Timo Mërkuri
Madhëria e saj-
kënga iso-polifonike
Redaktor: Prof. Dr. Vasil Tole
Asnjë atdhe nuk mund të ekzistojë pa poezinë
e popullit. Poezia nuk është asgjë më tepër se kristali në të cilin mund të
pasqyrojë veten një komb, ajo është burimi që nxjerr në sipërfaqe
origjinalitetin e vërtetë në shpirtin e popullit “
J. Lunqvist Gelser
Parathënie,
“Madhëria e saj,
kënga iso-polifonike” është në vazhdën e
disa librave, që Z. Timo Mërkuri, i ka ofruar lexuesit shqiptar këto vitet
e fundit. Ajo që të bën përshtypje të menjëhershme në interesat studimore të
këtij autori, është padyshim, lidhja shumë e fortë e tij, me trashëgiminë
kulturore të Shqipërisë së Jugut, me atë që do ta konsideronim si kulturë të rrënjës:
iso-polifoninë popullore shqiptare. Jo më kot, origjinaliteti i iso-polifonisë,
i konfirmuar edhe si “Kryevepër e
trashëgimisë gojore dhe shpirtërore të njerëzimit-mbrojtur nga UNESCO”, vazhdon
të inspirojë me lëndë të gjithfarëshme jo vetëm studiuesit e nderuar të kësaj
fushe.
E vërteta është se, pena e Timo Mërkurit, më kaploi dhe më zgjoi
kurreshtjen për të, kur lexova një artikull të tij mbi ison, i cili ishte
botuar në gazetën “Iso-Polifonia”, në
fillim të vitit 2006. Nuk është e tepërt të them se në këtë artikull, Timua,
sipas këndvështrimit dhe shpjegimeve të tij, jepte mrekullisht bukur, ndër të
tjera edhe lidhjen e origjinës së isos me të qarat kolektive mijravjeçare, gjë
e cila ka qënë pohuar edhe prej nesh pas viteve 2000, gjë që ka hapur një
kapitull të ri përqasjesh mbi origjinën e gjithë dukurisë së iso-polifonisë
popullore shqiptare. Pas kësaj, si për
inerci lexova librat e tij “Te lisat në Shënkoll”-2005 dhe “Iso more Djema”-2005 të cilët më konfirmuan faktin se Timo
Mërkuri fsheh brenda shpirtit të ngrohtë të bregdetasit, edhe poetin dhe studiuesin
e trashëgimisë iso-polifonike. Pse të gënjej! I madhi Konica mu faneps o Timo
Merkuri kur po lexoja “Iso more djema”!
Ashtu si në librat e
mësipërm, edhe në më të fundit syresh, ai, vëzhgon mprehtësisht lidhjet dhe origjinalitetin e këaj kulture
iso-polifonike (e cila nuk është vetëm muzikore, por është e ndërthurur me të
shkuarën, të përditshmën, me etnografinë e jetës dhe folklorin në përgjithësi),
me peshën e jashtëzakonshme të saj në formimin e identitetit kombëtar, si një
identitet i spikatur në mozaikun e kulturës botërore. Këtij qëllimi i shërben e
gjithë lënda letrare iso-polifonike e përzgjedhur në këtë libër (të cilën ju
lexues të nderuar, jam i bindur që kini për ta lexuar me një vrull), e cila, brenda
karakterit variacional të temave dhe të kohëve ku ngjarjet zhvillohen, të ofron
magjinë e kësaj kulture, mjeshtrat e saj ndër vite, faqe të zgjedhura të
letërsisë iso-polifonike si dhe pafundësinë e iso-s si një arketip origjinal të
ekzistencës së saj. Si i tillë, libri i Timos, në strukturë është një
palimpsest, një palimpsest i ngjashëm me iso-polifoninë, ku mbi zërin e iso-s,
si mbi një gurgullimë, mbivendosen, shkruhen dhe këndohen rrëfenjat dhe
tregimet e tij, shumica të jetuara. Doni ta provoni? Lexoni si në fillim si në
fund, si në mes apo dhe me ndërprerje, kudo në faqet e librit të Timos.
Iso-polifonia është aty duke ju pritur Ju, për t`ju bërë pjesë të pandarë të
saj. Dhe ju do ta ndjeni veten herë mbretër, herë valltarë, të dashuruar apo
edhe trima me pallë!
Pa u zgjatur në këtë parathënie, më duket se sadopak i dashur Mik, e bëra
rolin e marrësit të këngës iso-polifonike, dhe tani nuk ngelet gjë tjetër veçse
që ju të dëgjoni prerësin, hedhësin dhe ison e mëposhtme të Timo Mërkurit.
Jepi Timo, o bir i Këmbëcjapit!
Prof. Dr. Vasil S. TOLE
etnomuzikolog
Madhëria e saj- Kënga iso-polifonike.*
Ka mbetur nëpër biseda ndodhia e atij
fshatarit nga Dukati, i cili ishte ftuar në dasmën e mbretit Zog. Si
përfaqësues i fshatit apo si mik personal i tij, kjo s’dihet saktësisht. Por
ajo që dihet është fakti se ai shkoi në dasmë, hëngri, piu e këndoi, la
dhuratat sipas traditës dhe të nesërmen në mëngjes, ndërsa priste t'i sillnin
kafen e mëngjesit, tek rrinte në sallon bashkë me dasmorë të tjerë, befas sheh
të hyjë mbretëresha –nuse me tabaka plot me filxhanë të mbushur me kafe, në
duar. Çdo gjë e prisnin dasmorët, por që kafen e përcjelljes t'ua jepte vetë
mbretëresha, këtë s'e kishin parashikuar.
Por ja që mbreti i ri i porsamartuar nxorri
nusen t'u jepte dasmorëve kafen e përcjelljes, duke rritur në këtë mënyrë së
tepërmi shkallën e respektit që manifestonte ndaj dasmorëve. Sipas zakonit,
miqve kafen e përcjelljes ua jep nusja, duke u krijuar atyre në këtë mënyrë dhe
mundësinë që ta darovitin nusen, sipas vlerësimit dhe mundësisë që ka secili.
Por kur nusja është vetë Mbretëresha e vendit, askush nuk e llogarit për faj,
në se ajo vetëm sa shoqëron tabakanë plot filxhanë me kafe, të cilën mund ta
mbajë ndonjë shërbëtor i pallatit. Por Mbreti i ri, njohës i hollë i zakoneve
shqiptare, nxorri nusen me tabaka në duar dhe mysafirët merrnin filxhanët nga
dora e saj, sipas radhës, bënin urimet e darovitjet përkatëse. I erdhi radha
dhe dukatasit, fshatar i rrahur me vaj e me uthull nëpër dasma e davete.
Duke marrë filxhanin e kafesë në dorë, filloi
me një zë të qetë të këndojë një këngë për nusen. Kënga thoshte pak a shumë
kështu:
Maxhare leshëra tëndë
U trete qiri më këmbë
Kafe miqve duke dhënë
Fajin ta pati jot’ ëmë
Të dha më derë të rëndë.
Këngën e këndoi vetëm, se s’kishte shokë të
ngrinte grupin. E këndoi qetë, ndërsa me një dorë merrte filxhanin dhe me
tjetrën daroviste nusen me ç'i kishte xhepi, se qejfi i qe bërë mjaft. Mendoni
pak, vetë mbretëresha e porsa bërë nuse i kishte dhënë kafen me dorën e saj. Do
mburrej në fshat e në gjithë Labërinë jo vetëm ai, por dhe të bijtë. Ndaj dhe
në logatjen e tij vuri jo vetëm cilësimin e origjinës së nuses
(maxhare-hungareze), që të mos ngatërrohej ndonjë më pas e ta dinin mirë që kjo
këngë qe për atë, Mbretëreshën e ardhur nuse nga Hungaria. Vuri në të dhe nja
dy komplimenta për mbretin vetë, duke e quajtur “derë e rëndë’’, pra, shtëpi e
madhe.
Ajo që duam të theksojmë ne dhe që e kanë
pohuar kalimthi si një gjë të zakonshme, bile tepër të zakonshme, jo vetëm aktori
i ngjarjes, por dhe të pranishmit e tjerë e ata që e mësuan ngjarjen (e cila
mori dhenë duke u kënduar dhe sot nëpër disa dasma të Labërisë), është fakti se
ndërsa ky dukatas këndonte, Mbretëresha me tabaka në duar dhe vetë Mbreti pak
më pas, rrinin pa lëvizur, si të thuash
rrinin "gatitu" para këngës. Dhe ashtu qëndruan gjersa
dukatasi mbaroi gjithë këngën.
U kthye në fshat dukatasi dhe e gjeti përpara
ngjarjen që i kishte ndodhur. Bashkëfshatarët e pyetën si qe nusja e si qe
kafeja, si qe dasma e si qe mbreti, çfarë hëngrën e çfarë pinë. Por askujt s'i
vajti ndër mend të pyeste a e respektoi Mbreti këngën e tij. Sepse të gjithë e
dinë që dhe vetë mbreti është i detyruar të respektojë këngën, të rrijë
"gatitu" para saj, qoftë dhe kur është i ulur në fron. Kur këndohet
kënga, edhe vetë mbreti s’është më mbret. Në ato çaste mbretëron vetëm kënga.
Kënga është e vetmja mbretëreshë e plotfuqishme, së cilës i binden të tërë. Dhe
në se ndokush, cilido qoftë ky, do guxojë të shkelë apo të prishë ceremonialin e
saj, do përballet me të papritura të pakëndshme për të dhe pasardhësit e tij.
Dhe Zogu, si një njohës i zakoneve shqiptare, jo vetëm që heshti e qëndroi
"gatitu" para kësaj Mbretëreshe, por e përgatiti dhe nusen e tij të
re për këtë ceremonial. Vetëkuptohet që askush s’do t’i vinte faj nuses edhe po
të gabonte pak, p. sh të mos qëndronte gjer në fund të këngës. Por fakti që ajo
qëndroi, fakti që ajo e respektoi siç duhet këngën, i bindi të pranishmit se
ajo qe jo vetëm një nuse "për së mbari", por edhe një Mbretëreshë
"për së mbari".
Thashë pak më sipër se kushdo që do guxojë të
prishë ceremonialin e këngës, do ndodhet e do përballet me të papritura. Me që
jemi me Zogun, le të tregojmë dhe një ndodhi tjetër me të, kësaj radhe në
Himarë.
Himara, përgjithësisht si ka respektuar
mbretërit, se ka njohur autoritetin e tyre. Himarjotët i përkasin fisit të
kaonëve, të cilët kurrë s’kanë pasur mbret, por për të drejtuar jetën e vendit
gjithmonë zgjidhnin tre strategë për dy a për tre vjet. Përgjithësisht ata, mbretërit,
i quanin si ca njerëz të zakonshëm, që në vend të festes, kapelës, mbanin
kurorë. S'qe ndonjë gjë e madhe ta merrje atë kokë me gjithë kurorë. Ndoshta
dhe Vasil Laçi donte të tregonte pikërisht këtë, kur qëlloi mbi Viktor
Emanuelin. Por le të kthehemi te Zogu në të vetmen vizitë që bëri në Himarë aty
nga 36 a 37-ta.
Kishin ndryshuar kohët. Interesi i kombit e
donte njohjen e Mbretit. Dhe himarjotët e pritën. Jo me entuziazëm, por
gjithsesi e pritën me nderime. U shtrua dhe një drekë. U improvizua dhe një
grup polifonik në lokalin ku u shtrua dreka dhe ia morën këngës:
Shqipe katër vilajete
Në mes të krajlëve mbete
Gjithkush të kërkon për vete
I thonë sulltanit jepe
E jap, po duan më vete
I thonë dufekut lepe
Ndërsa këndohej kënga, dikush nga të pranishmit
e porsaardhur tentoi t'i drejtohej mbretit me përshëndetje a t'i tërhiqte
vëmendjen për praninë e tij në atë ambient. Himarjoti që qe më pranë e kapi nga
mënga dhe me zë të ulët, bile nënë zë i thotë: Rri urtë, se ta futa me
opingë në kukë (kokë). Ti do na e dhjeç këngën neve?!
Kur mbaroi kënga u bënë ceremonitë e
përshëndetjet që s'qenë bërë a që duheshin bërë, në respekt të Mbretit a të
mikut. Por gjithsesi, pas këngës. Këto nuk janë "përralla me mbret",
siç do mendojë dikush, por janë të vërteta me këngë, paçka se është dhe Mbreti
brenda. Dhe po të ndjekim logjikën e këngës, do thoshim: E çfarë, pastaj, se
qe dhe Mbreti? Mbreti le të rrijë urtë, se ne flasim për këngën dhe për
këtë solemnitet të këngës, për respektin ndaj saj flasin edhe udhëtarë të huaj
që e kanë dëgjuar këtë në Shqipëri si Bajroni, Hobhauzeni, Holland, Hani,
Hamond etj. Dhe kënga gjithmonë ka qenë Mbretëresha e shtëpisë dhe e jetës
shqiptare. Dhe jo një mbretëreshë që rinte në fron, por që ulej në sofrën e
varfër të fshatarit, që mbase i duhej dhe të gdhihej pa ngrënë, por s'rrinte
kurrë pa këngë. Ka qëlluar të shkonte në luftë pa pushkë, por jo pa kënduar.
Askush nuk guxonte dhe nuk guxon as sot t'ia presë fjalën në mes, të presë ison
e saj magjike, se menjëherë i sulen të tjerët me tërsëllimë: Qepe, more, ti
do na prishësh këngën neve!
Kënga respektohet vërtet si një Mbretëreshë
në jetën shqiptare. A i kini parasysh ceremonitë zyrtare a festive të
fisnikërisë në mesjetë? Imagjinoni pak, ju lutem, një sallë e mbushur plot
fisnikë hijerëndë, që kuvendojnë me njeri-tjetrin, a vallëzojnë sipas rastit,
po qenë mbledhur për vallëzim, dhe befas te porta kryesore shfaqet një
mazhodrom hijerëndë me një stap a spektër në dorë, me të cilën godet dyshemenë
tri herë dhe thotë me zë të lartë vetëm këto fjalë: Madhëria e tij, Mbreti ose
Mbretëresha. Të gjithë heshtin dhe shpejt e shpejt, me shikim nga porta
kryesore, ku pritet të hyjë Madhëria e tij, vendosen në rresht a në radhë, duke
lënë një korridor, ku do kalojë Madhëria e tij apo e saj. Hyn Mbreti, të gjithë
ulin kokat në shenjë nderimi dhe presin fjalën e tij, qoftë kjo dhe e hidhur.
Një ceremonial i tillë zhvillohet dhe në
Kongresin Amerikan kur hyn Presidenti i vendit për të mbajtur ndonjë fjalim të
rëndësishëm apo t'i kumtojë kombit ndonjë mesazh.
Le të shkojmë tani në një fshat të Labërisë a
të bregdetit, në një shtëpi ku bëhet dasmë.
Ja oda e burrave, ja sofrat e krushqve
mbushur me mish e raki. Djemtë rrinë në dritare e shohin me trishtim në sy
vajzat që venë e vijnë në oborr, thua se kanë shumë punë aty dhe ca më tepër i
lanë të gjitha punët për sot. Njëri nga krushqit ka pirë ca më shumë se ç'duhet
dhe ashtu gjysmë i pirë, siç është, e ngre zërin një oktavë më lart për një
problem që, sipas tij, pala tjetër e krushqve, fshati, qeveria apo perëndia,
s'e ka zgjidhur drejt dhe që po ta kishin pyetur atë do t'i jepte problemit një
zgjidhje ideale etj. Dhe zgjidhja qenkësh fshehur pikërisht te kjo dreq gotë e
mbushur plot dhe ai e gjeti pikërisht tani etj.
Edhe pak dhe sherri është në prag. Mund të
prishet një dasmë a një krushqi, vetëm e vetëm se dikush ka pirë një dopio
raki, vetëm një dopio raki më tepër. Dikush përpiqet të sqarojë diçka, dikë,
dikush mërmërit i zemëruar, dikush… Befas një zë i fortë çan ajrin dhe i bën të
gjithë të ngrijnë në vend:
Dil në penxhere…
Tri fjalë janë si në rastin e njoftimit të
mazhodromit për mbërritjen e Mbretit a të Mbretëreshës. Apo të Presidentit
Amerikan në Kongres. Veçse këtë radhë janë tri fjalë të një kënge polifonike.
Por që në fakt janë pikërisht një njoftim, i cili i përkthyer në gjuhën e
oborrit do të thotë: Madhëria e saj -Kënga
Të gjithë tendosen dhe afrojnë (përulin)
kokat. Lihen gotat e mishrat në sofër. Askush s'guxon të bëzajë. Secili
vendoset me mëndje në vendin e tij, pritësi, kthyesi, mbajtësit e isos, ashtu
siç vendosen baronët, kontët, viskontët e kalorësit para mbretit. Djemtë
kthejnë kokën nga burrat dhe vajzat afrohen fshehurazi e heshturazi te
dritaret. Të gjithë e kthejnë kokën nga Mbreti, doja të thosha nga grupi i këngëtarëve.
Të gjitha këto në të dhjetën e sekondës. Mjerë kush vonon apo gabon. Ca të
tallura do jenë më e pakta, në mos përfundoftë në plevicë.
Tani që të gjithë e morën vesh se erdhi
Mbretëresha, kënga, të gjithë i kushtohen asaj. Dhe vazhdon:….
Të të shoh njëherë
Moj Katina nina nina
Zemërën ma mer.
Janë vargjet e këngës së famshme të Neço Muko
Himarjotit. Por mund të jetë çfarëdo kënge labe. Njësoj e ka fuqinë dhe
autoritetin.
Gjatë këngës askush s'guxon të flasë, e kush
mund të flasë, kur flet vetë Mbretëresha? E shumta, i zoti i shtëpisë, ose
njeriu i ngarkuar për të shërbyer, hysmetçiu, heshturazi, si në majë të
gishtave, mund të sjellë ndonjë pjatë meze, ose ndonjë shishe raki, ta vendosë
në sofër në heshtje e po në heshtje të largohet.
