Friday 24 April 2020

TINGËLLIMAT E VETMISË


Timo Mërkuri

TINGËLLIMAT E VETMISË

Mbi librin me sonete në proces botimi “Shtjellë e vetmisë” të Anton Nikë Berishës.


Dimë që fjala “sonet” rrjedh nga fjala italiane “soneto” dhe nënkupton një “këngë të vogël” dhe se fjala e origjinës “sonetto” përkthehet “tingull”, prandaj sonetet quhen edhe “tingëllima”. Shtojmë faktin që “soneti” në letërsinë evropiane është përhapur në saj të poezisë italiane dhe sidomos pas suksesit shpërthyes të veprës “Il Canzoniere” të Françesko Petrarkës. Teknikisht soneti shpjegohet si një vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme.
Në letërsinë evropiane njihen sonetet e Petrarkës dhe të Shekspirit si kulme të kësaj gjinie, madje me termat “sonet petrarkian” dhe “sonet shekspirian” përdoren sepse Petrarka dhe Shekspiri përfaqësojnë dy format e ndryshme të soneteve të krijuara në Evropë. Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete që u botuan në vëllimin poetik “Il Canzoniere” ndërsa Shekspiri ka shkruar gjithsej 154 sonete rreth vitit 1590 dhe 1600.
Në letërsinë shqipe soneti është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim i letërsisë italiane me krijimet e L. De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër Shantoja, Ernest Koliqi etj. duke arritur kulmin me Ndre Mjedën në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”.
Mjeda realisht ka përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian, por që dalë prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe shqiptare.

Të shkruarit me “tingëllima”, “sonete” kërkon një përvoje poetike në një nivel të arirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik. Për këtë arsye Petrarka apo Shekspiri dhe pas tyre poetë të tjerë e kanë përdorur “sonetin” për të treguar “nivelin superior”, “superioritetin e arrirë” të tyre poetik. Përvoja e deritanishme ka treguar se jo çdo poet arrin të krijojë “sonete” të një niveli të admirueshëm artistik.
Sikur të mos mjaftonte vështirësia e krijimit, sonetet për vetë natyrën e tyre kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën masive të soneteve në letërsinë bashkëkohore.
Pikërisht në këtë kohë mungese, kur gati po harrohet “shija e lartë artistike” e “soneteve” krijuesi i shumanshëm Anton Nikë Berisha befason duke shkruar e dorëzuar te Shtëpia Botuese “Argeta LMG” Tiranë librin me sonete “Shtjellë e vetmisë”. Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht në një nivel më të lartë artistik, por pa iu larguar vetvetes. “Është një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerë siç do shprehej Martin Camaj”... më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore e ka përballuar denjësisht vështirësinë e shkrimit të “soneteve”, duke na dhënë 35 krijime brilante që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë shqipe, duke mbushur njëkohësisht edhe një boshësi në letërsinë tonë bashkëkohore.
Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i Anton Nikë Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit, por është një trëndafilishte e vogël me 35 trëndafila të porsaçelur në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhap aromën e rinisë së saj.
Ka edhe një anë tjetër interesante ky libër në proces botimi: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ja adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit tanë ia dedikuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete ia adreson filozofikisht ndjenjës (Shtjellave) të ...”Vetmisë”. “Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një shpëtim i mrekullueshëm” citon autori Bernardo Bertoluçi ose Fabricio Karamanja (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: “vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjë breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”.
Me pak fjalë - thotë autori në parathënien e tij - vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore... Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar. Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme. Përngjan në lavdinë: duhet të mbahet gjithmonë nën përkujdesje, të mbahet në zapt për të mos marrë përmasa të mëdha, për të mos mbisunduar mbi dukuritë e tjera të njeriut për arsye se mund të shkaktojë pasoja. Thuhet se është më e tmerrshme se vdekja!...(f. 6).
Dhe unë që e shihja vetminë gri, si një meditim e qëndrim të mënjanuar, nuk di në bëra mirë apo keq që lexova këto “sonete” të bukura. Kam frikë mos “bie në dashuri” me vetminë, sidomos kur lexoj vargje të tilla si: Krijesë e hirit hyjnor përftuar urtisht/nga mendja e të Tejlartit, Zotynë/ që i dha jetë fjalës, të menduarit (f. 14); Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes / si të veprohet më lehtë, sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin apo e ëndërron (f. 33), Ti e ndez etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë (f. 32), Mbretëreshë që i mjafton vetvetes, / çiltëria vetë është pasuria jote, /shprehur me zë o me heshtje të plotë/që dëshmohet me shenja të veçanta(f. 17).
Është një vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në leximin e vargjeve, kërkon meditim mbi vargjet për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargje dhe mbi të gjitha kërkon një kulturë leximi dhe një nivel të lartë kulturor të lexuesit. Vetëm atëherë mund ta ndjesh finesën artistike, aromën dehëse poetike dhe elegancën e ecjes së mendimit nëpër vargje. Te ky libër shprehja “poezia është për elitën” shndërrohet në formulimin “sonetet janë për superelitën”.
Unë mund t’ju them se leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumëngjyrëshe shikimit tonë poetik.

Sarandë, më 23 Prill 2020

Monday 13 April 2020

Shtrati iliro-pellazgjik i një balade të vonëshme..



