Sunday 31 July 2022

 

Timo Mërkuri

PËRSIATJE PËR VETMINË OSE NGROHTËSIA QË TË KRIJON NË SHPIRT GJUHA POETIKE

 Mbi librin me sonete “Hire të vetmisë. Përsiatje poetike” të Anton Nikë Berishës. Botoi Argeta LMG, Tiranë 2022



 I-Në letërsinë shqipe “soneti”[1] (tingëllima) është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim kryesisht i letërsisë italiane me krijimet e Pjetër Zarishtit, Nue Bytyçit, Leonard De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër Shantoja, Ernest Koliqi etj. duke marrë një përmasë të lartësuar me Ndre Mjedën në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”. Madje Ndre Mjeda ka përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian, por që dalë prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe shqiptare.

Të shkruarit “sonete” “kërkon një përvojë poetike të një niveli të arrirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik”, por veç vështirësive të krijimit, “sonetet” kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën e dukshme të lëvrimit të soneteve në poezinë bashkëkohore.

 

II-Pikërisht në këtë kohë mungese, kur gati po harrohet shija e lartë artistike e “soneteve” krijuesi i shumanshëm Anton Nikë Berisha befason duke botuar te Shtëpia Botuese “Argeta LMG” (Tiranë 2022) veprën me sonete “Hire të vetmisë – Përsiatje poetike”.

Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht, si gjithmonë me një stil të veçantë poetik në një nivel të lartë artistik, por pa iu larguar vetvetes. “[..] Është një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerët, do shprehej Martin Camaj” ... më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore, arti poetik me të cilin ka krijuar librat “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” kanë dëshmuar për talentin e tij poetik dhe frymëzimin thellësor, i cili edhe këtë herë i ka përballuar denjësisht vështirësinë e krijimit të “soneteve”, duke na dhënë 35 krijime me vlerë që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë shqipe. Me këtë vepër mbushet njëkohësisht dhe një boshësi në letërsinë tonë bashkëkohore.

Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i Anton Nikë Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit, por është një trëndafilishte e vogël, ku porsa kanë çelur 35 trëndafila të rinj në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhapin aromën e rinisë së tyre.

 

III- Ka edhe një anë tjetër interesante ky libër: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ia adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit tanë ia kushtuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete ia adreson filozofikisht ndjenjës (Hireve) të ...”Vetmisë”.

Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një shpëtim i mrekullueshëm”[..] citon autori Bernardo Bertoluçi-n dhe Fabricio Karamanjan (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: “[..] vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjërin breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”[..].

“Me pak fjalë - thotë Berisha në parathënie - vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore... Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar.

 Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme.”(f. 6).

E parë në këtë aspekt “vetmia” mund të quhet me të drejtë si një “vetmi” krijuese, e nevojshme dhe e domosdoshme për njeriun (krijuesin) që të qartësojë idetë dhe mendimet e tij, të hulumtojë brenda tyre për të gjetur më të “bukurën”, më të “përsosurën”, për të admiruar dhe përjetësuar “hiret” e tyre.

E bukura është një bashkim (unitet) dhe harmonizim “hiresh” për shikimin dhe ndijimin e njeriut. Te një lule p.sh. ne admirojmë hiret e formës sw petaleve, ngjyrës dhe aromës sw saj, tw raportit me pistilin, ngjyrën, freskinë e petaleve,gjetheve, kërcellit etj. Që t’i përjetojmë këto “hire” na duhet që të jemi në një gjendje “vetmie”, larg zhurmave e shqetësimeve të tjera me qëllim që mendja jonë të përqendrohet tek ato, raporti i tyre mes veti dhe njësimi i së tërës, pastaj ne t’i meditojmë dhe t’i admirojmë ato.

Ndërkohë kemi edhe vetminë “gri”, vetminë e krijuar si pasojë e braktisjes, e varfërisë, pafuqisë, sëmundjeve, moshës etj., vetmi që kullon dhimbje e mjerim. Ka një varg te tingëllima e pestë që nis me fjalën: “Shtjellë” (f. 21) ku mes tronditjes kujtojmë se shtjellat janë vorbulla uji (gjeratore) ose vorbulla ajri (tornado), të cilat, thithin njeriun brenda tyre (si vetë mjerimi) prej nga  del në sipërfaqe nga uji ose zbret në tokë nga tornado pa jetë, por edhe i shpërfytyruar.

Megjithatë edhe në këtë rast, ngjyrën “gri” të kësaj vetmie poeti e përshkon me ngjyrën e bardhë të shpresës: “Shtjellë .../ lëvron si heje akulli të mprehtë/e nuk kursen ta akullsosh palcën/ .. /Plagë stinësh që s’di të përmbyllet/po asnjëherë nuk e puth fundin”(f.. 21).

“Shtjella” janë dhe mendimet e ndjenjat e njeriut në vetmi apo të vetmuar që, megjithatë krijojnë tek ai imazhe shprese plot hire për një të ardhmen pse “asnjëherë nuk e puth fundin”.

 

IV-Vetmia nuk është një yll me dy cepa. Vetëm apo të “vetmuar” janë dhe yjet, por drita e tyre del si shigjeta nga harku në formë rezesh nga gjitha drejtimet dhe vjen drejt nesh me të gjithë skeptrin dritësor të tyre edhe shumë vite pasi ata janë shuar.

E tillë është edhe poezia, drita e një ylli që udhëton tej jetës së poetit në formë vargjesh, ku forca që kushtëzon kohëjetën e saj është forca e talentit të tij, sepse poeti u jep dritë dhe brezave pasardhës.

Libri “Hiret e vetmisë” i Anton Nikë Berishës është një vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në lexim, kërkon meditim mbi secilin varg për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargje.

Sonetet e Anton Nikë Berishës janë të një shtrati filozofik kur lexon vargje të tilla: “Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes / si të veprohet më lehtë, sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin apo e ëndërron” (f. 33), “Ti e ndez etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë” (f. 32), “me mendim i prek retë që stuhia i përkund” (f. 18), “Tis brengash gërryese të vëna në lëvizje/si kallinj guri të pjekur ndër ara/kur i shtyn era e përqafojnë njëri – tjetrin” (f. 21), “lule në brymë ku ëndërrohet ngrohtësia/e rrezeve të diellit – ledhatim petalesh” (f. 21), Zonjë e fisme që jeton përherë nga /joshja dhe kërkimi i pafundësisë” (f. 42), “gjelbërim pranveror kur e pushton pyllin/e kur këngë e zogjve derdhet hirplote” (f. 44), “zhytje në lumin Lete dhe pastrim/i ndërgjegjes ose zhbërje e harresës”(f. 46) etj. dhe ky fakt përbën të veçantën e krijimtarisë poetike të tij, që kërkon një përqendrim të madh në lexim dhe kulturë leximi e mendimi, por ndërkohë ëmbëlsia e shprehjes së tyre, ngrohtësia që të krijojnë në shpirt, gjuha poetike e vargjeve, rima dhe ritmi i soneteve ta bëjnë të dukshme qenien e poezisë, siç dallohen në ujin e lumit malor copat e floririt natyror që rrjedha i sjell me vete.

Thashë që vargjet janë në një shtrat filozofik, por njëherit fjalët janë tepër të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon si “gjashtë bilbila”, duke u dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e dallueshme te poezia e Anton Nikë Berishës. Figurat artistike në sonete nuk janë “vazo” lulesh të vendosura në parvazin e fjalëve, por ashtu si harqet e urave, që më shumë se stilizim estetik janë “struktura” që mbajnë në këmbë urën ( sonetin), duke e paraqitur të bukur ndërsa është e fortë.

