Wednesday 15 July 2020

VAJTIMI I BURRAVE PILURJOTE


VAJTIMI I BURRAVE PILURJOTË
Sprovë

Nga Timo Mërkuri

Në datën 10.07.2020  vdiq në moshën 62 vjeçare Thoma Çipa nga Piluri. Vdekja ndodhi në mesnatë dhe në mëngjez familja hapi mortin sipas traditave pilurjote, pavarësisht se i ndjeri ndodhej  familjarisht emigrant në Patra të Greqisë prej disa vitesh dhe në çastet e mortit pilurjotët e pranishëm ishin të pakët. Sipas traditave të herëshme pilurjote, vëllai i të ndjerit, Polo Çipa zuri vajin në dhomën e burrave ku i ligjëronte të vëllait:
O Thoma o vëlla, o Thoma
Ylli që dil në saba, o vëlla,
Po ç’ishte këjo hata, o vëlla
Plag e rrëndë e dot se mba, o vëlla,
Bota na kishte sevda,[1] o vëlla
Seç ma theve njërin kra’, oooo  vëllaaaa!
       1- Teksti i mësipërm vajtohej mes ngashërimeve e lotëve, pavarësisht se në dhomën tjetër gratë kishin zënë vajin me kujë e ligjërime. Mosha e të ndjerit, që s’kishte qasje me vdekjen, vdekja e ndodhur në kurbet larg njerëzve të afërm e të dashur, larg  bashkëfshatarëve, miqve dhe të njohurve e shtonin zezonën e ligjërimeve të grave, por pavarësisht kësaj, vajtimit të Polo Çipës për të vëllanë i rezervohej vëmëndja dhe radha e nderit. Kjo vëmëndje dhe ky nderim vinte jo nga fakti i vlerësimit të tekstit apo “bukurisë[2]” së vajtimit. Shkaku ishte tjetër, vajtimi i Polo Çipës ishte “vajtim i burrave”, një rit mortor tepër i hershëm shqiptar, që në vise të tjera  është haruar, madje edhe në shumë fshatra të krahinës së Himarës nuk praktikohet më. Vetëm në Pilur  ky zakon ka rrënjë të thella në kohë e të gjëra në praktikim, si ai rrapi në mes të fshatit, ndaj dhe erërat e modernitetit i rrëzojnë gjethet e i thyejnë degë, por rrënjët nuk ja shkulin dot.                                   Rrastet e ralla ku zbatohet ky rit, misteri që buron nga hershmëria e tij si dhe qasja me “gjamën
e burrave” janë më se të mjaftueshme për të tërhequr vëmëndjen e studiuesve të dokeve zakonore shqiptare.
            2-Në dukjen e parë, riti i “vajtimit të burrave” duket se bie ndesh me formulimin zakonor sipas të cilit “burrat nuk qajnë”. Këtu ndoshta duhet të sqarojmë dallimin midis kuptimit të foljes “qaj” me foljen “vajtoj”, të cilat në dukje të parë janë identike por që në kuptimin zakonor janë shumë të ndryshme me njera tjetrën
          Të “qash” do të thotë të nxjerrësh apo të lehtësosh me klithma e lotë dhimbjen tënde  fizike apo shpirtërore  të shkaktuar nga ndonjë goditje e jashtëme, e cila të ka lënë plagë në trup apo shpirt. Përkundër kësaj, të “vajtosh” do të thotë që dhimbjen tënde (vetëm) shpirtërore, nëpërmjet vajtimit me ligje, ta shndrosh në lartësim të personit, vdekja e të cilit  ta shkaktoi këtë dhimbje. Vajtimtari nuk ka plagë fizike që të ndikojnë në dhimbjen e tij, veç atyre që i shkakton vetes në zbatim të ritit mortor, si goditje me grusht gjoksit apo cënim i fytyrës e kokës.
