Thursday 28 December 2023

 

Timo Mërkuri

 

PRITJA E NATASHA LAKOS

 

 

 

I-Qysh në leximin e titullit të poezisë së Natasha Lakos “Të presim dhe pak” normalisht  duhej të më vinte ndërmend ndonjë këngë e viseve të mia, psh. kënga “Të prita mike pse s’erdhe”, por s’di pse  qysh në vargjet e para të saj ndjeva një qasje me dramën "Duke pritur Godonë" të Samuel Beckett, pavarësisht se ajo është një vepër e ndryshme në formë dhe kontekst me këtë poezi, por që të dyja kanë disa pika ku ndjehet një lidhje jo sipërfaqsore dhe konkretisht:

Te të dy këto vepra egziston tema e pritjes, ku në poezinë e Lakos pritja është para një dere të mbyllur, ndërkohë që në dramën e Beckett, personazhet presin një person të quajtur Godot, që gjithsesi ai nuk shfaqet. Është pikërisht  ankthi i pritjes së pafundme që shkakton në të dy veprat tension dhe ndjenja të përziera. Si në poezinë e Lakos dhe në dramën e Beckett, tensioni, ankthi dhe padurimi janë pjesë rrjedhore e pritjes dhe lexuesit përjetojnë këto emocione në mënyrë të ngjashme nëpërmjet personazheve të vargjeve dhe skenave.

E përbashkët është gjithashtu se: as në poezinë e Lakos, as në dramën e Beckett pritja nuk ka një përfundim të qartë, ajo qëndron në një tension të vazhdueshëm, duke mos dhënë madje as dhe arsyen për situatën që krijon.

Në këtë kontekst shprehemi se: mes dy veprave ekziston një ngjashmëri, si  në përvojën e pritjes ashtu dhe në emocionet që ajo sjell në veprat e tyre respektive.

Poezia “Të presim dhe pak” e Natasha Lako shfaq një pritje të gjatë, një  ankth emocional  lidhur me këtë pritje për diçka apo dikë, ku, poetja përmes imazheve metaforike e shfaq atë (pritjen) si një proces që sjell emocione të forta dhe tension, thua se vetë pritja është diçka e gjallë.

Pritja në këtë poezi  pshfaqet si një gjendje  ndjeshmërie, plot me emocione të ndryshme që nisin si pasurim dhe adhurim, vazhdojnë si ankthe pasiguri dhe përfundojnë si pakënaqësi dhe revoltë. Është një pritje ku nuk shfaqet personi që pritet apo fenomeni, që pavarësisht se ngjall emocione të forta, nuk jep përgjigje të shpejta apo të qarta, duke e bërë këtë gjendje të misterëshme për lexuesin dhe për pasojë tepër intigruese. Përdorimi i elementëve si “të presim edhe pak përpara derës së mbyllur”, “si shiu që s’lag aty ku ka ikur” dhe “të qenë të marrë/më të heshtur se gjaku” shpalos  emocione të padurimit, të mosnjohjes dhe më pas të pakënaqësisë dhe revoltës. Diçka na sjell ndërmend kjo situatë pritjeje, por le ta analizojmë në vazhdimësi.

II-Le të shohim ndryshimin e gjendjes së pritjes sipas distikëve poetikë ku:

1. Në distikun e parë: "Të presim edhe pak përpara derës së mbyllur/Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt." vargjet shprehin një ndjenjë padurimi dhe një lloj ankthi për të parë, ditur apo për të pritur diçka që është fshehur apo dikë, që nuk ka ardhur akoma me gjithë pritjen e tyre të gjatë (Të presim edhe pak,…akoma) duke shpresuar te diçka pozitive për ata.  Vargu "Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt" sugjeron një afërsi me atë që pritet të vijë ose që është fshehur prej dikujt. Ndonëse pritja është besimplote, afërsia e vogël shfaq ndjenjën e pafuqisë të atyre që presin për të arritur apo për të takuar perssonin që presin, apo për të kuptuar gjendjen reale të ndodhisë a fenomenit.

2. Distiku i dytë, nëpërmjet vargjeve: "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur."shfaq një ndjenjë të vendosmërie në pritje, për arsye se po u larguan, nuk u vjen më në  jetë një rast i tillë. "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur" shfaq pritjen aktive,  që mund të përfaqësojë ndjenjën e të qenit të përfshirë dhe të gatshëm për të pritur dikë me të gjithë qënien e tyre, pasi aim und të mos vijë më "Si shiu që s’lag aty ku ka ikur" duke shprehur një ndjenjë  ndarjeje, nga dikush apo diçka që ka lënë gjurmë tek ataa që presin me fjalët, mesazhet, pogramet, premtimet plot shpresë që ka dhënë. Në këto vargje, pritja është e shprehur si një proces i lidhur me emocione të forta dhe të përfshira, ndërsa të qenit në pritje për dikë që nuk është prezent ka shkaktuar ndjesi të ndarjes e të padurimit për ta takuar.

3. Te distiku i tretë me vargjet: "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë/Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët” kemi nisjen e një ndjenje në rritje të padurimit dhe tensionit, që ka krijuar nervozizmin te personi/at që pret. "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë" tregon se kemi një rritje të tensionit që, si rezultat, ka krijuar një ndjesi e pafuqisë për të duruar a pritur më tej,. "Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët" shfaq situatën ku ky nervozizëm dhe tension në pritje po sjellë një lloj konflikti ose ndjenja të pakëndshme mes personave që presin. Kjo interpretohet si një reagim emocional i personave nën presion, duke shkaktuar ndjenja dhe reagime të padëshirueshme mes atyre që presin bashkë, të cilët duhet të kishin një farë lidhjeje mes tyre, së paku në motivin e pritjes.

4.Distiku i katërt:”Në një ritëm më pak, si kraharorit një brinjë/Të presim dhe pak të dëgjojmë ç’do të vijë.” përcjell ndjenjën e një përmbajtjeje dhe të vëmendjes së shtuar në pritje. Krahasimi me një brinjë më pak në kraharor sugjeron një goditje që ka marrë njeriu në brinjë, ku goditja është procesi i pritjes. Vargu"Të presim edhe pak të dëgjojmë ç’do të vijë" shpreh shpresën e fundit për mbritjen e atij që pritet.

5-Te distiku i pestë me vargjet: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë/Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë." shprehin  ndjenjën e zemërimit dhe tensionit të shpirtëror që ata e shprehin me një tis ironie: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë" ndërsa vargu:"Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë" është një thirrje në kulmin e zemërimit që një person e shpreh publikisht me qëllim që të ngjallë reagim zemërimi te të pranishmit e tjerë, duke i prekur në ndjenjat morale.

6.Te vargjet e distikut të gjashtë: "Kishim moshën që kishim, të vërtitemi përqark /Ne të dy çfarë ishim, le të presim edhe pak." shfaqet një moment reflektimi nëpërmjet nostalgjisë për të kaluarën (Kishim moshën që kishim) dhe përvojat e mëparshme. Ky distik është si një shikim apo kthim prapa në kohë, ku autorja flet për një periudhë të kaluar të përbashkët, e cila duket të ketë qenë miqësore duke shfaqur idenë se e shkuara (kujtimi i saj) mund të shërbejë, si një mënyrë për të mbijetuar pritjen aktuale.

7. Distiku i shtatë, nëpërmjet vargjeve: "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më/Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg." shpreh lindjen distancimit mes njerëzve që presin, pse humbet motivi dhe shpresa e veprimit të tyre. Vargu "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më" duhet të shihet  lidhur me vargun "Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg" për të kuptuar pasojat e kësaj pritjeje të gjatë, distancimin, ndarjen e tyre nga njeri tjetri në mos edhe armiqësinë e ardhëshme.  

8.Vargu i tetë: "Cili je ti që për mua s’ke zë?" ka formën e një pyetjeje retorike , e cila nuk kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë nga dikush, por është më shumë një klithmë e brendshme e revoltës së personave që prisnin, por gjithsesi e shprehur në aspektin shpërfillës psh.: Kush je ti more, që do të më pengosh? Në këtë rast, pyetja "Cili je ti që për mua s’ke zë?" është forma e shprehur e revoltës e personit që e bën pyetjen,

E parë në këtë aspekt, poezia“Të presim dhe pak” e poetes Natasha Lako  shfaq një udhëkryq emocional ku pritja evulon në gjëndjen e saj, nga një gjëndje e ngrohtë dhe miqësore , shpresë e besim në nisje, por me kalimin e kohës, mosrealizimi i saj nis e shfaq ndjenjën e mungesës së vlerësimit dhe të moskuptimit të ndjenjave të pritësve nga ana e atij që pritet të vijë,duke krijuar te pritësi  zemërim dhe revoltë. Pra, poezia shfaq një transformim ndjenjash nga një pritje pozitive drejt ndjenjave të zemërimit ndaj të njejtit person. Besoj se çdo lexues sshqiptar e ka përjetuar një situatë të tillë “pritjeje” zhgënjyese, e cila ka prodhuar një revoltë shpirtërore tek ai, por unë dua të them se nuk bëhet fjalë vetëm për një pritje tradicionale, miku, shoku, eprori apo udhëheqësi. Këtë pritje zhgënjyese ne e kemi përjetuar në kohë, por mqse asnjeri, të cilit i patëm besuar  nuk na erdhi në “pritjen” tonë, mqse asnjë kohë e artë që ne e ëndërruam dhe e pritëm  nuk na erdhi, ne nuk duhet të presim “Edhe pak, edhe pak” në të ardhmen, dhe sidomos nuk duhet të presim gjer sa të tjetërsohemi në “balozë” ndaj njeri tjetrit.  Mos vallë duhet ti kujtoj lexuesit rastet kur ne qëndruam shumë vjet në pritje, për ta bindur se tani nuk duhet të presim më.

III-Poezia "Të presim dhe pak" e Natasha Lako si një poezi moderne ka shumë elementë që e bëjnë atë një poezi moderne me tipare metaforike, imazhiste, simbolike, psikologjike dhe filozofike, si rrallë poezi në letërsinë shqipe, duke  ngritur më lart kuotën e poetes. Zakonisht jemi mësuar të lexojmë poezi metaforike, simbolike apo imazhiste, por që të gërshetohen në një poezi tiparet e shumë poezive modern, ca më tepër edhe tiparet psikologjike dhe filozofike unë për veten time e has për herë të parë. Le ti shohim më konkretisht këto elementë:

Tipari  metaforike dhe imazhist në poezi është i dallueshëm qysh te vargjet: "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur." ku metafora e shiut që “nuk lag aty ku ka ikur” përdoret për të shfaqur pritjen e pafund në një mënyrë poetike dhe imazhiste. Vetë metafora krijon një imazh të fuqishëm, duke e paraqitur pritjen në një mënyrë të pazakontë dhe të ngjashme me natyrën.

