Thursday 31 August 2023

 

 

DO TË DUA MË SHUMË PAS LUFTËS

 

I - Poezia shqipe ka perla poetike për dashurinë, të krijuara në kohë, mënyrë  dhe treva të ndryshme, ku një cikël të tillë poetik, të ndërtuar si një lulishte ku erëmojnë fjalë të ngrohta dashurie edhe në kohë të sertë lufte e gjejmë te libri “Trokitje të prushta” të Albina Idrizit. Interesante është ndërtimi strukturor i këtij cikli në formën e një mozaiku lulesh rreth një monumenti, identitetin e të cilit poetja e jep me cilësorin “i dashur” dhe të krijohet përshtypja se gjithë lulet çelin dhe erëmojnë për t'ja bërë sa më të bukur qëndrimin mes tyre këtij personi të dashur . Kemi shkruar për poezinë e këtij libri poetik, por një rilexim i çastit i disa poezive më shfaqi një dukuri që nuk i kisha kushtuar vëmëndje më parë, pikërisht lidhjen organike dhe shkakësore të disa poezive mes tyre, ku ndërsa lidhja organike qëndron kryesisht te tema, lidhja shkakësore ka të bëjë me  situatën e përjetuar nga poetja, e cila  ka ndikuar në krijimin e tyre. Poezitë që kanë lidhje të dukshme shkakësore dhe organike mes tyre, pavarsisht kohës kur janë shkruar, por që e kanë fillesën në periudhën e luftës janë : “E kisha ndërmend” (f.68) “Në ditlindjen e Jonës” (f. 35), “Gjej diçka të bukur” (f. 85), etj. por ju ftoj që këtë lidhje mes tyre ta shpalosim gjatë shqyrtimit poetik të tyre.

II - E themi qysh në krye se poezia e Albina Idrizit ka natyrshmëri, ajo rrjedh si ujët e një burimi, pa rrëmbim e tërsëllimë, por me një gurgullimë të ëmbël si melodi violine, që të ndjell ta shoqërosh më një fërshëllimë kënge dashurie të dëgjuar diku apo të improvizuar në çast. Është një rrjedhje e qetë uji të pastër, e shumta mbart në vete një metaforë, si përroi kur mbart një gjethe mbi valë, që të bën të kthesh kokën dhe ta soditësh me kënaqsi. Është një ujë i freskët dhe i ftohtë burimi që të freskon dhe dëshiron që të pish përsëri e përsëri dhe të mos largohesh prej tij.

Poezia "E kisha ndërmend"(f.68) e Albina Idrizit është një poezi dashurie, por  që duhet parë e ndjerë përtej emocioneve dhe ndjesive të një një dashurie në një periudhe të vështirë lufte. Ideja kryesore e poezisë është dashuria që rritet dhe thellohet pikërisht pasi i ka rezistuar dëmtimit në një periudhë të vështirë lufte, pavarësisht tkurjeve që i ka diktuar ajo. Është i njohur fakti se lufta i ndryshon njerëzit, ndryshon psikologjinë dhe botën e tyre shpirtërore, i bën ata më të ashpër dhe u dëmton shijet dhe finesën. Dashuria në kohë lufte është si lulja “mos më prek” e cila i mbledh petalet dhe gjethet në një kontakt të huaj, madje në realitetin kosovar nuset e reja dhe vajzat kosovare bënin ngjyrime në fytyrë që të shëmtonin pamjen e tyre fizike, për të larguar në këtë mënyrë synimet e paramilitarëve serbë , të cilët kërkonin vajza dhe nuse të reja e të bukura (nuset dhe vajzat kosovare janë të gjitha të bukura) për ti dhunuar.

Në poezinë e cituar, lufta e Kosovës nuk ka ndryshuar dashurinë e heroinës së poezisë, thellësinë dhe qashtërsinë e saj, lufta ka ndryshuar poeten si njeri. Nuk është më ajo vajza që u lumturohej luleve dhe zogjve, që ëndërronte ardhjen e të dashurit mbështetur në parvazin e dritares e fshehur pas luleve, në dritare tashmë ajo del e sheh mos vijnë drejt shtëpisë patrullat ushtarake serbe dhe lemeria që ata sjellin. Ngjarjet që kishte  parë e dëgjuar e bënë ta shohë jetën ndryshe, njëkohësisht edhe njeriun ndryshe ta shohë. Nuk vrapon më nëpër kopshtije, qoftë edhe ato imagjinative, për të shkuar në takim me të dashurin por shmang çdo lëvizje vetëm. Në këto kushte disa premtime të mëhershme mbeten pa u mbajtur, jo pse nuk deshi, por sepse ato i zunë gërmadhat e luftës përfund. Ato u masakruan, u vranë e u varrosën bashkë me imazhin e ëndërruar të jetës që kishte deri atëherë dhe në vend të tyre u krijuan imazhet e lemerishme të luftës: shokë dhe shoqe të vrarë, shoqe të dhunuara nga paramilitarët, familje të masakruara, varre të përbashkëta etj.Sot, premtimi dergjet/gërmadhave të ëndrrave tona, diku” (f.68) shkruan poetja, sikur tregon një varr masiv, diku në një shteg mali a vend në fushë.  Dashuria u struk si një zog në degët e zemrës, për të mos u parë, duke u privuar në këtë mënyrë dhe nga bukuria që afronte bota. Ishte kohë lufte, Kosova digjej skaj më skaj, dhe kur digjet shtëpia njerëzit nxitojnë të dalin jashtë, sa më larg zjarrit, më kurajozët përpiqen të shpëtojnë sendet me vlerë dhe dokumentet, pastaj nisin i hedhin ujë zjarrit për ta fikur, askush nuk mendon të vaditë lulet në obor.  Çmenduri qe dashuria atëbotë/apo qe kohë e çmendur /për t’u dashtë” pyet poetja, pse në atë kohë lufte ku përdhunimet  ishin shndruar në një armë më të tmerrshme se tanket e katjushat, vajzat nuk patën kohë ti këndojnë dashurisë, ato fshiheshin brenda heshtjes, nuk kishin kohë të qëndisnin ëndrrat, duhej të rendnin e të mjekonin plagët: “Duhej zë të heshtje krismat,/puthje të qepje plagë,/përqafime të ngjitje gjymtyrë,/arna shpresash, oh sa duheshin,/të mbaje shpirtin gjallë”. Ishte koha që dhe vetë dashuria ishte e rrezikshme, sepse fakti që mbartte shpresë për një jetë më të mirë, mbartte në shpirt rezistencën e egzistencës së lirë. Pikërisht këtë shpresë donte të thyente armiku, këtë donte të godiste me armët e zjarrit apo të dhunimit të grave dhe vajzave, ndaj të rinjtë e realizonin dashurinë si dy zogj në fluturim, që ulen në një degë, fshehtas mes gjetheve për të çukitur puthje me nxitim, që të cicërijnë fragmente këngësh, sepse si zogj e nisën dashurinë: “Dora ime në tënden/... një trishtil i tulatur/në pritje të zërit” (f.65).

III - Koha e luftës është një periudhë e veçantë e jetës së një individi dhe e shoqërisë në tërësi. Konfliktet dhe luftërat kanë një ndikim të thellë në personalitetin, psikologjinë dhe jetën e njerëzve, dhe pasojat e këtij ndryshimi mund të ndihen për një kohë të gjatë edhe pas mbarimit të luftës. Disa aspekte të këtij ndikimi përfshijnë:

Traumat dhe stresi i luftës: Njerëzit që jetojnë në zona të prekura nga lufta përjetojnë trauma dhe strese të mëdha, ata mund të përballen me vuajtje të thella emocionale dhe psikologjike si pasojë e eksperiencave traumatike të shëndetit të tyre fizik dhe emocional, humbjes së miqve dhe familjarëve, dëmeve të pasurisë, dhe frikës së vdekjes.

Ndryshimi i personalitetit: Traumës dhe stresit të lufte mund t'u nënshtrohet dhe ndryshimi i personalitetit. Njerëzit mund të ndryshojnë sjelljen, qëndrimin dhe perceptimin e tyre, madje ndonjëherë ndryshimet janë të dukshme dhe të ndjeshme, siç janë dukuri dhe shfaqje të një agresiviteti të rritur, ndjenjat e përulësisë, tërheqja nga marrëdhëniet dashurore etj. Është provuar se në raste të tilla burrat fajësojnë të tjerët ndërsa gratë fajësojnë veten, ndaj mbledhin forcat shpirtërore dhe i shmangen me largim luftës.

Ndikimi në aftësitë dhe aftësitë emocionale: Trauma e luftës mund të ndikojnë në aftësitë emocionale dhe mendore të individëve, deri aty sa që disa mund të përjetojnë vështirësi në kontrollin e emocioneve, në marrëdhëniet me të tjerët dhe në mënyrën sesi ata i përballen me sfidat e jetës së përditshme.

