UNË DO TA SHIKOJ FUNDIN E DETIT…
Nga cikli “Kur flasim për Artin Jonian”…
…për vëllimin “Mos e shiko fundin e detit” të poetit Andrea Zarballa
1-Pata lexuar me kureshtje
historinë e poetit grek Janis Ricos, që i internuar në ishullin
Makronizos, groposi në një shishe poezitë e tij, të shkruara në atë ishull të
shkretë. Ishin disa dhjetra poezi, që po ti binin në dorë juntës
ushtarake të kolonelëve, ato fije letre ku qenë shkruar do
shndroheshin në litar rreth qafës së poetit. Heshtja e shpëtoi poetin dhe
poezitë e panë dritën e botimit vetëm pas rrëzimit të juntës. E lexova dhe e
admirova Janis Ricos, jo vetëm si poet. Edhe ky fakt ndikoi tek unë që shumë
nga poezitë e tij ti mësoja përmëndësh, ti recitoja e ti citoja edhe nëpër
biseda me miqtë.
Por ndërsa admiroja
Janis Ricos, kursesi nuk më shkonte ndër mënd se të njëtin akt po kryente dhe
një miku im, duke groposur po në një shishe, në vendlindjen e tij, në Llazat të
Sarandës, jo disa poezi, por një vëllim të tërë poetik. Do mjaftonin
vetëm publikimi i dy-tri vargjeve të ndonjë poezie të këtij vëllimi, që miku im
ta quante veten fatlum, po qe se …do dënohej vetëm me… burgim të
përjetshëm, ose siç quhej atëherë, të dënohej me…101 vjet, duke shpëtuar kështu
nga litari ose skuadra e pushkatimit. Sepse lejtmotivi poetik ishte
gdhendur dukshëm te vargjet rrënkuese : O zot, them se do të durrojmë,
ishte i lexueshëm te … krahët e zogjve të hapura si kryqe.
Ishin ditët kur fushave
të Vurgut rendnin si ujqit në dimër, gazet e degës së diktaturës.
Të uritur për të shqyer
…intelektualët minoritarë. Vetëm e vetëm pse guxonin…të ëndëronin. Duheshin
shkulur ëndërat, që hendeku i frikës të ishte sa më i thellë.
…Ku të shkoj?Asnjë
portë nuk më prêt/ Para pragjeve frika ka
hapur një hendek të thellë/si hendeqet rreth kështjellave mesjetare. …Të gjithë
mund të jenë spiunë…
Do mjaftonin të
lexoheshin këto vargje si dëshmi në gjyq, që trikëmbëshi të ngrihej… edhe tri
këmbë më i lartë. Se po qe se do lexohej poezia Pemë dimri me vargjet akuzë….Vrasin
gjyshërit tanë që vdiqën në shekuj/vrasin fëmijët tanë që nuk kanë lindur
akoma…”Si na vrasin kështu/ dhe ne bëjmë sikur nuk i dëgjojmë armët…,
atëherë poeti do ishte vërtet fatlum, në qoftë se do ti gjendeshin eshtrat
diku, në ndonjë rrëpirë mote e mote më von.
2-Por miku im, një natë
dimri, nën shikimin plot dhimshuri të së shoqes, i groposi poezitë
pranë një rrënje ulliri, duke shpëtuar kështu poezitë dhe veten, duke
shpëtuar kështru diçka shumë të madhe, duke shpëtuar poetin njeri dhe njeriun
poet. Ishte e vështirë kjo groposje, ishte shumë e rëndë kjo varrosje. Se nuk
ishte fjala për groposjen e një shisheje me disa fletë fletoreje të shkruara me
një shkrim të imët, brenda saj. Në atë shishe ishtin futur vetë ëndërat e
poetit, ato filiza ëndrash që s’mund të bulëzonin në atë dimër diktature. Në
atë shishe ishte futur shpirti i poetit, thua se s’kishte vend për të mbi dhe.
Aty ishte zemra e tij dhe mendoni pak, ju lutem, aktin e
groposje-varosjes së zemrës. Është e thjeshtë të varosësh këdo, sado të dashur
e të afërt ta keshë, por të varosësh zemrën tënde, të vetëvarosesh dhe ta
mendosh është …lemeri..
Tashmë ai vërtitej
rrugëve …i ftohtë, ftohtësi që shumë miq të tij e kujtonin si një
reagim normal ndaj dhimbjes së madhe, shkaktuar nga largimi nga kjo jetë
i së shoqes.