Shtrati iliro-pellazgjik i një balade të vonëshme..
Sprovë

Nga Timo Mërkuri

Është fjala për baladën  aq të njohur dhe të kënduar në gjithë zonën e Toskërisë “Po vjen lumi turbull-o” me një tekst tepër konçiz e drithërues me vargjet…Po vjen lumi turbull-o/ Turbull lumi turbull-o/ Bjen një djal’ të mbytur-o/ Turbull lumi turbull-o/Del e jëma bregut-o/ Turbull lumi turbull-o/Dhe i lutet lumit-o/Turbull lumi turbull-o/O lumë të keqen-o/ Turbull lumi turbull-o/Nxirma djalin zallit-o/Turbull lumi turbull-o/Se e kam të vetëm-o/ Turbull lumi turbull-o/…
   1- Në fakt, duke marë shkas nga një poemë baladeske e Petrit Rukës[1], mbi motivet e kësaj balade kam shkruar një esse të publikuar në 06.10.2016 në një sërrë portalesh, madje e përfshiva edhe te libri im “Identiteti iso-polifonik”, por në këtë shkrim  kisha si synim  të argumentoja faktin se kjo baladë, ndërsa ka lindur si vajtim, pasi ka “kapërcyer ylberin e artit gojor popullor” ka mbritur në kohën tonë si këngë iso-polifonike, duke dëshmuar kështu ligjësinë se …kënga iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi”, madje e mbyll shkrimin me shprehjen Gjithmon kemi thënë se kënga jonë iso-polifonike ka lindur nga vaji. Por ja që kjo poezi e Petrit Rukës na tregon se edhe  poezia mund të ritet mbi vajtimin, ashtu si një manushaqe mbin e ritet mbi trupin zgërbonjë të një lisi të rrëzuar[2]…Pikërisht te kjo ligjësi e shndrimit të  vajtimit në këngë duhet kërkuar edhe arsyeja se pse kjo baladë këngë-vaj haset vetëm në trevat iso-polifonike të vendit që  korespondojnë me zonat aktuale të Toskërisë.
      2- Duke e vrojtuar me vëmëndje tekstin e kësaj balade konstatojmë se përbëhet nga dy pjesë të ndryshme, të bashkuara në një të vetme në procesin e shndrimit të saj në baladë. Realisht teksti i baladës  përbëhet nga vajtimi i nënës së djalit të mbytur dhe që përmban vargjet O lumë të keqen-o/ /Nxirma djalin zallit-o/ Se e kam të vetëm-o… ndërsa pjesa tjetër që përbëhet nga vargjet… Po vjen lumi turbull-o// Bjen një djal’ të mbytur-o//Del e jëma bregut-o/ /Dhe i lutet lumit-o…është vajtim i një vajtoreje tjetër të pranishme në mort (kemi thënë që populli ynë edhe vajtimin e bën kolektivisht. Asnjëherë nëna e të ndjerit nuk lihet vetëm në vajtim por shoqërohet dhe alternohet në vaj nga vajtore të tjera, të afërme, bashkëfshatare apo miqësi) cila ka dëgjuar më parë vajtimin e nënës së djalit dhe në vajtimin e saj  ravijëzon lëvizjet e saj deri në momentin që ajo nis vajin. Pra, vajtimi i nënës, që realisht ka ndodhur në periudhë kohore (orë, ditë, javë etj) më parë kalon në “skalion” të dytë të vajtimi e për pasojë të baladës duke i lënë vendin në nisje vajtimit ttë vajtores tjetër, në respekt të llogjikës së balladës që nis e tregon ngjarjen në krye e më pas vajtimin e nënës. Vargu refren… Turbull lumi turbull-o…realizon lidhjen organike të dy vajtimeve. Realisht edhe ky varg është pjesë e vajtimit të vajtores së dytë por duke qënë se është një varg ideal për gjithë atmosferën e turbullt mortore është e vështirë ta dallosh origjinën e tij mes dy vajtimeve. Ky bashkim i këtyre dy vajtimeve  mund të jetë bërë edhe në ditët e mortit nga një vajtore e tretë (dhe kjo është më e mundëshme) ose në një mort tjetër të ngjashëm. Hipotezimi se mund të jetë bërë bashkimi në momentin e shndrimit të vajtimit në këngë është një hipotezim dytësor për arsye se te kjo baladë nuk shihen ndërhyrje të artit gojor popullor. E vetmja ndërhyrje në tekst është bërë në periudhën e trysnisë turke ku vargu…bjen një djal të mbytur-o…, ose …bjen një trim të mbytur-o…është shndruar në …bjen një bej të mbytur-o… Realisht ky ndryshim përfshin vetëm një fjalë dhe pikërisht fjalën …”djalë, trim” me fjalën “bej”, por duke qënë se fjala “bej” është titull fisnikërie në shoqërinë myslimane, ky zvëndësim është bërë shumë lehtë për arsye se i jep një ngjyrim “fisnikërie” djalit të mbytur.
     3- Në këtë kontekst edhe vargjet e poemës baladeske të Petrit Rukës janë në përputhje të plotë me ligjësinë e vajtimit të popullit tonë dhe të shndrimit të tij në baladë (këngë) të kënduar. Prandaj janë kaq të suksesëshme krijimet  poetike me bazë baladeske të Petrit Rukës.   
       4-Por kjo baladë, ndërsa dëshmon ligjësinë e shndrimit të vajtimit në këngë mbart në nënvete një shtrat iliro-pellazgjik thurur me rite e doke zakonore tipike shqiptare që dëshmojnë më së pari lashtësinë e etnitetit tonë dhe kulturën e tij zakonore.
        Le ta shohim në një mënyrë më prozaike subjektin e baladës…një lumë i turbullt që po sjell nëpër valët e tij një djalë të mbytur dhe një nënë që vrapon bregut duke ju lutur lumit që ta nxjerrë në zall (breg) trupin e të birit të saj të vetëm…Le ta pranojmë të gjithë se sado me gjakftohtësi që ta lexosh këtë tekst, mornica e drithërima ta përshkrojnë  trupin dhe lotët struken nën qepallat e syve ndërsa logatjen e ke në majë të buzëve, madje  më lehtë e logat se sa e lexon. Kaq shumë dhimbje ka të grumbulluar në këto shtatë vargje teksti dhee një varg refreni sa që prodhon një tension të jashtëzakonshëm ashtu si bërthama e uraniumit  ka grumbulluar “kataklizmonë” te bomba atomike. Është dhimbja e nënës për të birin, një zjarr e llavë shpirti që shkenca s’ka aritur ta zbërthejë dot e jo më ta riprodhojë.
