Sunday 4 December 2022

 

DHOKSOLOGJIA E ATDHEUT

ose “Pedalimi mbrapa” i Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri

I-Shkrimin e publikuar nga Fatmir Terziu në datën 10 dhjetor 2022 me titullin “Pedalimi mbrapa” e ndjeva si një lloj shkrimi që nuk duhej lexuar, por duhej kënduar me një lloj të veçantë melodie, madje ai edhe nuk duhej të ishte shkruar në formën e prozës por duhej të ishte vargëzuar si poezi, sepse brenda tij ai ka ritmin dhe frymën poetike. Gjat këtij leximi mu kujtua se edhe poezitë e para shqipe të Gjon Buzukut , ndonëse ishin shkruar me frymën e Psalmeve poetike, ai i kishte botuar në formë proze te “Meshari” në ato motet e largëta 1554- 1555, të cilat i ktheu në formën vargore Anton Nikë Berisha[1]në vitin 2016. Në thelbin e tij ky shkrim ishte si një lloj “Psalmi” kishtar, një lloj “Lavdi” apo “Hymni” që i këndohet Perëndisë, Hyjit, Zotit në kishë apo Katedrale me kore kishtare në ditët të shënuara, veçse këtu Fatmir Terziu lëvdon, hyjnizon dhe hymnizon Atdheun me ritualin e këngës së shënjtë. Asnjë formë dhe stil të shkruari për tu kënduar nuk e hyjnizon dhe hymnizon më tepër Atdheun.

Unë nuk e di në se Fatmir Terziu ishte i ndërgjegjshëm për gjetjen apo stilin e të shkruarit dhe qasjen me hymnet kishtare, por në fakt ai është i pari që krijon një poezi (pavarësisht se në prozë) të denjë për një Hymn, Lavd apo Psalm për Atdheun. Të shkruash një Hymn për Atdheun dhe sidomos një Hymn që ti qaset tekstit (të mundshëm) për një dhoksologji kishtare, duhet ta dusah Atdheun në gjithë qënien tënde, ashtu si Apostujt deshën Zotin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Kush i ka ndjekur në vijimësi shkrimet e Fatmir Terziut e ndjen se ky shkrim nuk është një rastësi, pavarësisht në se ai është i ndërgjegjshëm për vlerën e krijimit të tij.

II-Në praktikën shqiptare, zyrtare apo kishtare nuk kemi shërbesë që ta quajmë “Dhoksologji e Atdheut”, por kemi “Dhoksologjinë e Flamurit”, shërbesë kishtare që lëvdon, bekon dhe shënjtëron Flamurin tonë kombëtar. Kjo shërbesë kishtare mbahet në shumë kisha e katedrale ortodokse si në Korçë, në Berat, në Tiranë etj. dhe kjo shërbesë bëhet çdo datë 28 nëntor, ditën e ngritjes së Flamurit në Vlorë. Pra për Flamurin tonë Kombëtar, ndërsa kemi Hymnin e Flamurit, kemi edhe Dhoksologjinë e Flamurit. Ishte Fan Noli ai që më ka shtuar në kanonin liturgjik kishtar shërbesën, të cilën e titulloi “Dhoksollogjia e flamurit” dhe hartoi tekstin e kësaj dhoksologjie. Me anën e një terminologjie liturgjike kishtare Noli paraqet atmosferën panagjirike që krijohet gjatë këndimit të Dhoksologjisë së Flamurit me tekstin: “O Zot, që bekon dhe shejtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rezik dhe shtrëngicë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nënë hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirplot dhe njeridashës, dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve[2]”. Kjo shërbesë bëhet duke kënduar tekstin e mësipërm nga kori kishtar dhe të pranishmit.

III-Rituali i bekimit të Flamurit tonë Kombëtar zë fill qysh në datën 28 Nëntor 1912 kur Ismail Qemali ngriti Flamurin në sarajet e Vlorajve. Në një fotografi ku dallohet qartë kryetari i qeverisë së përkohëshme të Vlorës, Ismail Qemalin në praninë e përfaqësuesve të dy feve, hoxhë Haxhi Muhametit dhe at Marko Moçkës, ku këta përfaqësues të komuniteteve fetare bekuan flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare. Kjo fotografia është botuar në numrin 50 të revistës DAS INTERESSANTE BLATT, më 12 dhjetor 1912, në vitin e 31-të të botimit të saj[3](Nr. 50. Vien, 12. Dezember 1912. XXXI. Jahrg). Pra kemi shërbesën e Dhoksologjisë së Flamurit tonë Kombëtar, por jemi ndër të paktat vende që nuk kemi një Lavd, Psal, Hymn kishtar të atdheut[4].

IV-Duke lexuar këtë shkrim të Fatmir Terziut shoh se natyra e tij është e llojit të Hymneve, Lavdeve, Psalmeve që lëvdojnë Zotin në shërbesat kishtare me ndryshimin domethënës se këtu lëvdohet, hymnizohet dhe hyjnizohet Atdheu.

Vërtet kemi nevojë për një Hymn të tillë, kemi nevojë për një shërbesë kishtare , një Dhoksologji të Atdheut, kemi nevojë që të shprehim dashurinë tonë për ‘të, sepse nuk jemi njerëz pa atdhe, nuk jemi muhaxhirë, por jemi një popull parahënor në këtë vend, që e quajmë Shqipëri.

Sinqerisht kjo mu kujtua ndërsa e lexova dhe e rilexova këtë shkrim të Fatmir Terziut, të cilin ju ftoj ta lexoni dhe ju.

PEDALIMI MBRAPA

Nga Fatmir Terziu

Nënë Shqipëri, nënë e kuqe gjaku, na mbaj afër dhe larg skuqjeve dhe përskuqjeve të reja e të vjetra. Lëreni dhimbjen të kalojë në cepin e grisur të Historisë dhe të vetë histerisë. Na mbaj. Mbajini ato lotë, mbajini ato grushta, mbajini ato skuqje, ato përskuqje. Kur budallenjtë luten që të vdekurit të ringjallen. Na mbro nga gënjeshtrat e tyre. Lërini të pushojnë. Le të gjejnë paqen viktimat e aksidentit propagandistik.

Nënë e kuqe gjaku, na mbaj fort. Kur brothma e armatës irrituese takon shiritin e papagallit dhe kafka e dehur e përshëndet gjithashtu. Rubinë iu derdh nga koka. Gjak u mbush koha, historia, jeta, rruga, e djeshmja, e sotmja, e ardhmja. Gjak! Gjak edhe nga ai ku pikojnë lotët e tij. Unë mendoj se ai mendoi se kishte vdekur. Mbajeni atë me një himn. Ftojeni panikun të shkojë në këndin e vetë. Një kurorë xhevahirësh. Mjeku ndihmës…

Shenjtore e kuqe gjaku, na mbaj fort. Mos e urreni të ardhmene fëmijëve, ose mos e romantizoni të kaluarën mes gjakut. Barku juaj, ai na bekoi. A ka mbetur ndonjë bekim për ne? Një djalë që nuk është djali yt? Një djalë që vendos kokën në një gomë të fryrë, që media e quan gomone?! Gjakderdhje në hapësirë propagandistike. Lëre të jetë të paktën një e vërtetë. Lëre në jetë! Mos ia trego rrugën e paudhë për hir të një kafshate. Mos! Mos! Mos! Nënë Shqipëri, nënë e kuqe gjaku, na mbaj afër dhe larg skuqjeve dhe përskuqjeve të reja e të vjetra.

Sarandë, më 04.12.2022

[1] Anton Nikë Berisha: “Gjon Buzuku-poeti ynë i parë” Faik Konica, Prishtinë 2016

[2] Tekstin e kësaj dhoksologjie ma dërgoi Andre Llukani të cuilin e falnderoj publikisht.