Tipari simbolik dhe psikologjik shfaqet psh. te vargjet: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë/Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë." ku kjo frazë mund të interpretohet si një simbol i pritjes së pafund dhe ndjenjës së të qenit të përfshirë në këtë pritje në një nivel shpirtëror ose psikologjik. Përdorimi i simbolikës së heshtjes së gjakut ose qënies i përdal shpreh një tension të thellë të pritjes dhe përballjes së padurueshme me këtë gjendje, e cila është në vetvete një dukuri psikologjike.

Tipari filozofik haset te vargjet: "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më/Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg"pse shpalos një vazhdimësi të pafund të pritjes dhe ndjenjës së distancimit nga anjeri tjetri. Ajo në këto vargje shpreh një dilemë filozofike rreth pritjes së pafund dhe konceptit të prisjes së diçkaje që mund të mos arrijë kurrë.

Këto elemente e bëjnë poezinë e Lakos të pasur dhe të bukur, pse përdorin metaforat, simbolet, dhe imazhet për të shprehur ndjenjat, gjendjet, dhe dilemat që vijnë me pritjen dhe të ardhmen. Është kombinimi mjeshtëror i tyre që e bën këtë poezi një përvojë të pasur poetike dhe shpirtërore, por që njëkohësisht paraqesin talentin e epërm të poetes, e cila mjeshtërisht ka realizuar këtë kombinim tiparesh poetike, pa penguar dukjen (shfaqjen) e secilit në mënyrë të veçantë.

IV- Nuk janë vetëm metaforat dhe simbolikat që cituam më sipër, poezia "Të presim dhe pak" e poetes Lako ka figura të ndryshme artistike për të shfaqur pritjen dhe emocionet që shoqërojnë këtë proces dhe ajo që është më e rëndësishme është fakti se këto figura artistike nuk janë shtesa poetike, por janë element jetikë të modernitetit poetik të autores, të cilët ndikojnë si në idenë e poezisë ashtu dhe në evidentimin e tiparit modern të poezisë sipas distikut ku janë përdorur. Në këtë aspekt, në ndikimin e këtyre figura-ve te natyra e poezisë le të analizojmë disa prej tyre:

Metafora:"Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur." ndërsa shpreh një pritje të gjatë, mban gjallë dhe shpresën për realizimin e shpejtë të takimit dhe synon shmangien e largimit nga pritja, me nënkuptimin e humbjes së shpresës, si një shans që nuk vjen më në dorë: “Si shiu që s’lag aty ku ka ikur”. Pra kjo metaforë që synon mbajtjen gjallë të shpresës, por ndërkohë krijon dhe një imazh të fuqishëm për lexuesin që përjeton edhe ai pritjen e pafund dhe kapet pas një fije (vargu)shprese.

Imazhi:"Të presim edhe pak përpara derës së mbyllur/Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt." shfaq një pritje të afërt (para derës së mbyllur) dhe u jep besim e shpresë atyre që presin (dhe lexuesit) për një arritje plot shpresë.

Ndërkohë simboli i kohës së shkuar:"Kishim moshën që kishim, të vërtitemi përqark/Ne të dy çfarë ishim, le të presim edhe pak."dhe kthimi prapa për të qenë atje sërish shfaq një nostaligji për të shkuarën (rininë?) dhe keqardhje për moshën(kohën) e shkuar, që nuk i ndihmon dot në këtë pritje të gjatë dhe të lodhëshme. Këto figura artistike përdoren për të theksuar emocionet, dilemat dhe ndjenjat e tensionit që shoqërojnë pritjen në poezinë e Natasha Lako. Ato gjithashtu krijojnë dhe imazhe të forta e koncepte të thella që bëjnë  lexuesin të ndiejë thellësisht emocionet dhe dilemat që karakterizojnë pritjen e pafund në këtë poezi.

Similimi (figurë letrare që përdoret për të krahasuar dy gjëra të ndryshme në një mënyrë të përbashkët ose të ngjashme për të përforcuar një ide apo për të bërë një koncept më të kuptueshëm): "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë/Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët." i pritjes duke u krahasuar me një gjendje të ngjashme me nervozizmin dhe tensionin e balozëve krijon një imazh të ngjashmërisë midis dy situatave. Ky similim sjell në vëmendje ndjenjën e frustrimit (një ndjenjë kur pritjet ose synimet nuk përputhen me realitetin, duke shkaktuar te pritësi ankth, zhgënjim e tension emocional) që shoqërojnë pritjen e gjatë dhe të padurueshme.

Edhe personifikimi:"Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë."shfaq heshtjen si diçka që mund të jetë si gjaku  krijon një imazh të fuqishëm të një heshtjeje thellësisht të ndjeshme dhe të pazakontë, duke e personifikuar atë dhe duke e bërë të përjetohet si një gjendje ndjesore.

Ajo që duhet të shprehim është fakti se këto figurat artistike, si metafora, imazhi, simboli, similimi, personifikimi dhe të tjera, jo vetëm që kanë një ndikim thelbësor në idenë dhe tiparet e poezisë, por ato së pari janë vetë pjesë organike e poezisë dhe idesë së saj. Ato ndihmojnë në shprehjen e ideve në mënyra të ndryshme e të thella, përmes tyre, autoria arrin të transmetojë emocione, mendime dhe ndjenja në mënyrë të pazakontë dhe poetike. Për shembull, përdorimi i metaforave për pritjen e pafund në poezinë e Natasha Lako e bën këtë idé të përjetohet si një proces i panjohur, i ngarkuar me emocione dhe tension.

Figurat artistike të Natasha Lakos e pasurojnë poezinë duke e bërë atë më të thellë, më imazhine, dhe më të pasur me kuptime të thella, ndërkohë ato japin liri për interpretim dhe shpërndajnë përvojën poetike në mënyra të ndryshme për lexuesin. Për shembull, imazhet e krijuara përmes metaforave dhe simboleve në poezinë "Të presim dhe pak" kontribuojnë në krijimin e një atmosfere emocionale dhe poetike, duke e bërë atë më të pasur në kuptime dhe thellësi.

Këto mjete artistike formojnë një atmosfhere që shpesh rrit ndjenjën e pritjes, tensionit, mospërfilljes, apo të emocioneve të tjera që autoria ka synuar të shprehë, duke ndihmuar  në shfaqjen e tyre në një mënyrë të hollësishme dhe të thellë, duke e bërë poezinë të shprehë fuqishëm emocionet dhe gjendjet që autori dëshiron të transmetojë.

Përdorimi i figurave artistike në poezi ndikon në shprehjen e idesë kryesore dhe në krijimin e një përvoje poetike të pasur dhe të ngjashme me realitetin, duke e bërë poezinë të përjetohet më thellësisht nga lexuesi. Ato shpesh shpërfaqin thellësinë e ndjenjave, ideve dhe emocioneve në një mënyrë që ftojnë në reflektim dhe interpretim të hollësishëm.

V- Natasha Lako në poezinë "Të presim dhe pak" sjell disa risi poetike që dalin në pah në kontekstin e poezisë shqiptare:

Natasha Lako  shfaq një ekspresion të ndjenjave në mënyrë abstrakte dhe universale si pak poetë shqiptarë. Shprehja e ndjenjave në mënyrë abstrakte dhe universale është një proces i paraqitjes së emocioneve në një mënyrë që ka kuptim për njerëz të shumtë, pavarësisht nga kultura, gjuha apo përvoja individuale. Kjo mënyrë e shprehjes së ndjenjave ka tendencën për të përdorur simbole, imazhe, apo elemente të përgjithshme që të komunikojnë një mesazh emocional në një nivel më të gjerë dhe më të përgjithshëm.

Për të kuptuar këtë lloj shprehjeje, ka rëndësi të përdorim simbole apo forma artistike që kanë një prani të përgjithshme dhe që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme nga njerëzit. Poetët dhe artistët që shprehin emocionet nëpërmjet poezisë, muzikës, apo artit vizual shpesh përdorin gjuhë të përgjithshme që prekin në ndjenjat bazë të njerëzve. Për shembull, një poezi që shfaq nostalgjinë për një vend të humbur ose një melankoli mund të ndezë ndjenja të ngjashme te lexuesit pa marrë parasysh përvojat e tyre individuale.

Natasha Lako përdor një gjuhë poetike që lejon interpretimin e gjerë të ndjenjave dhe situatave emocionale, duke përforcuar ndjenjën e përjetimit të pritjes së pafund në një mënyrë që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke i dhënë mundësinë për t’u identifikuar me përvojën e shprehur. Në poezinë shqipe kjo risi është defiçitare.

Poezia e Lakos ka një lirizëm të shpërndarë, nuk ka një strukturë të rregullt apo një këndvështrim të konsoliduar. Ajo shpërndan lirizmin mes një vargimi të lirë dhe këndvështrimeve dhe më të lira, duke sjellë një ndjenjë eksperimentimi poetik dhe liri në shprehje.

Natasha Lako kombinon ndjenjat dhe mendimet në një mënyrë komplekse, duke reflektuar një larmi emocionesh e mendimesh që lidhen me pritjen, nostalgjinë, frustrimin dhe mosdijen, kompleksitet  që sjell një thellësi të veçantë në poezi dhe e bën atë të jetë më shumë se thjesht një përshkrim i një situate, por një reflektim më i thellë mbi perceptimin dhe përvojën njerëzore.

Poetja Lako përdor imazhe dhe metafora që lidhen më shumë me kontekstin modern të poezisë dhe përjetimet bashkëkohore, duke u fokusuar në përvojat dhe emocionet e përditshme në një mënyrë që ka një lidhje të fortë me lexuesin aktual.

Këto elemente e bëjnë poezinë të shprehet si  risi në mënyrën sesi ekspresohet , si përdoren figurat letrare, si i lidh emocionet me lexuesin, dhe si e shfaqet pritja dhe ndjenjat në një kontekst që reflekton realitetin dhe përvojat e kohës së sotme. Ato e bëjnë këtë poezi një shtrirje dhe eksperimentim i lirë i shprehjes poetike, i lidhur ngushtë me emocionet dhe realitetin bashkëkohor. Aritja e tyre e shndron këtë poezi nga një “bocet” eksperimental apo mësimor (për dikë) në një monument të realizuar mjeshtërisht, të denjë në përfaqsim të artit (poetik) shqiptar.