Mbretëresha nuk flet shumë. Thotë një strofë
e bën pak pushim. Shpejt e shpejt kush ka për të thënë diçka, e thotë, kush ka
për të ngritur një dolli, e ngre. Jepen e merren urime, ngacmohen djemtë e
rinj, hahet një copë meze, unë do thosha kapërdihet, dhe të gjithë presin
fjalën e Mbretëreshës, strofën tjetër, të këngës.
Mbretëresha flet për një dashuri, si kënga e
mësipërme, për një trim të vrarë:
Ç'është ajo që po shkon tutje
Pall e larë e Leskoduke
për një gjëmë:
Qeparoi majë shkëmbi
Pataksem si s'lot nga vëndi
Iku Sokrat Lekë drëri
Kapedan i këtij vëndi
për një sherr në një fshat:
Pa dil, dil, përjashta fshatit
Të shikosh djemt e Kalbaqit
për një vrasje:
U nis gjaku e shoi zjarrë
e për një gjyq:
O i ziu Tartar Zekë
Kathe ditë pleqësi
a për një vjedhje:
që vodhi një kec të çalë
Përgjithësisht kënga polifonike flet për
gjithçka që ka parë, bërë, dëshiruar, ëndërruar dhe urryer njeriu shqiptar.
Pavarësisht nga teksti i gjatë apo i shkurtër, i realizuar artistikisht apo i
zakonshëm, kënga dëgjohet në heshtje e me respekt. Është tjetër gjë fakti që në
varësi të nivelit të këngës si tekst e si melodi është edhe jetëgjatësia e saj.
Por kënga polifonike nuk këndohet vetëm në
dasmë. Ajo këndohet kudo, në stan, te rrapi i fshatit kur nisesh në luftë apo
vjen nga lufta, nisja në kurbet dhe ardhja prej tij, me një grup shokësh e
shoqesh diku në festa fetare, ditën e emrit a ditëlindje, kur je vetëm e do të
largosh vetminë, kur ke një mall a një brengë a ndoshta një gëzim që do ta
shfresh. Kudo ku jetohet, këndohet kënga polifonike. Dhe kudo ku këndohet ajo
respektohet si një mbretëreshë. Nuk është një diktat i imponuar. Është një
domosdoshmëri e jetuar.
Ashtu si fisnikëria e mesjetës nuk mund të
kuptohej pa ekzistencën e Mbretit, ashtu dhe jeta në zonën e bregdetit nuk mund
të kuptohej pa iso-polifoninë. Ishte kënga që i jepte shqiptarit informacionin
e domosdoshëm të jetës së djeshme, të tashmes dhe të ardhmes. Shumë popuj kanë
pasur magjistarë që u parathonë fatin, që ruajnë arkivat e kujtesës së jetës së
popullit. Populli ynë gjithë këtë e ka bërë vetëm me këngë, duke zëvendësuar
arkivin, sepse ka munguar jo vetëm gjuha e shkruar, por më vonë edhe shkollat
që do të mundësonin regjistrimin e atij thesari që krijohej përditë. Prandaj
kënga është aq magjike. Të hysh në vorbullën e iso-s, të duket sikur s'je në
këtë botë. Je, detyrimisht, në atë botë, për të cilën flet kënga, në dashuri,
në kurbet a në luftë, i gjallë a i vdekur. Çuditërisht kënga polifonike rrallë
flet për pasurim e pasuri, dhe kur flet për ato gjithmonë i lidh me fatet
madhore të kombit:
Abdyl prishe pasurinë
një barrë flori.
Por e kishim fjalën te Madhëria e saj.
Kënga. Ajo është e tillë jo vetëm kur e këndon një grup në një ambient me disa
njerëz, por edhe kur një njeri i vetëm, duke ecur apo duke ndenjur diku logat
një këngë me vete e për vete. Mund t'i flasësh dhe ai të të lerë përshtypjen se
s'të ka dëgjuar. T'i afrohesh edhe më afër dhe i flet dhe ai përsëri diçka
mërmërit me vete. Nuk bën gjë tjetër, veçse këndon. Nuk të përgjigjet, sepse
respekton atë, këngën. Dhe me të mbaruar strofën që ka "nëpër
dhëmbë", atëherë çuditërisht shfaqet një njeri tjetër, shumë i dashur e
mikpritës, sa që po të jesh udhëtar pranë stanit të tij, të fton për drekë e
ther edhe ndonjë qengj pirës. Por gjithësesi nuk ikën pa provuar mikpritjen e
tij, sa që fillon e dyshon në vetvete në se ishte ai i pari që "mërmëriste
nëpër dhëmbë"! Po ai është, por në rastin e parë ishte në shërbim të
Mbretëreshës, ishte thjesht një ushtar i saj në shërbim te flamuri.
Dhe ushtari që kryen shërbimin te flamuri nuk
flet me udhëtarët e kalimtarët e rastit, kushdo qofshin ata.
Princi i këngës
himarjote
Ai qe vërtet Princ në kuptimin më të plotë të
kësaj fjale. Ose ndoshta me ndonjë përjashtim të vogël si p. sh nuk kishte
lindur në ndonjë pallat a kështjellë të stisur e të ngritur nga ndonjë mbret
hijerëndë dhe se atë ditë që lindi ai, nuk gjëmuan topat nëpër bedena të
kalasë. Por ama edhe kjo kompensohet më së miri me faktin se ai lindi në
Himarë.
Dhe kjo s’është pak se në atë vit të sertë
1899 kur nuk kishte as shtet shqiptar, por perandori osmane, Himara ishte një
ndër kalatë e panënshtruara të shqiptarizmit. Për sa i përket gjëmimit të
topave, kjo u plotësua më së miri me gjëmimet e vetëtimat e Maleve të Vetëtimës
dhe deti nisi dallgët me brohorimë. Se qe vërtet i sertë ai Tetor.
Ai qe vërtet Princ, jo prej gjakut blu në
deje, se kjo puna e gjakut blu duhet parë mirë se s’dihet a qëndron a
s’qëndron. Xhanëm, gjer më sot janë vrarë e janë prerë mbretër e princa pa
hesap, po s’kam dëgjuar e s’kam lexuar që t’u ketë rrjedhur nga plagët gjak
vërtet blu. Bile as në përrallat e shumta që më tregonte gjyshja s’përmendet
gjëkundi gjaku blu. Kjo ndoshta shpjegohet me faktin se në, shtatë fshatrat e
Himarës, s’kemi pasur ndonjëherë ndonjë konsideratë të madhe për mbretërit,
sepse trojet tona historikisht nëpër shekuj nuk janë administruar nga ndonjë
mbret. Prandaj mbretërit janë një çikë të largët nga kujtesa jonë, si ca pleq
të rrjedhur, që s’kanë ç’të bëjnë ndaj zënë e flasin me vete. Ama, të mos u
hamë hakën, përrallat tona janë plot me princa e princesha të bukur dhe të
bukura, që në fund të përrallës martoheshin me ndonjë trim ose trimëreshë të
fshatrave tona.
Por ky qe vërtet një Princ me sy të kaltër,
me shpirtin e madh sa qielli i kaltër, pa asnjë re të bardhë apo të zezë
pranvere apo dimri. Zemra e tij qe e madhe sa deti. Ky qe vërtet një Princ i
Kaltër që mund të ngiste me revan kalin nëpër ëndrrat e sa e sa vajzave. Ai pa
e kuptuar as vetë, instinktivisht filloi të sillej si një princ.
Shkon në Pire dhe mbaron shkollën e mesme si
dhe nis punë të ndryshme për të siguruar jetesën. Por ajo që bie në sy është se
nuk ngulet në një punë. Siguron ca të ardhura dhe nxiton t’i prishë sa më
shpejt, thua se i rëndojnë xhepin. Por nuk i prish kabareve e buzukëve. Ulet e
shkruan skeçe e parodi, këngë të lehta tip operete, përkthen këngë dhe ëndërron
të ngrejë një grup estrade. Por vendasit e shohin me dyshim këtë shqiptar të
çuditshëm, ndaj kthehet në vendin e tij dhe vendoset në Sarandë, duke sjellë me
vete një këngë për kurbetin (ja kushton shokut të tij Koço Çakallit), e cila
çuditërisht ngjan për nga ritmi e timbri i vargjeve me këngën “Marshi i
Barabajt” i Nolit dhe që fillon me vargjet:
O mashtrues i ashpër o kurbet
Magjistar e dinak dhe i keq
Në mos gaboj, tingëllon aktual edhe sot.
Atë që se bëri dot në Pire e bëri në Sarandë.
Ngre grupin e estradës dhe themelon revistën “Pif-Paf” dhe nuk harron që ta
shkruajë emrin e tij jo Neço Muko, por N. H. Marjoti, që të lexohet Neço
Himarjoti. A nuk tingëllon si të thuhet Neçua, Princi i këngës himarjote! Sepse
s’mund të themi princi i Himarës, ai s’mund të pranojë atë që s’e ka të vetën.
Ama për sa i përket këngës, shok ka vetëm veten.
Si një princ që s’mund të rijë në një vend,
me pretekstin e kurbetit, si të gjithë djemtë e moshës së tij, merr rrugët e
Evropës, duke u nisur nëpër Adriatik, pastaj me tren nëpër Itali dhe pasi
vërdalliset si një bohem i vërtetë nëpër Francë, vendoset në një hotel te
sheshi Kambron. A ju kujton diçka ky emër, diçka vërtet burrërore e heroike,
diçka himarjote. Ndoshta s’është e rastit zgjedhja e këtij vendi.
Në qoftë se të gjithë kurbetçinjtë e tjerë
rropateshin nëpër punë dhe mbrëmjeve binin të këputur nga lodhja të flinin,
Princi ynë nuk mund të punonte. Historikisht dihet fakti që mbretërit e princat
nuk u lejohet të zënë punë me dorë. Bën përjashtim këtu mbjellja e luleve dhe
të shkruarit. Këtu e gjeti veten Princi ynë, e gdhinte natën mbi tekste këngësh
dhe operetash, i përkthente në shqip, shkruante notat, krijonte këngë të
ndryshme që ua kushtonte shokëve e miqve, ua lexonte miqve e bashkë atdhetarëve
krijimet e tij dhe përkthimet. Mbushte e mbushte fletore të tëra me krijime. Po
për të krijuar pasuri thoni ju? Po atë po ju them dhe unë. Ai vinte e vinte
pasuri, jo në portofol, por nëpër fletore. Atë pasuri, që na e la neve
trashëgim, që e gëzojmë të gjithë sot.
Në Paris u njoh dhe me ecjen e përparimin e
shkencës, u njoh me krijimin e ca pllakave që ruanin përjetësisht këngët, që i
bënin të pavdekshëm artin dhe artistët.
Dhe pikërisht aty lind e piqet një mendim i
madh, mendimi për të përjetësuar nëpër incizime këngët e tij që tashmë mund të
quhen këngët himarjote. Ndaj rikthehet në Sarandë si një Princ i vërtetë që
mendon të stampojë në flamurin e luftës stemën e tij princërore. Dhe ky Princ i
ri mendon për stemën e tij e cila s’mund të jetë gjë tjetër veçse një tip i ri
kënge labçe, atë që jetëshkruesi i vetëm dhe burimi i saktë i jetës së Princit
tonë, miku i tij Janko Pali, e quan “avazi himarjot”. Në qoftë se ngeli i
pavdekshëm Neço Muko Himarjoti, mbeti pikërisht për incizimet e këngëve
popullore, me aq vlera për historinë e kulturës tonë popullore, si dhe rolin që
i dha zërit të tretë, “hedhësit”, duke e theksuar atë dhe duke e bërë më
funksional për t’i dhënë këngës himarjote jo vetëm atë forcë të re, që e
dallon, por duke e bërë edhe më të zhdërvjellët. Të mos harrojmë novatorizmin e
shoqërimit të kësaj kënge me instrumente si kënga “Llaj çoban”, novacion të
cilin do ta çonte më tej në këngën pilurjote në ditët e sotme Lefter Çipa. Por
duke qenë se jo çdo lexues i këtyre rreshtave ka njohuri për zërat e këngës
polifonike, po sqarojmë diçka mbi to, funksionin dhe origjinën.
Është diskutuar nëpër studiues e rrethe
shkencore se origjina e këngës polifonike është ceremoniali i vajtimit. Në
literaturën botërore vajtimi më i plotë është ruajtur në Epin e Gilgameshit
4000 vjet më parë në Asiri, i cili e vajton babain e tij 6 ditë e netë.
Natyrisht nuk kemi një shkallë zhvillimi historiko-shoqëror të njëjtë, prandaj
për vet ndërprerjen e shkrimit të ilirishtes, dokumentin e parë në literaturën
shqipe për vajtimin në Shqipëri e sjell Marin Barleti për ligjërimet e Lek
Dukagjinit mbi vdekjen e Skënderbeut. Por tradita e vajtimeve në vendin tonë
është shumë e hershme sikundër e vërtetojnë edhe gjetjet arkeologjike. Më e
rëndësishmja është se ato kanë mbërritur deri tek ne nëpërmjet transmetimit
gojor, një traditë shumë e fortë, duke kapërcyer shekujt.
Sqarojmë se gjyshet dhe nënat tona
asnjëherë nuk kanë vajtuar vetëm. Në këto rite ato gjithmonë janë të rrethuara
nga gratë e tjera të farefisit, bashkëfshataret ose nga gra të fshatrave të
tjera. Dhe vajtimi, qoftë nga pjesëtarët e familjes apo gratë e fshatit, bëhet
me ligje sipas traditës himarjote dhe në përgjithësi të zonës së Labërisë, duke
renditur cilësi të veçanta të të vdekurit. Këto ligjërime shoqërohen gjithmonë
me rënkimin e grave të tjera të pranishme, duke krijuar kështu pa dashje një
korr rënkuesesh. Ky kor, përpunuar nëpër shekuj, nuk është gjë tjetër veçse
kori i tragjedive antike iliro-greke, dhe sot në këngët polifonike janë
mbajtësit e isos. Sa më e madhe të jetë gjëma, gjë që varet nga mosha e të
vdekurit dhe nga rrethanat e vdekjes, aq më rrëqethës është vajtimi dhe
rënkimi. Tragjeditë e ndodhura në vitin e mbrapshtë të ’97, e përforcuan këtë
traditë disi të topitur nëpër qendrat urbane.
Ditën e parë, kur atmosfera emocionale është
shumë e ndezur, nuk dallohet mirë rregullshmëria e vajtimit, radha e zërat e
vajtoreve, ndoshta nga oktava e lartë e zërave, nga ndërprerjet e shpeshta që i
bëjnë ligjërueset njëra tjetrës. Por në të tretat, në të nëntat e në ditët në
vazhdim, rregullshmëria e vajtimit bie menjëherë në sy. Përsëri e zonja e shtëpisë
nuk vajton vetëm, ndonëse e nis e para vajin. Vetiu krijohet grupi i rënkueseve
(mbajtëse të isos) dhe një grua më me përvojë e shoqëron vajtimin duke mbajtur
një ritëm grykor si ‘’hë-khëëë’’ duke bërë një dialogim me vajtuesen kryesore
(marrësi), siç bën kthyesi në këngë ;-oko-khooo, për ta tërhequr vajtoren
kryesore në tonalitete të ulëta duke shmangur kështu shpërthimet e ndryshme me
pasoja të rënda psikologjike për të afërmit. Ky zë është “kthyesi” ose më saktë
këtë funksion ka kthyesi në këngë.
Shumë herë gjatë vajtimit të pandërprerë,
“marrësja” e parë, që është nëna, motra, kunata e të ndjerit, fillon e hyn në
një gjendje ngashërimi të thellë dhe të papërmbajtur, gjë që mund të sjellë
pasoja të padëshiruara për të. Atëherë ndërhyn një grua tjetër me një
pasthirrmë me tonalitete të larta. Ndërhyrja e saj shpesh është me fjalët: -
derëzeza djalo –“ditëprera vashëzo” etj të kësaj natyre. Kjo është e ngjashme
me hedhësin e këngës labe kur ndërhyn me “hajde deeeee” ose “jepi Xhuleeeee”.
Që të shprehemi më qartë kemi mendimin se këtu e ka burimin zëri i trete,
hedhësi. Po të dëgjohet me kujdes hedhësi në këngët e bregdetit, ndjehet se ai
e ka të theksuar elementin elegjiak, prandaj themi se gjeneza e hedhësit te
këngët labe duhet të ketë qenë në ceremonialet e vajtimit dhe nëpër shekuj ai
është kristalizuar si një zë i veçantë edhe në këngët e burrave, zë i cili e
plotësonte emocionin e këngës.
Pikërisht me këtë u morr Neço Muko Himarjoti
duke e bërë këtë zë, jo një “vajtore qetësuese” por një flamurtar që i jep
tonin këngës, duke e ngritur nivelin e isos. Ky rol i ri i këtij zëri e
ndryshoi drejtimin e këngës himarjote duke e shkëputur atë dallueshëm, në
aspektin interpretativ, nga kënga labçe e gjirokastrite.
Studiues të ndryshëm kanë hedhur mendimin se
ky zë, pra hedhësi, ka ekzistuar me kohë dhe nuk e ka futur në polifoni Neço
Muko se nuk ka mundësi që të instalohet kaq organikisht për 20 vjet një element
i ri strukturor në një formë muzikore të vjetër. Të krijohet një teknike e re
polifonike është shumë e vështirë dhe duhen shekuj, por ama të veçosh një zë të
polifonisë dhe t’i japish atij një rol të ri duke e ngritur artistikisht lart
katërzërëshin është plotësisht e mundshme dhe e pranueshme kur bëhet me
mjeshtëri. Këtë bëri artisti i madh i këngës popullore Neço Muko dhe jo vetëm
që u pranua, por novacioni mori emrin e tij. Shpesh sot themi këngët e Neço
Mukos në vend që të themi këngët himarjote ose anasjelltas.
E pra, dhe princat diçka mbjellin e diçka
ndërtojnë dhe ja hop kemi një principatë. Tani le të vijë e mirësevijë princi.
Po hajde bëne këtë në këngë, në një traditë
stërshekullore, ku për një shaka apo një ndërhyrjeje pa takt në mes të këngës,
pasojat qenë te paparashikueshme.