3-Shumë vite më von, pas
rrëzimit të diktaturës, e shoqja zbriti nga qielli një mbrëmje vere dhe
si zakonisht, u ul në ëndrat e tij, duke i kujtuar edhe
vendgroposjen e poezive. Dhe miku im, si për të çuar në vend ritualin e
mundimshëm të ecjes drejt Golgothasë, i botoi poezitë në një vëllim me një
titull të lemerishëm, që të kujtonte dënimet e përjetëshme, “101 poezi
dhe një grusht dhe”. Shumë kollaj lexohet: Të dënuarit me 101 (burgim i
përjetshëm) ti hedhim një grusht dhe mbi…var(gje).
Enigma vijoi edhe me
faktin se libri u botua në Athinë dhe poezitë ishin në gjuhën greke, por kjo
ishte një enigmë për ne, jo më për artin.
Tashmë poezitë ishin… ringjallur.
Shumë pak veta e dinë
këtë histori të mikut tim Andrea Zarballa, dhe unë vendosa ta tregoj për ju,
sot që nisa të flas për librin e tij poetik “Mos e shiko fundin e detit”
ku ndodhen edhe një numër i madh i poezive të …ringjallura.
Vendosa të flas edhe për
këtë fakt, sepse unë, ndryshe nga sa porosit poeti, dua ta shikoj …fundin e
detit.
4-Unë, ndryshe nga disa
studiues dhe lexues të poezive të Andrea Zarballas nuk do të flas për
simbolikën e pemës në krijimet e tij, ndonëse kjo simbolikë është e
pranishmë kudo nëpër vargjet e tij, si rrepet në brigjet e lumenjve, si
ullinjtë në brigjet e deteve a në prag të shtëpive tona.
…i groposi poezitë pranë
një rrënje ulliri…
Po të lexosh vargjet …Ullinjtë tanë nuk
janë pemë/janë gjyshërit tanë/të rrudhosur/ shekullorë. Nuk kanë ndërmënd të
ikin nga kjo jetë…atëherë e kupton se poeti, poezitë nuk i varosi në
harrim, por “ua dha” për ti ruajtur, për ti mbajtur fshehur, këta gjyshër
shekullorë. Ashtu siç ruajnë rëndom gjyshërit lodrat e rezikëshme apo armët e
nipërve rebelë.
Sepse pemët gjithmon e
kanë dashur poetin…Në më zëntë stuhia udhëtimeve/Vendlindja më nxjer një
lis për çadër…sepse pemët janë më shumë se një simbolikë te poeti (Likurgu…duhej
të vdiste në një tokë tjetër/që në Spartë të rrënjoseshin ligjet si ullinjtë),
sepse pemët pasqyrojnë ligjësinë humane të natyrës, përkundër agresivitetit
njerëzor (Molla nuk i shtyn gardhet të zgjerojë kopështin/Mëndja e
saj ditë e natë është te kokrat)..
Unë nuk do të flas për
simbolikën e pemëve si studiuesi P.Barka, (me disa përkthime të të
cilit nga vëllimi “101 poezi dhe një grusht dhe” jam konsultuar dhe madje
i kam cituar në këtë shkrim) i cili analizon funksionet poetike dhe
estetike si dhe funksionin e shumëfishtë në realitet të rrënjës së pemës në
raport me tokën etj etj, dhe as do theksoj konstatimin se te poezia
e Zarballasë, poeti edhe veten e personifikon me një pemë, me një
lis, të cilit erozionet e kohës i kanë nxjerrë rënjët: Kur i lidhje
duart rreth qafës sime /varem te siguria, thoshje/nuk besoje se vareshe te nje
lis rrënjëdalë, ose…Durimi ynë bëhet rrapi i ngulur thellë bri
brigjeve të lumenjve/krenaria qipariz…
5-Unë nuk do të flas sot
as për “detin” në poezinë e Andrea Zarballait, ndonëse në krijimtarinë e tij
deti është shtrirë në të në mënyrë të tillë, që titujt e vjershave
ngjajnë së largu si varka peshkatarësh pas një gjuetie të bollëshme….E
ndjej/deti u shtri pambarimisht brenda meje/Disa gjëra i nxori në anë si
lëvore/Ca të tjera i hodhi fare jashtë jetës sime…
Madje, jo vetëm kaqë,
por vetë motivet duket sikur frymojnë vetëm ndaj pranisë së “erës” së
detit nëpër to. …Shamitë dropullite janë si vela të bardha/dhe Dropulli
lundron/ mer zvarë spirancën,zvarë kavot…shkruan poeti në një poezi, dhe
po mos ta dishë gjeografinë, lehtësisht mund ta kujtosh Dropullin
si ndonjë fshat bregdetar.
