NË HIMARË, KU DHE ZOTI VJEN I FTUAR
Përsiatje rreth librit “
Guri i rrëndë në vend të vet” të Kristo Çipës
dhe grupit himarjot të
drejtuar prej tij
1-Ndërsa lexoja
librin poetik të Kristo Çipës “Guri i rrëndë në vend të vet”, pikërisht
në momentin kur çfletoja faqen 14, gjatë leximit të vjershës “Jam nga Piluri
mbi dete”, te vargjet …Atje te lisat me hije/ Ku ka selinë perëndia…,
pikërisht aty e gjeta vehten në pozicionin më të çuditshëm që mund ta mendojë
çdo lexues. Në vend që të lexoja qetësisht vargjet, unë i këndoja ato. I
këndoja sipas melodisë të njohur të grupit të Kiço Çipës, grup i cili njihet
si Grupi i Himarës.Unë po e këndoja librin varg pas vargu e vjershë pas
vjershe. Herë duke e vënë vehten në rolin e marësit dhe herë duke
marë rolin e hedhësit me atë…hajde deee… magjike. Dhe më së shumti, duke i
logatur vargjet vetmevete.Ishte hera e parë që më ndodhte kjo, ndajë
mornica më shkuan nëpër trup. Se të nisësh të lexosh e të përfundosh duke
kënduar ato që lexon… dhe aqë e zakonëshme nuk është. S’di pse mu kujtua
fakti se libri i leximit në shkollat fillore quhet libër këndimi, pavarësisht
se s’ka të bëjë fare me nota muzikore dhe me këngë. Por ama, ato zëra fëmijësh,
tek lexojnë në kor fjalët dhe fjalitë, veç me cicërima zogjsh të ngjasojnë. E
këngë më të bukur se ajo e zogjve në pranverë, ju siguroj unë që
nuk është dëgjuar ndonjëherë. Edhe kjo mund të ketë qënë një arsye që Naim
Frashëri dhe rilindasit e tjerë, abetaret që hartonin i quanin thjeshtë;
Këndonjëtorja e…çunave. Gjithsesi, libra për t’u kënduar.
Zvëndësimi i foljes “lexoj” me foljen “këndoj” ose edhe barazvlefshmëria
midis tyre, s’di pse të krijon një ndjenjë kënaqsie dhe mburjeje për
diapazonin harmonik të konceptimeve në gjuhën tonë.
Pse jo edhe si një dëshmi e
lashtësisë së kësaj gjuhe.
Dhe mua, vetëtimthi më erdhi
si një ndihmë edhe kujtimi i asaj fjalës së famëshme të Zhan Zhak
Russoit se gjuhët në lashtësi të thellë kanë qënë këngë para se të
shndroheshin në biseda të folura. Pak a shumë kështu është shprehur
filozofi i madh frances.
Por unë ju them se kur nisa të lexoj librin e Kristos, as që e kisha mëndjen te
ky filozof. Ky mu kujtua vetëm kur e kapa veten “ gafil” në këngë e sipër, në
vënd që të isha në lexim e sipër.Pa e tjerur muhabetin gjatë e gjatë, unë ju
them se nuk kam bërë faj e as gabim. Dhe në rast se ka këtu ndonjë faj apo
gabim, këtë e ka vetëm Kristo Çipa dhe vjershat e tij.
2- Sepse këto vjersha, nuk të
shijojnë kur i lexon. As i ulur në tavolinë të punës dhe as i shtrirë në divan.
Sepse këto, më shumë se sa vjersha apo poezi, janë tekste këngës që vetëm mund
të këndohen nga një grup iso-polifonik. Si ai grupi i Himarës që e drejton vetë
Kristo Çipa. Ashtu po.Vetëm kur e këndon e shijon poezinë e tij. Njësojë si
rakinë e Pilurit more mik, kur e sheh në shishe a në gotë, stë thotë gjë. Por
ama kur e rrëkëllen një dopio me eks atëherë…E po atëherë, i tund njëherë
supet, si shqiponja kur rreh krahët majë shkëmbit, para fluturimit dhe… Dhe
bota është e jotja. Dhe i shpall kësaj bote krenarisht;- Jam nga Piluri me
derte/ Supe lart me krenari/ Trimërinë e kam me vete/ Zgjuarsinë e mbaj në sy.
Në Himarë, vetëm si himarjot mund të jetosh dhe vetëm himarjotshe mund të
këndosh sepse; Këtu në vëndet e mia/Ku dhe zoti vjen i ftuar/…/ Mbretëron
vetëm liria/ Flamur tjetër ska pranuar/Jo mor jo spranon/ Mos e prekni zemrën
tonë/Lulen që ka çel zambaku/ Për flamurin me shqiponjë/Kemi derdhur një
lumë gjaku.
