Sunday 30 January 2022

 

Timo Mërkuri

 

POEZIA E JUSUF GËRVALLËS ËSHTË SI DASHURIA, NDJEHET EDHE KUR NUK KUPTOHET

 

(Me rastin e botimit të vëllimit me poezi të zgjedhura të Jusuf Gërvallës “DHEMBJE TË NDRYDHURA”. Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022.

 

 

I- Takimi im me poezinë e Jusuf Gërvallës ngjan me rënien e një gjethi peme mbi supe, me një ecje nëpër pyll vjeshtës së vonë. Veçse ajo ditë nuk ishte vjeshtë, por një ditë fundmaji e vitit 1982, në kafen e Hotel Turizmit në Kukës, kur bashkëbiseduesi im (poeti B. C.) para se të ngrihej nga tavolina për të ikur, nxori nga çanta një fletore të trashë me kapak kafe dhe pasi e hapi diku, grisi prej saj një fletë të shkruar dhe ma zgjati duke më thënë: lexoje kur të kesh kohë, është e Jusuf Gërvallës.

U pamë sy ndër sy dhe lehtë tunda kokën në shenjë miratimi. Pas pak, ula sytë mbi fletën e shkruar dhe nisa të lexoj. Ishte një poezi e stilit absurd, me një veshje metaforike, nëpërmjet vargjeve të së cilës bartej tek unë një ngrohtësi. Nuk e di pse copa e letrës më ngjau si një gjeth i përzhitur lisi të të ri, të vetmuar, goditur nga rrufeja, diku te trungu, pranë tokës.

Ndoshta ky përfytyrim m’u krijua nga forma e copës së fletës, që grisja e shpejtë i kishte dhënë një formë të parregullt, por që përafronte me formën e një gjethi lisi, ndoshta nga ngjyra e saj që luhatej mes një kafe të thellë përzier me një të verdhë të lehtë, tipike e gjetheve që i prek për një pjesë sekonde vala e një zjarri të madh, apo nga ndjesia e një dridhjeje që më shkaktoi leximi i shpejtë i poezisë. Këtë ndjesi e riprovova pas dy ditësh në Sarandë kur një tjetër poet (A. M.) më dha dy-tri poezi të tij. Për hir të së vërtetës duhet t’ju them se leximi i këtyre poezive më ngjalli një ndjenjë të trazuar, pikërisht nga forma moderne e tyre, ndaj “i arkivova” diku në kujtesë “për t’i lexuar më vonë”.

II- Në kujtesën time kjo ngjarje kishte zënë një shtresë të trashë pluhuri harrese, ndërkohë që rënia në dorë e përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Dhimbje të ndrydhura” të Jusuf Gërvallës, këto ditë në dyzet vjetorin e vrasjes së tij më tërhoqi vëmendjen. Fakti i botimit të librit si dhe fakti që këtë përmbledhje e përgatiti dhe parathënien e hartoi Prof. Anton Nikë Berisha më shtyu ta lexoj me vëmendje.

Qysh në poezitë e para ndjeva përsëri atë ngrohtësi dhe dridhje të mëparshme, por këtë herë e “pashë me sy” burimin e saj. Madje qysh në vargjet e para të poezisë së parë “Fletë testamenti” të krijohet përshtypja se je në një hije lisi pranë një burimi dhe një dridhje si nga mornicat të përshkon trupin tek lexon vargjet:

 

në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin

në flijimin tim më të begatshëm të verës

në nisjen time në fillimin tim të ri

në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë

 

le të më lënë të fle qetë si pranë stufe

dimrit të madh të dashurisë sime […]

kurrë të mos më vijnë kur unë nuk i pres

ata që tërë jetën i prita, të dashurit. f. 19-20.

     