            3- Vajtimi i burrave në Pilur ështe një rit dhe praktikim i zakonshëm në çdo mort,. Ndryshon itensiteti emocional i vajtimeve i cili varet nga mosha e të ndjerit, mënyra e vdekjes së tij dhe nga aftësia e talenti i vajtuesit. Në këtë  kontekst,  vdekja e një të riu vajtohet me gjëmë e logori me ton të lartë. përkundër vajtimit të “shtruar” në vdekjen e  një plaku. Kështu, vdekja nga një vrasje apo fatkeqsi e menjëherëshme  ka një ngarkesë emocionale më të madhe se sa vdekja e një të sëmuri që ka lënguar në krevat muaj e vite me rradhë etj.  Ajo që duhet theksuar është fakti se çdo shtëpi[3] që ka patur mort, ka përjetuar “vajtime burrash” krahas ligjërimit të grave. Thjeshtë, në mes të ceremonisë mortore, në mes të dhomës së burrave, tepër natyrshëm, një burrë i familjes ngrihet në këmbë ose ulet në mes të dhomës e zë vajin me ligje për të ndjerin. Pasi vajton fillimisht në dhomën e burrave, niset me vaj në buzë në dhomën e grave, të cilat e rritin itensitetin dhe tonalitetin e vajtimeve të tyre, duke dramatizuar skajshëm situatën.
Është tepër i zakonshëm ky moment në mortet e fshatit tim. I pazakontë do të konsiderohet mungesa e këtij vajtimi.
         4- Në pamje të parë duket se vajtimi i burrave është një vajtim vetmitar, një vajtim i vetmuar, vajtim i një njeriu të vetëm dhe për pasojë, është një shmangie e traditës së të vajtuarit kolektiv të popullit tonë. Kështu duket  në pamje të parë.
           Në familjet pilurjote, “vajtimi i burrave” nuk është vajtim i një burri të vetëm. Këtë vajtim mund ta nisë një burrë i familjes, por natyrshëm mund ta shoqërojë dhe një apo dy burra të tjerë të familjes ose  burra që kanë ardhur për ngushëllim nqse ata e përdorin këtë rit, dmth nqse dinë të vajtojnë. Kur themi që “e shoqërojnë një apo dy burra të tjerë të familjes” nuk “fshihemi” pas rasteve kur të gjithë djemtë vajtojnë bashkërisht prindin e vdekur, por flasim për  bashkim në vajtim të familjarëve dhe burrave miq e dashamirës që kanë ardhur për të bërë zakonin (ritin) mortor të përcjelljes së të ndjerit apo të ngushellimit familjarëve.
         Le ta shohim nga një këndvështrim tjetër këtë rit zakonor: kur pilurjotët shkojnë për ngushëllim[4], ata nisen si grupe burrash[5] dhe në momentin që afrohen rreth pesedhjetë metra pranë shtëpisë së mortit, nisin “vajtimin e burrave”. Në këtë vajtim ata  përmëndin  cilësitë pozitive të të ndjerit, miqësinë e tyre me atë dhe  dhimbjen e tyre për vdekjen e tij. Këtë vajtim e bëjnë të gjithë bashkë, në formë kolektive, nën një rregull të pashkruar, sipas të cilit njeri prej tyre ligjëron vargun e parë dhe grupi e shoqëron me “iso” vajtimi dhe me goditje të gjoksit me grushte e gjeste të tjera. Ky fakt është dëshmi e pakundërshtueshme e përjetuar, prej nga nxjerim konkluzion se edhe “vajtimi i burrave”,  njësoj si vajtimi i grave është formë e vajtimit kolektiv e popullit shqiptar.
          5- “Vajtimi i burrave” të Pilurit ka qasje me “gjamën e burrave” në krahinat e veriut dhe me vajtimin e Lekë Dukagjinit dhe të ushtrisë shqiptare në sheshin e Lezhës, ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit. Aty Lekë Dukagjini doli para ushtrisë, ra në gjunjë, goditi tokën me pëllëmbën e dorës së djathtë, pastaj goditi gjoksin me dy grushta njeri pas tjetrit, u ngrit në këmbë dhe me gjeste vetëdëmtimi në fytyrë  hodhi një hap përpara dhe nisi të shqiptonte formulë  dhimbjeje për vdekjen e “atit, të prijësit, të zotit të Arbërisë” dhe se “tani ata mbetën jetim” etj. Pas shpinës së tij, gjithë ushtria shqiptare përsëritëte lëvizjet, gjestet e fjalët e Lek Dukagjinit, i cili pastaj bënte lëvizjen e dytë duke rënë prapë në gjunjë e duke goditur përsëri tokën, për tu ngritur prapë dhe duke ecur në këtë mënyrë drejt Katedrales, ku ishte trupi i Skënderbeut.. 