Pasi përpunoi këtë zë niset për në Paris më
1929 ku në rrethet studentore dhe artistike gjen dhe angazhon për incizim edhe
Dhimitër Rumbon, Llambi Turtullin, Kleo Jorgjin, Tefta Tashkon e Tula
Paleologun. Dhe kështu te firma ‘’Pathe’’ kryhen incizimet e para në historinë
e polifonisë shqiptare. Kështu përjetësohen këngët “Vajzë e valëve’’, “Doli
hëna’’, “Llaj çoban’’, “910 viti’’, “Moj Katina nina nina’’ etj.
Këto këngë i kemi dëgjuar, kënduar e admiruar
dhe në heshtje i kemi shprehur mirënjohjen autorit të tyre dhe grupit të tij
famëmadh.
Por ajo që dua të theksoj këtë herë është një
fakt që pothuaj kalohet në heshtje kur flitet për Neço Mukon;
Ai është pionieri i këngës së lehtë qytetare
në Shqipëri.
Qysh në këto pllaka dëgjohet kënga magjike e
korçares së bukur, tekstin e të cilës pak kush e di se e shkroi Neço Muko dhe u
këndua nga Tefta Tashko. Dhe sipas zakonit që kishte Neço Muko që këngët t’ua
kushtonte miqve e shokëve edhe këtë këngë ja kushtoi vetë Teftës. Ndoshta nga
ky fakt janë nisur disa njerëz më vonë që krijuan romancën e dashurisë midis
Teftës dhe Neços, realisht, romancë e pa qenë. Për këtë do të flasim pak më
vonë. Tani le të shohim një pjesë të tekstit të këngës;
Ah moj korçare, e bukur si pupe
Me shik, me naze shumë si nuse e re
Kur shkon nganjëherë vetëm në bulevard
Në zemrën tonë ndizet flak e zjarr.
Në fakt fjalët e këngës janë pak ndryshe nga
sa i kemi kënduar e i këndojmë ne sot. Por ajo që ka rëndësi është se kjo
këngë akoma dhe sot këndohet me patos nga të rinjtë por edhe të moshuarit.
Dhe na duket sikur ne e këndojmë për herë të
parë, sikur ne jemi autorët e saj dhe ua këndojmë vajzave që dashurojmë. Kjo
vjen se kënga e ka të gjallë freskinë. Le të shohim këngën tjetër “Saranditja”;
Moj Sarandite
Ah. Ç’më trondite
Kur shkon e tunde, tunde, tunde
Trup e afe si sorkadhe
Moj kanakare, moj lajkatare
Ah. Çmë ke ndezur Brenda
Një merak të madh
Ole, ole, ole, ole Nga jeshe, nga dole.
Cituam refrenin e rrëmbyer të kësaj kënge e
cila kurrë më parë s’qe dëgjuar në Shqipëri. Por edhe sot që këndohet kjo
këngë, të rrëmben me emocion e saj. E pra këto këngë të muzikës së lehtë janë
krijime poetike dhe muzikore të vetë Neço Mukos.
Por nuk mbaron me kaq kontributi i Neço Mukos
në historinë e këngës. Më sipër kemi thënë se ai krijoi në Sarandë një grup
estrade që bënte të qeshte gjithë qyteti, por dhe në këtë rast, pra në
incizimin e pllakave, ai nuk harroi të incizonte, në mjetet e para të
informacionit masiv, parodi e dialogë humoristiko-satirike, duke u bërë
regjistruesi i par në historinë e muzikës shqiptare. Le të dëgjojmë një pjesë
dialogimi midis burrit e gruas në një grindje të zakonshme plot ironi të
ndërsjellët;
-Gruaja-
Kam një burrë, pa shikoni
I bukur si Apolloni.
-Burri-
Gruaja ime i ngjan Xhokondës
Është për muzetë e Londrës.
Ju rikujtojmë se jemi në vitin 1929 dhe të bën
përshtypje ky nivel i lartë civilizimi i këtij Princi.
Po kështu dhe në incizimet e bëra në vitin
1930 kemi përsëri një nivel të lartë artistik dhe llojshmëri krijimesh. Ndoshta
këtu duhet të përmendim shokët e tij të ngushtë të grupit si Andrea Bala, Koço
Çakalli e
Pano Kokaveshi, por nuk u zgjata në këtë drejtim se vetë Neço Muko nuk
ndahej prej tyre, aq sa kanë hyrë në histori si Grupi i Neço Mukos. Dhe kur
thua grupi i ke thënë të tëra.
Por ajo që vlen të diskutojmë për këtë Princ,
si për të gjithë princat e botës dhe të historisë, është pikërisht romani
sentimental i tij. Më sipër përmendëm fjalët e hapura për një lidhje me Tefta
Tashkon. Princi ynë e kishte një romancë, veçse fatkeqësisht jo të lumtur. Ky
roman kishte fytyrën e një vajze në Sarandë, e cila rinte e mbyllur në shtëpi
dhe që autori i kushtoi këngën e famshme “Dil në penxhere’’ dhe “Saranditja’’
pa përmendur këtu një cikël të tërë këngësh të tipit të serenatave, të cilat
për vetë faktin e mosrealizimit të dashurisë vetë autori nuk u dha udhë të
mëtejshme. Por imponimi i familjes mbi vajzën që të shkëputej nga ky
‘’mejhanexhi’’ i pa pleng e pa shtëpi, nënshtrimi i vajzës dhe refuzimi i
dashurisë, (duhet theksuar vetëm për arsye dhe konflikte materiale sepse babai
i vajzës jo vetëm që i përvetësoi pllakat e regjistruara në Paris në vitin
1930, pasi i investoi udhëtimin princit, nuk i njohu atij as të drejtën e
autorit, por kërkonte edhe një barangë të vogël dërrase që kishte Princi ynë ku
shiste pllakat e gramafonat dhe improvizonte skenat e parodive) nxori ne dritë
një tjetër kryevepër të polifonisë himarjote dhe pikërisht këngën “E
pabesa’’, një këngë që të rrëqeth shtatin me melodinë e saj, por të shpon
si thikë çdo resht i tekstit. Dëgjojeni ju lutem;
Qielli i zi, nata çu nxi
O nat e ligë. O nat e keqe. Bie shi
Nata vazhdon. Deti gjëmon
Jeta qetësohet. Zë s’dëgjohet.
Është vonë
Jashtë s’ka njeri. Në vetmi rri
Jam un’ që pres. Që të thërres. Që qaj për ty
Në shkretëtirë, në errësirë
Se ç’zemër ke, këtu më le jashtë, pa mëshirë
Fryn e gjëmon, po ti s’dëgjon
Do vijë një ditë që do qash… por do jetë von.
Krejt ndryshe nga ç’kemi dëgjuar gjer më sot
në këngët polifonike.
Dhe duke e dëgjuar të incizuar thua me vete;
Më madhështore se bën dot njeriu. Krijime të tilla janë vepra artistësh,
artistë nga shpirti dhe nga horizonti. Por siç ndodh gjithmonë në dashuri nuk
takohen kurrë dy zemra që rrahin me të njëjtin ritëm. Kjo vogëlushe sarandite e
kishte robëruar shpirtin e Princit dhe ky rronte e krijonte vetëm për të, në
një kohë që ajo s’kishte as fuqinë të dilte në penxhere. Ja pse ky s’kishte sy
të shihte Teftën e bukur. Se po ta kishte parë ai Teftën dhe Tefta atë,
më ndryshe do t’i kishte ecur fati atij, por edhe polifonisë, këngës së lehtë e
parodisë. Fati qenka i çuditshëm, dhe Tefta dhe Andre Bala dhe Ai ikën në moshë
të re, pothuaj nga e njëjta sëmundje.
Si thatë ju lutem? Kur ka vdekur Princi? Po
kush ju tha që ka vdekur? Doni ta dëgjoni apo të këndoni bashkë me të,
pikërisht sot, më 21 Tetor që ai ka edhe ditëlindjen? Ejani pra t’ia nisim.
Kolektiviteti i iso-s
Kur flasim për këngët labe në tërësi e
iso-polifoninë në veçanti, kushdo që i ka parë apo dëgjuar qoftë dhe njëherë të
vetme, menjëherë i vete mëndja te një grup njerëzish mbledhur kokë më kokë me
njeri tjetrin duke kënduar. Ata mund të jenë katër, pesë apo më shumë persona.
Njeri mund të jetë marrësi, tjetri mund të jetë hedhësi, i treti pritësi ose
mbajtësi i isos, kjo s’ka rëndësi. S’ka rëndësi as kënga që këndojnë, këngë
dashurie, malli, trimërie apo vaji. Nuk e përbën teksti i këngës portretin. Ajo
që të mbetet në mëndje është interpretimi muzikor shumë artistik dhe shumë
emocional që vjen pikërisht nga ky grumbullim kokë më kokë i njerëzve që
këndojnë, pavarësisht se kush ja merr e kush ja kthen apo kush mban iso. Ajo që
është karakteristika e këngës polifonike është pikërisht kolektiviteti i grupit
që këndon.
Në qoftë së marrësi ka një privilegj mbi të
tjerët, privilegj që buron nga aftësia e tij vokale, është pikërisht fakti që
kënga i lejon atij ta nisë i pari atë, duke u bërë kështu një tip lajmëtari si
të thuash të kumtojë para të pranishmëve faktin se këndohet për…. filanin,
filanen, ose për këtë apo atë ngjarje. Dhe ky ka të drejta shumë të kufizuara,
të kumtoje me një varg, e shumta dy vargje atë çka i ngarkon kënga. Mendojmë se
sa më e vjetër të jetë teknika e të kënduarit aq më pak vargje kumton marrësi.
Le të kujtojmë këngën -Vajzë e valëve- ku marrësi këndon vetëm gjysmë
vargu dhe konkretisht fjalët “vajzë e valëve”, me një zë që të kujton
shkreptimën e vetëtimës. Dhe menjëherë pas kësaj vjen si bubullimë zëri i
grupit ne vijim. . . ’’zemra s’ia mban” për të vazhduar me pas me
gjëmimin e suferinën e isos. Të njëjtën teknikë ka edhe kënga “Bejkë ë
bardhë’’ ku marrësi kumton vetëm fillimin “duke tundur” për t’u
vazhduar nga grupi… “zbret nga zalli”.
Rrallë ndodh që marrësi të këndojë një strofë
të tërë i vetëm. Dhe në qoftë se ka raste të tilla, kemi të bëjmë me këngë të
reja jo vetëm si tekst por edhe si substancë kënge, si teknikë të kënduari.
Pasi marrësi kumton çka për të kumtuar,
identiteti i tij zhduket, ai përzihet e bëhet një me mbajtësit e isos. Si të
thuash kënga se lejon t’i “ngrihet mëndja shumë’’, të dallohet mbi të tjerët
dhe ca më pak të ngrihet mbi këngën. Është ajo sovrania e vetme, të tjerët e
shumta mund t’i shërbejnë ca më mirë pikërisht asaj, këngës, ashtu si hyjnitë e
Olimpit kishin madhështinë e tyre, por kurrsesi më të madhe se kryehyjnia,
Zeuzi. Po kështu dhe pritësi, ndonëse me më pak “fat’’ se marrësi, pasi ngrihej
për një çast mbi të tjerët, mbetej anonim aty ku ishte grupi më jetëgjatë i
këngëtarëve, ai i mbajtësve të iso-s. Themi grupi më jetëgjatë pasi realisht ky
grup jo vetëm nuk ka “pretendime’’ për t’u dalluar, por që kur fillon kënga,
ose së paku pas vargut të parë, e gjer sa mbaron ajo, ky grup është i
“ndezur’’. E thënë ndryshe kënga fillon të fluturojë në qiellin e tyre, pra të
isos. Nuk po përmendim këtu këngë tejet të vjetra të cilat fillojnë me një
imitim iso-je, për të vazhduar më pas me tekstin e zakonshëm të këngës të
ndërprerë nga iso-ja.
Ajo që duam të
theksojmë në këtë shkrim është pikërisht anonimati që marrin të gjithë
këngëtarët, sikundër edhe krijuesit e këngëve. A e kini vënë re kur flasim për
këngët polifonike, rrallë themi kënga që ja mori filani e ja ktheu filani. Kjo
ndodh vetëm në ato raste kur këngëtari është një mjeshtër i madh, me aftësi
vokale të papërsëritshme dhe në atë lloj kënge; epike, lirike, humoristike,
elegjiake etj, nuk e arrin dot askush në fshat, pra kjo e ka vlerën vetëm
brenda fshatit apo midis disa fshatrave të afërta, gjithmonë në varësi nga
vlerat artistike të këngëtarit.
Në mjedisin përtej fshatit ekziston gjithmonë
emërtimi kënga e filan grupi, dhe po të kemi njohuri të mëtejshme mund të themi
edhe… ja mer filani. Sepse merita nuk është e marrësit, e hedhësit apo e
ndokujt tjetër, sado i talentuar që të jetë ai por e gjithë grupit. Dhe këtij
ligji të pashkruar nuk i kanë shpëtuar as korifenjtë e iso-polifonisë. Psh.
themi Grupi i Pilurit, i Bënçës, Grupi i Himarës etj, etj, dhe jo Neço Muko,
ose më e shumta mund të dëgjojmë të thuhet Grupi i Neço Mukos nga Himara. Pra e
theksojmë sidomos fjalën “grupi’’. Dhe në fakt vetëm kështu e
konceptojmë këtë këngëtar dhe kolegët e tij artistët popullorë, në mes të
grupit të tyre. Kjo jo vetëm që nuk ja ul vlerat këtyre mjeshtrave, por
përkundrazi i bën ata më madhështor pasi dhe në përfytyrimin tonë ata nuk vijnë
si vetmitar sado të mëdhenj qofshin, por të rrethuar nga shokët e grupit.
Kolektiviteti i iso-s dallohet edhe tek vetë
natyra e këngës. Përfytyroni pak ju lutem. Një grup këngëtarësh që për ndonjë
arsye kanë rënë në heshtje ose janë në një bisedë të ndezur. Vazhdimi i debatit
mund të sjellë ndonjë sherr ose keqkuptime të mëtejshme, që mund ta komplikojnë
situatën. Atëherë dikush merr iniciativën e këngës dhe vetëvihet ne rolin e
marrësit. Sipas rregullit thotë vargun e parë dhe befas atmosferën e tensionon
thirrja e tij…iso, more djema, ose, mbaje Lefter… Pikërisht kjo
thirrje si pa kuptim në kontekst s’është gjë tjetër veçse një ftesë për
kolektivitet. Për t’i lënë debatet e pakuptimta dhe për t’ju shtruar këngës.
Zakonisht nëpër dasma kjo ftesë bëhet dhe me vargje si;
Do këndojmë apo çdo bëjmë
A do ngrihemi në këmbë
Ose me vargjet;
Ç’bënetë në shtëpinë tënë
bytym valle, bytym këngë.
Nuk mund të gjendet mënyrë më fine për të
tërhequr vëmendjen nga sheret e zakonshme të dasmave dhe për të të ftuar në
këngë, pra në kolektivitetin e këngës.
Por këtë natyrë kolektiviteti kënga shpesh
herë e ka dhe ne vetë tekstin e saj si nevoje, si qëllim, si mision. Janë me
qindra këngët që bëjnë fjalë për bashkim, ndihmë në luftë solidaritet etj, etj;
Dërgon Gjoleka xhevap
Vaso Kolagji bajrak
…Na kërkon Shkodra imdat (ndihmë)
Të luftojmë me Karadak
Se ja kanë bërë çark.
Mendojmë se isoja është pasqyrim i jetës
kolektive qysh në komunën primitive dhe ky tipar shumë i domosdoshëm për jetën
njerëzore, ka depërtuar nëpër shekuj edhe ne jetën shpirtërore të kolektivit,
duke u bërë pjesë organike dhe e domosdoshme e këngës, veçanërisht në zonën e
Labërisë. Pa dyshim që shkenca e etnomuzikologjisë dhe etnofolkloristikës e ka
shpjeguar dhe do ta shpjegojë edhe më saktë në të ardhmen këtë problem.
Është fakt, jo të gjithë ne këndojmë këngë
polifonike. Jo të gjithëve na është dhënë rasti të këndojmë në grup dhe jo
gjithmonë e kemi gati një grup për të kënduar kur duam të këndojmë. Shpesh herë
jemi vetëm, diku në rrugë, në mal apo thjeshtë në shtëpi dhe befas nënvetëdija
jonë ndjen nevojën e këngës, ndjen nevojë të shfrejë një maraz, një dhimbje, një
dert a sevda. Mënyra që zgjedh vetëdija jonë është thjeshtë kënga polifonike.
Por ja që jemi vetëm. Çuditërisht ky fakt s’përbën asnjë pengesë. Dhe ja
fillojmë të logatim (kështu quhet të kënduarit vetëm e për vete)
këngë të ndryshme.
Më të zakonshmet janë ato këngë që thërrasim
dikë të na vijë pranë, të mos na lërë vetëm. Ky që thërrasim mund të jetë
prindi, shoku, miku apo mikja sipas rastit. Jo rrallë thirret mali apo fusha,
një rrugë fshati ku kaluam fëmijërinë, a një shteg ku pritëm miken për herë të pare:
Mali i Çikës kullon serrë
Ulërin për një të mjerë
rënkon poeti popullor dhe s’e shqetëson fare fakti që i drejtohet jo një
njeriu por një sendi, një objekti, një zogu:
O ju zogj që veni e vini dua t’ju pyes
Kjo s’ka rëndësi, rëndësi ka fakti që nuk
duam ta pranojmë vetminë, që thërrasim dikë të vijë të qajë hallet me neve, apo
të gëzojë me ne.
Vetmi të tilla kanë lindur këngët e famshme
të kurbetçinjve e të nizamëve, të vajzave të dashuruara:
Në rëzë të Kallamesë
Dola korba të pjesë
…Në mos ardhtë dhe nashtinë
Do mar zjar do djeg shtëpinë
apo të kaçakëve trima.