 

V- Anton Nikë Berisha ka botuar vetëm katër vepra me poezi, libra poetikë, por ai ka ndjerë dhe përjetuar shumë poezi. Mjafton të lexosh parathëniet dhe shkrimet e tij për librat poetikë dhe krijimtarinë e poetëve të ndryshëm, të shohësh nivelin e tyre për t’u bindur për dijen dhe për botën e pasur poetike të veprave të tij.

Në veprat e tij në prozë, herë - herë dhe në ata studimorë ka shumë poezi (veças romani “Gjin Bardhela i Arbëresh” që është një simfoni poetike), ndërkohë që në poezinë e tij nuk gjen fare vargje prozaike. Kjo do të thotë se, para së gjithash, Anton Nikë Berisha është poet kur shkruan vepra letrare dhe elegancën e artit poetik, muzikalitetin dhe figuracionin e tij e përdor suksesshëm dhe në prozë. Prandaj ka kaq shumë poezi në prozën e tij letrare. Njëkohësisht ai është edhe një njohës i mirëfilltë i gjuhës shqipe dhe fjalët që ai shtjellon në tekste, kanë ngjyrë, aromë dhe muzikalitet të mëvetësishme.

 

VI- Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumë-ngjyrëshe vështrimit tonë poetik.

 

Sarandë, më Prill 2020-Gusht 2022

 



[1] Fjala “sonet” rrjedh nga fjala italiane “soneto” dhe nënkupton një “këngë të vogël” dhe se fjala e origjinës “sonetto” përkthehet “tingull”, prandaj sonetet quhen edhe “tingëllima”. Në letërsinë evropiane “soneti” është përhapur në saj të poezisë italiane dhe sidomos pas suksesit të madh të veprës “Il Canzoniere” të Françesko Petrarkës. Teknikisht soneti shpjegohet si një vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në strofa: dy strofat e parë prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme.

      Në letërsinë evropiane njihen sonetet e Petrarkës dhe të Shekspirit si kulme të këtij lloji letrar, madje me termat “sonete petrarkiane” dhe “sonet shekspiriane” përdoren sepse Petrarka dhe Shekspiri përfaqësojnë dy format e ndryshme sonetesh të krijuara në Evropë.

        Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete që u botuan në vëllimin poetik “Il Canzoniere”, ndërsa Shekspiri ka shkruar gjithsej 154 sonete në vitet 1590 – 1600.

Të shkruarit e sonetit kërkon një përvoje poetike në një nivel të arrirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik. Për këtë arsye Petrarka dhe Shekspiri e pas tyre poetë të tjerë e kanë përdorur “sonetin” për të treguar “nivelin superior”, “superioritetin e arrirë” poetik.

Monday 25 July 2022

 

Timo Mërkuri

 

HYMN PËR FJALËN POETIKE

 

Përsiatje mbi poemën “Prushi i bukurisë” të Anton Nikë Berishës.



Kemi lexuar shpesh poezi e poema me fjalë që çelin nëpër vargje si lule të bukura, por është e para herë që lexoj një poemë për Fjalën, “përmes së cilës krijohet e bukura” (f. 11).

 

I-Poema “Prushi i bukurisë” (një përsiatje poetike për artin e fjalës) e Anton Nikë Berishës është një krijim i menduar si perceptim, si formë dhe sistem shprehës. Poema ka një shtrat filozofik dhe një dritësim e ngrohtësi poetike, duke thelluar në këtë mënyrë veçantinë e saj, i pa hasur gjer më sot në letërsinë tonë shqipe. Në tekstin e kësaj poeme, “flakët e fjalës” hapen në vargje si petale të kuqe lulesh, thuajse synojnë të na tregojnë në zemrën e saj “Prushin e bukurisë”.

Konceptimi poetik i prushit nuk është i huaj për botën shqiptare pasi në vatrat tona, zjarri “fle” në prushin e mbuluar me hi e mjafton një fill fryme të fryjë përmbi të dhe zjarri të ndizet në prush e flakët të fillojnë e të vallëzojnë si vajza të dashuruara. Kjo qëndresë e prushit në vatër nënkupton edhe qëndresën e njeriut në tallazet e jetës, pasi prushi krijohet nga zjarri dhe zjarri paraqet djegien e lis-jetës. E megjithatë, te “prushi” që krijohet nga djegia e drurit qëndron “flaka” duke ruajtur cilësitë e saj të mëparshme, e gatshme për të shpërthyer me vrull e flakërimë nën flladin më të lehtë që mund të fryjë mbi të. Është pikërisht kjo flakë që fle te prushi, ajo bukuri ndriçuese që jep jetë e dritë, që i jep hov jetës.

 

II- Poema e veçantë e Anton Nikë Berishës “Prushi i bukurisë[1]” është një tekst me mbi pesëqind vargje, të thurur në katërmbëdhjetë pamje pamje poetike, ku përdoret folja “je” rreth njëqind e pesëdhjetë herë si identifikues i “fjalës” dhe vargjet që vijojnë shfaqen si shpalosje e “flakëve” të saj, duke krijuar në këtë mënyrë vizionin e një zjarri të madh, diku në një ambient të hapur natyror dhe ku soneti i pesëmbëdhjetë bën akrostikun (vargu i parë i secilës përsiatje-pamje) si një përba-shkim e njësim poetik.

Pra, vepra “Prushi i bukurisë” është një krijim i mëvetë-sishëm, me një mendim të thellë filozofik dhe qëndisje poetike, i derdhur në vargje të shndritshme, si argjendi i shkrirë kur derdhet në forma lulesh e zemrash për gjerdane nusesh.

          Në poemë flitet për “fjalën”, jo si  njësia me e vogël e gjuhës, tërësi e pandashme e tingëllimit dhe e kuptimit e formësuar që pasqyron sende e fenomene” apo si forcë që “thyen kockat”, por për “fjalën poetike”: “që është perëndi”, e cila, si e tillë ka altarin e saj, altarin poetik.

Ekzistencën e altarit të “fjalës” në letërsinë shqipe na e ka sjellë së pari Azem Shkreli  te poezia “Porosia”me vargjet: “Mos e ndyj fjalën biro se pastaj/ Është e kotë të falesh para lterit të saj”. Në këtë rrjedhë sqarojmë shkarazi se: ndërkohë që të krishterët kanë për altar kryqin e kryqëzimit, në botën shqiptare “fjala” ka për altar “besën”, që përfaqësohen nga Krishti dhe Kostandini, të dy të ringjallur nga forca e “fjalës”.

Duke kujtuar Ungjillin sipas Gjonit, sipas të cilit “Në fillim ishte fjala...dhe Fjala ishte Perëndi” vijojmë mendimin te “fjala”-perëndi, e cila: duke qenë perëndi, ka forcën e krijimit. Është “fjala” ajo që formuloi konceptin e bukurisë, është “fjala” ajo që formatoi shijet tona, që formësoi dijet tona, që barti dijet tona nga një brez tek tjetri. “…I zunë yjet nëpër qiell dhe i shpërndanë/ kah dëshiruan” thotë poeti dhe unë jam i sigurt se askush nuk e interpreton këtë “zënie” dhe këtë shpërndarje si një kapje me dorë dhe  lëvizje fizike të tyre. Në këtë mënyrë, pasi njeh dhe kupton “fjalën”, ndjen se është shumë e “thjeshtë” për t’u kuptuar kjo poemë e “vështirë”, të cilën vetëm pasi e kupton, sheh dhe ndjen sa e bukur është.

