NËPER HAPËSIRAT E PAKUFIZUARA TË NJË DUKURIE STUDIMORE
(Refleksione)
Nga Jorgo S. TELO
Po marr shkas e nxitje nga një tërësi studimore e
prodhuar dhe sistemuar me finesë prej autorit Timo Mërkuri, të shtjelloj disa
mendime, pa mëtuar të bëj shkencëtarin apo filozofin e isopolifonisë.
Nuk e pashë të
domosdoshme të ndaloja nëpër gjithë
librat cilësorë të tij, duke u nisur nga mendësia tashmë e njohur, që për të
provuar cilësinë e verës nuk është e thënë të rrëkëllesh gjithë fuçinë.
Kësisoj u
stacionova më së shumti te njëra temë me
tendencë të mirëfilltë studimore prej vëllimit
me sprova “SHENJTËRIA E ISOS” e
pikërisht te shkrimi “Polifoni apo iso-polifoni”, temë kjo që më la mjaft
mbresa të mira për trajtimin e më ka rrëmbyer edhe mua prej kohësh përgjatë
punës sime edhe me folklorin e Zagorisë në tërësi edhe me këngët e vallet e saj
në veçanti.
Kuptova nga
një shfletim i shpejtë se Zagorinë, që ka qenë dhe është një ndër trevat, që
trashëgon e lëvron isopolifoninë disazërëshe, autori Mërkuri me sa duket nuk ka
pasur mundësi ta njohë, por dy zagoritë
që mbajnë më këmbë grupin isopolifonik “JONIANËT”, besoj se i njeh dhe mund ta ketë lkrijuar nje
ide sado të sipërfaqshme edhe për
folklorin zagorit.
Mandej një
studiues i përkushtuar ndaj krijimtarisë dhe deklamimit popullor , siç është
autori , e zgjeron njohjen në vijimësi… siç po ndodh dhe në këtë rast. Sot
mundësitë e njohjes janë të jashtëzakonshme edhe pa qenë nevoja t’u biem
këmbëve…
Nuk doja të
përfitoja për të shtjelluar detaje nga folklori zagorit, por të krijoj bindjen
te dëgjuesit se këto c’ka shtroj si pikëpamje vetiake për studimin e Z. Mërkuri
bazohen sa mbi vëllimet e tij, aq dhe mbi fakte të zhvillimit e produktit
folklorik që njoh më tepër…
Dihet që
brenda folklorit gëlon një gamë e madhe nëntemash e problematikash…
U përqendrova te njëra syresh, brenda
mendësisë “ku dhemb dhembi vete gjuha…”
Kush merret në mënyrë të drejtpërdrejtë me qëmtimin,
grumbullimin dhe improvizimin e vlerave që përbëjnë atë që i themi “Trashëgimi
shpirtërore e popullit”, doemos që nuk mund të durojë pa kapërcyer në stadin e punës studimore lidhur me
çka për zemër…
Nëpërmjet
pyetjeve retortike që hidhen nga autori dhe tezave që shtjellon, lihen të
hapura mundësitë, për t’u thelluar e zgjeruar më tej, qoftë studiuesi vetë,
qoftë studiues e dashamirës të tjerë të folklorit, deri në organizmat përkitëse
që i ndjekin institucionalisht këto probleme…
E quaj të
arsyeshme ta nënvizoj që në krye të herës, për të mos e lënë të anashkaluar në
vijueshmëri një konkluzion që përlindet qyshse ke shfletosur faqet e para të
librave të zotit Timo:
Rresht pas
rreshti detyrohet cilido lexues të ndalojë
paksa për t’i shijuar më me oreks
prurjet e pritshme dhe ato befasuese të autorit përsa u përket jo vetëm
detajeve të shumta brenda tematikës, por edhe një analize të këtyre detajeve që
kanë të bëjnë me isopolifoninë dhe veçanësitë
karakteristike e ngjyrore të saj.
Ngjizur fort me këtë këndvështrim të autorit sprovues, shohim edhe diçka
që nuk spikatet lehtë që me vështrimin e parë.
Dashur pa
dashur apo me vetëdijë të plotë studiuesi i talentuar dhe i përkushtuar Timo,
duke qenë për vete i nginjur dhe i bindur në sharmin e isopolifonisë në tërësi
që përgjithësisht e njeh më mirë, nuk
rreket të shprehë më të qenësishmet deduksione të vetat e të lërë shtigje
gjysmë të çelura për vazhdimësinë e kësaj pune studimore kaq serioze e kaq të dobishme.
Ajo çka më
krijon më tepër mbresë e ma hovëzon shprehjen ka të bëjë me tendencat e autorit
për të shtruar shkoqur mbi tryezën hulumtuese pikëpamjet e veta. E këtë e kryen
herë si bard, herë si bartës dhe herë si rapsod ose më saktë si studiues i mirëfilltë.
