Sunday 25 June 2023

 

 

MËNGJEZ PLOT DASHURI

 

Nga Timo Mërkuri

Ka disa ditë që një miku im më ka dërguar poezinë “Mëngjez” të poetës Natasha Lako me dëshirën e mirë që ta lexoj, ti shpreh mendimin tim, të shkruaj diçka a së paku ta analizoj me një sy kritik si një krijim poetik të një poeteshe të njohur. Që Natasha Lako është një poete fine në kuptimin e plotë të fjalës, këtë besoj se nuk është nevoja tjua them unë. Që Natasha Lako është një Zonjë, me “Z” të madhe e poezisë shqipe, këtë besoj e kini dëgjuar shpesh, por që Natasha Lako të “çorodit” mendimet me poezinë e saj, këtë po jua them unë sot. Ja shikoni, kam mbi një javë që e lexoj ditë për ditë poezinë e saj “Mëngjez” dhe nuk marr guximin të ulem e të shkruaj dy rreshta për ‘të, pse kjo poezi më ngjan me një vazo qelqi të brishtë e të hollë, të cilën kam frikë ta marr në duar, në kuptimin e një analize. Kaq e brishtë dhe e hollë është kjo vazo sa që kam frikë të vendos qoftë dhe një trëndafil, druhem se mos thyhet nga goditja e kërcellit në fundin e saj. Jo vetëm kaq, por kam frikë ti hedh qoftë dhe petale trëndafili përsipër, nga droja se mos befasisht ato rrëndohen nga forca tërheqëse e bukurisë së saj dhe instiktivisht apo graviticionalisht shndrohen në gurë dhe godasin fortë qelqin poetik.

Është prej atij qelqi të hollë kjo vazo-poezi sa që ke frikë t'a nxjerrësh në dritën e diellit apo të hënës, nga droja  se ndoshta  nxehtësia e tyre e djeg dhe nxin sadopak dhe ja humb bukurinë. Madje edhe drita e ndonjë ylli të largët, aktualisht i shuar e dëmton, vetëm drita e një ëndërre dashurie mund të krijojë imazhin e duhur te përthyerja, si në një prizëm në qelqin e saj.

Nuk është një vazo lulesh prej qelqi, nga ato që vendosen në tavolinë, kjo është një poezi, e cila  nuk analizohet me sy kritik, kjo poezi vetëm përjetohët, ashtu siç përjetohet dashuria, pse  është sikur mba në duar një shpirt njeriu, fërgëllima e drithërima plot dhimshuri e të cilit të meh frymën në një moment mrekullie.

Është shkruar shumë thjeshtë kjo poezi, me ca fjalë të zakonëshme si gurët në zallin e detit, të lëmuar nga valët por që gjithsesi brenda tyre kanë atë origjinën vullkanore që ende i djeg. Kjo poezi është shkruar me  fjalë të thjeshta që përmbajnë ca këshilla gruaje për burrin e saj në mëngjes, por që çuditërisht nga zanoret e fjalëve kullon dhimshuri e përkujdesje, merak e dashuri siç kullon mjalti nga hojet e bletëve dhe ajo aspirina, oh ajo aspirina sa e “ëmbël” është. Sa shumë lexues do dëshironin ta pinin, jo vetëm në mëngjez, do  nxitonin ta rrëmbenin sikur të ishte një thesar, apo së paku çelësi i një thesari, por ja që ajo është thjeshtë një aspirinë dhe atë vetëm një njeri e meriton.

Nuk do t’i bëj  analize kritike kësaj poezie, por do vazhdoj ta lexoj çdo ditë në mëngjes dhe pa i marrë lejen poetes, po jua jap dhe juve miq të mi të lexoni.

Është një poezi plot dashuri e cila vetëm përjetohet.

 

Sarandë, më  qershor 2023

 

Natasha Lako

MËNGJEZ

Dita është ngritur në majë të gishtave,

të të shohë ty duke fjetur.

Si gjithmonë sa të dalësh  prej ëndrrës

mos harro hapin tënd të parë drejt luleve të prera.                                                    

Ndërro ujin e vazos së bardhë

që të rrojnë edhe një ditë trëndafilët  pastaj ik.

Karafilin e bardhë hidhe sot, por po të mos kesh kohë ,

le ta durojë edhe një ditë së bashku me ty trishtimin.

Të mos tronditësh  vazon që mban në duar,

ec ngadalë si mëngjezi vetë

Mos harro asnjëherë ujin e

freskët dhe të mirë

kthehu pastaj dhe gjej një aspirinë,

thërrmoje me kujdes, lulet të flenë qetë.

Pataj kërko trokitjet e diellit tënd,

në dritaren e posahapur,

dhe lere ujin të rrjedhë në fytyrën tënde.

Friday 23 June 2023

 

THJESHTËSIA E NJË POEZIE MODERNE

 

Nga Timo Mërkuri

I- Fatmir Terziu ka bërë një gjë të bukur kur publikimin e poezisë së tij “Thjeshtësia e një kishe” e ka shoqëruar me fotografinë e kësaj kishe të vogël dhe të  thjeshtë, ndërtuar me dru. Interesant është fakti se dhe mënyra e publikimit të saj dhe qasja poetike e Terziut, të krijojnë përshtypjen, se Kisha dhe Poezia, janë  vazhdim i njëra-tjetrës dhe jo aspekte komunikuese, kulturore, logjike dhe shenjtërore të ndara. Këtë ndjenjë na e përforcon fakti, që paraqitja, forma dhe prezantimi i thjeshtë i Kishës, ka qasje me vetë performancën e poezisë, si një poezi e “thjeshtë”, e lirë, e bardhe dhe e ndarë në strofa me vargje me ritëm e rimë, që të duket se kemi të bëjmë me një poezi tradicionale, përkundër qënies së saj, që në fakt është dhe padyshim mbetet si një poezi moderne.

