PETRIT RUKA KISHTE NJË LËMSH NË
ZEMËR
Poezia
“Kam një lëmsh në zemër” e Petrit Rukës, është një poezi e mbështetur mbi këngën
popullore me të njëjtin titull e cila është
shtrati ku rrjedh vargu i tij poetik, por ndryshe nga vargjet e artit gojor që
janë një “rrëke” burimi, poezia rrjedh e rrjedh si lumë, çuditërisht shumë i
kthjellët dhe i ftohtë, nga ai ujë që pi e nuk ngopesh. Kënga popullore është e
shkurtër, disa pak vargje por me një fuqi emocionale që të trondisin:
Kam një lëmsh në zemër
Sdi kujt ti drejtohem
Tu drejtohem maleve
Mallet më largohen
Tu drejtohem fushave
Fushat zbukurohen
Tu drejtohem vajzave
Vajzat
po martohen..
I-Këtë këngë e kemi dëgjuar të kënduar,
e kemi lexuar të shkruar nëpër përmbledhje krijimtarie të këngëve të popullit,
e kemi studiuar të analizuar nga studiues dhe shkrimtarë,gjer në atë shkallë sa
që kemi menduar se ska mbetur gjë për të thënë akoma për atë. Ja që Petrit Ruka
na tregoi se kjo këngë e ngritur nga ndonjë fshatar i varfër e i drobitur, i
cili pos të tjerave ka mbetur dhe pa martuar për shkak të halleve dhe të varfërisë,
i cili në hambar ndoshta skishte drithë as për të aritur stinën e re të
korrjeve, brenda gjoksit të tij kishte një “hambar”me këngë, apo kishte vetëm këtë
këngë që ishte “balsam” dhe “ushqim” për vete, për vendin dhe sidomos për gjithë
kohërat. Askush nuk e di kush është autori i këtij teksti tejë shekspirian, se
nqse Shekspiri “lëvizi” pyllin, ky fshatar lëvizi malet me gjithë pyjet mbi
supe. Askush nuk e di se kur dhe ku u këndua së pari kjo këngë, se për ta kënduar
sigurisht që e këndoi vetë ai djaloshi fshatar me “një lëmsh në zemër”. Madje
ai, autori dhe këngëtari nuk e ka zbërthyer ndonjëherë “lëmshin e zemrës” për të
na treguar se çkishte në përbërjen e tij ky lëmsh, ishte lëmsh i krijuar nga një
fill i gjatë, apo një sërë fillesh lidhur e mpleksur me njeri tjetrin.
Sigurisht që ky lëmsh ishte më i konklavitur se nyja gordiane të cilën asnjë
Aleksandër jo vetëm që nuk e zgjidhte por as edhe mund ta priste. Askush nuk di
si e pse u krijua dhe askush nuk e zhbleksi dot këtë lëmsh në zemër.
II-Ja që Petrit Ruka nisi ta zhbleksë lëmshin, ta bëjë fije fije,
jo për ta këputur por për ta parë se çqe ky lëmsh e çqe ky fill që e kishte
krijuar atë lëmsh. Ç’tu desh kjo punë more Petrit Ruka, pse s’më pyete të të
thoshja qysh kur e nise se ajo që pe e që na tregove dhe neve, nuk qe lëmsh filli por qe lëmsh lemerish që
vetëm Zoti e dinte qysh e mbante në shpirt ai njeri i varfër dhe i pasur njëkohësisht.
Se po të qe fjala që tjua jipnin ta mbanin atë lëmsh lemerish Atlasët dhe
Herkulët, ata do mirnin malet me lemeri, do dilnin nga mitet e legjendat dhe do
bëheshin roje stanesh te ndonjë fshatar si ky që tregojmë.
Petrit Ruka hyri brenda këngës, e
ngrohu me vlagën e shpirtit të tij atë lemeri- lëmsh, fijet u bymyen dhe ai
kapi një fill të hollë fare dhe nisi, jo ta tërheqë por ta shtrijë nëpër
vargje. Do ti që ai fill u bë i gjallë dhe nisi të marrë dhe fillin e vargut të
poetit tonë, u mbleks me të, u shtri në të, u ndrit e u rinua me të dhe Petriti
vetë na e pruri në këtë poezi. Kjo është e vetmja “teknikë” e zhbleksjes së lëmshit
të artit gojor, të hysh brenda tij e të bashkohesh me të. Këtë “teknikë” Petrit
Ruka e zbatoi dhe në “rikrijimin”(që më mirë do ishte ta quanim “ringjallje”) të
baladave, “teknikë” që e zotëronte vetëm ai dhe si ai. Janë përpjekur para tij
me dhjetra shkrimtarë, poetë e studiues të artit gojor por kanë dështuar pse
ata e “shihnin” lëmshin nga jashtë. Se si i ra ndër mend Petrit Rukës të hynte
brenda dhe si hyri brenda këto janë punë gjenish që nuk i kuptojmë dot ne të
gjallët e vdekshëm.
III-Siç thamë, Petrit Ruka na dha këtë
poezi, përmbajtja e të cilës ndjek
një rrjedh emocionale dhe jep një portret të sinqertë të ndjesive të poetit,
sepse duhet të pranojmë që Petrit Ruka ishte një ndër poetët më të sinqertë në
letërsinë shqipe.