       5- Për të kuptuar shtratin iliro-pellazgjiko të kësaj balade le të shohim  vargjet e saj…Del e jëma bregut-o/Turbull lumi turbull-o/ Dhe i lutet lumit-o/ Turbull lumi turbull-o/O lumë të keqen-o/ Turbull lumi turbull-o/Nxirma djalin zallit-o…Në dukje është një gjë e thjeshtë, një nënë (qënie e arsyeshme) e tronditur nis i lutet lumit (një produkt, fenomen  natyror pa arsye dhe llogjikë) që të nxjerrë nga valët e tij (lumit) trupin e të birit (të vetëm) të mbytur dhe tja japë asaj (nënës) sepse ajo e ka djalë të vetëm. Në pamje të parë duket sikur nëna është tronditur kaqë shumë nga dhimbja sa që do ketë pësuar ndonjë goditje në tru, ndaj nis e flet me lumin. Kjo është dukja e parë por unë ju them e ju dëshmoj me betim hyjnor se kjo nënë nuk është e “goditur në tru” ndonëse është e goditur tejpërtej në shpirt. Ajo thjeshtë respekton një besim të saj, besim të stërlashtë  iliro-pellazg sipas të cilit edhe toka ishte një qënie me shpirt, si njeriu e jo më lumi që edhe ecte nga një vend në tjetrin me zhurmë vale  e oshëtima. Madje lumi Vjosa sipas besimeve të herëshme shqiptare ishte një lumë i shënjtë dhe për ‘të janë thurur shumë legjenda. Ky lumë është personifikuar me një perëndi në skulpturë[3] nëpërmjet figurës së një plaku të shtrirë e të mbështetur në krahun e djathtë, me flokë deri te supet, me mjekër të dendur[4]. E parë në këtë konteks, nëna fatkeqe i lutet një perëndie që ti kthejë djalin që ajo (perëndia, ai) i ka marë[5]. Dhe duke qënë perëndi, ai (lumi)[6] ishte i aftë t’ja kthente të gjallë të birin. Kjo bindje e nënës nënkuptohet  sepse i biri akoma nuk e kishte kaluar lumin e Anakerontit (lumin e të vdekurve që Karonti me varkën e tij i çonte në Had) pasi ajo (nëna) nuk i kishte dhënë të birit me vete ovullat (taksën) e Karontit.
       6-Është interesant fakti se lutja e saj tingëllon si një lutje drejtuar një perëndie mashkull pavarësisht se emri Vjosa është femëror. Kjo, veç sa na sqaron në shkrimin e cituar M.Zeqo mbi ndryshimin mes gjinisë dhe emrit të lumenjve në Shqipëri, na jep mundësi që të përcaktojmë se epoka që cilëson balada  është patriarkati. Përgjithësisht baladat shqiptare cilësojnë fundin e matriarkatit dhe fillimin e patriarkatit, por kjo legjendë cilëson periudhën e patriarkatit  dhe më saktë kohën e instalimit  perëndive të Dodonës në jetën shqiptare.
         7-Në qoftë se dikush do pyesë se si shpjegohet që kjo baladë kaq e shkurtër i ka rezistuar harresës së kohës unë do tju sqaroja se kjo këngë ka qënë vajtim dhe si i tillë ka ecur nëpër shekuj. Më pas, duke ju nënshtruar ligjësisë së shndrimit të vajtimit në këngë ajo është kënduar, madje edhe si këngë nëpër valle të kënduara. Pra ajo grumbullon në vetvete tre etapa jete të artit gojor popullor, etapën e vajtimit brilant që rikujtohej në çdo mort e sidomos në rastet identike, etapën e këngës iso-polifonike dhe etapën e valles së kënduar. Prandaj ajo ka ardhur te ne aq brilante sa në vajtimin original. Ajo ska patur nevojë për shtesa nga rapsodët sepse ajo ska qënë pronë e rapsodëve, ajo ka qënë dhimbje e ngulç shpirti i nënave. Por duhet të pranojmë se nisja e ecjes së baladës si këngë, pra shndrimi i saj në këngë nga vajtim është në distancë kohore  nga  lindja e saj  dhe kjo distancë matet me shekuj e jo me vite.
          8-Le të ndalemi pak te vargu….Nxirma djalin zallit-o//Se e kam të vetëm-o/ Turbull lumi turbull -o/…Nëna, veç mënyrës vajtimore me të cilën i drejtohet perëndisë lumë dhe që shpreson ta prekë atë në “shpirt” paraqet edhe një argument sa tronditës aq dhe “të drejtë zakonore”
shqiptare. Është pikërisht e drejta e “djalit të vetëm”. Sipas traditave shqiptare djali i vetëm i një
shtëpie nuk lejohej të shkonte në luftë deri sa të martohej dhe të lindte fëmijë. Ai nuk lejohej të shkonte as nëpër aksione gjuetie të rezikëshme madje ai nuk dënohej me vdekje edhe po të bënte faj të dënueshëm  me këtë dënim sepse në vend të tij dënohej  dhe  ekzekutohej[7]  babai,  qoftë edhe plak[8]. Pra në çfardo rasti djali i vetëm i një familjeje ishte i paprekshëm nga dhuna vdekjeprurëse e rastësishme apo e qëllimëshme e njeriut. Me qënë se  këto kode zakonore te shqiptarët kishin ardhur nga “perënditë e Dodonës” nëna i kërkon “Perëndisë lumë” të respektojë doket zakonore që e ka miratuar Zeuzi dhe t’ja kthejë djalin e saj ‘të vetëm-oo”… Ajo rend gjatë bregut, lutet qan, ulërin  dhe kërkon të drejtën e saj “zakonore” sepse populli i saj i kurorëzoi perënditë në Dodonë për të mbajtur drejtësinë në tokë e në qiell dhe jo të bëjnë padrejtësi si “perëndi(u)a Vjosa”.
Duket sikur lumi ikën e ikën jo për tu derdhur në det, po për t’i shpëtuar qortimeve të drejta të nënës së djalit, kësaj Ajkune të Toskërisë që ka të drejtën të qortojë e mallëkojë diell e hënë, zotin dhe  zotat. Apo  ndoshta lumi ikën  me sytë mbushur plot ujëlot, i penduar për gjëmën që ka bërë…