Syri të gënjen”, as kisha, dhe as poezia, nuk janë aq të “thjeshta” sa duken, jo vetëm nga forma[1] por edhe nga funksioni dhe misioni i tyre.

Përgjithësisht në kishat e vogla dhe të vjetra (si kisha prej druri në Borås, të Suedisë) shpesh ka një ndjenjë ngrohtësie dhe intimiteti, si për shkak të sipërfaqes së tyre të vogël, për shkak të paraqitjes piktoreske në ambientin  ku janë ndërtuar, të materialit natyror dhe formës së ndërtuar, relikeve të vjetra kishtare që ato ekspozojnë, por edhe si formë prezantuese e vetë atmosferës së tyre. Mendoj se poeti Fatmir Terziu është ndikuar pikërisht nga kjo atmosferë e një kishe të tillë historike në Ramnaparken kur ka shkruar këtë poezi,  mendim që na e përforcon edhe struktura vargore e poezisë, ku dallohet se është një krijim i menjëhershëm në vlagën e frymëzimit, ku poeti  përshkruan atmosferën dhe detajet e kishës në një mënyrë të thjeshtë dhe tërheqëse, pikërisht si një poezicion meritor, jo vetëm kulturor, komunikues, trashëgimtar për brezat, por dhe turistik, gjë e cila e forcon vlerën e objektit dhe vetë subjetit më vete. Konteksti është konvencional. Qasja është efikase dhe i përshtatet vetë misionit për të cilën ajo është ngritur, realizuar dhe mbajtur në këtë format që të flasë për Tjetrin.

II-Poezia "Thjeshtësia e një Kishe" e poetit Fatmir Terziu, e krijuar nga përshtypjet e një vizite në Borås, Suedi, ku poeti u nderua me Çmimin më të lartë të atjeshëm „Pena e Artë“, së bashku me poeten suedeze Britta Stenberg, shfaq një strukturë poetike të thjeshtë dhe tërheqëse, e përbërë nga katër strofa të rregullta.

Struktura e poezisë është mjaft tërheqëse, normative për një shkollë poetike më vete, me strofa të barabarta në gjatësi dhe përsëritje të rregullt të skemës dhe ku bie në sy edhe rima. Poezia përdor rima të brendshme, ku zanafilla dhe fundi i vargjeve rimojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar një lidhje muzikore dhe harmoni në lexim. Kjo i jep poezisë një ritëm dhe melodi të veçantë, pra një muzikalitet që e bën atë dhe si një art më vete në këtë pikë.

Poezia përmban një ndarje të qartë midis dy pjesëve kryesore: përshkrimi i elementeve të kishës dhe interpretimi i ndjenjave që ajo sjell. Kjo strukturë ndihmon në organizimin dhe komunikimin e mesazhit poetik në mënyrë të qartë dhe tërheqëse për lexuesin.

Përmes strukturës së saj të thjeshtë, poezia "Thjeshtësia e një Kishe" arrin të transmetojë atmosferën dhe ndjenjat e një vizite të këndshme në kishën historike të Borasit, duke e bërë përvojën e poetit dhe lexuesit më të afrueshme dhe të kuptueshme.

Poezia fillon me përshkrimin “Qelqet e paqta pikturojnë nëpër një qiell jargavan” duke shfaqur një pamje të bukur dhe artistike, ku qelqet e paqta simbolizojnë dritën e frymëzimit, të pastërimit dhe të shpirtit të ndriçuar që njeriu gjen në një ambient të tillë, lidhjes transparente me Krijuesin, besimin e mbajtjes së syve lart, ku lutjet nuk janë thjesht kishtare dhe religjioze, por njerëzore dhe falenderuese.

Së bashku me këtë, pikturimi i tyre në "një qiell jargavan" (Pasi jargavanët janë lulet apo pemët lule që kundërmojnë dhe pushtojnë ambientin fin dhe të bukur të atij vendi) sjell një imazh poetik që e përforcon ndjenjën e spiritualitetit dhe misterit që ka në kishë. Kjo pasi në një vend si Suedia, pas dimrit të zymtë, jargavanët mirëpresin pranverën me lulet e tyre të bukura dhe aromën e ëmbël. Sipas mitit grek, Pan, perëndia e pyllit, u mahnit nga bukuria e nimfës së drurit të quajtur Syringa. Fatkeqësisht, ajo nuk kishte ndonjë interes romantik për të. Një ditë Pani po ndiqte nimfën, por ajo arriti të shpëtonte duke u kthyer në një lule të bukur jargavani. Kur e kërkoi, pa vetëm shkurret e lulëzuara. Pan zbuloi se kishte kërcell të fortë dhe të zbrazët, kështu që vendosi të krijonte një tub prej tyre. Kjo është arsyeja pse jargavani që ne njohim sot quhet edhe si Syringa vulgaris, që rrjedh nga termi grek syrinks që do të thotë tub dhe që vendasit nuk e quajnë me emrin arab Lilac, që do të thotë në këtë gjuhë blu, por afërsisht me këtë emër të ardhur nga miti grek. Ky emërtim prek më shumë emocionet e dashurisë, ndoshta ngjashëm me pikturën e realizuar hershëm në vitin 1859 nga John Everett Millais, apo dhe me Doran që qëndron nën një pemë jargavani në romanin „David Copperfield“ të shkruar nga shkrimtari Charles Dickens. E kështu në disa kontekste, lulja mund të shoqërohet gjithashtu me mjaft kuptime të tjera që natyrshëm shkojnë me një qasje të tillë poetike në një qiell jargavan.