Vargjet e para të poezisë, që
realisht janë vargjet e para të këngës popullore na paraqesin një ankth të pashpjegueshëm, në imazhin metaforik të
"lëmshit në zemër", por edhe të dilemës kujt ti drejtohet për ti kërkuar
ndihmë. Si shqiptar, poeti popullor dhe Petrit Ruka i drejtohen fillimisht
malit, për vetë mardhëniet që ka njeriu shqiptar me ‘të, por ja që ky
personifikim bashkëbisedue-si nuk del i suksesshëm, sepse në qoftë se te kënga popullore “Malet më largohen” , te poeti ynë malet
jo vetëm që largohen, por shfaqen armiqësorë pasi “Mjegull vënë përpara,/Sytë më qorrohen”, thua se duan ta lenë aty
me atë lemeri lëmsh. Nuk është hera e parë që edhe malet “na kthejnë shpinën”.
Te strofa e dytë kemi një qëndrim
qesëndisës të poetit kur sheh se “gratë
zbukurohen” që nënkupton se ato vishen nuse, por gjithsesi ëndërrat e rinisë
“Tek vitet e mia,/Këmbët u pengohen/Në
prag të mëshirës/Zemrat u ngat’rrohen”. Shumëkush këto vargje i çmon si me
humor, por unë ju them se poeti “qesh” që të mos qajë, ose më saktë që të mos
ulërijë nga dhëmbja e kujtimeve a ëndrrave të braktisura që ai ndjen.
IV-Befas poeti del nga shtrati i këngës
popullore, (asnjë varg për fushat që zbukurohen, pasi “zbukurimin” jua dhuroi
grave) dhe del në rrugë: “T’ju ankohem këngëve,/Këngët
hidhërohen,/Sa shtrohen mbi letër,/Zënë e vjetërohen,/S’i plakat në
dimër,/Nxijnë dhe sterrohen”.
Dikush do pyesë se: çështë kjo zezonë që po sjell në vargje Petrit Ruka i bardhë,
por unë ju them se vargjet e poetit i nxiu koha. Çfarë kënge të “bukur” mund të
shkruajë në këtë kohë të zymtë, te cila shpresë , te cila ëndërr ta ngjyejë penën
që fjalët të cicërijnë si zogj nëpër vargje? Edhe kaq sa ka bërë, ka bërë shumë,
ka shtrydhur pikat e fundit të ëndrrave, i ka ushqyer me gjakun e tij dhe ka bërë
që ato të çelnin “gjethen” e parë të shpresës. Kaq mund të bënte poeti, pjesa
tjetër u takonte të tjerëve, atyre që jo vetëm nuk e bënë, por goditën poetin që
mos ti ushqente ëndërrat e tij për ne.
Në qoftë se strofa : “T’ju
rënkohem shokëve,/Shokët më rrallohen,/Të gjithë ndrrojnë adresat,/Në varreza
shtohen./O ky lëmsh në zemër,/E di, … që do helmohem” ka një tis realiteti, strofa tjetër
ulërin me kujë: “T’i ankohem zemrës,/Lëmshi më
zmadhohet,/Si qebap kafeje,/Mbi zjarr rrotullohet”, sepse sa do durrojë e shkreta zemër,
një anije me dërrasa të vjetra në tufanin e oqeanit? “Lëmshi më zmadhohet” thotë poeti dhe ne na bëhet një gulç në grykë,
sepse ai lëmsh i tij ishte shtuar dhe me një fill më tepër e ne s’e ndihmuam
dot.
Shpesh disa shokë më thoshnin se
Petrit Ruka ishte ironik në poezi dhe për të ma vërtetuar më citonin vargje dhe
strofa. Unë gjithnjë kam këmbngulur që Petrit Ruka ishte ndër më seriozët në
poezinë shqipe, madje edhe kur shkruante vargje që tingëllonin si me humor, ai
ishte tepër serioz, pse ishte “ngushtuar”, ishte rrethuar nga “hallet” që e
kishin vënë në qoshen e ringut të jetës dhe po e godisnin pa pushin dhe ai
shmangien prej goditjeve të tyre e
shihte te shtegu i ngushtë i “humorit” (në dukje) ku hallet e brengat e
“trashura” nuk kalonin dot. Lexojeni strofën e fundit: “T’i
ankohem vdekjes,/Veç ajo gëzohet,/Si vejushë e djegur,/Zë e më afrohet,/Me mua
të gjorin,/Vdes që të martohet”
dhe shikoni kontrastin në vargje: Vdekja gëzohet dhe si vejushë i afrohet, pse
me atë të gjorin ajo “vdes” që të martohet. A nuk ju kujtohet kënga “Mbeçë more
shokë mbeçë” me vargjet befasuese:”Në
pyettë nëna për mua/I thoni që u martua/Në pyettë se çgrua mori/Tre plumba për
kraharori/Në pyettë se çklrushq i vanë/Korbat dhe sorrat ta hanë”. Pas
kësaj qasjeje kush mund të thotë se Petrit Ruka thurte vargje me humor, veç po
të shtojmë: “me humor të zi”.
V-Veç se me vargjet e fundit të
poezisë së Petrit Rukës ;” Kam një lëmsh në zemër,/Po kujt i
besohet”?! mund ta
mbyll këtë shkrim, duke ju thënë se vërtet Petrit Ruka kishte një lëmsh të madh
në zemër. Besojeni dhe ju siç e besova unë.
Sarandë, më 20 prill 2023
Burri më la për një grua tjetër pas 12 vitesh martesë, shkoi në një udhëtim pune dhe nuk donte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Po kërkoja ndihmë kur takova Dr. Ellen, një magjistare e fuqishme. Rrethi I shpjegova situatën time dhe doli që burri im ishte magjepsur nga një grua tjetër, kështu që ai harroi shtëpinë e tij, foli Dr.Ellen dhe burri im u lirua nga robëria dhe më vjen mirë që erdhi në shtëpi. pas 3 vitesh ndarje nëse keni nevojë për ndihmë mos ngurroni të kontaktoni Dr Ellen përmes whatsapp: +2349074881619 ose email-it: ellenspellcaster@gmail.com
ReplyDelete