Poema “Prushi i bukurisë” është një hymn për “fjalën”, hymn lartësimi dhe shenjtërimi njëkohësisht. Shenjtërimin e “fjalës” e ka bërë vetë Gjoni te Ungjilli (1:1-3.), siç u përmend, prandaj Anton Nikë Berisha e ri përsërit në vargjet e poemës: “Je bukuri vetë-dhuratë e Hyjit/Në fillim ishte fjala, e Fjala ishte në Hyjin/e Fjala ishte Hyj… Prej saj u bë çdo gjë” (f. 20), për të shtjelluar se: “Je drita e Hyjit që pareshtur lind/ nga hiri dhe forca e besimit/ dhe dalëngadalë bie në zemrën e secilit /me lehtësinë e buzëqeshjes së foshnjës” (f. 18); “Je prush i heshtur që i ngroh/pejzat e shpirtit …” (f. 19).

Për nga muzikaliteti që kanë vargjet në qenien e tyre, po ashtu, poema përafrohet me muzikalitetin e hymneve dhe të lavdeve kishtare. Pathosi i krijimit, vargu shpirtëror i hymnit, ngrohtësia që kanë cilësorët e “fjalës”, muzika e llojit “hymn” që ka vargjet e poemës na “flasin” se poeti e krijoi poemën me synimin që të jetë një “hymn” i vërtetë që lartëson “fjalën”. Synimi i lartësimit të “fjalës” në qiellin e të plotfuqishmit krijues (i mbështetur dhe te postulati ungjillor) e barazon “fjalën” me Hyjin, prej nga lind domosdoshmëria e një hymni.

 

III- Ky hymn, natyrisht, ndryshon nga hymnet kishtare për arsyen e thjeshtë se është së pari një vepër poetike, madje një vepër poetike e rrafshit të epërm. Është një krijim që të huton me thellësinë e gjerësinë e mendimit, ku në kthjelltësinë e shprehjes sheh hapësira dhe yllësi tej vargjeve; sheh e ndjen një mozaik imazhesh dhe ndjenjash që të ndihmojnë të formësosh ide të tjera të bukura. Poema të krijon përshtypjen se është shkruar “me një frymë” si një shpërthim i beftë frymëzimi, i ngjashëm me me një shpërthim lulimi një mëngjez pranvere. Të njëjtën ngjyrë, aromë e freski kanë të gjitha vargjet, si petalet e porsaçelura të një luleje, duke dëshmuar në këtë mënyrë unitetin e poemës. Duhet të pranojmë: për shkak të vetë temës dhe stilit të veçantë të shtjellimit të saj, leximi dhe përjetimi i kësaj poeme kërkon një lexues me njohuri, dije dhe kulturë leximi. Kjo është e kuptueshme; poezia e tillë nuk shkruhet për masat e gjera, ndonëse lexohet dhe prej tyre. E rëndësishme është që dhe këtu: “qëllimi i poetit është e mrekullueshmja” (Marino).

Thamë pak më sipër që Anton Nikë Berisha është një poet i veçantë në letërsinë shqipe. Të jesh poet i veçantë do të thotë të jesh poet origjinal, që gjithmonë sjell diçka të re për mënyrën e asaj që thua poetikisht, pra nuk qëndron “roje besnike” e një stili apo e një forme si ushtari te flamuri. Poezia e Anton Nikë Berishës është valë drite, dritë dhe dashuri; ka një dritë të veçantë në këtë poemë që buron nga vetë vargjet, një dritë e ngrohtë që shkëlqen në “errësirën” dhe shumësinë e kuptimore të vargjeve. Ka diçka ungjillore të kjo dritë e vargjeve, që të fton t’i lexosh përsëri, gjersa ta ndjesh të bukurën, atë të bukur që: ”Përtej harrimit e pati djepin…”(f. 17), sepse, sipas Biblës, “fjala” ekzistonte para krijimit (e para ishte fjala), ajo (“fjala”) ishte cilësi e Hyjit dhe ai ua dërgoi njerëzve. Në këtë rrjedhë logjike kupton se njerëzit: “[...] me shtjellime fjalësh/u dhanë jetë lumenjve të përfytyrimit/…i zunë yjet në qiell dhe i shpërndanë/kah dëshiruan” (f. 17).

I lexojmë këto vargje dhe padashje mendojmë: “Janë të shumtë autorët që shkruajnë vargje, por ndryshe nga ata Anton Nikë Berisha shkruan poezi, madje një poezi ku dhe vizionet kozmike janë të prekshme, ku edhe vetë Zoti është i pranishëm, madhështor si Ai në thjeshtësinë e tij.

Thënë ndryshe, poeti shkruan me dritë, ai njësoj si apostujt na tregon dritën që buron nga “fjala”. Na takon neve ta shohim dhe ta “lexojmë” këtë dritë dhe ta bëjmë tonën.

Në konceptimin e kësaj poeme “fjala” nuk është vetëm flakë dhe dritë. “Fjala” është vetë jeta dhe përparimi shpirtëror e shkencor i jetës njerëzore. Vetëm duke e parë në këtë këndvështrim lexuesi do ta kuptojë pse poeti i jep kaq shumë pushtet “fjalës”, të cilës jo vetëm i atribuon një sërë arritjesh njerëzore, por e ngre përsëri poetikisht në nivelin sipëror, nismëtare në zanafillën e jetës, madje duke poetizuar postulatin ungjillor.

 

IV-Në rrafshin metrik vepra nuk është shkruar në ndonjë varg të përcaktuar metrik; vargjet kanë ritëm të brendshëm dhe muzikalitet, por s’kanë rimë. Vepra është shkruar në formën e sonetit, po shmangiet nga rregulli i rëndomtë janë të dukshme. Meqenëse te kjo vepër vështrohet arti i fjalës, autori ka përqë-ndruar vëmendjen sidomos në sistemin gjuhësor shprehës; mbizotëron gjuha poetike në gjithë krijimin; bëhet ballafaqimi dhe përplasja e figurave, sidomos e metaforave; synohet që teksti të rrezatojë sa më shumë kuptime, herë - herë deri në pafundësi.

Anton Nikë Berisha është një poet që nuk shkruan me një fjalor të ngushtë apo mendësi krahinore, figurat letrare të tij nuk janë zogj apo lule të një treve a të një stine; ato dëshmojnë të kundërtën.

 

V- Le të lexojmë bashkë vargjet: “Je prush i heshtur që i ngroh/pejzat e shpirtit.. …/ Je rrjedhë e ngrohtësisë së diellit/ Hijeshi nusërore e Hënës.”(f. 19), “Je pengu i zjarrit të dashuri-së / Që dëshmon thelbin e jetës”, “Je zjarr zemre që gjithnjë përhapet/ përbrenda vetes por dhe tek tjetri” (f. 29), “Je shpirti mistik i secilës lindje” (f. 35), ku ndjejmë lehtësisht se autori jeton me poezinë, madje e përjeton poezinë qysh nga fillesat e saj të artit e gjer te arritjet e tij bashkëkohore. Të jetuarit me poezinë veçse është një mënyrë jetese, është më së pari poezi më vete. Pse jeton me poezinë Anton Nikë Berisha nuk druhet nga “tema” e “fjalës”, e cila është një “lule në zgrip të greminës[2]”, pasi ai është si zogu, këndon e s’ka frikë se mund të gremiset nëpër “hone”; ka “krahë të fortë”: talentin dhe dashurinë.