            6-Disa studiues, këtë ditë e quajnë si ditën kur filloi të përdorej zakoni  “gjama e burrave”. Vlerësimi i ditës së vdekjes së Skënderbeut si dita kur filloi përdorimi i ritit të “gjama e burrave” është njësoj si të shohës në një pemë molle një kokërr mollë në degën e lartë, të hipësh e ta këputësh dhe duke e ngrënë  të thuash se…pema e mollës sot filloi të ritet. Vetkuptohet që është gabim llogjik pasi normalisht mund të thuash se ditën e sotme këputa dhe hëngra kokrën e parë të mollës të kësaj peme por jo se mqse ti hëngre mollën e parë, atëherë filloi të ritet pema e mollës..Historianët kanë parë dhe kanë  marë “kokrën e mollës” (Vajtimin e Lekë Dukagjinit)  por pema e mollës (riti mortor, pjesë e kodit zakonor) ishte mbjellur me kohë dhe ishte ritur e kishte prodhuar kokra me kohë. Konkretisht   riti i “gjamës së burrave” ishte futur në Kanun (Kanuni i Lekë Dukagjinit) pasi ishte debatuar në Kuvendin e Dibrës qysh në gjallje të Skënderbeut.
         Ndërkohë ka një anë tjetër negative cilësimi si datlindje e këtij riti dita e vdekjes së Skënderbeut. Riti i “gjamës së burrave” është “binjak” me ritin e “vajtimit të burrave”. Dikur ka qënë i njëjtë gjer në imtësi[6] si dy degë të një peme, por ndryshimet mes krahinave si pasojë e zjarrit të pushtuesit dhe ngricës së robërisë turke, bëri që njërës degë të mos i ritet filizi apo tjetrës ti përzhiten gjethet, duke pësuar ndryshime dytësore mes tyre,. Kështu “vajtimi i burrave” ndryshon nga “gjama e burrave” se te “vajtimi i burrave” kemi vajtim me ligje ndërsa te “gjama e burrave” kemi vetëm shqiptime të formulave të caktuara me kanun. Nuk është shumë e vështirë që një ligjërim vajtimor të ngurtësohet në një formulim vajtimi ose anasjelltas, një formulim vajtimi të shpërthejë në ligjërim si ujrat e përenjve malorë kur shkrin dëbora. Gjestilacionet janë gati të njëjta, vetkuptohet që kanë ardhur duke u zbutur në kohën tonë. Në thelb, të dy ritet  janë akoma identike, pavarësisht se duken  si dy degë peme pas një zjarri, sepse i ushqen e njëjta  rrënjë peme. Këto rite, për nga identiteti, janë rite mortore të herëshme shqiptare, parailire dhe ushtrohen kolektivisht.  
           7-Ndërsa themi se riti i vajtimit kolektiv është një rit parailir, duke e cilësuar datën e vajtimit të Lekë Dukagjinit si datë e lindjes së ritit mortor të “gjamës së burrave” ne e afrojmë datlindjen e këtij riti mortor në mesjetë, duke i mohuar epoka jete.  Dhe po të shohim se “vajtimi me ligje” është burimi i këngës sonë iso-polifonike si shumëzërrësh popullor, duke shkurtuar kohën e ekzistencës së këtij riti vajtimor, ne shkurtojmë padrejtësisht edhe  kohën e jetës së këngës sonë . Pra, me “një të rënë të lapsit” fshijmë epoka të tëra historike dhe kulturore të popullit tonë duke rënë në kurthin e tezave se “shqiptarët janë të ardhur von në ballkan”.
        8-Doket tona zakonore, ritet mortore, këngët dhe vetë historia e jonë nuk ka filluar në mesjetë, sado e lavdishme të jetë epoka që cilësohet. Mesjeta është një kapitull i historisë sonë me sukseset dhe disfaktat e saj, por historia e jonë është një libër me shumë kapituj, leximi i të cilëve është detyrë dhe detyrim para se të nisim të shkruajmë për tema të tilla madhore, që konfigurojnë tiparet e kombit tonë.