Poezia e Jusuf Gërvallës është si dashuria, ndjehet edhe kur nuk kuptohet. Është e vështirë të kuptosh menjëherë poezinë e tij nën atë veshje dhe kuptim metaforik, me një stil poetik absurd dhe surreal. Megjithatë e ndjen menjëherë poezinë në vargjet e tij, ashtu siç ndjen aromën e mimozave në bulevard. Ndjen këtë aromë dhe kthen kokën të shohësh lulet, ndjen poezinë në vargjet e shkruara dhe nis e “kërkon” atë mes metaforave. Jo vetëm kaq, por te poezia e Jusuf Gërvallës ngrohtësinë e vargjeve e ndjen si një ngrohtësi të brendshme të vetë poezisë, dhe jo një ngrohje e jashtme. Duhet të ndjesh dhe të kuptosh vargjet e tij poetike që të ndjesh ngrohtësinë që ato përcjellin në vetëdijen tënde gjatë leximit. Duhet të ndjesh ngrohtësinë e vargjeve që të kuptosh poezinë dhe më pas të njohësh poetin sepse: “Poezitë përcaktojnë poetin, jo opinionet për të”. Të duket se nëse heq një varg nga një poezi e tij absurde dhe hyn vetë shpirtërisht në të, do ndjehesh komod mes vargjeve. Në fakt, ky është qëllimi i poetit, shprehur në këtë stil modern, ta bëjë lexuesin pjesë të poezisë së tij.

Jusuf Gërvalla është poeti i imazheve dhe përjetimeve, i mallit dhe dashurisë, i dhimbjes dhe i vdekjes, sa vetjake aq edhe universale. Vargu i tij është i çiltër dhe i sinqertë, buruar nga një shpirt i ndjeshëm lirik, madje edhe kur përmban një stres të grumbulluar nëpër “vjeshtëra” padrejtësish e synon të dalë, del siç del një lumë nga shtrati kur rritet niveli i ujërave, qetësisht kapërcen argjinaturat e ngritura. Në tonalitet, poezia e tij është si një ligjërim bisede me tone të ulëta, me një urtësi të shquar, të moçme, pa nivele të larta revolte a proteste, pavarësisht se në thelb ato kanë forcë revolte të mbrujtur brenda fjalëve dhe metaforave nëpër vargje, madje një revoltë me një dendësi të jashtëzakonshme. Një revoltë poeti, që gjëmon në heshtje dhe tutje kohë- jetës së tij. Natyra e qetë e poezisë së tij, në kundërshti me jetën dhe aktivitetin e tij politik të vrullshëm dhe pasionant dëshmon për një kulturë të poetit dhe vlerësim për estetikën e vargut. Poezia e Jusuf Gërvallës ka butësinë dhe melodicitetin e jetës së tij si gazetar dhe këngëtar, jetë e cila i mbante “fshehur” vrullet dhe pasionet.

III- Kur vështrohet poezia e Jusuf Gërvallës lind pyetja: pse poeti përdori vargun absurd, që dhe pa ato, ishte poezi moderne?

Duke gjykuar kohën e krijimit të poezisë të Jusuf Gërvallës (vitet 70 gjer në fund të vitit 81) dhe sidomos kushtet në të cilat e krijoi këtë poezi, kohë dhe kushte që përkojnë me periudhën e akumulimit të madh të pakënaqësisë popullore ndaj shtetit serb dhe të ravijëzimit të protestave popullore (viti ‘81), përfundojmë se poezia e absurdit u zhvillua në Kosovë në kushte specifike ekstreme social-politike, kohë që kërkonte detyrimisht që dhe poetët duhej ta thoshin fjalën e tyre të vetme, “fjalën poetike” …Mund t’i merrni fjalët e mia/e të niseni nëpër botë/Unë s’kam guxim /Kuptoj se pa dritën e tyre/ Nuk do ta di rrugën nëpër dritë” f. 60. Sigurisht që në kushtet e kohës ata duhej ta “mbulonin” idenë e poezisë, por këtë mbulim e realizonin më së miri nëpërmjet metaforizimit të vargjeve. Tjetër kund ishte synimi i poetëve kosovarë në përdorimin e poezisë së absurdit. Ishte koha kur në Evropë kjo lloj poezie ishte arritja më e madhe e atëhershme poetike, ishte “çlirimi i poezisë nga vargonjtë racionalë i imagjinatës njerëzore[1]”.

E parë në këtë këndvështrim dhe Jusuf Gërvalla e poetët bashkëkohës të tij e shihnin dhe e trajtonin poezinë absurde si arritjen më të lartë të poezisë moderne, ndaj dhe lëvrimi i saj prej tyre ishte synim i ngritjes së nivelit të poezisë shqipe në Kosovë në nivelet evropiane, ishte synimi i prezantimit në Evropë të poezisë shqipe në nivele “të barabarta” me poezinë evropiane dhe për pasojë, prezantimin e kulturës së popullit shqiptar si një kulturë e natyrës dhe niveleve evropiane, në kundërshtim me propagandën serbe.   