Depresioni dhe ankthi: Pashmangshmërisht, trauma e luftës mund të sjellë pas vetes shfaqjen e depresionit dhe ankthit, madje ato mund të shkaktojnë një ndjesi të përgjithshme të shqetësuar dhe të papërshtatshme ndaj botës.

Pasojat e ndryshimeve të personalitetit dhe ndjesive të thella emocionale mund të ndikojnë në marrëdhëniet e individëve me veten dhe me shoqërinë, ku njerëzit mund të ndihen të ndarë nga realiteti, të izoluar dhe të ndikuar në mënyrë të ndryshme nga dëshirat dhe qëllimet e tyre të mëparshme.

Pra, ndryshimi i personalitetit dhe psikologjisë së njerëzve gjatë luftës dhe ndikimi i këtyre ndryshimeve në jetën e tyre është një aspekt i rëndësishëm i aftësisë së njerëzve për të përjetuar, për të kuptuar dhe për të përballuar ndryshimet dhe sfidat e jetës në kushte të vështira. Në kontekstin e poezisë, vargjet e para:”E kisha ndërmend/të të dua, pas luftës, më shumë,/ishte premtimi që i bëra vetes/me zë të lartë” shfaq  dëshirën e madhe dhe  të thellë që ndjen poetja  për të dashur më shumë pas periudhës së luftës, kur do të ishte e lirë për të shfaqur gjithë dashurinë që ajo ushqente për të dashurin, madje dhe për të kompesuar kohën e humbur. Në kontekstin e poezisë ky varg lexohet : “të kam dashur dhe të dua, por do të dua më shumë pas luftë , kur të jemi të lirë që të shfaqim dashurinë tonë”. Dashuria e vërtetë pranon në heshtje dhe premton me pëshpërimë.

Fraza "E kisha ndërmend të të dua, pas luftës, më shumë" përdor një sintaksë të qartë dhe të thjeshtë, që ndihmon të komunikohet drejtpërdrejt ndjenja e autorejes. Ky varg tregon për ndjenjën e thellë të dashurisë dhe nevojën për t'u lidhur më fort pas një periudhe kaq tronditëse siç është lufta. Kontrasti midis luftës dhe dashurisë krijon një tension emocional që ngre kuriozitetin e lexuesit.

IV - Analiza Psikologjike:

Vargu i parë tregon për një ndryshim në aspektin pozitiv të mendimit dhe ndjenjave të heroit pas luftës,  ndryshim që është shprehur përmes dëshirës për të dashur më shumë. Pas një periudhe të konfliktit dhe turbullirave të luftës, njerëzit ndihen më të ndjeshëm ndaj ndjenjave të tyre dhe thellojnë marrëdhëniet emocionale. Dëshira për të dashur më shumë mund të reflektojë një lloj ndryshim mbi jetën dhe vlerat e jetës, që ndodh pas periudhës së luftës. Ndërkohë që lufta mund të sjellë trauma dhe humbje, ajo gjithashtu nxit reflektim dhe rikonsiderim të dashurisë dhe  mënyrës se si njerëzit shohin dhe përjetojnë dashurinë dhe lidhjet emocionale.

Premtimi që i bëhet vetes "me zë të lartë" tregon për një angazhim të fortë dhe një lloj vendosmërie për të ndjekur këtë dëshirë, për të dashur më shumë, për të “kompesuar” mungesat e kohës së luftës. Vetë përdorimi i zërit së lartë simbolizon përkushtimin dhe dëshirën e fuqishme për të ndjekur ndjenjat e reja të shprehura publikisht.

Sintaksa e vargut, me përdorimin e fjalëve "të të dua" në fillim dhe "pas luftës, më shumë" në fund, krijon një ndjenjë të përforcimit të dëshirës dhe kjo ndjenjë e përforcuar ndihmon në përshkrimin e intensitetit të ndjenjave dhe dëshirës për të thelluar marrëdhënien pas një periudhe të mundimshme si lufta.

Të kuptohemi, këto vargje nuk e mohojnë dashurinë gjatë luftës apo para saj, por tregojnë për një ndryshim në thellësinë dhe dëshirën e dashurisë pas luftës. Kjo tregon se ndjenjat e dashurisë mund të jenë të pranishme edhe gjatë kohës së konfliktit, por pas luftës, ato mund të rriten, thellohen dhe zgjerohen më shumë, pse  ndërkohë  lufta mund të sjellë sfida dhe vështirësi që pengojnë shprehjen e lirshme të ndjenjave. Janë pasojat e saj (të luftës) që shkaktojnë një ndjesi dhe rritje intensiteti të dëshirës për të dashur më shumë dhe më thellë.  Këto vargje janë një manifestim i forcimit të dashurisë pas një periudhe lufte, e cila mund të jetë vetëm një aspekt i ndikimit të saj në emocionet dhe ndjenjat e njerëzve.

Ky ndikim psikologjik dhe emocional shpaloset në mënyrë të ndjeshme në poezi dhe lidhet ngushtë me disa tema filozofike të thella, siç janë ndryshimi, identiteti dhe premtimi.

Veçantitë Psikologjike dhe Filozofike:

Ndryshimi dhe Identiteti: Ndryshimi është një temë thelbësore në poezi. Personazhet (poetja dhe i dashuri) përjetojnë ndryshime thelbësore pas luftës, duke u ndjerë tjetërsuar dhe të ndarë nga koha e kaluar. Ky ndryshim shprehet në mënyrë simbolike me vargjet: "unë grua, ti burrë, pa qenë kurrë dashnorë." duke shfaqur ndjenjën e ndryshimit të identitetit dhe marrëdhënieve që kanë përjetuar.

Premtimi dhe Dëshira: Tema e premtimit është theksuar në poezi, e cila nënkupton dëshirën e thellë dhe premtimin për të dashur më shumë. Ky premtim përdoret për të përshkruar një dëshirë të fuqishme për të rikuperuar, forcuar dhe thelluar marrëdhënien pas një periudhe të vështirë, periudhë që gjithsesi kishte kufizuar edhe vetë hapësirat e shfaqjes së dashurisë dhe realizimit të saj. Kjo lidhet me aspektin filozofik të premtimit e përkushtimit, ku njerëzit përpiqen të mbajnë fjalën e tyre dhe të rikthehen tek dëshirat e tyre më të thella.

Ngritja e Një Pyetjeje Filozofike: Poezia vë theksin në pyetjen filozofike mbi ndryshimin dhe identitetin. Si ndryshojmë si njerëz dhe si ndikojnë ngjarjet e jashtme në përvojën tonë personale? Kjo pyetje sjell në vëmendje ndjenjën e humbjes dhe rritjes, të ndryshimeve që ndodhin brenda nesh dhe si ato ndikojnë në perceptimin dhe marrëdhëniet me të tjerët.

Shoqërimi me Vargjet: "E kisha ndërmend / të të dua, pas luftës, më shumë,"  tregon për ndjenjën e dëshirës dhe premtimit për të dashur më thellë pas një periudhe të trazuar. Këtu ndihmohet që të paraqiten dëshirat e fuqishme dhe motivimi për të ndjekur ndjenjat e reja pas sfidave nëpërmjet vargjeve:

"ishte premtimi që i bëra vetes / me zë të lartë." - ku premtimi tregon për një angazhim të fuqishëm emocional dhe morali. Zëri i lartë paraqet një vendosmë-ri dhe premtim që ka pasur shumë rëndësi për personazhin.

"unë grua, ti burrë, pa qenë kurrë dashnorë."  Varg që tregon për ndryshimin dhe ndjenjën e tjetërsimit të personazheve, ku identiteti i tyre ka ndryshuar dhe marrëdhënia e tyre është transformuar nga ndryshimet.

Pra, poezia "E kisha ndërmend" ndërthur thellësinë emocionale me refleksionet filozofike mbi ndryshimin dhe identitetin, duke krijuar një tekst të pasur që shpreh ndikimin e luftës në emocionet dhe mendimet e njerëzve, duke sjellë pyetje për marrëdhëniet, dëshirat dhe premtimet tona në një kohë kaq turbulluese. Janë tepër të natyrshme hamendësimet e partnerit se ndoshta gjatë luftës nuk e paska dashur shumë, por këto janë ndikime të klimës së luftës ashtu si në një kohë dimri, në një kollitje të zakonëshme njeriu, hamendëson se është ftohur.