Sarandë, më 11 Prill 2020


[1] Publikuar në 24.09.2016 në fb
[2] T.Mërkuri “Identiteti Iso-Polifonik” MILOSAO 2018 Sarandë
[3] Kjo skulpurë ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë
[4] Moikom Zeqo…Gazeta Dita dt July 14, 2018  shkruan… Kjo skulpturë e këtij plaku madhështor është identifikuar si personifikimi kultik i lumit të Vjosës. Skulptura është në mermer të bardhë me lartësi 49 cm dhe gjerësi 70 cm dhe është gjetur në qytetin e lashtë të Apolonisë. Skulptura i përket si kohë shekullit III para Krishtit, pra është gati 24 shekuj e vjetër.Identifikimin e hyut “Lumi i Vjosës” arkeologët kanë mundur ta bëjnë duke u mbështetur në disa elementë tepër të posaçëm me karakter historik, numizmatik dhe mitologjik.  Duhet thënë se zbuluesi i kësaj skulpture, dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka gjithashtu ka gjetur edhe një monedhë argjendi të qytetit të Apollonisë, që tregon rafigurimin e këtij hyu në formën e një plaku leshralëshuar dhe të shtrirë por me një detaj kompozicional me rëndësi. Hyu qëndron i shtrirë pranë një urne nga del ravijëzimi i ujërave. Skena e hyut lumor Vjosa si një plak i shtrirë ndodhet në të vërtetë në një monedhë të Apolonisë, që është përdorur në vitet 198-211 pas Krishtit dhe që në njërën anë ka bustin e perandorit romak Geta, kurse në anën tjetër lumin Aous (Vjosën) të shtrirë mbi urnën nga derdhet uji.Në monedhë janë ravijëzuar dhe kallama, një timon i rrumbullakët si dhe tri silueta burrash nga e djathta, që tërheqin një trung të madh druri të degëzuar.D.m.th. në një ditë të caktuar, të kalendarit pranveror është bërë rituali që për nder të hyut Vjosa tre burra tërheqin mbi ujëra të lumit trungun e një lisi të shenjtë të degëzuar? Skulptura e Apolonisë së hyut Vjosa është e mashkullorizuar ndonëse emri Vjosa, ose më i lashti emri i lumit Aous, mund të ketë qenë i gjinisë femërore. Përgjithësisht, në fillim emrat e lumenjve i janë përshtatur femërorizimit të matriarkatit. Kulti i hyut lumë për mendimin tim, duke u bazuar mbi disa studime të Hamondit e ka origjinën nga Epiri ilir. Vetëm në Epirin ilir është kulti i lumit Akeront, që çon në Ferr…
[5]M.Zeqo vepra e cituar  më sipër Gazeta Dita dt July 14, 2018 , vijon… Valer Maksimi flet për një luftë që bënë banorët e Apolonisë dhe në këtë luftë ata i kërkuan ndihmë popullit të Epidamnit. “Por epidamnasit ju përgjigjën se nuk kishin se çfarë t’i dërgonin për ndihmë (“përveç lumit Aos (Vjosa e sotme) që rridhte pranë mureve të Apolonisë”. “Ne pranojmë ç’të na jepni” u përgjigjën banorët e Apolonisë dhe lumit Aos i caktuan radhën e parë në ushtri, madje e shpallën komandant të tyre.Megjithëse nuk kishin shpresë banorë te Apolonisë i mundën armiqtë e tyre duke ja veshur këtë triumf besimit të këtij falli, ata i bënë fli lumit Aos si t’i bënin fli një Hyu dhe pas kësaj vendosën ta vënë në krye të ushtrisë së Apolonisë në të gjitha betejat”).Ky pasazh i Valer Maksimit shpjegon pse është ringjallur kulti i hyut Vjosa në monedhat e shekujve II dhe III pas Krishtit.
Nga kjo kuptojmë se Vjosa të vriste ( të mirte). (Shën. Im.T.M.)
[6] Sigurisht që  për lumin populli kishte shumë personifikime. Herë e quante gjarpër, herë një djalë trim që  etj. Ne qëndruam te personifikimi më ayrtar, më elitar dhe më  i afërt me tekstin e baladës.
[7]Bazuar nga ky koncept zakonor konkludohet se zakoni i vrassjes së djalit të vetëm në të drejtën kanunore për halmarje është future dhe stimuluar nga pushtuesit si mjet përçarjeje mes shqiptarëve.
[8] Në vitin 1919 pranë Delvinës një djalë i ri, djalë i vetëm, bari nga Piluri, bashkë me disa djem të tjerë barinj,  prenë telat e telefonit të ushtrisë italiane të qepnin opingat e tyre pa kuptuar se çpo bëbnin. I kapën dhe  djalin në fjalë e dënuan me vdekje por në momentin e ekzekutimit mbrin i jati i tij dhe paraqitet para oficerëve italianë ku u sqaron se, mqse i biri ishte djalë i vetëm i shtëpisë, ai  duhej të lirohej dhe në vend të tij duhej të pushkatohej ai vetë, si babai i tij. Pas shumë debatesh, ballafaqimesh etj, me në fund u lirua djali dhe u pushkatua  prindi.

Monday 6 April 2020

Iso-polifonia kjo perlë shqiptare e Jugut


Nga Fatmir Minguli

Isopolifonia – kjo perlё shqiptare e jugut

(Shёnime  mbi librin “Identiteti  iso-polifonik “ Milosao, 2018 tё  studjuesit Timo
Mёrkuri )

                                                                                 Pra isoja ёshtё mbёshtetje,
                                                                                 aprovim, unanimitet.
                                                                                                     Ismail Kadare,
                                                                     “Autobiografia e popullit nё vargje” f.9

  
                                                                                 Fshatrat tona kishin mё shumё
                                                                      qytetari se ç’kanё sot disa
                                                                        qytetarё. Kishin mё shumё 
                                                                        diplomaci se disa diplomatё tё
                                                                         sotёm. Qysh dje shikonin mё
                                                                        larg se e sotmja jonё, shikonin te e  
                                                                        nesёrmja qё do tё vijё edhe ne.   
                                                        Timo Mёrkuri, “Identiteti  isopolifonik” , f.111

                               
                                                                         