 Leximi me vëmendje i poezitë absurde të Jusuf Gërvallës (por dhe të poetëve bashkëkohësve të tij), na paraqet së pari nivelin e lartë artistik të tyre, që parë në kohën kur janë shkruar, është shumë lart e larg nga poezia që lëvrohej në Shqipëri.

Së dyti stili absurd i poezive të Jusuf Gërvallës s’ka mënjanuar asnjë nga objektivat e tij poetike si: shpalosja e gjendjes shpirtërore dhe revoltës etj. sepse në poezi ato qëndrojnë si “shkëmbinjtë brenda një mali”, të paraqitura nën metafora dhe simbolika që të hutojnë me dritën e tyre befasuese … “Të ëndërrova./Shkëmbin tënd e ka futur në gji mali” f. 32, në zgjimin tim më të heshtur të më ngurosin” f. 19, ka gëlltitur llavë ky durimi im/ e di do t’ më vish kur të vijnë stinë lulesh” f. 21,..” Një si dhembje, një ankth që më kujtoi/ Hapësirë të paanë të atdheut në zinxhirë/Që shpërlahet në liqenin e lotëve”,“ E prangat në këmbë, me krikllimin shekullor/E trazojnë gjithë letargjinë e liqenit” f. 22, “ka njerëz të çuditshëm sot kudo në botë/ ka varre për këta njerëz në tokën e shkelur të Kilit” f. 28. ; “atje e di një diell sërish do të jetë kokë / e koka përsëri do të varet në valën e parë/ pikëllimi na paska qenë këtu i vetmi margaritar” f. 67, “Eja të mbyllemi në kupën e zezë hermetike/U lodhëm më duke u puthur me gjarprin” f. 54 etj.

Madje edhe me këtë veshje metaforike autori ka arritur të japë poezi të fuqishme si “Besa” që të rrëqeth shtatin me idenë dhe vargjet:

 

Duert më janë vrazhdësue tue u zvarë

N’për muret e jetës – si thnegël.

Zani m’âsht marrë – si magjupes

që darsmavet përsëriti.

Mushkënitë baltë më janë mbushë

tue notue nëpër brraka – si bretkosë –

Po, ani se, udhërrëfim t’ardhmënisë

në zemër kam ndry një fjalë të nderit f. 87

 

Sigurisht që kjo ishte dëshmi e talentit të poetit, e kulturës së tij dhe këmbënguljes për të krijuar poezi të rrafshit të epërm.

IV- Në parathënien e tij Prof. Anton Nikë Berisha konstaton se Jusuf Gërvalla përdor me sukses atë që e quan “pamje poetike[2]” dhe këtë ne mund ta ilustrojmë me shumë poezi të librit si: “E largëta” f. 115, “Dashuria” f. 112, “Buzëqeshja” f. 100, “Kulla” f. 99, “Pamje nga jeta e fshatit” f. 88, “Paradreke kambanarësh” f. 91 etj.  Ne duhet të themi se “pamja poetike” nuk është e re në poezinë shqipe, ndonëse shumë rrallë është folur për ‘të. “Pamje poetike” është përdorur me sukses në letërsinë e Rilindjes dhe sidomos nga Naim Frashëri, qoftë te poema “Bagëti e Bujqësi” në të cilën jep në pamje poetike të idealizuara për natyrën, jetën dhe shoqërinë shqiptare me synim të caktuar që të rriste dashurinë për Shqipërinë, qoftë dhe te poema “Histori e Skënderbeut” në këngë të ndryshme. Po kështu dhe te Andon Zako Çajupi e gjejmë “pamjen poetike” te “Fshati im” ku paraqet pamje poetike e jetës sociale të kohës apo te poezia “Misiri” dhe më pas “pamjen...) e gjejmë te Poradeci. Bukurinë, ngrohtësinë dhe natyrshmërinë e “pamjes poetike” të Naim Frashërit i gjejmë te Jusuf Gërvalla, por me një mbizotërim metaforash moderne.