[3] Sipas shkrimit të publikuar në fb me titull ”Marko Moçka, kleriku që bekoi flamurin” të Andre Llukani të dt 29.11.2022 ku jep edhe informacionin e mëposhtëm: “Marko Moçka ka lindur në Vlorë, në vitin 1857. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në vijim u shkollua në Janinë. Studimet e larta i kreu në Sh.B.A. Në vitin 1911 atë Marko Moçka me një grup studentësh shqiptarë që studionin në atë kohë në Sh.B.A takuan presidentin Uillson, ku diskutuan për moscopëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë atë Marko Moçka krijoi lidhje me Ismail Qemalin dhe u kthye në atdhe. Më 28 nëntor 1912, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atë Marko Moçka bashkë me hoxhë Haxhi Muhametin bekuan flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, të cilin valëviti Ismail Qemali nga ballkoni i sarajeve të familjes Vlora, në orën 17:30 minura. Atë Matko Moçka është botuesi i revistës “Diaspora Shqiptare”. Ai ka shërbyer në kishën e Shën Kollit në Poro të Vlorës”. Prej Andre Llukanit janë marë edhe fotografitë që shpqërojnë shkrimin.

[4]Këngë Hymn, Lavd apo Psalm kishtar të llojit; ” Zot mbroje (bekoje) Amerikën”.

Sunday 27 November 2022

 

RROFSH SA KËNGA O ROLAND ÇENKO

Letër e hapur.

 

I dashuri miku im Roland Çenko!

Lexova shkrimin e Fitim Çaushit “Mercenarët e “isopolifonisë” në veprim” botuar te gazeta Telegraf e datës 15 Nëntor 2022 dhe të them të drejtën, dhe jo vetëm që u indinjova nga fjalori i rrugës që përdorte autori, por sepse ai i përdorte me qëllim ofendimi dhe diskretitimi ndaj figurës dhe punës suaj dhe ca më shumë  u revoltova për shtrëmbërimet që ai i bënte problemit të emërtimit të këngës sonë shumëzërrëshe (vënçe, polifonike me iso) me emrin “isopolifoni”.

Fjalori i rrugës që ai përdor tregon nivelin e tij kulturor, pavarësisht shkollës që ka kryer dhe pretendimit për të qënë “studiues i etnokulturës shqiptare”.Realisht përdorimi i këtyre fjalëve fyese (mercenar) ose me qëllime fyese (vozaxhi) tregojnë se autori nuk ka argumenta bindëse për atë që thotë ose kundërshton dhe i përdor ofendimet si predha topi me “gjuajtje të largët”. Ai nuk e ka ditur fare që ti i përket atij fisi trimash gjirokastritë që kanë luftuar për këtë vend e këtë popull dhe që në mes të luftës kanë kënduar: “i presin plumbat me dhëmbë” dhe “topi bam, ne hop në këmbë”, por dhe në e ka ditur, ai e ka përdorur me një synim tjetër më qëllimkeq.

Ai ka dashur të të thyejë moralisht, të të denigrojë qytetarisht që ti ta lije, ta braktisje misionin tënd të trasmetimit të këngës te brezat e rinj, aq e domosdoshme në këtë kohë. Në qoftë se ju artistët e vërtetë të popullit tim, që kini një përvojë disa brezash kënge në biografinë tuaj, ju fisnikët e këngës sonë isopolifonike do ta linit në “harresë” këtë këngë me mendimin a fjalët e shprehura apo jo: ”Pas meje u bëftë shkretëtirë”, koha e modernitetit që jetojmë do linte vërtet një shkretëtirë harrimi etnokulture pas jush. Unë nuk e di se kujt i shërben një synim i tillë, veçse jam i bindur se artit gojor shqiptar dhe popullit shqiptar nuk i shërben. Pas kësaj mund të them se: kujtdo që i shërben, tregon se ai ka dërguar mercenarët, të cilët e gjejnë kurdoherë si qeni të zotin.

           E vërteta është që ju Roland Çenko dhe gjithë sivëllezërit tuaj këngëtarë jini të mëdhenj, jo vetëm si artistë, por në rradhë të parë si atdhetarë. Përgjigja yte dinjitoze në gazetën Telegraf të datës 26 Nëntor 2022 është dëshmia më e qartë dhe më e dukëshme e dashurisë suaj për artin gojor shqiptar, për kombin e vendin, është një dëshmi e ndritëshme e dinjitetit tuaj qytetar kur shkruan: “Unë nuk jam shkencëtar. Unë jam thjesht një bartës i isopolifonisë. Jam përcjellës i këngës tek fëmijët, që ajo të mos vdesë. Mua lermëni të këndoj. Lermë t’ia marr vënçe gjirokastritçe: “’O shokë vdeksha nga kënga!”. Mos u tund nga “istikam”-kënga o Roland Çenko sepse “S’tundet mali nga gjëmimi” shkruante dhe këndonte Lefter Çipa, por unë në vijim të tij them se: “Nuk gremiset mali pse e qëllon me gurë një mjeran i mbetur rrugëve”.

           Është për të ardhur keq që paraqiten akoma si argumenta anti iso-polifoni fraza dhe citate të personaliteteve të etnokulturës dhe artit tonë. Autori i shkrimit citon babain e etnomuzikologjisë shqiptare Ramadan Sokoli kur thotë se:Polifonia popullore shqiptare,.. nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike”, fjalë që është plotësisht e drejtë dhe që unë e rithem përsëri: Kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi, nga ligjërimi mortor dhe jo nga ndonjë shkollë, popull apo institucion fetar. Kënga jonë iso-polifonike nuk ka origjinë kishtare, por ritet kishtare bizantine kanë qasje me vijën melodike të këngës sonë iso-polifonike. Meqënëse artikull shkruesi nuk e kupton shprehjen qasje, gjë që e ka dëshmuar në disa “gurë që ai ka hedhur në pus” po e sqaroj qysh në fillim: shprehja “kanë qasje” duhet kuptuar që: këto dy fenomene të ndryshme kanë afëri me njera tjetrën, i afrohen njera tjetrës. Në qoftë se do më pyesë se ku qëndron qasja, pra ku qëndron afëria, unë do ti shpjegoja se: në radhë të parë qasja qëndron te kolektiviteti, së dyti te struktura e këngës dhe së treti te vija melodike e isos. Do t’u kujtoja që studimi për “Tetë mënyrat e mbajtjes së iso-s në liturgji” ka për autor dhe ekzekutor Jani Kukuzelin, durrsakun.

           Asnjë studiues shqiptar nuk ka thënë se kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga ritet kishtare bizantine, pasi është i njohur fakti që kur u krijua kisha bizantine, kënga jonë isopolifonike ishte formuar dhe po përsosej artistikisht dhe strukturalisht më tejë.

             Mqse autori përmendi Ramadan Sokolin, le të jetë i sinqertë në citimet e tij dhe të kujtojë se ky shkencëtar i madh i etnokulturës sonë ka shkruar:  “…atje ku flitet gegënishtja kemi muzikë homofonike, kurse përposhtë këtij lumi (Shkumbini), atje ku ndihet rotacizmi i bashkëtingëllores “n” në “r” ose diftongu “ua” e të tjera veçori fonetike të toskënishtes, atje ndihet dhe isoja se bashku me veçoritë e tjera polifonike”. (Shih Sokoli Ramadan, “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965, f.127). Me mirë se kaq nuk mund ta thoshte në vitin 1965 shkencëtari ynë i madh. Unë nuk marr përsipër të interpretoj profesorin e nderuar, babain e etnomuzikologjisë shqiptare, por mendoj s’kishte se si ta thoshte më mire nga: “iso dhe veçoritë e tjera polifonike,  “polifoni me iso”. E rëndësishme është që ai ishte i ndërgjegjshëm që polifonia ekzistonte si marrëdhënie mes zërave “polifonikë” dhe “iso-s” si kor, pra “iso” në një anë dhe “polifonia” nga ana tjetër dhe bashkimi i tyre jep atë që e quajmë “polifonia me iso”, polifonia shqiptare ose “iso-polifonia”.

             Sigurisht që shumë kush pas leximit të mësipërm do pyesë se ç’është  muzikalisht “iso-polifonia”? Termi iso-polifoni është bashkimi i termit “iso” dhe “polifoni”. Termi “Iso” vjen nga bashkimi i fjalës “I”-një (nji) dhe soj,(soi, lloji etj.). Polifoni vjen nga greqishtja (poli-shumë, foni-zëra).