Nuk ka shumё kohё qё pa dritёn e botimit libri i poetit dhe studjuesit bregdetas tё Sarandёs , Timo Mёrkuri, qё edhe pse mban pёrcaktimin “sprovё” nuk ёshtё i tillё por ka formatin e njё vepre dinjitoze me plot argumetime serioze nё lёmё tё artit popullor tё Jugut shqiptar.
  Nёse do tё diskutoj mbi strukturёn e kёtij libri, do thoja se ёshtё njё model mbi mёnyrёn e zbёrthimit tё njё pasurie kulturore  tashmё me vlera tё jashtёzakonshme, atё tё iso-polifonisё.
  Nё kёtё  libёr kemi  njё pёrqёndrim tё ideve tё shprehura mё parё nё  disa libra  tё botuar  nga po ky autor, mes tё cilave pёrmend “Madhёria e saj- kёnga isopolifonike” sprovё, “Shёnjtёria e isos” – sprovё, “Vesa mbi kёngё” – sprovё, “Vajzё e valёve” – sprovё, libra qё trajtojnё gjerёsisht kёtё traditё madhёshtore tё njё populli tё lashtё.
  Duke qenё libёr qё vesh petkun e vёrtetimeve bazuar nё fakte, ai ndeshet dhe i kundёrshton  me llogjika tё gabuara tё shprehura nё libra e artikuj tё ndryshёm ku kёrkohet pёrjashtimi i fjalёs “isopolifoni” dhe tё zёvendёsohet me fjalёn e thjeshtё “polifoni”. Madje kёrkohet nga njё grup njerёzish qё tё  zhbёhet   klasifikimi nga UNESKO  i kёtij thesari popullor shqiptar, duke hequr fjalёn “iso” nga emёrtimi “iso-polifoni”.
1.      Pёrse termi  iso-polifoni?
    Kuptohet se Timo Mёrkuri nuk ёshtё zgjeruar nё shumё emra njerёzish qё e kundёrshtojnё kёtё fjalё qё ka fituar vendin e saj tё merituar  nё UNESKO. Pak rёndёsi ka pёr tё. Ai zgjedh rrugёn e vёrtetimit me anё tё argumentave jetёsorё, me vetё librat e tij tё shumtё qё analizojnё gjer nё kapilarёt mё tё hollё lёvizjen e gjakut poetik dhe muzikor tё kёngёs iso-polifonike labe dhe himjariote e mё tej, gjak qё rrjedh dhe nё damarёt e vetё Timo Mёrkurit. 
  Kёto damarё e kapilarё nё trupin e kёngёtarёve madhёshtorё tё iso-polifonisё nuk janё gjё tjetёr  veçse “ çarje shpirti”, ashtu si uji i kulluar i maleve mbi det qё  çan shkёmbin e rrjedh teposhtё brigjeve tё jetёs. Eshtё ky kumt qё vjen nga pёrkufizimi qё vetё Timo Mёrkuri ka bёrё pёr natyralitetin magjik tё lindjes sё  kёngёs polifonike. Dhe gjithçka ka aromёn e pavarёsisё!
  Atje, nё atё vend ku pavarёsia ёshtё e paprekur dhe origjinale edhe kultura e tillё ёshtё. E brenda kulturёs ёshtё dhe kёnga. Prandaj me tё drejtё Timo Mёrkuri nё librin e tij mё tё fundit ”Honestra e kёngёs himariote” shkruan:
  “ Kёshtu ndodh edhe me kёngёn popullore. Honestra e kёngёs grumbullon nё vetёdijen tonё ngjarje, pёrvoja, pёrjetime momentale, luftra, akte individuale ose kolektive tё cialt janё “shiu”, “uji” i tё cilit depёrton nё tokё e mbush honestrёn, ku pas “filtrimit” prej tij precipiton e zakonshmja nё harresё dhe mbetet esencialja, qё rrjedh si ujёt e burimit, nёpёr kёngё. Ne njohim kёngёtarin autor, atё qё kёndon i pari dhe nuk na shkon mendja se ai ёshtё thjeshtё “gryka e burimit”, shkёmbi qё u ça nga dhimbja a nga malli dhe nёpёr tё “çarёn e shpirtit” tё tё cilit buroi kёnga”. ¹
  Tё pёrjashtosh ison nga polifonia ёshtё njёlloj sikur tё barazosh kёngёt hipnotizuese labe e toske me kёngёt polifonike qё tashmё janё zhdukur tё vendeve tё Ballkanit.²

  Vetё pёrcaktimi i termit polifoni ёshtё i qartё kur nuk pёrmendet pjesa strukturale qё ёshtё grupi i isos. pёr kёtё mjafton qё tё shihet pa syze deformuese ky pёrcaktim nё wikipedia.³
  Fenomeni i iso-polifonisë popullore shqiptare është shpallur si "Kryevepër e trashëgimisë gojore dhe jo-materiale të njerëzimit" nga UNESCO. Termi "iso" i referohet stilit që shoqëron këndimin iso-polifonik dhe lidhet me "iso-nin" e muzikës kishtare bizantine, ku grupi i kёtij stili tё kёnduari shoqëron këngën.
 Dhe gazetarja e ditёve tona, italiania Brunilda Ternova nё artikullin e saj mbi isopolifoninё shqiptare shkruan:
   “Kjo është arsyeja pse iso-polifonia u këndua nga shqiptarët kudo, si në raste gëzimi dhe fatkeqësie, në dasma dhe vajtimet  nё vdekje, para dhe pas betejave, brenda dhe jashtë në natyrë të hapur, duke u dhёnё shpirt  ditëve tё zakonshme  dhe atyre festive. Në vend të instrumenteve, zëri i qenies njerëzore është shprehja e qartë e shpirtit të shndërruar art.”