Mirëpo unë në
këtë rast, marr shtysë nga një mendim i vetë autorit, për ta zgjeruar disi
kuptimësinë e këtij tubimi. Diku në një parathënie – replikë te libri “Iso, more djema!”, Timoja nënvizon:
“…debatet bëhen për vlera dhe jo për gjëra pa vlerë.”
Sipas
Akademikut Vaso Tole “Iso – Polifonia popullore shqiptare është pranuar si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit.”
dhe është marrë në mbrojtje nga
UNESKO që në 25 nëntor 2005.
Vetëkuptohet
që (citoj muzikologun) “…Këtë arritje e ka merituar isopolifonia popullore
shqiptare, sepse përmban shumë shfaqje dukurish shpirtërore që nxjerrin në pah
vlerat e popullit tonë në shekuj…”
Përderisa tek
librat që i jep autori lexuesit, vlerat janë të shumta e të dallueshme lehtë,
duke u lehtësuar edhe nga “çelësi” i së drejtës së shprehjes së mendimit
ndryshe, që na e jep krejt natyrshëm autori dhe vetë klima demokratike e
shpirtit të lirë, në të cilën veprojmë,
nuk ka arsye pse të mos shprehet edhe ndonjë mendim shtesë apo
kundërshti, sipas pikëpamjes sime e këndvështrimit tim; se kështu edhe sikur mënjanohemi paksa nga
veprimtari rutinë që vetë i kemi
shndërruar në “stampa”, për të deklamuar vetëm suksese, vetëm arritje, sikur
gjithçka brenda e jashtë nesh të lundronte si në vaj…
Është më se e
njohur dhe e kuptueshme tashmë që përgjatë interpretimit të një kënge
isopolifonike disazërëshe zërat mund të jenë të ndryshëm për nga veçoritë individuale të interpretëve,
qoftë atyre kryesorë, qoftë të korpusit që përbëjnë ison apo thënë ndryshe
dyshemenë e këngës. Pra, duke qenë të vetëdijshëm që kemi mbledhur për të
sajuar një grup, dimë dhe cilësinë e ngjyrimin e cilitdo zëri veçmas.
Ama, kur vjen
puna që këta zëra duam t’i kompresojmë në unison, përsa i përket shtratit të
këngës, atëherë duhet medoemos të fiksojmë bindjen, se nuk do kemi më të bëjmë
gjatë interpretimit me zëra specifikë, se do binim në kurthin e një mishmashi
të bezdisshëm për çdo vesh që dëgjon.
Në procesin e
provave hasim ndjeshëm melosin përkitës sipas trevave të isopolifonisë, ku dimë
të dallojmë edhe specifikat që i kanë rrënjët te tradita e hershme. Me të
drejtë vëmë re edhe zhvillimin e dukshëm që ka isopolifonia disazërëshe gjithkund ku ajo ka lulëzuar e lulëzon.
Njëkohësisht
po vërejmë dhimbshëm edhe tendencat për t’u tërhequr nga kjo traditë e
mrekulleshme e brezit të ri, sidomos rinisë shkollore. Në prag të festivalit
të para 4 – 5 viteve të shkuara në
qytetin tonë, rastisi që pashë e dëgjova një grup nxënësish të një shkolle të
mesme, ku, megjithë dëshirën e mirë të një mësueseje, ata stononin
katërcipërisht, mbasi nuk kish
kush t’i drejtonte me kompetencë…
Ndodh si në
një ansambël artistik muzikor, kur ngjajnë stonatura në kundërshti me
partiturën e dirigjentit…
Aftësia e të
kënduarit brenda gardhit të isopolifonisë nis
të kultivohet qysh në familje të cilat e trashëgojnë qëndrueshëm këtë traditë
shumëvlerëshe, vijon me punën në institucionet e argëtimit parashkollor, në ato
të arsimit sipas cikleve e në jetë. Porse pa u futur në shpirt së pari pasioni
e dashuria [ër këtë zhanër të artit njerëzor, nuk arrihen sukseset e duhura…
Kur i lihen
spontaneitetit këto veprimtari, me aq sa ka mundur të mbarti një individ i
caktuar, nuk mund t’i gëzohesh kollaj suksesit.Disa komponentë të isopolifonisë
ngjajnë si të lehtë në dukje. Na kujtohet në këtë çast një mençurore e popullit
tonë: “E lehtë është turçja, por për ata që e dinë…”Po
e konkretizoj këtë dukuri me një ndodhi disi të largët, gjithmonë brenda
përvojës përsonale, pa dashur t’ju mërzis:
Në vitet
’80 I lindi ideja Artistit të Popullit,
koreografit të shquar Panajot Kanaçi të realizonte me femrat e Ansamblit
Shtetëror të Këngëve e valleve vallen karakteristike zagorite, që ne I themi
“sustë” ose “çalthi”…Dhe zgjodhi për të arrtur materializimin e idesë thirrjen
e dy valltareve virtuoze nga grupi i valleve i të rejave të ish shkollës së
mesme Nivan.