V- Duke qenë se te krijimtaria e Jusuf Gërvallës, paraqitur te kjo përmbledhje gjejmë poezi me shtrat te këngët popullore si “Trëndelinë erëmirë moj”, kënga ”O kjo anë e lumit”,  me motive myzeqare[3], vargje të veçanta apo shtresë baladash te disa poezi të tij, shohim se poeti temat dhe motivet i ka nga burimi etnik dhe tradita jonë letrare, duke dëshmuar se e ka nisur krijimtarinë e tij artistike nga arti i popullit, si gjithë poetët e mëdhenj. Sigurisht që nga një poet me një nisje të tillë, me kulturë dhe talent në rritje si kultura dhe talenti i Jusuf Gërvallës është e natyrshme që ne të kërkojmë “majën” e tij poetike, arritjen e tij më të lartë. Çuditërisht këtë “majë” poetike nuk po e shohim as te ky libër përmbledhës, ku sigurisht ka shumë poezi të realizuara mjeshtërisht, por pa u ngjitur mbi një nivel dominues ndaj të tjerave. Madje ka një dukuri specifike edhe te poezitë e tij tipike si “Shtatë net në Dubrovnik” ku shtatë poezitë mund të shihen edhe si një poezi me shtatë “strofa”, por mund të shihen edhe si shtatë poezi me një temë. Kjo ndjenjë të përftohet edhe te poezia “Ka akoma poetë” f. 27-28, “Dita” f. 29-30, “Baladë për shevarin” f. 44-49 etj.

Për të gjetur shkakun e moskonkludimit mbi një “majë” poetike të arritur nga poeti, le të shohim jetën e tij. Lind në 1 tetor 1943 dhe vritet në Shtutgart, 18 janar 1982 në moshën 38 vjeç e disa muaj. Pra jeta e tij ndërpritet pikërisht në moshën kur talenti i tij poetik ishte në një ngjitje, ndërkohë që poezitë e gjer atëhershme ishin krijuar në një moshë në rritje. Ishin krijime të moshës dhe talentit që “përsosej”  dhe jo të moshës dhe talentit që “jepte”. Figurativisht mund të themi se Jusuf Gërvalla ishte një fidan lisi në rritje, por “rrufeja” e goditi pikërisht në moshën e fidanit kur po bëhej lis dhe jo në moshën e lisit.

Pra, atentati i 17 Janarit 1982 ndërsa ishte një atentat vrastar ndaj jetës së një njeriu, një veprimtari, një luftëtari, një idealisti ai ishte edhe një atentat ndaj një poeti dhe poezisë së tij. Në qoftë se flasim për poezinë e tij të botuar si për një poezi shqipe moderne dhe meditojmë mbi faktin se atë poezi e ka krijuar një poet që ishte në moshën e të eksperimentuarit dhe të përfeksionuarit  të krijimit poezi (cilësore të rrafshit të epërm), mendoni dhe imagjinoni se çfarë poezie, si nivel dhe sasi do kishte krijuar po t’i kishte shpëtuar atij atentati. Po të kishte ndodhur kjo mrekulli, ne sot nuk do kishim vetëm një idhull poetik, por mbi të gjitha do kishim një poet që do na përfaqësonte denjësisht në botën letrare, do na nderonte kombin dhe kulturën tonë në botë dhe do ishte një pikë referimi e letërsisë botërore.


Sarandë, më 22.01.2022

 

 

 



[1] Shih Anton Nikë Berisha, Parathënie, f. 13.

[2] Anton Nikë Berisha, Parathënia, f. 13.

[3] Prej nga e mori motivin fillimisht I. Kadare, tekstin e të cilit Jusuf Gërvalla e bëri këngë.

Monday 17 January 2022

 

SI E NJOHËM JUSUF GËRVALLËN

 

Nga Timo MERKURI

 

Emri i Jusuf Gërvallës u bë i njohur  në Shqipëri vetëm pas vrasjes së tij më 17 Janar 1982 në Shtutgart së bashku  me të vëllanë (Bardhoshin) dhe një veprimtar tjetër (Kadri Zekën). Lajmi u dha zyrtarisht dhe bëri bujë të madhe në popull edhe për faktin se për vrasjen u akuzua direkt UDB Jugosllave.

          I-Pas këtij lajmi, vërshoi nëpër rrugë jo zyrtare informacioni se: Jusuf Gërvalla ishte  një i ri kosovar, aktivist politik që po organizonte diçka të madhe për Kosovën dhe se para vrasjes kishte qenë në Tiranë, ku ishte takuar edhe me Udhëheqësin. Madje pëshpëritej se  arsyeja e vrasjes së tij “paskësh” qenë fakti pse ishte takuar me Udhëheqësin, i cili i paskësh dhënë disa direktiva, realizimi i të cilave do t’i sillte Kosovës lirinë. E trajtuar në këtë mënyrë ngjarja, shihej si  provë e vërtetësisë së mësimeve dhe porosive të  udhëheqjes së vendit  mbi veprimtarinë  antishqiptare të shërbimeve sekrete të shtetit fqinjë dhe ishte “këmbanë alarmi për vigjilencë revolucionare”. 