 

Sarandë, më dhjetor 2023

Saturday 23 December 2023

 

 

Timo Mërkuri

 

APOGJEU SHPIRTËROR I ALBINA IDRIZIT

 

Leximi i poezisë së Albina Idrizit me atë tonalitetin e tij të ulët: si një të folur me vete, si një pëshpërimë lutjeje i ngjan udhëtimit të një besimtari drejt një tempulli të shenjtë, ku ngritja e nivelit poetik pas çdo vargu të krijon idenë e ngjitjes në një të përjetë ku ke mundësinë të zgzjerosh shikimin dhe marrësh ajër të freskët në frymëmarrje, gjë që nënkupton se tempulli është diku lart pa përcaktuar në se është diku lart në mal apo në qiell. Poezitë e saj në përgjithësi dhe metaforat në veçanti kanë diçka tejë tokësore, diçka si shtjellë ajri që shfaq imazhe , të cilat,  edhe kur kanë formën e luleve, nuk kanë aromën e tyre, madje dhe ngjyrën e kanë me nuanca të tjera. Ato më shumë kanë aromën e shpirtit, ngjyrat e ëndrrës, dukjen e shpresës, janë tepër shpirtërore këto poezi të saj, sa që kur i mban në dorë ndjen një ngrohtësi e drithërimë si të një zemre (shpirti) që përpëlitet sa që vjen ti japësh të drejtë me zë të lartë Shams Tibrizit për fjalën e tij: “Ne besojmë se Zoti na sheh nga lart, por e vërteta është se ai na sheh nga brenda”. Ne kërkojmë kuptimshëmrinë e vargut të Idrizit jashtë saj, ndërsa ai vjen nga brenda shpirtit, ku ajo shpesh hyn (ngjitet apo zbret) për të na sjellë vargun e saj poetik.

I-Albina Idrizi ka në natyrën e saj poetike eksplorimin e shpirtit të vetë, eksplorim që shpesh nuk është kuptuar nga lexuesi dhe kritika, madje deri aty sa që poezinë e saj psh. “Unë putha armikun tim” me tipare metaforike dhe psikologjike janë munduar ta lexojnë dhe analizojnë si një poezi realiste, duke ju larguar thelbit të krijimtarisë së saj. Këtu ndoshta ka ndikuar edhe elementi realist në poezinë e saj, i cili në fakt është thjeshtë në funksion të metaforizimit poetik. Kjo dukuri shfaqet më e qartë dukshëm te poezia e saj "Apogje Shpirti", që shfaq karakteristika të thella të eksplorimi të shpirtit të saj.Sërish unë, në letrën e njëzetetretë/të ciklit drunor// edhe atëherë kur shkruaj për ty/jam po unë, në veten e dytë’’ shkruan poetja qysh në krye të poezisë. Te kjo poezi të krijohet përshtypja se poetja po i shkruan një letër dikujt, por në thelb poezia paraqet një rrugëtim të brendshëm të poetes në kërkim të ndjeshmërisë, e thellësisë së shpirtit dhe lidhjen emocionale me procesin e krijimit. Përmes fjalëve dhe imazheve poetike, ajo sjell një përvojë sa të thellë, aq dhe intime që shpërfaq lëvizjet dhe refleksionet e shpirtit të saj. Me sa duket Albina Idrizit vazhdon të shëtisë në botën e saj shpirtërore, si dikur në fëmini, kur e trishtuar nga bota reale, nëpërmjet botës së leximit krijonte botën e saj (shpirtërore) të bukur e të pastër, ashtu siç e donte ajo të ishte në realitet. E parë në këtë kontekst nuk gabohemi po qe se i cilësojmë poezitë si lule apo më saktë copëza të shpirtit të saj

Vargjet e poezisë "Apogje Shpirti" duke shfaqur një udhëtim të brendshëm dhe përshkrim të ndjeshmërisë së thellë të shpirtit,  shprehin refleksionet dhe ndjenjat që shkakton procesi i krijimit dhe lidhja me vetveten e botën përreth. Nëpërmjet metaforave, imazheve dhe simboleve, ajo shfaq bukurinë dhe  thellësinë e përvojave të saj, dhe e bën poezinë si një udhëtim emocional dhe shpirtëror. Kjo poezi përjeton një kërkim të vazhdueshëm shpirtëror dhe lidhjen me atë, dhe në këtë mënyrë mund të shihet si një eksplorim i thellë i ndjenjave, mendimeve dhe identitetit të autores. Lexojini poezitë e Albina Idrit si pjesë e shpirtit të saj dhe ju siguroj unë që do mahniteni nga dritësimi I mazheve poetike.

II-Sigurisht, titulli "Apogje Shpirti" është titull metaforik, i cili përmban në vetvete një imazh të thellë dhe një përcaktim shpirtëror të lartë, duke përdorur dy fjalë për të shprehur diçka më shumë se thjeshtë kuptimi i vetë fjalëve. Përdorimi i "Apogje" si një pikë kulmore ose një nivel më i lartë, bashkë me "Shpirti", thekson një lartësi shpirtërore (tempull lart në mal) ose një moment kulmor të ndjeshmërisë dhe kuptimit të shpirtit.Kjo është arsyeja pse poezia shpesh përdor titujt metaforikë për të sjellë thellësinë dhe kompleksitetin e përvojës së saj. Këtu, "Apogje Shpirti" nënkupton një gjendje shpirtërore mjaft të thellë dhe të lartë, duke inkurajuar lexuesin të zbulojë thellësinë e emocione-ve dhe mendimeve të autores nëpërmjet fjalëve dhe imazheve të poezisë. Titulli në këtë rast shfaq më shumë se sa thjesht një pamje; ai ka një peshë simbolike dhe emocionale të thellë.

Në këtë kontekst, titulli "Apogje Shpirti" mund të përbëjë një shfaqje e kërkimit të autorit për nivelin, kuotën më të lartë të ndjeshmërisë dhe thellësisë së shpirtit të saj për ti prurë në poezi. Mund të jetë një përpjekje për të arritur në pikën më të lartë të një përvoje shpirtërore, një moment kulmor që mund të përshkruajë kërkimin e thellë të kuptimit dhe lidhjes me thellësitë e vetes.

E parë në këtë asspekt, titulli sugjeron një lidhje të thellë emocionale të shpirtit të autores me krijimin e saj, ai shfaq momentin kur shpirti i saj është në krye të kreativitetit dhe ekspresionit të thellë emocional, duke arritur në një pikë kulmore të shprehjes së vete nëpërmjet poezisë.

III-Poezia "Apogje Shpirti" e Albina Idrizit është një krijim poetik që eksploron identitetin, lidhjet dhe fuqinë e fjalës në krijimin e lidhjeve emocionale, është  udhëtimi i vazhdueshëm i krijuesit në botën e brendshme shpirtërore, duke e bërë këtë proces një pjesë thelbësore të shpirtit dhe zhvillimit personal. Kjo është e dukëshme edhe te fakti se poezia ka një sfond të thellë emocional dhe shpirtëror,  ku duke ndjekur  udhëtimin e shpirtëror, shpreh përpjekjet për të komunikuar dhe për të kuptuar lidhjet që krijon me veten, me të tjerët dhe me botën që e rrethon.

Në këtë poezi, autoria shfaq një proces krijimi, ku shkrimi i vetvetes dhe për tjetrin shihet si një udhëtim (i vazhdueshëm) i gjetjes së identitetit. Vargjet përmendin një lloj lidhjeje mes poetit dhe lexuesit, një lidhje që krijon një përvojë të përbashkët, duke e lënë lexuesin të ndjehet i përfaqësuar dhe i përfshirë në këtë proces. Po ashtu poezia shpreh edhe një llojë melankolie në lidhje me fatin dhe kohën, ku shprehet ndjenja e humbjes në labirinthin e kohës dhe përpjekjet për të kuptuar një sërë çështjesh të thella filozofike dhe shpirtërore.

Nëpërmjet imazheve dhe metaforave, autoria vazhdon të shfaqë udhëtimin e saj nëpër fjalë dhe mendime, duke e përdorur poezinë si mjet për të arritur thelbin e shpirtit dhe për të komunikuar me lexuesin në një nivel më të thellë. Kjo lidhje midis poetes dhe lexuesit ka një rëndësi të veçantë, siç tregon përdorimi i fjalëve "Ti më lexon/ në qoshen tënde të jetës për një çast, qoftë vetëm për një çast, pa u ndjerë vetëm."

Thamë se krijimi poetik paraqitet si një udhëtim shpirtëror, si një kërkim për të plotësuar boshllëkun dhe për të arritur në thellësi të shpirtit të vet dhe të tjetrit gjë të cilën poetja e shpreh te vargu: "Sërish unë, vij rrokafundit" ku sugjeron vazhdimin e këtij udhëtimi, duke reflektuar mbi natyrën e krijimit dhe zhvillimin personal. Nuk është e lehtë të bësh një udhëtim të tillë shpirtëror, për të sjellë atë që dëshiron. Orfeu hyri në Had por nuk e pruri dot në botën e të gjallëve Euridiçen, ndërsa Albina hyn në Had e në parajsë dhe na sjell gjithmon poezi shpirti.

IV-Poezia "Apogje Shpirti" e Albina Idrizit shfaq një përmbajtje thelbësore psikologjike që lidhet ngushtë me përvojën e krijimit, identitetin dhe lidhjen emocionale me tjetrin.

Në këtë poezi, autoria paraqet një proces të përsëritur krijimit, duke përdorur fjali si "Sërish unë, në letrën e njëzetetretë të ciklit drunor" që sugjeron një reflektim të vazhdueshëm mbi vetveten dhe krijimin, ndërkohë që përdorimi i termave si "kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit" shprehin gjetjen e një lirie shpirtërore nëpërmjet këtij proces krijimi. Në këtë kontekst, poezia reflekton nevojën e krijuesit për të komunikuar e për të ndarë eksperiencën e tij. Vargu: "Ti më lexon/ në qoshen tënde të jetës/ për një cast/ qoftë vetëm për një çast,/pa u ndjerë vetëm." shpreh nevojën për të njohur, për tu njohur, për të kuptuar dhe për tu kuptuar nga tjetri. “Të gjithë kemi nevojë që dikush të na shohë” thotë Kundera, por poetët janë si të dashuruarit, kërkojnë që t’i shohin reciprokisht gjithmon lexuesit, shtojmë ne.