             Termi “polifoni” muzikalisht ka kuptimin e bashkimit të shumë zërave solo, që në rastin tonë janë “marrësi”, “hedhësi” dhe “pritësi”. “Iso” nuk është zë solo, ndaj nuk bën pjesë në polifoni. Ajo është një zë kolektiv që nënkupton miratimin popullor të zërave solo (polifonisë). Mirëpo autorit të shkrimit kundër teje nuk i interesojnë argumentat pro-shqiptare, të termit iso-polifoni. Ai i quan “grekë” ata që përdorin termin shqiptar “iso” dhe përkundrazi, i quan shqiptarë të kulluar ata që përdorin termin grek “polifoni”. Të kuptojmë një gjë, termi greqisht “polifoni” është një term shkencor me origjinë greke që ka fituar të drejtën e qytetarisë ndërkombëtare dhe përdoret në gjithë popujt e botës, duke treguar një stil, mënyrë, lloj kënge të artit gojor të popujve përkatës. Kështu shpjegohet që kemi polifoni greke, rumune, ruse, franceze, italiane  etj, por këto emërime, stile apo mënyra të të kënduarit s’kanë asnjë lidhje me ndonjë teori kundër ndonjë kombi. Tipike shqiptare është “iso” e cila duke u bashkuar me “polifoninë” krijon atë që quhet “iso-polifoni”. Këtu s’kemi të bëjmë me përparësi të ndonjë kombi ndaj tjetrit, por për bashkimin e dy emërtimeve për të cilësuar një tip të veçantë kënge, e cila ka në përbërjen e saj të dy elementët, “ison” dhe “polifoninë”.

              Kjo nuk u “zbulua” në 25 Nëntor 2005 në UNESCO, ajo është përdorur edhe më parë në qarqet shkencore shqiptare. Realisht termi iso-polifoni e kishte fituar të drejtën e qytetarisë në Shqipëri qysh në vitin 1999 me botimin e Folklorit Muzikor, “Polifonia shqiptare”, pjesa I, miratuar nga Akademia e Shkencave, botuar te Shtëpia botuese e librit universitar botuar te Shtëpia botuese e librit universitar Tiranë,  1999 ku në Kreun III dhe Kreu IV analizohet iso-polifonia labe, iso-polifonia toske etj. në f. 54 dhe f. 66.

            Autori, në mënyrë provokative citon një sërë autorësh të nderuar të cilët shprehen me termin “polifoni” në të shkuarën: [..] “Kosta Loli, ish drejtori i Shkollës së Muzikës në Gjirokastër, ka vlerësuar edhe babain e Roland Çenkos: ”Çdo ditë e më shumë hyja në labirinthet e në mrekullitë e të kënduarit polifonik …Xhevati me shokë këndojnë në mënyrë polifonike dhe harmonike  këngët epike e lirike…Kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor…”.(Thanas Dino, Xhevat Avdalli – Laver Bariu, f. 60)”.[..]. Sigurisht që Kosta Lolit as që i ka shkuar ndërmënd që Fitim Çaushi do ta përdorte si armë denigruese fjalën e tij për babain e Roland Çenkos duke përdorur si armë termin paqësor “polifoni”.

             Mund të citojmë shumë raste të tilla kur personalitete të artit dhe kulturës sonë e kanë quajtur këngën shumëzërrëshe “polifoni” pa asnjë paragjykim, por unë do parashtroj para jush krahasimin historik ku: Në 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali firmosi deklaratën e Pavarsisë, ku ishte shkruar :

“…të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme", duke e quajtur vendin tonë Shqipëri. Ndërkohë: në Lidhjen e Lezhës më 2 mars 1444  Gjergj Kastrioti e quante vendin tonë Arbëri. Mos vallë duhet të akuzojmë Ismail Qemalin se paska qënë “kundër” Skënderbeut, mqse e quajti vendin tonë Shqipëri? Mos vallë duhet ti quajmë antishqiptarë gjithë popujt dhe qeveritë e botës pse e quajnë vendin tonë Albania?

          Autori shkruan:[..]”Jo Mjeshtër Çenko, “isopolifonia” është pasuri e korit bizantin, jo “pasuri e rrallë jona”. Pasuri e rrallë e popullit shqiptar është polifonia shqiptare’[..].,por nuk shpjegon se: ku e gjeti që “iso-polifonia është pasuri e korit bizantin” dhe çfarë është ajo që ai e quan “polifonia shqiptare”. Autori nuk e shpjegon për arsyen e thjeshtë se “polifonia shqiptare” është “polifonia me iso”, “iso polifonia”.

          Le të lexojmë se çfarë shkruan ai më poshtë: [..] “Vasil Tole ka futur në UNESCO, për llogari të Shqipërisë, një kulturë që i përket një populli tjetër, popullit grek, sepse ka shkruar, se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”[..].

            Kjo shprehje ka dy problem në tekstin e saj:

           -së pari shprehja që: [..] “Vasil Tole ka futur në UNESCO, për llogari të Shqipërisë, një kulturë që i përket një populli tjetër, popullit grek”[..] është absolutisht e pasaktë. Në UNESCO është futur isopolifonia shqiptare dhe kjo isopolifoni nuk ka qënë asnjëherë greke. Fitim Çaushi nuk ka as tagër dhe as këllqe që tja japë iso-polifoninë ndonjë populli a ndonjë shteti tjetër. Ajo ka lindur si shqiptare dhe do mbetet shqiptare sat ë ketë diell e hënë. Loja e autorit me emërtimin e këngës sonë vençe është grackë për naivët dhe flamur për atë vetë, por jo për ne. Drejt përgjigjet Roland Çenko kur thotë se: [..]Të dy termat, “polifoni” dhe ”isopolifoni” nuk janë në shqip, nuk kanë shoqëruar këngën qysh nga koha kur ka lindur ajo”.[..], duke thënë një të vërtetë të madhe sepse realisht termi “polifoni” u fut në fjalorin shqip së pari në vitet 30-40, pasi gjer atëherë kënga jonë thirrej thjeshtë: këngë vençe, këngë me iso, këngë labçe etj. Asnjë akt administrativ, asnjë vendim nuk u hartua për të quajtur këngën tonë me termin “polifoni” në kohën kur nisi të përdorej ky term së pari. Ajo u përdor nga studiuesit dhe gazetarët e kohës dhe askush nuk ngriti akuza për “greqizimin e folklorit shqiptar”.

            -së dyti shprehja e autorit : [..] “sepse (Vaso Tole) ka shkruar, se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”[..] është absolutisht e pasaktë. Asgjëkundi nuk është shkruar se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”, por është shkruar se kënga e sirenave ka qasje me këngën e brigjeve epirote. Pasaktësia e shprehjes së cituar nga autori duket te fakti se nuk është shoqëruar me fusnoote dhe kjo është bërë me qëllim që të mos bëhet ballafaqimi. Kënga e sirenave ka qasje me këngën vençe shqiptare te kolektiviteti i tyre (sirenat ishin pesë, po pesë vet ka dhe një grup iso-polifonik) dhe te vija melodike. Ndërkohë dihet që kënga iso-polifonike e ka origjinën nga ligjërimi mortor i nënave dhe motrave shqiptare. Kaq të vështirë e ka për ta kuptuar dhe pranuar këtë gjë autori.

           I dashur Roland Çenko! Më lejo që ta mbyll këtë letër me një  paragraf të përdorur nag autori, pikërisht me fjalët e aktorit gjirokastrit Nikolla Llambro, i cili: [..] “këto ditë i shkruante në feisbuk, mikut të tij Xhelil Aliut: “Kemi të bëjmë me bastard, shpellarë antishqiptarë të tërbuar dhe kriminelë të paskrupullt të Historisë të kombit. Shajmë fqinjët për veprime antishqiptare, por armiqtë i kemi brenda nesh dhe po na drejtojnë drejt katastrofës dhe zhdukjes kombëtare…” [..]( nga shkrimi i F. Ç. “Mercenarët e “isopolifonisë” në veprim”). Ne s’na mbetet veçse të evidentojmë dhe distancojmë këta “bastardë, shpellarë antishqiptarë

          

        Ndërsa  ti miku im, rrofsh sa kënga e kësaj toke, me këngë në gojë e në zemër.