V - Kjo poezi e Albina Idrizit, përveçse karakterit universal dhe tipareve psikologjike ka dhe elementë personalë, pasi lidhet me përjetimet e saj në periudhën e luftës në Kosovë në fillim viti 1999  kur poetja u shtrua për një operacion cezarian, situatë të cilën e ka dhënë poetikisht te poezia “Në ditlindjen e Jonës”(f.35) ku shkruan: “Kur linde ti/nuk kishte zogj/t’u huazoja cicërimën për ninullë,/as lule të të uroja/ “mirëseerdhe bijë”./Një trisht i murrmë/ qarkullonte damarëve të mi,/e rrahjet e zemrës/numërorin ankthin/e së papriturës/në tmerr lufte”. Situata e luftës kishte bërë që pjesa më e madhe e kuadrit mjekësor  të spitalit të largoheshin dhe ajo pakicë që kishte mbetur nuk mund të bënin shumë. Qëndrimi i saj në Gjilan ishte i vështirë, në shënjestër të ushtrisë militare serbe, sepse bashkëshorti vinte nga një familje në zë për veprimtari atdhetare, si pasardhës të Idriz Seferit. Mirëpo pikërisht fakti që bashkëshorti ishte nipi i Idriz Seferit, krahas rrezikut kishte në vetvete edhe shpëtimin. Kështu, duke qenë akoma lehonë me foshnjën në krah, në pamundësi të udhëtonin drejt  Shqipërisë si shumica, të dy u detyruan të zhvendoseshin në Terrnovc, fshatin ku lindi poetja, e të strehoheshin tek të afërmit e saj. Gjatë kësaj kohe gjendja e saj qe përkeqësuar si rezultat i rrethanave të kohës dhe mjekimi joadekuat për rastin në të cilin gjendej poetja. E megjithatë, fituan bashkë vajzën e posalindur.

Kur e mësova këtë histori s’di pse mu kujtua  poezia : "Die Lösung"(Zgjidhja) e Bertold  Brehtit ku shkruante se "Luftën nuk e fitoi as Stalini dhe as Çurçilli/ Luftën e fitova unë, që rrita fëmijën e mi."

Në këtë kontekst ne themi se vërtet luftën e fitoi Albina, e cila  mundi të shpëtonte vetë dhe të rriste fëmijën e saj lindur në atë lemeri lufte. Ne vlerësojmë se heroi i vërtetë i këtyre  fitoreve ishte i shoqi, ai djali i urtë dhe i qetë. A e dini se trimëria dhe heroizmi shpesh herë kanë fytyrë të thjeshtë njeriu të zakonshëm?

Të shpëtosh një nënë lehonë dhe bijën e saj të porsa lindur nga një rrezik fatal i një lufte mizore është një heroizëm i vërtetë. Hebrejtë kanë një fjalë të madhe: “Kush shpëton një jetë ka shpëtuar një botë të tërë”, në rastin tonë janë shpëtuar dy jetë, pra dy botë nga më të bukurat që ka krijuar Zoti mbi dhe.  Fakti që ai shpëtoi gruan dhe foshnjën e vetë në një gjëndje të pashpresë e lartëson dhe e shënjtëron heroizëm. Ishte pikërisht ky akt që e shpëtoi dhe e ndryshoi Albinën nga ndikimi negative i luftës, pse pa që në krah nuk kishte thjeshtë një burrë, por kishte një hero, që ishte i gatshëm të bënte çdo sakrificë për atë dhe fëmijët. Atë, jo vetëm që ajo do ta donte, atë do ta adhuronte, dhe në këtë kontekst as era s’mund ta përkëdhelte më me dashuri se sa ajo, as dielli nuk mund ta ngrohte me rrezet e tij si shikimi i saj dhe atë vetë asnjë bunker nuk mund ta mbronte sa dashuria e tij. Prandaj dhe për këtë themi se luftën e fitoi Albina Idrizi, pse ajo fitoi dhe shpëtoi dhe dashurinë e saj, atë dashuri, e cila ka nevojë për praninë e tij si deomosdoshmëria e oksigjenit për jetën: “Çfarë? Nuk është me rëndësi,/unë veç kam mall, i dashur,/ mall për tëndin sy,/ndaj dua ta shoh ditën/ ashtu siç e sheh ti”. (f.86). A e ndjeni dhe ju si depërton dashuria mes vargjeve si drita e diellit mes pemëve?

VI - Analiza e Stilit:

Poezia "E kisha ndërmend" shquhet për stilin e saj të thellë emocional dhe imazhet e ngarkuara që shpalosin ndjenjat dhe marrëdhëniet e personazheve. Stili përdor ndjeshmërinë e metaforave dhe simboleve për të krijuar një ambient të thellë emocional dhe për të sjellë në pah ndryshimet e thella të identitetit dhe marrëdhënieve.

Metaforat, Imazhet dhe Simbolet:

Metafora "gërmadhat e ëndrrave tona" përshkruan kujtimet, ëndërrat dhe dëshirat që mbeten në shpirtin e personazheve pa u realizuar si pasojë e ndikimeve të luftës.

Imazhi "puthje të qepje plagë" përdoret për të përshkruar procesin e shërimit emocional dhe marrëdhënien që përpiqen të rindërtojnë, ku plaga simbolizon dëmet e pësuar gjatë luftës dhe puthja përshkruan një tentim për t'u shëruar.

 "arna shpresash" simbolizon dëshirat dhe ëndrrat e thella të personazheve për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme, ku “arna” shfaqet në vetvete si një imazh i fuqishëm që ndihmon të mbajtur shpirtin gjallë.

Vargu, Fjala dhe Gjuha:

Vargu fillestar, "E kisha ndërmend / të të dua, pas luftës, më shumë," ka një ndërthurje të thellë emocionale dhe kuptimore. Përdorimi i fjalës "ndërmend" përshkruan një dëshirë të thellë dhe një mendje të përshpejtuar për të dashur më thellë. Fjala "luftë" ngarkohet me kontekstin e ngjarjeve të trazuara dhe konfliktit, ndërsa fjalët "më shumë" shtojnë ndjenjën e forcimit të dëshirës për më shumë dashuri.

Gjuha e poezisë është emocionale dhe imazhore. Përdorimi i fjalëve si "arna shpresash", "puthje të qepje plagë" dhe "gërmadhat e ëndrrave tona" krijojnë një pamje vizuale dhe ndihmojnë lexuesin të lidhet me emocionet dhe përvojat e personazheve. Gjuha e thjeshtë dhe e ndjeshme përdoret për të komunikuar thelbin emocional në mënyrë të qartë.

Ritmi dhe Ritmika: Poezia ka një ritëm të ngadalshëm dhe të ngrohtë, që rrethon lexuesin në një atmosferë të reflektimit dhe emocionit. Ky ritëm ndihmon në thellimin e ndjenjave dhe përkushtimit ndaj fjalëve dhe imazheve. Në vargjet e shkurtra dhe të qarta, ritmika e poezisë rregullon ndjenjat dhe mendimet e lexuesit, duke e bërë më të lehtë të kapërcejë emocionet dhe ndikimet që poezia transmeton.

 

 

Sarandë, më gusht 2023

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Albina Idrizi

E KISHA NDËRMEND

 

E kisha ndërmend

të të dua, pas luftës, më shumë,

ishte premtimi që i bëra vetes

me zë të lartë.

Çmenduri qe dashuria atëbotë

apo qe kohë e çmendur

për t’u dashtë.

Duhej zë të heshtje krismat,

puthje të qepje plagë,

përqafime të ngjitje gjymtyrë,

arna shpresash, oh sa duheshin,

të mbaje shpirtin gjallë.

U gdhimë një ditë, papritur

të tjetërsuar si të tjerë shumë,

unë grua,

ti burrë,

pa qenë kurrë dashnorë.

Sot, premtimi dergjet

gërmadhave të ëndrrave tona, diku.f.68

 

 

Sunday 20 August 2023

 

ODISE KOTE SHKRUAN NATËN NË RËRË

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Shkrime nate në rërë" është nga ato poezi që shkruhen vetëm në breg të detit, në një mbrëmje vere ku poeti përfshihet në një lloj vuajtjeje e trishtim të ëmbël për një kujtim dashurie, pa qënë ndoshta i ndërgjegjshëm se në këtë mënyrë nis dhe eksploron temën e humbjes (së një dashurie vere), shpresës dhe kërkimit të identitetit në një kontekst ku koha, pritja dhe ndryshimi janë elemente të rëndësishme. Poeti Kote e ka  ndërtuar poezinë me një strukturë të qartë dhe imazhe të ngjarjeve e emocioneve të përjetuara, që e bëjnë atë të bukur ( ka vallë dashuri që të mos jetë e bukur) dhe të ndjeshme për lexuesin, e pse jo edhe aktuale: Vera është stina ku në plazhe dashuritë vijnë dhe ikin si valë deti, duke lënë përkohësisht lagështinë e tyre mbi rërën e bregut dhe sytë e adoloshentëve. Sigurisht që unë e ndjej se kjo poezi është shkruar një mbrëmje vere në plazhet e qytetit tim, ndryshe ska si shpjegohet që më është kaq e afërt.