Sqaruam  se poezia sugjeron një udhëtim të brendshëm të vazhdueshëm, siç tregon përdorimi i vargjeve "Sërish unë, vij rrokafundit/ me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori/mbi gjethen e mbrame që përtoket,/ dhe shikoj/si të kanë sjellë sot tek unë/duart e mia",  që lidhet me zhvillimin personal dhe përpjekjet për të kuptuar veten në një nivel më të thellë. Pra poezia reflekton një nevojë të thellë për të kuptuar veten dhe për tu lidhur me të tjerët në  nivel më të thellë emocional dhe shpirtëror. Shprehja poetike trajton psikologjikisht udhëtimin e vazhdueshëm të një shpirti në kërkim të identitetit dhe vetëkuptimit.

Vlen të shprehim se përdorimi i fjalëve si "Sërish unë" dhe "duke shkruar veten për të kushedi të satën herë" tregon  në aspektin psikologjik një përpjekje të vazhdueshme për të kuptuar veten dhe lidhjen me krijimin e vet, ndërkohë, poezia flet për nevojën për komunikim dhe lidhjen me tjetrin, ku përdorimi i frazave si "Ti më lexon në qoshen tënde të jetës" shpreh nevojën për të qenë të kuptuar dhe të lidhur emocionalisht me lexuesin ose tjetrin.

Vargjet shfaqin psikologjikisht një udhëtim shpirtëror, ku poetja po vazhdon rrugëtimin për të arritur në thellësi të shpirtit (të saj apo të lexuesit).  Vargu"Vij rrokafundit" dhe përdorimi i fjalëve "kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit" tregojnë  këtë eksperiencë të brendshme të zhvillimit personal dhe shpirtëror.

Poezia reflekton mbi perceptimin e kohës dhe fatit në kontekstin e udhëtimit të jetës. Përdorimi i fjalëve "fati është një shaka kozmike për të humburit e fillit në labirinthin e kohës" tregon për një ndjesi të paimagjinueshme të kohës dhe fatit që influencojnë jetën dhe eksperiencën tonë.

Pra shohim se aspekti psikologjik i poezisë shfaqet në një sërë elementësh, gjë që dikton mendimin se poezia mund të cilësohet si kombinim i elementeve metaforike e psikologjike. Nëpërmjet përdorimit të metaforave dhe simboleve, ajo shfaq lirinë krijuese dhe shprehjen e thellësisë emocionale, por në të njëjtën kohë, shprehja e ndjenjave personale dhe refleksioni i thellë mbi procesin e krijimit dhe lidhjen me lexuesin e bëjnë atë një poezi me karakter psikologjik të theksuar.

Metaforat dhe imazhet e përdorura shfaqin ndjenjat dhe eksperiencën e krijuesit në mënyrë simbolike, ndërsa analiza psikologjike e ndjeshmëria e shprehur shfaq përvojën personale, duke e bërë atë një vepër që reflekton thelbin e mendimeve, ndjenjave dhe emocioneve të autorit. Kombinimi i këtyre  elementeve jep përmasa të thella dhe të pasura poetike, duke e bërë poezinë të cilësuar si një krijim me kolorit dhe thellësi të veçantë.

V- Mqse erdhëm te metaforat dhe figurat artistike, duhet të themi se kjo poezi ka një veçanti që shfaqet në përdorimin e dyfaqshëm të figurave artistike dhe konkretisht:

Në poezinë "Apogje Shpirti" metaforat  ndihmojnë në shprehjen e një udhëtimi të brendshëm dhe të thellësisë së emocioneve, si psh te vargjet:Sërish unë, vij rrokafundit/me një nënshkrim të kuqërremtë nëntori/mbi gjethen e mbrame që përtoket,/kur ndalem e shikoj/si të kanë sjellë sot tek unë/duart e mia”,ku metafora:"Nënshkrimi i kuqërremtë nëntori mbi gjethen e mbrame që përtoket"  shfaq nënshkrimin, firmën e poetes në veprën e saj si moment i rëndësishëm dhe i përfunduar, por metafora "Mbi gjethen e mbrame që përtoket" simbolizon procesin e rritjes dhe zhvillimit të krijimit si një proces që përfshin punën dhe përkushtimin për të arritur në përfundimin e plotë, duke na dhënë dhe një imazh me gjethen që përtoket.

Te vargu: “: "Kanatat e fjalës gjer në apogjeun e shpirtit, ku të takova ty, apo të krijova vetë, nuk e di", metafora "Kanatat e fjalës" paraqet fuqinë e fjalës për të arritur në një nivel të lartë të shpirtit dhe krijimit. Mirëpo "Kanatat e fjalës" shfaqen dhe si një symbol i fuqisë dhe lirisë e fjalës për të shprehur thellësitë e shpirtit dhe për të arritur në një nivel më të thellë shpirtëror në të njtën kohë japin dhe një imazh artistic me sfond objekti.

Te vargu:”"Ec zgjuar me të gjitha shqisat, i atypëratyshëm nëpër çdo shkronjë, pa të kaluar asgjë, pa u ndalur në asnjë, si nëpër tespih lutjesh", metafora “Tespih lutjesh” shpreh procesin e krijimit si një akt të ndërgjegjshëm në çdo detaj, mirëpo "Tespih lutjesh" simbolizon dhe ritmin e përqëndrimin e procesit të krijimit, si një lloj lutjeje me përqëndrim të thellë në fjalë dhe shprehje, ku “Tespih-ët” shfaqen si një imazh objekti.

Siç i pamë më sipër, metaforat e poezisë paraqiten edhe si simbole e imazhe dhe: përforcojnë ndjenjën e përqëndrimit të thellë dhe lidhjes emocionale të autorit me procesin e krijimit, transmetojnë fuqinë e fjalës, përkushtimin dhe rëndësinë e çdo harku në udhëtimin e krijimit artistic, gjithashtu sjellin një ndjenjë të rrugëtimit të vazhdueshëm dhe përpjekjes së përsëritur për të arritur në lartësinë e shpirtit përmes poezisë.

Elementët e  përmendur më sipër si metafora, që  njëkohësisht shfaqen edhe si imazh apo symbol, forcujnë tiparin metaforik të poezisë. Përdorimi i tyre në poezi sjell një ngjashmëri të thellë mes ideve dhe imazheve që janë shfaqur në mënyrë metaforike dhe atyre që mund të shihen si imazhe apo simbole. Kjo përbërje dy-tri funkionale e figurave artistike në poezi shfaq densitetin artistik të saj dhe është produkt i një talenti të madh poetik dhe i një mjeshtërie artistike të arirë që e rendit poeten Idrizi në një qasje me poetë të mëdhenj europianë, që shpesh shfaqin introspektivitetin, ndjeshmërinë, dhe lirinë e shprehjes. Një përafëri e ngjashme e Idrizit mund të dalë me poetë modernë si Rainer Maria Rilke nga Gjermania, Fernando Pessoa nga Portugalia, apo Edith Södergran nga Finlanda ku: Rainer Maria Rilke shquhet për thellësinë e introspektivitetit dhe refleksionit të thellë në shpirtin dhe emocionet e tij, Fernando Pessoa po ashtu ka një qasje të ngjashme në ekspozimin e shpirtit dhe identitetit individual në poezi, duke shfaqur një sens të thellë të introspektivitetit dhe reflektimit mbi shpirtin, ndërsa Edith Södergran, përdor një lirizëm të lirë dhe eksploron ndjenjat dhe refleksionet e saj shpirtërore në poezinë e saj, duke sjellë një emocion të thellë dhe një qasje të thellë të lirës së shprehjes nëpërmjet poezisë.

Albina Idrizi nuk krijon vargje poetike, ajo  shpalos në poezi shpirtin e saj. Jemi ne që duhet të dimë të lexojmë këto poezi, jemi ne që duhet të kuptojmë se “Apogjeu Shpirtëror” i saj është Poezia ashtu si te Ungjilli sipas Gjonit te Fjala është Zoti vetë.

 

Sarandë, më dhjetor 2023

Saturday 16 December 2023

 

Timo Mërkuri

M E A  C U L P A  E  AGIM MATOS

 

I-Shumë është folur e shkruar për poezinë “Mea Culpa” të poetit Agim Mato, shumë herë është ribotuar në organe të ndryshme, por për rëndësinë e krijimit të saj nuk është shprehur askush, pasi realisht askush nuk e dinte që ajo është poezia - simbol e ringritjes së poetit nga heshtja e gjatë tridhjetëvjeçare. Ne lexojmë poezitë e Agim Matos, mrekullohemi nga era e ngrohtë e “Jug”-ës dhe drita e saj, por pak kujtohemi që kjo është drita dhe vala ngrohëse e zjarrit të shpirtit të tij, për të cilat ai dogji si dru vitet më të bukura të jetës. Aroma e poezive të tij është e ëmbël dhe ndjellëse, të cilën nuk e vyshku dot ftohtësia siberiane e soc-realizmit, pavarësisht se ai ka gjalluar në Hadin e kohës, ku Zeusi nuk lejonte as diellin të dërgonte ndonjë rreze për të ngrohur ëndrrat për një shpresë jete të lirë.

Agim Mato në jetën e tij nuk bëri asnjë faj, faji i vetëm që ju rregjistrua për të mbajtur kryqin mbi shpinë ishte atësia e tij, një arsimtar, i cili ndërsa pregatitej të dilte në pension në fundvitet ’40,  befas gdhihet me pranga në duar dhe cilësimin  “armik i popullit” për arsyen e vetme pse dijet e tij ishin më të thella dhe më të gjera se ato të komisarëve që zbritën nga mali.

Agim Mato u dënua pse ishte biri i Atit, faji i të cilit ishte cilësuar në ligjet e kohës, ashtu si Jezu Krishti që u dënua si biri i Atit, dënim që ishte shkruar në disa libra të shenjtë të mëhershëm. Krishti u  dënua dhe u kryqëzua lart, në kodrën e  Golgothasë, Mato u dënua të jetonte poshtë, në Hadin e kohës në natën eklipsore të luftës së klasave. Mato nuk ishte mëkatar, ai ishte një poet, madje ai ishte një poet të cilit as në monizëm nuk ju kritikua asnjë libër, asnjë poezi, asnjë varg dhe kjo, jo pse kishte shkruar poezi të tipit soc-realizmit (nja dy të tilla i përfshiu në librin e tij të parë, si “takse” botimi), por për arsyen se poezitë e tij kishin kaq shumë dritë jete sa që i dritësonte dhe censorët vëngëroshë të kohës.