 

 

Sarandë, më  27 Nëntor 2022

Sunday 13 November 2022

 

FESTIVALI I ENGJËJVE TË ISO POLIFONISË

 

Nga Timo Mërkuri

        Në datën 09.11,2022  në Horë-Vranisht u zhvillua Festivali i Parë Folklorik i shkollave 9 vjeçare të Bashkive të Jugut. Organizatori i këtij Festivali ishte Grupi Folklorik “Bejka e Bardhë” sipas një projekti të fituar dhe mbështetja financiare u bë nga Ministria e Kulturës.

Qysh në krye ta radhës duhet të themi se ky Festivali i Parë  Folklorik i shkollave 9 vjeçare të Bashkive të Jugur ka një rëndësi dhe specifikë të veçantë në tërësinë e Festivaleve Folklorike që zhvillohen me shpeshmëri kohët e fundit në vendin tonë për vetë faktin se:

     I -Është i pari Festival Folklorik që zhvillohet me nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe bëhen të dukëshme arsyet e kësaj veprimtarie:

       -Kënga iso-polifonike në kohën tonë ka marrë një goditje të madhe nga vetë moderniteti i jetës në kohën tonë. Moderniteti i jetës goditi së pari mënyrënn e jetesës në fshat, duke ndikuar edhe te teksti dhe vija melodike e këngës.       

       -Emigracioni i popullsisë fshatare drejt qytetit apo jashtë vendit i hoqën këngës isopolifonike “djepin” e saj ku u përkund së pari.

         -Jeta në qytet dhe ca më tepër në emigracion e largon këngën iso-polifonike nga baza e saj e origjinës dhe për pasojë kënga pëson ndikime të natyrës së modernitetit (në rastet e emigrimit nëpër qytete) dhe të natyrës së kulturës së huaj (në rastet e emigracionit jashtë vendit).

        -Distanca e vendndodhjes së re të këngëtarëve me përvojë, të cilët zakonisht qëndruan në fshat me këngëtarët e rinj,të cilët kryesisht kanë emigruar me familje në qytete ose jashtë vendit krijon një shkëputje në procesin e trasmetimit të këngës nga një brez te tjetri.

        -Në familjet që kanë emigruar, për fëmijët dhe të rinjtë kënga “mësohet në familjet” emigrante, por stili i të kënduarit dhe vija e saj melodike “infektohet” nga ndikimet e vendndohjes.

 

        II- Përgjithësisht brezi i ri në vendin tonë, “nuk dëshiron” të këndojë këngë iso-polifonike, pasi ambienti i ri ku ata banojnë dhe koha që po jetojnë ecën drejt një mësimi dhe zhvillimi të një kulture moderne, larg kulturës tradicionale dhe artit gojor. E parë në  aspektin aktual, është befasuese pjesmarja kaq e madhe e nxënësve të shkollave 9 vjeçare në këtë Festival, gjithsej mbi 100 nxënës dhe konkretisht: Grupi i Bashkisë Dekvinë me 18 nxënës, Grupi i Bashkisë Finiq me 21 nxënës, Grupi i Bashkisë Gjirokastër me 8 nxënës, Grupi i Bashkusë Selenicë me 13 nxënës, Grupi i shkollës Kuç me 16 nxënës, Grupi i shkollës “ Hysen Çino” Horë Vranisht 16 nxënës dhe Grupi i shkollës” Pano Meniko” Himarë me 7 nxënës etj. Këta fëmijë të bukur si drita dhe të njomë si vesa janë engjëjt e iso-polifonisë që janë mbledhur ta shpëtojnë atë nga “braktisja” dhe harresa”. Dhe ato kostume popullore që kishin veshur, tamam si engjëj i tregonin.

      -Këta nxënës, me praninë e tyre në  Festival  treguan së pari dashurinë për këngën iso-polifonike dhe vallen tradicionale shqiptare duke sfiduar “braktisjen” që imponon koha. Me praninë, këngën e dhe vallen e tyre “firmosës”  garancinë  se kënga iso-polifonike nuk do të “humbasë” nëpër labirinthet  e modernitetit të kohës së sotme dhe të nesërme. Ata na siguraun se ajo (kënga iso-polifonike) dhe vallja popullore do bëhen pjesë e jetës sonë dhe do të trasmentohen po prej tyre në brezin pasardhës. Të shihje si u ndrinin sytë kur këndonin, të shihje si e hidhnin hapin në valle, thua se do mirnin fluturim si engjëjt e rinj që nisen të shpëtojnë dikë nga reziku i momentit. Lum kush i pa dhe i lumtë kush i uroi këto shqiponja që do riten në këngë.

 

        III-Repertori i pasur i aktivitetit ishte një befasi më vete: U interpretuan rreth 30 këngë e valle nga nxënësit e këtyre shkollave si dhe dy këngë të kënduara nga grupi karakteristik i Vranishtit bashkë me dy recitime përshëndetëse, duke ju sqaruar paraprakisht se repertori kishte këngë isopolifonike, valle isopolifonike, valle të shoqëruara me instrumenta muzikorë, rite pagane dhe ninulla, por më befasues ishte vetë niveli i interpretimit të tyre nga nxënësit. Ja si e paraqet Mjeshtri i Madh Kristo Çipa nivelin e interpretimit : “Vallja karakteristike labe e kënduar dhe interpretuar nga Valltarët e  shkollës së Seleniclës ishte për tu admiruar. Grupi i valleve të shkollës së Finiqit i dha hijeshi festivalit. Ninulla e interpretuar nga nxënësja e Delvinës ishte mbresëlënëse. Riti i zjarrit i shkollës së Himarës po ashtu. Harmonia e këngës gjirokastrite erdhi me aromë manxurane në këtë festival. Instrumentistët e vegjël të Delvinës me violinë dhe klarinetë rikthyen të freskët traditën e sazeve”.

        Ajo që vlen të përmëndim në këtë Festival është fakti se të gjitha këngët e kënduara dhe valet e interpretuara ishin këngë e valle burimore, të fshatit dhe krahinës së tyre dhe jo këngë të “importuara” nga ndonjë fshat apo krahinë tjetër dhe ca më pak të ishin këngë të përpunuara. Ata krenoheshin me këngët e tyre të origjinës, i këndonin ato me passion duke ruajtur vijën melodike dhe tonalitetin tipik. Atë që manifestuan këta fëmijë engjëj është mirë ta dëgjojnë disa “grupe” të ngritura nëpër qytete, që ende nuk kanë mësuar të mbrojnë dhe interpretojnë këngën e tyre.

 

         IV-Vërtet që duhen përshëndetur Mjeshtrat që punuan me nxënësit: Roland Çenko, Ajet Duka, Meçan Myrto, Katina Bodini, Albana Gjika, Murzika Balili dhe Kristo Çipa, jo aq për faktin se u mësuan një këngë apo interpretim nxënësve, por së pari se u futën në shpirt  dhe e bënë aspiratë të jetës së tyre dashurinë për artin tonë gojor. U mësuan nxënësve vallen e Vranishtit, që e kanë të vështirë ta mësojnë dhe artistë me përvojë, u mësuan ninullën, duke u treguar se me tingujt e artit tonë gojor janë ritur breza të tërë, u mësuan ritin e zjarrit, duke duke u treguar se nga ka kaluar kënga jonë isopolifonike nëpër hershmëri. Vërtet që duhet përshëndetur organizatori i këtij Festivali, Kristo Çipa për vetë faktin se ky Festival ishte si një seminar mësimor i artit gojor shqiptar, iso-polifonisë, valles dhe gjinitë që u interpretuan. Duhen përshëndetur më së pari se na provuan që nxënësit e shkollave 9 vjeçare janë vërtet engjëjt e iso-polifonisë, ata mund ta mësojnë, interpretojnë dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ata mund ta trasmentojnë këtë art gojor në nivelin sipëror tëtij.