  Po nuk mungojnё dhe analizat e studjueses tjetёr italiane, Anna Maria Ragno, qё nё artikullin e saj “Shenjat e tingujve qё i takojnё isopolifonisё shqiptare” shkruan:
 “ Iso-polifonia shqiptare karakterizohet nga pjesë të përbëra kryesisht nga dy pjesë solo, njëra pjesë kompozon melodinë dhe tjetra kryen një kundër-këngë me një iso korale. Struktura e këtyre pjesëve solo ndryshon sipas mënyrave të ndryshme të të kënduarit pasi çdo  grup e përshtat strukturën sipas nevojave të tyre. Sidoqoftë, siç kemi parë tashmë, mund të dallohen tre makro modele: tosk, laborator dhe çam.”
   E mbas kёtyre pёrcaktimeve  tё sjella nga tё huajt pёr iso-polifoninё shqiptare dhe vetitё e saj le tё shohim se çfarё ka shkruar Ismail Kadare qё  nё vitin 1980:
    “Kjo ndodh sepse anonimati ёshtё formё e ekzistencёs sё poezisё popullore. Ai  ёshtё njё nga mekanizmat bazё tё tё kёtij sistemi. Ai ёshtё nё çdo qelizё tё tij. Nё kёngёn polifonike tё Jugut, isoja, pavarёsisht se nuk ka fjalё ( dhe kjo tregon se ёshtё njё formё akoma mё e vjetёr se kori antik), nuk ёshtё vetёm formё ekzekutimi, por bёn pjesё nё pёrmbajtjen e kёngёs. Kёnga polifonike  e jugut nuk mund tё ekzistojё veçse e rrethuar prej isos. Madje kjo murmurimё kolektive, anonime, ёshtё ndoshta mё e rёndёsishme se vetё kёnga. Nёqoftёse isoja  ndёrpritet, kjo do tё thotё se kёnga duhet tё ndёrpritet. Pra isoja ёshtё mbёshtetja, aprovim, unanimitet. Me anё tё isos, populli jep tё  drejtёn pёr tё vazhduar kёngёn. Me ndёrprejen e saj, ai e heq atё tё drejtё.
  A e kanё lexuar vallё ithtarёt e zhbёrjes sё iso-polifonisё!?
   Ndёrsa vetё autori Timo Mёrkuri duke shpёrthyer veç forcёs argumentuese edhe shpirtin poetik qё vlon brenda tij,  shkruan se “ Duke i hequr  emёrtimit tё kёngёs fjalёn “iso” ёshtё si t’i presёsh lisit rrёnjёt”.
   Dhe mё tej ai duke bёrё njё analizё strukturale tё kёngёs me iso shkruan se “ Iso nuk ёshtё e kushtёzuar nga marrёsi. Marrёsi ёshtё sinjali i nisjes sё anijes nga porti, por isoja ёshtё deti nёpёr tё cilin lundron flota e kёngёs. Anija mund tё nisё lundrimin edhe jashtё portit, por gjithsesi nёpёr det do tё lundrojё. […] Dhe bukuria e kёngёs nuk ёshtё te teksti, as te zёri brilant i marrёsit. Bukuria e kёngёs ёshtё te iso-ja. […] “Iso-ja” ёshtё lumi i lotёve qё buroi nga sytё e nёnave dhe krijoi detin e kёngёs, prandja kёnga jonё popullore (shumёzёrёshe) ёshtё nё radhё tё parё kёngё me iso.
  Lind pyetja: e pёrse duhet zhdukur kjo fjalё nga emёrtimi i kёngёs si iso-polifoni? Pёr hir tё kujt arsyetimi?
  Me sa lexohet nёpёr portale tё ndryshme sheh se UNESKO –ja ka futur nё listёn e trashёgimnisё jo materiale kёngёn polifonike tё Sardenjёs dhe tё Kaukazit. Pra i ka dalluar ato nga iso-polifonia, e cila ёshtё e veçantё nё tё gjithё aeralin e kёngёs polifonike.
  Por pa e ditur mirё arsyetimin e kёrkesave pёr tё hequr “ison”, mendja tё shkon se kёrkohet njё uniformitet mes kёngёve polifonike tё popujve tё ndryshёm e kёnga shqiptare iso- polifonike tё humbasё mes tyre e tё mos ketё identitet shqiptar.   Kjo kёrkesё duket njёlloj sikur tё tentoje  qё Beratit t’i hiqen 1000 dritaret, Gjirokastrёs t’i hiqen sokaket me pllaka guri, Butrintit t’i hiqen skulpturat dhe muret.
  Dhe vetё Timo Mёrkuri me ironinё e hollё qё kanё gjithё bregdetasit, njё ironi poetike, e ёmbёl dhe jo therёse, thotё:
  “Nuk di pse thirrjet “hiqni iso-n” mё ngjajnё me thirrjet “hiqeni sorrёn nga flamuri”, thirrje mjerane e disa “dumbabistave” qysh nё dyvjetorin e shtetit shqiptar”.¹º
   Pak a shumё ndodh si atёhere kur nё kohё tё ndryshme, mbas vitit 1990 nё Shqipёri anatemohej herё B.B.C-ja e herё “New York Times”, nga forca tё ndryshme politike. Ndoshta kemi tё bёjmё  me interesa tё vogla, pёr mbajtjen e pushtetit mbi kёngёn polifonike nga disa njerёz tё cilёt nuk pranojnё krijimin e “Rrjetit Kombёtar tё Shoqatave tё Polifonisё”?
 Ndoshta!

