Margaritari
Një dallgë u thye mbi shkëmbinj,
por ti s’u çfaqe mes stërkalash.
S’më mbeti gjë. Veç emri yt në zemër
si margaritari brenda një guacke.
. . .
Në qytetin tim
mos e kërkoni.
Dashuria vjen e të gjen vetë.
Të vjen si valë
e si valë të shket.
Vajzat e qytetit tim
Sa shumë vajza
o, sa shumë vajza të bukura ka në qytetin tim
që në hështje kuvendojnë me vetminë.
Kush vallë ua ka vrarë dashurinë?
Kënga e një nate vere
…dashuria është vdekja ime…
dëgjova mbrëmë të këndonte një vajzë.
Sot u gjend e vetëvarur në litar.
Nisje emigranti.
U nisa. E vendlindja ime,
duke tundur shaminë e bardhë të mjegullës
më thotë udhë e mbarë.
Po pse u nxi shamia e bardhë e reve mbi
kodrat e qytetit?
Cili orakull foli?
Çfarë gjëme paratha?
Hëna e gushtit
Ah kjo hën’ e gushtit! Ah kjo hënë
që më la pa gjumë. Po më çmënd
kur vrapon mbi valë e ndjekur nga yjet
siç më ike ti, e ndjekur nga ëndrat.
Ah kjo hën’ e gushtit sa më trëmb !
Si vajzat me skafe, kur ikin me ngut
trëmbem se mos hëna bëhet prostitutë.
Vajza i punon në Milano
...dhe ai ndërtoi në qytet një shtëpi të re.
Të bukur.
Vetëm dritaret i ka pakëz të vogëla. Si sy
të ulur nga turpi.
No comments:
Post a Comment