 

            V- Si në çdo Festival edhe në këtë u dhanë çmime të ndryshme fituesve, por juria, në vend që të jipte çmime tradicionale  si Çmimi i parë, i dytë, etj. ajo zgjodhi të jipte çmime me emrat e korifejve të artit gojor dhe konkretisht: Çmimi “Lefter Çipa” ju dha  shkollës Delvinë, Çmimi “Neço Muko” ju dha shkollës Himarë, Çmimi “Avni Varfi” ju dha  shkollës Vranisht, Çmimi “Muhamet Tartari” ju dha shkollës Kuç, Çmimi “Nertesi Asllani” ju dha  shkollës Selenicë dhe Çmimi “Dhimitër Varfi” ju dha  shkollës Finiq.  Vendosja e këtyre çmimeve ka një efekt të pranishëm emocional, nxënësit i kanë njohur, kanë lexuar dhe dëgjuar për kontributet e këtyre artistëve ose për disa prej tyre, emrat e të cilëve kanë çmimet. Kjo i nxit ata të mësojnë më shumë për këta korifej të artit gojor, të lexojnë krijimtarinë e tyre dhe shkrimet që u kushtohen atyre, të synojnë aritjet artistike që i bënë ata të mëdhenj. Këto çmime mënjanojnë vendosjen në “radhë” të të talentuarve dhe i bën ata pjesë të botës artistike të korifejve.

            Edhe çmimet që u dhanë për individë mbanin emrat e artistëve të njohur të artit iso-polifonik shqiptar si: çmimi “Golik Jaupi”, “Qirjako Bala”, “Leni Mërkuri”, “Vendim Kapaj”, “Arap Çeloleskaj”, “Hyso Xhaferaj”, “Nebi Xhaka”, “Feti Brahimi”, ”Maliq Lila” u krijonte nxënësve një ndjenjë emocionante, aq më tepër që u jipej individualisht sipas rolit interpretues që kishin patur artistët, emrat e të cilëve kishin çmimet. Kështu psh Klajdi Hysenaj heqësi i valles së kënduar labe me djem morri çmimin “Arap. Çeloleskaj”, heqësi i famshëm  valles së Vranishtit. Sigurisht që nxënësit dëshirojnë ta lexojnë emrin edhe në këtë shkrim, ashtu siç e dëgjuan kur u vlerësuar dhe tërhoqën publikisht çmimin, por unë mund të përmënd disa prej tyre si: Ranja Kongjini interpretuese e ritit të zjarrit Himarë, që morri çmimin  “Hyso Xhaferri”, Shejla Rrapaj si marrëse e këngës së vajzave, Nikoleta Gudi heqësja e valles së Finiqit, Instrumentistat e Delvinës Gentjan Majko dhe Arnando Majko, Lejla Laze që interpretoi ninullën delvinjote, marrësit e  këngës kuçiote Leonard Alikaj dhe Eridjan Luçaj e shumë të tjerë.

              A e shihni se sa shumë engjëj të rinj ka kënga iso-polifonike? Duajini, si ata duan këngën dhe vallen.

 

Sarandë, më 12.11.2022

Saturday 5 November 2022

 

Nga Timo Mërkuri

 

 NJË POEZI SHPIRTI NË TRE VARIANTE

Nga një poet për një poet mik.

 

 

           I- Një fotografi çasti e një filxhani kafe me sfond një anije turistike në gjirin e Sarandës dërguar me viber Sabit Rrustemit në Gjilan në mëngjesin e datës 25 Tetor 2022 e nxiti këtë të fundit të postonte poezinë e Musa Ramadanit[1] “Homazh për mikun tim” me poshtë shënimin “Beqir Musliut[2]” dhe të ma niste dhe  mua në mesenxher. E veçanta e dukshme e kësaj poezie qëndron te fakti se është shkruar në tre variante si dhe në tre data të ndryshme: 24.06.2005 varianti i parë, në 25.06.2005 varianti i dytë dhe në 3.07.2005 varianti i tretë. Poezia, ose më mirë: tre variantet e një poezie më pëlqyen shumë dhe meqenëse  i njihja nga krijimet të dy poetët, madje për Beqir Musliun kam shkruar, sipas natyrës sime, i kërkova Sabit Rrustemit të më thoshte diçka për miqësinë e dy shkrimtarëve të shquar nga Kosova, të cilët vendlindje të tyre kanë Gjilanin.  Më duhej  që të kuptoja diçka më shumë rreth miqësisë së tyre sepse kjo poezi në tri variante nuk ishte shkruar rastësisht.  

           II- Sabit Rrustemi papritmas më “përcolli” te Ibrahim Kadriu[3], sepse sipas tij edhevetë Ibrahimi bënte pjesë në atë grupim miqsh, por përkundër shpresave të mia të shtuara, ky më përgjigjet me një tekst të shkurtër: “Ka ekzistuar ajo miqësi, po, është e vërtetë. Të të them se, aso kohe, domethënë pas pjesës së dytë të viteve gjashtëdhjetë e sidomos viteve të shtatëdhjeta, e kishim shoqërinë e përhershme Beqir Musliu, Musa Ramadani, Teki Dervishi dhe unë. Na lidhte mosha dhe përkushtimi. Ishte një kohë e artë…”, tekst për të cilin Sabit Rrustemi u shpreh (sigurisht duke qeshur me vete):  Ibra paska kaluar në 360 klm në orë, në një miqësi që ka zgjatur për afro  4 dekada...”.

           Ndonëse përgjigja e Ibrahim Kadriut më zgjeroi hapësirën e miqësisë, nga dy në katër poetë dhe konkretizoi periudhën e kësaj miqësie: në vitet e nxehta pas gjashtëdhjetë e pesë  e sidomos vioteve shtatëdhjetë,  e ndjeva se ishte një informacion që “nuk thoshte shumë” dhe nisa të mërmërit me vete. Tre variantet e poezisë që i lexova, nga tre herë secilën, thoshnin shumë më shumë se këta dy poetë, ndaj nisa lundrimin në internet, por meqenëse nuk dola dot në ndonjë breg të “hajrit”, duke “shkelur” etikën, i shkrova sërish  Sabit Rrustemit që të mësoja më shumë rreth tyre. Se, ishte poezia ajo që më intrigonte.

          Musa Ramadani e Beqir Musliu kanë qenë të dy nga i njëjti  qytet,  Gjilani. Nisur nga datëlindjet,  Musa Ramadani ishte më i madh, por në krijimtarinë letrare së pari ka hyrë Beqir Musliu, madje qysh nga shkolla e mesme. Është pikërisht koha që afrohet me veprimtarinë atdhetare të Rexhep Elmazin[4], po nga i njëjti qytet,  i cili bashkë me Teki Dervishin[5]  arrestohen si  pjestarë të grupit të Adem Demaqit dhe më pas dënohen me burg të rëndë në vitin 1964, si Rexhepi ashtu dhe Tekiu.  Dënimin e vuajnë në Goli Otok, burgu më famëkeq në ish Jugosllavi. Sigurisht që në objektiv të policisë ishte edhe Beqir Musliu, por si nxënës i shkollës së mesme, paksa e shpëtoi edhe  rastësia. Nuk u dënua për fat, por u lirua. Musa Ramadani në këtë periudhë ka qenë më i distancuar nga ky grupim shkaku I rrethanave familjare Pas vitit 1968 dhe rivendosjes së tyre në qytetin e lindjes, miqësia e këtyre ( Rexhepit, Beqirit e Musës ) forcohet tej mase.

          Beqir Musliu, nga viti 1965 - 1968 kishte të botuara tri libra, madje edhe një poemë për  Skënderbeun. Pas  daljes nga burgu të Rexhep Elmazit, Treshja e famshme gjilanase kthehet në skenë, kësaj here përmes letërsisë. Për nga stili dhe figuracioni që përdornin,  krijimtaria e tyre rëndom cilësohet si “hermetike”, simbolikë etj., por ajo në vetvete është një krijimtari letrare moderne, madje  me një vokacion krejt ndryshe nga Podrimja, Azem Shkreli e Rrahman Dedaj.  Qasje moderne në  letërsi atë kohë, me krijimet e tyre letrare shpërfaqin dukshëm edhe dy gjilanasit tjerë, Ibrahim Kadriu e Mirko Gashi.    

Ndonëse patën probleme me pushtetin, marrëdhëniet mes këtyre pesë krijuasve gjilanas të asaj kohe ishin marrëdhënie tejet vëllazërore. Me të drejtë mund t’i quajmë “Pesëshja e Artë e Gjilanit” në letërsinë shqipe. Këtë miqësi e forcoi, pastroi dhe kaliti në rradhë të parë arti dhe letërsia, të cilës ju përkushtuan që në nga mosha rinore, kur ëndërrat krijojnë profilin jetësor të poetëve.

