Saturday 29 July 2023

LIBRI "VOGËLUSHI JE DHE PLAKU TA' SI KONVERGJENCË URTËSIE 

 

Nga Timo Mërkuri

 

I- Bukuria dhe natyrshmëria e veprës është e varur nga çiltërsia e autorit dhe kjo është më e dukëshme te letërsia për fëmijë, ku brishtësia e saj, si një xham i hollë, është në rrezik të thyhet edhe nga çikja shkarazi e një fjale e jo më nga “goditja” e një vargu apo fraze të gabuar. Të shkruash për fëmijë është shumë e vështirë sepse veç talentit, autori duhet të hyjë në botën e tyre dhe dihet që bota e fëmijëve është një pyll i dendur ëndrrash e dëshirash, e pasur me ngjyra, tinguj e fjalë. Në botën e tyre fluturojnë zogj,  rriten lule e rendin duke lozur qingja nëpër re, ngjyrat shfaqen me nuancat më të padukshme për të rriturit. Ata nuk i “dëgjojnë” këshillat standarde të të rriturve,  pranojnë vetëm këshillat që i përshtaten botës së ëndrrave dhe dëshirave të tyre. Fëmijët edhe lojën e përjetojnë si jetë pse jetën e konceptojnë si një lojë, nuk përdorin fjalë fyese dhe nuk bëjnë “të këqija”, pasi fjalët fyese dhe “e keqja” nuk janë pjesë e jetës së tyre dhe në këtë mënyrë, ata nuk e konceptojnë që ato ekzistojnë.

Krijuesit që shkruajnë për fëmijët shpesh janë ndër më të talentuarit e brezit të tyre, ndonëse jo gjithmonë të vlerësuar si duhet. Duhet të pranojmë se janë pikërisht këta autorë promethenjtë që çojnë zjarrin e ndezin talentin te fëmijët dhe për pasojë emri dhe krijimet e tyre jetojnë jo vetëm në fëmijërinë e lexuesve por gjatë gjithë jetës së tyre. Këta autorë duhet të jenë në rradhën e parë të nderimit dhe vlerësimit institucional të shtetit dhe shoqërisë.

II-Një krijuese e tillë është edhe poetja e shkrimtarja e njohur Albina Idrizi, e cila vjen pranë nesh me librin “Vogëlushi Je dhe plaku Ta”, i cili ka disa veçori stilistikore e strukturore, qoftë  me librin e saj të parë “Ëndrra me ylberë” (2007), ashtu dhe me gjithë librat për fëmijë që kemi lexuar deri më sot. Qysh në leximin e parë të librit të Albina Idrizit bie në sy se ky nuk është nje libër i zakonshëm për fëmijë, pasi nuk është një poemë për fëmijë dhe as ka poezi që të pasqyrojnë botën fëminore me kafshë, shpendë, pemë, lule, etj.

Në aspektin strukturor libri është  një dialog mes vogëlushit Je dhe plakut Ta, (që të dy bashkë bëjnë jetën, JE+TA), por ndryshe nga sa jemi mësuar të dëgjojmë plakun t’u tregojë fëmijëve përvojën e t'u japë këshilla, këtu është plaku Ta ai që pyet dhe dëshiron të mësojë nga fëmija Je sepse, siç shprehet plaku: “Rruga e gjatë/ më bëri të harroj/ma kujto mik i vogël”.   

Sigurisht që plaku bën pyetje të thjeshta që i përkasinë botës fëminore, por duke i parë me kujdes sheh se pyetjet janë për thelbin dhe marrëdhëniet e kësaj jete, që në fakt përjetohet çdo ditë nga fëmijët, ndonëse nuk shpjegohet. Duhet të kuptojmë se një grup fëmijësh që lozin një lojë të re është historia e zhvillimit njerëzor.  Shkaku pse plaku bën pyetje mund të jetë se ai ka kaluar një fëmijëri jo të gëzueshme, në varfëri dhe mungesa të mëdha dhe tani i bën përshtypje fëmijëria e sotme plot zhurmë, lodra, të qeshura e miqësish vogëlushësh të pastër e të bukur, të çiltër e të dashur mes tyre.  Ndoshta plaku është kureshtar të mësojë nga fëmijët e sotëm ato që ai nuk i përjetoi në fëmijërinë e tij, apo ndoshta ai do të rikujtojë si e përjetojnë fëmijët këtë gazmend të moshës, mësimeve e lodrave.

Mendojmë se arsyeja e këtij ndërrimi, të roleve në librin "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" mund të jetë për të shprehur një ide ose mesazh më të thellë rreth dijes dhe përvojës së jetës dhe kryesisht mënyrës së re të jetesës, pse dihet që poetët japin mesazhe me poezinë e tyre, janë kronikanët ata që shkruajnë për ngjarjet.   Në këtë mënyrë poetja do të tregojë se dija dhe përvoja nuk varen vetëm nga mosha. Ndërsa është e zakonshme që fëmijët të jenë ata që bëjnë pyetje dhe kërkojnë përgjigje për të mësuar nga të rriturit, ky libër tregon se edhe të moshuarit, me të gjithë përvojën e tyre, kanë nevojë për dije të reja.  

Një aspekt tjetër i këtij ndërrimi është rëndësia e shkëmbimit të dijes dhe përvojave midis brezave. Fëmijët kanë  një imagjinatë të pasur dhe kuriozitet të pafund, çka bën që ata ti kapin më shpejt dhe më thjeshtë dukuritë e reja të progresit shoqëror dhe teknik, ndërkohë që të moshuarit janë të pajisur me një pasuri të urtësive të jetës. Duke “shkëmbyer” rolet, poetja dëshiron të tregojë se harmonia midis brezave dhe ndërthurja e dijes së re me atë të jetës sjell fryte të mrekullueshme për shoqërinë dhe për individët.

III- Sigurisht që poetja ka gjetur mënyrën më elegante për të “folur” në libër me fjalët dhe mendimet e vogëlushit Je. Mishërimi i saj në personazhin e  vogëlushit “Je” për autoren ka qënë i thjeshtë, sepse:  periudha katër vjeçare e mësuesisë në shkollë e ka ndihmuar ta njohë botën e fëmijëve, qenia e saj si një poete dhe shkrimtare e talentuar ka qënë farishtja ku fara e njohjes u hodh në shtratin e një vepre të bukur letrare, fëminia e saj mes librash e ndihmoi të mbante ngrohtë farën gjer në çeljen e filizit, pasioni i saj e rriti filizin si një fidan me gjethet e para të porsaçelura. A e kini vënë re, fëmijët lozin e përkëdhelin fidanët e vegjël dhe jo pemët e mëdha shekullore?

Shoqërimi i  librit me vizatime të stilit fëminor, e plotësojnë më së miri këtë kuadër dhe ndonëse  fjalët  përgjigje kanë një filozofi dhe urtësi jete, kjo është “fshehur” pas naivitetit fëminor, duke e bërë të natyrshme në çdo aspekt. Kjo pse shpesh herë fëmijët nuk mund të na e thonë me fjalë atë që duan, dijnë apo mësojnë, por nëse i shohim me vëmendje, atëherë kuptojmë se ata na “flasin” e na thonë shumë me atë që bëjnë. Fjala, dëshira dhe mendimi i fëmijëve shpesh janë veprimet e tyre.

IV- Pse është bota e fëmijëve kaq e dashur, kaq e ëmbël, kaq e qetë dhe e përkorë në paqen e vet, kaq e pasur dhe e përmbushur? Ku është sekreti i saj? Këtë e mësojmë nga vogëlushi Je. Gjithsesi përgjigjet e fëmijës në libër janë tepër befasuese për plakun, pse ato nuk përmbajnë vetëm përvojën (e pakët) fëminore , përgjigjet e vogëlushit përmbajnë së pari sinqeritetin fëminor plot dashuri dhe ëmbëlsi, duke të habitur me dimensionin e saj, që shtrihet mbi veprimet dhe nevojat e tij. Ti ke shumë shokë  tha plaku Je/Më folë për miqësinë”. “Me sytë e mi/Përcjell dritën e dashurisë te tjetri/Dhe prej andej/Shoh më mirë vetën time. /Sa më shumë jemi/Aq më shumë dritë kemi/Unë jam /Dhe ai që troket në derë / Dhë ai që hap derën/Askush tjetër nuk vjen te ty/Veç atij që të ngjan, atij që je”.

Shumë vargje përgjigjesh ngjajnë si sentenca filozofike për nga forma , ndërsa nga përmbajtja ngjajnë si përvojë jetësore, ndonëse të shprehura me fjalë fëminore.  Praninë e poetes te fëmija e shohim te përgjigjet e pyetjeve të plakut ku ato janë hartuar më së shumti poetikisht: ”Askund më bukur se në sytë e të bukurit/Nuk shihet bukuria/Askund më mirë se në  zemrën e të merit/Nuk shihet mirësia/Fjala ime është pragu/Nëpër të cilën kaloj andej tjetrit/ Dhe del po në mua, prapë./Është ura pas së cilës/Gjej një botë të re brenda vetes sime” apo te vargjet: “Fjalë e zemrës/Në gjuhën e lules është aromë/Në gjuhën e lumit është gurgullimë/Në gjuhën e diellit është dritë/ Çdo natë ve nën jastëkun e ëndrrave/Farat e dëshirave/Me të cilat dua të zgjohem në mëngjes”. Si poete dhe shkrimtare, madje dhe si mësuese Albina Idrizi ka të drejtë  që: “për të krijuar art, të djegë e të shkatërrojë koncepte të zakonëshme, duke i zvëndësuar me të vërteta të reja që zbresin nga mendja e dalin nga zemra” (Charles Bukovski).

Albina Idrizi do bëhet një poete dhe shkrimtare më e suksesshme se deri tani, por duke lexuar këtë libër ndjejmë se ajo do të bëhet dhe një gjyshe e mirë dhe e dashur për nipërit e mbesat, do tu mësojë atyre shumë gjëra nga jeta e dijet e kultivuara dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se do t'ua mësojë me dashuri e përdëllimë gjysheje, duke vaditur filizat e fantazisë së tyre me shpërthimin  e saj poetik  si te vargjet:” Në një gjeth të vetëm/Dëgjoj si fëshfërin mali/Në një pikë të vetme/Ndjej si ushton oqeani/ Në një yll të vetëm/Ndjej si merr frymë qielli/Çasti bëhet i pafundmë/Kur unë gëzoj praninë time”. Unë nuk do habitesha në qoftë se këtë tekst do ta dëgjoja të kënduar nga një grup fëmijësh ndonjë ditë.