Vargjet: “Je heshtja që flet vijimisht” (f. 26), “Je rrëfimi që rrëfimin nxit/të kaluarën e afron dhe e bën të sotme/../je e sotmja e veshur me të nesërme” (f. 27), “je palca e ashtit ku rrënjësohet etja/e thelbit të bukurisë..”, “Je prapësimi i ferrit në tundimet e trishta”, “Ti mallkimin e shndërron në urim” (f. 32) etj. na krijojnë një ndjenjë hutimi përpara “vërtetësive” që shpalosen në vargje, që i keni ndjerë, por nuk keni gjetur fjalët dhe mënyrën për t’i shprehur.

Do të ishte normale që autori këto të vërteta t’i shprehte në një traktat filozofik, por ai është së pari poet dhe shprehet nëpërmjet vargjeve, përmes gjuhës poetike. Në qoftë se ai do hartonte një traktat filozofik, do të na mungonte një vepër e tillë letrare poetike, të cilën sa herë që e lexojmë na shpalosen para syve imazhe të reja e shumëngjyrëshe të bukurisë.

Anton Nikë Berisha është së pari një poet, krijimtarinë poetike të së cilit duhet të dish ta lexosh për ta ndjerë dhe për të  vënë komunikim me të, sepse vargjet e tij janë të përpjeta arti për t’u ngjitur dhe jo stola lulishteje për të dremitur.

Me këtë vepër Anton Nikë Berisha na tregon si mund të shkruhet poezia e mirëfilltë edhe sot.

 

Sarandë, korrik 2022

 

 



[1] Anton Nikë Berisha “Prushi i bukurisë”, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” Gjilan 2015. Shih dhe botimin e parë dugjuhësorë Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Il fulgore della bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola. Luigi Pellegrini Editore, Cosenza 2014.

[2] …pse “fjala është perëndi” Gjoni1:1-3.

Friday 8 July 2022

 

ZHURMA PËR NJË KËNGË

 

       Në datën 02.07.2022 u hap rruga e Kardhiqit, ku prania e kryeministrit në ceremoni u prit dhe u përshë-ndët me këngë nga një grup folklorik i pranishëm. Megjithëse kënga për nga vlera artistike kishte nivelin e bejteve dhe vija melodike e saj ishte një përzierje vijash melodike të disa grupeve labe,  pas hedhjes së saj në interne shpërtheu një furtunë mediatike e gjithanëshme, ku: krahu i djathtë ironizonte këngën që i kushtohej kryeministrit të vendit, tekstin e saj plot superlativa etj. me arsyetimin  politik se ai, (kryeministri) përfundoi dhe inaguroi një rrugë të nisur nga kryeministri paraardhës, kundërshtari i tij politik, tashmë në opozitë dhe së dyti, duke ju kushtuar kënga personit të tij pikërisht në kohën që ishte në postin e kryeministrit, ajo (kënga) tingëllonte si një shprehje servilizmi dhe dëshmonte bjerjen e karakterit të kombit tonë dhe të vetë këngës isopolifonike. Ndërkohë  krahu i majtë e argumentoi këngën si sukses i punës së qeverisë dhe drejtuesit të saj, si vlerësim popullor  dhe shprehje e dashurisë së popullit ndaj partisë dhe qeverisë etj, etj.

       I- Të dy palët gabohen në vlerësimin e arsyes së të kënduarit të kësaj kënge.

       II-E them qysh në krye se kënga që u këndua në ceremoninë festive ishte shumë larg të qënurit këngë  isopolifonike për arsye se nuk plotësonte asnjë kriter të të qënurit e tillë. Niveli i tekstit ishte shumë larg teksteve të këngëve tona, si nga ana artistike ashtu dhe nga vizioni pamor i saj,  vija melodike ishte një përzierje zërrash të grupeve të ndryshme folklorike labe dhe kusurin kuptoje vetë. Kjo bën pjesë ndër ato këngë të “stisura”që harrohen porsa mbaron fjala e fundit e saj dhe jo më të pretendojë për të hyrë në kujtesën e kombit. Siç u paraqit kënga, jo vetëm që grupi bëri një “fiasko” por mendoj se  edhe personat që u “kushtohej-këndohej” (dy ministra dhe kryeministri) as do kenë dëshirën ta kujtojë më pas dhe po të kishin mundësinë do ta ndalonin në vend pas vargut të parë.

            Autorët dhe këngëtarët e këtyre këngëve bëjnë pjesë në atë grupim që quhen “prishësit e këngës”, të cilët kanë dalur me shumicë në skenën e “këngës” pas viteve ’90 me synime biznesi e jo artistike dhe koha do veprojë mbi ‘ta sipas ligjeve të saj të harrimit.  Megjithatë në këtë rast të pranishmit e duartrokitën këngën, ndoshta për kortezi apo ishte grup i porositur, por ama e duartrokitën dhe askush s’mund të vepronte.

        III- Megjithatë unë ju sqaroj se kjo këngë nuk u ngrit dhe as u këndua si vlerësim pune i qeverisë dhe ca më tepër si përjetësim i  punës së saj. Ajo u ngrit dhe u këndua në zbatim të ritit zakonor të populli tonë në pritjen e mikut në  momente festimi. Vjen miku në portën e shqiptarit: i zoti i shtëpisë del dhe e pret dhe në rastet kur bujtja e tij ndodh në momente gëzimi e festimi dhe sidomos në rastet kur miku është shkaku dhe arsyeja e atij gëzimi, natyrshëm ai pritet me këngë, madje me një këngë me tekst plot superlativa, që “sheqerosej” edhe me disa batuta humori. Kënga  këndohet në oborin e shtëpisë, në momentin e mbritjes së mikut, por mund të këndohet edhe në trapezin e shtruar nga i zoti i shtëpisë për miqtë etë ftuarit.                                                                                                                

            Po ashtu në rastin kur miku është personalitet i lartë i vendit dhe vjen të inagurojë një vepër që i shërben krahinës dhe vendit, momenti automatikisht shndrohet në festë dhe si gjithmon në festë, miku pritet me këngë. Në këtë rast shtojmë mbi këto argumentin që: vetë hapja e rrugës është një arsye e fortë për një festë lokale, që këtë hapje rruge e realizoi (përfundoi) kryeministri aktual i vendit, sigurisht nëpërmjet mekanizmit shtetëror të financimit. Kryeministri për më tepër merr pjesë vetë në ceremoni, duke bërë në këtë mënyrë që momenti të jetë një festë e shtuar dhe sytë e të pranishmëve të drejtohen nga ai.        

           Fjalimet, deklaratat dhe superlativat në këto momente janë pjesë e protokollit zyrtar ndërsa pritja me këngë nuk është pjesë e protokollit zyrtar, por është pjesë e ritit zakonor të mikpritjes së mikut në një festë. Do vinte apo nuk do vinte kryeministrin i vendit, të pranishmit do këndonin e do hidhnin valle plot gëzim e hare. Këngët dhe vallet sigurisht që do ishin të një natyre popullore, përgjithësisht larg emrave zyrtarë e politikë, por ama kënga do këndohej e vallja do hidhej sepse festohej.