Por ajo që ka më shumë rëndësi në këto
logatje është fakti që imitohet të kënduarit në grup. Pra personi që këndon
vetëm fillimisht imiton marrësin, pastaj hedhësin etj. gjer te imitimi i
mbajtësve të isos. Dhe ju kujtoj që kjo bëhet vetëm nga një njeri. Duket si e
pamundur, por ju siguroj që është zgjidhja më e bukur e popullit tonë për të
luftuar vetminë e imponuar sipas rastit. Ta parafytyrosh veten në qendër të një
grupi, aty ku je vetëm dhe jo vetëm ta parafytyrosh, por dhe ta vendosësh, ta
imponosh veten në qendër të një grupi këngëtarësh, pikërisht aty ku s’ke as
grup dhe as këngë, kjo është sa madhështore aq dhe shpëtimtare. Dhe ju kujtoj
se vetmia është armiku më i madh i njeriut, individualiteti është armiku më i
madh i humanizmit.
Po gjarpri ç’kërkon në këngë?
A e kini dëgjuar këngën e bukur “Moj
nepërka pika pika’’ dhe a s’ju ka ardhur të hidheni menjëherë në mes të
rrethit të valles dhe sidomos kur aty pranë kanë qenë ndonjë grup vajzash të
bukura. Nuk ju vë faj. Kjo më ka ndodhur edhe mua. Po kur kini kënduar
ndonjëherë këngën për Ali Pashën
Gjarpri që drodhe dhenë
Vure sedër dhe me mbrenë
a nuk kini rënë në mendime për mizoritë e
trimëritë e këtij pashai mizor por gjithsesi të madhërishëm. Patjetër që kështu
ka ndodhur. Po lëreni pashain në pashallëkun e tij të pavdekësisë dhe hajde tja
marrim këngës
Moj vitoreja në gur
Tek rije lëshoje nur.
Ose po të doni këndojmë edhe këngën “Astrit
me pika të kuqe” Mor po dale pak. Dhe nepërka dhe astriti dhe vitoreja
në gur janë thjeshtë gjarpërinj. Ç’kërkojnë gjarpërinjtë në këngët tona
polifonike?
Dhe aq më tepër pa asnjë lloj zbukurimi apo
maskimi, por me emrin e tyre të identifikimit ose me emrin e përgjithshëm “Gjarpri
që drodhe dhenë’’.
Sado e çuditshme që të duket, gjarpri, për të
cilin populli nuk i ka kursyer epitetet e krahasimet (hasmi si gjarpri etj),
fjalët e urta (rite gjarprin në dimër të të hajë në behar), pra ky zvarranik
helmues paska një vend të nderuar në këngët e popullit.
Po si ka ardhur ky element artistik gjer në
qiellin e këngës polifonike?
Le të dëgjojmë legjendat.
Në një vend te Kaonise ose të Haonisë,
perëndia Diell goditi me rrufe demin(ose kaun) dhe nga plaga e tij filloi të
rrjedhë gjak, i cili duke rënë në tokë çuditërisht u jepte jetë luleve, bimëve,
pemëve dhe çdo gjëje te gjallë. Armiku i Diellit dërgoi gjarprin, i cili filloi
të pijë gjakun e kaut pa e lënë atë të bjerë në tokë. Dhe atëherë pemët e lulet
filluan të thahen. Dielli u zëmërua dhe u prek shumë dhe u mbyll të vajtonte në
shpellën e tij qiellore. Nga lotët e shumtë që derdhi nuk po ngrohte dot tokën
dhe atëherë toka u mbulua nga akulli. Gjarpri i trembur u fut nënë tokë dhe nuk
e pinte më gjakun e kaut i cili vijoi të rrjedhë pak nga pak dhe pemët e bimët
filluan ta pinë, por me kursim e në heshtje dimërore. Sidoqoftë gjatë kohës që
gjarpri flinte ato krijuan rezervat e jetës aq sa të shpëtonin kur të zgjohej
gjarpri.
Lexuesi e kupton vetë se kafshimi i gjarprit
e ndërpret jetën dhe se mbjellja e pemëve të reja bëhet në dimër kur ‘’fle
gjarpri’’.
Por le të shohim legjendën tjetër; Kadmi, që
themeloi Tebën me shtatë porta, ku u plak së bashku me gruan e tij, Harmoninë,
u nisën të shkojnë te djali i tyre Iliri për të kaluar pleqërinë. Perëndia, për
t’i lehtësuar pleqërinë, e shndërroi në gjarpër me qëllim që gjysmën e vitit ta
kalonte në gjumë nën tokë dhe vetëm gjysmën e vitit, atë më të bukurën kur çdo
gjë lulëzonte e jeshilonte ta kalonte mbi dhe. Dhe kështu u bë.
Legjenda tjetër flet për kimerën, kafshën që
i dha emrin Himarës. Ky përbindësh mitologjik në vend të bishtit kishte një
gjarpër i cili nuk godiste por kafshonte. Ishte edhe ky një nga faktorët që e
bënte atë të pamposhtshëm. Në qoftë se këtyre do tu shtojmë dhe legjendën e
Bistricës ku përbindëshi që kishte marrë peng burimin e ujit ishte një gjarpër
i stërmadh (fjala dragua është e kohëve të reja) atëherë shohim se gjarpri
është i pranishëm në jetën pagane të shqiptarëve. Por ka edhe më.
Pirua i Epirit gjarprin e ka ngritur në një
shkallë edhe më të lartë dhe pikërisht te stema e tij sekrete e cila kishte një
fushë të gjelbër ku shfaqej një dorë e cila shtrëngonte katër gjarpërinj të
kryqëzuar me njeri tjetrin, stemë e cila u trashëgua nga Mërkur Bua dhe brodhi
sheshbetejave te Francës, Italisë e Gjermanisë, kudo ku ky kont luftëtar,
luftoi bashkë me trimat e tij.
Kur ai është kaq i pranishëm në jetë si të
mos jetë i pranishëm dhe në këngë!
Ne s’kemi pse habitemi nga prania e tij,
përkundrazi duhej të kërkonim shkaqet e mosqenies po të mos ishte. Është tjetër
gjë roli dhe funksioni që i jepet aty.
Një gjë është e sigurt, prania e elementëve
paganë në këngën tonë polifonike, është dëshmi identiteti e lashtësie sepse
mitologjia ilire e kishte gjarprin simbol të saj sikundër popujt të tjerë
kishin për simbole të tjera kafshë. Për çfarë arsye ilirët zgjodhën për simbol
të tyre këtë element ne nuk jemi shumë kompetent për ta shpjeguar por theksojmë
se kënga jonë polifonike dhe isoja e saj, përderisa mbart këtë element
mitologjik të paraardhësve tanë ilirë, do të thotë se kënga është shumë e
hershme dhe origjinale e krijuar nga një popull autokton në trojet ku ka
lulëzuar mitologjia ilire.
Dikush do të thotë se dhe krishterimi ka
legjendën e gjarprit që mashtroi Evën e Adamit. Kjo është e vërtetë por kjo
legjendë është tejet e re për të hyrë në këngë dhe aq më tepër që në kujtesën e
popullit vonë shumë vonë u konsolidua bashkë me legjendat e tjera kristiane.
Kur erdhi ajo, tempujt e kujtesës së popullit qenë të zënë. Pastaj populli ynë
nuk ka qenë kurrë kaq fetar sa t’u siguronte vend në panteonin e këngës
legjendave të reja fetare kristiane apo islame qofshin ato.
Nuk mungojnë këngët ku gjarpri tregohet ashtu
siç është, helmues, (shpesh në kohët e më vonshme populli e ka përdorur atë më
kuptimin e të huajit që dëmton, pushtuesit) Kujtojmë këngën e Dhoqinës; Aty
mu shfaq një stihi (gjarpër)… Më helmoi djemtë e mi...
Ose këngë vaji si te kënga;
Seç të nisa të ormisa,
Katerin o bij o bijë….
Aty qe gjarpri mënxuar,
Që tu hodh në kraharuar etj.
Por nuk mungojnë edhe krahasimet për trimat
me astritin, gjarprin e pa trembur që s’nguron të sulmojë njeriun, duke ja
veshur si epitet pikërisht emrin e tij, njeriut që i këndohet kënga. Bile të
mos harrojmë se jo vetëm në këngë por dhe fëmijëve shpesh u është vënë emri
Astrit, emër që s’ka nevojë për koment.
Populli krahas rrezikshmërisë të gjarprit
s’ka harruar të konstatojë edhe elegancën e bukurinë psh. të nepërkave, të
cilat ecin duke u përdredhur aq hijshëm dhe këtë bukuri dhe elegancë ta përdorë
si epitet për vajzën që i pëlqen, duke e quajtur nepërkë pikërisht për
shkathtësinë e zhdërvjelltësinë e saj. Por nuk përjashtojmë edhe faktin që të
rënkojë nga helmi i refuzimit të dashurisë prej saj, ose i vonimit të saj në
aprovim të dashurisë ose ardhje në takim. Gjithsesi ky krahasim është tejet i
justifikuar. Bile mund të themi se ky krahasim ja shton së tepërmi bukurinë
këngës. Ç’mund të jetë më e shkathët dhe me e frikshme për t’u kapur me dorë se
sa një vajzë ‘’nepërkë’’, pavarësisht se sa e dëshiruar është kjo gjë?
Ç’më erdhe ashtu pa ndier
Nepërk’ e larme në fier
Një metaforë brilante që karakterizon natyrën
femërore.
Ajo që na tërheq vëmendjen është roli i
vitores, gjarprit të shtëpisë në këngë.
Vitorja s’është gjë tjetër veçse një gjarpër
paqësor në shtëpi, që nuk kafshon e nuk bën dëm, por përkundrazi sjell fat e
mbarësi. Bile dhe emri vitore vjen nga pëllumbi. A nuk i thërrasim pëllumbat me
thirrjen vit, vit, vit? Për të kujtuar këtë natyrë paqësore të saj ajo thirret
rëndom me emrin vitore. Duke qenë se sjell mbarësi e pasuri dhe është e bukur,
atëherë pse të mos thërrasë poeti me këtë emër vajzën që dashuron? Ai dëshiron
ta marrë atë nuse, të bëjë fëmijë e të ketë mbarësi në shtëpinë e tij. Poeti
s’ka përtuar ta thërrasë vajzën që do edhe me emrin kunadhe, sorkadhe,
pëllumbeshë etj, etj. Atëherë pse të bëjë përjashtim në këtë rast? Aq më tepër
që të parët e tij i kanë lënë disa porosi për gjithë llojet e kafshëve.
Ndaj ai dhe ne këndojmë me kënaqësi këngën
Moj nepërka pika pika
Me tri gurë të godita
Të vrava më rëntë pika
S’të qëllova për të vrarë
Të qëllova për të ngarë.
Nejse, poeti kot bëhet merak se dhe asaj
nepërkës së tij nuk i dhembi plaga, përkundrazi i pëlqeu ndaj po e patë, i
thoni ta qëllojë prapë. Ose më mirë le t’i lerë fare gurët, por të niset e ta
kapë vetë me dorë se nuk ikën. Dhe ca me pak që ta kafshoje.
Të heqim vallen e
rëndë
Në shesh të kishës së Shën Kollit, me një hap
të ngadaltë u ngrit një burrë rreth të gjashtëdhjetave, trupngjeshur e pak i
kërrusur nga motet, thua se mbante mbi supe peshën e qiellit, veç halleve të
tij të shumta. Kjo ditë e shënuar kishte mbledhur gjithë fshatin te i vetmi
shesh, por djemtë si djem, i kishin sytë te mandilet, që feksin tutje e tëhu,
vajzat po do shikonin e do rishikonin fustanet me pala shumë, burrat do
dridhnin cigaret e rënda dhe vetëm nja dy pleq të tjerë e panë Kostë Gërdhuqin
kur u ngre në shesh të valles e po nxirrte ngadalë nga xhepi një shami të
rrudhosur, më shume se të palosur. E morën vesh që do hiqte vallen e rëndë të
pleqve, vallen e kënduar, por nuk dinin në se do këndonte ato këngë të vjetra
apo do kërrente ndonjë tjetër. Se nja dy herë ua kish punuar rengun, qenë
ngritur për të kënduar këngë të vjetra, kur, ja, ai kish kërrier këngë të reja.
Dhe duhej mbajtur mirë hapi me këto këngë, se s’janë si vallet e djemve e të
vashave që mjafton të hidhesh hop e hop dhe je në rregull. Janë të rënda këto
vallet e pleqve dhe nuk mund t’i heqë kushdo e kurdo. Zëre se heq valle duke
mbajtur në shpinë nja njëqind okë peshë. Dhe s’duhet të të dridhet këmba e
s’duhet të të shkasë zëri. Ndaj duhet menduar mirë kur ngrihesh në këto valle.
Dhe duhet të mendosh dhe këngën, që do këndohet, se jo çdo këngë këndohet në
këto valle. Dhe duhet ta dish mirë këngën që të ujdisësh dhe hapin me të, në
daç kur e hedh para e në daç kur e tërheq prapa, se të qeshin pastaj, mirë
djemtë, por kur zënë e qeshin ato “cukulidha vashastë”, atëherë të vjen të
pëlcasësh.
Ua punoi një herë Kosta kështu
me atë këngën e flamurit, atë de që thotë ;
Flamur të mbuloi zia
O flamur more
Për flamur more
Që kur erdhi Italia
Të vu sëpatat e tija
Me gjak do t’i heqë rinia
Kënga qe e mirë po desh u qorollepsën pleqtë
e u ngatërruan hapat, se kish një dreq marifeti kjo valle e kënduar me këtë
këngë që vetëm te vargu i tretë u shtrua hapi tamam. Ndaj mendonin pleqtë ç’të
bënin, të ngriheshin a të prisnin. Por ama që ta linin vetëm, as që bëhej
fjalë.
Ndaj, ashtu ngadalë, ngadalë u ngrenë dhe ja
ku u krijua grupi i pleqve që u zunë dorë për dorë duke ndaluar kështu dhe erën
që të frynte. Kaq qetësi u bë në shesh. Kosta ngriti dorën ku mbante shaminë, e
tundi nja dy tri herë, duke tundur dhe trupin, ashtu pak të kërrusur dhe me një
zë të qetë, ja nisi;
O Qemal, dhe o
Qemal, o Qemal kur të përzunë, O Qemal kur të përzunë
Se doj të të
zij Turqia, o
Se doj të o se
doj të, o se doj të të zij Turqia, o ho o
Kënga qe e padëgjuar. Edhe këtë herë Kosta ua
bëri me dhjavoli pleqve, por ja që u pëlqeu kënga dhe e harruan fare dhjavolinë
e Kostës por ngritën veshët për të dëgjuar më mirë fjalët e këngës, ndërsa
shtronin hapin në valle. Nejse, për qejf këndojmë dhe heqim valle, ndaj
përplase me inat këmbën në tokë dhe tunde shaminë me qejf që ta dëgjojnë dhe
ata atje lart dhe këta këtu poshtë, të vdekurit dhe të pavdekshmit, që pleqtë e
Pilurit heqin vallen e rëndë, me këngën që kërren Kostë Gërdhuqi për Ismail
Qemalin e që thotë ;
Hop dhe hop e pak të zunë
Erdhi të mori gjemia
Brëna ndë Paris të shpunë
Atje te qe kadimia
Seç u ngre krajli më gjunjë
Mbretëresha dhe e bija
Cili je ti more burrë
Që na vjen nga Shqipëria
A dale pak, dale. Kjo po qenka këngë. Këngë
dhe ç’këngë se! Me demek, Krajli u ngre më gjunjë, me demek sa lëvizi një çikë
të trashat nga froni, apo si i thonë, kadimia, thua se kish ardhur një hiç
burrë te ai dhe jo Ismail Qemali me derte. Ndaj e pjet cili je ti? Ashtu ë, ja
se ta thotë Kosta tani se cili është ai, po dëgjoje mirë e vure vëth në vesh;
Unë jam o unë jam, ohoo,
unë jam Smail Qemali, ooo
Unë jam Smail Qemali,
Prapa më vjen historia, ohoo
Pa e kuptuar pleqtë kishin hedhur duart në
supe të njëri tjetrit, thua se ata, ashtu sup më sup, qenë Ismail Qemali vetë
dhe s’futej dot në mes të tyre asnjë. Thua se historia do vinte dhe pas tyre e
jo vetëm pas Ismail Qemalit. Pleqtë qenë të humbur pas këngës dhe s’kishin nge
të shikonin që, të tërë fshatarët qenë ngritur në këmbë rreth grupit të tyre,
bile e kishin ngushtuar sheshin e kishës aq sa duhej për të hedhur vallen grupi
i pleqve. Thua se veç atij vendi asnjë tjetër s’kishte vlerë të shihej. Por
pleqtë s’kishin nge të shikonin këto. Kosta tundi dhe njëherë shaminë e
vazhdoi;
Ju lutem vini një vulë
Të më njihetë kufia
Të shtatë vulat ti japë
Po do mos doje Turqia
Do dojë se s’është punë
Ësht’ e jona Shqipëria
Sazan e Karaburunë
Janë vatanet e mia
Vallja mbaroi dhe pleqtë filluan të fshinin
ballin e gushën e djersitur, se qe e rëndë kjo valle, vërtet qe e rëndë. Në
shesh kishte rënë heshtja, kishte një farë hutimi si para një mrekullie nga ato
që bëjnë të shenjtët. Dikujt i dridhej buza dhe ndonjë grua ktheu dhe kokën që
të fshinte fshehurazi ca lot. Se qenë vrarë djemtë e burrat e tyre për ata
kufij që duhej të njiheshin, që atëherë që u vu kufiri e gjer pas luftës së
madhe. Dhe ja tani erdhi puna dhe erdhi koha që t’i heqin në vallen e rëndë të
kënduar të pleqve. Dhe ja duket sikur është aty te sheshi i kishës ku hiqet
vallja, Ismail Qemali, tek i sokëllin Krajlit për kufijtë e vendit. Dhe eja e
ri i qetë pastaj, pas gjithë atij emocioni që krijonte arti i asaj valleje. Po
dhe ki Kosta, ku i gjen ato llafe dhe si i qëndis ashtu xhanëm. Dhe sidomos për
Ismail Qemalin i qan fare këngët, ta ketë takuar gjëkundi? Si i tha te ajo
kënga tjetër që hoqi valle te rrapi;
O shokë më mori malli
Ç’u bë Ismail Qemali
Ndë Paris brëna te Krajli
Thotë vëndin pse ma ndani
Përse ma zapton junani.