V-Poema “Vogëlushi Je dhe plaku Ta” ka një strukturë të rregullt me vargje të shkurtra dhe ngjarje të vazhdueshme që zbulojnë më shumë për jetën dhe emocionet e personazheve. Metaforat dhe imazhet e përdorura në poezi e ndihmojnë lexuesin të kuptojë më mirë thelbin e mesazheve. Në këtë poezi, vogëlushi Je simbolizon të renë, dijen, frymëzimin, progresin shoqëror etj., ndërsa plaku Ta, të djeshmen, mungesat, lakminë, ngutinë, etj. Jo më kot autorja u ka vënë emrat, vogëlushi “Je” që përfaqson nisjen e jetës ndëkohë që tingulli i emrit të plakut “Ta” tingëllon si një bori makine të vjetër por që të dy janë pjesë të domosdoshme për të bërë “Jetën”.

Poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" është një shembull i shkëlqyer i poezisë për fëmijë, por që ka një thelb dhe një mesazh që prek të gjitha grupmoshat. Përdorimi i gjuhës së thjeshtë dhe figurave letrare të kuptueshme e bën atë të përshtatshme për fëmijët, ndërsa thelbi i mesazheve të frymëzueshme dhe të mësuara  ndihmon edhe të rriturit të reflektojnë mbi jetën dhe vlerat e saj.

Për fëmijët, poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" mund të jetë një burim frymëzimi dhe emocioni. Nëpërmjet imazheve të bukura dhe metaforave të kuptueshme ata do kuptojnë vlerën e miqësisë, lumturisë dhe ndjenjave të thjeshta.  Poema  i inkurajon fëmijët të jenë  kurreshtarë, të shijojnë momentet e veçanta të jetës dhe të mësojnë nga njerëzit e tjerë rreth tyre. Gjithashtu, kjo poemë përmban mësime të rëndësishme filozofike dhe morale, të cilat janë të përshtatshme për fëmijët dhe i ndihmojnë ato të kuptojnë dhe të përqëndro-hen në aspektet e rëndësishme të jetës. Fëmijët mund të kuptojnë rëndësinë e të qenit vetvetja, të shijojnë momentet e lumtura të lojës dhe imagjinatës, dhe të jenë të kurreshtarë për të mësuar dhe kuptuar më shumë për botën që i rrethon.

Me këtë libër autorja Albina Idrizi ka krijuar një vepër të veçantë me një strukturë të bukur dhe mesazhe të thella. Poema ka një progresion gradual të bisedës midis vogëlushit Je dhe plakut Ta, duke përfshirë një varg figurash letrare që e bëjnë atë tërheqëse për lexuesit.

VI- Poema "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" e Albina Idrizit ka një strukturë të përshtatshme për të shprehur mesazhet dhe mësimet e saj. Struktura e poezisë është e ndarë në 38 vargje, të cilat formojnë një dialog midis dy personazheve, plakut Ta dhe vogëlushit Je,  dialog që krijon një ndjenjë teatrale dhe intime, duke bërë poezinë shumë më atraktive dhe përfshirëse për lexuesin.

Disa elemente të strukturës së poezisë janë si vijon:

Njësi vargore: Poezia përbëhet nga vargje të shkurtëra, me numër të caktuar fjalësh në secilin varg, që e bëjnë atë të lehtë për t'u lexuar dhe kuptuar. Vargjet e shkurtëra përdoren për të shprehur mendimet dhe ndjenjat e personazheve në një mënyrë thelbësore.

Ndërtimi i dialogut: Poema ka një strukturë dialoguese, ku një personazh pyet dhe tjetri përgjigjet. Kjo krijon një lloj bisede midis personazheve, si një diskutim të thellë filozofik, duke i lejuar lexuesit të ndjehet pjesë e saj.

Tematika dhe temat kryesore: Struktura e poemës përqëndrohet kryesisht në tematikën e lumturisë, miqësisë, kuptimit të jetës dhe mësimet që vijnë nga përvoja, që zhvillohen gradualisht dhe krijohen një mënyrë e natyrshme, duke formuar një ngjarje rreth temës së lumturisë dhe vlerave të jetës.

Elemente muzikore dhe ritmi: Struktura e poezisë përdor elemente muzikore dhe ritmike që i japin një ndjenjë të veçantë poezisë. Përdorimi i vargjeve të shkurtra dhe fjalive me këndvështrim të veçantë krijon një ritëm që e bën poezinë më melodike.

Përdorimi i krahasimeve dhe simboleve: Poema përdor krahasime dhe simbole për të shprehur më qartë mësimet e saj. Për shembull, vargu "Ti ke veshur një këmishë të bukur, Edhe stofi më i vjetër/ Bëhet këmishë me vlerë dhe e bukur" përdor krahasimin e këmishës me vlerë për të paraqitur rëndësinë e qasjes dhe sjelljes ndaj jetës, vetes dhe shoqërisë.

Në përgjithësi, struktura e poezisë "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" është e përshtatshme për të shprehur mësimet dhe filozofinë e jetës në një mënyrë të thellë dhe të ndjeshme. Ndërveprimi i dy personazheve dhe përdorimi i elementeve muzikore krijojnë një poezi të fuqishme dhe të frymëzueshme për lexuesin.

Poema  e Albina Idrizit përmban figura letrare që e bëjnë më të pasuruar dhe të ngazëllyer. Psh. metafora: "Plaku Ta pyeti vogëlushin Je, Çfarë të bën ty kaq të lumtur? Gjithçka që më duhet Është në mua" ku vogëlushi Je personifikohet si një person që ka zemër të madhe, të thjeshtë dhe të kënaqur. Metafora "Gjithçka që më duhet Është në mua" paraqet mënyrën se si vogëlushi gjen lumturinë dhe kënaqësinë brenda vetes, jo duke pritur nga jashtë, por duke zbuluar vlerat e brendshme.

Po kështu me metaforën: "Mund të kënaqem me çkado që kam Top, kukull, laps apo biçikletë" paraqet se çfarë është e rëndësishme për vogëlushin Je në kënaqësi.  Përdorimi i këtyre simboleve si "top", "kukull", "laps" dhe "biçikletë" tregon se për të kënaqësia gjendet në gjërat e vogla dhe të përditshme.

 Simbolika: "Në një gjeth të vetëm Dëgjoj si fëshfërin mali Në një pikë të vetme Ndjej si ushton oqeani Në një yll të vetëm shoh si merr frymë qielli" ku, gjethja, pika dhe ylli janë simbole të fuqishme që përfaqësojnë përmasat e vogla dhe të thjeshta të jetës, por që janë të ndjeshme dhe të rëndësishme dhe  tregojnë se vogëlushi ka një lidhje të fortë me natyrën dhe ndjesi të mëdha për gjërat e vogla.

Është i bukur imazhi: "Përcjell dritën e dashurisë te tjetri Dhe prej andej Shoh më mirë vetën time" që shfaq se si vogëlushi sheh veten e tij më mirë duke përcjellë dritën e dashurisë te të tjerët. Ky imazh tregon se miqësia dhe dashuria janë të rëndësishme për të kuptuar vlerën e vetes dhe të tjerëve. Po ashtu imazhi "farave të dëshirave”  te ("Farat e dëshirave Me të cilat dua të zgjohem në mëngjes") shfaq  shpresën dhe ëndrrat e vogëlushit për të ardhmen. Kjo tregon se ai është i mbushur me synime dhe synon gjëra të mëdha dhe të bukura.

Figurat letrare të përdorura në poemën "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" ndihmojnë në krijimin e një përvoje të pasur letrare dhe filozofike për lexuesin. Përdorimi i metaforave, simbolikave dhe imazheve të pasura tregon se poema ka një kuptim të thellë dhe universal, që e bën tërheqëse për fëmijët.

Fakti që poetja përdor edhe figura artistike të tjera, si: personifikimi -"Frikën nuk e njoh Nuk egziston Ajo bëhet e gjallë dhe rritet Vetëm kur e kujton", similituda: "Librat - Urtësi e palosur fletë fletë Që dritë e diturisë E shtuar të jetë", eufemizma: "Kur jam larg me mendime",kontrasti: "Unë jam Dhe ai që troket në derë Dhë ai që hap derën Askush tjetër nuk vjen te ty Veç atij që të ngjan, atij që je, Gëzimi i tjetrit Është lumturia ime, Lëndimi i tjetrit Është edhe dhimbja ime", simboli: "Fjalë e zemrës Në gjuhën e lules është aromë, Në gjuhën e lumit është gurgullimë, Në gjuhën e diellit është dritë" tregon se autorja nuk ka patur si objektiv të saj krijimin e një kënaqësie të çastit  me vargje për fëmijët, por duke dhënë një vepër ndryshe ajo ka patur për synim, ndriçimin dhe sensin e kuptimit të thellë filozofik.

VII-Vargjet e poezisë janë të shkurtra, të përshtatshme dhe me rima, duke krijuar një efekt të ritmit dhe harmonisë. Përdorimi i vargjeve të shkurtra shpesh krijon një ndjenjë lehtësie dhe fluiditeti në lexim. Poetja ka zgjedhur të paraqesë një dialog midis dy personazheve, dhe vargjet e shkurtra ndihmojnë që dialogu të jetë i kuptueshëm dhe i thjeshtë.

Albina Idrizi përdor fjalë dhe shprehje të qarta dhe të kuptueshme për të komunikuar mësimet dhe idenë e poezisë. Gjuha e poezisë është poetike, jo e komplikuar, e cila e bën të qasshme për një publik të gjerë.

Fjala është e përzgjedhur me kujdes dhe e pasuruar me kuptim thelbësor. Poetja përdor fjalë të fuqishme dhe imazhe të ndjeshme në vargje të shkurtëra për të përshkruar mendimet, emocionet dhe filozofinë e jetës që shpalosin personazhet e poezisë.

Poezia "Vogëlushi Je dhe plaku Ta" e Albina Idrizit është një poezi e bukur dhe frymëzuese për të gjithë, pavarësisht moshës. Kjo poezi ka një mesazh thelbësor për jetën, lumturinë, miqësinë dhe vlerat e thjeshta të jetës, të cilat janë tema që mund të jenë tërheqëse dhe të rëndësishme për të gjithë, përfshirë dhe për femijët.