           Koha e kërkoi dhe këta krijues u bën edhe më tok në Prishtinë, ku kishin mundësi më të mëdha në përsosjen e artit letrar. Përmes studimeve si dhe angazhimeve në të vetmen gazetë të përditshme  në gjuhën shqipe atë kohë ( Rilindja),  brenda pak vitesh, gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjeta, u gjendën njëri pas tjetrit, në Prishtinë.

Në Gjilan mbeti vetëm  Rexhep Elmazi, i cili përgatitej dhe priste momentin që të zhvendoset dhe ai në Prishtinë. Një atentat “misterioz”, që për këdo ishte e qartë se qe kurdisur nga UDB-ja, më 16 maj 1978  e plagos rëndë dhe pas nëntë ditësh luftë mes jetës e vdekjes, vdes më 25 maj 1978 në spitalin e Prishtinës. Dyshohet me të drejtë edhe sot  se në vdekjen e tij “ndihmuan” edhe mjekët e spitalit të Prishtinës që ishin nën kontrollin e UDB-së.   

          Nga vitet shtatëdhjet e më pas, Beqi Musliu, Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu vazhdimisht do të jenë bashkë, dhe këtu ka rolin e saj edhe “RILINDJA”, ku  punonin.   Musa Ramadani dhe Beqir Musliu, në Prishtinë ranë në sy shpejt me shetitjet e tyre të përbashkëta nëpër korzon e famshme të Prishtinës dhe sidomos me daljet e përbashkëta në kafe “ELIDA”, afër Pallatit të Shtypit, aty ku sot është NEWBORN. Ishte si një rutinë e përditëshme  që reth orës 10 e 30 t’a pinin bashkë kafenë e mëngjesit, aty, afër qendrës, po edhe Pallatit të Shtypit. Një tavolinë më tej vendoseshin rëndom, Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti e Zejnullah Rrahmani. Kishin raporte të mira mes vete, po tavolinat nuk i bënin bashkë.

Elita letrare dhe intelektuale e asaj kohe ishte mësuar tashmë t’i shihte te ELIDA  dhe, mund të habitej vetëm po t’i shihte ndaras, gjë që nuk ndodhte.   

Në qoftë se dikush do pyeste se: cila ishte tema e bisedave të tyre të përditshme që nuk iu krijonte monotoni, përgjigja është e kuptueshme: Letërsia.

           Në krijimtarinë letrare Beqir Musliu do ecte më shpejt, falë talentit të tij, por edhe Musa Ramadani ishte krijues produktiv, sidomos me angazhimin e tij postmodernist në letërsi. Librin e parë NEUROSIS e botoi privatisht dhe ishte një poezi ndryshe nga ajo që shkruhej në atë kohë në Kosovë. Mund të thuhet se ai ishte “babai” i postmodernizmit në Kosovë. Pastaj vijnë veprat e tjera, si nga njëri ashtu edhe nga tjetri,deri në… shuarjen e tyre.

         Kësaj Tresheje (Beqir Musliu, Musa Ramadani dhe Ibrahim Kadriu) në Prishtinë, pas daljes nga burgu i bashkangjitet Teki Dervishi, i cili  gjeti “strehë” në gazetën "Flaka e vëllazërimit" në Shkup si dhe Jusuf Gërvalla. Shtëpia që i mbante nën një kulm, s’do mend ishte RILINDJA.

Tekiun, fjala vjen, distanca nuk e pengonte të mbante miqësinë. Ata i kishin të tyret  fundjavat, teatrot dhe artin letrar që i  bashkonte kurdoherë e kudo, në Gjilan, në Prishtinë, në Gjakovë apo dhe në Shkup. Që të tre do të bëheshin  propoganduesit, afirmuesit e vlerësuesit më të denjë të jetës letrare dhe teatrore në këtë pjesë shqiptare që ndodhej në ish Jugosllavi. E, mbështetës të forte në “Rilindje” e kishin Ibrahimin, i cili redaktonte faqet e kulturës, po edhe Mirko Gashin, i cili përveç si poet, njihej si njëri nga përkthyesit më të mirë nga shqipja në serbokroatisht dhe anasjelltas.   

          Ishte vdekja ajo që e ndërpreu këtë miqësi.

            Fillimisht ajo mori Beqir Musliun, i cili, si askush tjetër ishte i lidhur me Gjilanin. Madje edhe pushimet verore ishte i vetmi që i bënte në Gjilan. Musa Ramadani psh. pushimet i kalonte në Ulqin, e Teki Dervishi shkonte në Gjakovë. Beqir Musliu u shua më 24 qershor 1996 (në Prishtinë) ku ndikoi dhe një operim jo i sukseshëm që ai bëri në një nga spitalet e Moskës. Vlen të themi se atje, në spitalin e Moskës ai kishte shkruar edhe “Ditarin e Moskës”, veçse këtë ditar e kishte “shkruar” (më mirë do thoshnim: e kishte koduar) përmes figurash. Pas vdekjes së tij, askush deri më sot nuk ka arritur ta deshifrojë. Si duket, qëllimisht e kishte koduar përmes figurash, për ta shprishur kur të kthehet në shtëpi, por nuk arriti.

 

          III-Nga qershori i vitit 1996 e deri në vdekje ( 10 mars 2020 ), Musa Ramadani, te ëmbëltorja ELIDA do të dilte dhe do të rrinte fikall i vetëm. Rrallë do t’i jepte leje dikuj tjetër të ulej aty, ku dikur rrinte Beqir Musliu.

Kjo është edhe  arsyeja që Musa Ramadanit do t’i vetëtojë në mendje, mbase dhe përditë, kafja e pa pirë e Beqir Musliut.  Sepse, ishte malli për mikun, dashuria, dhimbja e mërzia e pa fund që e ngacmonte.

Në Prishtinë, aty te kafe “Elida“ atë ditë të 24 qershorit 2005, ditën e nëntë vjetorit të shuarjes së mikut të tij,  i trishtuar shkroi këtë poezi. Poezia ishte e bukur, por  atij nuk i pëlqeu ai variant, ndaj shkoi përsëri të nesërmen te kafja “të takonte mikun e tij” . Beqir Musliu përsëri nuk erdhi, por në vend të tij ja behën kujtimet dhe ajo flutura e një dite më parë, ndaj  ai e rishkroi përsëri poezinë, porn ë . Ishte data 25.06.2005. Dihet që poetët janë të vetmit që nuk kënaqen me poezitë e tyre dhe nuk reshtin së korigjuari ato, madje edhe pas publikimit, kështu që Musa Ramadani shkoi përsëri disa ditë resht te  kafe “Elida” me bindjen se: sigurisht do të vinte Beqir Musliu, si para nëntë vjetësh apo para një shekulli.  Ndoshta ju kujtua shkarazi që ai ishte shuar, por “shuarja” nuk ka qenë asnjëherë pengesë për poetët.   Përsëri  Beqir Musliu “nuk erdhi”, por Musa Ramadani i rrethuar nga kujtimet që zhurmonin rreth tij bashkë me atë fluturën  përherë e pranishme, aty te NEWBORN e rishkroi përsëri poezinë, atë që ai e quan variantin e tretë, të datës 03.07.2005. Shkoi në shtëpi i trishtuar dhe i rilexoi me vëmëndje të tre variantet, ku pa i habitur se nuk kishte shkruar një poezi të arrirë, por kishte hedhur në qiellin poetik një kostelacion prej tre yjesh, të cilat qëndronin pranë  njeri tjetrit, si të lidhura me një fushë magnetike me emrin e Beqir Musliut. Dhe jo vetëm me emrin e tij.  Këto tre poezi-yje të lidhura në një kostelacion miqësie  nuk i ngacmoi më për t’i ndrequr, e kush i “ndreq” për t’i bërë më të mirë e më të bukur  yjet?

      Kështu i la për ne, me atë dritëz pakëz të verdhëlluar nga trishtimi.

       Me qënë se Teki Dervishi iku në qershor të vitit 2011 e Musa Ramadani u shua në 10 mars 2020, ndërkohë që Mirko Gashi kishte shkuar më 6 qershor 1995, i vetmi prej këtyre “gjilanasve të Artë” që ka mbetur është Ibrahimi Kadriu, i cili për miqtë e tij flet pak, sepse i dhemb shumë çdo kujtim i tyre.