Duke qenë
drejtues direkt i kësaj pune në krahinë e në këtë shkollë, këtë herë nuk u
caktua ndonjë bedel nga ish Komiteti Ekzekutiv i rrethit apo komiteti i
partisë, si herë të tjera, por më lanë mua shoqërues të dy valltareve. Pa u
zgjatur ndoqa mënyrën e punës se si profesor Kanaçit punonte me valltaret e ansamblit. Punuan me
stërmundim një javë të tërë dhe ato nuk mundën ta realizojnë vallen tonë kaq të
thjeshtë në dukje, por tepër të vështirë për t’u kërcyer mjeshtërisht. Vetëm
artistja e merituar, Liliana Cingu, me sa kuptova unë, ia arriti 80%. Por kur e
pashë në ekran, si grup ishte për të vënë duart në kokë – një modifikim i
përçmuar. Ndaj dhe nuk është dhënë më ai imitim gjysmak. Kërkesat thelbësore të
drejtuesit të një grupi apo ansambli irsopolifonik vetëkuptphet që janë,
cilësia e zërit, cilësia dhe aftësia e veshit për të kapur e dalluar tingujt
sipas veçorive të këngës e valles së kënduar, aftësia për të mbajtur ritmin,
intonacionin,pa u distancuar nga grupi, rregullimi i frymëmarrjes gjatë të
kënduarit e më së fundi shprehitë interpretative përmes lëvizjeve e forcës
shprehëse të fytyrës.
Është vendi të
përgëzoj autorin për njohjen, qëmtimin dhe analitikën me seriozitet që u bën
problemeve të isopolifonisë, duke lënë të çelura qafat dhe grykat për të hyrë
sa më tepër studiues në luginën gjelbwroshe tw isopolifonisw popullore, ku nuk
shter zëri i bilbilave e kanarinave të kwngwrimit shpirtwror kombëtar.Nuk kam
si të kundërshtoj tezat që jep Timoja për gërshetimin e zërave te isopolifonia
dhe mbështetja reciproke që bëjnë këta zëra në dobi të së tërës…
Jam përkrahës
i mendimit të tij lidhur me togfjalshin e pamotivuar isopolifoni labe, kur dihet që
diapazoni i isopolifonisë i tejkalon kufinjtë dhe ka shtrirje mjaft të gjërë.
Diçka që përbën dallimet brendapërbrenda isopolifonisë disazërëshe mendoj se ia
vlen të përmenden: Kësisoj, duke u kapur pas elementëve thelbësorë të çdo
grupi, arrijmë të dallojmë mjaft lehtë mënyrën e të kthyerit të këngëve të
Bregut nga ato të Hormovës, Zhapokikës,
Lazaratit, minoritetit, Zagorisw, zonës së Maleshovës etj. Vetëm duke u kapur
nga të kthyerit, hedhja apo pritja e këngës arrihet të përcaktohet se nga cila
trevë ajo vjen në shpirtin tonë të etur.
Edhe nga lloji
i isos konstatohen lehtë ndryshimet e
deklamimit të isopolifonisë disazërëshe midis trevave të ndryshme. Kështu ka
zona ku tingulli zanor bazë evidentohet pa e shqiptuar fare tekstin e këngës,
kurse zona jonë e zona të tjera tingujt
zanorë sipas rimimit të vargjeve i artikulojnë mbyturazi. Ka dhe raste që te
këngët pllakateske isopolifonike isoja del
gati recitative, sepse synohet të evidentohen më së pari fjalët. Këtë e kemi vënë re te disa këngë të grupit karakteristik të
Bençës e sidomos te grupe fëmijësh, ku gati – gati duket sikur tentohet drejt
këngës monofonike apo recitative.
Në veçoritë
dalluese midis trevave dhe grupeve isopolifonike kushdo mund të zgjerohet
shumë, por nuk do donim të mërzisnim auditorin.
Jemi të vetëdijshëm se së paku pjesëmarrësit e kësaj veprimtarie, i
marrin me mend ato që nuk i shtjellojmë gjerësisht për t’i dhënë kohë
falënderimit tonë për punën e palodhur e me mjaft efikasitet që ka kryer z.
Timo Mërkuri, duke e inkurajuar zotërinë
për mosshterim të aktivitetit studimor e krijues dhe domosdo edhe për
shëndet sa më optimal në dobi të vetes e të shoqërisë.
No comments:
Post a Comment