          9-Normalisht që lind pyetja se si shpjegohet që ky rit kaq i hershëm i ka mbijetuar trysnisë së pushtuesit turk për pesëqint vjet në Pilur dhe në disa fshatra të veriut, ndërsa është “fshirë”, “djegur” apo haruar në fshatra dhe krahina të tëra të vendit tonë. Pyetja është shumë e drejtë dhe llogjike por ne duhet të zgjerojmë hapësirën e shpjegimit për të gjetur arsyen.  
           Ritet mortore lindën në shoqërinë shqiptare në kohën e konsolidimit të familjes bashkë me disa rite e doke e norma të tjera tipike si “besa”, “nderi i motrës”, “shënjtëria e nënës” për tu vijuar me këngën “shumëzërrëshe popullore”, “martesat jashtë fisit”etj të cilat ishin si kromozonet e AND të etnitetit tonë. Mbi bazën e tyre u krijua etniteti ynë i cili kishte një unitet origjine në tërësinë e tij. Ky krijim zgjati në disa epoka dhe nuk u bë për disa shekuj.
           Pushtimi turk ishte si një zjarr që dogji e preu çdo degë peme, por ky zjarr nuk i përfshiu disa krahina e fshatra, që për arsye të ndryshme gëzuan një farë autonomie nga pushtuesi, përfshi këtu edhe besimin fetar të krishterë..Të tilla ishin  krahina e Himarës, Mirdita dhe disa zona të tjera veriore ose të disa fshatra të thella malore. Në këto krahina jeta vijonte sipas dokeve zakonore shqiptare dhe besimit kristian. E cilësojmë besimin kristian sepse në krahinat e tjera shqiptare që pranuan ndryshimin e fesë (për çfardo arsye), në ritet e jetës së tyre (si ritet mortore, dasmat etj) u futën  normat zakonore myslimane, të cilat nuk i linin hapësirë riteve të herëshme shqiptare. Në këto krahina autonome jeta vazhdonte sipas kodeve të herëshme zakonore shqiptare, të cilat ruheshin me konservatorizëm, që në fakt  shpëtoi shumë doke e zakone të vjetra, duke mbajtur të pastër identitetin shqiptar të banorëve.     
         Piluri është fshat malor, me popullsi autoktone të vendosur aty qysh në antikitetin e herëshëm, fshat luftëtarësh me besim kristian ortodoks dhe doke e zakone të herëshme që lëshojnë “filiza” dhe në ditët tona. Pushtuesi turk e ka masakruar dhe e ka djegur çdo shtëpi por  zjarri i tij nuk i dogji dot “rrënjët e pemës” të riteve  zakonore të herëshme që vazhdojnë të ushqejnë filizat e rinj me të njëjtin ushqim.
          10-Riti mortor i “vajtimit të burrave” në rastin tonë nuk u bë në Pilur por u bë në Patra të Greqisë, ku kishte emigruar familjarisht i ndjeri, bashkë me prindërit. Duke e ballafaquar me rastin e “gjamës së burrave” që ju bë Martin Camajt në fshatin e tij, ku familja organizoi ceremoninë e “gjamës së burrave” mbi rrobat që poeti pati dërguar paraprakisht nga Gjermania, duket se ka një shmangie të kodit zakonor në rastin pilurjot.
           Martin Camaj, shkrimtari dhe albanologu i shquar shqiptar. që kaloi një pjesë të mirë të jetës në Gjermani me një karrierë të ethshme akademike, ku dhe ndërroi jetë më 1992, është vajtuar me “gjamë burrash” në familjen e tij, ku ai edhe është vajtuar me lot e kujë prej grash e burrash njëherësh, duke qëndruar i pajetë para tyre në shtëpinë e lindjes, jo me trup por me kostum.