…Afrohu dhe
pak, edhe pak/të kap një degë prej ullinjve të tu/të përkëdhel çatitë e
shtëpive të tua/….Pse u ndale si një anie e murme tejë në det të hapur?!
shkruan në poezinë “Korfuzi” duke i dhënë “jetën e detit” edhe një
ishulli.
Unë mund tju citoja dhe
magjinë e guackave detare …Më thuaj,mos kërkon/guackën që i fryjnë, i
fryjnë dhe dalka dashuria…apo faktin se …udhëtimin për në botën
tjetër/do ta nis
nga deti..
Mund tju flisja edhe për
faktin se, si një dallgë e stërmadhe u përplas në vetëdijen time poezia
“Argjend”, kushtuar poetit të talentuar, të ndjerit Spiro Llajo me vargjet…Si
s’i dëgjove pulëbardhat/që thyen sqepat duke të trokitur në dritare/aqë sa u
tremb maçoku yt dhe vrapoi duke mjaullitur/deri sa u ul në gjunjët e shën
Pjetrit?…poezi që më shkaktoi një vullkan kujtimesh për këtë mikun tim të
rinisë.
6-Por unë nuk do
të flas sot për “detin” dhe kaltërsinë e tij në poezinë e Andrea Zarballait,
për valët e pulëbardhat përmbi to.Unë do të shkoj më tejë se syprina e
tij e ndritëshme, ku me varkën e hënës shëtisin yjet si adoloshentë të
papërmbajtshëm.
Unë do të shikoj
fundin e detit dhe si bir i bregdetit, do flas për ato
rryma detare të cilat, jo vetëm që krijojnë dallgët e detit,
por mbartin në vetvete dhe atë muzikë magjike, ku bën pjesë edhe
kënga e sirenave.
Sepse duhet të dini,
që janë pikërisht këto rryma të thellësive, ato që krijojnë florën dhe
faunën detare, të ndryshme nga njëri det në tjetrin. Janë këto rryma detare që
shkëmbinjtë e disa deteve i veshin me korale magjike apo ku pinat
ritin brenda vetes margaritarët, ndërkohë që shkëmbinjve të deteve fqinjë
riten algat, si qimet në fytyrën e të vdekurit.
Ashtu siç ka deti
rymat e thellësive, ashtu dhe Arti Jonian ka rrymat e thellësive të
tij…
Prandaj dhe unë dua të
shikoj fundin e detit, aty ku kalojnë rrymat, ku pinat si gra
shtatëzëna ritin brenda vetes margaritarët, aty ku pranë anieve të
mbytura, koralet lëkunden si vajtoret në mort.
7-…Qysh në
momentin që lexova titullin e librit “Mos e shiko fundin e
detit”, në mënyrë të pavetëdijëshme shtova grupzanoren “oi,oi”. Mos u
habitni pse vargu i mësipërm i shoqëruar me grupzanoren e përmëndur, nuk
është gjë tjetër veçse një varg vajtimi, i cili lexohet (vajtohet) i plotë… Mos
e vështro fundin e detit, oi, oi, i ngjashëm me
vajtimet e njohura të viseve tona…mos shko nëpër varre (Hanko), mos i prek
plagët e djalit…etj etj.
Dhe si për ta vazhduar
këtë konstatim, poezia “Anijet e mbytura” mbyllet me vargun tejet të
trishtueshëm … Mu mbush fundi i shpirtit me gjemi të mbytura…ku
lehtësisht mund të shtosh edhe këtu grupzanoren oi,oi dhe duke e
rivendosur kështu gjithë poezinë në një shtrat muzikor vajtimi.
Le të lexojmë poezinë
Guriçkat e cila në këtë koncept është një simfoni dhimbjeje.
…Deti i Litohorit
pikturonte gjithë ditën guriçkat/nuk e dinte se Meri, që i mblidhte, kishte
ikur/ Përderisa detrat e tjera ia kanë fshehur/as unë sia tregova/se mos
trishtohej dhe humbiste përgjithnjë ngjyrat e tij.