Një gjë nuk e marrë vesh. Kosta asnjëherë
s’qe takuar me Ismail Qemalin. Ku Kosta i Pilurit me dhen e dhi të pakta e ku
Ismail Qemali i Vlorajve me mënd e halle shumë. Po këngët e ngritura nga Kosta
për të, vetëm me valle të rënda pleqsh mund të këndohen. Cila vajzë e cili
djalë mund të këndonte këngën tjetër të Kostës për Ismail Qemalin që thotë;
Vate more shokë vate
Smail Qemali me sharte
Në Paris shkoi, në pallate
Edhe po kërkon hesape
Hesapet e Shqipërisë
Për kombin e Arbërisë.
Vetëm katër klasë shkollë kishte bërë në
Korfuz, Kostë Gërdhuqi dhe nuk vazhdoi dot më tej se e morën dhe e futën në
burg, ashtu fëmijë, se qëlloi me grusht një djalë afendikoi që e shau. Ama dhe
nga burgu u arratis me shoke të tjerë dhe me një varkë, varkë i thënçin, se në
fakt qe një magje nga ato që lajnë rroba, pra me atë mori detin dhe doli në
Sarandë dhe prej andej në Pilur. Por kjo nuk e pengoi të dallonte se çfarë ishte
realisht kombi i Arbrit dhe të ngrinte këngë për të dhe për figurat e tij. Mund
të jetë nga të paktit rapsodë që ngriti këngë, të cilat këndohen vetëm me
vallen e rëndë të burrave. Interesant është fakti që vetën nga ky rapsod na
kanë ardhur gjer më sot disa këngë për Ismail Qemalin të cilat hiqen me vallen
e rëndë, dhe siç tregojnë më të vjetrit, pothuaj në çdo festë që bëhej në Pilur
ose në Himarë, Kostë Gërdhuqi do ngrihej të hiqte një valle dhe kryesisht do e
hiqte me një këngë për Ismail Qemalin. Një gjë dihet me siguri, heroi kryesor i
këngëve të Kostë Gërdhuqit, por edhe i shumë rapsodëve të tjerë është padyshim
Ismail Qemali dhe akti i tij i shpalljes së pavarësisë. Po të grumbullohen
këngët e ngritura nga populli për këtë figurë, mbushen vëllime të tëra. Dhe ajo
që ka më shumë rëndësi është fakti se populli e trajton me shumë respekt e
dashuri këtë figurë, aq sa të thuash e trajton si të shenjtë. Dhe kjo e ka
shpjegimin e saj. Akti i shpalljes së pavarësisë të Shqipërisë në nëntor 1912
ishte edhe shprehja sublime e ëndrrave dhe dëshirave të patriotëve tanë.
Pas një dhune pesëshekullore, pas përplasjes
me lloj-lloj nëpunësish arrogantë, spahinjsh e bejlerësh e ca më tepër me
pashallarët fodullë edhe kur qenë me gjak shqiptari, para popullit u shfaq një
burrë shteti krejt ndryshe, plot urtësi e që rrezatonte mirësi e dashuri që nga
pamja e gjer te fjala, pa përjashtuar veprën e tij. Dhe kjo s’qe e pakët për
popullin e sakatosur e të stërlodhur shqiptar. Atij i qëndroi më së miri
aureola e një Plaku zemërmirë, të urtë dhe atdhetar i madh.
Ndoshta me hiperbolizimin e kësaj figure
populli do tu tregojë gjithfarë burrave të shtetit se si duhet të jenë që të
fitojnë përjetësisht dashurinë e kombit.
Por Kosta ka qenë një gurrë e pashtershme, ja
ku u ngre prapë, do ketë ndonjë këngë të re, se pleqtë janë mprehur mirë tërë
sy e veshë dhe Kosta ja mori;
Vate mo, vate mo, vate more shokë vate,
oho o Vate more shokë vate
Ç’u përgjunj palla xhelate
Feste kuqi me mustaqe
Tabori në tabje mbetë
Sos humbi për pakë vjet
Po humbi për tërë jetë.
Nuk habitemi që Kostë Gërdhuqi ngre të tilla
këngë patriotike, aq më tepër kur e kemi dëgjuar në shesh të Himarës të heqë
vallen e rëndë me këngën;
Himar’e zeza Himarë
vajmedet e zeza Çikë
Përmbi male radhë radhë
Pesëqint vjet të Turqisë
Edhe malet kanë qarrë
Gjithë jetën seqëndisë
Me kordh’ e me jataganë
Të zgjuar e të skolisë.
Por kjo këngë nuk do ta pengonte që më 1912
të përshëndeste ngritjen e flamurit dhe të s’fidonte ca “parësi’’, që me
prapësi të tyre se donin pavarësinë, ndaj dhe prapë në shesh të Himarës këndoi;
O flamur i kuq me lule
Derë më derë ç’u ngule
Parësinë e sëmure
Parësin’ e vilajetit.
Tekste këngësh shumë të shkurtra, por që
s’mund t’u shtosh asgjë më tepër pa i denatyruar. Këto janë tekstet e Kostë
Gërdhuqit për vallet e rënda. Dhe s’mund të bënte tekste të tjera shoku dhe
miku i Nase Benit, Nase Labit e Halim Xhelos, të cilët mbi të gjitha kishin
vlerësuar besnikërinë e tij nëpër situata të rënda.
Këngë të tilla i krijojnë vetëm karaktere të
forta, ato karaktere, që janë kalitur nëpër betejat e jetës. Dhe jeta s’e ka
kursyer fare këtë rapsod, por diti t’i qëndrojë përballë jetës edhe kur e bija,
për të mos rënë në dorë të italianëve gjatë luftës italo-greke, bashkë më dy
fëmijët e saj ngriu në dëborë në mal të Pilurit. Edhe për këtë kohë këndoi ;
Shokë do ju them nja di
Do ta bëj si histori
Për ca djem nga Piluri
Shkuan në Jugosllavi
Dhe ati mbenë nja di
I treti diq në shtëpi/
Çaçe Çipa s’kish njeri
Nastas Bala djal i ri.
Do t’i mbetej si një cen fakti që reforma do
t’i merrte 300 dhen, dhe askush s’do t’ia përmendte meritën e këngëve të tija
patriotike dhe atdhetare, të cilat këndoheshin kudo ku hiqej vallja e rëndë e
burrave. Por përgjithësisht ky ishte fati i shumicës së rapsodëve. Por ajo që
duam të theksojmë është fakti se gjer më 1971, vitin që vdiq tepër i moshuar,
as koha dhe askush nuk i “retushoi” dot këngët e tij. Askush nuk mund t’u heqë
atyre ndonjë varg a ndonjë fjalë. Ato këndohen ashtu, vetëm me vallen e rëndë
të burrave.
Ç’përfaqëson vallja e rëndë e burrave. Kjo
rëndom quhet vallja e rëndë. Ndoshta nga që hiqet ngadalë, pa të hedhura e të
spërdredhura. Ndoshta nga që pjesëtarët e grupit, pavarësisht nga mosha, por
gjithsesi në mosha të shkuara, e mbajnë trupin pak të përkulur dhe e hedhin
hapin me qetësi, me ngadalësi. Quhet dhe valle treshe, jo se hiqet nga tre
veta, por se zakonisht hiqet duke hedhur dy hapa para dhe një hap prapa, sikur
duan të ripozicionohen në jetë, sikur duan të marrin fuqi për t’u hedhur diku.
Por në fakt asgjëkund nuk hidhen. Hedhin vetëm hapin para dhe këndojnë këngën
me kokë pak të ulur. Prijësi dhe mbyllësi i vargut të valltarëve tundin një
shami si një përshëndetje, si një sinjal, si një flamur. Në disa raste quhet
edhe valle dyshe, sepse krijohen dy reshta me nga shtatë veta të cilët në
fillim ecin në të njëjtin drejtim dhe më pas ecin në drejtime të kundërta, si
duke u kryqëzuar. Zakonisht vallja fillon duke u kapur dorë për dorë në formë
vargu dhe kur vallja dhe kënga arrin kulmin, atëherë ata bashkohen sup më sup,
dhe po të jenë valltarë të mirë, e me përvojë, lëvizja e mëtejshme të krijon
përshtypjen e lëvizjes së një blloku trupash të bashkuar të tërë në një. Dhe
zakonisht kështu përfundon vallja.
Por kjo valle kërkon edhe një tekst kënge të
rëndë, epik sepse me këto valle nuk mund të këndohet çdo lloj kënge. Ndryshe
s’mund të themi që kemi të bëjmë me valle të rëndë. Këngët e dashurisë, pra
këngët lirike, humoristike etj, këndohen bukur në vallet e grave e të vajzave,
bile dhe në vallet e djemve, por vallja e rëndë, kërkon një tekst të “rëndë’’
si ato të cituara më sipër. Bile këto tekste kanë veçorinë, se nuk këndohen
kollaj si këngë polifonike, ato kanë lindur për t’u kënduar në valle. Këto
këngë janë si “djali i vetëm’’, sado i varfër të jesh, nuk e jep për ta
birësuar as te yt vëlla edhe në qoftë pa fëmijë fare, le më te të tjerët. Por
dhe në këto valle bëhen përjashtime. Mund të këndohet një këngë vaji, si psh,
kur Kozma Mërkuri këndoi në dasmën e djalit për të shoqen e vdekur me fjalët;
Ngreu moj Vitë nga varri
Se sot të martonët djali.
në të cilën derdhi artistikisht një brengë të
madhe, sa që mallëngjeu deri në përlotje pjesëmarrësit në atë dasmë.
Fakti që tekste të tilla elegjiake janë të
pranueshme, fakti që kjo valle hiqet (me këtë fjalë nënkuptohet kërcehet,
vallëzohet) si duke u “lëkundur’’ valltari, na shtyn të mendojmë për vjetërsinë
e kësaj valleje, për lashtësinë e kësaj valleje, si dhe për origjinën e saj nga
vajtimet.
Diku kemi thënë që në Himarë vajtimi me ligje
i burrave është gjë e zakonshme sot dhe se vjen nga lashtësia e hershme. Por
duhet të theksojmë se vajtimi me ligje bëhet duke u tundur trupi i vajtores ose
vajtuesit para e mbrapa ose majtas e djathtas. Gjithsesi duke ligjëruar për të
vdekurin, mbi të ose në odën ku bëhet ksodhi, apo ku janë mbledhur burrat (dhe
këtu s’ka kurrfarë turpi, pasi është tepër e zakonshme) lëkundet trupi me një
ritëm gati të rregullt. Kjo na ka shtyrë të mendojmë se vallja e rëndë nuk
është gjë tjetër veçse një rit i rëndë, ose më saktë e ardhur dhe e përpunuar
në shekuj nga ritet mortore. Edhe fakti i bashkimit sup më sup i valltarëve
s’është gjë tjetër veçse mbajtja që i bëjnë të afërmit prindit të të vdekurit,
për gjëmën që e gjeti. Dhe burri mbahet me sup dhe në supe, ndryshe nga gratë
që mbahen për krahu. Në këtë kontekst ky bashkim interpretohet dhe si bashkim i
energjive te familjes, fisit, për të kompensuar humbjen.
Etnografi i shquar Rrok Zojzi në ekspeditat e
tij në veri dhe jug të Shqipërisë, ka vërejtur me kujdes ceremonialin mortor.
Për zonën e Veriut ai shkruan : . . . burrat qëndrojnë në këmbë gjysmë hapi,
vendosin duart në ije me bërrylat hapur anash dhe presin urdhrin e veprimit
prej prijësit të gjëmës. Jepet urdhri fillon lëvizja duke u përdredhur djathtas
e majtas, duke u përkulur mbi shalë dhe duke u ngritur, duke e shkelur për tokë
njërën këmbë e herë këmbën tjetër dhe shpërthejnë të gjithë me sa fuqi kanë ho.
. u. . . u Përnjëherë të gjithë i ngrenë kokat lart dhe presin derisa të
pushojë jehona. . . . . . përfundojnë përnjëherë, të gjithë marrin qëndrim të
drejt me kokën lart. . . . Kur janë dy ose më shumë reshta nuk bëjnë thirrje
përnjëherë por veç e veç. Një akord zërash, një disharmoni tingujsh që të
mahnitë. ”
Dhe më poshtë studiuesi Zojzi vazhdon : “Pas
thirrjes së zakonshme Houuuu. . . ulen me gjunjë në dhe duke vazhduar thirrjen
ulen për tokë. . . . ”
Këtë e thekson edhe etnografi Anton Bersiha i
cili shton “ ky gjest i fundit përkëdhelja e tokës jep përshtypjen që ta ketë
në mbrojtje shokun e tyre”.
Etnografi Zojzi sqaron se ky fenomen nuk
është i njohur vetëm në pjesën veriore të shqiptarëve, por edhe në jug, “në
Kurvelesh, bregdet, në Vlorë ku burrat e bënin gjëmën me vaje apo ligje
sikundër edhe shqiptarët e Greqisë”.
A nuk janë figurat koreografike të këtij
spektakli, si përplasja e këmbës mbi tokë, ulja në tokë madje jo vetëm e duarve
por edhe e shpatullave etj. krejt të ngjashme me vallen e burrave në Labëri dhe
atë çame? A nuk është kërcyer vallja e burrave në Labëri në dy rreshta? A nuk
janë krejt të përafërta pasthirrmat hou. . . me pasthirrmat në vallen labe, Pa
pa pa pa. . . . ?
Sqarojmë se jo çdo vdekje përbën gjëmë, quhet
gjëmë dhe qahet me ligje si gjëmë. Vajtohet vdekja e pleqve si humbje përvoje
jetësore, por kjo s’përbën gjëmë. Gjëmë përbën vdekja e ndonjë të riu në mënyrë
të papritur, si psh, aksidentalisht dhe jo kur dihej se do vdiste, pasi kishte
vite që lëngonte nga sëmundje e pashërueshme. Gjëmë përbën vdekja e
kryefamiljarit në moshë të re, vdekja e nënës në një moshë të re dhe që i lë fëmijët
të vegjël jetimë. Nga vdekje të tilla i zoti i shtëpisë e humb toruan, s’mba
dot drejtimin dhe duhet afria e miqve, shokëve, vëllezërve. Janë këta, që i
afrohen sup më sup, por duke qenë se dhimbjen më të madhe e ka i zoti i
shtëpisë, prindi, është ai, që vajton, është ai që ligjëron vaje, të tjerët,
edhe ata me peshën e dhimbjes në shpirt, por gjithsesi më të lehtë se i pari,
rënkojnë duke u bërë kështu pjesëtarët e atij, që në art quhet grupi i
valltarëve.
Të goditurit e tokës me këmbë dhe bile shumë
fort është një rit shumë i hershëm i ceremonive mortore, sikundër kemi
vërtetuar nga hulumtimet tona në zonën e bregdetit. Edhe sot nëpër gjëma, kur
shkojnë në varreza ditën e varrimit, në të tretat, në të nëntat, të dielave
etj, të afërmit goditin me grushte dheun e vareve, si duke i thënë “Ç’i bën të
dashurit tonë të vdekur, pse e mundon” etj, ndryshe nga ditët e mëvonshme kur
përkëdhelet dheu si për ta marrë me të mirë që të kujdeset për të dashurin që
ka brenda. Por ka raste kur këto bëhen me dorë dhe ka të bëjë me disa valle të
tjera, dhe këto të rënda ku valltari ulet dhe godet me dorë dheun.
Mendojmë se goditja me këmbë e dheut ka të
bëjë me konceptin pagan të botës së poshtme, do të thotë se godet atë botë dhe
zotin e asaj bote, që i mori te dashurin, djalin, babain, nënën, motrën etj.
Por s’përjashtohet mundësia që të jetë një trokitje në portën e asaj bote, që
të zgjojë të fjeturit e saj dhe të dalin e të presin atë që po vjen, dhe ta
mbanë mirë, të kujdesen për të. . . .
Kemi mendimin se ka lindur pikërisht kjo
valle e rëndë në fillim dhe më pas, prej saj kanë lindur valle të tjera duke u
interpretuar dhe ekzekutuar prej grave e vajzave e duke u emërtuar valle e
vajzave, valle grash apo valle e përzier (gra – burra), por ama burimi është
vetëm vallja e rëndë e burrave e kënduar ose jo. Është normale që shekuj më
vonë prej saj të lindnin valle të tjera me strukturë koreografike më të
shpejta, më të zhdërvjellëta, përshtat tematikës që këndohej dhe plastikës që
zotëronte korifeu që hiqte vallen.
Fakti që kjo valle nuk u zhduk, nuk u harrua,
tregon për forcën dhe vitalitetin e saj. Ajo është si të thuash, mbretëresha në
“zgjoin e valleve”, e cila lind e zhvillon familje të tëra vallesh e
valltarësh, duke mbetur e përjetshme, sikundër ka mbetur tek ne vallja e rëndë
e burrave, falë talentit të madh të përfaqësuesve të këtij populli, që e sollën
deri sot tek ne si një xhevahir të rrallë në gjerdanin e artë të kulturës
popullore. Sa më shumë dekada kalojnë, aq më shumë i ritet vlera kësaj
mbretëreshe. A s’e shihni sa pak veta e heqin këtë lloj valleje sot?
Kjo është një lloj valleje që më shumë se sa
mësohet, jetohet. Vallja, sikundër edhe vetë kënga, bile edhe më solemne se
ajo, është e shenjtë.
Unë vallen nuk e lë.
Pas botimit te Gazeta Vlora të shkrimit
“Madheria e saj – Kënga” një miku im B C, në mbështetje të asaj që shkruaja më
tregoi një histori për gjyshen e tij të cilën po jua tregoj juve.