            Vajtimi mbi petkat e Martin Camaj është bërë sipas konceptit që “morti bëhët në shtëpinë e të ndjerit”, pavarësisht se ku vdes ai. Kështu u është bërë morti në Shqipëri mijra e mijra nizamëve shqiptarë që  janë vrarë nëpër luftërat turke shkretëtirave të Arabisë dhe kanë qënë të pranishëm në shtëpitë e tyre vetëm me shpirt, si zogj të bardhë ardhur nga larg..
           Në rastin tonë, vdekja ndodhi në Patra të Greqisë, ku i ndjeri kishte shtëpinë dhe familjen e tij bashkë me prindërit. Shtëpia në Patra, pavarësisht me qera, e blerë apo e ndërtuar prej të ndjerit, ku banonte ai vetë me familjen dhe prindërit, plotësonte  kuadrin e formulimit “shtëpi dhe familje” që kërkon riti mortor. Piluri mbetet thjeshtë fshat i origjinës, aty pas mjegullës, me dritaret e shtëpive të braktisura që lotojnë vesë mëngjezeve .

Sarandë, më  12-14 07.2020


[1] Ka kuptimin…Bota na kishte zili…
[2] Vajtoi bukur… themi për ndonjë vajtore që vajton me tekst  të arirë dhe zë  të bukur (melodi) vajtimi. Thuhet ndryshe dhe…me lloj vajtimi.
[3] Në përmbledhjen time “Ku hardhia pikon vesë” me këngë, vaje e bejte pilurjote, botim I MILOSA Sarandë  2012 kam publikuar disa vajtime të tim eti për vëllain, nënën dhe xhaxhain tim, kështu që nuk është nevoja ta zgjeroj listën e vajtimeve të burrave në këtë shkrim.
[4] …nëpër fshatra  të tjera , larg vendbanimit të tyre.
[5]  Natyrshëm që kanë marrë dhe gra me vete, por ne flasim për ritin e burrave.
[6] Në vajtimin e Skënderbeut veç ushtarëve dukagjinas apo krutanë, ishin edhe ushtarët himariotë dhe epirotë të cilët bënin ritin e “vajtimit të burrave” apo “gjamën e burrave” njëherësh me pjesën tjetër të ushtrisë.

Friday 10 July 2020

MIRKO GASHI ose MALI ME LISA


MIRKO GASHI ose MALI ME LISA

Nga Timo Mërkuri

Më tepër pata dëgjuar për Mirko Gashin se sa pata lexuar prej tij.. Por mjaftoi leximi i ciklit poetik “NATA E QIRINJVE” me poezi   nga libri i tij botuar pas vdekjes “REINKARNIMI IM” Media plus art, Prishtinë, 2010  publikuar te “AGMIA”  në 01.07.2020 për tu ndalur i mahnitur se po ndjen që para teje ke një mal, shpatet e të cilit janë plot me lisa të lartë
         Ndjesinë e lisave ta jep vetë stili poetik i autorit me vargje të lira e të shkurtëra, që prezanton një poezi “shtatlartë” si shqiptarët e Kosovës, sa që të krijon bindjen se autori jo më kot e ka përdorur këtë stil vargu. Në qoftë se kjo ide fillimisht të lind si mendim, të përforcohet në bindje nga  simbolika e përdorur nëpër vargje … Një plak/një lis/me plis… Nuk mjafton paralelizmi i një plaku me një lis, duhet konkretizuar portreti me “një plis” për ta lexuar qartë “pasaportën etnike” të poezive të tij.