Pra, qielli jargavan simbolizon atmosferën mistike dhe ndjenjën e thellësi që përjeton një person gjatë qëndrimit në kishë. Ky imazh përshkruan një moment të veçantë, ku qelqet e pastërta pikturojnë, reflektojnë diçka të bukur dhe të magjepsur në një ambient të shenjtë, vazhdon me imazhin e një hëne që vallzon lirshëm nëpër stenda, si për të shtuar ndjenjën e lirisë dhe magjisë së vendit e kurorëzon me: “Një perde e verdhë me grep valëzon deri në tavan”, duke shtuar një ndjesi misteri përzier me një bukuri, të cilës i shton dhe një pastërtinë.

Vargu "dhe një zemër e pikturuar në telajo i ngul sytë brenda" në poezinë ka një kuptim simbolik dhe metaforik, pse përshkruan një imazh poetik të një zemre të pikturuar që tërheq vëmendjen duke i ngulur sytë e personit brenda vetes.

Një interpretim është se "zemra e pikturuar" simbolizon mendjen dhe ndjenjat e thella të një personi që gjejnë shprehje në kishë. Kjo zemër e pikturuar është simbol i thellësisë së ndjenjave dhe vëmendjes që i kushtohet ndërgjegjes dhe reflektimit brenda vetes. Po ashtu, ky varg mund të përshkruajë  dhe një moment të lidhjes së fortë emocionale dhe shpirtërore me vendin e shenjtë. Kishës i ngjiten sytë e personit, tregon vëmendjen dhe ndjenjën e përcjelljes së thellë që krijohet ndërsa personi e hulumton dhe e eksploron harkun e zemrës së vet në këtë mjedis.

Poezia thekson lirinë dhe lartësinë e shpirtit në Kishën e Shenjtë:   ku poeti shkruan: "Arti lind art në një panoramë të thjeshtë", varg që shpreh idenë se arti lind dhe zhvillohet në një ambient të thjeshtë dhe të pastër. Një panoramë e thjeshtë paraqet një hapësirë të hapur dhe të pastruar që e bën mundësisht për lindjen dhe zhvillimin e artit. Ky varg paraqet lidhjen midis thjeshtësisë dhe krijimtarisë artistike.

Vargu "dhe një shpirt i afërt ngrihet dhe fluturon i lirë" përshkruan ndjenjën e lirisë dhe shpirtin e një personi që ngrihet dhe fluturon i lirë brenda  atmosferës së kishës, pse ajo është  vendi ku ndjenja e lirisë dhe shpirti i njeriut janë të ngushta dhe të afërta. Në këtë kontekst, kisha paraqitet si një hapësirë ku shpirti lëshon filiza dhe zhvillohet.

Po ashtu vargu: "ndërsa engjëjt bëjnë kryq në Kishën e Shenjtë" praninë e engjëjve në kishë, duke kryq, imazh që simbolizon shenjtërinë dhe frymëzimin e pranishëm në kishë. Engjëjt paraqiten si figura shpirtërore që krijojnë një atmosferë të veçantë dhe mënyrën se si ata ndikojnë në harkun shpirtëror të kishës ku: "egoizmi dhe lakmia diku në qelqe kanë ngrirë" , varg që paraqet një kontrast midis shenjtërisë së kishës dhe pranisë së negativitetit dhe mëkatit, të cilët "kanë ngrirë në qelqe", pra janë  ndaluar të hyjnë në kishë, duke theksuar kështu thellësinë e kishës dhe ndikimin që ka në përfshirjen dhe zbutjen e ndjenjave negative.

"Një engjëll tjetër hyjnor ushqen një shpirt të uritur" thotë një varg duke paraqitur një imazh të fuqishëm dhe simbolik të ushqimit shpirtëror që vjen nga një engjëll tjetër, engjëlli që simbolizon një entitet shpirtëror të pastër dhe të frymëzuar nga besimi, ndërsa "shpirti i uritur" përfaqëson një person që ka nevojë për frymëzim dhe përkrahje shpirtërore. Ky varg shpreh idenë se në kishë, vendi i shenjtë, shpirti i njeriut merr ushqimin dhe forcën e nevojshme për të rritur dhe zhvilluar.

Vargu: "për atë që vjen i dashuruar në këtë Kishë gjen" paraqet idenë se në kishë, një person që vjen me dashuri dhe devotshmëri gjen atë që kërkon ose kupton diçka të veçantë. Dhe kjo “didiçka” mund të jetë frymëzim, qetësi shpirtërore, ose përfshirje në një komunitet të devotshëm. Në këtë kuptim, kisha është një vend që plotëson nevojat dhe shpresat e personit që vjen me dashuri dhe përkushtim.