Poezia e Kotes ka sipër një tis mjegulle ku përthyhet drita e hënës në shtatë ngjyra , duke i dhënë çdo strofe një ngjyrë më vete, të cilat së bashku formojnë një ylber, si një urë mbi të cilën kalon dhimbja dhe melankolia “duke vrapuar si një shpirt harabeli” për të ardhur te e sotmja, por ndjejmë që nëpër ylberë vetëm ëndrrat mund vrapojnë dhe ato humbasin diku, pa arritur në një destinacion real ku të mund t’i takojmë. Është e rrezikëshme vera në plazh, shpesh na le të plagosur me ca plumba shikimesh që na vijnë pa krisma, na godasin e na mbeten në shpirt e në zemër dhe ska kirurgji a terapi të na shërojë. Më e shumta qetësohesh duke shkruar si  Odise Kote netëve në rërë ca fjalë pranë një emri, që e mban të fshehur si thesar në shpirt bashkë me dhimbjen që ai mbart.

Është e rrezikëshme vera në plazh, jua them unë se të le me plagë në shpirt, por çuditërisht këto plagë kanë një dhimbje të ëmbël, që duam ta kemi gjithmon e të mos na fashitet kurrë. 

Janë të rrezikëshme mbrëmjet e verës në rërën e plazhit, pse çdo kokrrizë rëre që të hyn mes gishtave të ndriçon në kujtime si një yll, që duket se diçka do të të thotë me sinjale drite, por nga që janë shumë, nuk gjejnë dot rradhë të flasin ndaj nga marazi gremisen nga shkrepat e reve e bien diku në det, ku shpirti i tyre shndrohet në kandil deti. Unë ju kam thënë se dhe yjet hidhen nga shkrepat qiellore, si dikur vajzat nga bedenat e kështjellave.

Odise Kote e di që çdo gjë e shkruar në rërë fshihet nga vala herët a von, por ai  shkruan në rërë jo për të harruar, por për faktin se kjo rërë nuk është si simotra e saj e shkretëtirave, që vdes çdo gjë. Kjo rërë është vendi ku lindi dikur një dashuri, e cila për poetin ishte një qytet i ri plot me ndërtesa ëndrash e parqe lumturie, të cilat ai i përjetëson në vargje. Rëra në kontekstin poetik është pjesë e poezisë dhe jo poezia pjesë e rërës. Jo vetëm kaq, çdo grimcë e kësaj rëre ka qënë e pranishme në dashuri gjer aty sa mund të themi se ajo ka qënë pjesë e lojës së dashurisë duke patur parasysh se kokrizat e saj ngjiten në trup gjatë lojës mbi atë.

Odise Kote shkruan në rërë, ai nuk shkruan me rërë. Në këtë kontekst të shkruash në rërë është si të mbjellësh pemë (kujtime) në rërë, pasi e di që poshtë shtresës ranore ka gjithmon tokë ushqyese për pemët. 

I-Poezia “Shkrime nate në rërë” e poetit Kote është një poezi e ngrohtë, që ngjason me një plagë që ke dëshirë ta fërkosh me mollëzat e gishtit lehtë lehtë, thua se do ta shërosh. Është një poezi me një dukje të thjeshtë, të cilat vetëm penat e sprovu- ara i krijojnë, ashtu si Pikaso që me një vijëzim lapsi mbi letër krijonte kryeveprat pëllumbore të tij.

E lexon dhe të duket se ecën në ranishte, paralel me vijën bregdetare ku valët përpiqen të të afrohen dhe diçka të të thonë, por nisin e largohen kur të shohin lagështirën e një kujtimi në sy, pse aty afër dikur ka qe silueta e një Afërdite shtrirë mbi rërë, po: “erdhi batica dhe fshiu gjithçka” duke lënë një lagështirë në rërë e në shpirt.

Është vërtet një poezi e thjeshtë, ku ndjen se çdo varg të depërton në shpirt e të trazon ndjenjat. Përkundër natyrës së Odise Kotes, te kjo poezi, metaforat ngjajnë si gurë deti të lëmuar nga valët, që të tërheqin vëmëndjen me ngjyrat e format e ndryshme të tyre, të bëjnë kureshtar, ndaj i merr në dorë për ti soditur. Pranë tyre, imazhet si guacka që reflektojnë dritën e hënës me sipërfaqen e tyre të brendëshme, të lëmuar deri në shkëlqim ku kupton se dhe ato, dikur kanë patur një jetë të tyre.

Te kjo poezi, strofat vijnë si valë deti mbi ranishte duke sjellur në çastet e tyre vezullime drite në kënde të ndryshme shikimi. A janë vezullime dritë hëne, a janë vezullime dritë ëndrrash, kjo është tjetër gjë, por e përbashkëta është se ky vezullim drite valëzohet gjersa mbrin te rëra e bregut, ku ndriçmi çuditërisht mer një ftohtësi ranore, sikur do të thotë se nuk i përket këtij ambienti. Dhe: “Unë mbeta i vetëm, /duke mbajtur të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur”. Gjithsesi në jetën tonë e krijuam një thesar, pa çka se të groposur në…kujtesë.

II- Te kjo poezi rrezëllin metafora: "kërkimi i provës së zjarrit" që përshkruan sfidën dhe përpjekjet e përhershme të kërkimit të pafund, duke na vënë në lëvizje kohore fantazinë, "vrapi këmbëzbathur mbi driza" shpalos imazhin e një rendje djaloshare për të kapërcyer pengesat në rrugëtimin për të dashuria, thua se është në një lodër fëmijërie,"shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë" flet për një ndjenjë të thellë të përkushtimit dhe përpjekjeve të pashuara, duke e paraqitur me bukurinë e një harabeli.

Përballë tyre imazhet ndrijnë si:"flakë që digjnin e shkrumbonin" duke na shfaqur një pasion të fuqishëm si një ngjarje reale, duke shfaqur ndikimin e ndryshimit të gjithçkaje, imazhi i fëmijës që "gjuante me llastika" na shfaq një situatë të përpjekjeve si dhe kërkesën për të kapërcyer kufijtë e një moshe.

Plot dritësim janë dhe simbolet si: "hëna që ndoshta e ruan në memorie" apo për "poça elektriku", por sot unë dua të tregoj diçka tjetër. Du tju them se poeti Kote përdor suksesëshëm atë që mund ta quajmë: Rrëfimi i Ngjarjeve, ku përdorimi i ndodhive specifike dhe pamjeve përshkruan ngjarjet dhe emocionet në mënyrë të thellë dhe të qartë, duke e bërë poezinë më përfundimtare dhe të imagjinueshme. Kjo është jo vetëm e veçanta e kësaj poezie, por edhe e poezisë shqipe në tërësi. Shumë veprime çfaqen në vargjet e poezisë, shumë të tjera nënkuptohen midis vargjeve, disa prej tyre janë të së tashmes, disa i përkasin të shkuarës dhe të tjerat do ndodhin në të ardhmen, por që çuditërisht qëndrojnë natyrshëm në një poezi. Është njësoj sikur një njeri i djeshëm dhe një tjetër i nesërm të gjënden në një shtëpi me njeriun e sotëm dhe çuditërisht, bashkëbisedimi mes tyre të jetë në harmoni të plotë.

Duke e parë në këtë kontekst arrijmë në përfundimin se poezia "Shkrime natë në rërë" është një kundërshtim emocional ndaj ndjesive të vetmisë, të braktisjes, të izolimit, kërkimit të identitetit të humbur dhe ndjenjave të humbjes. Përmes këtij rrëfimi të ngjarjeve, autori përshkruan një udhëtim të brendshëm të ndjenjave dhe paralelisht shpalos ndjenjat dhe mendimet e tij në mënyrë të thellë dhe emocionale, duke na shfaqur një vizion të bukur për jetën. Dhe ai trishtim që duket në vargje është në fakt një tis i hollë mjegulle që vjen nga mbrëmja e djeshme dhe len mbi vargje një vesë, që shkrin në dritën e agimit.

Unë ju them se poezia “Shkrime nate në rërë …” e Odise Kotes është një mozaik ndodhish të bukura, të ndodhura në realitet apo imagjinatë, të shfaqura plot dritësim ëndërre, që ja përcjellin lexuesit natyrshëm, përzier me dritënm e hënës në plazh.

III-Më dëgjoni pak, te kjo poezi shfaqen veçori psikologjike dhe filozofike që ndikojnë në interpretimin dhe ndjenjat që i transmeton lexuesit. Ajo shpalos thelbin e ndjenjave dhe kohës nëpërmjet vargjeve dhe imazheve të ngjarjeve të thella. Pavarësisht ëmbëlsisë së saj, tiparet psikologjike dhe filozofike janë të dukëshme dhe të ndjeshme, si gurët nën rërë që i ndjen kur ecën shpenguar.

 Në veçoritë Psikologjike mund të dallojmë:

Njëndjeshmëri dhe Ndjenja e Vonesës: Poezia shpreh ndjenjën e vonesës dhe kohëzgja-tjes, ndodhur përmes përshkrimeve të kërkimit të pafund dhe ndjekjes së një premtimi që nuk vjen: “Në një pjesë të shkrimeve nuk ishte as ti, /por një premtim se një ditë do të vije”. Ky element shkakton ndjenja të pakënaqësisë dhe zhgënjimit, që mund të lidhen me ndjenjat e njerëzve përballë pritjes së gjatë dhe pasigurisë.