2.Iso- ja shqiptare- njё histori e lashtё

   Por kundёrshtuesit  le tё studjojnё akoma mё mirё historinё e kёngёs iso-polifonike, le tё lexojnё me qetёsi librin e Timo Mёrkurit ”Identiteti iso-polifonik” por edhe mendimet e Ismail Kadaresё, i cili shkruan pёrsёri kur argumenton jetёn e gjatё tё kёngёs polifonike shqiptare:
“ …Por kjo s’ishte veçse nё njё gjё e rastit. Ndёrkaq, popujt e Ballkanit, ashtu si  njёmijё, dymijё vjet mё parё, vazhdonin tё shoqёronin varrimet e tyre me vaje e kёngё polifonike. Muzika, ajo qё sipas Niçes, kishte heshtur e turpёruar nё periudhёn e zvetёnimit tё tragjedisё, ishte kthyer pёrsёri nё ritet mortore tё ballkanasve”. ¹¹
   Prandaj me tё drejtё nё argumetimet e tij, Timo Mёrkuri i referohet lashtёsisё sё kёngёs shqiptare tё Jugut kur merr nё studim  jo vetёm tragjeditё e Eskilit por dhe atё tё Shekspirit duke dalё nё konkluizionin se tragjedianёt e mёdhej antikё e kanё marrё nga populli ritin mortor dhe ceremonialin e vajtimit me ligje dhe e kanё vёnё nё veprat e tyre.  Nuk ka ndodhur e kundёrta.- shkruan ai me tё drejtё.
 Por nuk mbetet me kaq, ai di tё sqarojё bukur dhe shenjtin Jan Kukuzeli  cili studjoi metodat e mbajtjes sё isos nё himnet e kishёs, gjё qё e mori nga populli, mori pikёrisht ison. Edhe pse “nuk dinte tё kёndonte labçe”!? Ia vlen qё tё njihesh mirё me studimin e po kёtij autori  ku trajton gjerёsisht veprimtarinё e shqiptarit Jan Kukuzeli nё hartimin e veprave tё tij origjinale muzikore kishtare.¹²
  Nё shkrimin e tij, qё nuk ёshtё i botuar nё librin “Identiteti iso-polifonik” ai kundёrshton me bindje idenё e hedhur nga ata qё duan tё eleminojnё fenomenin “iso” nga trojet dhe kultura shqiptare. Ja argumetimet qё jep studjuesi Timo Mёrkuri:
-Duke ja veshur Jan Kukuzelit ( krijimin e fjalёs “iso”- F.M.) që jetoi në shekullin e XIII këtë autorësi, pa dashje zvogëlojmë “moshën” e iso-polifonisë.
-E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut individual ose së paku, vepër e një grupi priftërinjsh, në një kohë që ajo është vepër e gjithë kombit.
-E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut, vetëm i ortodoksëve, kur edhe në krahina  të myslimanizuara të vendit tonë, iso-polifonia ka qënë edhe është…pjesë e “genit” tonë të identitetit kombëtar.
-E quajmë iso-polifoninë vepër e …popujve ortodoksë, por ortodoksë  nuk janë vetëm  shqiptarët,  pra humbet kështu  karakteri kombëtar i kësaj vlere të madhe.
   Dhe për këtë,  përdoret kontributi fetar i një bashkëkombasi tonë, emri dhe lavdia e të cilit për kontributin e dhënë  i ka kaluar që në ngjallje të tij kufijtë e mirënjohjes së thjeshtë ballkanase, duke u shndruar në një shënjtor të besimit ortodoks.”
  Por nuk duhet lejuar ky keqpёrdorim sepse edhe nё kёtё lloj gjykimi dalin paralele qё iso-polifonia tё jetё njёlloj si e  shteteve tё tjera, nёse ka ekzituar ndёr ta, kur dhe kёnga polifonike nuk ekziston mё.  Por dihet se qeveria maqedonase, sipas “Tetova sot”, vjedh dhe njё figurё tё kulturёs shqiptare dhe e sllavizon nё projektin skulptural duke e vendosur statujёn e tij nё njё nga urat e lumit “Vardar” dhe ia kanё vёnё emrin Jovan. Po kёshtu serbёt, bullgarёt tentojnё ndrrimin e emrit tё durrsakut Jan Kukuzeli. Pra kёrkohet pёrvetёsimi i Jan Kukuzelit qё mori ison nga kёngёt shqiptare, ashtu siç kёrkohet pёrvetёsimi i lahutёs duke e kthyer nё guzlёn serbe. Pra kёrkohet qё edhe iso-polifonia tё pёrvetёsohet nga tё tjerёt, me dashje apo pa dashje tё atyre qё kёrkojnё elemininim e “iso-s”!?
 Kёnga iso-polifonike ёshtё kёnduar gjithmonё nga burrat – thotё studjuesi dhe poeti Moikom Zeqo- vetёm nё kohёn e monizmit u futёn dhe gratё nё grupin e kёngёs iso-polifonike. Eshtё njё thesar i madh dhe i pastёr i kulturёs sonё muzikologjike  shqiptare,- vazhdon ai-  njё thesar  shumё i vjetёr ndёr trojet shqiptare. Janё gjetur terrakota ku duken figura tё burrave qё janё me gojё tё hapur e qё kёndojnё. Kjo kulturё ёshtё zhdukur nё vendet  e tjera nga koha nё kohё. Iso- poifonia  ёshtё kёnga qё pёrmbledh gjithё bukuritё shqiptare nё shekuj dhe sot ёshtё nё lulёzim tё plotё.
   Fakti qё ekziston nё muzikёn kishtare, ёshtё domethёnёs dhe patjetёr ka tё bёjё me historinё shumё tё lashtё tё isos e cila u pёrdor nga kisha bizantine qё pёrpara shekullit tё XII-tё.    Edhe Eqrem Cabej e ka vёnё nё dukje “se ka njё lidhje mes muzikёs bizantine dhe njё pjese tё kёngёve tona.”¹³         
 Lidhur me origjinat e kёngёs polifonike mund tё pёrmendim paragrafin e mёposhtёm: “ Po tё shohёsh historinё e folklotit shqiptar gjen se muzika u shfaq shumё herёt nё vende tё ndryshme sipas disa ligjёsive. Sipas studjuesit tё muzikёs dr. Sokol Shupo, sistemi pentatonik  si fryma e parё muzikale ishte mjaft i pёçrhapur nё Ballkan, shfaqet njёkohёsisht edhe nё Lindjen e largёt, si nё Kinё etj, dhe te indigjenёt e Amerikёs. Kёtё pёrhapje kaq tё shpёrndarё nё tё cilat sistemi identifikohet si i njejtё pavarёsisht nga dallimet qё i pёrkasin kryesisht anёs stilistike, tё bёjnё tё mendosh se sistemet melodike janё frut i zhvillimit tё ndёrgjegjews njerёzore.”¹      
 Ky mendim detajohet si mё poshtё: “ Dhe pёr mё tepёr, siç thekson pёrsёri dr. Sokol Shupo, -po aq qartё, kjo dukuri ( kёndimi monodik- F.M.) dallohet edhe nё zёrin e parё tё kёngёs polifonike labe si dhe nё zёrat e parё tё kёngёve polifonike toske me alternativё tё gjerё.”¹
   Pёr ta mbyllur kёtё diskutim mbi hershmёrinё e isos nё mijra vjeçarё, çka vetё autori Timo Mёrkuri e ka zbёrthyer kaq bukur, do doja tё sillja njё koment tё bukur qё Fotaq Andrea, ky studjues i historisё sё kulturёs sё popullit tonё: “ ...ndoshta e ke parё filmin e fundit “Aleksandri i madh” tё Oliver Ston...shumё herё nё skenat e betejave tё famshme, nё hovet e gjeniut luftarak, muzika edhe pse shpёrthyese, kish nё sfond njё polifoni tё pёrpunuar e tё habitshnme me melodiozitet sa epik dhe dramatik, edhe mua atёhere, mё ngrihej qimja e parakolpit pёrpjetё e mishi mё shpurpurizohej nё krejt trupin i pёrpirё nga skenat madhёshtore.¹