Ndërsa vargu (gjen) "bekimim e të gjithëve të cilin e kupton papritur" na paraqet  një gjendje që vjen si rezultat i kuptimit të papritur të një personi, një ndjesi e thellë e lumturisë dhe frymëzimit që vjen nga eksperienca e qëndrimit në kishë dhe lidhja me harkun shpirtëror. Nëpërmjet kësaj lidhjeje, personi kupton ose përjeton një bekim të papritur, një frymëzim ose një ndjesi të thellë e përgjithshme e begatisë shpirtërore.

Interesant është vargu "shirat e vrullshëm nuk lajnë një dashuri në rritje" i cili ka një kuptim simbolik dhe metaforik. Kjo frazë sugjeron se dashuria që shfaqet në mënyrë të shkëlqyeshme dhe e rrjedhshme nuk është gjithmonë e qëndrueshme ose e vazhdueshme në rritje.

Me anë të përdorimit të "shirave të vrullshëm", poeti i përshkruan ngutjen e intensitetit të ndjenjave të vrullshme dhe të pasionit. Megjithatë, ai shton se kjo dashuri e shprehur me ndjenja të forta nuk mund të zgjatë dhe të rritet në mënyrë të qëndrueshme.

Kuptimi i këtij vargu mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Një interpretim mund të jetë se emocionet e pasionit dhe entuziazmi të shprehura me shpejtësi dhe forcë mund të mos jenë të qëndrueshme në kohë, duke u shndërruar në gjëra kalimtare. Kjo mund të paraqesë një ndjesi e brishtësie ose një paralajmërim për të qenë i kujdesshëm ndaj ndjenjave që bien në zhurmë dhe janë të pasura me energji, por që mund të zhduken me shpejtësi.

Në kontekstin e poezisë dhe tematikës së thjeshtësisë së kishës, ky varg gjithashtu mund të përshkruajë qëndrueshmërinë dhe vlerat e thella të dashurisë së pastër dhe të thjeshtë që kisha përfaqëson. Në krahasim me emocionet e tejdukshme dhe të rralla, dashuria e vërtetë dhe e thellë është diçka që rritet dhe që nuk mund të preket nga koha ose ndjenjat e shurdhëruara nga egoizmi dhe lakmia, të cilat janë përmendur më parë në poezi.

Pra, kuptimi i vargut "shirat e vrullshëm nuk lajnë një dashuri në rritje" është që ndjenjat e shprehura me shpejtësi dhe intensitet nuk mund të jenë të qëndrueshme në kohë, ndërsa dashuria e vërtetë dhe e thellë rritet dhe vlen më shumë sesa ndjenjat e efemera dhe të shkurtërta.

III-Poezia "Thjeshtësia e një Kishe" e poetit Fatmir Terziu përdor një shumësi figurash artistike, siç janë metafora, imazhe për të shprehur emocionet dhe përvojën poetike të vizitës në kishën historike të Borasit në Suedi, përdorimi i të cilave në poezi dëshmon se kemi të bëjmë me një poet të kuotës së lartë.:

Te vargu "Qelqet e paqta pikturojnë nëpër një qiell jargavan" qelqet e paqta janë metaforë për dritën dhe pastërtinë që pikturojnë skenën në qiellin e kishës që përshkruan bukurinë dhe madhështinë e vendit.

Metafora "Hëna vallëzon lirshëm tango nëpër stenda" shfaq lëvizjen elegante plot përulësi dhe harmoninë që ekziston në kishë.

Imazhi "një perde e verdhë me grep valëzon deri në tavan" përshkruan lëvizjen e perdesë së verdhë , ku autori shton si rastësisht se është e punuar “me grep”, që krijon një ndjenjë të misterit dhe të pastërimit. Imazhi e bën lexuesin të imagjinojë atmosferën dhe pamjen e kishës, ndërsa imazhi "Arti lind art në një panoramë të thjeshtë"  shpreh se arti krijohet brenda kishës dhe se thjeshtësia( jo vetëm e saj) sjell frymëzim për krijimin e artit.

Te vargu:"engjëjt bëjnë kryq në Kishën e Shenjtë" - këtu, engjëjt janë simbol i frymës së shenjtë dhe prezencës së tyre në kishë tregon pa mëdyshje shenjtërinë e kishës.

Ndërkohë kontrasti: "egoizmi dhe lakmia diku në qelqe kanë ngrirë" që është përdorur në varg tregon ndarjen midis spiritualitetit dhe pabesisë.

Figurat artistike të përdorura në poezinë "Thjeshtësia e një Kishe" të ngjashme me ikonat e shenjta shërbejnë për krijuar një imazh vizual dhe shpreh mënyrën se si kisha mund të frymëzojë, të transformojë dhe të mbushë me kuptim përvojën e individit, pasi në këtë kohë intensiteti njeriu ka nevojë për një qetësi shpirtërore, mirëkuptim me veten dhe besim tejë vetes. Njeriu ka nevojë që të besojë se duke bashkëbiseduar me veten, dikush e dëgjon, njeriu ka nevojë t'i rrëfejë vetes gabimet që ka bërë, me besimin se do lehtësohet nga pesha e fajit, ai ka nevojë të ketë besim për një të ardhmen si një dhuratë apo mbështetje nga  Zoti, njeriu ka nevojë për një kishë,qoftë dhe e vogël dhe e thjeshtë, mjafton që aty të jetë dhe të të dëgjojë Zoti.