Më pas, me sytë e mëndjes shoh
se si, me atë tundje të lehtë të supeve, të gjithë pjestarët e grupit, afruar
njeri me tjetrin, me një zë, i shpallin botës krenarinë himarjote me
vargjet;- Kjo është Himara që thonë/Dielli përmbi shqiponjë.
Dhe pas kësaj, opo pas kësaj,
në heshtjen e pas stuhishme të këngës, të duken se nisin të ecin malet e
Vetëtimës dhe detyrimisht ti hap rrugën. Se të duket se Kristua të paralajmëron
me vargun aqë të bukur të këngës së Damianit;- Hapu vetëtimë se shkova. Sepse,
kur kalojnë himarjotët, edhe vetëtimat ndërojnë rrugë. Po s’më besoni
mua, pyesni Sulltan Bajazitin që desh la kokën nën shpatën e Damian Himarjotit
kur i sokëlliu pranë çadrës perandorake;- Ku je Sulltan i
oborit/…Ktheu prapa prej Anadolli.Po kini lexuar histori, do ju kujtohet
se edhe vete Qesari i Madh u kërkoi leje himarjotëve që të kalonte nëpër
shtigjet që do ta lejonin e do ja caktonin ata, në ndjekje të Pompeut.Apo
ndoshta do ju kujtohet Homeri i lashtë kur te Odiseja dëshmon
se;-…Përballë është Himara me burrat e saj trima e të papërkulur. Sa për
muhabet, jashtë teme, thotë gjë Homeri për fshatin apo qytetin tuaj. E pra ne;-
Këtu kemi qënë,(që në kohët homerike) e do jemi këtu -deklaron bardi i
Himarës, Kristua ynë.Jo më kot Gjon Kastrioti zbarkoi në Himarë, jo më kot
populli e quajti atë Princi Himarjot, ndonëse;-Erdhe/Po s’kish ardhur
moti/Të nxitoi historia/Djali ynë Gjon Kastrioti / Princ i vendeve të mia.
3-Te lexosh ( këndosh)
vargjet e Kristo Çipës, aqë me tepër kur i dëgjon të kënduara nga
grupi i famshëm himarjot që ai vetë e drejton, ju siguroj unë se është si
të jetosh në një prill të pambarim ( O zot i vërtetë/Mos e mbaro prillin/Dua
vajzërinë…),është si të jetosh një dashuri të furtunëshme, ashtu siç janë
dallgët e detit që përplasen brigjeve. Përplasen e thërmohen nëpër shkëmbenj
e përsëri kthehen me vrull e stërkala. Kristua na thotë se janë
dufet e shpirtit të Vajzës së valëve. Por po të shikosh më me hollësi, në daç tekstin e këngëve në daç edhe melodinë e tyre,
konstaton një gjë;- Këngët (po i quaj këngë edhe këto vjersha të Kristos, sepse
këngë vërtet janë) himarjote kanë më shumë hapërsirë në strukturën dhe
melodinë e tyre, më shumë gjërësi (mu bë zëmra sa shtatë dete -shkruan një
tjetër bard pilurjot), më shumë kaltërsi, në raport me këngët
e trevave të ndryshme, psh të Labërisë, të cilat karakterizohen më tepër
nga kulmet, nga majat. E thënë me fjalë më të thjeshta, himarjotët i këndojnë
më shumë dashurisë sesa heroizmave e trimërive. Më të ëmbëla dhe më
njerëzore janë këngët që i këndohen një vajze të dashuruar, sepse te kjo
dashuri e ka fillesën e saj edhe ajo trimëria e nesërme.Kjo është pasqyrim real
i botës shpirtërore të himarjotit, me shumë gjerësi e thellësi kaltëroshe, me
stërkala të stërpikura si yjet në jetën dhe botkuptimin e tyre. Çdo gjë është e
lidhur me kaltërsinë e detit, mandje dhe zëmërimi e dufi i shpirtit kur çfaqet,
çfaqet si një dallgë e stërmadhe që mbulon çdo gjë e vë përpra çdo pengesë. Dhe
pasi fashitet, brigjeve, buis prilli me lule e këngë zogjsh. Apo këngë himarjotësh, është e njëjta gjë. Këngë që i
këndojnë …dy syve të dashuruar;- Rinë/Që kur bota s’ta pa synë/ Dielli e
hëna mërdhinë… Sepse ata dy sy;- Sytë e mi kobure/ Qëllonin mbi djemtë… Dhe
sikur do të shpallë devizën e kësaj jete himarjote thotë;-Në këtë botë s’rimë/O
miq më besoni/Sa të mbyllim sytë/Puthni,dashuroni.