Ndjenja e Humbjes dhe Vetmisë: Poezia përshkruan ndjenjën e humbjes së premtimit dhe ndarjes nga diçka e rëndësishme, si dhe vetminë e përkohëshme që vjen si pasojë e saj: “Unë mbeta i vetëm, /duke mbajtur të fshehur dhimbjen, /si një thesar të groposur…”. Është e çuditëshme, kjo vetmi, braktisje apo çfarëdo që është, nuk është dëshpëruese, ajo më shumë se plagë që dhemb është një kujtim që ëmbëlson. Të gjitha dashuritë e humbura lënë pas lulishte kujtimesh të çasteve të tyre.

Veçoritë Filozofike:

Koha dhe Ndryshimi: Poezia shpreh një ndjenjë të kohës së përjetshme dhe ndryshimit të përhershëm. Kjo temë filozofike theksohet përmes imazheve të kërkimit të pafund dhe përpjekjeve për të kapërcyer vështirësitë dhe kufijtë.

Identiteti dhe Kuptimi i Jetës: Autori flet për përpjekjen për të kuptuar jetën dhe identitetin e vet, si dhe për t'u lidhur me kuptimin e gjërave. Kjo ndihmon lexuesin të reflektojë mbi pyetje filozofike mbi qëllimin dhe rrugën e jetës. Autori Kote sjell në këtë mënyrë të gjallë përjetimet e një adoloshence të zjarrtë e të vrullëshme dhe të pafajëshme në çiltërsinë e saj.

Disa Vargje që shprehin këto tipare dhe cilësi:

"Ato nisnin të gjitha me kërkimin / e provës së zjarrit, / tek vrapi këmbëzbathur mbi driza / dhe gjuhët e flakës që digjnin e shkrumbonin." ku  poeti shpreh kërkimin e pafund për provën e zjarrit, ku termi "prova e zjarrit" është një ndërthurrje metaforike që shërben si mënyrë për të paraqitur sfidat, sakrificat dhe përpjekjet që subjekti poetik ka përjetuar, ndërsa imazhi i "flakës që digjnin e shkrumbonin" tregon një ndjenjë të ndryshimit dhe përpjekjeve për të kuptuar përvojën, ku zjarri është një simbol i energjisë, pasionit dhe intensitetit të jetës ndërsa  shkrumbimi është një imazh i shkatërrimit dhe ndryshimit që mund të shoqërojë përpjekjet e fuqishme dhe përbaljet me sfidat. Kjo mund të tregojë për jetën e vështirë dhe shkatërruese që subjekti poetik ka përjetuar në përpjekjen për të arritur një qëllim të caktuar.

"Donin fëmijën harakat që gjuante me llastika, / gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë, / varur nëpër pemë, / si poça elektriku."

Këto imazhe poetike shfaqin pasigurinë, papjekurinë dhe përpjekjet e paefektë-shme të një periudhe të hershme në jetën e subjektit poetik. Fëmija që "gjuan me llastika" tregon për një ndjenjë të papjekurisë dhe të paaftësisë për të përballuar sfidat, ndërsa "varja nëpër pemë" paraqe ndjenjën e trashëgimisë pagane të fisit, bir i të cilit është.

"Vrapoje sikur diku doje të mbërrije, / me shpirtin harabel, / që nuk ngopej me frymë." është varg që shpreh ndjenjën e përgjatë dhe të pafund të kërkimit, si dhe ndjenjën e një shpirti të pashuar dhe të ndezur për të arritur ndërsa vargjet: "Hëna që ndoshta e ruan në memorie, / kapërceu oqeanin, / iku në një tjetër kontinent." tregon ndryshimin dhe ndarjen nga një realitet i njohur (adoloshenca), dhe simbolizon lëvizjen nga një vend në tjetrin (pjekurinë e njeriut).

Mos u habisni: dashuria, sidomos një dashuri e humbur (plazhi në verë) plazhi në verë, veçse poet, të bën edhe filozof e psikolog. Pyeteni Odise Koten pasi ta lexoni këtë poezi të tij.

 

Sarandë, më 20 gusht  2023

 

 

             Odise Kote

Shkrime nate në rërë …

Ato nisnin të gjitha me kërkimin

e provës së zjarrit,

tek vrapi këmbëzbathur mbi driza

dhe gjuhët e flakës që digjnin e shkrumbonin.

 

Donin fëmijën harakat që gjuante me llastika,

gjithë bestytnitë e fisit e gjinisë,

varur nëpër pemë,

si poça elektriku.

 

Vrapoje sikur diku doje të mbërrije,

me shpirtin harabel,

që nuk ngopej me frymë.

 

Në një pjesë të shkrimeve nuk ishte as ti,

por një premtim se një ditë do të vije.

 

Kështu deri në ag,

kur erdhi batica dhe fshiu gjithçka,

pa lënë asnjë kopje të vetme.

 

Hëna që ndoshta e ruan në memorie,

kapërceu oqeanin,

iku në një tjetër kontinet.

 

Unë mbeta i vetëm,

duke mbajtur të fshehur dhimbjen,

si një thesar të groposur…

 

Monday 14 August 2023

 

 

Xheladin Mjeku

BIOLETRA E FATMIR TERZIUT

Përsiatje për librin ,,Dhoksologjia e atdheut ose ,,Diskursi kohor” i Fatmir Terziut”, nga Timo Mërkuri

     1. Abstrakt

     Takimi me Fatmir Terziun, dhe në rastin konkret edhe me Timo Mërkurin, që të dy emra të dëshmuar në letrat tona, ku për aq kohë sa mbesim në shoqërim me krijimtarinë e tyre kemi ndiesinë e të ndodhurit në një festë arti dhe kulture nga më të vlerësuarat. E them këtë për shumë arsye, ndër të cilat do të veçoja përkushtimin e tyre të pasosur në ndërtimin e opusit të veçantë krijues në akcilën nga zhanret që krijojnë, pa mos e harruar asnjëherë edhe kontributin e madh në fushën e studimeve nga letërsia, krijimtaria gojore dhe fenomene e sentenca të shumta gjuhësore, teorike dhe kulturore, në përgjithësi.

      Në librin ,,Dhoskologjia e atdheut ose ,,Diskursi kohor” i Fatmitr Terziut” Timo Mërkuri ka përfshirë pothuajse të gjitha gjinitë letrare që krijon Fatmir Terziu, që e  bëjnë më të dëshiruar këtë lloj monografie letrare, ngase si vlerë e ka vendin meritor në dy relacione; edhe si dokumentim i studimit të krijimtarisë letrare, edhe si ndërlidhje kohore e zhvillimit kronologjik të krijimtarisë shkencore dhe veprimtarive tjera, si shënime ngjarjesh kulturore-artistike, kritika, ese e studime autorësh dhe veprash të shumta; trajtesa të shumta nga zhvillime të aktiviteteve kulturore, etj. që në parim mund të kuptohet edhe jetë-rrugëtimi i tij nëpër ngjarje e kohë, si një dëshmi biografike, e pasqyruar përmes motivacioneve të trajtuara dhe shtrirjeve kohore, si dëshmi e patjetërsueshme e jetës së njeriut tonë në trojet etnike, prej nga burojnë pothuajse të gjitha frymëzimet dhe provokimet e muzës, anipse krijuesi prej dekadash jeton e vepron në mërgim.

    2. Hyrje, apo kronologjia e trajtimit të krijimtarisë së Fatmir Terziu

     Një analizë sintezë për krijimtarinë letrare, shkencore dhe veprimtaritë tjera të shumta të kësaj natyre me një përkushtim të madh e ka bërë Timo Mërkuri, i cili në përgjithësi ka trajtuar vepra e studime të shumta nga veprimtaria krijuese e Fatmir Terziut, që sipas një kronologjie të përfshirjes në këtë libër do të konceptoheshin në atë poetike, ku dominojnë trajtesa të poezive, për të cilat veç e veç ndanë mendimet e tij, pastaj libra poetik, që e karakterizojnë opusin krijues të bollshëm prej mbi njëmijë faqe poezi, të përmbledhura në më shumë se dhjetë tituj. Nuk do të ishte e kompletuar një analizë gjithëpërfshirëse e krijimtarisë letrare pa mos e prekur edhe prozën, që te Terziu e gjejmë edhe prozën e shkurtër tregimtare, edhe atë romanore.  Padyshim se ai shquhet edhe si njohës i mirë i fushëveprimtarive të krijuesve individual, por edhe të aktiviteteve  grupore, që me një maturi dhe përkujdesje të vazhdueshme do t’i ketë përfshirë në fushëveprimtarinë e tij studiuese, duke u dhënë vend meritor, për vlerat, arritjet estetike-letrare dhe për mesazhin që transmetojnë. Timo Mërkuri, del të jetë shoqërues i kujdesshëm në çdo hap të krijimtarisë dhe aktiviteteve tjera të Fatmir Terziut dhe për Fatmir Terziun, kudo që ndodhin ato.  I vetëdijshëm se gjithë kjo veprimtari krijuese dhe shkencore ka edhe vlerat dhe vlerësimet e saj, ai do të sjell shkrime të shumta për këto aktivitete, që e potencojnë punën e vlefshme të Terziut, duke qenë edhe vetë pjesëmarrës në ceremoni të organizuara për nder të tij.