        IV- Të kujtojmë dasëmën shqiptare, dhëndëri i shoqëruar me dyzet krushq të lodhur nga rruga e gjatë, të djersitur e me pluhur priten me këngën: “Dyzet krushq, dyzet dasmorë/ Dhëndëri vezir mbi ta/Duan të marin Stambollë /Dhëndëri vezir mbi ta”. Sigurisht që dhëndëri as që i afrohet vezirit nga pamja e nga bëmat dhe ata dyzet krushq as ndër mënd se kanë shpurë për të sulmuar Stambollin apo fshatin. E shumta do pinë nja dy tri “opinga” raki dhe po ua vonuan nusen, do bëjnë ndonjë gjullurdi në fshat gjer sa ta marin e të nisen për rrugë. Por askush nuk e kundërshton këngën dhe as dhëndërin nuk e gjykojnë. Dhëndëri mund të jetë ai për të cilin e shoqja, kur e vajtoi i tha:  Xhamadani tirqe tirqe/ Te ara përtej në ilqe/ Bëje llaf e nxirrje ligje/ Kishe gjesdisur dynjanë/ Nga mulliri gjer në arë” por ama ditën e dasmës ai ishte “..vezir mbi ta”.

          V- Pra baza zakonore e pritjes me këngë të mikut dhe të personaliteteve shtetërore në raste festash është riti zakonor i pritjes së mikut në raste festash apo gëzimi, por në këtë rast edhe ky rit u shpërdorua. Mënyra se si u këndua kënga na kujton vizitat në popull të  udhëheqjes moniste ku çdo këngë e valle ishte programuar, tekstet ishin përzgjedhur për të hymnizuar udhëheqësin, madje edhe këngëtarët ishin zgjedhur. Në këto raste s’kemi të bëjmë me ritin zakonor të mikpritjes por me propogandë politike.

           A kishte mundësi të këndohej ndonjë këngë në përputhje me ritin zakonor? Po ju paraqes dy raste:

           Gjatë një vizite të ish kryeministrit Adil Çarçani pleqtë e Golemit kënduan një “këngë”: “Shoku Adil mirëse erdhe/Hasmin do ta bëjmë gëlqere/Pleqtë kërkojnë koriere” me të cilën plot humor i kërkuan sigurimin e një tip autobuzi të vogël për rrugë malore që quheshin nga populli “koriere”. Sigurisht që kryeministri qeshi, pleqtë u nderuan, kënga mori dhenë dhe përmëndet edhe sot dhe fshati siguroi dhe “korieren”.

            Po ashtu gjatë vizitës së tij në Pilur me rastin e inagurimit të lotit të parë të rrugës Himarë-Pilur ish kryeministri Berisha është pritur me këngën: “Mirë se vjen në këto vende/E mbajte fjalën që dhe/Rri si në Tropojën tënde/Se malsorë jemi dhe ne “ku teksti i këngës ishte direkt “një urim mirëseardhjeje” në fshat duke i vënë në dukje se “arsyeja” e kësaj feste ishte premtimi i tij për të asfaltuar rrugën Pilurit. Rrugë me financime shtetërore u bë, madje cilësia e punimeve la shumë për të dëshiruar, bindja politike e banorëve të fshatit anon nga kahu i majtë, por këto nuk qenë arsye për të shkelur ritin zakonor të mik-pritjes në nje festë të organizuar me rastin e inagurimit të një rruge ku përfituesi ishte populli i Pilurit.

          VI-Është e pa pranueshme ideja e hedhur se kënga isopolifonike po i “serviloset” politikës në këto raste dhe për pasojë, po zvetënohet karakteri i saj. Të kuptojmë, populli nuk u ngre këngë udhëheqësve apo prijësve të tyre për së gjalli, për një rrugë apo për një urë, aq më tepër kur ata vijojnë të jenë në funksione shtetërore dhe ndërtimi i rrugëve apo urave është pjesë e detyrës së tyre, por kjo nuk do të thotë që të mos respektojë ritin e tij zakonor të mikpritjes me një “këngë”tip bejte, “sheqe-rosur” me ca vargje plot humor.

          Ndërsa kënga isopolifonike do një arsye më të fortë,  një risi, do kohë që të filtrojë në kujtesën e kombit për të buruar më pas e kristaltë diku, dikur në brezat pasardhës. Kënga nuk është  një simite që shijon e ngrohtë, kënga vjen si ujë burimi i freskët e i ftohtë. Këto tipe “këngësh” të kënduara nëpër ceremoni të tilla inagurimesh nuk duhen parë si këngë të mirfillta isopolifonike, sepse nuk janë të tilla. Ato kurrë nuk do bëjnë pjesë në fondin e artit gojor të popullit tonë. U kënduan me qindra këngë për Zogun mbret, por nuk mbajmë mend asnjë sot. U kënduan me mijra këngë për Enverin në monizëm, por ato po firojnë nga kujtesa e kombit dhe repertori i këngëve çdo orë dhe çdo ditë.

           Kënga isopolifonike nuk i serviloset politikës aktuale në asnjë epokë, përkundrazi janë disa këngëtarë të dorës së “tretë” që i servilosen politikës, kryesisht për interesa të vogëla, duke i mashtruar këta politikanë me ndonjë bejte të veshur me “kostum” kënge. Kënga është shumë herë më e madhe se politika dhe politikanët e çdo rangu e të çdo vendi qofshin. Madje duhet të theksojmë se janë këta të fundit që “lypin” vëmëndjen e këngës, por që në vend të këngës u afrohen bejtet dhe ata, politikanët mqse “nuk kanë pulën, hanë sorrën”.

          VII- Një mik  në një shkrim shtron pyetjen: pse popujt e tjerë nuk u ngrenë këngë shtetarëve të tyre për vepra shumë më madhështore që ndërtohen në vendin e tyre gjatë  kohës së qeverisjes së tyre. Kjo ka një shpjegim të thjeshtë: Popujt europianë nuk u ngrenë këngë udhëhe-qësve të shtetit të tyre sepse ata kanë një rraport modern me t'a. Ata e dinë që çdo investim publik bëhet me taksat e tyre, me djersën e tyre, madje drejtuesit e shtetit janë të tillë me votat e tyre dhe zbatojnë programe që ka mira-tuar populli nëpërmjet votimit. Pra, duke njohur rolin e tyre si popull në shoqëri dhe histori e dinë që progresi është meritë e tyre, popullit dhe jo e udhëheqësve, të cilëve u mohohet atributi drejtues kur ata e gjykojnë të tillë, pavarësisht kontributit të mëparshëm. Kujtoj që Çurçilli drejtoi me sukses Anglinë gjat luftës së dytë botërore, por populli s'ja dha votën në zgjedhjet e para të pasluftës.   

           VIII- Europianët jetojnë në shtetet e tyre moderne me ligje të sprovuara për vlerën dhe forcën e tyre, të cilat e kanë vënë jetën në ”binarët” modernë. Në shtetet europiane (dhe jo vetëm) nuk egziston baza e këngës popullore. Tek ne kjo bazë egziston akoma, ndonëse gradualisht po zvogëlohet dhe nesër do t'i përkasë kujtesës historike bashkë me produktin e saj, këngën, por sot ajo egziston akoma bashkë me një pjesë ritesh  zakonore te një pjesë e popullsisë. Egzistenca e bazës së këngës popullore dhe e disa riteve zakonore është arsyeja pse laboratori krijues i popullit vazhdon të japë këngë isopolifonike, madje dhe me bazë ligjërimi mortor, si në fillesat e krijimit të këngës. Natyrisht që ky laborator vijon të krijojë edhe këngë që u shërbejnë mbajtjes gjallë dhe aktivizimit të  riteve zakonore të nderimit të mikut, krushkut, fqinjit etj. Sigurisht që këto këngë janë me një tekst naiv me shtrat bejtesh,  plot me hiperbola dhe arsyeja  është sepse u mungon thelbi, shpirti i  këngës. Kujtoni këngën për Rrapush Xhaferin, për Sali Berishën etj që sot janë pjesë e fondit humoristik shqiptar. Ndryshe janë këngët psh për Skënderbeun, të pakta, por lapidare. Po ashtu dhe këngët për  heronjtë e kapedanët.