Megjithatë edhe dielli eklipsohet e jo më një poet i brishtë si Agim Mato. Eklipsi për atë nis me tërheqjen nga qarkullimi të vëllimit të dytë poetik:“Në pragun e shtëpive tona”(1974)  dhe formatohet si ferman me ndalimin dhe dërgimin për tu kthyer në karton vëllimi poetik “Buka e fjalëve” (1986). Qysh nga kjo datë e gjer më 2 gusht 2009 (kur si pasojë e një takimi me Fatmir Terziun, që i  mori një cikël poezish dhe ja publikoi te portali fjalaelirë), Agim Mato nuk publikoi asnjë poezi. Thamë “nuk publikoi”, pse fakti i heqjes të së drejtës së botimit ishte mohimi i të drejtës për të botuar, por jo për të menduar e jetuar me poezinë.  Pas viteve ’90 kishte mundësi botimi, por në atë kohë ai u gjend nën eklipsin e papunësisë, kur  bashkë me gruan mbetën pa asnjë punë, pa asnjë mjet jetese ndërsa kishin dhe tre fëmijë të vegjël për të ritur. Në këtë kohë u përpoq  të siguronte mjetet e jetesës, duke nisur punën me një fotokopje dhe arriti të ngrinte një Shtëpi Botuese (Milosao), duke i krijuar vetes komoditetin e krijimit të poezive që njohim sot, aq origjinale dhe të arira artistikisht, të cilat rikthyen vëmëndjen e botës letrare te emri i tij. Një nga këto krijime është dhe poezia “Mea Culpa” e krijuar në vitin 2011 dhe botuar te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”(2012), madje ky libër nis me këtë poezi të botuar në f.3. si një symbol që u printe krijimeve jashtë eklipsit si kohë dhe si krijime poetike.

Poeti doli jashtë errësirës së eklipsit, por ai gjykon se duhet që ti kërkojë ndjesë poezisë (dhe lexuesve) për atë heshtje të gjatë:pas tridhjetë vjetësh”, ndaj saj. Vetëm pasi të mirrte “faljen” e poezisë ai do të niste rrugën përsëri si një besimtar i lehtësuar drejt tempullit të Zotit për ti blatuar shpirtin e tij. Rrugëtimi për te poezia, faltoria e vetme që poetët nuk e braktisin kurrë është brenda shpirtit të tyre, si një minierë dhe jo i shënuar në harta me sinjalisti-kën rrugore. Ai e kujtonte “si sot” ditën që e (detyruan të) braktisi poezinë sepse : “Kujtesa është një e tashme që nuk mbaron kurrë” (Oktavio Paz), ndaj si besimtarët që shkonin në rrënojat e kishave dhe ndiznin qirinj, luteshin e kërkonin falje për mëkatet që (nuk i kishin kryer ata), kështu dhe poeti zbriti në tempullin e tij duke bëlbëzuar shpirtërisht “Mea Culpa” në vitin 2011, lutje të cilën ne e dëgjuam në vitin 2012 te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”. Të pamësuar me ndjesa të tilla që dilnin nga shpirti, të ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij, ne më shumë na tronditi pesha e fjalës së saj, thënë me një tonalitet shpirtëror, reflektimi ndaj të cilës kërkoi një kohë të gjatë. Nuk është e lehtë të harrohet një ndjesë e sinqertë për një faj të pakryer, ne nuk e kemi kuptuar lehtë kryqëzimin e Krishtit për mëkatet e njerëzve, pranimin prej tij i dënimit dhe faljen e atyre që e dënuan. Jam i bindur që shumë veta nuk e kanë kuptuar këtë poezi të Agim Matos pse nuk e kanë njohur as Agimin dhe as shpirtin e tij.

II- Poezia"Mea Culpa" e Matos shfaq një reflektim të thellë  dhe introspektivë  në lidhje me rrugëtimin e tij në krijimtarinë poetike. Fjala latine "Mea Culpa" do të thotë literalisht "fajin është imi" ose "unë kam faj" në kuptimin “unë kam mëkatuar”, shprehje që përdoret për të pohuar një faj apo përgjegjësi për një gabim ose veprim të gabuar që personi ka kryer. Kjo shprehje përdoret në gjuhën e përditshme, por është shumë e njohur dhe e përdorur në kontekstin e fesë katolike, veçanërisht gjatë ritualeve të pendimit apo të rrëfimit. Kjo shprehje përdoret dhe në fusha tjera, siç janë politika, media etj. për të pohuar  fajin ose përgjegjësinë, edhe pse ky përdorim mund të jetë më figurativ dhe jo aq zyrtar sa në kontekstin e fesë.

Në këtë poezi, autori ka përdorur shprehjen "Mea Culpa" por kjo nuk duhet të kuptohet  si ndjesë e pranimit të një faji konkret të kryer nga poeti,  kjo duhet të lexohet  si një  shprehje metaforike ndjese e poetit në dy aspekte, ku : së pari është një ndjesë e poetit për braktisjen e poezisë për një periudhë kohe të gjatë tridhjetë vjeçare, braktisje që solli efekte në krijimtarinë e tij dhe botën poetike shqiptare të cilës i mungoi kjo krijimtari dhe së dyti: kjo ndjesë poezisë i bëhet dhe në adresim të veprimit të bashkëkohësve të tij shtetarë, të cilët ja mohuan të drejtën e botimit pse “aq dinin”. A ju kujtohet fjala e Krishtit në kryq: “Fali o Atë se s’dinë se ç’bëjnë”, shihni qasjen me kuptimin e ndjesës “Mea Culpa” të Matos dhe do ta kuptoni më  mirë poezinë e tij. Unë nuk e di se çfarë lexoni ju te kjo “ndjesë” e poetit, por unë për veten time shoh e ndjej të fryjë një erë paqeje e faljeje, jo thirrje për hakmarrje në emër të vuajtjeve që ai (dhe ata) pësoi në jetën e tij dhe ca më pak ndonjë tip thirrjeje për “dëmshpërblim” apo prani të dikujt për ta ndihmuar. “Ai që ditët e vështira i kaloi vetëm, nuk e ndjen më mungesën e askujt” (Charlës Bukovski).

Hamendësimi se poeti e ka përdorur shprehjen “Mea Culpa” në një kontekst: “Kam faj unë që jetoj në kohën”, e cila rëndom përdoret në kuptimin: “Kam faj unë që merrem me ty” mendoj se nuk qëndron për dy arsye: e para se kjo shprehje ka një tis ironie në brendinë e saj dhe mgjse Mato ishte tip që bënte humor dhe fliste me shprehje ironie, në poezi ai ishte tejet serioz . Së dyti, në këtë kuptim, kjo shprehje shndrohet në një llojë sfide publike, të cilën ai nuk do ta përdorte në asnjë rast për arsye se: Agim Mato nuk ishte tip luftarak, tip debatues e kundërshtues në shoqëri, ai ose tërhiqej ose e bluante brenda vetes padrejtësinë. Kjo ndoshta ju imponua atij nga qënia si “bir armiku”dhe nuk zbutej nga fakti se kur ju arrestua i ati, ai ishte vetëm  një fëmijë tre vjeç që nuk kuptonte asgjë nga bota ku erdhi, e jo më të kuptonte nga lufta e klasave. Pavarësisht kësaj ai nuk i shpëtoi dot peshës së kryqit dhe nuk e sfidoi atë. Ndaj ju them se kjo ndjesë është tepër e sinqertë dhe i adresohet poezisë, ashtu si besimtarët ja adresojne ndjesën e tyre Zotit.

Dihet se: në kohën e diktaturës, fjala artistike në veçanti dhe krijimtaria artistike në përgjithësi ishin të kontrolluara dhe për disa krijues ishin të ndaluar, dhe  shkelja e këtij rregulli sillte pasoja  për krijuesit dhe familjet e tyre, kështu që për të mbrojtur veten dhe familjen nga ndonjë formë e represionit, shumë krijues vendosën të braktisin publikimin e veprës së tyre. Rasti i Agim Matos vlen për ti përfaqsuar gjithë artistët e fjalës së shkruar.

 

III- Poezia "Mea Culpa" e Agim Matos nuk është një shprehje e drejtpërdrejtë e kundërshtimit ndaj diktaturës moniste apo akuzë e drejtpërdrejtë ndaj dhunës që u ushtrua ndaj poetëve dhe inteligjencës në atë periudhë, megjithëse  ajo përmban elemente që mund të interpretohen në këtë mënyrë.

Kështu: Përmbajtja dhe ndjenjat e shprehura në poezi, sidomos nëpërmjet metaforave dhe simboleve, mund të interpretohen simbolikisht si një mënyrë  subtile për të shfaqur ndikimin e kufizimeve politike dhe presionit mbi lirinë e shprehjes së intelektualëve dhe poetëve në atë kohë.

Poezia mund të shihet si një lloj dëshmie shpirtërore, një reflektim mbi vuajtjet dhe vështirësitë që Mato përjetoi në kohën e diktaturës, edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë kundër regjimit. Krijimi i tij është  formë e shprehjes së asaj që shpirti i autorit përjetoi dhe perceptohet si një mënyrë për të hedhur dritë mbi periudhën e vështirë dhe kufizimet që kanë ndikuar në krijuesit e asaj kohe.

Kjo poezi mund të shihet si një një modalitet i shprehjes artistike që shfaq vuajtjet dhe përvojat e krijuesve që jetuan nën  censurën moniste. Autori përdor një varg të sinqertë e simbolik për të shprehur këtë dëshmi shpirtërore, pa iu referuar drejtpërdrejtë strukturës së pushtetit monist apo ngjarjeve konkrete politike. Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt”? rrënkon shpirtërisht poeti dhe nuk shkon më tejë.

Përdorimi i metaforave, imazheve, dhe simboleve në poezi shërbejnë si një mënyrë për të paraqitur të vërtetën emocionale dhe psikologjike të asaj kohe në mënyrë artistike. Këto elemente e bëjnë poezinë një formë të denoncimit të fshehtë të kufizimeve dhe dhunës së përjetuar nga poeti, duke e bërë atë një dëshmi të fuqishme për periudhën nën diktaturën moniste.

Edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë e denoncimit të regjimit, poezia shërben si një mënyrë për të dëshmuar ndjenjat dhe perceptimet e asaj kohe, duke e bërë atë një formë të shprehjes së vërtetësisë dhe gjendjes së shpirtit të autorit dhe, në një masë më të gjerë, të atyre që përjetuan kohën e diktaturës. Është një shprehje artistike e vështirësive dhe shpresave të humbura nën dhunën moniste, e përvojave që intelektualët dhe poetët përjetuan në atë kontekst historik dhe shoqëror. ..”ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes”.