        Është interesant stili i Margo Gashit, i pangjashëm me asnjë. Përmes një kinse “lodra fjalësh” poeti shkruan një manifest rezistence e proteste, sa të thellë nga mendimi, sa të fortë nga guximi aq dhe vizionar nga qëllimi… Ashtu i lidhur/i thoshte grigjës në Golgotë/qëndro ime bijë qëndro im birë/për fenë dhe kombin/ju jeni martirë…. Në oborrin e Isës/pleq e të rinj/plaka e të reja/Shikojnë/ pentagramin e ylberit/dëgjojnë/cicërimën e  ngjyrërave/Përroi i maksimit/u shterr nga zilia…
         Duhen lexuar mirë poezitë e Mirko Gashit, duhet qëmtuar besimi e shpresa ndër to, duhet parë e ardhmja që i ka rrënjët thellë në poezi si lisat në tokë... Buzëqesh o fëmijë/ndezi qirinjtë/ shpirtërat e parrëfyer/na i sjell Kali i Varreve…, ose te poezia “Të mendosh ndryshe” e cila të trondit me vargun e saj … fjala më e uritur në gjuhën shqipe/është fjala “uri”… E fjalës uri/po t’ia shtrosh bukën përpara/ajo bëhet bukuri…Duhet qëmtuar poezia e tij sepse brenda një mbulese “lodra-fjalësh” qëndron si margaritari në “pine” besimi dhe shpresa… Varr varr e varr/Istukë Gostivar e Tivar/Po ji gëzuar/mos rri me lot/sonte niset hëna e plotë/Nëpër guaca po fle gaca/sonte niset hëna e plotë…ose… Sontë është Nata e madhe/Betoven tani e di/si lindi/Oda e Gëzimit… Në bebëzën time/hyri më parë shqiponja/prej bebëzës vetëton vetëtima…
       Ritmi i poezive të Mirko Gashi është vërtet i veçantë. Në pamje të parë të ngjason me një çupë që loz në kolovajzë me ato …ulem/ngjitem… , por me një shikim më të mprehtë dallon se nuk është një kolovajzë por është kalvari i një jete në robëri dhe skamje…Unë mbjell elb/e më del qelb/ … shkruan poeti dhe ne, pas kësaj “lodre” fjalësh shohim një stërmundim prej skllavi në punë për bukën e gojës së njeriut të thjeshtë të popullit. Me elegancë vazhdon “lojën” e “rebuseve” dhe shkruan… Shumë e shumë gënjeshtra/na futën në eshtra/… dhe nuk e sheh fare të nevojëshme të “sqarojë” se flet për  dallgët e valëve propogandistike të shtetit monist serb që përplasen mbi ta dhe të cilët e kanë…Halë në sy/tërë kohën…Dhe na e thotë këtë sikur thotë një rebuz për fëmijët. Në qoftë se poetët e tjerë kosovarë përdorën metaforën si strehim dhe pozicion poetik, Mirko Gashi përdori gjuhën e thjeshtë dhe “lodrat e fjalëve” për të shprehur idetë e tij. Le të shohim poezinë “Në gjykatore” të cituar dhe më sipër, port ë parë nga një këndvështrim tjetër: Një plak/një lis/me plis/Tre korba/ mbi pre/Gjykatësja/dikton dersin/mësuar pa cofur …Qysh me një lexim të thjeshtë shohim situatën e viteve tetëdhjetë dhe dënimet massive të shqiptarëve, madje dhe pleqëve... dhe më tejë stigmatizohet trupi gjykues me tre korba, ku gjyqtarja relatore vetëm i lexon vendimet e parapregatitura, ende pa "cofur" pleqtë që dënohen . Në këto vargje ndjen se ndodhesh përpara një hordhie qensh rrugësh të uritur, që u skërmitin dhëmbët dhe sulmojnë qytetarët dhe kursesi përpara një organi drejtësie shtetërore.
       Edhe në një lexim të sipërfaqshëm poezia e Mirko Gashit dëshmon me vargje-fakte se ndërlidhet ngushtë  me fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve, por që  poeti këtu i trajton  brengat dhe hallet e fatet e popullit të tij në një mënyrë tepër artistike, sa një lexues  i shkujdesur dhe nuk mund t'i kuptojë..Është interesant fakti që poeti, jo vetëm që nuk i ka fshehur idetë e tij pas metaforave  por ai i ka shprehur ato në mënyrë gati publike dhe me sa duket, ja ka dalur  mbanë pasi vargjet e tij,  që mbartin idetë liridashëse e kanë kryer misionin e tyre dhe jo vetëm që janë kuptuar plotësisht nga lexuesi Kosovar por edhe janë mësuar përmëndësh. Madje poeti i është shmangur ndëshkimit të policisë së fshehtë serbe që ai e quan “sorrëshkina”… Plimi i sorrëshkinave/për çdo mëngjes/më përbirohet/nëpër/birën e fundit/të kavallit/E ma glacojnë/mëngjesin… shkruan Mirko Gashi për policinë e fshehtë serbe (sorrëshkinat) që e përndiqte si shumë atdhetarë të tjerë..Ai  nuk është në mëndyshje për qëndrimin e tij, madje “replikon“ edhe me zotin… Pse o Zot/je aq i madh/Ti the/fali/s’dinë se çka po bëjnë/…/Zot o Zot/unë s’jam Ti/po Ti e di/se çka bënë… kur me pak fjalë vargëzuar sipas stilit të tij, autori jep një panoramë rrënqethëse të sundimit serb në Kosovë… Vdekja dhe jeta/shetisin dorë për dore/si binjakët që shkojnë në shkollën yjore/për të mësuar/pse vlon qumështi në gjirin e nënës/qysh zgjohet deti në prehërin e hënës/në baticë… vargje që të trondisin me dëshminë dhe fantazmogorinë e tyre.