IV-Poezia "Thjeshtësia e një Kishe" e poetit të mirënjohur Terziu përdor një gjuhë poetike tërheqëse dhe simbolike për të shprehur ndjenjat dhe emocionet e përjetuara prej tij gjatë vizitës në kishë. Fjala dhe gjuha e poezisë kanë një ndikim të fortë vizual dhe emocional, duke përdorur imazhe të forta dhe metafora për të transmetuar mesazhin e autorit.

Fjala "Thjeshtësia" në titull tregon qëllimin kryesor të poezisë, që rrjedhshëm shkon për të përshkruar ndjesinë e thjeshtësisë dhe qetësisë që gjendet në një kishë. Ky term gjithashtu sugjeron minimalizmin dhe harmoninë e ambientit kishtar, që poezia përshkruan, por dhe vetë qëllimin lexues dhe interpretues që mjaft kultura e qartësojnë. Sikurse dihet në disa kultura, jargavani besohet se ka fuqi mbrojtëse për të larguar shpirtrat e këqij, gjë që në këtë rast jep dhe kontekstin tjetër të vetë asaj që propozon poezia në vetë simbolikën e thjeshtësisë dhe të gjuhës me të cilën ajo komunikon me lexuesit. Ndoshta jo më kot në një mjedis tjetër, por të ngjashëm poeti amerikan Ëalt Ëhitman mprehu gjuhën mjeshtërore dhe thurri një elegji për Abraham Lincoln. Me ngarkesën e transmetuar në vite jargavanët dhe përdorimi i tyre simbolik kanë krijuar një gjuhë më vete, ashtu sikurse Terziu i sjell në realitetin e tyre si simbol i pafajësisë rinore dhe emocioneve të dashurisë, që natyrshëm janë dhe mbesin mes gjuhës së poezisë në fjalë.

Gjuha e poezisë së Fatmir Terziu, “Thjeshtësia e një kishe”, është e pasur me imazhe vizuale, metafora dhe figuracione të ndryshme. Përdorimi i fjalëve të thjeshta dhe rimave krijon një melodi poetike dhe harmoni, dhe ndihmon në tërheqjen e vëmendjes së lexuesit. Poeti gjithashtu përdor stilin e pëshpëritjes dhe të ulët për të krijuar një atmosferë intime dhe të qetësuar, duke e bërë poezinë të ndjehet më intime dhe të afërt për lexuesin.

Shumë moderne është kjo poezi e „thjeshtë“ e poetit Fatmir Terziu.

 

Sarandë, më qershor 2023



[1] Fatmiri Terziu te shkrimi Festivali i XII i Poezisë "Sofra Poetike Borås 2023"  shkruan:”Kisha prej druri nga fshati Kinnarumma, e cila daton nga vitet 1690, u zhvendos në muzeun e hapur në vitin 1914. Që atëherë, Kisha është quajtur Ramnakyrkan dhe nuk është vetëm një muze ndërtesë, por është përdorur edhe si një kishë popullore dasmash dhe pagëzimi që nga viti 1930. Nymanska Gården, që daton nga 1729, dhe Olsonska Gården, e ndërtuar në 1831, janë dy përfaqësues të fermave tipike të qytetit borgjez të kohës së tyre, të dyja të vendosura në zonën hyrëse të Muzeut Borås. Të dyja fermat kanë disa krahë dhe përmbajnë, ndër të tjera, arkivin e muzeut, dhomat e pritjes dhe ekspozitës. Ekspozita e përhershme e historisë kulturore të muzeut është vendosur në Nymanska Gården. Pranë këtyre dy fermave ndodhet ferma Förläggargården Fällhult e vitit 1795 – një përfaqësues historik në lidhje me rajonin i cili është i ndikuar fuqishëm nga industria e tekstilit. Është ferma e një prodhuesi të pasur, i cili kishte shumë endës që punonin në shtëpi për të. Ferma përfshin gjithashtu një kasolle historike, në të cilën ekspozohej një dyqan i viteve 1920.

 

E për të shijuar më tej bukurinë natyrshëm syri të prek liqenin dhe muzeumin. Liqeni Ramnasjön me koloninë e tij të shpendëve dhe muzeu i gjerë kulturor dhe historik në terren të hapur si dhe Muzeu i qytetit Borås japin madhështinë e estetikes dhe asaj që i ngjizet tradicionales. Në një lartësi mbi liqen Ramnaparken mbetet një nga parqet më të mëdha të Borås që nga fillimi i shekullit të 20-të. Ndodhet në perëndim të qendrës së qytetit. Këndet e lojërave dhe shtigjet e ecjes gjenden rreth gërmadhave të pyllëzuara përreth me pllaja të hapura. IK Ymer ka ngritur një fushë me 9 hapësira për golfin frisbee në një pjesë të terrenit pyjor kodrinor të parkut”

Tuesday 20 June 2023

 

TË KËNDOSH NËN SHI ME LUAN RAMËN

 