Për femijët, kjo poezi ka vlera të veçanta:

Thjeshtësia e gjuhës dhe fjalëve e bën të lehtë për t'u kuptuar dhe përjetuar. Fjalët e zgjedhura me kujdes dhe vargjet e shkurtra e bëjnë poezinë më pranueshme për fëmijët dhe i ndihmojnë ata të lidhen me kuptimet dhe imazhet e shprehura.

Mesazhi pozitiv dhe frymëzues i poezisë përshkruan vlerat e lumturisë, miqësisë dhe dashurisë, të cilat janë ideale për fëmijët që po zhvillojnë veten dhe identitetin e tyre. Kjo poezi i inkurajon ata të kënaqen me gjërat e thjeshta dhe të krijojnë lidhje të mira me miqtë dhe të tjerët rreth tyre.

Përdorimi i personazheve të karaktereve të thjeshta, siç janë Vogëlushi Je dhe plaku Ta, krijojnë një lidhje emocionale me lexuesin, duke i bërë fëmijët të ndiejnë një ndërveprim dhe aventurë emocionuese me ta.

Poema është e përshtatshme dhe e vlerësuar për fëmijët për shkak të mesazhit të saj të dashurisë, miqësisë dhe vlerave të thjeshta të jetës. Ajo i frymëzon ata të shohin lumturinë në gjërat e thjeshta dhe të zhvillojnë ndjenjën e ndërgjegjshme të identitetit të tyre. E parë në këtë këndvështrim ky libër për fëmijë është një vepër e arirë e Albina Idrizit që dëshmon për talentin dhe botën e pasur shpirtërore të saj, bazë për vepra cilësore në të ardhmen.

 

Sarandë, më korrik 2023

 

 

 

 

 


Thursday 20 July 2023

Timo Mërkuri

 

THELLËSIA DHE DENDËSIA E MENDIMIT TË NJË POEZIE

 

Anton Nikë Berisha “Përndritje e amshuar” – kushtuar Homerit

 

I-Nuk na habit fakti që poeti Anton Nikë Berisha shkroi poezinë “Përndritje e amshuar” kushtuar Homerit, madje na duket se e kemi pritur këtë poezi prej tij, për arsye se si rrallëkush Berisha zhbiron në thellësi të shekujve për të na dhuruar diamante mendimesh e dijesh njerëzore në formën e krijimeve letrare, të cilat lënë gjurmë të pashlyeshme te lexuesi nga se dëshmojnë gjerësinë e horizontit, thellësinë dhe dendësinë e mendimit, të analizës dhe shprehjes, ku gjithmonë ai shfaqet me një epërsi diturie, mprehtësie e bukurie.

Pas leximit të poezisë së tij “Përndritje e amshuar” vlerësojmë se ajo përmban dhe shfaq tipare filozofike, mistike, realiste etj., të shprehura në bazë të stilit tipik të poetit.

Në aspektin filozofik poezia përdor mjetet përkatëse të lartësuara për të shprehur ide të thella dhe të përgjithshme. Dëshmohet fuqia e fjalës poetike dhe aftësia e saj, e cila shkakton ndryshime në mendjet dhe në jetën e njerëzve, duke reflektuar kështu mbi vlerën dhe ndikimin e artit dhe të fjalës tek njeriu. Poeti Berisha e jep Homerin jo duke shkruar historinë e kohës së tij, por me shikimin të drejtuar në kohën tonë; poemat e Homerit nuk i trajton si histori; së pari ato janë mesazhe që i drejtohen njerëzimit në kohërat e mëpasshme. Këtë thelb të tyre, palcë të shtyllës kurrizore të poemave homerike, e ka kuptuar e zbërthyer poeti Berisha dhe ia transmeton lexuesit nëpërmjet poezisë së  tij.

Në Luftën e Trojës, ku u përleshën  njerëz e perëndi të rreshtuara në dy kampe, Homeri nuk mbajti anën e asnjërës palë ndërluftuese apo perëndie të përfshirë në përleshje, ai u kujdes për një qëndrim asnjanës dhe objektiv, me vëmendje të drejtuar në kohërat e mëpasshme,; ato duhej ta lexonin mirëfilli mesazhin e tij poetik.

Në aspektin mistik, poezia “Përndritje e amshuar” përdor imazhe të mrekullueshme dhe të shenjta për të shprehur fuqinë, bukurinë dhe efektin e vargut homerik, madje përmendja e “Jehovah Schammah” (“Zoti është këtu” ose “Zoti është i pranishëm”; Shih Biblën, Ezekiel 48,35.) sugjeron një lidhje të thellë me botën e shpirtit dhe përshkueshmërinë, ku kuptojmë se përmendja e “Jehovah Schammah” tregon një ndjenjë të thellë të lidhjes së poetit edhe me botën e mendimeve të thella dhe ndjenjave të brendshme, ndërsa përshkueshmëria ndërlidhet me tejkalimin e kufijve të zakonshëm të perceptimit të botës fizike, duke shfaqur mënyrën se si poezia i tejkalon rëndomësinë e perceptimit dhe i hap rrugë një përmase të veçantë të shprehurit dhe të përjetimit.

Në aspektin realist, poezia ndërlidhet me figurën e Homerit dhe me ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore, ku shprehen reagimet e tyre ndaj fjalës poetike dhe ndikimit të në udhëheqësit dhe udhëtimin e tyre të errët.

Në pamjen e dukshme te kjo poezi dallon dy tipare, së pari vëren se poezia është shkruar në formën e një bashkëbisedimi dy palësh, ku autori bashkëbisedon me Homerin (ndonëse është vetëm poeti Berisha që flet) dhe së dyti: poezia është shkruar në formën e një lavdërimi ndaj Homerit për kontributin e madh që ai ka dhënë në letërsinë dhe mendimin njerëzor gjatë shekujve, ku marrim shkas t’i kujtojmë lexuesit se lavdërimet janë psalmet që të krishterët i këndojnë Zotit, prej nga kuptojmë se Berisha e ngre tej kufijve njerëzorë atin e poezisë, për atë që i mësoi dhe i la trashëgim njerëzimit. Duhet të kujtojmë se jo vetëm shoqëria greke u rrit dhe u zhvillua me poemat homerike, por gjithë Evropa, Azia Evropiane dhe Afrika veriore në antikitet, ndërsa në Mesjetë dhe kohët moderne ato janë  lëndët bazë në shkollat e gjithë botës, madje edhe në universitete. Pra, poeti Berisha e jep Homerin jo si një kronikan të kohës së tij, por si dërgues mesazhesh poetike e filozofike të njerëzve të kohës së tij dhe të brezave të ardhshëm të njerëzimit, ashtu si yjet emetojnë dritën e tyre edhe qindra vjet pasi janë shuar. Drita homerike vjen te ne, jo në formën e valëve, por të vargjeve dhe na jep veç dritësimit edhe shumë të dhëna të tjera për kohën e  ndriçimit të “yllit” të saj.

Te Homeri vëren, lexon dhe mëson jo vetëm poezinë, por edhe historinë, mitologjinë, gjeografinë, strategjinë, qytetarinë, madje dhe ndërtimin e qyteteve dhe të së ardhmes. Vargjet e tij janë sa shpirtërore aq dhe qiellore, të tejdukshme si ajri, drithëruese si elektriciteti, jetësore si oksigjeni, ndaj mund të përsëritim se: “Homeri është mësuesi ynë i parë, që na ka treguar se si të themi dhe të dëgjojmë” (Johann VVolfgang von Goethe), “Homeri është si një diell i hershëm që dalloi nga mjegulla e natës së shekujve të errët” (Lord Byron), “Homeri është arkivi më i vjetër i njerëzimit dhe vepra më e madhe letrare që ka prodhuar kultura e lashtë” (Friedrich Schlegel) dhe të ndjejmë se kemi dhe më shumë për të thënë për të.

Berisha i ka përmbledhur dhe shprehur poetikisht në formën më të bukur shumë nga vlerësimet e thëna, të menduar për t’u thënë apo që do të thuhen në të ardhmen. Këto vargje poetike nuk janë thjesht fryt i frymëzimit dhe i talentit, ato i kanë rrënjët në mendimin dhe dijet e tij të gjera e të thella, prandaj janë sa të të menduara aq dhe qëndisura.

 

II-Vetë titulli “Përndritje e amshuar” dëshmon ndikimin e përjetshëm dhe ndriçimin e vargjeve të Homerit. Fjala “amshuar” lidhet me diçka që është jashtë kohës reale dhe që vazhdon të ekzistojë nëpër kohë, duke përcjellë ndikimin (e vargjeve të poetit të lashtë), nëpërmjet të cilave ai ka qëndruar i gjallë dhe i pranishëm te lexuesit, pa marrë parasysh kohën dhe vendin; titull tregon se poezia e Homerit është si një dritë e përjetshme që e ndriçon rrugën e letërsisë dhe mendjen e lexuesve nëpër kohë. Në këtë mënyrë, titulli përcjell idenë e një ndikimi të pafund dhe të padukshëm që fjalët e Homerit kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë. Po ashtu togfjalëshi “Përndritje e amshuar” është një imazh poetik i fuqishëm, ndaj themi se edhe titulli krijon një atmosferë mistike e poetike njëherësh, duke tërhequr lexuesin drejt misterit të poezisë. Fjala “Përndritje” paraqet një ndriçim të jashtëzakonshëm dhe tërheqës, ndërsa “amshuar” lidhet me diçka, siç thamë, që vijon dhe që nuk zhduket. Kjo është qenësia që krijon një imazh mistik dhe poetik, duke përcjellë idenë e një ndriçimi që vazhdon të ekzistojë nëpër kohë.

Titulli “Përndritje e amshuar” është në përputhje me fuqinë e përhershme të vargjeve të Homerit, çka e bën atë “të gjallë si dje, si sot, si nesër”.

Thamë se pjesa e titullit “amshuar” shton një përmasë mistike në poezinë e Berishës, përmasë që e përligj rëndësinë e vargjeve të Homerit si një burim të veçantë të ndriçimit dhe frymëzimit dhe që në vetëdijen tonë e shohim të ngjashëm me dritësimin e Biblës.

 

III-Vargjet e poezisë theksojnë rolin dhe fuqinë e Homerit si poet dhe sjellin imazhe të mrekullueshme për të shprehur ndikimin dhe thellësinë e fjalëve të tij. Interpretimi i aspektit psikologjik, filozofik, mistik dhe realist mund të jetë subjektiv dhe ndërvarës i lexuesit, por pikërisht ky interpretim subjektiv (sipas lexuesit) është një bukuri e shtuar e poezisë, është një ngjyrë e dritës së përthyer në prizmin e shijes individuale, që i shtohet ngjyrimit të vetë poezisë.