Kur qe e re, nuse e porsa martuar, i shoqi
qëlloi me dhen lart në male dhe u kthye, ose më mirë u vodh nga kopeja, ditën e
Pashkës së Madhe. Erdhi me një frymë i ziu nga mali dhe e gjen të shoqen tek
hiqte vallen në shesh të kishës. E pa dhe ja bëri hop zemra në gjoks, ndaj dhe
doli në një vend që ta shih mirë e shoqja, nuse e re që fekste ne krye të
valles. Po dhe nusja e pa apo e ndjeu, pa ju bë fytyra paparunë e kuqe, pa ju
ndezën sytë e buza i vajti vesh më vesh, e këmba si shkelte në tokë fare tek
hiqte vallen. Ama fluturonte në valle si ajo vetë e s’ka të dytë. Mbase për atë
është ngritur ajo kënga që thotë:
Doli bejka nga katundi
Tre sahat vallen e tundi
Po i varfëri çoban, që kish tre muaj vetëm në
male, akoma do priste dhe tre sahat, që i dukeshin si tre vjet! Ndaj jip e mirr
me isharete, shenja e sinjale, që vetëm ai dhe e shoqja – nuse e re i kuptonin.
Jep e merr orëziu e vu i venin djersët ca nga lodhja e ca nga padurimi. Ama dhe
nusja e tij si kanarinë këndonte e si sorkadhe e hiqte vallen e sytë s’ia
ndante të shoqit. Ç’t’i bëje kësaj pune! Ky urrë e ndezur këtej, ajo prush i
përvëluar andej.
Pa ç’pa e shkreta nuse s’duroi dot që i shoqi
t’i tretej në djersë, po edhe turpin s’mund ta hante me bukë, që të linte në
mes këngën e vallen, ndaj duke përfituar nga fakti, që ajo jo vetëm hiqte
vallen, por ja merrte dhe këngës, në një moment ndryshoi pak tekstin e këngës
dhe duke ju drejtuar të shoqit këndoi:
O burrë të keqenë
Duro dhe pak për “atë”
Se unë vallenë s’e lë.
Nejse, shoqet vetëm atëherë e vunë re të
shoqin e saj dhe e shpejtuan ritmin e këngës dhe të valles për ta mbaruar një çikë
më shpejt Burrat qeshën e plakat çorrën faqet.
Por ajo që duam të theksojmë ne është fakti
se paprekshmëria e këngës është jo vetëm kur këndohet nga grupi i burrave apo
vetëm nga burrat, por edhe kur kënga i printe valles, qoftë kjo valle e rëndë
burrash qoftë kjo valle e lehtë vajzash e grash.
Askush nuk mund ta ndalte vallen e këngën.
Bile as vetë vdekja s’mund ta ndalonte. Historitë që tregohen se në një dhomë
dergjej i porsa vdekuri dhe në dhomën tjetër këndohej për nusen që jepej apo
merrej, nuk janë legjenda fisesh të egra, por janë realitete te jetuara në
trevat e polifonisë. Vdekja respektohej si asnjë tjetër në viset tona, por
kënga respektohej shumë më tepër, sepse kënga ishte jeta, ishte e ardhmja,
vazhdimësia. Aq i fuqishëm ishte ky respekt për këngën, aq solemn dhe i
padiskutueshëm, sa që respektohej edhe nga vetë vdekja. Kam pasur rastin të
dëgjoj nga të moshuar, se kohë më parë, në një dasmë, ishte ndezur atmosfera
nga kënga aq shumë sa që të dy palët, vendasit dhe krushqit, ndjeheshin tejet
të lumturuar nga miqësia e lidhur, miqësi e cila më vonë do të kthehej në gjak
se do të lindnin fëmijët nga çifti i ri. Në pragun e ndarjes, dikush sjell një
mandat tek i zoti i shtëpisë - i ishte vrarë djali. E ëma gati ja dha ulërimës,
i shoqi nxitoj ti mbyllte gojën me dorë dhe e paralajmëroi se po e zbërtheu do
ta dërgonte përgjithmonë te i ati. Mbaroi dasma me krisma e këngë dhe krushqit
u nisën me nusen në kalin e bardhë përcjellë me këngën:
Më rite baba më rite,
Erdhi koha dhe më shite. . .
Një dramë e dhimbshme e një katërmbëdhjetë,
pesëmbëdhjetëvjeçareje në çastin e martesës, e shkëmbyer për një sasi të
hollash apo për një numër të konsiderueshëm bagëtish. Kjo na dëshmon se shitja
e vajzave ka qenë një traditë jo vetëm në malësi, por herët, ka qenë edhe në
jug. Me kalimin e kohës, në jug, tonët dramatike të këngës janë zbutur dhe në
kontekstin e gjithë ceremonialit të dasmës ajo ka tingëlluar me tonët që e kanë
karakterizuar këtë ceremonial.
Rrugës krushqit përballen me një grup burrash
që mbartnin në një barelë të improvizuar me drurë, një të vrarë. Kur mësojnë
identitetin e tij krushqit, të cilët përjetuan një kontrast të fuqishëm
emocional nga tragjedia e ndodhur, kthehen për të sjellë nusen të qajë të
vëllain, si dhe për të marrë pjesë në hidhërimin e mikut.
Përmes këtij detaji donim ta theksonim
solemnitetin që ka kënga, autoritetin e padiskutueshëm të saj, si dhe
karakteret e fuqishme të atyre që e mbartin atë Këngë. Ende s’jemi në gjendje
të shpjegojmë përse kjo krijimtari shpirtërore ka fituar këtë hierarki kaq të
lartë duke qëndruar në krye të jetës së shqiptarit? Ç’faktorë social, historik,
etnografik apo etnokulturor e kanë çuar këngën në krye të të tëra ceremonialeve
të jetë së përditshme të shqiptarit? A nuk theksuam më lart se edhe të vdekurin
e përcjellin me këngë, me poezi, pra me krijimtari artistike?
Të njëjtën ngarkesë emocionale brenda
polifonisë kanë edhe vallet e kënduara, të cilat sot po harrohen krejtësisht,
po harrohet ai thesar artistik që mbart tre zhanre artistike: këngën-
vallen-interpretimin skenik.
Por na duhet të pranojmë se shumë kryevepra
të polifonisë e kanë burimin te vallet e kënduara nga burrat dhe gratë. Dhe te
këto valle e këngë ushtrohen po ato ligje të këngës si dhe te grupet
polifonike, bile këtu edhe ca më tepër sepse valles së kënduar s’mund t’i
afrohesh. Detyrimisht do të qëndrosh pak larg rrethit të valles, larg
“sinoreve“ të saj, i heshtur, si para një altari të shenjtë. E kush mund të
ndalte grupin e valltarëve kur këndonte p. sh. këngën;
Jemi zot të këtij vatani.
Të duket sikur lëvizin malet të shoqëruara
nga vetëtimat e bubullimat e jo valltarë që këndojnë. Çdo gjë mund ta mendosh
në ato çaste, por kurrsesi s’mund të mendosh ta ndalosh këngën apo vallen. Të
duket se do të zënë malet përsipër po nuk u mënjanove në kohë.
Në qoftë se ndonjëri do të dijë si u bë puna
e bariut, ju themi se vetëm pasi mbaroi vallja, që hiqte e shoqja, të dy u
“vodhën’’ nga sheshi i kishës, (s’i panë a bënë sikur s’i panë, këtë se dimë
mirë) dhe u nisën drejt shtëpisë së çobanit.
E vërteta është se nuk arritën dot te
shtëpia, se aty tek ajo driza e madhe dikush nga ata u rrëzua, a ndrydhi këmbën
a kushedi ç’pati, dhe nja dy orë ndenjën aty të fshehur nga sytë e fshatit.
Vetëkuptohet, të shëronin këmbën e ndrydhur, a të pleksnin këmbët e zgjidhura.
Nejse, ne kemi punë me këngët e jo me këmbët.
Hymn për iso-n
Kur më 25 Nëntor 2005, Iso-Polifonia kaloi
nën mbrojtjen e UNESCO-s, si një nga pasuritë e rralla të trashëgimisë
kulturore botërore, pakkush e vlerësoi këtë si një nderim që i bëhej kulturës
sonë popullore dhe ca më pak disa të tjerë u ndërgjegjësuan për punën e madhe
që është bërë për t’ia arritur kësaj dite.
Që iso-polifonia ishte dhe mbetet një
kryevepër e kulturës shpirtërore, këtë më së miri e dimë vetë ne shqiptarët që
e kultivojmë atë, por e rëndësishme është që të tillë tani e vlerëson edhe bota
e qytetëruar nëpërmjet organizmave të saj ndërkombëtar, të cilën e klasifikon
ndër kryeveprat e njerëzimit dhe e merr nën mbrojtje nga dëmtimi, që në këtë
rast është harresa.
Është normale që kur dikush të bëjë portretin
etnik, historik dhe moral të shqiptarit, përkrah dobësive - sikundër edhe te
popuj të tjerë – do të evidentojë edhe vlerat e qytetërimit të lashtë të
Butrintit, të Gjirokastrës, të Beratit dhe përveç tërë atyre vlerave
arkitektonike, etnografike, folklorike të papërsëritshme, që vërtetojnë për një
pasuri të madhe shpirtërore të popullit tonë, befasohen me një forme muzikore
shumë të hershme, shumë të larmishme dhe shumë të veçantë iso-polifoninë. Kjo
do të thotë që në një sipërfaqe më pak se 10 mijë kilometër katrore, Shqipëria
i jep njerëzimit jo pak, por katër kryevepra që shpallen pasuri botërore. Nuk
gjej dot një shembull tjetër identik në gjeografinë e botës. Dhe kjo dendësi e
pasurive kulturore botërore në këtë territor shqiptar, fare të vogël, na jep të
drejtën e një krenarie të ligjshme.
Duke menduar se të gjitha këto kryevepra, që
i bëjnë vetëm kryeartistët, nuk kanë lindur nga hiçi, por janë fryt i
krijimtarisë së një populli të lashtë dhe të talentuar, para botës së
qytetëruar plotësohet më së miri portreti i popullit tim, i bukur e plot
kulturë. Atëherë dikush do të rishikojë mendimet e veta për këtë portret.
Mirëpo efektet e revolucionit industrial dhe
zhvillimet demografike në Evropë e më tej, në shekujt e mëparshëm, nuk mund të
mos sillnin një qëndrim të ri ndaj kulturës popullore, braktisjes së saj. Me të
tilla efekte negative erdhi edhe tek ne ndryshimi në strukturën social-politike
pas viteve 90, dhe nuk kish si të mos vinte e tillë. Braktisja e fshatit,
(vatra ku rruhej më shumë tradita e hershme kulturore, ambienti ku ndizeshin
dhe transmetoheshin këngët popullore), prishja e raportit traditë kombëtare –
muzikë e huaj etj, solli si pasojë largimin nga tradita, bëri që të harrohet e
të braktiset kënga dhe vallja popullore, të prishet struktura mbartëse e
tingëlluese e iso-s.
A nuk e kini vënë re se shumë nga ne, ndonëse
me origjinë labe, nuk dimë të këndojmë labçe, nuk dimë të mbajmë iso? Kjo do të
thotë se nuk jemi të aftë artistikisht të mbartim dhe përcjellim traditën tonë
kulturore, identitetin tonë. Ndërkohë që aplikojmë e zhvillojmë lloj-lloj
shkollash e teknikash muzikore moderne. Të rinjtë në shkollat tona, kanë një
ndjenjë “turpi” të këndojnë labçe, të këndojnë traditën muzikore që e ka
rrënjën qysh në fëmijërinë e njerëzimit, se mos bashkënxënësit i quajnë “të
prapambetur”, “katundarë”, të “dalë jashtë mode” etj, etj, epitete, të cilat
largojnë dëshirën për të kënduar labçe, për të mbajtur iso.
Pikërisht kësaj braktisjeje, kësaj harrese i
bën apel vendimi organizatës ndërkombëtare për mbrojtjen e vlerave kulturore të
njerëzimit, i 25 Nëntorit 2005, duke evidentuar vlerën e pa përsëritshme të
saj, për lashtësinë, origjinalitetin dhe strukturën muzikore duke konfirmuar se
iso-polifonia ka mbetur po aq moderne, po aq e bukur në transmetimin e
emocioneve dhe vlerave estetike tek dëgjuesit, sa edhe format e tjera muzikore
e në mos më tepër. Është njësoj si të marrësh nën mbrojtje e t’i ruash nga
prishja shtëpitë karakteristike të Beratit e Gjirokastrës, apo rrënojat e
Butrintit. Është e thjeshtë që ato të prishen e në vend të tyre të ngrihen
gradaciela, por bota gradaciela ka në çdo qoshe të saj ndërsa Butrint, Berat,
Gjirokastër e Iso-Polifoni, në formën strukturore krejt origjinale, ka vetëm në
Shqipëri. Paraardhësit tanë, që kanë ngritur këto kryevepra kanë lënë pas
trashëgimtarë që s’e kanë të vështirë të ngremë gradaçiela në të tjera vende,
se kemi të vështirë të ngremë lloj-lloj shkollash e teknikash muzikore, por këtu
shtrohet problemi që të ruajmë dhe të përcjellim në brezat e ardhshëm, sikundër
i përcollën brezat e mëparshëm, përmes transmetimit gojor, tek ne këto tradita
kulturore të krijuar në shekuj nga breza të tërë njerëzorë, traditë, që se ka
kush tjetër. Të tjera dhe të reja, bile super moderne le të ngremë kudo e kurdo
e nga kushdo.
Më që e kishim fjalën tek Isoja, dhe ajo
përfaqëson masën, kolektivitetin, në kuptimin figurativ popullin, na duhet të
themi se në këngën popullore Ajo është e madhërishme, është e tërëfuqishme.
Isoja nuk njeh autoritet që të mund ta ndërpresë. Po nisi isoja, sado i madh
dhe autoritar të jetë ai që vjen, është i detyruar të presë sa të mbarojë
iso-ja, pavarësisht se ata që e mbanë atë, ison dhe që këndojnë mund të jenë
njerëz fare të thjeshtë. Në këtë konteks ata janë këngëtarë, artistë. Emrat dhe
postet, profesionet dhe pasuritë e tyre këtu s’kanë rëndësi. Vetëm pasi mbaron
isoja (jo gjithë kënga, por vetëm iso-ja e strofës që këndohet), pra vetëm pasi
qetësohen mbajtësit e saj (unë do thosha që pasi mbaron aprovimi apo dekretimi
që i bën ajo asaj çka deklaron marrësi), vetëm atëherë i bëhen të gjitha nderet
e duhura mikut të porsaardhur. Dhe këtu s’ka asnjë qejfmbetje apo keqkuptim. Të
gjithë i nënshtrohen këtij rituali, vetëm isoja ka të drejtën të nënshkruajë
vendimet që paraqet propozuesi- marrësi- dhe ky është një moment solemn. Kur
isoja nuk e aprovon atë që thotë marrësi kënga nuk vete, solemniteti bie,
prandaj ajo nuk mund të vazhdoj më as në atë ambient ku krijohet dhe as në
çfarëdolloj ambienti tjetër. Isoja s’mund të mbahet nga një njeri i vetëm, edhe
kur dikush “logat” me vete ai i jep këngës intonacionet e një grupi.
Një fjalë e urtë, e futur edhe në nenet e
kodeve zakonore shqiptare thotë se ‘’miku në shtëpinë e shqiptarit është i
dërguar i zotit’’. Duket se miku është i detyruar të presë sa të mbarojë iso-ja
(çuditërisht është i vetmi detyrim për mikun në shtëpinë e shqiptarit) atëherë
rezulton se iso-ja është më e lartë se një i dërguar i Zotit. Ajo vetë është
tepër qiellore madje mund të themi se ajo është vetë qielli ku fluturon
shqiponja e këngës. Këngët mund të jenë të rrëmbyera, të shpejta, të ngadalta,
këngë trimërie me krisma armësh si vetëtima apo këngë dashurie me ëmbëlsinë e
luleve të porsaçelura, këngë vaji që kullojnë dhimbje apo këngë gazmore.
Gjithfarë llojesh mund të jenë këngët, por iso-ja është vetëm një, hijerëndë
dhe madhështore si vetë qielli që mban dhe shqiponjën dhe harabelin, ajo është
kuvendi i burrave i cili miraton vendime te rëndësishme.
Ama duhet të pranojmë se jo të gjithë, jo
kushdo mund të mbajë iso, sikundër jo kushdo bën pjesë në kuvendin e burrave
dhe pyetet për vendime të rëndësishme. Nuk është fjala t’ia bëjmë në grup vetëm
eeeeee... por të krijojmë një ambient komod për këngën, të
krijojmë një shtrat ku kënga të lundrojë lirisht dhe të shprehi qartë mendimin
dhe ndjenjën. Sepse dhe mbajtja e iso-s është një art më vete jo më pak i
rëndësishëm se marrësi apo hedhësi, sikundër e kanë theksuar edhe studiues të
tjerë ajo është si sharku që e mbështjellë këngën për ta mbajtur ngrohtë. Vetëm
brenda këtij “sharku”, pra isos, kënga merr tërë vlerat e saj dhe shpirti
derdhet lirisht në art.
Iso-ja nuk njeh hierarki njerëzish racash e
feje, gjendje pasurore apo gjendje civile, origjinë shoqërore apo origjinë
fshati apo qyteti. Mbajtësit e iso-s ulen të gjithë bashkë, afrojnë kokat me
njeri tjetrin, bashkojnë zërat e tyre në një dhe, kush i sheh nga larg s’mund
të kuptojë kurrsesi sa veta janë, kush mban iso mirë e kush stonon, madje ai që
stonon-hahen zërat- kënga e nxjerr jashtë saj.
Për të mbajtur iso ulen pranë e pranë i
pasuri dhe i varfëri, akademiku dhe analfabeti, biondi e bruni, i riu dhe i
vjetri duke humbur kështu identitetin e tyre me të cilin diku, dikur mund të
krenohen ose turpërohen. Ata vihen tërësisht në shërbim të iso-s duke u
shndërruar kështu në një atlas që mban mbi supe kupën e qiellit.