     3. Poezia- kryetema e krijimtarisë letrare

      Nuk janë pak dhjetë tituj me përmbledhje poezish, që kapin mbi njëmijë faqe libri, ku Fatmir Terziu ka trajtuar tema e motive nga më të ndryshmet, për të sjellur kështu një botë përplot ngjarje, imazheve, figuracion, vlera estetiko-letrare, prej nga është vjelur ai potencial krijues në periudha të ndryshme kohore dhe shtrirjeve gjeografike, për ta përjetësuar përmes fjalëve dhe vargjeve më të zgjedhura me ngjyrime të atdheut dhe njeriut të tij të dashur, të dhimbsur dhe të sakrificave.

     Ndonëse në këtë libër radhitja e shkrimeve nuk ka ndonjë sistemim, zgjodha formën kronologjike të trajtimit sipas gjinive, që pastaj të kemi një pasqyrë sa më të kapshme të kësaj krijimtarie, që si tërësi e përbëjnë bashkëdyzimin krijimtari letrare - jetë, për t’ia mundësuar lexuesit ta kuptoj rrugëtimin e tij paralel me aktivitetet letrare dhe veprimtaritë tjera jetësore. Lehtë mund të kuptohet se këtu poezia është vetë kryetema e trajtuar nga Mërkuri, pa mos e anashkaluar edhe pjesën tjetër të krijimtarisë së Fatmir Terziut. 

      Kryesisht, poezitë që analizohen në këtë libër Mërkuri i gjen në portalin ,,Fjala e Lirë”, ku herë pas herë përzgjedh ndonjërën që shquhet për veçoritë letrare dhe mesazhin që përçon, për ta zbërthyer pastaj me kënaqësinë e interpretimit, me kujdesin sikur hap petalet e luleve, për t’ua shijuar aromën e tyre.

      Poeti është sikur bleta. Ngado që shkon, miklon një lule, shpalos një petale dhe thithë pika nektari; merr frymë hapësire dhe shkëlqim drite nga gjeografia e vendit për të krijuar pastaj një buqetë të madhe ngjyrash prej vargjeve e motiveve të ndryshme, në kujtim të ngjarjeve që percepton intuita e tij krijuese. Të tillë e gjejmë kurdoherë Fatmir Terziun, vargu i të cilit frymon në çdo kohë dhe hapësirë, ngado që eksploron ngjarje e tematika të reja.  ,,Shpërthimi poetik i Fatmir Terziut” do të evoluoj vazhdimisht, e këto ,,fryte të reja” i kap me fiksionin prej analisti të përkushtuar Timo Mërkuri, duke i zbërthyer me ,,dashamirësi” profesionale. Ai do të ndaloj në çdo ,,stacion” të ri poetik, kurdo që takon, për t’ia shijuar vlerat dhe për ta personifikuar mesazhin që transmeton ajo poezi, pa mos e harruar edhe ngjyrën poetike dhe tematikën që trajton. E filluar me ,,Të lexosh një poezi ….”, ku bën një ,,Përsiatje mbi poezinë “Iso-ja e detit” e Fatmir Terziut”, Timo Mërkuri prek ndjeshmërinë e vargut me aromë joni që do ta ketë provokuar unin poetik të Fatrmir Terziut, ku shpreh mendimin e tij: ,,Të lexosh e të jetosh te këto vargje një deklaratë dashurie dhe të mendosh se kjo pëshpërimë e shpirtit, që poeti e dëgjon në Londër është zhaurima e valëve të Jonit, më e pakta që mund të bësh është të admirosh këtë dashuri të madhe tejkontinentale.”. Fuqia e këtij vargu shtrinë perimetrin e rrezatimit deri në atdheun e largët, duke kaluar edhe kontinente. Ndërlidhje të përhershme me atdheun takojmë pothuajse në të gjitha poezitë  që janë trajtuar nga Timoja, sepse poeti në vazhdimësi ruan lidhjet e tij me vendlindjen, me gjakun dhe ushqen dashurinë e përjetshme për truallin e tij stërgjyshor. Të tilla janë edhe poezitë tjera, si ,,Jelimo Kaone”, ,,Pa titull”, etj.

      Një shkrim mjaft interesant dhe të studiuar mirë, të paisur me një faktologji bindëse është ,,Dhoksologjia e Atdheut ose “Pedalimi kohor” i Fatmir Terziut”, sipas të cilit merr titullin edhe libri, sepse vetë Dhoksologjia është lutje hyjnore, poaq sa e sheh edhe poezinë e Fatmir Terziut studiuesi Mërkuri. ,,Nuk e di në se Fatmir Terziu ishte apo jo i ndërgjegjshëm për gjetjen e stilit të këtij shkrimi dhe qasjen me hymnet kishtare, por në fakt ai është i pari që krijon një poezi (pavarësisht se në prozë) të denjë për tu kënduar si Hymn, Lavd apo Psalm kishtar për Atdheun. Të shkruash një Hymn për Atdheun dhe sidomos një Hymn që ti qaset tekstit (të mundshëm) për një dhoksologji kishtare, duhet ta duash Atdheun në gjithë qënien tënde, ashtu si Apostujt deshën Zotin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Kush i ka ndjekur në vijimësi shkrimet e Fatmir Terziut e ndjen se ky shkrim nuk është një rastësi, pavarësisht në se ai është i ndërgje-gjshëm për vlerën e krijimit të tij.” Supozimin rreth kësaj teme  e shpjegon saktë ky citim nga po i njëjti vështrim. Në poezinë e Fatmir Terziut studiuesi gjen edhe ,,Ngjitje në poezinë moderne”, si në poezinë ,,Viktima numër një”, pastaj ,,Pandofla ime”, ,,Bulkthi”, ,,Dashuria”, ,,Milingonat”,  "Për rënien në mëkatin e pikturës", “Thjeshtësia e një kishe”,  etj.

      Gjithësesi duhet veçuar edhe shkrimi ,,Moderniteti i një melodie pagane”, ku, siç shpreh mendimin e tij analisti: ,,Është interesante poezia "Pagane" e poetit Fatmir Terziu pse përtej dukjes, ka tipare dhe karakteristika të ndryshme që e bëjnë të vështirë të klasifikohet në një kategori të vetme, këtë e themi se ajo përmban elemente të poezisë filozofike, psikologjike, mistike dhe realiste.”

      E tillë është poezia e Fatmir Terziut. Ajo të pehatë shtigjeve të jetës dhe të frymëzon për jetën, duke i dhënë koloritin e atdheut dhe dashurinë për njeriun e tij të dashur, elemente të cilat i takojmë jo vetëm në poezitë e trajtuara këtu, po në përgjithësi, në opusin e tij krijues poetik.

      Edhe në vështrimet letrare për dy librat me poezi “Dashuri Jugu” dhe “At…një ëndërr e gjatë”, kemi një analizë transparente, ku me pedantërinë e tij, prej vrojtuesi të spikatur, Timo Mërkuri do të pasqyroj gamën e gjërë të shtrirjes poetike të Terziut në sfera e labirinthe të shumta, ku nuk i ikën as edhe imtësirat mbresëlënëse, apo provokimet e çastit të ngjarjeve a pamjeve të ndryshme ku rastisë të ndodhet për ndonjë çast. Sidomos, në vështrimin për librin “At…një ëndërr e gjatë”, që e përbëjnë poezi të shkruara kronologjikisht ,,si një ditar mbi situatën e rrënduar shëndetësore të të atit, ecurinë e sëmundjes, dhimbjen e birit, mendimet e meditimet e tij, dhe së fundi…ikjen e atit”, nuk mund ta kuptojmë veç një përfaqësim i këtyre elementeve, por aty gjemë një shtjellim shumë  më të thellë të ngjarjeve e temave të asaj natyre, ku për temë kryesore kanë dhimbjen dhe krenarinë për babain e tij.

Ndërkaq, për krijimtarinë në prozë, autori do të ndaloj veç te romani ,,Kojrilat”, si

kryeproza e tij, ku shquhet për shtrirjen tematike që trajton dhe rëndësinë historike të prekur këtu. Fatmir Terziu ka një vistër romanesh e libra me tregime, ku trajton tema e ngjarje mjaft interesante dhe të vlefshme për lexuesin, meqë ua rikthen kujtesën në të kaluarën, me njohuritë e shumta interesante nga historia, dhe për vetitë dhe karakteristikat e asa kohe, ku njeriu paraqitet i portretizuar me vrazhdësinë e kohës që jetoi, me vuajtjet, përballjen me të keqen, por edhe me krenarinë dhe besimin  për një jetë ndryshe, për një ardhmëri të lumtur të brezave të rinj.