Siç dihet, vargu homerik është një krijesë shumëpërfshirës e shumëngjyrësh, por duhet të themi se dhe vargu i kësaj poezie të Berishës është i denjë për figurën e Homerit dhe përmasat e tij, ashtu siç është i përshtatshëm mermeri i përzgjedhur nga Mikelanxhelo për Davidin e tij.

“Përndritje e amshuar”  është një poezi e mendimit e gdhendur me daltën e dijes e të frymëzimit, por ne duam të themi se është pikërisht pesha e mendimit mbi vargje që rrëndon mbi fjalët që e bëjnë tekstin poetik. Mungojnë te Berisha  fjalët fluturake, si flutura me origjinë të dyshimtë. Çdo fjalë në vargjet e kësaj poezie ka peshën e mendimit, origjinën e frymëzimit dhe bukurinë e vizionit poetik. Thamë se fjalët ngërthejnë mendime të shumta, si gurët me të cilin shtrohen kalldrëmi apo ngrihen bedena, por Berisha me këto gurë fjale ngre një far në breg të kohës sonë, jo që ta shohë Odiseun në udhëtimet e tij, por që ne të shohim në tallazet e modernitetit bregun homerik si bregun e shpresës së mirë dhe të shmangim shkëmbinjtë nën ujorë.

Përmendëm vizionin poetik të Berishës, ndaj unë ju ftoj që ta shohim vizionin e tij që shpaloset në vargje, si era që përplaset në vela dhe i tendos ato në udhëtim, të cilën forca e talentit i mban drejtpeshimin anijes në furtunë si direku kryesor. Them se anija poetike e Berishës është një anije e tonazhit të rëndë që përshkon oqeane në furtunë dhe jo ndonjë skaf  i lehtë për ekskursione turistike brigjeve. Më jepni leje që ta  shpalos këtë ide me zbërthimin strukturor të vargjeve dhe idesë së tyre në poezi.

-Berisha shprehet për Homerin: “Të quajtën yll të fjalës, yll i tillë mbete. Ky cilësim metaforik përdoret për të shfaqur ndikimin dhe rëndësinë e Homerit si poet, kryesisht për brezat që erdhën pas tij. Duke e krahasuar atë me një yll, autori e paraqet poetin si një burim të ndriçimit dhe të frymëzimit për të tjerët, po sugjerojmë të shihet dhe në aspektin e orientimit si “ylli polar”.

Ky imazh mistik përcjell idenë se Homerit i është dhënë një dhunti të veçantë, një përndritje që është e pranishme në të gjitha kohët: “të shoh të gjallë si dje, si sot, si nesër.” Këto vargje shprehin një prani të përhershme dhe një ndikim që e tejkalon kohën dhe hapësirën. Misticizmi në këto vargje sugjeron një diçka të pazakontë dhe të mrekullueshme të veprës së Homerit, që tejkalon kufijtë e zakonshëm të realitetit.

Vargjet “u përshkua vijimisht nga shkëlqimi i tyre / zbulim i fshehtësisë dhe i madhështisë së fjalës” shprehin rëndësinë e dritës dhe të ndriçimit të fjalës së Homerit, pra, fjalët e tij janë përcjellë dhe janë shtjelluar në mënyrë të vazhdueshme nga ndriçimi që ato kanë brenda tyre, si ndriçimi i yjeve, ku drita është pjesë e qenies së tyre.

Kjo përmendje e ndriçimit shpreh fuqinë e fjalës dhe vlerën e saj të thellë. Ndriçimi i yjeve në këtë kontekst paraqet një burim të fshehtësisë dhe madhësisë së fjalës, duke treguar se poezia e Homerit zbulon aspekte të fshehura të botës e të njeriut. Si të tillë vargjet krijojnë një atmosferë misterioze dhe të thellojnë një ndjenjë të rrëfimit të mrekullueshëm të fjalëve e të kumeve poetike.

Po kështu edhe pjesa e dytë është e pasur me imazhe dhe shprehje të fuqishme për të theksuar ndikimin dhe vlerën e fjalëve të Homerit: “Të quajtën yll të fjalës, yll i tillë mbete, / Orfe në ngritje që asnjëherë nuk mplakët”. Ky përdorim metaforik e paraqet Homerin si një figurë të shquar në botën e fjalës, ku përveç kësaj, krahasimi me Orfeun në ngritje, i cili nuk plaket kurrë, thekson se Homerit i është dhënë një fuqi të përjetshme dhe një ndikim që nuk humbet me kalimin e moteve.

Te vargjet: “se ti vrojtove me sytë e mendjes së tejndritur / çdo fjalë e jote lindi nga ngrohtësi e bukurisë, / jetë i dhe shumësisë së mendimeve urtake, / që fisnikërohen e rriten tek secili që i lexon” përligjen imazhe plot ngjyra për të shprehur krijimtarinë e Homerit, ku përmendja e “syve të mendjes së tejndritur” paraqet aftësinë e jashtëzakonshme të Homerit për të krijuar poezi që lind nga “ngrohtësia e bukurisë”.

Në poezinë e Berishës Homeri është perceptuar si një “jetë” e mendimeve të shumta urtake, ato: “janë të gjalla” dhe “fisnikërohen e rriten tek secili që i lexon”, çka ua përjetëson vlerën.

Në pjesën e katërt poeti shprehet me vargje tipike, ku shfaqet fuqia dhe ndikimi i fjalës së Homerit. Togfjalëshi “magjia e të shprehurit” tregon se fjalët e tij kanë një efekt sa të veçantë aq dhe të mrekullueshëm.

Homeri lartësohet me frymësi të shpirtit, dëshmi se krijimet e tij janë të frymëzuara nga thellësia dhe ngjeshësia e shpirtit. Krahasimi me “gjakimin e dashurisë së parë” shpreh fuqinë e ndjenjave dhe dashurisë që theksojnë fjalët; në disa vargje të kësaj pjese përdor imazhe të bukurisë dhe rrezatimit për të shfaqur ndikimin e fjalëve të Homerit nëpër kohë. Fjala e tij është përshkruar si “bukuri” që mbëlton dhe lundron nëpër kohë, paraqitje që nuk e kemi hasur në asnjë krijimtari të lexuar prej nesh. Krahasimi me “vrushkujt rrezesh që s’kanë të sosur” paraqet fuqinë dhe pavarësinë e ndriçimit të fjalëve të Homerit, duke treguar se ato shkëlqejnë në lindje të agimit, duke sjellë ndriçim dhe shpresë.

Vargjet: “Mendimet e tua i pushtuan mendjet kudo; / para vargut tënd u gjunjëzuan mbretër, sundimtarë, / diktatorë mashtrues, hije të përbindshme: / tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm / se vargu yt shprehu të vërtetën artistike / atë që është e thellë, e urtë, e vlefshme/që shtrihet pafundësisht në kohë –/ kjo të kurorëzoi me dafina të përjetshme”, pra, mendimet e tij pushtuan mendjet e njerëzve, duke përfshirë “mbretër, sundimtarë, diktatorë mashtrues” dhe “hije të përbindshme”, duke treguar se pushtetit të fjalës së Homerit i bindeshin edhe personat më të pushtetshëm të kohërave si “Tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm”.

Këta emra që përfaqësojnë autokratët më të mëdhenj të kohërave, tregojnë së pari forcën e fjalës së Homerit dhe se ndikimi i tij tejkalon kohën dhe vlerësohet nëpër shekuj si një zë i rëndësishëm për të shprehur “të vërtetën artistike”.

Poeti përshkruan atë që Homeri shpreh në vargje si “të vërtetën artistike” e cila është e thellë, e urtë dhe e vlefshme, duke i dhënë një dimension të thellë dhe universal fjalëve të Homerit, që përhapen pafundësisht nëpër kohë; janë dafina të përjetshme.

Mbyllja e poezisë me pjesën: ”Vargu yt – rrezatim i përhershëm në fërk t’agsholit / që i njëson natyrshëm kohët e kaluara / dhe nis fluturimin e epërm në të ardhmen; / t’i qetësojë ulërimat, klithjet, psherëtimat / të bjerë hirshëm mbi mallin, dashurinë, vuajtjet” dhe sidomos vargu mbarrësonës (përmbyllës): “ Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” tingëllon si një prelud muzikor.

Berisha e vlerëson vargun e Homerit si një rrezatim të përhershëm që ngjizet në “fërk t’agsholit”, duke e krahasuar atë me ndriçimin e mëngjesit plot nuanca ngjyrash. Ky varg i Homerit i bashkon natyrshëm kohët e kaluara dhe nis fluturimin e lirë drejt së ardhmes, ndërsa te vargjet “T’i qetësojë ulërimat, klithjet, psherëtimat” poeti tregon se fjalët e tij kanë fuqinë për të qetësuar dhe përballuar emocionet e njerëzve, pasi ato “bien hirshëm” mbi “mallin, dashurinë, vuajtjet”, ashtu si ëndrrat e bukura në syrin e mëngjesit.

Vargu i fundit “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah’” e lidh vargun e Homerit me një figurë mistike, të shenjtë; “Jehovah Schmmah” në hebraisht do të thotë “Zoti është i pranishëm”.

Me këtë krahasim, poeti synon të theksojë se poezia e Homerit, pos të tjerash,  është në shërbim të njerëzimit dhe të prehjes shpirtërore; dëshmon se fjalët e Homerit janë të frymëzuar nga një prani e jashtëzakonshme, vargu i tij përfaqëson një ndriçim që e përcjell dhe e shpjegon  mesazhin e Zotit. Krahasimi me “Jehovah Schmmah” paraqet një misticizëm të thellë dhe një lidhje të veçantë me përjetësinë si dhe lartësimin e shpirtit.

Poezia “Përndritje e amshuar” e Anton Nikë Berishës nuk përdor strukturën tradicionale të sonetit, por vargu i fundit “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” ka vlerën e një rreshti përmbyllës të idesë së poezisë, të një vargu mbarrësonës.