    Mendoj se janë dy elementë që e kanë ndihmuar Mirko Gashin në shmangien e ndëshkimit të policisë serbe, së pari: gjuha që përdor poeti është një gjuhë e thjeshtë, gati e zakonëshme e qytetarëve të thjeshtë, por që ai diti ta ngrejë në piedestalin artistik, në një mënyrë që nuk e kishte realizuar askush. Gjuha  e thjeshtë në vargjet e tij përthyhet në shtatë drita, siç përthyhet rezja e diellit në prizëm duke na dhënë një “ylber”  ndjenjash e mendimesh. Lexuesit, jo vetëm e kuptojnë  gjuhën e poezive të tij por edhe e admirojnë dhe e përvehtësojnë, ndërkohë që shteti kalonte indiferent pranë poetit dhe fjalorit të tij të “rrëndomtë”. Në këtë indiferencë pushtetore ka luajtur rolin e saj edhe paraqitja prej bohemi e poetit. Së dyti ka ndikuar  llogjika e “fshehjes” sipas së cilës vendi më i mirë për të “fshehur” diçka të shtrenjtë është vendi “para syve” ku të tërë e shohin[1] por nuk e kuptojnë.  Mirko Gashi jo vetëm që i publikonte poezitë e tij  në organet e shtypit por edhe i deklamonte ato në grupe shokësh në kafene dhe vende publike. Ata që kuptonin poezinë i shkruanin nëpër fletoret e tyre, ndërsa ata që kishin misione suverjimi, nga që s’kuptonin gjë nga vargjet e tij, qeshnin me këtë bohem zhurmaxhi dhe largoheshin. 
        Është poet trim Mirko Gashi dhe këtë e tregon në mes të Gjakovës (16.05.1992)  me poezinë e tij sfiduese “Sorrëshkina-akrep i kohës” ku i hedh sistemit doraçkën e sfidës…Durimi u stërtrash/E ti/As dalëngadalë/S’e ndale turrin/Oj sorrëshkinë/E përdalë/Zog ti zogo/ Mendjeçalë/ Ik nga erdhe /Në moçal…/Nga çdo kokërr  rrushi/Ngrohemi nga prushi/I yjeve në gjithësi…  Vargjet të tilla recitohen vetëm me tingullin e trumpetës.
        Tronditëse është poezia “Varret” me vargjet si eshtra njerëzish që u ka shkarrë dheu i varreve, ku qysh në fillim  bën deklarimin sat ë qartë aq dhe nëkuptues... I kemi kudo (varret. Shënim im T.M.)  jemi/të pasur me to…për të vijuar me aludimin e të vdekurve të pranishëm në jetën e të gjallëve…E vjen koha/kur Kali i Varreve/na sjellë/shpirtrat/në dasmë…dhe jo vetëm kaq, por edhe vallzojmë me të vdekurit tanë…s’e di kush/Mes teje/dhe atij/që ia ke qitë krahun/ padukshëm/vallëzon…Përmëndja e baladës së Kostandinit dhe Doruntinës si ilustrim mund të shërbejë në qëllimin sipërfaqsor të poetit se ai e ka fjalën për të vdekurit e kohës së tij, me të cilët vallzon gëzimin e  ditëve  që do vijnë.