Dhe po qe se doni të dini kush
është vajza, bardi e e skicon në vargje për ta pikturuar të plotë në melodi kur
thotë;-Moj e vogëla lanete/E bukur si hëna sefte/Si flokë bore në ecje/Me një
tundje perëndeshe/Me ato naze bëre bujë/Mos ma bëj mëndjen rrëmujë.
Krejt ndryshe nga shumë
krijime poetike të kohës së sotme ku vajza e dashuruar pikturohet si një
statuje, e bukur por e ngrirë në pozën e bukurisë, gjer në atë fazë sa që
dyshon se e gjitha kjo është thjeshtë një pjellë fantazie, Kristo Çipa në
veçanti dhe kënga himarjote në tërësi, portretin e vajzës së dashuruar e japin
në lëvizje, në ecje, duke ardhur apo duke ikur kjo është tjetër gjë. Dhe
shpesh herë kjo lëvizje e vajzës, veshur me të kaltërtën e detit është dhe në
zgrip të shtegut a të jetës;- Mos mu çfaq si dallgë Joni/ Labovite xhinde
honi/Në kohën kur qesh limoni/Për avazet që dëgjoni/Shpirtinë mos e
trazoni/Mjegullën mos e kërkoni/Se zemrën time lëndoni/Dhe në vdeksha mos
besoni/ Labovite xhinde honi.
Ky portret dashurie në
ecje, shpesh me vrap e rrallë me çap, ka ndikuar edhe ritmin e melodisë
së këngës. Dhe me që dolëm te ky shteg, unë shpesh kam pyetur veten në se te
kënga himarjote e grupit të Kristo Çipës ka lindur e para melodia e më
pas teksti apo kanë lindur të dyja njekohësisht. Se që të ketë lindur
fillimisht teksti, e më pas melodia, këtë unë e përjashtoj kategorikisht. Dhe
në rast se edhe vetë Kristua do më thotë se ka lindur teksti në fillim, unë do
ti kujtojse ai vete këtë tekst e ka krijuar duke kënduar. Dhe unë do ti kujtoj
atij se vargjet;- Më mbeti syri më mbeti/Te shkalla në anë të detit/U bë gur
ky durim shkreti/Po dhe gur durimi treti…,pra këto vargje vetëm këndohen kur
krijohen dhe pastaj kur të keshë nge ulesh dhe i shkruan.
Kristua e di këtë, e dinë dhe
shokët e tij të grupit, por ju që i lexoni këto radhë, dijëni se perlat e
këngës himarjote kështu kanë lindur, nëpër shpërgej kënge, dhe më pas janë
shkruar. Kështu ka lindur kënga “Moj Katina nina nina”,”Kush
është lule vilajeti” e Nase Benit , kënga “ Nëntëqint e dhjetë viti”dhe shumë e
shumë të tjera.
Ky është procesi i
zakonshëm në laboratorin krijues të bardëve himarjotë.
Doni ta
konkretizojmë edhe njëherë këtë tezë? Le të marim këngën Saranda me
vargjet magjike;-Si shpirti/ Në ëndër/Si qelqi/Me hire/Vetë nëna/Të deshi/
Saranda …Vetë Zoti/Kish zbritur/Mbi valë/Kur ty /Të krijoi/Sarandë.
Stili i këtyre vargjeve të kujton stilin e
tekstit të Neço Mukos, pikërisht te kënga kushtuar Sarandës. Por më brilante,
më elegante. Se sa për melodinë…unë mendoj se atë melodi e ka krijuar vetë
Zoti, aqë e magjishme është. Kristua dhe shokët e tij vetëm sa e kanë kënduar.
Dëgjojeni miqtë e mi dhe ju siguroj që do më jipni të drejtë. Se po dëgjuat
këngën “ Pikë loti moj Fotinë” , ju siguroj që do dridheni siç dridhem unë sa
herë që e dëgjoj. Dhe sidomos kur dëgjoj vargjet;- Yjet u gremisën/ Dhe fatet u
nxinë/Unaz e kurorës/E treti florinë…Lisat na u thanë/U tret Nase Labi/Bie një
këmbanë/Çiftin prêt altari.