Termi “varg mbarrësonës” përfaqëson zakonisht një varg që ka për qëllim të japë një përfundim apo të harmonizojë poezinë dhe që zakonisht përdoret në fund të saj. Disa forma të poezisë, si për shembull, soneti është gjë e zakonshme që të përfundojnë me një varg (rresht) shtesë që ka një funksion të veçantë. Ai mund të përshtatet me strukturën dhe temën e poezisë ose mund të ofrojë një përfundim apo mesazh përfundimtar. Në rastin konkret poezia s’ka strukturën e sonetit, por çuditërisht vargu i fundit ka natyrën dhe vlerën e vargut mbarrësonës, duke qenë një vlerë tjetër në këtë poezi.

 

IV-Në poezinë “Përndritje e amshuar” kemi një pasuri figurash artistike që janë njëkohësisht edhe pjesë organike e strukturës tekstore të poezisë. Kështu: metafora: “Ti për vargun je ‘Jehovah Schmmah” sugjeron se fjalët e Homerit janë të frymëzuara nga diçka të lartësisë shpirtërore dhe janë të frymëzuara nga hiri hyjnor; pamja “u përshkua vijimisht nga shkëlqimi i tyre –/ zbulim i fshehtësisë dhe i madhështisë së fjalës” përfaqëson mrekullinë dhe madhështinë e vargjeve të Homerit, ndërsa imazhi i zbulimit të fshehtësisë tregon se ato japin diçka të thellë dhe të verbër që mund të shihet vetëm nga ata që janë të aftë ta vlerësojnë.

Këtë ide e përforcon më tepër edhe përdorimi i simbolit: “vargu yt –rrezatim i përhershëm në fërk t’agsholit”. Rrezatimi simbolizon ndriçimin, frymëzimin dhe ndikimin që ai sjell, ndërsa “fërk t’agsholit” lidhjen e vargut me shkëlqimin e diellit, duke dëshmuar se vargjet e Homerit kanë dhe përhapen nëpër kohë si burim i prehjes dritësore dhe i shpresës.

Personifikimi: “Mendimet e tua i pushtuan mendjet kudo” u jep vetëdije dhe fuqi mendimeve të Homerit, duke i shfaqur ato si subjekte aktive që i pushtojnë mendjen e njerëzve. Ky personifikim shpreh fuqinë e mendimeve dhe ndikimin që ato mund të bëjnë në shoqërinë.

Hiperbola: “u përflak me dritën e yjeve” paraqet intensitetin dhe fuqinë e përshkimit të fjalëve të Homerit me dritën e yjeve.

Ndërlidhja e personazheve historikë: “Tiberë, kaligulë, neronë e të ngjashëm/se vargu yt shprehu të vërtetën artistike” me poezinë e Homerit shpreh faktin se vargu i tij ka arritur të shprehë të vërtetën artistike në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të shpalosë fuqinë dhe vlerën e artit të tij në krahasim me figurat historike të fuqishme etj.

Këto figura artistike në tekstin e poezisë e shtojnë dimensionin estetik dhe emocional, u japin një ngarkesë më të thellë dhe më intensive pamjeve dhe kuptimësisë së poezisë; i bëjnë më të pasur estetikisht mesazhet dhe përligjin  ndikimin e poezisë së Homerit.

 

V-Vargjet në poezinë e mësipërme janë të shtjelluara në mënyrë të lirë, ndërsa marrin forma dhe kuptime të ndryshme. Ky mënyrë e shtjellimit i lejon poetin të shprehë lirinë e mendimit dhe të shpirtit, duke i dhënë poezisë një fluks të natyrshëm dhe tërheqës. Përmes tekstit poetik përftohen imazhe dhe shprehen ide me një ritëm dhe harmoni përkatëse.

Gjuha e poezisë është e shqipes letrare dhe autori përdor një stil të veçantë; përmes saj krijohen metafora, simbole e kuptime të shumta, që i japin ngarkesë poetike dhe thellësi. Gjuha ka një ndjenjë mistike, duke krijuar një atmosferë të mëvetësishme dhe tërheqëse të poezisë.

Përdorimi i vargjeve, i fjalëve dhe i gjuhës ndihmon në krijimin e një përvoje poetike sa të ngritur aq të thellë, që i jep poezisë një intensitet dhe një mundësi ndikimi estetik të fuqishëm te lexuesi dhe shton një dimension shtesë në përjetimin e poezisë.

Poezia “Përndritje e amshuar” e Anton Nikë Berishës është jo vetëm një arritje e autorit në krijimin e një risie të afërt me portretin poetik të një niveli të epërm artistik, por edhe një bast i fituar i poezisë shqipe në krijimin e kësaj risie, ku stili poetik i autorit spikat  me dritën e ngjyrat e tij tutje “mjegullës” poetike moderne. Poezi të tilla ngjajnë si shkëmbinjtë e brigjeve që presin e thyejnë dallgët e detit të fuqizuara nga furtunat, duke mbrojtur tokën e vlefshme të bregdeteve. Këto poezi mund të shërbejnë dhe si pika referimi e drejtimi.

 

Sarandë, korrik 2023 

Wednesday 12 July 2023

 

MODERNITETI I NJË MELODIE PAGANE

 

 

Nga Timo Mërkuri

 

I-Është interesante poezia "Pagane" e poetit Fatmir Terziu pse përtej dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e bëjnë të vështirë të klasifikohet në një kategori të vetme, këtë e themi se ajo përmban elemente të poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste. Te kjo poezi Terziu përdor imazhin simbolik të një zëri:Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”,  zë i cili përfaqëson një melodi që nuk mund të gjejë gjurmë në botën e jashtme, varg i cili jo vetëm që s’na befason por është i mirëkuptuar nga të gjithë shqiptarët, të cilët ndjejnë egzistencën e një bote pagane brenda vetes së tyre me  zërat  dhe melodicitetin e tyre, i pangjashëm në asnjë komb. Pikërisht ky aspekt i poezisë përfshin elementë filozofike duke reflektuar për ndarjen midis realitetit fizik dhe botës së brendshme të ndjenjave dhe fantazisë. “Zogu i bindur në kitarë” tregon për një ndjenjë të përfshirjes në këtë muzikë mistike. Nuk  e di pse por ai zë i bukur pagan muzikor që kumbon më ngjason me iso-n e këngëve tona apo me atë thirrjen “eheeeej” të këngëve majekrahit, duke ngjallur një ndjenjë mistike.

Përtej elementit filozofik, poezia përmban edhe një komponent psikologjik. Përmendja e imagjinatës së dashurisë dhe ndezja e ëndrrave tregon për një lloj lirie dhe shpëtimi emocional që poeti gjen në mendje, e cila reflekton marrëdhë-nien e ndërlikuar të poetit me veten dhe emocionet e tij.

Sidoqoftë, poezia ka dhe karakteristika realiste, aty përmenden të dhëna konkre-te, si pentagrami dhe kitara, dhe përshkruan veprimet e personazhit, si të mbledhjes së luleve Mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas”. Këto elemente konkrete japin një ndjesi të realitetit dhe e bëjnë poezinë më të qashtërsueshme për lexuesin.

Pra poezia "Pagane" e Fatmir Terziut mund të konsiderohet poezi me elemente  filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste ku poeti përshkruan ndjesitë e veta  nëpërmjet imazheve të brendshme, reflekton për dimensionin emocional dhe lidhjen me realitetin e jashtëm. Kjo poezi e Terziut shpreh një këndvështrim të paganizmit, i cili shfaqet nëpërmjet muzikës së bukur që kumbon në brendësi të personit.  Paganizmi është një shprehje e ndërlidhur me natyrën, dashurinë dhe imagjinatën  dhe poezia shfaq një ndjenjë të thellë të ëndrrës dhe të mbijetesës së dashurisë përmes fuqisë së imagjinatës.

Në këtë konteskt ne mund të shtojmë se: përdorimi i imazheve poetike të zjarrit , ëndrrës, imagjinatës dhe dashurisë tregon se poezia ka një thelb simbolik dhe metaforik. Këto elemente lidhen me përjetimet dhe ndjenjat e personazhit dhe shprehin një lloj sfide për të përballuar realitetin dhe për të gjetur kuptim dhe kënaqësi nëpërmjet botës së brendshme.

Po ashtu, përdorimi i fjalëve si "mbretërisë së zjarrtë të halleve" dhe "gjethe buzë shkallëve" tregon një ndjenjë të vështirësive dhe vuajtjeve të jetës. Këto elemente realiste përcjellin një mesazh për mënyrën sesi ai, poeti përballon sfidat dhe mundësitë e tij për të liruar veten nga kufizimet e jetës së përditshme.

Te vargu:Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje”poeti shkruan duke i dhënë një klimë të ngrohtë poezisë, si një bashkëbisedim me lexuesin, pra poeti sheh, dëgjon dhe shpreh ndjenjat dhe mendimet e lexuesit dhe leximi i poezisë është një bashkëbisedim ku poeti i “shpjegon” lexuesit si një mjek pacientit kuptimshmërinë e ndjenjave të tij.  Sigurisht që këtu poeti i flet vetes së tij dhe ne e dëgjojmë se çfarë i thotë.

 

II- Poezia është shkruar në stilin e një soneti, me dy strofa me rimë e ritëm dhe dy rreshta mbarësonës në mes. Kjo i jep poezisë një organizim të qëndisur dhe të strukturuar, duke përcjellë një ndjenjë të rregulltësisë dhe harmonisë.

Përmëndëm termin “rreshti mbarësonës”, term që përfaqson zakonisht një rresht (varg) që ka për qëllim të japë një përfundim apo të harmonizojë poezinë dhe që zakonisht përdoret në fund të poezisë.  Në disa forma të poezisë, si për shembull soneti është e zakonshme që poezia të përfundojë me një rresht shtesë që ka një funksion të veçantë.  Ky rresht mund të përshtatet me strukturën dhe temën e poezisë ose mund të ofrojë një konkluzion apo mesazh përfundimtar.