         Pak më vonë qarkulloi një tjetër informacion, sipas të cilit Jusuf  Gërvalla hynte e dilte shpesh në vendin tonë, ku takohej me udhëheqjen dhe merrte direktiva e literature, informacion ky që mbështeste teorinë se Tirana e kuqe ishte qëndër e lëvizjes botërore për liri, ndërsa Jusuf Gërvalla ishte një njeri i angazhuar politikisht, një tip “ilegali” me kobure në brez dhe askund nuk u përmend se “koburja” e tij ishte pena dhe kitara.

          Dikur qarkulloi fjala se ai ishte edhe gazetar i disa organeve qëndrore të lëvizjes majtiste kosovare në Prishtinë,  dhe mqse u hodh në qarkullim një fotografi e tij me kitarë në dorë,  gazetarit ju shtua edhe emërtimi ”këngëtar”, por pa u sqaruar në se ishte këngëtar i muzikës së lehtë apo i ndonjë gjinie tjetër. Hamendësimin e përfolur si këngëtar i këngëve epike e prishte kitara në dorën e tij, ndaj nuk ju mëshua shumë këtij aspekti. Veçse ndërkohë kishte rrëshqitur fjala se ky djalosh ishte dhe  poet, por meqenëse poezitë e tij nuk ishin vlerësuar (ata që i kishin parë) në përputhje me vijën e socrealizmit, instruktorët e partisë morën direktivën që të sqaronin popullin se: ai vetëm sa krijonte tekstet e këngëve që këndonte bashkë me shokë nëpër piknike dhe mbrëmje vallëzimi. Sikur bëhej gjithçka që Jusuf Gërvalla të mos prezantohej në popull si një poet, sikur egzistonte një frikë e fshehur nga poezia e tij.

        Përkundër frymës zyrtare të kohës, poetët flisnin nën zë me njeri tjetrin duke e vlerësuar Jusuf Gërvallën si një poet të rrafshit të epërm të poezisë shqipe, me një poezi moderne, me një ligjërim lirik në poezitë e tij me temën e mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë dhe se ai ishte një zë i patjetërsueshëm në poezinë shqipe.

        Në ato vite isha me punë në Helshan të Kukësit dhe në shërbimet e mia në Kukës apo në kthim nëpër Fajza, nga miqtë e mi poetë  më ranë në dorë poezitë e para të tij. Mbaj mend që i lexova disa herë, por as unë nuk u fola shokëve që m’i dhanë dhe as ata nuk më folën mua për vlerat e asaj poezie. Madje edhe kur shkova me leje në Sarandë, në bisedat me krijuesit saranditë, porsa përmendej emri i Jusuf Gërvallës si poet, bisedën e mbulonte heshtja. Ishte koha e bashkë-bisedimit në heshtje. Një miku im (A.M.) më dha disa poezi të tjera të Jusufit. Në heshtje m’i dha  ai, në heshtje ia ktheva pas dy ditësh, pasi i kisha lexuar e kopjuar. Do jetë e para herë në historinë e letërsisë që një poet vjen në heshtje te poetët e tjerë dhe lexuesit e tij, ndonëse kjo ishte një heshtje  gjëmimtare.           

          Të kuptohemi, heshtnim ne, heshtte gjithë inteligjenca shqiptare dhe populli, ndonëse instruktorët e partisë flisnin gjithmonë nëpër mbledhjet e Frontit dhe organizatave të masave, por e folura e tyre përplasej në heshtjen masive, siç përplaset lakuriqi i natës në shkëmb kur del gabimisht nga shpella e errët në dritën e ditës.

           Pas një “heshtjeje” të thellë për “vetëvrasjen“ e ish kryeministrit të vendit në mesin e dhjetorit të kaluar (1981),  kjo heshtje intelektuale ishte si dëbora e re që zë dëborën e një viti më parë, duke krijuar një akullsi. Ishte një ftohje e frikëshme.