Ju ftoj të
riktheheni leximit të kësaj poezie(dhe jo vetëm kësaj) të Andrea Zarballait dhe
njëherë, jo si poet, jo si studiues por me një këndvështrim tjetër,
thjeshtë njerëzor. Do konstatoni menjëherë faktin se këto vargje janë lehtësisht
të këndueshme (përfshi këtu edhe vajtimin), sepse janë plot melodi. Më vjen keq
që unë s’jam kompozitor, por ju lutem të gjeni ju një kompozitor të zotin, që
të zbulojë (jo të vendosë) brenda tyre notat muzikore dhe ti hedhë në
pentagram, ( pak a shumë atë që bëri Miki Teodoraqis me “18 distikë për atdheun
e varfër” të Janis Ricos), dhe ju siguroj që do kemi kryevepra.
Sigurisht që unë do t’i
rekomandoja që të kompozonte edhe poezinë “Gjumi” me vargjet
që pikojnë dhimbje nëpër zanore…Përse të thosha se i ngjan një
sanalleje/që udhëton detrave të bardha të çarçafëve?/ Dhe ti, për hatrin
tim, ke fjetur përgjithnjë.
(Me kompozim në këtë
rast nuk nënkuptoj hedhjen e vargjeve në nota pentagrami, por zbulimin e
këtyre notave dhe të kësaj muzike brenda vargjeve dhe nxjerrjen në pah të kësaj
melodie).
Sepse po tua lexoj këtë
poezi grave dhe plakave të fshatit tim, ato pa e ditur se kush është Meri apo
Andrea dhe cila është historia e dhimbëshme e tyre, do ti shndronin këto vargje
lehtësisht në një vajtim që do bënte të dridhej dhe guri. Sigurisht duke
e ngritur zërin një oktavë më lart te ligjërimi i vargut të fundit…Dhe
ti…ke fjetur përgjithnjë, ( moj bijë). Oi,oi,
E njëjta strukturë
poetiko-muzikore që të kujton zhaurrimën e valëve të detit është dhe te poezia
“Zogj shtegëtarë”…Zogjtë shtegëtarë kaluan mbi stere/kaluan mbi det/me
flatrat të hapura si kryqe….Ku po shkojnë me kaqë ngut këto kryqe/në cilin cep
të botës u hapën rishtazi vareza? Që nga vargu i parë gjer tek i fundit
gërmat ngjajnë si nota mbi pentagram, duke e bërë më të thellë dhimbjen që
poeti i përcjell lexuesit.
A nuk tingëllon si
melodi e trishtuar klarinete poezia “Sheshet e valleve”? Le
ta lexojmë bashkë….Poshtë barit që mbiu në sheshet e valleve/është varosur
klarineta… Poshtë barit që u rit në sheshet e valleve/janë hiret e
vashave/kërcimet e djelmoshave/ dhe sehiri i njelmët i pleqve…
Por muzika në poezinë e
Andreas nuk është vetëm e trishtuar. Provojmë të lexojmë qetësisht poezinë “Jam
këtu”…me vargjet….Po të dua dëfrim/ sjell detin në dritarezën time/që të
luajë pambarim basot e tij. Vë erën në lisat e Dumës, në pyjet e Dhrovjanit /
të dirigjojë një orkestër me flaute dhe fyej. Më sjell një lëndinë me njëmijë
zile/një luginë me njëmijë këmborë/dhe Panin me cule e dyjare/të hidhet, të
përdridhet në mes të kopeve…
A nuk e ndjeni muzikën
nëpër vargje kur del
nga gryka e zanoreve si nga fyelli. Dhe të vjen të fërshëllesh melodinë e
gëzueshme që vetëm shpirti e kap dhe e ndjen, sepse vetëm ai di ta lexojë
pentagramin e Artit Jonian, gdhëndur nëpër vargje poezie.
Sigurisht,
instiktivisht.
Por gjithsesi,
mjeshtërisht.
8-Unë do ta shikoj
fundin e detit edhe sepse aty ndodhet dashuria e poetit për
Merin e magjishme, e vetmja dhe e pazvëndësueshmja dashuri e poetit, që dhe
sot, dhjetëvjeçarë pas vdekjes, rritet e rritet si
margaritari brenda pinave, duke zbukuruar emrin dhe kujtimin e
saj.E pra, çdo femër do ishte e lumtur po ta mbante këtë margaritar
qoftë dhe një ditë mbi flokët apo mbi emrin e vetë.
Por ai margaritar ritet
e ritet vetëm për Merin dhe neve s’na ngelet gjë tjetër veçse ta shohim
me admirim.
Dhe me zili, sigurisht.
9-Prandaj unë do ta
shikoj fundin e detit, o Andrea Zarballa.
Patjetër që do ta
shikoj.
No comments:
Post a Comment