Në kontekstin e poezisë "Pagane" të Fatmir Terziut, "një rresht mbarësonës" mund të referohet dy vargëshi pas strofës së pare,  vargjet: “E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë” ku vargu "E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram" përshkruan një proces krijues, ku (ne) “e kemi gatuar me shpirt” diçka (pentagramin) me përkushtim dhe shpirtërot, duke treguar se bëhet fjalë për ndjenja shpirti (gatuar me shpirt) dhe jo diçka materiale (ndërtuar) . Ky varg paraqet një fokus të veçantë në krijimin artistik dhe përkushtimin që autori ka dhënë në krijimin e tij, ndërkohë që vargu "zog i bindur mbeti në kitarë" sjell një imazh të zogut  (këngëtar) që mbetet  mbi kitarë duke kënduar. Ky varg mund të interpretohet simbolikisht si një tjetër aspekt i krijimtarisë së poetit, ku ai kthen një lirshmëri apo një shprehje të lirë (zogu) në një formë muzikore të kontrolluar dhe të limituar (kitara). Kjo tregon një tension midis lirisë së artistit dhe kufizimeve që mund të ketë në shprehjen e tij. Pra, këto dy vargje  japin një përfundim të veprimtarisë dhe mund interprethen si rreshta (vargje) mbarësonës që përcjellin një ide të plotësimi të temës së strofës së parë të poezisë, madje më tepër se rreshti i fundit i poezisë: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” e cila synon drejt rreshtit mbarësonës.

Vargjet: "E kemi gatuar me shpirt këtë pentagram,/zog i bindur mbeti në kitarë"  janë edhe vargje midisëse në dy strofa të poezisë "Pagane" pse dy strofat  kanë një distance kohore mes tyre, ndaj këto dy vargje shërbejnë edhe si një urë lidhëse mes tyre, duke përforcuar lidhjen e temave dhe ndjenjave të shprehura në to. Në strofën e parë, përmendet një zë i bukur pagan që kumbon brenda personit, ndërsa në strofën e dytë përmendet mbledhja e luleve për të dhuruar memorjeve të harruara.

Në përgjithësi, rreshti mbarësonës mund të përshkruajë një ndjesi të përfundimit, pranimi i realitetit dhe gatishmërinë për të qëndruar në këtë gjendje, ndaj themi se këtë funksion e kryen edhe rreshti: “se ishim dhe mbetemi thjesht gjethe buzë shkallëve” që përcjell mesazhin se personazhi pranon veten si një individ unik dhe ndjen nevojën për të jetuar dhe vlerësuar përvojën e tij në mënyrë autonome, larg prej pritshmërive të jashtme dhe kufizimeve të vendosura nga bota e jashtme.

Ky është një interpretim i imi i rreshtit mbarësonës në poezinë "Pagane" dhe mund të ketë shumë mënyra të tjera për të kuptuar dhe interpretuar këtë rresht, varësisht nga perceptimet dhe kuptimet individuale të lexuesit, por ajo që dua të shfaq këtu është se në poezinë shqipe, me përjashtim të sonetave, rrallë kemi hasur rreshta (vargje) mbarësonës, pavarësisht bukurisë që ata i japin poezisë, jo vetëm si strukturë poetike por si art poetik.

 

III-Poezia është ndërtuar me figura artistike që, duke qënë pjesë e kuptimit të saj, ja forcojnë strukturën poetike dhe e shndrojnë poezinë në një krijim prej arti. Kështu metafora:"Një zë i bukur pagan muzike kumbon brenda teje" përshkruan muzikën si një zë pagan që kumbon në brendësi të (botës) së poetit,  duke shprehur me një elegancë poetike përbërjen e traditave të herëshme të botkuptimit të njeriut shqiptar, që edhe tani në kohët modern, vijnë në jetën tonë si një muzikë e ëmbël, ku muzika përfaqëson emocionet dhe frymëzimin e thellë të tij. Po ashtu metafora: "zog i bindur mbeti në kitarë" - përshkruan zërin e qetë dhe të lidhur me natyrën që mbetet në muzikë.

Imazhi:"gjithçka ishte dhe është zjarri i një ëndrre ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të nxitur nga imagjinata dhe dashuria, ku ëndrra është shfaqur si një forcë e ndezur brenda personit, ndërsa imazhi "mbledh lule për t'u dhuruar memorjeve që lamë pas" përshkruan aktin e mbledhjes së luleve si një mënyrë për të kujtuar dhe për të dhuruar respekt ndaj kujtesës së kaluarës dhe përvojave të jetës. Imazhi "Zogu i bindur në kitarë” paraqet një zog që rri i lidhur në kitarë, duke treguar për një ndjenjë të përfshirjes dhe të magjisë që rrjedh nga muzika. Ai përforcon temën e frymëzimit dhe thellësisë që përshkruhet në poezi, ndërsa imazhi "Ëndrra ndër deje" përshkruan ëndrrën si një zjarr të ndezur në mes të dejeve, duke shfaqur  një pasion të thellë dhe një ndjenjë të mahnitshme që lind nga imagjinata dhe dashuria.

Simboli "pentagramë" përfaqëson harmoninë, rregullin dhe lidhjen me botën e natyrës dhe spiritualitetin, këtu pentagrami simbolizon identitetin dhe lidhjen e thellë të autorit me natyrën dhe imagjinatën, ndërsa simboli "zjarrtë të halleve" - përfaqëson sfidat, vuajtjet dhe konfliktet e jetës.

Mund të flasim për epitetin:"zë i bukur pagan"  që cilëson zërin si bukur dhe e lidh  me paganizmin, duke i dhënë një ndjenjë mistike dhe të jashtëzakonshme, te "imagjinata dashuri" ku epiteti "dashuri" i jep ndjenjën e nxehtësisë dhe intensitetit të imagjinatës etj, por mjafton të themi se Terziu është një mjeshtër i të shprehuri artistic jo vetëm në vargje por edhe në prozë.

IV-Fjala dhe vargu në poezinë "Pagane" të poetit Terziu përbëjnë elementë thelbësore të shprehjes artistike dhe përforcojnë mesazhin dhe emocionet që autori dëshiron të komunikojë.

Fjala në poezinë "Pagane" është përdorur me kujdes dhe me qëllim për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe për të shprehur ndjenjat dhe idejtë e autorit. Fjala është e thjeshtë dhe e përzier me fjalët me ngarkesë emocionale dhe simbolike. Për shembull, fjala "pagane" në titull të poezisë vë në dukje marrëdhënien e autorit me natyrën dhe ndjenjën e frymëzimit të papërkufizueshëm.

Vargu në poezinë "Pagane" është i strukturuar në strofa, me katër vargje. Kjo strukturë rregulltësohet me rimë të rregullta në fund të secilit varg duke I dhënë poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë.

Vargjet e poezisë përdorin imazhe të pasura dhe figurat artistike për të shprehur ndjenjat dhe konceptet që autori dëshiron të shprehë. Kombinimi i fjalëve dhe ndërthurja e tyre me metafora, epitetet, simbolika dhe kontraste krijon një tekst të pasur dhe gjen një harmoni mes fjalëve dhe emocioneve që poezia synon të komunikojë.

Poezia "Pagane" ka një strukturë të qartë dhe përdor fjalët dhe vargun me qëllim për të përshkruar thelbin e mesazhit të saj. Përdorimi i fjalëve dhe organizimi i tyre në vargje krijon një efekt tërheqës dhe krijon një lidhje të fortë me lexuesin.

V-Kjo poezia e Terziut ka disa vlera tipike që e dallojnë atë si një veprë të rrëfyer dhe tërheqëse:  Poezia përdor njësi të fuqishme të fjalëve për të shprehur ndjenjat dhe idejtë në një mënyrë të thellë dhe emocionale. Përdorimi i metaforave, imazheve dhe simbolikave i jep poezisë një dimension të thellë dhe të pasur.

Poezia reflekton një lidhje të thellë me natyrën dhe spiritualitetin. Autori shpreh dashurinë për natyrën dhe nevojën për të kuptuar sensin e fshehur të jetës. Kjo shkakton ndjenja të frymëzimit dhe reflektimi mbi botën rreth nesh.

Kjo poezi shpreh ndjenjat e zjarrit dhe ëndrrës si forca frymëzuese dhe transfo-rmative. Fjala dhe vargu përdoren për të përshkruar zjarrin e ëndrrës që mbetet i ndezur nga imagjinata dhe dashuria.

Poezia karakterizozhet nga një strukturë e rregullt me katrosha (vargje katërshe) dhe rime të rregullta, aspekt struktural që i jep poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë, duke e bërë atë tërheqëse për lexuesin.

Fuqia emocionale e poezisë është e dukëshme në elementët e saj: Fjala dhe vargu përdoren për të shprehur ndjenjat e frymëzimit, pasionit dhe kërkimit të kuptimeve të thella për jetën dhe botën.

Këto vlera tipike e bëjnë poezinë "Pagane" të jetë një vepër e rëndësishme  dhe tipike në letërsinë shqiptare dhe në krijimtarinë e poetit modern Fatmir Terziu, i cili synon drejt një moderniteti më të dukshëm të krijimtarisë së tij poetike, për të cilën ne e përshëndesim.

 

Sarandë, më korrik 2023

Friday 7 July 2023

 

PORTRETI I DUÇES GDHENDUR NË SHKËMB DHE POEZIA

 

Nga Timo Mërkuri

I-Kujtimet e adoleshencës u ngjajnë farëzave të rëna në tokë e të mbuluara nga gjethet e vjeshtës, të cilat u krijojnë një ambient të ngrohtë për shpërthimin e tyre dhe nxjerrjen e filizit të pemës apo biskut të lules, i cili nxiton të hedhë shtat. Koha e këtij shpërthimi kujtimesh është e ndryshme, nga një deri në disa dhjetvjeçarë: në varësi të moshës së përjetimit të ngjarjes e cila ka nevojë për asimetrinë kohore të shpërthimit të saj .

Kështu i ka ndodhur Fatmir Terziut në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, në një ditë vere në Linoz ku u mahnit me një masiv shkëmbor, në të cilin ishte gdhendur një portret njeriu, te i cili njohu fytyrën e Duçes, fotografia e të cilit me helmetë ushtarake në kokë ishte shumë e njohur nga filmat e kohës. Djaloshi Terziu i ndiqte shumë filmat,  të cilat ishin një pasion i tij, që do të lulëzonte shumë vite më vonë, ndaj ishte i familjarizuar me dukjen e portretit të jerarkut fashist, por që ta gjente të gdhendur diku në Linoz në një masiv shkëmbor ,  këtë nuk e kishte menduar. Ishte koha kur ai si shumë moshatarë të tij synonin të ndihmonin familjet, qoftë dhe duke siguruar disa të ardhura sa për të mbuluar shpenzimet e shkollës, ndaj punonte në periudhën e verës. Fakti që i ati i tij ishte drejtor në Ndërmarrjen Rruga Ura të Elbasanit i jipte “privilegjin” e gjetjes së punës shpejt, por ata që e dinë se çdo të thotë të punoje në Ndërmarjen e Rrugëve në ato vite do ti shprehnin keqardhjen djaloshit për zgjedhjen, në vend që ta kishin “zili”. „Isha djalosh i ri dhe hallet më sillnin Rruga Urës /të bëja ndonjë para për librat, leksionet, /e muajt e verës më gjenin në krye të punës“. Gjithsesi më shumë se fitimin financiar djaloshi do mësonte se të mirat materiale të jetës sigurohen me punë dhe jo në rrugë të tjera, arsye dhe mësim që ndikoi në karakterin e tij, i cili dhe në Londër u bë një “puntor i palodhur” i artit dhe letërsisë.