                IX- Kënga nuk i jipet kujtdo, ashtu si kurora e mbretit që nuk është për çdo njeri, ndërkohë “këngët” me natyrë bejtesh etj., në zbatim të ritit zakonor të pritjes së mikut në festë apo gëzim i “dhurohen” kujtdo që vjen si mik, qoftë ai plak apo fëmijë.

 

 

Sarandë, korrik 2022

 

ËNDËRRAT E LIDHURA TE POEZIA 

                                    Përsiatje mbi librin”Ku ta lidh ëndrën” të Kristo Çipës

     

         I-Kanë ëndërra të bukura pilurjotët, plot erëmim lulesh bari të njomë dhe tingull të ëmbël melodish iso-polifonike, ëndërra që u ngjajnë fidaneve të rinj që lëkunden dhe nga flladi më i lehtë. Sigurisht që ëndërra të bukura shihen në Pilur, ku ajri i pastër të zgjeron gjoksin në frymëmarje dhe të lehtëson peshën trupore në ecje, duke bërë që zëri dhe fjala të tingëllojë si melodi kënge dhe hapi të hidhet si me ritëm valleje. Dhe  ëndërrat e  Kristo Çipës të bukura janë, lastar i njomë lisash janë, por duke qënë se në Pilur fryn era e forte dhe ka rrezik që ti përthyejë a ti shtrëmbërojë gjatë rritjes, trupi i fidanit duhen lidhur te diçka (siç lidhet fëmija në djep që të mos rrëzohet gjatë tundjes ninullore) në mënyrë që fidanët të rriten të drejtë, si heshta drejtuar qiellit. Kristo Çipa e ka gjetur bukur ku ti lidhë këto fidanë, në më të bukurin “mbajtës”, që se përkul as era dhe as koha:  te poezia.

         II-Në Pilur era tund degët e lisave dhe fëshfërima e tyre tingëllon si një melodi. Të njëjtën ndjesi të krijon edhe leximi i poezive të Kristo Çipës te libri poetik “Ku ta lidh ëndrrën”,  ndjesinë e qënies në një ambient festiv isopoli-fonik, ku gjatë çfletimit të faqeve e leximit të poezive këngët e vallet ndjekin njera tjetrën si valët e detit kur i aviten bregut.   

           Pothuajse të gjitha poezitë e librit kanë melodi kënge isopolifonike, jo në sfondin e tyre, por në shpirt dhe zemër, melodi që qarkullon nëpër kapilarët e vargjeve në gjithë trupin e poezisë, melodi që na ka ndjekur qysh nga endërrat e fëminisë: “Kur po luaja me ëndra/Nga gjumi më zgjoi kënga” (fq 82) apo kur fjala të çpon ëmbël në zemër: “Fjala në zemër më vajti/ Unë jam hija, ti je rrapi/../Shtroi mor brigjet e shpirtit/ Unë jam unaz e gishtit” (fq 94). Kjo ndjenjë kënge është në fakt palca e shtyllës kurizore të poezive dhe kjo ka qënë arsyeja që këto poezi i kanë rezistuar zhvlerësimit dhe i këmi dëgjuar të kënduara para se ti lexojmë a ti dëgjojmë të recituara.

          III- Gjeografia e poezive të Kristo Çipës është vetë gjeografia e jetës, qoftë në hapësirë apo në kohë, por e veçanta  e tij është se ai shkel në këto vise vetëm nëpër “shtegun” ku jehon si këngë tingulli i vargjeve të tij, duke nisur qysh nga “shtigjet” pagane me rite që formësuan AND e identitetit tonë kombëtar si: “Mblidhuni ëngjëjt e darkës/Te rrapi në mes të qafës/Të martojm zjarrin e vatrës” (fq 80), në momentet deçisive egzistencës së kombit:”Hapu det se vendos vetë /..Malet zunë e shtyjnë retë/Trimat zën e shtyjn ushtrinë” (fq 78) te fati ynë si popull që: ”Jemi ndarë në gjashtë shtete” (fq 42) apo  te shtigjet e trëndafilta të dashurisë: “Kam ikur si ylli/Që i fshihet hënës /. ./Skam si ja bëj zemrës” (fq 122) dhe “Fush e bukur si unazë/Më je ëndërr a je vajzë” (fq 118) e gjer në shtigjet kur valëvitim si flamuj vlerat dhe vlerësimin e dinjtarëve të kombit: “Kam një porosi nga deti/Për gjithë botën e shqiptarit/O miq, Profesor Rexhepit/Ti puthim rrudhat e ballit/Merni dritë që kurrë nuk soset/ Nga mendimi i Rexhep Qoses” (fq 84),

        IV-Në shumë poezi të Kristo Çipës, zanoret qëndrojnë në strehën e vargjeve si lotët nën qepallë dhe kullojnë dhimbjen në melodi. Kjo nuk është një figurë letrare, ky është realiteti i poezisë së tij, i marrë nga realiteti i jetës, ku dhimbja shndrohet në këngë dhe hapi i shoqëruar me një lëvizje supesh konfiguron jo ecjen, por fluturimin. (“Kola fluturon me supe” thotë një këngë pilurjote). Në realitet ky është edhe momenti i lindjes së valles, ai “fluturim me supe” pas lehtësimit të shpirtit njerëzor nga dhimbja, me ç’rast mua mu kujtua fjala e Nënës Tereza se: “Buzëqeshja ime është një mantel i madh që mbulon një shumësi dhembjesh”. Kjo shumësi dhimbjesh te Kristo Çipa, që  si një bukuri e “zezë” përthyhet në poezitë e tij (si drita në një prizëm) në një shumësi tipesh poezish dhimbjeje si: dhimbja për babain: “Ti mall i ngjallur në vel vegimesh/Të pashë, të preka pa gjak e mish” (fq 21), për vëllain, poetin Leftër Çipa ”Ku flak e zjarrit mërdhinte/I kish ikë Zeusi Çikës/Gjaku i luleve zu shkrinte/Nga vargjet e Lefter Çipës” (fq 19), për mikun, poetin Petrit Ruka:”O shënjtëri, naforë e kombit/../Do ndjejë pendesë kur ti vesh zotit/Nga gjithë ëngjëjt, më i urtë” (fq 30), për arbëreshët: “Përkarshi brigjeve qarë/Kënga holluar si napa/Kullon mall e gjak të larë” (fq 44).

          A e kini pyetur ndonjëherë veten tuaj se çfarë dhimbje “mbulojnë” brenda shpirtit të popullit vallet dhe këngët e tij? Ne që dimë se kënga isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi e kuptojmë më së miri fjalën e Nënës Tereza, po ashtu edhe  Kristo Çipën, që instiktivisht nëpër  plasaritjet e shkëmb-dhimbjes së kohës  mbjell lulen e dashurisë dhe të shpresës, duke na kujtuar fjalën e Osho se: “Të jesh krijues do të thotë të jeshë në dashuri me jetën”. Është e “bukur” dhimbja e Kristo Çipës kur shkruan: “Atje poshtë te kroi i Zonjës/ Një fëmijë i flet shqiponjës/ Më dërgo krahët dhe thonjtë” (fq 115), “Gjaku i priftit skuqi mjekrën/../Kokëprerë e vazhdon meshën / Male dhe shënjtorë heshtën” apo kur jep pamje si një fanepsje qiellore:”Një grua katalanua/ Shkon si reja mbi përrua” (fq 115) etj. 