Nga Timo Mërkuri

U ndjeva i befasuar nga finesa e poezisë “Të këndosh nën shi” e Luan Ramës, më saktë është hera e dytë që Luan Rama më befason gjer aty sa ta lexoj e rilexoj poezinë e tij dhe të ulem e të shkruaj opinionin tim për krijimin e një autori me të cilin nuk jam takuar kurrë. Shtoi kësaj faktin se as interpretimin e aktores Yllka Mujo “atë natë në teatrin Metropol” nuk e kam parë, por çuditërisht kjo mangësi nuk më pengoi të shijoja vallzimin e vargjeve të poetit. Një detaj shoqërues i poezisë, pikërisht një fotografi shoqëruese e poezisë që tregonte aktoren duke vallzuar nën shi më ngacmoi kujtesën dhe mi bëri të  gjalla vargjet e poetit, duke më kujtuar  imazhin i një valltari që me një finesë vallzonte duke kënduar nën “një shi magjik” me një çadër në dorë. Për këtë ndoshta më ndihmoi fakti se dikur, kur punoja në Helshan të Kukësit te TV Prishtina kisha parë Gene Kelly[1] në filmin"Singin' in the Rain" dhe më kishte mbetur në mëndje ai vallzim me çadër nën një shi melodik. Tani që e rilexoj për herë të tretë poezinë e Luan Ramës jam gati tju dëshmoj se tingulli i vargjeve të tij është melodia e këngës "Singin' in the Rain" dhe nën këtë melodi ose këndohet ose mund të vallzohet dhe vetëm nën një shi të imtë, rrënia e të cilit krijon qysh në ajër një melodi. Thua kjo është magjia e vargut të Luan Ramës apo mos është kujtesa a fantasia ime? Këtë nuk e di mirë, por duke lexuar këtë poezi përjetova një emocion magjie si rrallë herë.

I-Poezia "Të këndosh nën shi" është një përshkrim poetik i një performance teatrale ku aktorja Yllka Mujo është protagonistja. Poeti përdor një krahasim mes performancës së Yllka Mujos dhe atij të Gene Kelly-t në filmin "Singin' in the Rain". Në vargun "nuk ishte Gene Kelly që kërcente me një çadër nën shi, atëherë kjo grua ende s’kishte lindur", autori tregon distancën kohore mes dy aktorëve, por vetë krahasimi me Gene Kelly dhe performanca e tij nën shi simbolizon aftësinë dhe talentin e Yllka Mujos për të shprehur emocionet dhe shkëlqimin artistik në skenën e teatrit. Ky krahasim tregon se aktorja shqiptare ka arritur të krijojë një magji të ngjashme dhe të shkaktojë  emocione të forta tek shikuesi, ashtu siç ka bërë edhe Gene Kelly me performancën e tij të famshme nën shi.

Pikërisht krahasimi me Gene Kelly tregon vlerësimin e autorit për talentin dhe aftësitë e Yllka Mujos si aktore dhe performuese në skenën teatrale, talent  për të cilin besoj jemi dakort të gjithë, dhe unë dëshiroj që te ky  mendim i poetit ka ndikimin e vetë kjo performancë.

Në kontekstin e poezisë "Të këndosh nën shi" të poetit, vargu "si një jeune fille en fleur që Proust kish ëndërruar" përdoret për të përshkruar aktoren Yllka Mujo si një grua e re me një imazh të freskët dhe të pastër, krahasim që e lidh performancën e saj me një imazh të bukurisë dhe rritjes së trishtë, ngjashëm me mënyrën sesi Proust e përshkruan vajzën në romanin e tij. Krahasimi me këtë imazh nga Proust shpërfaq talentin dhe ndikimin e aktores në publik, talent që shkëlqen në lojën e saj dhe mbizotëron skenën dhe vëmëndjen e publikut.

Autori shkruan se gjatë interpretimit të Yllka Mujos ai pëshpëriste të njëjtin këngë si Gene Kelly: "What a glorious feeling, I’m happy again..." ("Ç'ndjenjë e lavdishme, unë jam përsëri i lumtur..."), një këngë  nga filmi "Singin' in the Rain" e  interpretuar nga Gene Kelly, fakt ky që poeti e përdor si një mjet për të shprehur lumturinë dhe kënaqësinë që ai ndjen gjatë shfaqjes së aktorjes Yllka Mujo në teatër, duke kuptuar se interpretimi i aktores e ka kapërcyer fazën e mahnitjes së spektatorit, ajo tashmë e ka bërë aktorin pjestar të lojës së saj. Sinqerisht që e besoj autorin, pasi lojën e Yllka Mujos të gjithë ne e njohim dhe jo rrallë herë e kemi ndjerë veten shpirtërisht jo spektatorë, por aktorë.

Kjo ndjenjë e poetit ka ardhur edhe për vetë faktin se gjatë lojës së saj në të kënduarin  nën një shi magjik, aktorja Yllka Mujo ka “dalur nga vetja” në një çast frymëzimi, ka hyrë në një lloj euforie duke harruar skenën, rolin, emrin dhe fatin e saj. Ajo kërcen vjeshtën e saj të trishtë, me buzë dhe gjinj të lagur nga shiu duke përjetuar një rini shpirtërore.

Pikërisht vargu "një grua me një tors të njomë" në poezinë "e Luan Ramës ka një kuptim vizual dhe emocional. Fjala "grua" nënkupton një femër të rritur dhe të pjekur. "Tors" është pjesa e sipërme e trupit, veçanërisht pjesa e gjoksit dhe barkut. Termi "të njomë" sugjeron që trupi i kësaj gruaje është i lagur, i mprehtë dhe me ujë shiu, përshkrim që tregon se trupi i saj është i ngarkuar me emocione, mërzitje ose trishtim si emocion i lojës, ndërsa shiut i referohet një shi magjik që bie mbi të. Pikërisht ky imazh na shfaq një shpirtërim rinor të personazhit, që aq bukur di ti interpretojë Yllka.