Mornica të kalojnë nëpër trup
kur këndohet vargu;-Bijë o Fotinoooooooo, me një zë që ngjitet shigjetë
në qiell, sikur do të godasë atë fat të zi, ardhur nga …qielli, ndoshta, të
çiftit të fejuar Nase Labit dhe Fotinë Spires, çift që i priti më kot altari
sepse …vellon moj Fotinë / E bëre pisqollë..
Dhe pastaj të duket se
një tokmak të godet fortë në kokë e të plandos në shesh te vargjet;- Lug e
verës mori vrer/Pse e mbyllët atë derë.
4-Unë kam shkruar shpesh
herë për grupin e Neço Muko Himarjotit dhe të Lefter Çipës, mandje edhe me një
farë mburjeje. Një farë mburjeje, jo për ata, por për veten time që kollosë të
tillë janë nga viset e mia. Dhe jo shumë larg, pas shtatë maleve, por njeri nip
nga Piluri(Neço Muko) dhe tjetri bashkëfshatar i imi. Unë mburem me ata, por që
të jem i sinqertë me veten dhe me juve, unë kam shumë “borxhe” për të larë,
qoftë me iso-polifoninë himarjote qoftë me kollosët e tjerë të këngës
himarjote. Akoma sju kam thënë asgjë për Koço Çakallin e Pano Kokaveshin,
bashkëpuntorë të Neço Mukos. Por në rast se Neço Muko dhe grupi i tij, kanë
meritën e madhe të të krijimit të “avazit” himarjot, një kollos tjetër
erdhi mote më pas, për ti dhënë elegancën, finesën dhe burrërinë kësaj
kënge. Të dëgjosh këngën “ Vajzë e valeve” të kënduar nga Dhimitër Varfi
dhe grupi i tij himarjot, thua me vete;- O zot! Ta dëgjoj dhe njëherë, pa le të
vdes.Të duket se dëgjon korin e ëngjëjve, ose së paku mua kjo ndjenjë më
pushton sa herë e dëgjoj
Sepse Dhimitër Varfi,
çuditërisht dhe padrejtësisht mbetur në hije, është pikërisht “skulptori që e
lëmoi monumentin himarjot “, duke bërë të duken më bukur në dritën e
diellit finesa e linjave, ngjyra e tingujve dhe në përgjithësi madhështia e
monumentit.
Pastaj erdhi Lefter Çipa
me “Asamblin Pilurjot” i cili i ngjit në majë dhe ska ndërmënd të zbresë ndonjëherë.
Por erdhi një kohë tjetër,
ikën këngëtarët kurbeteve, duke mbartur në trastat e shpirtit këngët e viseve
të mia. Duket se vëndi ngeli shkretë, pa zogj e pa këngë.
Por ja, nga Piluri zbriti në
Himarë një djalë i ri, (për librin e të cilit ju fola më sipër), duke
fërshëllyer një melodi. E dëgjoi një shok i tij, ish pjesmarës i grupit të
Pilurit dhe ju afrua duke fërshëllyer. E po e ka thënë dhe perëndia vetë, që dy
pilurjotë bëjnë një grup iso-polifonik.Njëri marës dhe tjetri kthyes,Kristua
dhe Vasil Mërkuri.
Po
ja që këtij grupi ju shtuan dhe dy gra, Eleni Mërkuri, ish hedhësia e
grupit të Pilurit dhe Eleni Joshi, ish pjestarja e grupit të Himarës. Dhimitraq
Bala, një nga kthyesit më të mirë të iso-polifonisë shqiptare, nuk vonoi të
vinte.Harilla Dhimojani,Qëndro Zeneli dhe Foto Leka erdhën erdhën duke mbajtur
iso , ashtu siç kishin mbajtur vite me radhë në grupin e Himarës,Kuçit dhe të
Kudhësit. Vendim Kapaj, pasi shëtiti në skenat e mbi 40 vendeve të botës
me fyellin e tij,erdhi natyrshëm te ky grup. Thua se janë mbledhur
yjet në një kostelacion.. Por nuk përpiqen këta yje të shkëlqejnë veç e
veç. Shkëlqimin e tyre ja japin këngës, asaj kënge himarjote për të cilën është
folur shumë pak, ndonëse grupi ka marë shumë çmime. E pra,unë mund tju them se,
në rast se grupin e Neço Mukos, të Dhimitër Varfit dhe të Lefter Çipës do ti
vlerësonim si floriri i kurorës himarjote, grupi i Kristo Çipës është pa
dyshimin më të vogël, margaritari i kësaj kurore.
Dëgjojani këngët dhe do më
jipni të drejtë.
No comments:
Post a Comment