      4. Kurorëzimi i vlerave provokon muzën

      Bioletra e Fatmir Terziut, si një biografi jetësore-krijuese shtrinë krahët në të gjitha pikat e burimeve letrare që ia ofron lexuesit, duke shpalosur në një, apo mënyrën tjetër, vlerat, synimet dhe mesazhet që sjell fjala dhe mendimi i tij prej krijuesi shumëdimensional. Derisa kaluam nëpër trajtesat dhe eset për poezinë dhe librat poetik, për të ardhur edhe te proza e tij, që këtu vjen si refleksion i një krijimtarie të bujshme, ku temat dhe ngjarjet kanë rëndësi të veçantë, falë shtrirjes së gjërë gjeografiko-tematike të ngjarjeve, nuk mungojnë edhe shkrime e trajtesa për veçanti krijuese, si për “Artin Jonian” dhe për librin “Joni Poetik 2”, ku është vlerësuar lartë aktiviteti i krijuesve jonian nëpër vite. Fatmir Terziu çdoherë ka treguar interesim të jap kontributin e tij në aktivitete e manifestime nga kultura, letërsia, etj. Atë e takojmë edhe në manifestimin poetik “Trirema Joniane”, me fjalën e tij përshëndetëse, që këtij manifestimi ia shton vlerën dhe shpërfaq rëndësinë e aktivitetit letrar që vazhdon të funksionoj për dekada, ku mbledh krijues nga vende të ndryshme të botës, që në një mënyrë mund të konsiderohet si urë lidhëse e kulturave dhe krijuesve të shumtë me Shqipërinë dhe krijuesit e saj.

      Timo Mërkuri nuk e fsheh gëzimin për këto arritje të Fatmir Terziut. Ai këtë gëzim e shpreh vazhdimisht, e veçanërisht në ditën kur Presidenti i Republikës i dorëzoi dekoratën e lartë ,,Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tij me veprat dhe vlerat e arritura në shkencë e krijimtari. ,,Unë duartrokita i pari” e titullon shkrimin e tij, si një shprehje gëzimi, që ia dedikon atij në vend të një urimi. Nuk gjen fjalët më të përsosura ta shpreh urimin e përzemërt atë ditë kur po mbahej ceremonia e zyrtare e dekorimit. Megjithatë shprehet me një fjali që instinktivisht do t’i buron nga shpirti: ,,Krijimtaria e tij në fushat e fjalës është sa e gjërë aq dhe cilësore, sa e thellë aq dhe vizionare. Jo vetëm kaqë, kontributi i tij është pjesë e pandarë e arritjeve të një gjenerate të tërë krijuesish të cilët kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me Fjalën e Lirë dhe Fatmir Terziun. Prandaj e ndjejmë tonin gëzimin e këtij vlerësimi të Fatmir Terziut”, do ta përkufizonte fjalën e tij përshëndetëse plot emocione. Sa e gjithanshme është puna, aktivitetet, krijimtaria dhe vlerësimet për punën e tij mjafton ta kemi veç këtë urim zemre nga Timo Mërkuri.

      Produktiviteti i krijimtarisë së përgjithshme të Fatmir Terziut për asnjë çast nuk ndalon. Shumëllojshmëria e gjinive dhe zhanreve të kultivuara; pastaj aktivitete e studime të shumta, e bëjnë të qëndrueshme dhe të pritshme në vazhdimësi, meqë kurorëzimi i gjithë kësaj krijimtarie të deritashme, nuk ka si të mos e provokoj muzën e tij krijuese edhe për shumë vepra të ndryshme në të gjitha fushat e veprimtarive letraro-shkencore, dhe më gjerë.

      Këto që thamë në këtë vështrim i sforcon dukshëm ky libër me trajtesa, ese dhe analiza të shumta nga Timo Mërkuri dhe, padyshim, na bëjnë kurreshtar prurjet e reja nga Fatmir Terziu.

14.08.2023

Friday 4 August 2023

DHIMBJA QË KA EMRIN PETRIT RUKA

 

Nga Timo Mërkuri

I-Odise Kote në krijimtarinë letrare të krijon përshtyjen e një njeriu të “sertë”, imazh që të krijohet kryesisht nga tonaliteti i “rëndë” i fjalës dhe vargut të tij poetik, por duke qënë se poezitë e tij në tërësi shfaqin imazhin e monumenteve, ku dominojnë ato prej guri, pa përjashtuar dhe ato prej bronxi apo të lara me flori,  mjafton të  vendosësh veshin në vargje , si te monumenti dhe do të ndjesh se pas metaforave, si pas brinjëve, rreh një zemër e madhe, e dhimshur, të cilën ai më kot përpiqet ta fshehë.  

Odise Kote e krijon poezinë e tij me metafora, si tempujt antikë me kollona mermeri të gdhëndur,  jo si mure me gurë të skalitur, por  një poezi, vetëm një poezi e ka ngritur pa metafora, por me drithërima dhe rrahje zemre. Vetëm një poezi ai e ka gdhendur brenda zemrës me fjalë të thjeshta e të dhimshura, fjalë që i shpreh vetëm një dashuri vëllazërore, një poezi që mund ta quajmë “ e vërteta ulëritëse për Petrit Rukën”, ku thjeshtësia e saj tejkalon bukurinë, forcën dhe vizionin poetik të dhjetra metaforave. Poezi të tilla si kjo me titullin e thjeshtrë “Poeti” kushtuar Petrit Rukës, me vargje të qarta e të kristalta si loti, drithëruese si vajtime nënash në mort i krijojnë vetëm poetët e mëdhenj. Të shkruash për këtë poezi do të thotë të shkruash për vetë shpirtin kur dhemb, për fjalën kur ulërin në heshtje, për dritën e diellit të dëshiruar  në thellësi të minierave, pas shembjeve.

II-“Poeti blen duhan rruge, të lirë, të hapur /dhe pi cigarë të dredhur…”  na jep Kote imazhin në lëvizje të poetit Petrit Ruka, me  fjalë të thjeshta që rrëshqasin  në varg si uji i shiut nëpër xhamin e dritares. Ne e ndjejmë se kjo lagështirë nuk është ndonjë shi (jemi në një korrik të thatë sivjet, dhe do e dëshironim një shi) por një lagështirë në sytë e poetit tek shkruan pas reve të dendura të kujtimit të mikut të tij. Këtë lagështirë në sytë e Kotes do ta ndjejmë në gjithë poezinë, por ai dëshiron ta fshehë nga lexuesi, do ti krijojë atij mendimin se gjoja këtë ja shkakton tymi i duhanit të fortë të Petrit Rukës dhe se ja mjegullon pakëz shikimin. Përpjekje e kotë gjithsesi: Petrit Ruka vërtet pinte duhan të dredhur, por gjithmon ishte i kujdeshëm që tymi i duhanit të tij të mos bezdiste miqtëdhe shokët  e pranishëm. Kot e ka Odisea që “dredhon”, Petrit Rukën nuk e ka përballë, sado që do e dëshironte këtë, Petrit Rukën ai e ka brenda tij, në zemër dhe në kujesë dhe ky tym duhani vjen nga brenda shpirtit e zemrës së tij, i njom pakëz sytë dhe rrëshqet nëpër vargje, dhe mqse  me këto vargje ai e mbyll poezinë, vargjet voziten si varka mbi liqen. Është i kripur shumë ky liqen lotësh ndaj në brigjet e tij nuk kanë mbirë metafora.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Kote e vazhdon vargun me fjalët: ”e kollitet rëndë” fjalë që na godasin si  grushta të  fortë dhe na palosin mendimin si në një nokaut. Ata që kanë pirë duhan e dinë se çfarë është ajo “kollë e rëndë”, por e dimë më mirë ne që kemi qënë e mbetem miq të Petrit Rukës, ne që: (“me cabrioleta të pastër/(nuk) Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend”).