Ishte koha që hapej rruga Brosh Bardhet, Linoz dhe Shëngjergj i Martaneshit,  kur në një moment në Linoz u “përball” me Duçen. Ishte një Duçe i gurtë, me një pamje impozante me kokën e ngritur paksa, sikur shikonte diku në largësi, pozë tepër e njohur nga fotografimet dhe filmimet, por që këtu në Linoz dikush i kishte thyer hundën, madje i kishte lënë dhe një blagë grushti në mjekër e në buzë, ndaj me atë kokën pakëz të ngritur ai dukej si një boksier në momentin që po binte nokaut nga një goditje e fuqishme. Dukej jo vetëm i mundur, por edhe i braktisur aty në ringun natyror të Linozit, humbje dhe braktisje që e bënte më të theksuar e kaluara e tij si një autokrat i zhurmshëm dhe ca më tepër e theksonte këtë ndjesi peisazhi piktoresk ku ndodhej.

Pyetjes se si u krijua kjo skulpturë e kreut fashist italian në këtë vend, ne do ti shpjegojmë se në vitet e pushtimit aty pranë ishin gazermat ushtarake italiane dhe një ushtar, me gjasë skulptor i mobilizuar ndërmori nismën e gdhëndies në shkëmb të portretit të Duçes, si pasion të vetin apo për të përfituar ndonjë lehtësim në shërbimin ushtarak. Historia na dëshmon se ky ushtar skulptor shpëtoi në luftë, madje pas kapitullimit të ushtrisë italiane jetoi në disa familje shqiptare deri në çlirimin e vendit, kur më pas u largua.

Për ne ka rëndësi  se këtë imazh djaloshi Terziu e mbarti në kujtesën e tij dhe e solli sot mes nesh  në formën e një poezie duke na e dhuruar si një trëndafil të çelur, që na dëshmon se fara e trëndafiltë e frymëzimit ka qëndruar në gjumë përmbi 40 vjet. Te poetët çdo kujtim shndrohet në krijim, pavarësisht nga koha.

 II-Duçes sigurisht do ti ketë pëlqyer lajmi i gdhëndjes së portretit të tij në një shkrep shkëmbor  në Linoz, pse diktatorët kërkojnë gjithnjë që të përjetësohen me të gjitha format. Nuk janë të pakta rastet kur diktatorët në përjetësim të pushtimit ushtarak të një vendi, të ngrejnë në këmbë  pushtuesit e detyruar (ushtarët e urdhëruar) të përdorin artin  për të përjetësuar dhe zbukuruar portretin dhe veprën e tyre në vendin e pushtuar. Janë shkruar libra, janë bërë portrete, janë përjetësuar në monumente e plot gjëra të tjera. Kështu ngjashëm është dhe rasti që citon poeti dhe studiuesi Fatmir Terziu në poezinë e tij të fundit "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit", ku: „Ai ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij“,

Qysh në krye të poezisë vargjet të krijojnë  idenë e një zbrazëtie që udhëton nëpër të ftohtën e gurit, bashkohet me zërat dhe gojët e të vdekurve, tashmë të heshtur. Edhe pse diktatorët pushtues nuk shohin, ka një  zi të  pafundme. Në transfertat gurore, dhuna ndërton atë art të momentit, të mbivlerësimit të diktatorit pushtues, duke bërë që një shkrep i gurtë i shkëmbit të tërbuar nga gdhendja e ushtarit, të mbushet me heshtje dhe baltë. Nga kjo heshtje del një hakmarrje, e cila shtrihet në dy kohë: njëra është në kohën e realizimit të artit me këtë gdhendje në gurë, dhe tjetra në kohën kur një diktator tjetër, në rolin e fituesit të luftës, kërkon të çgdhend atë art pushtuesi. Hakmarrja në të dy rastet ka dhimbje, ka shpërqëndrim, por më kryesorja është se mbart mesazhe të ndryshme.

Dhjetë rreshtat e parë të poezisë fokusohen në vendosjen dhe vënien përballë dy mjedise shumë të ndara, ku njëra është skena e moshës në kuintat e saj, ku janë shpërndarë lidhjet, arsyet, substanca e ngurtë, arti që ka mbetur, për aq sa mund të quhet art dhe e dyta është komoditeti i mbyllur i një rrethi vicioz ku madhështohen dhe humbasin në asgjë diktatorët. Këtu, në gjysmën e dytë të punës, këto dy cilësime konvergojnë dhe  kjo ilustrohet përmes një krahasimi. Terziu i bashkon skenat së bashku me imazhet e zërit që perceptohet, duke e portretizuar tingullin si një forcë lëvizëse, pothuajse të mishëruar. E ndezura heshtazi e qiririt: „ me të ndiznin heshtazi qiri ndonjë natë“ është një formë komode e diktatorëve që takohet me fatet e të vdekurve, me përjashtim të faktit se toni dhe funksioni i tyre është heshtur.  Kjo heshtje na kujton se ata janë në botën tjetër, por ka gjithashtu një domethënie më metaforike, duke u kujtuar lexuesve mënyrën se si fashizmi dhe diktatura mund të heshtin mospajtimin dhe shprehjen, sidomos kur ata që heshtin janë ende gjallë.

Pas kësaj pike, poezia bëhet edhe më e ndërlikuar nga ana metaforike, duke u kthyer në alegorike dhe spektakolare misterioze në rreshtat e saj në vazhdim. Së pari, Terziu e krahason pikëllimin e njerëzve që jetojnë nën diktaturë me fatin e  një qiriri të ndezur. Tretja e qiririt është një faktor tjetër që vjen, ose ndoshta vetë pikëllimi i ushtarëve fashistë, mqse sintaksa e poemës e lë këtë pikë paksa të fiksuar tek dashuria „për të dashurat që i kishin lënë në shtëpi,/për nënat e baballarët e tyre detit matanë“ dhe kjo nxit rritjen e urrejtjeve të reja. Këto, nga ana tjetër, krijojnë edhe më shumë errësirë dhe ngatërrim në ambientin ku gdhendja e gurit tashmë është më shumë se një mit, një faktor që ka heshtur nga kundërpërgjigjja tjetër.

Ky përshkrim ngjall një peizazh natyror të harlisur, intrigues pranë vendit të vuajtjes njerëzore, aty ku në një vend mjaft piktoresk si Brosh Bardheti apo Linozi, të qëndrojnë ende: në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar“ e një të shkuare të dhimbshme shqiptare. Në mënyrë metaforike, Terziu vë në dukje se qasja alegorike e fytyrës të lënë në errësirën e prishjes mund të jetë ciklike në kohë diktature ose vetëpërjetësuese, si guri që gurëson vetveten. Errësira dhe verbëria e përshkruar këtu mund të jenë referenca ndaj frikës gjithnjë të pranishme të krijuar nga diktatura, e cila mund të krijojë një autocensurë  aq efektive sa çdo e detyruar nga jashtë: „nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/ e lodhur, e dërmuar/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar /ndjeja atë ushtri të sprapsur“.

Aty ka dhe gjetje të tjera, shihen kuaj, kazerma, imagjinohen ushtri, që vijnë nga leximi: m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri,/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj“, nga përhumbja tek libri, i cili ka një funksion tjetër, është një pjesë simbolike komplekse, e shumë-anshme,  misterioze.  Ndërkohë që poezia e Terziut na tregon për natyrën e saj simbolike, nuk është e lehtë të përcaktohet se çfarë përfaqëson ai: një libër historie apo një libër që në kohën e diktarit e zhvetëson vetë historinë:“ në fakt se isha duke lexuar kisha harruar /dhe librin e kisha lënë gjysmë të hapur“. Në fakt, konfuzioni që lexuesit mund të ndiejnë në lidhje me librin pasqyron konfuzionin dhe mungesën e qartësisë së lidhur me vetë përdorimin e kësaj forme arti të pushtuesit në një vend të pushtuar. Thua synon  e beson vërtet në përjetësimin e pushtetit të tyre apo pushtimin e përjetshëm të këtij vendi?

Ashtu si të gjithë elementët simbolikë të lartpërmendur, libri ka disa role metaforike njëherësh. Krahasohet me  dhimbjen, lotin, vajtimin,  por përshkri-mi i librit vazhdon më pas, duke u ngarkuar me imazhe dhe simbolikë. Terziu përshkruan librin që lexon si vetë kohën, apo kohërat që ngjeshen aty, i cili nga ana tjetër bën që të prodhohen më shumë kuptime. Këto kuptime rriten në errësirë dhe rriten "verbërisht", pa vetëdije dhe pa qëllim të përacaktuar, mjafton që të gjejnë faktorin e aftë për ilustrim. Është interesante që Terziu përdor të gjithë këtë nëntekst për të prezantuar leximin e historisë, duke nënkuptuar se ajo tashmë është e njohur ose e pranishme, edhe nga ky fakt, ku portreti i gdhendur në gur është i destinuar të zvetënohet. Duke pasur parasysh lidhjet e tij me errësirën dhe pakuptimësinë, është e arsyeshme të konkludohet se ajo simbolizon natyrën njerëzore gjithnjë të pranishme, shtypëse të diktaturës dhe mënyrën se si ajo vulos kuptimin dhe diskursin në subjektet e saj, mes marrëdhënies midis shprehjes dhe shtypjes.

Marrëdhënia midis shprehjes artistike dhe shtypjes së qeverisë shkon prapa shumë më gjatë se shekulli i njëzetë: monarkitë absolute të Evropës së Hershme Moderne luftuan, me njëfarë suksesi, për të kontrolluar fjalimin politik në teatrin e vetë jetës që dirigjojnë ato, madje dhe në teatër ku pritej art. A nuk janë në të dy rastet duart e diktatorëve që drejtojnë këtë art-kaos? Në rastin e gdhendjes në gur të Duçes, është ushtari pushtues italian, dhe në rastin e zhbërjes së tij, është ushtari i xhenjos, i reparteve të Enver Hoxhës, të vendosura në Bizë të Martaneshit.