 

            IV-Le të shohim tri variantet e poezisë “Homazhe për mikun”, ose më saktë, si i shoh unë këto tre variante.

Musa Ramadani 

HOMAZHE PËR MIKUN TIM

Beqir Musliu 

(Varianti i parë)

 

Kaherë s`kemi pirë kafe espresso!

Ishte e premte, ora 10,30, te „Elida“

Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë e 5

Porosita dy espresso të gjata, or mik

Te tavolina e parë, aty, pranë dritares

Në takëmin e filxhanit-te luga e sheqeri

Ta vura një lulebliri e një cigare…

Seanca spirituale filloi në kujtime

Shpejt paskan preftuar nëntë vite!

S`kemi pirë espresso bashkë kaherë

Prita një orë e gjysmë-dialog me vetmi

Asnjë mik a mikeshë jona nuk erdhi

Një shpirt vërtitej në trajtë fluture

Pranë tavolinës, sipër karriges tënde

 

Atëherë nisa ta pija espresson time.


24.06.2005

Te “Elida“ PR.

         E parë si një poezi më vete, ndjejmë qysh në vargun e parë një dhimbje të autorit për vetminë e tij, por ja që në vargunPorosita dy espresso të gjata, or mik” për një moment ai harron që është vetëm. Ai është i vetëm fizikisht sepse shpirtërisht është bashkë me mikun e tij, ndaj jo vetëm që porositi dy ekspreso të gjata, por: Në takëmin e filxhanit-te luga e sheqerit/Ta vura një lulebliri e një cigare”, veprime këto që kryhen instiktivisht në pritje të ardhjes së afërt të mikut, thua se është duke larë duart para se të ulet në tavolinë. Shikon orën 10.30, tavolinën, dritaren, të njejta si para nëntë vjetësh. Vendosja e një cigareje është ritual që bëhet për një mik a shok, por vendosja e një lule bliri tregon se personi që pritet të vijë është një mik i ngushtë. Veçse poeti vjen në kujtesë:Shpejt paskan preftuar nëntë vite” (24 qershor 2005-24 qershor 1996) dhe ishte pikërisht dita që miku i tij kishte “ikur”. Ishte përvjetori i nëntë i ikjes së tij. Ai ndoshta instiktivisht ka shkuar te ajo kafe pikërisht atë ditë, por dhe ky instikt ishte nxitur nga një kujtesë e brendshme.  Shumë personave u ka ndodhur që në përvjetorin e ndonjë miku të kryejnë instiktivisht veprimet që kryenin së bashku në të gjallë, madje në të njëjtin vend apo objekt. E parë në këtë këndvështrim këto veprime duken si një ritual nderimi për atë që mungon. Veçse në këtë rast, kjo “mungesë“ mungonte, pasi:Një shpirt vërtitej në trajtë future/Pranë tavolinës, sipër karriges tënde”. Beqir Musliu fizikisht nuk erdhi, por shpirti i tij mbërriti në formën e një future dhe Musa Ramadani s’kishte pse të priste më, ndaj :Atëherë nisa ta pija espresson time”. Poeti u qetësua, piu kafen dhe nxitoi për në shtëpinë e tij ku shkroi poezinë e …takimit me poetin.

HOMAZHE PËR MIKUN B.M

(Varianti i dytë)

 Nga sh.20  s`kemi pirë espresso

Veçsa erdhi kafeja për ty

Syprina e filxhanit u davarit

Aty u sajua një shkronjë : B.

Pranë lugës e sheqerit,aty

Anës tavllës së filxhanit

Ta vura një cigare e lulebliri

Duhanin e pije sall për hatër timin

E aromën e blirit e adhuroje.

Espresso-n e fundit e pimë, vallë

Këtu e nëntë vite më parë tok?!?

Për sa kohë ke humbur nga unë

Aq jam mplakur unë prej teje!

Zura ta gjerbja espresson time

Ajo jotja shformësohej papra

Kamarieret më pyesnin për shokun

Që më mungonte, vonohej, harronte

Pas afro dy orësh, në vend teje

Arriti një flutur si shpirti yt

Seanca spirituale nisi pa fjalë

Në praninë e frymës tënde aty

 

Ende s`kemi pirë kafe në sh.21!

 25.06.2005

Te “ Edi_2“ PR

 

          Tashmë mungesa nuk është nëntë vjet, por  realisht është nëntë vjet e një ditë, kohë që për poetin bën plot një shekull. Në këtë cilësim poetin e ndihmon fakti që ikja e Beqir Musliut ka ndodhur në vitet e shekullit njëzetë (24.06.1996), ndërkohë që poezia është shkruar në shekullin njëzetë e një (25.06.2005). Një shënjë i thotë se diçka po ndodh: “Syprina e filxhanit u davarit/Aty u sajua një shkronjë : B”. Është nënvetëdija e tij ajo që i shfaq iluzionin e shkrimit të gërmës “B” që tregon praninë e Beqir Musliut.

Nuk dihet në se Musa Ramadani  thërret në ndihmë kujtesën, apo i erdhi vetë : “Duhanin e pije sall për hatër timin/E aromën e blirit e adhuroje”, duke na dhënë pa dashje imtësitë e një miqësie ku Beqiri e pinte duhanin për t’i bërë shoqëri Musait, ndërkohë që këtij të fundit i kujtohej se sa shumë e adhuronte aromën e blirit tjetri. Kjo miqësi e “ikur” nëpër kohë ka lënë jo gjurmë, por pasoja te poeti Musa Ramadani, që ai i shpreh duke kaluar dorën te balli i tij plot rrudha:  “Për sa kohë ke humbur nga unë/Aq jam mplakur unë prej teje” dhe mua mu kujtua Schopenhaueri kur shkruante: “Është humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave”, në këtë rast vlerën e miqve.

         Në qoftë se variant i parë ka 15 vargje, variant i dytë ka 21 vargje, por tej numrit të vargjeve, e dukshme është se poezia e dytë,  vargu i dytë thotë:Veçsa erdhi kafeja për ty”, sikur do t’i thotë:”shpejto të vish se po të ftohet kafja”.e cila ”(Ajo e jotja) shformësohej pa pra”. Mosardhjen e mikut të tavolinës Musa Ramadani sigurisht që nuk e ka vënë re,pasi me atë po bashkëbisedonte, por mungesa është vënë re nga kamarierët , të cilët: “Kamarieret më pyesnin për shokun/Që më mungonte, vonohej, harronte”. Te ky variant pritja ka qënë më e gjatë; “Pas afro dy orësh, në vend teje” se në variantin e parë ku: “Prita një orë e gjysmë-dialog me vetmi”, veçse në të dy rastet ka: “Një shpirt vërtitej në trajtë future” në variantin e parë dhe “Arriti një flutur si shpirti yt” varianti i dytë. Duke parë variantin e tretë:

 

Homazhe për mikun B.

PAS NËNTË VITESH,MIK

(Varianti i tretë)

 

Krahu i djathtë i fluturës

Preku ajkën e espresso-s

Lehtas,leee-ht, lehtësisht

Ne filxhan vizatoi gërmën B.

(Kafe e porositur veç për ty)

Nisa ta gjerbja espresson time

Duke soditur filxhanin tënd

Kamarieri tri herë më pyeti:

A do të vijë miku yt sot?

Unë po pres-gjegja-nuk di!

Ishte 24 qershori i vitit 2005

Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite

Pa pirë bashkë kafe espresso!

P.s.

Ishte shpirti yt ai

Që si flutur zbriti!