Përmbajtja emocionale e vargut është e fortë dhe tërheqëse, dhe krijon një imazh poetik i një gruaje që është në kontakt me ndjenjat e saj të thella dhe shpreh trishtimin e saj nëpërmjet performancës së saj në skenë, pra me një grua që e njeh shumë mirë veten e saj. Poetikisht ajo shfaqet si një gjethe e lagur që është "dehur" nga një shi hyjnor dhe është transformuar në një person tjetër, në një adoloshente çapkëne, një bijë e vetvetes, në një vajzë tepër të re, siç do të kishte ëndërruar Proust.

II- Poezia është e organizuar me vargje të ndryshme në një rrjedhje lineare, të pandarë me strofa, pa një strukturë të rregullt apo skemë rimash të përcaktuara. Autori përdor një stil poetik të lirë, duke shprehur ndjenjat dhe imazhet në mënyrë intuitive dhe emocionale, madje duhet të themi se pikerisht këtu qëndron sekreti i muzikalitetit dhe finesës së poezisë, ai duket sikur e ka kënduar poezinë para se ta ketë shkruar.

Poezia përdor imazhe të fuqishme për të krijuar një atmosferë vizuale dhe emocionale, përmendet skena teatrale në teatrin "Metropol" dhe imazhe si Gene Kelly që kërcen me një çadër nën shi, shiu magjik, vjeshta e trishtë, gjethe e lagur, dhe vajza e re ("jeune fille en fleur").

Metafora "nuk di në cilin shesh, në cilën natë" tregon ndarjen midis realitetit dhe imazhit të aktorjes, si në një shesh teatri ku mund të ndodhin ngjarje të papritura, të cilat çuditërsiht nuk na shqetësojnë.

Simboli "shi magjik"  paraqitet si një simbol i magjisë dhe emocioneve të fshehura që shkakton performanca e aktorjes ndërsa aluzioni:"si një jeune fille en fleur që Proust kish ëndërruar" - i referohet vajzës së re të freskët, duke shfaqur ndjesinë e pasurisë së brendshme shpirtërore dhe imazhit që shfaq aktorja Yllka Mujo.

Mesazhi kryesor i poezisë është fuqia e artit teatral për të krijuar emocione të thella dhe të përkohshme. Performanca e aktorjes nën shi paraqitet si një moment magjik që i bën shikuesit të ndjehen të lumtur dhe të mahnitur. Poezia shpreh admirimin për talentin dhe aftësinë e aktorëve për të shkaktuar ndjenja të jashtëzakonshme nëpërmjet artit të tyre.

Vargjet në poezinë "Të këndosh nën shi" nuk janë të ndara dhe nuk ndjekin një skemë të rregullt të rimave, madje edhe ritmin nuk e kanë të njejtë. Ky stil poetik i lirë jep autorit lirinë për të shprehur ndjenjat dhe imazhet në mënyrë emocionale dhe intuitive, madje edhe me një varg të vetëm.

Fjalët në poezi janë të mrekullueshme dhe shpesh të ngjashme me objekte natyrore, emocione dhe imazhe vizuale. Përdorimi i fjalëve të tillë krijon një atmosferë të pasur dhe të ndjenjave të thella që i bëjnë lexuesit të lidhet me poezinë.

Gjuha në këtë poezi është e imazheve dhe emocionale, autori përdor fjalë dhe fraza që evokojnë ndjesi dhe vizualizime të ndryshme psh, shprehjet si "shi magjik", "vjeshta e saj gri me rininë e kolme", dhe "gjethe e lagur" krijojnë një imazh poetik dhe shprehin emocionet dhe gjendjen e aktores në mënyrë të thellë.

Gjuha poetike e pasur me figura letrare si metafora, simbole dhe personi-fikime shton dimensionin artistik dhe emocional të poezisë. Për shembull, metafora "kërcen vjeshtën e saj gri me rininë e kolme" përdor vjeshtën si një simbol të moshës së trishtë dhe aktorja shfaqet si një çupkë e re dhe e freskët.

Përdorimi i gjuhës poetike dhe figurave artistike krijon një atmosferë magjike dhe përcjell emocionet dhe imazhet e aktorjes në mënyrë tërheqëse dhe thellësisht të ndjeshme, duke theksuar ndikimin e artit teatral dhe shpreh ndjenjat dhe mahnitjen që ajo sjell tek shikuesi.

Rileximi i kësaj poezie  ju siguroj unë që do tju japë një kënaqësi që rrallë të vjen në jetë dhe mos kini ndroje dhe turp, këndoni dhe ju këngën "Singin' in the Rain" dhe sidomos vargun"What a glorious feeling, I’m happy again..." ("Ç'ndjenjë e lavdishme, unë jam përsëri i lumtur...").

 

Sarandë, më qershor  2023

 

 

 



[1] Gene Kelly është një aktor, koreograf, regjisor dhe këngëtar i njohur amerikan, i lindur më 23 gusht 1912 dhe ndarë nga jeta më 2 shkurt 1996. Ai njihet si një nga figurat më të shquara në historinë e filmit muzikor. Ai revolucionarizoi zhanrin e filmit muzikor duke sjellë një “atletizëm” dhe energji unike në performancat e tij. Sekuencat e tij të famshme të kërcimit, të karakterizuara nga aftësitë e tij atletike, finesa dhe prezencë karizmatike, kanë lënë një ndikim të pashlyeshëm në botën e artit.