Edhe Shekspiri shpesh merrte masa krijuese për të diskutuar çështjet e kohës së tij pa tërhequr zemërimin e monarkisë. Ai përshkruante monarkë absolutë të paqëndrueshëm e të rrezikshëm përmes thjerrëzave të trillimeve historike, ose duke vendosur shfaqjet e tij në vende të largëta. Megjithatë, ai u përball me një urdhër të prerë, pra që e detyronte atë, dhe kjo është më shumë se sa një fakt, në faktorin e diktarëve në kohë, hapësirë dhe vend. Aty vepron memorja, pra të gjitha këto vijnë nga një memorje e shëndoshë, nga njohuria dhe nga koha kur autori i kësaj poezie ka mbajtur gjallë bredna vetes të gjithë rekursin e një forme që ritregon, dhe na rizgjon edhe në këtë kohë.

Për sa më sipër mund të themi se në strukturën poetike ne lexojmë më shumë se sa kujtimet e adoloshencës terziane për një vepër arti gdhendur në gur edhe kulturën e të shkruarit të njohur në adoloshencën e tij të këtij elbasanlliu të ri pse dihet që Elbasani qysh në ato vite rezatonte një kulturë e qytetari europiane të të shkruarit artisik, kulturë të cilën Terziu e përsosi dhe e shndroi në stil modern të artit të tij. Kjo  duket dhe te kjo poezia, vargjet ngjasojnë me pemë të  dëndura të një pylli të hershëm, sa që të krijohet përshtypja e një pamundësie  kalimi nëpër atë, por mjafton nisja e udhëtimit dhe shtegu i kalimit çuditërisht të duket jo vetëm i qartë por edhe shumë panoramik, sa që të imponon ndalesa soditjeje.

III-Në perceptimin artistik sheh se poezia fillon me një atmosferë misteri dhe kureshtjeje adoloshenti: “Eh, ishte mosha kur kureshtja shkonte përtej natyrës,/me substancën e gjetjes së artë dhe të gurtë”,  kohë kur autori ndihet tërhequr nga substanca e artit dhe substanca e gjetjes së artit të gurtë. Portreti i Duçes: “… ishte i gdhendur në një shkëmb,/ishte bërë art nga ushtarët e tij” duke na shfaqur poetikisht idenë se diktatorët e të gjithë kohërave nxitonin të ngrinin  sa më shumë statuja vetes së tyre, përkundër njerëzve të dijes dhe të shkencës, të cilët vetëm për përjetësimin e tyre në mermer e në bronx  nuk kanë menduar, madje kanë ironizuar çdo propozim të bërë nga bashkëkohësit për bronximin e tyre qysh në gjallje.

Koha e mëpasme i ka rrëzuar të gjitha statujat e diktatorëve kudo në botë, ndërsa ka përjetësuar ata që asnjëherë nuk kanë menduar për lartësim, pse ata kanë qënë më të mëdhenj se statujat, madje edhe se vetë koha kur jetuan e krijuan., ndaj dhe djaloshi: “pyes ende, a mund të kthehen gurët e shkelur nga diktatorët në art,/vetëm memorja më përgjigjet prerazi vëngër:/Jo! Aspak”, duke  shprehur përfundimin llogjik, jo të kureshtjes së djaloshit të djeshëm, sot një intelektual dhe poet i njohur, por të së vërtetës se diktatorët më së pari janë armiqtë e artit, të dijeve dhe progresit. Thyerja e shtatores së një diktatori pushtues në kohën e një diktatori vendas (me urdhër apo porosi të tij) është ironia që koha u rezervon atyre, pse ne jemi dëshmitarë të kohës që tërhoqi zvarrë statujën e diktatorit vendas.

Terziu përjeton ndjenja të furrishme para shtatores së gurtë ku revolta është ndjenja e parë: “U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën /të dalloja … Duçen/m'u duk sikur ngreja brenda meje një ushtri/nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen/një ushtri e panjohur, me kuaj/e braktisur me muaj/në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar/ndjeja atë ushtri të sprapsur”, madje duhet të themi se gjithë struktura e poezisë është ndërtuar me ndjenjat e këtij djaloshi. “Isha djalosh i ri …//ishte mosha ime, ishin refleksionet,/profili i panjohur që sfidoi motin e egër/të harruar edhe nga Lart,/nuk është thjesht për të thënë ishte kohë tjetër” shkruan poeti  duke shprehur se edhe sot tensionet nuk e lënë të qetë mendjen e tij dhe ai shikon kohën, lexon kohërat.

Është interesantë ajo pjesë e poezisë ku autori përshkruan ndjenjën e revoltës: “E në tërë atë përhumbje ndjeja flakë,/kur Kroi i Kuq, Biza e rrethinat e saj,/kishin ngrirë ishin plak,/e Uji i Burimit pastaj,/me një forcë të madhe tështinte gjak,/në barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë”, pse ai sheh  të vërtetën historike në portretin e Duçes të shprehur me vargjet: „e Uji i Burimit pastaj/me një forcë të madhe tështinte gjak“.

IV-Poezia "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit"  është e pasur me figura artistike për të forcuar mesazhin dhe për të krijuar imazhe të fuqishme, ku disa nga figurat artistike të përdorura në vargje janë:

Në poezinë përdoren metafora për të përshkruar imazhet dhe ndjenjat, psh. "Ai ishte i gdhendur në një shkëmb" është një metaforë që e përshkruan portretin e Duçes si të ngulitur në një shkëmb, duke dhënë një ndjenjë të përhershme dhe të pandryshueshme të figuras së portretit, çka ishte dhe synimi i  skulptorit, pa-varësisht se koha rrodhi ndryshe.

U afrova tek shkëmbi t'ia shihja nga afër fytyrën/të dalloja .., Duçen" shkruan poeti duke përdor metaforën e fytyrës së Duçes për të përshkruar portretin e tij, pasi fytyra simbolizon identitetin dhe personalitetin e Duçes.

Te vargu "shikoj kohën, lexoj kohërat pas të shtunës" përdor metaforën e "leximit të kohës" për të treguar se si poeti po reflekton mbi kalimin e kohës dhe përvojat që ajo sjell

Te vargu "në kazermën e rrethuar, gërmadhë të shkatërruar"kazerma e rrethuar dhe e shkatërruar përdoret si metaforë për të përshkruar situatën e trazuar dhe të dëshpëruar të ushtarëve të panjohur, të mbetur mënjanë dhe të braktisur, ndërsa metafora "retë që mbështilleshin në Tiranë"përshkruan praninë e vështirë të trishtësisë dhe tundimit që poeti ndjen në Tiranë.

Këto metafora shtojnë imazhin dhe emocionin në poezinë e Fatmir Terziut dhe i japin asaj një dimension më të hollësishëm dhe të thellë, duke shërbyer njëkohësisht për krijimin e një stili të pasur e tërheqës për lexuesin, duke e bërë poezinë më përfshirëse dhe të kuptueshme.

Ne mund të renditim këtu dhe figura të tjera letrare si psh hiperbola te vargjet "nuk e di pse revoltohesha egërsisht me të padukshmen"  që e përforcon ndjesinë e të qenurit të revoltuar dhe të përplasur me situatën, simbolizmi psh “Uji i Burimit" që simbolizon forcën dhe vitalitetin, ndërsa "Mali me Gropa" përfaqëson pengesat dhe sfidat,  simbole që ndihmojnë në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere misterioze dhe të ngarkuar emocionalisht.

Përdorimi i zërit "sh" në vargjet "shërronin me lutje qindra plagë" dhe "shkulja retë që mbështilleshin në Tiranë" është një shembull i aliteracionit,  përdorim i ripërsëritjes së tingullit që krijon një efekt të rrëmujshëm dhe thellon ndjesinë e dëshirës së poetit për të ndryshuar situatën.

Interesant është përdorimi i konstrastit visual në përshkrimet e poetit, si "barin jeshil të mbushur me gjëmbaçë" dhe "mantel i lëmuar në malet përkarshi", imazhe të kundërta  që e bëjnë poezinë të rrëfyer, të imazhueshme dhe të pasur vizualisht.

V-Fjala, gjuha dhe vargu i poetit në poezinë "Portreti i Duçes në shkëmbin e Linozit" janë të veçanta dhe të fuqishme. Autori përdor një gjuhë poetike dhe imazhore për të shprehur ndjenjat dhe vizionin e tij në mënyrë të ngazëllyer.

Fjala që përdoret në poezi është e pasur dhe e veçantë, poeti zgjedh fjalë me kujdes për të shprehur ndjesitë dhe idetë e tij në mënyrë pikante dhe të thellë, ashtu siç janë të përziera me ndjenjën e trishtimit, revoltës dhe melankolisë, duke krijuar një atmosferë të ngarkuar emocionalisht që e përforcojnë temën dhe imazhet e poezisë.

Gjuha që përdoret në poezinë e përmendur është poetike dhe e pasur me imazhe, pse poeti përdor imazhe të fuqishme dhe simbole për të përshkruar emocionet dhe situatat. Gjuha e tij është e imazhueshme dhe krijon një përvojë vizuale dhe emocionale për lexuesin, ku përdorimi i figurave artistike dhe simboleve ndihmon në thellimin e kuptimit dhe në krijimin e një atmosfere të veçantë.

Vargu i poezisë është i strukturuar dhe i rregulluar me kujdes, ato kanë një rrjedhë të lirë, pa sforcime, duke krijuar një melodi poetike. Autori përdor ritmin dhe rimën në vargje për të krijuar harmoni dhe rregullsi në poezi, ku zgjedhja e fjalëve krijon një intensitet emocional dhe thellësi në vargje.

Kam përshtypjen se kjo poezi është shkruar me “një frymë” shpërthyese ashtu si shpërthen uji nga honestra e tejmbushur në një burimin e ri veçse ky „ujë“ i freskët ka një stili modern poetik në një shtrat filozofik, çka e bën poezinë të misterëshme në shumë vargje, por edhe plot ngjyrime. Për sa thamë në krye, kujtesa djaloshare e Fatmir Terziut e mbajti në brendësi të saj imazhin e këtij portreti të gurtë në Linoz, imazh  që brenda kujtesës shtoi e shumoi veten gjer në shpërthimin e kësaj poezie që lexohet dhe përjetohet së tepërmi pas leximit.

 

Sarandë, më korrik 2023