 

IV-Poezia "Mea Culpa" është e njohur si një krijim modern i Agim Matos, pasi ai e nisi krijimtarinë poetike në monizëm si një poet modern. Ndërprerja e botimit nuk ndikoi te tipari modern i poezisë së tij,  dhe kjo duket te kjo poezi metaforike që reflekton një stil modern të shprehjes së ndjenjave personale në një mënyrë të thellë simbolike, ku: përdorimi i metaforave, simboleve dhe imazheve shërben për të shfaqur artistikisht thellësinë në pasqyrimin e botës së  brendëshme dhe përvojave të poetit, duke u bërë simboli i ringritjes së tij pas “rrëzimit” nga goditja e monizmit.

Poezia fillon me një reflektim të thellë të poetit mbi rrugën e tij në botën e poezisë, ku  përdor imazhe për të shprehur ndjenjat e tij në kujtimet për artin e “fshehur, në  çaste të zemërimit me perënditë” : "Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë, /duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/me perënditë,"

Poeti ishte në kundërshtim me normat e shoqërisë dhe institucionet moniste,  gjë që pruri heqjen e të drejtës së botimit, e cila për atë ishte një e njejtë me vdekjen(shpirtërore): "ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes."

Përmes imazheve të errëta, poeti shpreh ankthin dhe vetëreflektimin e tij, duke paraqitur luftën që kishte bërë për të krijuar atë art  që ju ndalua dhe dëshirës për të krijuar pavarësisht nga pasojat: "Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/si i babëzitur, do të gërmoja motivet/ derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?" thua se nuk besonte në ndryshimet që kishin ndodhur në Shqipëri, mosbesim që buron nga vuajtja e zgjatur në monizëm.

Mato është një artist fin i përdorimit të metaforave dhe simboleve, kjo është e dukëshme te kjo poezi ku këto mjete artistike përforcojnë imazhin dhe konfliktin e brendshëm që ai përjeton: "frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia."

 Struktura e poezisë ka elementë të fragmentuar dhe një stil të lirë, që reflekton kaosin e zemërimin, si edhe lëvizjet në kërkim të identitetit dhe vendit në botën e poezisë:Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt? I prekja një nga një/e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me/dritë minerale/ tërë atë laborator kujtese,"

Agim Mato është një poet i njohur për aftësinë e tij për të shprehur emocionet dhe mendimet në një mënyrë të thellë dhe me një mënyrë emocionale. "Mea Culpa" përfaqëson një prej punimeve të tij më të njohura dhe të diskutueshme, sepse shpreh në mënyrë të qartë reflektimet dhe vuajtjet e tij, ndërsa përpiqet të kthehet në botën e krijimtarisë poetike pas një periudhe të vështirë.

 

V- Poeti Agim Mato në krijimtarinë e tij ishte një mjeshtër i veçantë në krijimin e figurave artistike të gjalla në funksion të idesë dhe strukturës së poezisë. Tipikja e tij qëndron te fakti se  metaforat janë të zbërthyeshme dhe japin një kuptimshmëri lineare, pa u strukur në mister poetik të pazbërthyeshëm dhe se metaforat, simbolet dhe imazhet janë thelbësore për të kuptuar botën e tij shpirtërore në këtë poezi.

Kështu te vargu: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva”, metafora e “minierës së braktisur” simbolizon botën shpirtërore të poetit e mbushur plot me “flori” frymëzimesh  e temash poetike, të braktisur prej tij sepse monizmi me heqjen e të drejtës së botimit e nxorri poetin nga shpirti i tij, duke e lënë atë të thahet. Çuditërisht miniera është një term i shumëpërdorur në poezinë e soc-realizmit, por në këtë poezi të Matos ajo qëndron më bukur dhe në mënyrë më origjinale, e shoqëruar me një  imazh të errët të mbylljes. Poeti përpiqet të kthehet, por gjen veten në një ambient të mjerueshëm dhe të pabesueshëm me “galeritë e lëna përgjysëm” dhe me:veglat e mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/ me perënditë”.

Po këshu metafora e “guvave” dhe “arit të  fshehur” përfaqësojnë procesin e tij krijues të lënë në mes, ndërsa ari i fshehur simbolizon vlerat poetike dhe frymëzimin e dikurshëm që ai e kërkon përsëri. Metafora  salltanetet e vdekjes” të trondit me kuptimshmërinë e saj, sepse poeti këtu nuk e ka fjalën për ritualin mortor, plot dritë e tinguj  të viseve tona, por për vetë vdekjen, e cila i duket shumë më e bukur se sa jeta e birit të armikut të popullit, në të cilën edhe bukën e blinin me një çmim shtesë në krahasim me banorët e tjerë, jo për të “dëmtuar ekonomikisht klasat e përmbysura”por për të mos ushqyer normalisht këto familje.  Kjo metaforë shfaq një imazh të fuqishëm të humbjes së shpresave për një normalitet jete dhe krijimtarie.  .

Metafora “asteroidi verbues” shfaq një imazh të papritur të momentit të frymëzimit dhe rimarrjes së forcës krijuese, edhe pse është e brishtë dhe e papritur, si një shfaqje e befasishme e ndriçimit në një kontekst të errët.

Po ashtu: “Këmishat e hekurosura dhe jeleku i çmuar të dhëndërisë” janë metafora që përfaqësojnë lidhjet e thyera dhe humbjen e lirive, ndërsa “jeleku i çmuar i dhëndërisë” simbolizon humbjen e diçkaje të rëndësishme dhe të vlefshme, duke shprehur ndjenjën e mungesës së lirive personale dhe humbjes së lidhjeve në periudhën e largimit nga poezia, dhe  metafora “Zjarret e shpirtit dhe zhelet e këmishës” përfaqëson pasionin dhe intensitetin e brendshëm, ku “zhelet e këmishës” simbolizojnë pasigurinë dhe pabarazinë që ndjen poeti. Ky kontrast mes zjarrit dhe zheleve në këmishë shpreh konfliktin shpirtëror të poetit, midis forcës krijuese dhe pasigurisë së brendshme që e ka prekur. Ajo që duam të theksojmë është fakti se poeti Mato përdor figura shumëfaqëshe, ku psh metaforat shfaqin imazhe të cilat nga ana e tyre ja reflektojnë dritën përsëri metaforave (ose simboleve) sin ë rastin e mësipërm.

Në poezinë "Mea Culpa" të Agim Matos, ka edhe disa simbole dhe imazhe që ndihmojnë në shfaqjen e ndjenjave të poetit, psh. imazhi “frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia." shfaq një ndjenjë dëshpërimi për humbjen që ka pësuar nga monizmi me urdhërin e mosbotimit të poezive. Ai ndien se dëshirat dhe ëndrrat e tij të mëparshme janë të shuarura dhe të humbura. Imazhi “Motorët e metaforave” të krijon një gjëndje entusiazte pasi shfaq  fuqinë e mendimit dhe nishjen e krijimtarisë.

Këto simbole dhe imazhe janë të rëndësishme për të theksuar ndjenjat dhe përvojat e thella të poetit në lidhje me pasojat e largimit të tij nga poezia dhe betejën e tij për tu rikthyer në botën e tij të pasionit dhe krijimtarisë poetike.

 

VI- Kjo poezi modern e Agim Matos ka një strukturë tipike moderne dhe një gjuhë të pasur që ndihmon në shprehjen e thellësisë së ndjenjave të poetit dhe forcimin e modernitetit poetik.

Poezia përdor një varg të lirë, pa një skemë të ngushtë rime ose metrike. Kjo lirshmëri strukturore jep liri më të madhe në shprehjen e ndjenjave dhe ideve të poetit, duke e lejuar atë të eksplorojë ndjenjat e tij në mënyrë të lirë dhe të lirëpërdorë fjalinë poetike. Duhet të shprehemi se jo vetëm kjo poezi por gjithë poezitë e Matos janë krijime në shtrat balade për nga dhimbja që ato kanë në brendinë e tyre dhe e shfaqin nëpërmjet metaforave, simbolikave dhe imazheve, gjëndje kjo që përjetohet në një lexim të vëmëndshëm.

Fjala e përdorur është e ngarkuar me ndjenja dhe imazhe të thella, përdorimi i fjalëve të ngarkuara emocionalisht ndihmon në shfaqjen e konfliktit të thellë emocional të poetit, duke e bërë poezinë të pasur dhe të thellë shpirtërisht.

Poeti ka përdorur një gjuhë të lirë dhe imagjinative, duke kombinuar elementë të ndryshëm gjuhësorë për të shprehur ndjenjat dhe idetë e tij. Unë ju them se Agim Mato ishte një njohës i thellë dhe i hollë i gjuhës shqipe dhe e përdorte atë me elegancë poetike, jo vetëm në vargje. Përdorimi i imazheve metaforike dhe simbolike me këtë gjuhë është i rëndësishëm në këtë poezi, pasi sjell një pasqyrë të thellë të ndjenjave dhe përvojave të poetit.

VII- Poezia "Mea Culpa" e Agim Matos shfaq një aspekt psikologjik të thellë që lidhet ngushtë me idetë dhe ndjenjat e poetit në lidhje me marrëdhënien e tij me poezinë dhe me vetveten. Nëpërmjet poezisë, ai paraqet një eksplorim të brendshëm të ndjesive dhe konflikteve të tij emocionale, duke shfaqur disa aspekte të rëndësishme psikologjike:

Kështu nëpërmjet vargut: "Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë" shfaq poetin me një ndjenjë fajësie duke u rikthyer në “minierën e poezisë” pas një periudhe të gjatë  ndarjeje, ku "miniera e braktisur " përfaqëson botën shpirtërore  të krijimtarisë së tij poetike, e cila u zhvendos nga diktatura dhe kufizimet që i kanë ndikuar fuqishëm krijimtarinë. Koha e gjatë larg kësaj “miniere” i kanë krijuar një farë pasigurie, një lloj ngurimi të cilën e shpreh me vargjet:"Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/ si i babëzitur, do të gërmoja motivet/derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?" Është pikërisht fjala "Sërish" që sugjeron përsëritjen e një procesi të mëparshëm, ndërsa "vallë" ndihmon në shprehjen e një dyshimi dhe një mosdijeje. Shfaqja e tij  si "i babëzitur" ndihmon në përforcimin e ndjesisë së pasigurisë dhe dobësisë që ai ndjen kur përballet me këtë sfidë të rikthimit për të cilën është i “urritur”. "Gërmoja motivet" shfaq përpjekjet dhe dëshirën e tij për të kuptuar dhe gjetur frymëzim, por përballja me "galeritë e tyre të frikshme" paraqet pengesat dhe vështirësitë që ai përjeton në kthimin e tij në botën e poezisë.