Një prej filmave më të famshëm të Kelly është "Singin' in the Rain" (1952), në të cilin ai jo vetëm që luajti rolin kryesor, por gjithashtu ishte bashkë-regjisor dhe koreograf. Ky film shpesh konsiderohet si një nga muzikalet më të mëdha të të gjitha kohërave dhe tregon shkathtësitë e jashtëzakonshme të Kelly si aktor. Performanca e tij e bërë në këngën  "Singin' in the Rain",ku ai këndon dhe kërcen, është bërë moment kult në kinematografi.

Monday 5 June 2023

 

FATI I POETIT ODISE  KOTE

 

Nga Timo Mërkuri

 

Odise Kote  tashmë nuk është më një poet e shkrimtar me një talent të spikatur që krijon vepra të dëshiruara dhe të kërkuara nga lexuesi, Odise Kote tashmë është më shumë se kaqë, ai është një fenomen letrar që të befason dhe mahnit me veprat që shkruan, me mënyrën si i shkruan, me thellësinë e mendimeve dhe bukurinë gati mistike e që kanë shkrimet e tij. Gati çdo poezi apo prozë e tij së pari të huton, të turbullon me formën, përmbajtjen, fjalën e përdorur dhe  peshën e saj madje dhe me gdhendjen  e vendosjen e saj në varg, si gurët në një mozaik kalldrëmi, duke qënë njëkohësisht një arritje.

Sigurisht që i lexon krijimet e tij, i rilexon për së dyti e për së treti, sepse ato kanë aftësinë jo vetëm të të mahnisin në zhbirimin  e misterit të tyre, por të të tërheqin brenda misterit dhe të të mbajnë rob gjer sa të zbërthesh atë gjer në imtësi, për t'a ndjerë  në tërësinë e tij.Vektorët e ngjitjes së krijimeve të tij u ngjajnë akrepave të orës kur lëvizim në gjysmën e majtë të fushës së sahatit, ku akrepi i vogël që tregon orën përfaqson prozën dhe akrepi i gjatë i minutave tregon poezinë, të dy në një ngjitje drjet orës dymbëdhjetë, ku poezia ka një ngjitje më të shpejtë ndërsa proza e ka më të stabilizuar. Mjafton të lexosh prozën e tij që kulmon me romanin “Amerikani”, mjafton të lexosh poezinë e tij pas vëllimit “Pengje të gurëve” (që është një kuotë e epërme poetike) për ta parë dhe pranuar ngjitjen e nivelit artistik dhe veçantinë e stilit të tij poetik.

Poezia e Odise Kotes rrjedh si një lumë plot "mister",  nga ai lloj misteri që lexuesi ka dëshirë ta zbulojë, ndaj nis e ecën  nëpër rrjedhën e tij si një gjeograf në brendësinë e pyllit tropikal ku rrjedh ky lumë, për të gjetur burimin e tij.

Poezinë e Odise Kotes një lexues sipërfaqsor, kalimtar, soditës vargjesh e rimash më mirë mos ta lexojë fare, mos të nisë udhëtimin nëpër rrjedhën e tij se do përballet me shumë të papritura, të cilat do ta hutojnë më tepër. Poezia e Odise Kotes nuk është shkruar për çdo lexues, ajo është poezi për elitën intelektuale. “Disa njerëz e ndjejnë shiun, të tjerët veç lagen“ ka thënë Dilan.

Mora shkas nga leximi i poezisë së tij “Je fati im”për të shkruar këto rradhë, pse s’dua të tregohem tepër entusiazt, por s’mund të mos jem objektiv për arritjet e tij. Për këtë poezi mund të ulesha dhe të bëja analizën e saj, të fjalëve dhe gjuhës së vargjeve, të strukturës së saj poetike dhe do ishte e lehtë për mua, thua se do isha një ciceron që ju tregoj eksponantet e një muzeumi, shkëlqimin dhe bukurinë e tyre, por poezia asnjëherë nuk është ngurtësuar si një eksponant muzeumi dhe ca më tepër poezia e Odise Kotes e cila është një frymë që i pëshpëritet plot shpirtërimë mikes, bashkëshortes, të dashurës në çastet e praggjumit, butësisht, si ti spërkaste me vesë ëndërrat në prag lulimi.

Këtë herë do flas për tjetër gjë, do  flas për forcën, ëmbëlsinë dhe universalitetin e disa vargjeve të tij, që kanë vlerën e thënive lapidare për dashurinë, të cilat do citohen si referenca nëpër libra e studime, do citohen si thënie nëpër biseda ,do gdhënden në kujtesë si shprehje në një stil të kondensuar dhe të thellë, si pjesë integrale e dashurive. Lexoni me kujdes:

“Dashuria është ajo që e bën jetën tënde të jetë jeta ime."

"Ndarja fizike shndërrohet në pikë takimi të shpirtit."

"Ti je udhëtari im i shpresës dhe agimit."

"Për mua, ti je e gjitha. Ti je bota ime e bukur dhe e vërteta ime."

"Dashuria jonë shpërndan dritën e hënës dhe tingëllimin e diellit."

Këto shprehje do mirren në të ardhmen nga kjo poezi siç shkulen masivët e mermertë nga malet për të ngritur statuja e monumente nëpër parqet e qyteteve. Merrni dhe ju një varg me vete, veçse dijeni, vargjet nuk janë copa mermeri, ato janë pjesë pranvere që do t'ju pranverojë jetën dhe dashurinë tuaj.

 

Sarandë, më  qershor 2023