Madje dhe hasmëritë mund të ulen pranë e
pranë, të mbajnë iso-n dhe më pas diku larg mjediseve të iso-s, detyrimisht
larg këngës, të vazhdojnë hasmërinë, të rigrinden apo të vriten me njeri
tjetrin. Po kurrsesi në mes të iso-s, kurrsesi pranë këngës, askush nuk do të
guxonte as të mendonte (pavarësisht që s’do ta linin të tjerët) të vinte dorën
mbi armë për të vrarë e për të marrë hak. Këto kanë qenë ligje të pa shkruara
që rregullonin jetën e bashkësisë, ambientin e këngës. Arma shkrepet në prani
të iso-s vetëm në drejtim të qiellit për të shprehur dhe shtuar gëzimin e
momentit. Për çdo gjë tjetër pjesëtarët konsideroheshin të çarmatosur, ndonëse
me armë në brez. E pra vetëm iso-ja, vetëm kënga e ka çarmatosur shqiptarin.
Flamuri i iso-s është më i madhërishëm se
flamurkat e vockla të partive politike të vetëquajtura të mëdha. Ka tremijë e
më shumë vjet që valëvitet ky flamur. Ka parë njerëz, rende shoqërore, parti e
shoqata në zenit e në theqafje. Ka pritur e përcjellë, jo rrallë me indiferencë
totale ndaj zhurmës së tyre, gjithfarësoj marrëzish të mendjes njerëzore.
Po si ka lindur kjo magji stërshekullore?
Njerëzimi para se të fillojë të këndojë, bile
para se të fillojë të flasë, ka filluar të qajë, të vajtojë, të rënkojë. Një
dhimbje fizike ka provokuar lot e rënkime, një dhimbje shpirtërore i ka bërë
ato më të shpeshta, më ritmike. Njeriu pasi qan, vijon të rënkojë për dhimbjen
që provoi. Mendojmë se pikërisht ky rënkim është zanafilla e iso-s, ndërsa
vajtimi është zanafilla e këngës. Dhimbja shpirtërore për të dashurin e vdekur,
shoqëruar kjo me ritin e varrimit, grumbulloi historikisht bashkësinë, e më
vonë të afërmit pranë të vdekurit. Dhimbja e shprehur me vajtim e me rënkim,
herë të gjithë bashkë e here veç e veç, por gjithsesi, vajtimi i njërit
shoqëruar me rënkimet e të tjerëve, është zanafilla e grupit. Dikur, dikush,
pjesëtar i fisit apo kalimtar i rastit që e pa këtë ritual dhe i dëgjoi
vajtimet e rënkimet, mendoi se kjo ishte e bukur të përsëritej, qoftë për
dhimbjen që provokonte, qoftë për kujtimin e të dashurit të vdekur, të cilin e
përjetonte në ato çaste qoftë për vetë emocionet estetike që krijonte
ligjërimi. Dhe filloi ndoshta të përsëriste fjalët e vajtimit apo të imitonte
rënkimin, duke u bërë pa vetëdijen e tij këngëtari dhe mbajtësi i parë i iso-s.
Madje dhe emri i saj i parë ka qenë me “y’’ dhe quhej Yso duke qenë se mbahej
nga shumë veta, në kuptimin “rënkimi” i shumë vetave, rënkim kolektiv. Pastaj
koha i hoqi germën “y’’ për të ardhur tek ne me shprehjen iso.
Por edhe popujt e tjerë kanë qarë e rënkuar
–do thotë dikush- përse nuk e kanë iso-n? Po, kanë qarë edhe popujt e tjerë,
sepse vajtimi është jo vetëm traditë në të gjithë Mesdheun, por një traditë
mbarëbotërore, ndaj ndarjes. Merita e popullit tonë është pikërisht se këtë
vajtim dhe rënkim jo vetëm e ngriti në art, por edhe e ruajti për një kohë
shumë të gjatë si simbolin e dhimbjes, të ndarjes dhe veçanërisht si nderimin e
thellë dhe human për njeriun që ndahet prej kolektivit. Koret antike ilire dhe
greke nuk kanë qenë gjë tjetër veçse rënkimet dhe rënkueset pas dhe në mes të
vajtimit, por këtë herë të ngritur në art, mbështetur pikërisht mbi këtë
traditë shumë të lashtë Lidhja logjike e iso-s me koret antike greke e ilire
është një temë më vete për t’u studiuar më me profesionalizëm, por që gjithsesi
është një lidhje, që afron dhe jo largon, që bashkon për vetë lidhjet e hershme
kulturore të të dy popujve tanë.
Ka tre mijë vjet që ky rënkim, kjo mërmërimë
kolektive që u përpunua duke arritur sot në majat e artit, hoqi diçka e mori
diçka duke u përsosur vazhdimisht dhe u ngjit në piedestal. Na është rrëqethur
trupi e shpirti, na ka gufuar zemra nga këngët e iso-t e tyre. Kemi vrapuar
nëpër festa e festivale, kemi kënduar e debatuar me njeri tjetrin për më të
bukurën e këngëve dhe të iso-ve, kemi hequr e hedhur vallen e rëndë të burrave
të shoqëruar me këngë e iso duke bërë të dridhet dheu nën hapat tona. Kemi jetuar
me iso-n duke e bërë pjesë të domosdoshme e organike të jetës sonë, aq sa
shpesh themi – ai mban iso të mire - sikundër themi ai është murator i mirë,
usta i mire, ……. . i mirë. . Dhe sot moderniteti i jetës, urbanizimi e progresi
po e kërcënojnë me harresë.
A nuk të duket si afrimi i një gjëme, si
diçka e shtrenjtë që të shpëton nga dora në mes të detit dhe s’ke si e gjen dhe
s’ke si e mbron? Pikërisht si një paralajmërues, në gjuhën e mitit do të
thoshim si një orakull i Dodonës, avitet në këtë rast vendimi i 25 Nëntorit
2005 i UNESCO-s, për ta marrë nën mbrojtje këtë thesar, që të mos na ‘’shpëtojë
nga duart’’, neve që jemi në mes të detit të tranzicionit të stërzgjatur.
Populli ynë do t’i jetë mirënjohës firmëtarëve të këtij vendimi. Dhe jo vetëm atij,
por dhe birit të tij që ja prezantoi shkencërisht botës këtë pasuri të rallë,
birit të tij me një emër të thjeshtë, Vaso Tole, gati anonim, si një pjesë
isoje e shkëputur rastësisht nga ndonjë këngë.
Marë Priftja
‘’kërren’’ bejte
Ditë e zakonshme e viteve ’60 në Himarë.
Autobusi i linjës Vlorë-Sarandë, i quajtur SATA, kishte ndaluar te sheshi i
vetëm i qytetit, (që atëherë s’dihej mirë se çfarë qe, qytet apo fshat. Ca
thoshin qytet, ca thoshin fshat dhe ca të tjerë ironizonin duke e quajtur “qytet,
që komandohet nga fshati.) Pasagjeret qenë ulur në klub për të pirë ndonjë kafe
a thjeshtë për tu çlodhur nga rruga. Shoferi Niko Dhimitri kishte ulur kokën
mbi një pjatë fasule dhe po hante me nge, kur sheh me bisht të syrit ti afrohet
një grua veshur me të zeza që i thotë me një ton disi lutës; -Do më marrësh
dhe mua njëra më Gjashtë, a të keqen Niko, se ashtu e kam hallin o xhan.
-Edhe të hamë s’na lënë rehat këto plaka -
mendoi shoferi me vete, por plakës ja preu shkurt; -S’kam asnjë vend ku të të
vë. I ka zënë të tëra agjencia e Vlorës.
-Po plakë jam u’ e varfra o xhan, ri dhe më
këmbë – tha plaka me një tis të hollë ironie thua se donte t’i thoshte që po të
qe ndonjë vashëz fustan shkurtër medoemos që do e merrte dhe do e vinte edhe
mbi motor tërë rrugës, që ta ksehaste dhe me muhabet.
-Mirë e ke ti po gjobën nga rrugorja e ha unë
- dhe duke thënë këto fjalë i hodhi një copë bukë qenit që tundte bishtin te
porta.
Mirë i hodhi bukën qenit, po s’e pa një xixë
djallëzie në sytë e plakës, e cila pasi vuri duart në mes i ngriti bejten aty
për aty ;
Lule o Niko Dhimitri
Si Enver gjirokastriti
Lum si nëna që të qiti
Dhe mamia që të priti
S’e kesh parë as n’ëndërimë
Kjo i erdhi si rrufeja në të kthjellët. Ai e
njihte vlerën e bejteve. Një bejte me pak reshta ta përjetësonte emrin në daç
për mirë e në daç për keq, si të jetë oreksi i atij që e ngre. Po të zuri
‘’lapsi’’ për keq, puno e përpiqu një jetë të tërë pastaj, s’e rregullon dot
biografinë. Dhe ja ku i erdhi fati në derë. . Kjo plakë e rreckosur, e
rrudhosur i ngre bejte në mes të klubit dhe e barazon me Enverin. Pse e pakët
është kjo?.
-Shpejt plakë, hipë në makinë, te vendi i
parë dhe sa të jem unë shofer, ti s’do paguash asnjë lek. Po si e the, hë, si e
the… dhe me vete vazhdoi të mendonte e ëndërronte; Si Enveri. Nejse, jo gjer
atje se s’dihet si na del kjo punë. Po ja, të më thotë si Mehmeti a si Shefqeti
hahet. Dhe do këndohet kjo këngë nëpër festivale me valle të rëndë burrash;
Lule o, lule o, dhe bum do godasë këmba në tokë fortë. . Dhe do ketë
ovacione e brohoritma me biz me o o dhe bum. Ë? Çfarë? Bobo, s’qenë brohoritma
po ulërimat e pasagjerëve dhe ajo bum ishte përplasja e autobusit në dishesat e
Borshit. Nejse, ç’është e vërteta pak e goditi. Pak, pak por për pak bashkë me
entuziazmin e ngritur në qiell do ti ngjitej dhe shpirti gjer te krijuesi. Kjo
i ndodhi Niko Dhimitrit me bejten e ngritur nga një plakë pilurjote e
stërvuajtur nga hallet e jetës, që ja bënin akoma më të rënda ca njolla në
biografi.
Po sa të rregullojë Nikua autobusin, le të
flasim pak për bejtet dhe rolin e tyre.
Ne Fjalorin e Gjuhës Shqipe emërtimi bejte
lidhet me bektashizmin dhe poetët bektashinj që krijonin poezi me frymë
orientale dhe të ngarkuara me një fjalor dhe figuracion oriental, qofshin këto
poezi laike apo fetare. Pa dashur të marrim rolin e “kompetentit’’ dhe ca më
pak që të debatojmë me ndokënd, paraqesim rezerva për këtë përcaktim dhe
pikërisht për faktin se; bejtet janë lëvruar shumë kohë më parë se të
instalohej bektashizmi dhe sjellësi i tij në Shqipëri. Ato janë lëvruar me
shumë sukses në treva, që jo vetëm bektashizmin se kanë njohur as si dukuri kalimtare,
por përgjithësisht s’e kanë njohur myslimanizmin si ideologji dhe si mënyrë
jetese. . Shembull për këtë është krahina e Himarës ku Turqit nuk mblidhnin dot
as taksat e jo më të instalonin bektashizmin, qoftë edhe në formë
sipërfaqësore. Dhe pikërisht në këtë trevë kanë një zhvillim tepër të madh
bejtet aq sa janë bërë pjesë përbërëse e jetës së përditshme. Mund të të ndodhë
që të takosh një plak a një plakë e t i flasësh, a ta pyesësh për diçka a për
dikë dhe ajo, apo ai, të të përgjigjet me një bejte e cila përmban brenda jo
vetëm përgjigjen e duhur por dhe një art fin. Nuk dihet pse këto krijime
brilante u quajtën bejte, duke lënë të nënkuptohet një farë përçmimi për to,
por në fakt, ato janë një gjini më vete e krijimtarisë popullore, janë paraardhëse
të këngëve polifonike. Shumë prej tyre mund të këndohen në valle, sipas rastit
në valle burrash apo grash, nëpër sofra dasmash si replika apo kundërreplika
krushqish apo personash. Këto janë klasifikuar si këngët hidh e prit, ku
rapsodët, këngëtarët, dasmorët, krushqit ngacmojnë njëri tjetrin me këngë të
ngritura aty për aty sipas rrethanës, për ta ndezur edhe më shumë atmosferën e
gëzueshme. Mund të këndohen vetëm ose me grup, zakonisht i shoqëron i tërë
mjedisi ku këndohet. Natyra e tyre është që të citohen ose siç thuhet recitohen
nëpër replika e debate dhe pikërisht aty e kanë dhe vlerën. . Ndonjëra, që mund
të ketë vlera të përafërta me këngën, edhe mund të shndërrohet në këngë
humoristike dhe t’i rezistojë kohës duke fituar tipare përgjithësuese. Jetëgjatësia
e tyre varet jo nga numri i vargjeve, por nga figurat artistike që ato mbartin.
Përmbajtja e e bejteve në sfondin e këngës labe, është larg me krijimet e
bejtexhinjve orientalë si nga niveli artistik krejt i ndryshëm midis tyre,
sasia e strofave dhe sidomos qëllimi dhe objekti. Ato karakterizohen nga
konçiziteti i tyre.
Ndërsa krijimet e bejtexhinjve orientalë janë
krijime artistike shpesh me një figuracion të rënduar, fetar.
Më sipër thamë që ato janë paraardhëse të
këngës polifonike, por me këtë nuk duam të themi se ato janë më të vjetra se
kënga polifonike. Duke pranuar origjinën e këngës polifonike nga vajtimi,
pranojmë lashtësinë e saj. Por bejtet duke qenë krijime të ‘’lehta’’ u ngjajnë
pak ushtarëve vullnetarë të armatosur lehtë të cilët u prinin falangave të
rënda dhe kalorësisë nëpër beteja. Dhe konkretisht në fushën e këngës;
Në një dasmë krushqit janë ‘’përballë’’ njeri
tjetrit nëpër sofra. Sa të fillojnë të ‘’matin forcat’’ me këngë, hedhin nja dy
tre bejte njeri tjetrit, sa për t’u nxehur pak, sa për të qëruar një çikë
zërin:
-Nusja jonë shumë e mirë
Dhëndëri si kec i shtirë
Përgjigjet pala tjetër
-Dhëndëri shufër dyfeku
Nusja si plëndës shelegu
Pastaj vijnë bubullimat e vetëtimat e
iso-polifonisë. Ajo është sheshbeteja e vërtetë. Bejtet, ndryshe nga këngët, të
cilat duan një ambient festiv, mund të ngrihen dhe në ambiente jo festive, por
çuditërisht populli i ka ngritur edhe në ksodhe, në shtëpitë ku ka vdekur
dikush. Vetëkuptohet, jo në dhomën ku është i vdekuri dhe ca më tepër, jo pa u
bërë varrimi. Këto zakonisht janë të pranueshme në të nëntat e më pas. .
Qëllimi i ngritjes së tyre është që të thyhet sadopak situata e rënduar nga
dhimbja e vajtimi dhe janë të pranueshme në vdekje të moshave të shkuara. Madje
në këto lloj ngushëllimesh nxitet njeriu më me humor për t’u aktivizuar më
shumë dhe humori vazhdon me orë të tëra. , për të ekuilibruar gjendjen e
renduar emocionale të të zotëve të shtëpisë. .
Por jo kushdo mund t’i ngrejë ato në situata
të tilla mortore. E para se kërkojnë një finesë të hollë gjë që lidhet me një
përvojë të madhe jetësore e krijuese, e dyta personi, që i ngre duhet të jetë i
njohur dhe me autoritet të padiskutueshëm, që të shmangë çdo lloj keqkuptimi
dhe keqinterpretimi nga të pranishmit dhe familjarët. Dhe e treta duhet të jenë
tepër të goditura, ndryshe ta qëndisën ty bejten më pas.
Dhe ja, në një vdekje shkon dhe Marë Priftja
dhe pasi vajtoi sipas zakonit ne dhomën e grave, u ngre dhe u ul në dhomën e
burrave, ku i thane se kishte rënë një heshtje e rëndë të cilën s’po e thyente
askush. U ul në krye të odes (sqarojmë se bënte pjesë në ato gra autoritare ku
prania e saj në kuvende dhe në dhomën e burrave ishte tepër e zakonshme) nxori
kutinë e duhanit dhe filloi të dredh një cigare në qetësi. Një nip i saj, me
qëllim që ta ngacmonte dhe të thyhej heshtja duke iu drejtuar i thotë;
-“Shiko mëmë Marë se je ulur në mes të
burrave dhe ndonjëri mos e zgjat si tepër dorën. Tij, mase të pëlqen, se nuk të
sheh dhe ai i ziu burrë, se ka kohë që ka vdekur, por mua më bie të marr hakë
si nipi yt që jam”. Të qeshurat qenë nënë buzë dhe të gjithë prisnin përgjigjen
e plakës, e cila pasi drodhi cigaren në qetësi, me një zë të shtruar ju
përgjigj me bejte;
E ç’më thua kështu sot
Burrat tanë qen’ me qokë
Dhe na deshënë me kokë
Se e keshm’ nderin me okë
Po ç’bëni ju haram u qoftë
I kini gratë me shokë.
S’është nevoja t’ju them se shpërtheu gazi
pas kësaj. Meqenëse autobusi u rregullua, nisemi me të për në fshatin Çukë të
Sarandës ku inaugurohet kanali i Çukës që shërben për tharjen e kënetës së
Vurgut. Ka ardhur gjithë udhëheqja. Vetë Kryetari i Shtetit do presë shiritin.
Ka ardhur dhe Marë Priftja e shkretë. Ka një hall të madh vërtet. Djalin ja
kanë arrestuar dhe do ta nxjerrë nga biruca ku është. Ndaj do të takojë atë, të
madhin fare, që do presë shiritin, e ti thotë hallin e saj. Rrëmujë si nëpër
mitingje, por ajo afrohet dalëngadalë drejt atij. Befas Spiro Koleka, që e njeh
mirë Marë Priften e Pilurit, i afrohet dhe me zë të lartë që të dëgjohej mirë e
pyet:
- Hë moj mëmë Marë, ç’na thua për këto që
sheh? E pyeti i
sigurt në përgjigjen e saj. Të gjithë heshtën e shihnin këtë plakë me të zeza.
