënë, vetëm ne e kemi me shqiponjë të zezë
me dy krerë. Dhe ata kërkojnë të hiqet shqiponja nga flamuri-këngë? Është shumë
von që të klithni thirrjet dumbabiste.
Përsa
i përket shprehjes: “të
nënshkruar nga institucionet përkatëse, jo nga individë, kushdo qofshin ata”,
hamendësimit tuaj i është dhënë përgjigje: dosja që ju dërgua UNESCO nuk është produkt i një pune individuale por punë në
grup: ” Dosja u
përgatit nga një grup pune i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës,
Institutit të Folklorit, Universitetit të Arteve dhe ekspertë të pavarur. Para
dërgimit zyrtarisht të dosjes në emër të qeverisë shqiptare, në qytetin e
Vlorës u organizua një seminar për prezantimin e dosjes dhe rëndësinë e
kandidimit të saj në UNESCO” citon Akademiku në fjalë. Këmbnguljen tuaj për punë
individuale duhet ta provoni me fakte e dokumenta jo me fjalë.
Veç
këtyre lind edhe një pyetje tjetër, nqse vihen në jetë kërkesat tuaja për
heqjen e iso-s nga çertifikata e UNESCO, mos do shtroni edhe kërkesën që të këndojmë
pa iso?
ç- Rezolucionistët
kërcënojnë Ministren e Kulturës: “Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, ..nuk
do të pranojë zhvillimin e asnjë aktiviteti nën termin “Iso-Polifoni”, por
vetëm nën termin “Polifonia Shqiptare”. Ore këndoni, si të doni e ju këndoftë
zemra pa nuk grindemi për emrin. Por mos haroni të këndoni me iso dhe sidomos
kujdesuni që në grupin e iso-s të vini ca djem të rinj e të fortë që të tundin
malet nga iso e tyre, jo ca pleq që s’kanë fuqi për asgjë.
d-Përsa
thoni se:”Këtë Rezolutë e kanë miratuar të giithë personat e poshtë shënuar duke komunikuar nominalisht me
Kryetarin e Shoqatës “Labëria” profesor Ago Nezha” këtu ndaloni pak të bisedojmë
shtruar. Unë nuk e di në se një shoqatë ka të drejtë të nxjerrë një Rezolutë
dhe t’ja adresojë në formë ultimate-ve institucioneve shtetërore, por di që çdo
dokument që del nga një forum kolegjial firmoset nga të pranishmit më kompetentë
që kanë të drejtë vote.
Ju
kini përmendur aty personalitetin Ismail
Kadare si firmosës i rezolutës, unë nuk e di në se ka qënë i pranishëm apo jo,
por di që te libri i tij “Autobiografia e popullit në vargje” ai ka ngritur një hymn për iso-n, madje dhe
romanin “Dimri i madh” e ka quajtur “një roman me iso”, tani na del që Ai paska
firmosur që të hiqet iso nga emërtimi i këngës sonë? Mua nuk më besohet. A mund ta publikoni
firmosjen e Rezolutës nga personalitetet që citoni ju lutem? E them këtë se
duke lexuar emrat e firmëtarëve, gjeta emrin e një mikut tim, i cili nuk ka qënë
fare në simpozium, por ja që figuron nënshkrues, madje ai nuk e di fare që është
hedhur një firmë e tij (jo prej tij) diku.
Miqësisht
po ju them që emrin e bukur si një lule të Ismail Kadaresë mos e shkelni me “patkonjtë”
e marrëzive tuaja, emrin e ndritur të Rexhep Qoses mos e përbaltni me baltovinën
tuaj, emrat e nderuar të Profesorëve dhe deputetëve mos i zhvlerësoni me mesazhe të tipit: “..kemi
kënaqësinë të na bashkohesh në listën e Deputetëve për problemin e denoncimit
të "Iso-polifonisë " që është tjetërsuar në UNESCO si polifoni
bizantine greke. Për çdo informacion të
mëtejshëm lexo Rezolutën e Shoqatës Labëria botuar ditën e Shtunë te gazetat
Panorama, Sot, Dita, Telegraf dhe Nacional. Respekte x, y.” dhe sidomos këta
personalitete mos i vini në rresht gatitu para një “masoviku kulturjar”. A vlen
tu them se edhe vetë formulimi i mesazhit ka një “të pavërtetë” në vetvete kur
shpreheni se: “është tjetërsuar në UNESCO si polifoni bizantine greke”. Mendoj
se duhet të jini më seriozë, mos e bëni si ai bariu mistrec i fshatit që sokëllinte:
“Ujku ndër dhen” vetëm që të ndjehej i “rëndësishëm” se “ai e ngrinte fshatin në
këmbë”.
Këto
mesazhe-ftesë për firmosje që u bëhen njerëzve të cilët nuk kanë qënë të
pranishëm në simpozium dhe sidomos kur nuk janë kompetentë të fushës tregojnë një zhvlerësim të gjithë
simpoziumit. Lista mund të zgjatet pafundësisht por vlera e rezolutës do bjerë
në zero dhe atëherë nuk do flasim për “gabimet e një resolute” por për “ një
rezolutë të gabuar”.
Sarandë,
më 10.04.2023
No comments:
Post a Comment