        V-Në poezitë e Kristo Çipës  dhimbja është e bukur artistikisht, thua se e ndjen se do shndrohet në këngë, madje shumë  poezi të tij mbajnë me vete ritmin e këngës në vallen e burrave, ku te goditja e dheut me opingë ndjehet besimi dhe shpresa, bijt e dashurisë: “Ujrave të vdekjes fati ynë rron/Jemi pagëzuar lumit Akeron” (fq 32), ose “Mos e fshih qelqin e lotit/O moj ti që korr rrufetë” (fq 69) .

         VI-Poezitë e Kristo Çipës çelin natyrshëm si lulet e pemës në stinën e lulimit duke mbushur ëndërrat dhe ajrin me aromën e tyre. Kjo natyrshmëri e çeljes së poezisë së tij shpjegon pse ato ndjehen menjëherë porsa dëgjohen apo lexohen, mësohen përmendësh dhe këngëzohen qysh në krye, madje përjetohet në shpirt më shumë si melodi. Thonë që “poezia ndjehet, nuk kuptohet, e ca më pak të shpjegohet”, por poezia e Kristo Çipës ka veçantinë e madhe se ajo ndjehet, shpjegohet dhe kuptohet në të gjitha format e paraqitjes së saj, madje mund të themi se është nga të rrallat poezi shqipe që i mban brenda vetes të tre format e shfaqjes (këngë, valle e recitim), ashtu si bërthama e frutave që mbajnë dy ose tri thelpinj. Ja si e portretizon poeti motrën e Marko Boçarit, të martuar te Kocanajt në Dhërmi, ndërsa e tipizon si suliote: “Syrin moj ja more Sulit/ Brengën moj ja nxore gurit/Yllin si ja vodhe nurit/Gërshetat si halë e grurit/Pleksur dertet e flamurit/ Margaritë bijë e Sulit”(fq 95). Kjo poezi ka në brendësi të saj elementët e këngës isopolifonike me grup kënge po ashtu edhe elementët e këngës në vallen e kënduar të grave, krahas natyrës poetike si poezi. Dhe si kjo janë pothuaj të gjitha poezitë e këtij libri.

          VII-Poezitë e dhimbjes së Kristo Çipës janë të gjitha poezi me shtrat balade ndaj edhe disa prej tyre ai i quan balada ose i zhvillon si balada, pavarësisht nga gjatësia vargore e tyre. Realisht në origjinën e tyre të herëshme, baladat kanë qënë  poezi të shkurtëra, ku me një të folur lakonik jipnin mesazhin. Në rastet kur mesazhi ka qënë tepër i rëndësishëm, një mesazh që u drejtohej brezave dhe kohërave që vinin, thelbi i tij kapërcente epokat duke u plotësuar me vargje të tjera  që i shërbenin shtjellimit të subjektit dhe  mistifikimit të mesazhit. Të meresh me “rishkruarjen” e baladave apo me krijime baladash të reja duhet të jeshë “i kompletuar”si poet i rrafshit të epërm, duhet të njohësh historinë dhe strukturën e artit tonë gojor dhe të jesh i dashuruar me poezinë me bazë traditën gojore. Kristo Çipa i zotëron të gjithë këta element dhe këta janë të dukshëm qysh në larminë e metaforave që përdor ashtu dhe në natyrën e këtyre metaforave që dëshmojnë tabanin, natyrën dhe njohuritë e tij mbi artin gojor. Madje duhet të citojmë faktin që autori flet në vargje nëpërmjet metaforës, gjë që ta bën të këndshëm “ecjen” nëpër vargje (si në një rrugë plot trëndafila të çelur anash bordurave), gjë që ta bën të ëmbël melodinë që shpërndajnë (si aromë) këto metafora.

       Le të shohim baladën “Dhe në yje varrën djepe” që flet për masakrën e turqve në Pilur në 1750 pasi, siç thotë kënga popullore: “E grisën fermanin pleqtë” dhe nuk pranuan të ndëronin fenë. Rezistenca pilurjote ishte e fortë, por numëri i madh i turqve që sulmuan pabesisht  la shteg për masakrën, ku nuk u kursyen as fëmijët. Realisht kjo luftë është një plagë e madhe për popullin pilurjot por edhe një shënjë krenarie në ballin e tij. Këtë ka gdhëndur në vargje Kristo Çipa në mënyrë mjeshtërore ku shkruan për “Jatagani turk me presë/Çelik nga kudhr e hilesë/./Dhe erën kërkon të vdesë” apo për “Osmanllinjtë qiellin rrjepin/Hëngrën fushën, vollën detin” “Dyqint trupa pa firomë/Pleq edhe fëmijë të njomë”, por megjithatë pilurjotët: “Në vetëtima për vete/Atje hodhën rrënjë jete” (fq 116-117). Po kështu mjeshtërisht është krijuar edhe balada tjetër “Martohet me natën” për një vajzë pilurjote që martohet me një dasëm ku: “I dhëmb qeshja dritës, gjelbërimi barit”  dhe se “Dasëm kaq memece skishte parë vendi” ku”Dhëndëri si qivuri ngre vetull sëpatën/Nusja cipull nuri martohet me natën” dhe të nesërmen nusja vetëvaret me gërshetat e saj në një greminë: “Nusja vallëzonte valle tragjedinë/Si xhinde në hone e vetmja Kalinë” (fq 101-108). Unë mund të rri e tjua recitoj-këndoj plot dëshirë e passion këngë-poezitë e Kristo Çipës, por do të dëshiroja ta zhbironit dhe zbulonit vetë bukurinë e krijimtarisë së tij poetike, e cila në këtë mënyrë do ju “shijonte” më shumë. Ajo që dua tju them  është se libri “Ku ta lidh ëndërrën” është vërtet një libër që lexohet me kënaqsi, përjetohet në çdo poezi sepse poetët si Kristo Çipa shkruajnë me shpirt. Ata nuk shkruajnë të ndikuar nga klima aktuale, ata gdhëndin të frymëzuar nga klima epokale.

 

                                                  

Sarandë, më  Korrik 2022

 

HAMIT ALIAJ DHE NGJYRA E POEZISË SË TIJ

Shënime mbi një cikël poetik

 

Nga Timo Mërkuri

 

          I-Sa herë që lexoj poezi të Hamit Aliaj më kujtohet vargu i parë i një kënge hasjane:“Mori e mira në dritë të hënës” dhe kjo nuk ndodh rastësisht. Parafytyroni ju lutem një vajzë të trevave veriore në një pragmbrëmje dimri tek ecën në një shpat mali nën dritësimin e hënës. Parafytyrojeni që kjo  ecje ndodh në një pragmbrëmje dimri me dëborë të ngrirë, ku dritësimi, si pasojë e reflektimit të dritës së hënës është gati marramendës. Për së largu, me gjithe lbyrjen e syve nga dritësimi dallon jo vetëm konturet e përgjithëshme, por ndjen edhe tiparet e qeshura të vajzës tek nxiton drejt çastit të lumturisë. Prej së largu ajo vajzë duket si një zanë mali, që në ecje e sipër lëshon (apo reflekton) valë drite në çdo hap që hedh dhe ti hutohesh e ngurosesh në shikim.