 

3.07.2005

Te “Edi-2” PR

E diel, me shi

 

…shohim se kemi  jo vetëm një rikthim te poezia me pesëmbëdhjetë vargje, si në variantin e parë, por edhe në spostim të vargjeve të mëparëshme.  Këtë herë  poezia nis me krahun e djathtë të fluturës, që pasi prek ajkën e kafes espressit, sigurisht lehtas, si një shpirt, në filxhan vizatoi germën B sikur donte të prezantohej apo të njoftohej që kishte ardhur nga tejbota veç për ‘të:Krahu i djathtë i fluturës/ Preku ajkën e espresso-s/Lehtas,leee-ht, lehtësisht/Ne filxhan vizatoi gërmën B”. Sigurisht që këtu pyetjet e kamarierit nuk kanë atë tension si te varianti i parë dhe përgjigja duket pakëz “indiferente” për arsye se poeti Musa Ramadani e ndjeu më shumë se sa e kuptoi që:Ishte shpirti yt ai/Që si flutur zbriti”! Interesant është fakti që Musa Ramadani e shpreh periudhën e mospirjes së kafes: te varianti i parë-në nëntë vite, të variant i dytë- një shekull dhe te variant i tretë rikthehet përsëri në nëntë vite. Pra e parë gjeometrikisht kemi pozicionin e një rombi me qëndrim vertikal, ku dy skajet e tij këndngushtë të sipërme janë të njejta: nëntë vite dhe skajet e mesit janë në një shtrirje një shekull. Kjo mund të duket si rastësi, por duke kujtuar që edhe vargjet sipas varianteve janë 15-21-15, pra në formën e një rombi vertikal, mendoj se poeti qëllimisht e ka krijuar këtë figurë gjeometrike në këtë krijim të tij.

           Le ta vazhdojmë këtë vëzhgim: Vargu i parë te varianti i parë është:”Kaherë s`kemi pirë kafe espresso”, ndërkohë që vargu i fundit te variant i tretë është:Pa pirë bashkë kafe espresso”, pra vargje me të njëjtën domethënie.

         Te varianti i parë vargjet vijuese janë:Ishte e premte, ora 10,30, te „Elida“/Sapo çeli bliri, 24 qershor, 2 mijë e 5”, ndërkohë që të variant i tretë vargjet mbyllëse janë: “Ishte 24 qershori i vitit 2005/Çudi, kaq shpejt kaluan 9 vite”. Cilësojmë këto dy vargje se vargjet: “Ishte shpirti yt ai/Që si flutur zbriti” kanë funksionin e një ylli në bredhin e vitit të ri, janë vargje triumfi si brohoritja e fëmijëve në orën 12.00 të datës 31 dhjetor kur shpallin ardhjen e vitit të ri. Pra strukturalisht këto dy variantet ( i pari dhe i treti) janë si reflektim i njeri tjetrit në syprinën e variantit të dytë, i cili është më i gjerë. Sigurisht ne nuk duhet të kërkojmë një “reflektim pasqyre” të detajeve, këtu flitet për poezi dhe detajet sigurisht që janë poetike.

            Këto tre variante mendoj se nuk duhen parë të shkëputura nga njera tjetra dhe të diskutojmë se cila është më e bukur, nadje as vetë poeti nuk ka patur si synim t’i ndante apo të përzgjidhte njerën prej tyre. Këto tre variante janë të lidhura me njera tjetrën, jo vetëm më idenë poetike, jo vetëm me strukturën vargore, por në radhë të parë  janë të lidhura shpirtërisht.  Edhe vetë cilësimi: “variant i parë, i dytë dhe i tretë” dëshmon se kemi të bëjmë me një poezi. Këto tre variante janë rënkime shpirti nga dhimbja, të cilat fillimisht vijnë me madhësi më të vogël, shoqërohen më pas me një “rënkim shpirti” (i  themi ne) të gjatë e të forte, për tu mbyllur me një rënkim gati të njëjtë me të parin.

            Mos u përpiqni t’i ndani nga njera tjetra këto variante, ato janë të pandashme, janë tre “strofa” të së njëjtës poezi dhe unë do t’ju thoshja: të një poezie shpirti.

 

Sarandë, më 1-3 nëntor 2022

 

 

 



[1] Musa Ramadani ( Gjilan, 21 maj 1944- Prishtinë 10 mars 2020) ka lindur në Gjilan, por mqse në mëngjesin e 23 dhjetorit 1944, forcat e vullnetarëve shqiptarë sulmuan dhe morrën kontrollin e qytetit  të Gjianit,( përveç ndërtesës së OZNA-s, ish UDB dhe të Këshillit Popullor të Rrethit.), forcat serbe në shënjë hakmarrjeje filluan vrasjet masive.  Në këto kushte familja e  Musa Ramdanit  braktisi qytetin dhe shkoi në Prizeren, ku Musa kreu klasën e dytë fillore. Pas vdekjes së të atit kthehet në Gjilan ku mbaron shkollën e mesme. Shkollën e Lartë Pedagogjike (Dega Gjuhë dhe letërsi Shqipe) e mbaroi në Prizren. Në vitin 1965 bëhet gazetar I “Rilindjes” për kulturën dhe artin.Është autor I mbi 20 librave poetic dhe prozë dhe ka përkthyer rreth 12 vepra. Është laureat i çmimit “Hivzi Sylejmani” për librin “Satana ma vodhi gurin e urtisë” më 1987, i çmimit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Inamor: 55” në vitin 2000, i Çmimit “Beqir Musliu” për vepër karriere më 2006 dhe i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” më 2013 dhe i çmimit “Kadare” në vitin 2017 për romanin “Profeti nga Praga”. Është autor i një sërë tekstesh për këngë të lehta e të muzikës së tendencave modern, madje ka kompozuar “Akodret e Kosovës”, që janë vlerësuar edhe me Çmimin e Parë.

[2]Beqir Musliu (Gjilan,1945; Prishtinë, 24 qershor 1996)është arsimuar në Gjilan (shkollën fillore dhe të mesme) ndërsa fakultetin filozofik drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe e kreu në Univeristetin e Prishtinës. Edhe Beqir Musliu si shumë shokë të brezit të tij frymëzoheshin nga Rexhep Elmazin, kryesisht në sferën e politikës ndaj dhe u burgos. Është koha kur Beqir Musliu filloi të merëj me poezipsër të kaluar së shpejti në gjini të tjera. Ishte mjeshtër I metaforës dhe I të shkruarit metaforik, ndaj edhe quhej shkrimtar i simboleve. Shkrimi i parë u botua nga Esat Mekuli te “Jeta e re” , revistë e cila tri vite më von do ti botonte librin e parë.

Ka punuar si gazetar e redaktor në revistën “Zëri i rinisë", e në “Fjala” të Prishtinës. Është ndër nismëtarët e botimit të revistës letrare “Plejada”( botohet vetëm në gjashtë numëra) . Pas kësaj punoi në redaksinë e revistën “Jeta e Re”.

[3] Ibrahim Kadriu lindi më 8 janar 1945 në Zheger të Gjilanit.ku kreu shkollën fillore, ndërsa të mesmen e mbaroi në Gjilan më 1964. Të lartën e mbaroi në Prishtinë. Ka punuar dy vite pedagog dhe më 1968 ka nisur punë te gazeta Rilindja, më 1999 kalon te gazeta Zëri ku vijon endhe sot. Ka një korpus letrar me mbi 80 vepra, është fitues i një sërë çmimesh letrare. Shumë vepra të tij janë përkthyer në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht.

[4] Rexhep Elmazi (Lindur në alishevë të Gjilanit  në1938– vdekur në Gjilan më 25 Maj 1978) ishte shkrimtar shqiptar. Në vitet 1960 bashkohet me një grup illegal që e drejtonte Adem Demaçi, kun ë vitin 1964 zgjidhet drjtues I Komitetit për Gjilanin. Arestohet në qershor 1964 dhe dënohet me burg, nga ku lirohet në nëntor të vitit 1968. Librin e parë me poezi “Frymëmarrje”  e botoi, më 1972dhe vepra e dytë “Fryma” ju botua më 1994. Rexhep Elmazi ka kryer Fakultetin filozofik-drejtimi i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në vitin 1975, Goditet në rrethana të dyshimta në 16 maj 1978 dhe vdes në 25 maj 1978. Një shkolle fillore mban emrin e tij "Rexhep Elmazi".

[5] Teki Dervishi ((Gjakovë, 16 janar 1943 - Prishtinë, 29 qershor 2011) ka qenë publicist, shkrimtar, ish Drejtor I gazetës  “Bota Sot”. Qysh nsë moshën 17 vjeçare është dënuar me burgim në “Goli Otok”. Gjithë jetën e tij u muar me letërsi duke shkruar reth 90 vepra letrare artistike, romane, poezi, drama etj.