         II- Unë i lexova poezitë e Jusuf Gërvallës që më ranë në dorë në Kukës dhe në Sarandë, por nuk mund të them që u mrekullova. Është më e saktë që t’ju them se u hutova. U hutova nga stili, metafora dhe struktura e vargjeve të këtyre poezive, të cilat kishin një si dritësim në brendësi të tyre, që mua më duhej të përqëndrohesha për ta “parë”. Ndoshta vlen të kujtojmë se hyrja e poezisë së autorëve kosovarë te lexuesi shqiptar, diku aty rreth viteve ’80, fillimisht me një antologji poetike dhe më pas me përmbledhje të zgjedhura të një sërë poetësh të njohur ishte një dritësim tronditës në qiellin e poezisë shqipe. Poezia që lëvrohej në atë kohë në Shqipëri i ngjante atyre kishave të vogla pa dritare[1], në të cilat ndezja e qirinjve pranë ikonave të turbullonte pamjen e tyre, veç faktit që asfiksonte të pranishmnit. Në këto kisha vogëlane dëgjohej vetëm zëri i priftit dhe i dhjakut kur këndonin liturgji apo lexonin ungjillin dhe gjithë të tjerët bënin kryqin me një “amin” të njëzëshëm.

          Ndërkohë hyrja në vendin tone në vitet ’80 e poezisë kosovare me metaforat dhe stilin e saj, ishte si të hapeshin dritare të mëdha dhe të zgjerohej porta te “kishat e vogëla”, duke lejuar depërtimin e dritës  dhe ajrit të freskët, të cilat zgjeruan frymarjen dhe shikimin e poezisë shqipe. Atëherë i pamë të qarta “ikonat” e mbuluara nga tymi dhe “rason” e lerosur të ”priftërinjve”, atëherë nisi “herezia” e vërtetë poetike.

         III-Ndërkohë që rreth emrit të Jusuf Gërvallës fliste heshtja dhe “heshtëte”  propaganda, befas në një manifestim publik, udhëheqësi i partisë dhe i shtetit nxori në tribunë dhe e mbajti pranë vetes një vajzë të vogël reth 10 vjeçare, e cila i dhuroi  një tufë karafilash, prurë nga Gjermania. Menjëherë u përhap lajmi se kjo vajzë[2], të cilës udhëheqësi i partisë dhe i shtetit i përkëdhelte flokët në tribunë, ishte vajza  e Jusuf Gërvallës. Askush nuk pyeti për të rikujtuar se kush ishte ky njeri. Emrin e tij e kishim në kujtesë si emrin e një martiri a të një shëntori, ndonëse fizikisht të panjohur. Pas këtij informacioni zëulët populli u elektrizua, shpërtheu në brohoritje e duartrokitje të papara ndonjëherë. Ishte shpërthimi i parë publik për shkak të emrit dhe kujtimit të Jusuf Gërvallës. Zakonisht nëpër manifestimet e fillim majit në bulevardin kryesor të kryeqytetit,  punëtorë e fshatarë që parakalonin të organizuar nëpër kuadrate, kur afroheshin para tribunës së udhëheqjes: brohorisnin për partinë dhe udhëheqësin, por dendësia e manifestimeve kishte krijuar një rutinë tonaliteti të brohoritjeve. Duhej një event i veçantë që të rritej edhe më ky tonalitet. Prezantimi para popullit i vajzës së martirit kosovar Jusuf Gërvalla nga vetë udhëheqësi i partisë dhe i shtetit, duke lënë të kuptohet  se familja e Jusuf Gërvallës kishte gjetur mbrojtje dhe përkrahje në Shqipëri dhe se këtë mbrojtje ia kishte siguruar vetë udhëheqësi, ngjalli në popull një ndjenjë pozitive. Kështu shpjegohet që me t’u përhapur ky lajm, duartrokitjet dhe brohoritjet para tribunës u ngritën në një oktavë të padëgjuar ndonjëherë,  kuadratet e njerëzve u prishën dhe u dyndën  para tribunës. Kuadrati  tjetër që vinte më pas shtoi masën e njerëzve dhe brohoritjet para tribunës. Ndonëse brohoritjet cilësonin partinë dhe udhëheqësin, dëgjimi mes manifestuesve i shprehjeve me fjalë plot dhimshuri për “jetimen” dhe “të shkretën vajzë” linin të kuptohej se ato brohoritje dhe duartrokitje i ishin adresuar asaj fëmije, e cila sigurisht nuk kuptonte asgjë, veçse i gëzohej masës festive të njerëzve që brohorisnin dhe duartrokisnin. Në fakt njerëzit e ndjenë se nxjerrja e kësaj vajze të vogël në tribunën e udhëheqësit në këtë manifestim  ishte një spektakël i organizuar me synim për rritjen e vlerës së aksioneve të partisë dhe udhëheqësit në “bursën politike”, por populli instiktivisht paraqiti shpirtin e tij solidar me vajzën e vogël jetime[3] .