          II-Nuk është fantazi ky përfytyrim: Poezitë e Hamit Aliaj kanë një bardhësi alpine që të lbyr sytë, madje këtë bardhësi  e kanë edhe pemët në poezitë e  tij mbi të gjelbë-rtën e gjetheve, edhe ujrat mbi syprinën apo valët e kaltëra, madje e kanë edhe shtëpitë ndërtuar me gur gëlqeror a të hirtë. E kanë këtë bardhësi nëpër vargje edhe sheshbetejat (epike apo moderne) mbuluar nga kamnoi i dyfeqeve, madje e kanë edhe plagët mbi të kuqen e gjakut. Është një dritësi e bardhë që të duket se vjen prej së largu, si prej kohërash të herëshme, si një dritë yllësish që janë shuar dikur, diku dhe drita e tyre në ecjen e pasvdekjes, si shpirti, ndalet mbi vargjet e poetit, thua se ai është destinacioni i mbramë apo “parajsa” e tyre.

           III-Në kërkim të arsyes së kësaj bardhësie sheh se fjalët nëpër vargjet e Hamit Aliaj janë gurë të ardhur nga epika, si meteorë nga yllësi të tjera të cilët, ndonëse janë “gdhendur” e “latuar” në gjuhën standarte, ende kanë brenda tyre një  dritësim  epik. Do ishte e natyrëshme që mbi këto gurë-fjalë të kishte mbirë myshku i vjetërsisë, por ja që ato ndrijnë si një vajzë nën një dritë hëne. Ndoshta janë fjalë të arta qysh në origjinën e tyre a janë të lyera me ar në kohët e mëpasme, andoshta koha ka kaluar mbi ‘to duke u fshirë myshkun e harrimit, apo  yjet dhe hëna e kanë depërtuar dritën e tyre në ato fjalë dhe e ka bërë atë (dritën) pjesë strukturore të tyre. Sepse në fakt dritësimi vjen prej brendësisë së tyre dhe jo prej sipërfa-qes së jashtëme, prej ku mund të reflektohet çfardo lloj drite.

           IV-Ajo që është më interesante te poezia e Hamit Alisë është fakti se ngjyra e bardhë e vargjeve të tij ka “aromë”. Jo aromë gëlqereje si gjithë shtëpitë e porsa-lyera, por një përzierje aromash kohërash të ndryshme që gjithsesi të pëlqen. Aroma e ngjyrave të poezisë së tij ka diçka nga e rrënda e epikës së djeshme dhe e lehta e së sotmes, si një lloj  arome “aliazhi”. Kjo shpjegohet me faktin se “ndërtesa” e tij poetike është moderne, por “fryma” brenda saj është epike,  “era” që hyn nga dritaret është e kohës, por që brenda poezisë kjo erë përzihet me epizmin dhe “epizohet” edhe ajo. Në këtë proces nuk ndikon fakti se poezia flet për një temë të vjetër a të re, një dashuri a një dasëm të sotme a të djeshme, një dërgatë shtetërore për një takim a marrveshje ndërkombëtare të sotme. Ato marin epizmin dhe frymën e tij. Le ta shohim këtë process te poezia “Dërgata”:

 

Dërgatë e nisur qyshse s’mbahet mend

Në mesnatë mbërriti, nëpër qiej pa zota

Në çanta kishin natën e fantazmave perandorake

Që botën e dridh tash e sa mot.

 

Të pret Mbretëresha e Madhe që e prite një shekull, më thanë,

Po para se të shkosh,

Në shenjë qytetërimi dhe për sigurinë e Mbretëreshës plakë

Duhet t’i vrasësh të gjitha kafshët brenda teje…

Pyll i madh, plot ushtima isha.

……………………………….

Kur mbërrita tej deteve,

Mbretëresha plakë kishte vdekur

Dhe pylli brenda meje s’kish më asnjë kafshë

Përralla s’do kish tash e mbrapa,

Me kë t’i  dimëroj dimrat e gjatë” ?!

 

         V- Kur lexon poezinë e Hamit Aliaj të duket se je diku në një majë mali dhe prej andej e hedh shikimin mbi njerëzit e ngjarjet, të cilët i sheh si nëpërmjet një tisi të hollë mjegulle. Duhet të keshë sy të fortë e mendim të qartë që të dallosh konturet fizike të njerëzve, ngjarjeve a kohërave për të cilët shkruan poeti, duhet të zbërthesh metaforën e tij tipike që ta kuptosh e shijosh poezinë. Më kujtohet një varg i poetit që e kam lexuar dikur: “Për makinë dasme patsh një breshkë”. Sigurisht që qesha kur e lexova sepse parafytyrova një nuse të hypur mbi breshkë në udhëtim dasme për te shtëpia e dhëndërit. Edhe fqinjë t'a kishte dhëndërin, do i duhej një muaj të mbrinte, le më po t'a kishte te fshati fqinjë. Pastaj parafytyrova nusen, një vajzë e ndrojtur dhe turpshme si gjithë vajzat malsore, që gjithsesi pret me padurim të mbrijë te burri, të hyjë në gjerdek e t'a përjetojë çastin magjik aq të ëndërruar e të panjohur. Dhe mendo kohën e pambarimtë të udhëtimit mbi breshkën taksi: kjo kohë është në ëvetvete një torturë e tmerrëshme. Kështu që ky "urim" në vetvete është një “mallkim” epik që poeti ja bën vajzës që s’ju përgjegj dashurisë së tij ose që nuk e kurorëzoi me martesë këtë dashuri të fshehtë të tyre. Muji dikur klithi  që do ja digjte kullat për katërqind vjet hasmit të tij, por unë ju them se: nuk është gjë djegia e kullave katërqind vjet rresht përpara torturimit të kësaj nuseje hipur mbi breshkë.

           Mjafton ky varg i vetëm që ne të ndjejmë dhe të kuptojmë se poeti është një njohës i mirë i artit gojor shqiptar, njohës jo vetëm i majave të eposit të kreshnikëve por edhe i “greminave” të mallkimeve.

          VI- Nuk e di në se e ka theksuar ndonjë autor qënien e muzikalitetit në vargjet e Hamit Aliaj, por unë cilësoj se në vargjet e tij, jo vetëm që ka një muzikalitet, por ky muzikalitet është tipik. Ne jemi mësuar ta shohim muzikalitetin në vargjet e Naimit, Poradecit, Nolit, Lefter Çipës e shumë të tjerëve që shkruajnë me një varg të regullt, por ne nuk ja kemi vënë veshin muzikalitetit të poezive të Hamit Aliaj. Përkundër çdo paragjykimi poezitë e Hamit Aliaj kanë brenda tyre një muzikalitet tipik, i tillë që nuk këndohet me këngë isopolifonike apo me këngë qytetare. Muzikalitetin e saj poezia e Hamit Aliaj e ka sa hyjnore aq dhe gjëmimtare, si të ardhur edhe ajo nga epika, me ngjyrën dhe aromën e saj, që këndohet vetëm me lahutë dhe në pak raste me çifteli. Metaforat e tij tipike nuk melodizohen në vallen e shtruar psh. “pogonisho”, ato notizohen në këngë të tipit majekrahi dhe kërcehen në valle me tupan si vallja e çikave të Tropojës apo të Hasit. Këngët dhe vallet tona do fitojnë shumë po të këndohen e kërcehen me melodinë që kanë brenda tyre vargjet e Hamit Aliaj.

         VII-  “Hamit Aliaj është i ndërtuar prej poezie” kam lexuar diku. Hamit Aliaj është më shumë se kaq, Hamit Aliaj është një shkollë moderne e poezisë shqipe, ku ai s'ka nevojë të mbajë leksione. Mjafton që të shkruajë poezi

dhe ne ti lexojmë.

 

Do bëhemi më të bukur e më të ditur.

 

 

Sarandë, më korrik 2022