Në aspektin psikologjik kjo poezi shfaq edhe konfliktin midis dëshirës dhe frikës te vargjet:"I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën për profkat poetike?" frazë që tregon përvojën e përballjes me frikën dhe dyshimin që vjen ndërkohë që përpiqet të rikthehet në botën e poezisë pas periudhës së gjatë largimit. Ky perceptim më i thellë i vargut e pasqyron metaforën si një shprehje simbolike të pasurive  shpirtërore të poetit dhe dëshirën e tij për të rinisur lidhjen me pasionin dhe krijimtarinë poetike. Çdo pasazh shfaq një përpjekje të thellë dhe të ndjerë për të rikthyer botën e humbur të poezisë dhe të kuptuarit të vetvetes në kontekst të krijimtarisë së tij.

Përpjekja për rimarrje dhe rimëkëmbje shfaqur te pasazhi: "Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull motorët e metaforave," shpreh momentin e frymëzimit dhe nxitjen e forcës krijuese të poetit. "Motorët e metaforave" janë një imazh për krijimtarinë dhe fuqinë e mendimit krijues, që bëhet e dukshme përsëri në shpirtin e tij. Ky moment shfaq një kthim të forcës dhe pasionit për krijimtari dhe e bëri të vetëdijshëm për kohën dhe humbjen, shfaqur te vargjet:"E pashë sërish qartë vrullin e marrëzive të dikurshme për të përplasur kokën tek e paarritshmja," ku paraqet një moment të vetëdijesimit të thellë për fuqinë dhe pasionin që e ka pasur në të kaluarën, ngulmimin : “deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim/thyhej/duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës” ku çasti poetik i vjen si një shpërthim yjesh në vetëdije. "E paarritshmja" është një imazh për forcën, kreativitetin dhe idetë që duket të jenë jashtë aftësive të kufizuara të tij aktualisht.

Këto dy pasazhe të fundit shfaqin një moment të ndriçimit dhe vetëdijesimit të poetit në lidhje me fuqinë e humbur të krijimtarisë dhe pasionin për poezinë. Ata shfaqin momentin e transformimit të tij, një rikthim e rimarrje të forcës dhe kreativitetit që i lejon atij të shohë dhe ndiejë sërish marrëzitë e dikurshme dhe potencialin e pasur të shpirtit të tij poetik. Kjo poezi na shfaq Agim Maton me botën e tij të trazuar në rikthimin në poezi, ku nisi dritësimin ajo yllësi e pamatë vargjesh të tij.

Poezia e Matos është vuajtje miq, është vuajtje, “më pas vjen lumturia”.

 

Sarandë, më nëntor 2023

 

Agim Mato

MEA CULPA

Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën

e braktisur të poezisë

e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,

duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,

veglat e mia të punës

të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi

me perënditë,

ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi

bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për

salltanetin e madh të vdekjes.

 

Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,

derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele

këmishat e hekurosura dhe jelekun e çmuar

                                                                të dhëndërisë?

 

Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur

si i babëzitur, do të gërmoja motivet

derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?

 

I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën

për profkat poetike?

E ndërsa po mendoja t’ia mbathja

nga kisha ardhur,

më rrethoi befas frushullima mizëri e krahëve të

dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,

që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate

dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.

 

Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?

 

I prekja një nga një

e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me

    dritë minerale

tërë atë laborator kujtese,

tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë,

tërë atë alkimi të shpirtit

që filloi të më shfaqet

si një asteroid verbues. E pashë sërish qartë

vrullin e marrëzive të dikurshme

për të përplasur kokën tek e paarritshmja,

deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim

thyhej

duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës.

 

Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull

motorët e metaforave,         

në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti

dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,

në djall programimi i jetës,

oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.

 

Sarandë, 2011

 

 

Friday 15 December 2023

 

Timo Mërkuri

ARMIQTË E PLAKUR TË ALEKSANDËR BARDHIT

 

I-Qysh te leximi i titullit të kësaj poezie nisa të buzëqesh me vete për qasjen që ajo më solli ndër mend. Normalisht duhej të më kujtonte poezinë “Zeusi i plakur” të Sabit Rrustemit, jo nga arsyeja e plakjes, por nga fakti që poeti Rrustemui e ftonte (armiqësisht) Zeusin e Beogradit të zbriste nga maja e Olimpit, se mjaftë qëndroi aty dhe tani si plak që ishte: nuk dëgjonte nga veshët e as shikonte nga sytë dhe i bënte “torovolo” punët aty lart. Sigurisht që këtë qasje duhej të më jipte, por ja që poezia përkundrazi më pruri ndër mend atë këngën labe: “U plake mike u plake/Bran i heq ato çorrape/U plake o mik dhe tinë/ Mbete si kau në brinjë”. Është pikërisht ai tis i hollë ironie me veten, humori, dhe ajo vijë melodike dhimbjeje për gjendjen ku arritën në pleqër shoqruar me forcën e tyre për ta pranuar këtë realitet të largët me ëndërrat e atëherëshme tyre ku u njohën si mik dhe mike. Çuditërisht, ndonëse poezia e Bardhit është larg përmbajtjes dhe sfondit të poezisë tradicionale labe, gjëndja shpirtërore,  ironia e hollë me veten dhe tjetrin është si e marrë “hua” nga kënga që përmendëm.

Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një ndjenjë të thellë ironie në lidhje me idealet për të cilat u hodhën në luftë ( e zjarrtë apo e ftohtë) dhe pasojat e saj. Në vargjeve të tij, ai përdor imazhe për të shfaqur plakjen e armikut të tij dhe vetveten nëpërmjet tragjedisë së konfliktit, ku  ai paraqet një imazh të trishtueshëm të dy kundërshtarëve (pleq)dhe bën një paralelizëm midis tyre, duke theksuar se edhe pse  armiq, ata janë plakur “bashkë” dhe kanë përjetuar vuajtje të njëjta:"Unë me tre plumba të vdekur nën brinjë, ti me një plagë që të rrjedh në shpatull" , imazhe  këto që shfaqin  dhimbjen dhe shkatërrimin fizik të tyre, duke theksuar vuajtjen dhe vdekjen nëpërmjet konfliktit. Interesant është fakti se në leximin e frazës “armiku im” nuk ndjen ndonjë lloj urrejtjeje, përkundrazi të kaplon një farë dhimbjeje dhe trishtimi, ndoshta pikërisht nga tisi i ngrohtë që i hedh poeti armikut me atë cilësorin”im”, si një pelerinë për mos ta lagur shiu.

Në vargjet e tjera, poeti përshkruan monotoninë dhe trishtimin që përjetojnë, ku ditët dhe netët kanë një rutinë të mbyllur e të dhimbshme, duke përdorur imazhe të natyrës si metafora për ndjesinë e pafund të vuajtjes dhe mungesës së shpresës. Asgjëkundi nuk shohim ndjenjën e urrejtjes ndaj armikut te vargjet e poetit, ndonëse plagët ja kanë shkaktuar njeri tjetrit.

Poezi ka një tis të hollë ironie që ndjehet, ndonëse nuk shikohet dhe ajo që është më kryesorja është fakti se personazhi nuk ironizon armikun e tij, nuk ironizon as veten , ai ironizon pasojat e armiqësisë së tyre në kontrast me besimin dhe bindjen me të cilën u hodhën në luftë kundër njeri tjetrit. Ata tashmë janë dy pleq që më shumë se mosha i ka lodhur kujtimi i asaj armiqësie dhe plagët e asaj lufte që bënë. Ata të dy janë të humbur , asnjeri nuk fitoi në atë luftë dhe ky përfundim e shton dhimbjen e plagëve. Të bësh një luftë dhe të mos fitojë asnjera palë është një absurditet, por të bësh një luftë ku të humbasin të dyja palët është një tragjedi. Këtë luftë ka në vargjet e tij poeti Bardhi. Dhe si për ta theksuar më tepër këtë ndjenjë, titulli “U plakëm armiku im” shfaqet si një frazë e fuqishme dhe ironike që ka një ndjenjë të thellë simbolike.

Duke qenë se poezia flet për armiq që kanë përjetuar vuajtje dhe konflikt, fraza "u plakëm" (ne u plakëm) është një deklaratë që tregon procesin e plakjes së tyre, por në një mënyrë ironike dhe të papritur, ku kjo shprehje mund të interpretohet në disa mënyra:

Mund të shihet si një ironi për plakjen fizike për shkak të moshës, pse "U plakëm" është diçka që ndodh natyrshëm me kalimin e kohës, por në kontekstin e armiqve që shfaqen në poezi, është ironike: sepse ata janë të "plakur" nga përvoja e luftës, jo vetëm fizikisht por edhe emocionalisht.

Mund të shihet si një ndryshim i papritur, pse fraza "u plakem" shpreh një lloj surprize të papritur. Kjo mund të paraqesë një ide se, në vend të fitoreve apo triumfeve të pritura, këta armiq kanë përjetuar vetëm plakjen dhe rrëzimin fizik dhe emocional nga lufta.

E parë në një analizë të pasojave, përmes frazës "u plakem armiku im", mund të shihet një vlerësim i pasojave të luftës dhe ndikimit të saj në atë që dikur ishin armiqtë. Plakja është një simbol i humbjes së fuqisë, energjisë dhe vitalitetit.

Pra, titulli ka një peshë të thellë simbolike dhe ironike. Ai fton lexuesin të reflektojë mbi ndikimin e luftës në njerëzimin tonë dhe të kuptojë se si konfliktet mund të çojnë në humbje dhe plakje, jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe shpirtërore.

 

II-Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një strukturë të thjeshtë por të fuqishme poetike, e cila përdor elemente të shkurtësisë dhe të thjeshtësisë për të transmetuar një mesazh të thellë emocional.

Poezia përdor vargje të shkurtra, të cilat shpesh kanë rima të thjeshta. Kjo shkurtësi e bën atë  të krijojë një ritëm dhe harmoni të veçantë. Psh. vargjet e shkurtra nëpër të cilat shprehet lodhja dhe plakja e armikut janë të përsëritura, duke theksuar kështu rëndësinë e kësaj ndjenje në jetën e poetit.