Ndaloi dhe ai i madhi e ktheu kokën. O tani o kurrë-tha me vete plaka dhe fët e
fët kërreu bejten e mëposhtme;
Roft’ Enveri e roft’ Mehmeti
Ktheu Bistricën nga
deti
Të shpëtojë gjith’ mileti
Vetëm djali im i shkreti
Mbyllur në birucë mbeti
Po do m’a kërejë shteti
Roft’ Enveri e roft’Mehmeti.
Brohoritjet e duartrokitjet nuk e penguan
plakën e varfër të shihte se si ai i madhi fare diçka bisedoi me Spiro Kolekën
dhe dikush shkroi në një bllok diçka që i tha i madhi. Nuk qe kthyer në Pilur
plaka kur djalin e gjeti rrugës për në shtëpi. Po ç’e do se prapë do t’i hynte
në burg. Dhe këtë radhë plaka do merrte rrugën e Tiranës për te Gogo Nushi. Po
dhe me duar në xhepa nuk u nis. Mori me vete një shishe raki dhe me të në dorë
i trokiti në derë vunotasit.
Dera u hap dhe për herë të parë plaka u ul në
kolltuk a në divan, njësoj është.
Hyri në dhomë vunotasi i urtë dhe e përqafon
plakën se e njihte që qe e bija e Kapedan Janaqit. Plaka, duke përfituar pakëz
dhe nga mirësia e të zotit të shtëpisë, i zgjat shishen e rakisë dhe i
drejtohet me bejten;
Pije me fund Gogo Nushi
Se është raki rrushi
Të rojë ai që e mbushi.
-Po kush e ka mbushur -pyet i zoti i shtëpisë duke qeshur i
sigurt në një rreng të plakës.
-Djali që kam në burg dhe që do ma kërresh ti-erdhi përgjigja e menjëhershme e plakës.
Shpesh bejtet thuheshin dhe me dykuptimësi.
Por me që ne jemi në udhëtim me Marë Priften le ta shohim ecurinë e
krijimtarisë së saj edhe në momente të tjera. Prapë një djalë i ka rënë në
burg. Paska marrë një rekomandim nga Jaho Gjoligu dhe është nisur për te
Enveri. Vetëkuptohet që Jahua diçka do t’i ketë thënë për talentin e plakës
pilurjote ndaj dhe Enveri mendoi t’i punojë një rreng. E la të hynte nga porta
e jashtme pa e shoqëruar oficeri dhe kur plaka mbërriti në mes të oborrit doli
në ballkon dhe si të mos dinte gjë se kush qe e ku vinte plaka, e pyet me zë të
lartë;-
-Kush je ti dhe çfarë do? Ngriti kokën plaka e shkretë dhe e pa atë
që i foli. E njohu, e si të mos e njihte. . Po dhe kështu një këtej e një
matanë nuk zgjidhej halli. Ndajë ju drejtua me bejten e mëposhtme;
Kështu do flasim o xhan
Ti sipër si nishan
Unë poshtë si shejtan?
Kaq tha plaka dhe bëri përpara drejt
shtëpisë. Ç’bisedoi, ç’u tha e ç’u bë s’ka rëndësi për ne. Plaka pilurjote e
vuajtur, bejtexheshë e vajtore me nam, bijë e një kapedani rënë për atdhe dhe e
internuar si e përndjekur politike pati dinjitetin të kërkonte barazi në bisedë
me udhëheqësin e shtetit. . .
A spekuloi nënë Mara me artin e saj? Ne
mendojmë se ajo e kishte mënyrë jetese komunikimin artistik me njerëzit
veçanërisht në momentet më kryesore që sjell jeta. Ajo ishte aq e zgjuar sa
dinte ta përdorte mirë armën e saj, artin.
Lutje Zotit.
Me siguri që ju prisni që t’ju dërgoj ndonjë
shkrim tjetër për iso-polifoninë ose për ndonjë problem tjetër çfarëdo, por me
keqardhje ju them se unë s’mund t’ju shkruaj. Jo se s’dua t’ju shkruaj më juve
dhe lexuesit tuaj të kulturuar, por jam shumë i zënë me problemet e partive
politike. Ose që të shprehem me qartë, ato e kane zënë me mua. Se ne
shqiptarëve me këto partitë politike na ka gjetur si ai që tha; Baba, zura një
hajdut. E lëshoj po s’ më lëshon. I lëshojmë ne partitë, po s’na lëshojnë ato.
Kur erdhën socialistët në pushtet, më grinë
me të shara duke me quajtur demokrat, bile më hoqën menjëherë nga puna. Bëra si
bëra, jetova. Madje gjeta dhe një punë, ku vërtet, s’më lanë rehat, por
gjithsesi mbijetova. Tani erdhën demokratët, dhe sikur s’kishin punë tjetër për
të bërë, e nisën me mua. Me shanë në shtatë breza si socialist, i kuq e rozë e
ku ta di unë, dhe me hoqën dhe këta nga puna.
Ore, do ketë në Shqipëri ndonjë parti që të
më quajë mua dhe gjithë të tjerët ashtu si jam e jemi në të vërtetë; shqiptar e
bir shqiptari dhe të ulemi e të flasim shqip me njeri tjetrin! Pse kërkojmë me
domosdo armikun te miku. Kur shejtani fle pse ne vemi dhe e zgjojmë.
Unë personalisht s’dua të përzihem me partitë
politike, se andej nga anët tona partitë i quajnë… (turp më vjen por do ta
them. Ti po deshe mbylli veshët) p. p. p. prostitutë publike dhe dallohen nga
njëra tjetra vetëm nga ngjyra e brekëve që veshin, ca të kuqe, ca blu.
Vetëkuptohet që s’dua të flas fare për TAN-ën
dhe BED-in
që janë thjeshtë prostituta plaka, fare pa brekë. Ti do të thuash që janë plaka
dhe të mos ua vë re. Këtë s’e vë në diskutim, por dua të të kujtoj se
prostitutat profesioniste kur plaken, shkojnë e bëhen murgesha dhe u predikojnë
vajzave të reja vlerat e virtytit dhe të virgjërisë. Ato mirë bëjnë, po
ç’taksirat kam unë i ziu që ta kaloj jetën duke dëgjuar pordhë plakash.
Diku kam lexuar se në një vend nordik, a
Norvegji a Skandinavi kjo puna e plakave u bë problem i madh. . Mendo vetë,
dilnin bulevardit vashat e reja veshur me minifunde e dekolte e binte bulevardi
arome trëndafili. Filluan të dalin dhe plakat veshur me minifunde e qelbej
bulevardi era pordhë.
U bë problem i madh se nuk qasej këmbë
turisti në atë vend dhe u thellua deficiti buxhetor. Për pak kaloi vendi në
krizëe parlamentare. Pa u mblodh parlamenti e mori vendim të prerë; Ajo plakë
që do dilte me minifund e pa brekë bulevardit, do të dënohej me gjobë herën e
pare dhe me burg herën e dytë
Po tek ne s’merret njeri me to, ndaj
dhe ato livadhisin si t’u dojë qejfi. Ja dëgjo të kam rixha; Del BED-i e
sokëllin shesheve të qyteteve; -Mua ma ka bërë një Profesor me tre doktorratura
thotë. E ka fjalën për programin dhe statutin.
-Moj po lere profesor –doktorin ti po shiko
këtë piktorin tim qe ma pikturon organin tim jave për jave, ja prêt TAN-a duke
shtrënguar me dorë dhe duke e tundur organin e saj ku si devizë nuk shkruhet
‘’Proletarë të të gjithë vendeve –Bashkohuni’’, por shkruhet me germa kapitale;
“Merrmë, përdorëm dhe unë të paguaj’’;-Lere profesorin tënd moj parti me një
mikrobus elektorat, po shiko këtë piktorin tim që e ka pikur fare edhe Pikason.
Se që të themi të drejtën, TAN-a të paguan që
të vesh me të. Në mitingje, e kam fjalën. Ndërsa BED-i atë punë e bën edhe me
të vdekurit.
Si është kjo punë do thuash ti?Të sqaroj unë
tani. Vete në varreza, merr shënim emrat e të vdekurve dhe i regjistron si
anëtarë, jaranë, simpatizantë, militante të saj. Pas kësaj i sokëllin qeverisë;
Kam kaq qindramijë anëtarë e simpatizantë e militantë dhe do t’i lëshoj
përsipër, por nëmë para. Fonde de, fonde. Mendon qeveria e shkretë; Kush i mban
gjithë këta përsipër. Më mirë i japim ca para të na lerë rehat, e vët paratë.
Kështu punojnë këto, por më me hollësi do flasim në një libër tjetër. Unë tani
s’dua të merrem me to.
Ose më saktë; Unë s’dua të merrem fare
me to. Unë s’dua te merrem fare me asnjë parti. Unë s’dua që ndonjëri të më
quajë mua biri i partisë dhe të nënkuptojë tjetër gjë.
Unë dua qetësisht te merrem me poezi dhe
iso-polifoni.
Nuk po të dërgoj shkrime se kam frikë se më
lavdëron, dhe kur të më lavdërosh, do të dëgjojë ndonjë parti e anës apo e
qendrës dhe të ndëshkon edhe tij si mua dhe për mua.
Por në vend të ndonjë shkrimi problemor, që
hap probleme e telashe, po të dërgoj një lutje drejtuar zotit në qiell (Me sa
di unë, zoti s’është anëtar i ndonjë partie opozitare ose pozitare). Një lutje
afërsisht të tille, të shkëputura nga bibla, i drejtoi zotit dikur dhe Faik
Konica dhe Zogu, me bekim të zotit, hop e caktoi ambasador në Amerikë.
Vetëkuptohet që unë s’pretendoj të vete kaq larg. Unë në fshatin që s’më qasin,
kërkoj për nuse vetëm vajzën e priftit.
S’ke ç’i bën miku im, Shqipëria është fshati
që se do profetin dhe poetin e vet. Por gjithsesi është vendi im, dhe unë e dua
kështu si është. Megjithëse ka ca si shumë p. p. p…parti.
Dhe për të e për popullin tim të ftoj dhe ty
në lutjen time si vijon;
Ati ynë i madh që je në qiell
Ardhtë mbretëria jote.
U bëftë vullneti yt.
Mbroi shqiptarët nga qeveritë shqiptare.
Mbroi poetët nga çdo qeveri.
Bukën tonë të përditshme na jep o zot, për
trupin.
Dhe për shpirtin pak iso-polifoni.
Amin.
P. S Me këto sigla ironizojmë disa Parti dhe
Organizata e organizma të cilat duke vënë emra bombastikë, kërkojnë të hutojnë
elektoratin duke menduar se kështu fitojnë reputacion. Vetëkuptohet që janë siglime
të sajuara dhe që s’i përkasin realisht asnjë organizmi politik ose
shoqëror.
Krijimtari e rapsodit
Kostë Gërdhuqi
Seneja më dimbëdhjetë
Seneja më dimbëdhjete
Moj Vlora me histori
Plaku Ismail Qemali
Seç foli për Shqipëri
Më datën njëzet e tetë
Do ngrihetë flamuri
Më datën njëzet e nëntë
Do vete më Itali
Dua nja di djem me vete
Gjoja si për tregëti
Po të jenë djem të zotë
Të mo’i kuptoj’ njeri
Dhe në vdeksha unë vetë
Më bini në Shqipëri
Kaninë m’a bëni varrë
T’a kem Sazanin karshi.
(Marë nga fletorja e shënimeve e Telo
Stefanit)
O Qemal kur të përzunë
O Qemal kur të përzunë
Se doj’ të të zij Turqia
Reth nobeçitë t’u vunë
Hafijet e policia
Dhe një çikë pa të zunë
Erdhi të mori gjemia
Në Paris bërna të shpunë
Seç u ngre Krajli më gjunjë
Dhe krajlesha dhe e bija
-Cili je ti more burrë
Që kërkon vulat e mia ?
-Unë jam Smail Qemali
Prapa më vjen historia.
Ju lutem vini një vulë
Të më njihetë kufia.
Po do mos dojë Turqia.
-Do dojë se s’është punë
Ësht’ e jona Shqipëria
Sazan e Karaburunë
Janë vatanet e mia.
Marë nga fletorja e Telo Stefanit
O shokë çmë mori malli
O shokë çmë mori malli
Ç’u bë Ismail Qemali
Ndë Paris, bërna te Krajli
Hin e del si sorkadh mali
Thotë ;Vendin pse m’a ndani
Pse kërkon ta mar’ junani
Fol’ Ismail Beu folë
Se këtu sjemi në Vlorë
Shqipërinë na kërkojnë
Marë nga fletorja e shënimeve e Telo Stefanit
Nga Vlora dërgon prefekti
Nga Vlora dërgon prefekti
Të mbëlidhetë mileti
Vjen Qemal Beu nga deti
Është i vdekur i shkreti
-O ju djem, o ju shkollarë
Mos e haroni Qemalë
Që na mbolli këtë farë
Na la hasëll shqipëtarë.
Marë nga fletorja e Telo Stefanit
Kur u martua mbreti
Ahmet Zogu kur u martua
Ç’pati që më erdhi mua
E dha i biri Polo Gërdhuqi
Nuk kemi as
gomarë
Emacipimi kur doli
Gjithë fshatinë mbëlodhi
U ngre një plak edhe foli
-Në jini të zot’ të roni
Gratë të mos i pengoni
Plaka plakut seç i foli
Seç i foli me inat
-Pusho e mo’ fol i plak
Se mo’ më gdhihesh kulak
Pa ne s’e heqim litarë
Se nuk kemi as gomarë.
E dha Polo Gërdhuqi
Kuç e Pilur u bashkuan
Kuç e Piluar u mbëluadh
Me qëllim për t’u pajtuar
U zunë duar për duar
-Që nga sot e çka kaluar
Të na jenë të haruar.
E dha i biri Polo Gërdhuqi
Halim Xhelo Tërbaçi
Ki Halim Xhelo Tërbaçi
Qafëgjatë si i jati
Me mbretin e zu inati
Mërkuraj e shpuri fati
Si çoban të tij e koi
Me bagëti shtegëtoi
Tej kufirit e mërgoi
E dha Polo Gërdhuqi
Kam patur një zakon
E kam patur një zakon
Mor e shokë
Këndoja si gramafon
Po nashti kush e beson
Mbeti Skutarai fron
Populli ku dimëron
Nëpër shpella me rigon
Qan foshnja e nuk pushon
S’ka e ëma me ç’e kon
Në shteg të keq të
Koranit
Në shteg të keq të Koranit
Në Qafë të Gjisinamit
Doli një nuse nga stani
I mori flakë fustani
Nga mitraloz i jermanit
Tek shpij bukë partizanit.
U bëre fli për Atdhe
Dot dëshmore s’u bëre.
E dha Pilo Kolagji
Nëntëqint e dhjetë
viti
Nëntëqint e dhjetë viti
Vaftin që shkoi komiti*
Shqipëria kriengriti
Ju hodh greku dhe e priti
Ç’kërkonte këtu jeziti
Ç’kërkonte në këto anë
Neve jemi Shqipëtarë
Luftojm’ e mbrojme vatanë.
Shqipe katër vilajete
Shqipe katër vilajete
Në mes të krajlëve mbete
Gjithkush të kërkon për vete,
I thonë sulltanit; Jepe.
- E jap. Po duan më vete,
I thonë dufekut lepe.
Farinë- këtu bukë e bardhë, panine
Kjo letër i është dërguar z. Lush Serjani,
Kryeredaktor i Gazetës “Dita Jug”, në numrin e majit të së cilës është botuar
pjesërisht.
TAN-Tribuna e Ambientalistëve Ndërkombëtarë
BED-Bashkimi Ekologjik Demokristian
Kadimia-këtu,
froni mbretëror
U ngre në
gjunjë-Sa lëvizi pak nga froni ku qe ulur jo se u cua në këmbë
Shtatë vulat –
jo se kanë të bëjnë me numërin e pjesmarësve që firmosin marveshjen, por është
numër që ka hyrë në folklorin tonë si psh ;Shtatë malë, shtatë fusha etj etj.
Krajli-Këtu ka
kuptimin e shteteve dhe mbretërive të ndryshme europiane dhe ballkanike.
Stefan Prifti
në atë kohë kryeplak i Pilurit u ftua nga mbreti Zog në dasmën e tij
Meqë s’dinte
të ngrinte këngë të cilën donte ta këndonte në dasmën e mbretit, ju lut Kostës
t’i pregatiste një.
Në vitin 1913
Spiro Milo provokoi përleshje midis Pilurit e Kucit. Dy vjet më von, në
Shëndëlli, në vendin e quajtur Qafa e Kishës u mblodhën përfaqsuesit e të dy
fshatrave dhe realizuan pajtimin
Në këtë
kohë ka dalë edhe kënga që thotë ;Erdhi lajmi nga Himara/Doli Spiro Milo
Mara/Dobiçit i erdhi radha/Nuk vështron kë ka përpara/Sokëllin Zito Elladha.
Vini re tolerancën fetare të popullit.
Kolë Mërkuri
atdhetar demokrat pilurjot, bashkëthemelues i shoqërisë Bashkimi bashkë me Avni
Rustemin, mik i Halim Xhelos. Kur Halim Xhelon e ndiqte Zogu për ta kapur,
kërkoi ndihmën e Kolë Mërkurit për ta nxjerrë jashtë vendit. Ky e veshi Halimin
si bari dhe e stërviti si kujdestar të qenve të stanit duke kryer edhe
shtegtimin e parakohshëm të bagëtive. Për hollësira shih romanin ‘’Halimi’’ të P.
Markos. Por ajo që nuk thuhet në roman është fakti se për të kaluar në postën e
xhandarmërisë në Borsh, Kola i fshehu armët, maliherët e koburet nën barkun e
deshve të cilët ishin të paqethur, duke imituar kështu Odisenë te ciklopi.
Sqarojmë se Halim Xhelo Tërbaci s’ka asnjë lidhje me një tjetër Halim Xhelo
nga Kallarati për të cilin këndohet; Halim Xhelo Kallarati/Mos shko poshtë nga
Dukati/Se do të vrasë Murati/Se si ka dalë inati/E ka porsi nga i ati/Halimi që
ri në Çikë/Bën dyfek dita me ditë.
Kalinë
Çipja nga Piluri u vra nga gjermanët ndërsa u conte ushqime e roba partizanëve