          Është mjeshtër i shprehjes së thellë Mirko Gashi, i shprehjës artistike të mendimit, të cilin  më shumë e ndjen si rrahje pulsi nëpër vargje se sa e kupton nga fjalët e vargjeve... Jemi më të etshëm/se lulja për bletë /Jemi/lule ndër lulet/që flet…Nuk kam lexuar një portretizim më të bukur për njeriun Kosovar dhe mos u përpiqni se as ju nuk do gjeni dot. Por unë pyes veten në se vetëm unë i kam lexuar këto vargje? Se s’di si ta shpjegoj që kjo poezi nuk është muzikuar në një simfoni, sepse teksti për të tillë muzikë ka lindur, jo për tu recituar. Lexojeni ju lutem bashkë me mua… se pa të s’ka liri/E ne jemi plim/tri fe e një fis/Në këto ditë/ shpatën e ndërruam/me durim / Jemi ushtarë/të Skënderbeut/Ujë i kuq/për tokat/e mëmëdheut/ Qoftë/edhe në këtë ferr/popullin askush/s’ma merr…Po Mirko Gashi, askush nuk na e merr dot popullin, kur jemi vërtet bij të tij.
           Unë dua tju tregoj se te Mirko Gashi, përtej pamjes së një bohemi, përtej vargjeve hymn apo aludive, unë pashë  një zemër të ndjeshme, si një lule bajame e porsaçelur  dhe delikate ndaj erës së acartë të “funddimrit”. Këtë lexuesi mund ta ketë vënë re te vargjet e poezive  me ton dhe botë fëminore, por unë do tjua  ritregoj te poezia “Lulja” ku shkruan ...Vestalet e strehuara/në syrin tim/ma flakërojnë shikimin/Druaj mos të djegë/ frikësohem /mos po të çeli plagë/sepse kur fishkesh ti/mplakem unë/Dhe të varrosi në ballin tim/ti aty qëndron në të si vrragë/Dhe unë harroj emrin tim/dhe kush më solli në këtë botë…Kjo është një poezi e bukur dashurie, janë fjalët këngë të një djali në dashurinë e parë që ja drejton (qoftë dhe në heshtje) vajzës që do. Aty  ndjen më shumë se sa lexon si i dridhet zemra djalit, si i mblidhet ankthi si një grusht në stomak qoftë dhe në një vonesë disa minutëshe të vajzës, aty përjetëon frikën e drojën e tij për lumturine e vajzës. Aty kupton se ç’do të thotë të dashurosh me gjithë zemër. Aty kupton se Mirko Gashi është një poet i ndjeshëm e i tendosur si një tel kitare , që ndjen edhe prekjen e  flladit më të lehtë të pranverës e jo më  furtunën serbe mbi fatin  e njeriut kosovar. Atë e prek edhe mendimi i një dhimbjeje njerëzore, si një dorë istrumentisti mbi tela dhe e bënte të lëshonte tinguj ndjenjash në formë vargjesh që të shponin zemrën tej e tejë.
         Mirko Gashi ishte një mal i lartë plot shkëmbinj që i ndali  vrullin acarit dimëror të veriut që synonte të depërtonte drejt shpirtit të popullit. Mirko Gashi ishte një mal në shpatet e të cilit lisat (poetikë), me rrënjë të futura thellë në dheun amë e të pleksura nëpër shkëmbinj, tradita e kujtesën e kombit, i ndalën erozionin  e i ruajtën gjelbërimin fjalës poetike shqipe. Nëpër lisat e tij në çdo degë cicërin pranver dhe në mes të dimrit dhe çdo gjethe që lëkundet të fton të afrohesh, si një dorë miqësie që të bën shënjë për së largu.
Mirko Gashi ishte  një poet me plot kuptimin e fjalës dhe më vjen keq që e njoha kaq von.

Sarandë, më 01.07.2020



[1] Sipas argumentit të poetit austriak Hugo von Hofmannsthal, kur thotë se “Thellësia duhet të fshihet. Ku?  Në sipërfaqe.”   Laureta Petoshati  Mistika e shenjtë e këngës “Eja, eja luleborë” fb 08 korrik 2020