         IV-Lajmi i botimit të librit me poezi të zgjedhur “Dhimbje të ndrydhura“  të krijimtarisë poetike të Jusuf Gërvallës[4]  nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, Gjilan dhe ca më tepër që përzgjedhjen e poezive dhe parathënien e ka bërë shkrimtari dhe njohësi i thellë i artit poetik, studiuesi Anton Nikë Berisha, është një lajm festiv. Tek i miri zgjidhet më e mira, nga më i miri zgjedhës dhe  sigurisht po i vihet në dorë lexuesit një vepër poetike e admirueshme.

         Unë e lexova parathënien dhe përmbledhjen dhe do ta rilexoj sigurisht disa herë, duke i ftuar miqtë e mi krijues dhe lexues ta pasurojnë botën e tyre poetike me magjinë e vargjeve të Jusuf Gërvallës, por ajo që dua të them specifikisht është se: këto  botime cilësore kaq shumë të kërkuara dhe të domosdoshme për t’u lexuar, sidomos nga krijuesit dhe lexuesit e apasionuar të poezisë, nuk kanë pse të mbeten monopol i lexuesve, banorë të trevave ku botohen. Libra të tilla cilësorë si ky, duhet të vijnë edhe tek lexuesit dhe krijuesit në  Shqipëri, ashtu si dhe  librat cilësorë që botohen në Shqipëri duhet të jenë në duart e lexuesve në Kosovë e më tejë. Është një letërsi, letërsi shqipe dhe autorët janë poetë shqiptarë që duhen njohur gjerësisht nga masa e lexuesve.

           Jo më kot fola për misterin e krijuar për arsye jo letrare, që rrethoi emrin e Jusuf Gërvallës në fillim të njohjes së tij nga lexuesi në Shqipëri. Madje dhe romani i tij “Rrotull” botuar në Tiranë në 1983 nuk e shpërndau“mjegullën”për arsye se nuk ju bë propogandimi dhe shpërndarja  e duhur, për arsye gjithashtu  jo letrare.

             Prandaj miq e vëllezër, na i dërgoni këto libra se janë edhe për ne. Jusuf Gërvalla është edhe yni sepse siç ka thënë vetë ai: “Poeti nuk është vetëm i një treve, ose vetëm i një populli, poeti është i të gjithëve [...] Poetët e mëdhenj të një populli, kanë qenë dhe janë poetë të mëdhenj për të gjithë popujt[5]”.

 

Sarandë, më 12.01.2022

 

1.           Egzistojnë akoma disa kisha të tilla në Jug të vendit, të cilat pushtuesi turk qëllimisht i lejonte të ndërtoheshin të tilla...

2.             Familja e Jusuf Gërvallës erdhi ilegalisht nga Zvicra në Greqi dhe hyri në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Kakavisë në datën 30 mars 1982. Komanda e Pikës Kufitare të Kakavisë kishte marë një ditë më parë një fonogram urgjent nga Tirana për mbrojtje dhe ruajtje të “personaliteteve që vinin” nga snaiperat serbë..

3.             Kjo vajzë e vogël ishte Donika Gërvalla, e cila gjithashtu doli disa herë edhe në koncertet zyrtare duke luajtur si flautiste, por identitetin dhe personalitetin e saj do ta shfaqte të plotë në vitin 1991, kur si  studente e Akademisë së Arteve do të ishte aktive në lëvizjen antikomuniste dhe do të merrte pjesë në grevën e urisë në pranverën e atij vitit.

4.             Veprat letrare të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë: “Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975), “Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978), “Shenja të shejta” (Shkup, 1980), “Rrotull” (Tiranë, 1983), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992.

5.             Jusuf Gërvalla, Vepra 3. Publicistikë 1. Shtëpia botuese Faik Konica,  Prishtinë 2017, f. 23.