3.Iso- polifonia nё shpirtin e poetёve dhe kёngёtarёve

 Nё librin e tij “Identiteti iso-polifonik” Timo Mёrkuri sjell shpirtin, zemrёn e poetёve tё jugut, tё atyre “bardёve” kёngёtarё apo poetё, e ç’rёndёsi ka  se poetёt janё kёngёtarё dhe kёngёtarёt janё poetё. Ja protagonistёt qё mbartin iso- polifoninё nё kёtё libёr: Anonimёt e kёngёs labe dhe himariote,            Neço Muka, poetёt anonimё tё Pilurit, Lefter Çipa, poetёt anonimё vlonjatё, poetёt anonimё tё kёngёs “Fyelli i Tanёs”, legjenda e Kostandinit, Vasil Gjivogli, Anton Nikё Berisha, Petrit Ruka, Agim Mato, Fatmir Terziu.
 A mjaftojnё poezitё dhe veprat e kёtyre autorёve shqiptarё qё tё bindin ata qё duan tё çrrёnjosin iso-n nga trualli i shqiptarёve! Por nuk janё tё gjithё sepse janё me qindra kёngёtarёt e isos-polifonisё nё jugun shqiptar. Janё fakte, janё jeta e shqiptarёve, ashtu siç janё lahuta e veriut, ashtu siç janё eposet e kreshnikёve, ashtu siç ёshtё fustanella, ashtu siç ёshtё dhe vetё figura shenjtore e durrsakut Jan Kukuzelit.
 “Tё lexosh njё poezi nuk mjafton tё dish shkrim  e kёndim, apo tё kesh njё diplomё. Tё lexosh njё poezi do tё thotё tё jetosh nё poezi”¹- kёshtu shkruan vetё autori i kёtij libri. Ndёrsa shkrimtari dhe studjuesi nga  Londra, Fatmir Terziu  pёr iso-polifoninё shkruan:
  ...Jon, a e dёgjon/deri kёtu nё Londёr ndjehet isoja jote,
  ...a tё kujtohet kur lanim lotёt bashkё/ ...ështё isoja jote nё kёtё guackё/
     ёshtё kёnga nga qё erdhi dashuria e pastёr e Afёrditёs...
  ...e ndjej pulsin tёnd ku pёrlotet  planeti/
...njё shpёrthim nga de(r)ti.¹
 Pёrmes faqeve qё shfletojmё nё librin e Timo Mёrkurit do tё gjejmё dhe njё pёrgjigje pёr ekzistencёn e eposeve ndryshe nё Jugun shqiptar, natyrisht nёn okielon e studimit tё studiuesit prishtinas Anton Nikё Berisha.
 Pikёrisht brenda kontekstit tё studimeve pa fund tё kёtij shkencёtari kosovar, Timo Mёrkuri na konfirmon se “ Kundёrshtarёt e emёrtimit “iso-polifoni” tё shumёzёrёshit tonё popullor, duke u shndruar nё mёnyrё tё pavetёdishme (?!) nё kundёrshtarё tё lashtёsisё sё kёngёs sonё popullore, tё qarёt me botё nuk e pranojnё si fillesё tё kёngёs iso- polifonike sepse i ngjaka “..ulёrimёs sё ujqёrve...(siç), dhe sepse “...polifonia ёshtё krijimtari e ndёrgjegjёshme artistike (siç). ¹  Nuk mungojnё dhe pёrsiatjet e poetit tё jugut Agim Mato qё sjell rapsoditё e arbёreshёve si reminishenca tё largimit nga dheu amё. Ndёrsa Petrit Ruka, ky bard qё mbijeton me poezinё e tij brilante sjell nё botёn shpirtёrore tё Jugut poezitё e tij tё cilat nuk janё veçse rrjedha tё kёngёs polifonike labe. Tё gjithё kёngёtarёt dhe kantautorёt, bardёt arbёrorё i kanё kёnduar jetёs nё gjithё komlekset e saj, duke filluar nga lindja e gjer nё cakun e fundit, vdekjes, dhe kjo nёpёrmes eposeve nё Veri dhe iso-polofonisё nё Jug.
 Si shembull Timo Mёrkuri citon pjesё nga thesari i humorit tё Vasil Gjivoglit, kёtij lapidari tё kёngёs isopolifonike.
Duke mos folur shumё pёr personin e bardit tjetёr tё Jugut, Lefter Çipёn mjafton tё tregoj se si e pёrcakton Timo Mёrkuri, njё fashё tё portretit tё tij: “krijimi i variantit tё kёngёs piluriote, vija e saj melodike  dhe struktura  e grupit,  novacioni i shoqёrimit  tё kёngёs me fyell etj, ёshtё njё nga suksete mё tё mёdha  tё kёngёs popullore shqiptare. Ky sukses  ka firmёn e autorёsisё sё Lefter Çipёs.”¹
 Janё njerёzit qё e bёjnё kёngёn, janё jetёt e njerёzve nё vite e shekuj qё thurin notat e njё muzike origjinale mbi njё tokё origjinale. Pikёrisht kёto tё dyja nuk mund tё zhdukё askush, si rrjedhojё as termin kёngё polifonike.
Qё kur isha i vogёl fare, im atё mё fliste pёr kёngёt e Nivicё- Bubarit, fshatit tё origjinёs, e mё tej nё mёnyrё tё pakuptueshme kёnga me iso hyri nё shpirtin tim, kёnga e Himarёs, e Pilurit e tё gjitha krahinave tё tjera. Isoja ёshtё sfondi i njё muzike tё pashlyeshme shpirtёrore. Duhet tё jesh jugor qё ta kuptosh mё mirё se tё tjerёt kёtё magji tё pazbёrthyer... 

Durrёs 5 prill 2020



----------------------------------------------------------------------------------------------------
¹) Timo Mёrkuri, “Honestra e kёngёs himariote”, Milosao, 2018, f. 4
²)Nё Ballkan kanё ekzistuar disa forma kёngёsh polifonike tё ndara sipas kombeve tё ndryshёm ballkanikё. Eshtё njohur kёnga bizantine, kёnga “ojkanja” dhe “gauqe” nё Kroaci, Serbi, Bosnje-H ercegovinё,  kёnga “epiriote” nё Greqi, isopolifonia nё Shqipёri, kёnga “gusla” nё Serbi, Mal i Zi, Bosnje- Hercegovinё, Kroaci, kёnga “lazarika” nё Serbi dhe kёnga me kore grashё nё Bullgari. ( Sipas   es.wikipedia.org/wiki/polifonia )

³)  Termi polifoni përcakton në muzikë një stil kompozicioni që ndërthur dy ose më shumë zëra të pavarur (vokal  dhe / ose instrumental), të quajtur edhe pjesë. Ata evoluojnë njëkohësisht në rrjedhën e përbërjes, duke mbetur të ndryshëm nga njëri-tjetri nga pikëpamja melodike dhe përgjithësisht edhe ritmike, ndërsa rregullohen nga parimet harmonike. Në një kuptim kompozitor termi polifoni bie në kundërshtim me atë të monodisë me një zë të vetëm. Termi polifoni rrjedh nga greqishtja e lashtë që do të thotë:shumë zëra.(sipas it.wikipedia.org/wiki/polifonia )
) es.wikipedia.org/wiki/polifonia )
) Brunilda Ternova, ” Iso-polifonia shqiptare, gjenialiteti artistik i tingullit tё shpirtit”. 9 dhjetor 2009 https://www.albanianews.it/cultura/isopolifonia-albanese-patrimonio-unesco
)Anna Maria Ragno. Shenjat e tingujve qё i takojnё isopolifonisё shqiptare. Arberianews.blogspot.com/2013/08/-i-segni-sonori-dellappartenza-liso-4.html
) Ismail Kadare. “Autobiografia e popullit nё vargje”, Tiranё. 1980. f. 9.
)Timo Mёrkuri. “Identiteti iso-polifonik”  Milosao, Sarandё, 2018, f. 11
)Po aty, f.13
¹º)Po aty. f.38
 ¹¹)Ismail Kadare. “Eskili, ky humbёs i madh”, Onufri, Tiranё 2001, f. 148
¹²) Fjala e lirё 19 tetor 2011
¹³) Eqrem Çabej. “Shqipёria midis perёndimit dhe lindjes”  f. 55
¹) Fatmir Minguli, “Daniel Arnaut- simptoma tё poezisё sё shkruar shqipe nё shek. XII –XIII” “2M printing”, Durrёs, 2018, f.20
¹) Po aty, f. 21
¹)Fatmir Minguli,”Tatuazhet e shpirtit-transletёrsia e Moikom Zeqos”, Erik, Tiranё 2017, f. 50-51
¹) Timo Mёrkuri, “Identiteti iso-polifonik” Milosao, Sarandё, 2018. f. 171
¹) Po aty, f. 168
¹)Po aty, f. 121-122
¹) Po aty, f. 73