Pavarësisht thjeshtësisë së vargjeve, poezia përmban imazhe të forta dhe të ngjashme me metafora që përforcojnë ndjesinë e lodhjes dhe konfliktit. Psh. përshkrimi i plagës që rrjedh në shpatullën e armikut përdoret si metaforë për dëmin dhe pasojet që konflikti ka në të dyja palët.

Kontrastet  midis dëmit që kanë prekur të dy palët (poeti me plumbat nën brinjë dhe armiku me plagën në shpatull) e theksojnë mungesën e fitores së qartë në konflikt dhe gjendjen e një plakjeje të përbashkët mes palëve.

Theksojmë se poezia "U plakëm armiku im" mund të quhet një poezi e kontrasteve për shkak të kundërshtimit dhe krahasimit të elementëve të kundërt në të. Kjo poezi shfaq një varg situatash dhe ndjenjash që janë në kundërshtim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën: Në këtë poezi, ka një kontrast të thellë midis konfliktit të gjatë dhe lodhjes së përjetuar nga të dy palët, ku ky kontrast është i dukshëm dhe përforcon ndjenjën e një ndënjeje të mbyllur, në vetmi dhe trishtim.

Në poezi, kundërshtimi midis imazheve dhe ngjyrave të errëta të shfaqura  në vargjet e saj dhe ritmit të melodicitetit që sjell përsëritja e disa frazave ka një kontrast që e bën atë të jetë e përshtatshme për interpretime të ndryshëm dhe të ofrojë një përvojë të ndryshme për lexuesin. Kontrasti midis paraqitjes së natyrës (ditëve, netëve, erës dhe lagështisë) dhe emocioneve të brendshme (lodhjes, dhimbjes, mbylljes) është i thellë dhe përforcon ndjenjën e një tensioni të vazhdueshëm midis asaj që ndodh në mjedis dhe atyre që ndjejnë brenda tyre personazhet e poezisë.

Pikërisht për shkak të kësaj përplasje kontrastesh dhe kundërshtimesh të ndryshme, poezia krijon një portret të pasur dhe kompleks të emocioneve dhe situatave të kundërta, duke e bërë atë të jetë një përvojë e fuqishme dhe e pasur për lexuesin.

Edhe vetë  përsëritja e vargut "u plakëm armiku im, o, sa jemi plakur!" në  këtë poezi ka një efekt të veçantë në poezinë në tërësi sepse:

Përsëritja e kësaj fraze ka një qëllim të thellimit të shprehjes së lodhjes, vjetërsisë dhe plakjes nga konflikti, duke theksuar përsëri dhe përsëri një ndjenjë të vazhdueshme të kësaj gjendjeje. Kjo teknikë e përforcon qëllimin e poetit për të theksuar ndjenjën e përbashkët midis palëve të konfliktit, një lodhje të përbashkët që ata ndjejnë si rezultat i grindjeve dhe betejave të vazhdueshme.

Kjo përsëritje ka një impakt të thellë emocional, dhe krijon një lloj ritmi që forcon ndjenjën e plakjes dhe lodhjes së përjetuar nga poeti dhe armiku. Gjithashtu përforcon idenë se kjo gjendje e përbashkët është e pakapshme dhe pothuajse e paimagjinue-shme, duke theksuar qëndrueshmërinë e saj në kohë.

E parë së jashtmi, struktura poetike e saj  është e thjeshtë, por përdorimi i imazheve të fuqishme (dhe përsëritja e vargjeve) theksojnë thellësinë e ndjenjave dhe tematikën e lodhjes së vazhdueshme nga konflikti. Le të të shfaqim disa imazhe poetike të kësaj poezie duke i shoqëruar ato me ngjyrat e një pikture apo melodinë e një muzike.

Imazhi poetik: "unë me tre plumba/të vdekur nën brinjë/ti me një plagë/që të rrjedh në shpatull!.."na jep mundësinë të  vizualizojmë dy figura që përfaqësojnë poetin dhe armikun, të plagosur në mënyra të ndryshme nga konflikti. Përshkrimi poetik i tyre me plagë në trup  shfaqet si një pikëllim i thellë, ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe muzika e ngadalshme mund të përforcojnë këtë imazh të dhimbshëm.

Po ashtu imazhi poetik: "ditët/hapen e mbyllen si porta” përfaqëson një ndjesi të kohës që kalon në një rrjedhë të vazhdueshme monotonie të trshtueshme, duke përdorur ngjyrat që shfaqin ndryshimet e dritës dhe hijes. Melodia që shoqëron këtë imazh mund të jetë e qetë, por me një ndjesi të pakëndshme të marrëdhënieve të përsëritura.

Ndërsa imazhi poetik: "netët bien/erë dheu të freskët,/të lagur."( si dheu i varreve të porsahapur, do shtoja unë në koment) mund të përshkruajë një atmosferë të mbyllur, të thatë dhe të ftohtë që pasqyrojnë mungesën e shpresës ose një situatë të vështirë. Për këtë, ngjyrat e errëta dhe e ftohta mund të jenë domethënëse.

Interesant është se leximi i këtij imazhi të jep ndjesinë se je duke vizituar ndonjë ekspozitë fotografish bardh e zi të shkatërimeve të luftëse, ku shihen qartë të vrarët e plagosurit dhe plagët e tyre ende të pafashuara, vizitë kjo shoqërohesh me një melodi të ngadalshme, të trishtëshme, me akorde të zbutura në ngjyra të errëta. Gjithashtu, ngjyrat e ftohta, si blu i errët, të zi, ose gri të thellë që të regëtijnë në memorje, mund të përforcojnë ndjesinë e mbylljes dhe të ftohtësisë në këtë imazh.

 

III-Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një thellësi psikologjike në pasqyrimin e një konflikti të vazhdueshëm, të lodhshëm dhe dëshpërues për të dy palët. Disa aspekte psikologjike të theksuar në këtë poezi përfshijnë:

Ndikimin e  konfliktit në shëndetin emocional, ku ky konflikti  vazhdueshëm dhe marrëdhënia armiqësore kanë një efekt të madh negative. Në poezinë e Bardhit, monotonia, mungesa e ndryshimit, dhe ndjenja e lodhjes së përsëritur përforcohen nëpërmjet vargjeve për të shfaqur ndjenjën e një trajtimi të pashpirtshëm dhe të vazhdueshëm të konfliktit.

Konflikti i gjatë sjell një stres të vazhdueshëm dhe lodhje të thellë psikologjike. Poezia paraqet një atmosferë të mbylljes dhe një monotoni të jetës, që përforcon ndjenjën e lodhjes dhe mungesën e shpresës për ndryshim.

Në një konflikt të gjatë, individët mund të përjetojnë mungesën e zgjidhjes dhe të ndiejnë se nuk ka rrugëdalje prej situatës. Kjo mund të shkaktojë ndjenjën e mbylljes (në një dhomë të errët) dhe të vështirësisë për të parë dritë në fund të tunelit, një përparim ose ndryshim pozitiv në situatën e tyre.

Poezia "U plakëm armiku im" pasqyron një konflikt të gjatë dhe lodhjen që rrjedh nga ai, ajo gjithashtu shfaq një ndikim të thellë emocional, ku disa aspekte plus psikologji-kë janë:

Ndjenja e pashpresësisë dhe mungesa e shpresës që përjetohet në një atmosferë të dominuar nga konflikti, Kjo mund të krijojë një ndjesi të pashpresë, e cila shfaqet në poezinë e Bardhit përmes monotonisë të përshkruar në ditët e hapura dhe të mbyllura si porta.

Mungesa e aftësisë dhe mundësisë së pjesmarrësve për të ndryshuar situatën që shfaqet në rastet e një konflikti i vazhdueshëm. Individualët në një situatë të tillë mund të ndihen të bllokuar, pa mundësi dhe pa shpresë për të ndikuar në rezultatin e konfliktit, duke sjellë ndjesi të një lodhjeje të thellë dhe një qndrim pasiv.

Konflikti i vazhdueshëm mund të krijojë pengesa të mëdha për komunikim dhe bashkëpunim mes grupeve të njerës palë ashtu dhe mes palëve. Kjo situatë e pengon kontaktin dhe bashkëpunimin për gjetjen e zgjidhjeve, duke e bërë atë edhe më stresuese dhe e vështirë për ta kaluar.

Pra, poezia e Bardhit shfaq një pasqyrë të thellë të ndikimit psikologjik të konfliktit të gjatë te individët e përfshirë si pjesmarës në atë, duke rritur ndjenjën e mbylljes në vetvete, tyë lodhjes dhe mungesës së shpresës për ndryshim në situatën e tyre, për pasojë duke tjetërsuar natyrën e tyre drejt ashpërsimit të karakterit dhe sjelljes.

 

IV-Gjuha dhe fjalët që përdoren në poezinë "U plakëm armiku im" të Aleksandër Bardhit janë të thjeshta dhe të përdorura me kujdes për të paraqitur një ndjenjë të thellë emocionale. Autori përdor  gjuhë të qartë dhe të drejtëpërdrejtë për të shprehur ndjenjat e lodhjes dhe mbylljes nga konflikti.

Fjalët përdoren në mënyrë të zgjedhur për të shfaqur imazhe të forta dhe të ngjashme me metafora që përforcojnë ndjenjën e lodhjes dhe të plakjes. Përdorimi i fjalëve si "plumbat", "plagë", "hapen e mbyllen si porta", "netët bien" dhe "erë dheu të freskët, të lagur" sjellin një ndjenjë të thellë të dhimbjes, lodhjes, dhe një mbylljeje të ndjesive.

Në këtë poezi, Bardhi përdor një gjuhë të rrjedhshme dhe të shkurtër për të shprehur në mënyrë të qartë dhe të thellë ndjenjat që lidhen me konfliktin dhe dhimbjen që vjen si pasojë e tij. Gjuha e thjeshtë dhe metaforat e përdorura sjellin një ngarkesë emocionale që ndihmon lexuesin të ndjehet pjesë e emocioneve dhe botës  shpirtërore  të shprehura në këtë  poezi të shkurtër moderne. Lexojeni këtë poezi të Aleksandër Bardhit, do tju pëlqejë, ju siguroj unë.

 

Sarandë, më dhjetor 2023

 

Aleksander Bardhi

u plakëm armiku im

u plakëm armiku im,

o, sa jemi plakur!...

 

unë me tre plumba

të vdekur nën brinjë

ti me një plagë

që të rrjedh në shpatull!..

 

u plakëm armiku im

o, sa jemi plakur

 

ditët

hapen e mbyllen si porta

netët bien

erë dheu të freskët,

të lagur.

 

 ExLibris nr 260