III-“Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë” shkruan Kote dhe mua mu shfaq imazhi i poezisë “Baladë pensionistësh” të  Petrit  Rukës me vargjet: “Në lagjen tjetër, një kafe e hidhur,/Kushton dhjetë lekë më pak” me atë mbylljen e saj si një këmbanë morti: “Po Atdheu, atdheu, ku është që s`e shoh,/Do jetë shkrehur në vaj”? Ky imazh varfërie i Petrit Rukës më kujtoi përgjigjen e atij mini-strit francez të kulturës që, kur e pyetën gazetarët e huaj se: pse e kishin lënë në varfëri të skajëshme poetin e shquar (Alfred de Musse, nqse nuk gaboj) ai qetësisht u përgjegj: “Varfëria e poetit është pasuria e Francës”.  Sado cinike që tingëllon kjo përgjigje e ministrit francez, në qasje me Petrit Rukën është fatkeqësisht e saktë: varfëria e Petrit Rukës është vërtet pasuria e Shqipërisë. Ajo varfëri e shkaktuar nga pesëmbëdhjet vjet papunësi, ai tension për mbijetesë i dha impuls krijimtarisë së tij poetike falë të cilit krijoi ato perla aq të dashura dhe të kërkuara nga  lexuesit. Unë do them se më shumë se sa poezitë perla, Petrit Ruka është prurësi i baladave shqiptare nga mugëtira e shekujve, të cilat si kështjella të të restauruara dhe pastruara nga myshku e pluhuri i kohërave, i vuri në rrugëkalimet kyçe të letërsisë shqipe, në mbrojtje të identitetit të kombit. Për të restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte vallë?

IV-“Poeti thur baladat, si në balada tretet” rrënkon në vargje poeti Kote, dhe mua më përshkroi një mornicë si një rrymë trefazore, pse mu kujtua se pikërisht shprehjen “tretem mbi baladë” ma pati thënë dikur vetë Petrit Ruka. Në një bashkëbisedim telefonik me atë para se të shkruante baladën  “Kostandini dhe Jurentina”, i thashë: Erdhi koha të mirresh me Kostandinin dhe besën e tij, Petrit. Vetëm ti mund ta risjellësh mes nesh këtë baladë, ndaj leri fare baladat e tjera. Të gjitha ato bashkë nuk kanë peshën dhe vlerën e saj.  –E di mu përgjegj ai, por po të them se kam plot pesë vjet që po lodhem, stërlodhem e tretem mbi atë baladë, por të “jap besën” se do ta përfundoj së shpejti.  Kjo “së shpejti” ishte vërtet “shpejt”, pse ai e publikoi baladën e tij brenda dy muajsh.

U drodha kur e lexova këtë frazë te Odise Kote. Ku e dinte Odiseja këtë

thënie të sivëllait Ruka, se unë askujt nuk ja kam thënë gjer më sot. Në fakt nuk duhet të habitem shumë, miqësia mes poetëve krijon mes tyre diçka të ngjashme me vëllezërit siamezë, me ndryshimin se mes tyre nuk trasmento-het gjaku, por ndjenjat e mendimet. Kështu shpjegohet që Odise Kote në vargun e tij ka cituar fjalën e Petrit Rukës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Odise Kote na sjell vargun: “si një shenjt po vdes pak e pak”. Në fakt ky varg nuk më tronditi shumë sepse atë: “vd..s pak e pak” e kisha ndjerë qysh te ajo “tretja” e tij mbi baladë, por ajo që më hutoi ishte krahasimi ”si një shenjt”, prej nga mua mu shfaq imazhi i Shën Jeronimit, ashtu i dobët nga të pangrënët, ose më saktë nga mospasja kohë për të ngrënë sepse po përkthente Biblën. Dhe Petriti nxitonte të shkruante ndaj s’kishte kohë as për të ngrënë, tretej mbi vargje, e largonte gjumin me vargje…

Unë ju them se Petrit Ruka është vërtet një shenjtor i letërsisë shqipe, ai besonte dhe ishte vënë në shërbim të Perëndisë Art dhe Odise Kote është i pari që e shprehu këtë të vërtetë. Ne duhet vetëm ta besojmë Odisenë dhe ta lexojmë Biblën poetike të Petrit Rukës.

Thamë më sipër se: Për të restauruar një pikturë apo mur bedene shteti paguan jo pak, po për të restauruar një kështjellë arti gojor, sa do ti kushtonte shtetit vallë? Petrit Ruka  jo vetëm që nuk u pagua për kështjellat -balada që ripruri në kohën tonë, në ruajtje të gjuhës dhe identitetit kombëtar, por edhe ato pak kursime që kishte i shpenzoi për shkrime e botime dhe kur erdhi koha, ai : “për seanca me rreze kobalti s’ka lekë”. Një ngulç të mblidhet në shpirt, gati për të shpërthyer në ulërimë, por na  ngec në fyt kur shohim se: “Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,/ vargjet e tij recitojnë në parlament”.  Dreq o punë kjo: po ku dinë deputetët të lexojnë poezi? Po të dinin të lexonin, eh po të dinin të lexonin, së paku të lexonin poezitë e Petrit Rukës, sa mirë do qe, sa punë të mira dhe të bukura do bënin: s’do mërgonte rinia duke plakur vendin, s’do “qante atdheu” ditë e natë. Ja që deputetët, miq të dikurshëm të poetit dinë vetëm “t’i vjedhin idetë’, ato ide që shfaqin vizione për rrugët e së ardhmes, ata i përddorin për asfaltimin e rrugëve të së shkuarës. Të vjen të shkosh para parlamentit kur hyjnë apo dalin ata dhe tu ulërish para fytyrës, por çfarë do fitonte Petrit nga kjo? Ne se ndihmuam dot kur pati nevojë, ndaj ndjehemi  fajtorë për ikjen e tij. Ndjehmei fajtor që nuk u bë ndonjeri nga ne ministër apo drejtor dikasteri, të bënte një tender koruptiv, sa për ti paguar poetit shepnzimet e seancave me rreze kobalti, sigurisht pa i treguar gjë atij, të mirit, të ndershmit, të tepelentit të madh Petrit Ruka. Sepse nuk e ndihmuan as ata:Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,/ (që për vete) ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake”.

 

V-“Poeti hyn në tekste librash, mediume,vetmitar..” shkruan Kote. Sigurisht që Poeti do hyjë nëpër tekste librash, ngarkuar me baladat e poezitë e tij, siç hynte në portën e shtëpisë prindi ditën e rrogës ngarkuar me ushqimet e porsablera të familjes për muajin dhe fëmijët vrapojnë e i mblidhen rreth për ëmbëlsirat e mundëshme që ka prurë.

Veçse Petrit Rukës nuk i mblidhen rreth baladave vetëm fëmijët, por edhe pleqtë e moshuar i dëgjojnë me ëndje dhe i japin uratën aty ku ka rënë në gjumin e gjatë. Madje dhe Atdheu i dëgjon baladat e tij, përlotet dhe e shtrëngon lehtë në gjoksin e tij me dashuri e ëmbëlsi nëne, e përkëdhel lehtë lehtë dhe përpiqet ta mbajë sa më gjatë ashtu të bukur. Atdheu nuk e ka plagë në zemër Petrit Rukën, Atdheu e ka këngë në zemër Poetin.

Vetëm “Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet /Për mëshirë një titull dhe një dekorate”, do mblidhen nëpër salla nëpër përvjetorët e ikjes së tij, do flasin  me pasion për madhështinë e (pakuptueshme prej tyre) të tij, do citojnë vargje e libra të poetit, do…, por unë nuk do jem aty. Unë nuk do jem në asnjë përvjetor të ikjes së poetit sepse unë, diku, vetmitar, në përvjetorët e botimeve të poetit do çfletoj librat e tij. Sigurisht që do vijë dhe Petrit Ruka e do flasim për poezinë shqipe, të  sotme e të djeshme, do përmendim poetët e mëdhenj (si ai) të shpërfillur nga institucionet, pavarësisht dashurisë, bukurisë, finesës dhe forcës metaforike të vargut të tyre. Do këmbngul në bisedë për baladat që ai i ripruri në kohën tone, si një flamur që shpalosej në sulmin mbi hordhitë që synonin kështjellat tona. Sigurisht që do të flasism për poetin Odise Kote  dhe monumentet e tij poetike, dhe si rastësisht unë duke nxjerr ndezur celularin do ti them: Shih si shkruan Odise Kote te poezia “Poeti” për ty.. Shih sa bukur të ka shpirtëruar në vargje!

 

Sarandë, më gusht 2023

 

 

              POETI

        - Petrit Rukës.

Poeti blen duhan rruge, të lirë, të hapur,

dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.

Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,

Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.

 

Poeti gjithë ditën pi veç një kafe të zezë,

për seanca me rreze kobalti s’ka lekë.

Miq të dikurshëm, që i vjedhin idetë,

vargjet e tij recitojnë në parlament.

 

Poeti thur baladat, si në balada tretet,

nuk ka kura speciale, s’blen dot as ilaçe.

Miq të dikurshëm, që e lanë të papunë,

ngrejnë grataçiela dhe kulla binjake.

 

Poeti hyn në tekste librash, mediume,

vetmitar, si një shenjt po vdes pak e pak.

Miq të dikurshëm, kanë gati fjalimet,

Për mëshirë një titull dhe një dekoratë.

 

Poeti blen duhan rruge, të lirë e të hapur,

dhe pi cigarë të dredhur e kollitet rëndë.

Miq të dikurshëm, me cabrioleta të pastër,

Hyjnë në ministri, dikastere e kuvend.

 

 6 korrik 2023