Thursday 28 December 2023

 

Timo Mërkuri

 

PRITJA E NATASHA LAKOS

 

 

 

I-Qysh në leximin e titullit të poezisë së Natasha Lakos “Të presim dhe pak” normalisht  duhej të më vinte ndërmend ndonjë këngë e viseve të mia, psh. kënga “Të prita mike pse s’erdhe”, por s’di pse  qysh në vargjet e para të saj ndjeva një qasje me dramën "Duke pritur Godonë" të Samuel Beckett, pavarësisht se ajo është një vepër e ndryshme në formë dhe kontekst me këtë poezi, por që të dyja kanë disa pika ku ndjehet një lidhje jo sipërfaqsore dhe konkretisht:

Te të dy këto vepra egziston tema e pritjes, ku në poezinë e Lakos pritja është para një dere të mbyllur, ndërkohë që në dramën e Beckett, personazhet presin një person të quajtur Godot, që gjithsesi ai nuk shfaqet. Është pikërisht  ankthi i pritjes së pafundme që shkakton në të dy veprat tension dhe ndjenja të përziera. Si në poezinë e Lakos dhe në dramën e Beckett, tensioni, ankthi dhe padurimi janë pjesë rrjedhore e pritjes dhe lexuesit përjetojnë këto emocione në mënyrë të ngjashme nëpërmjet personazheve të vargjeve dhe skenave.

E përbashkët është gjithashtu se: as në poezinë e Lakos, as në dramën e Beckett pritja nuk ka një përfundim të qartë, ajo qëndron në një tension të vazhdueshëm, duke mos dhënë madje as dhe arsyen për situatën që krijon.

Në këtë kontekst shprehemi se: mes dy veprave ekziston një ngjashmëri, si  në përvojën e pritjes ashtu dhe në emocionet që ajo sjell në veprat e tyre respektive.

Poezia “Të presim dhe pak” e Natasha Lako shfaq një pritje të gjatë, një  ankth emocional  lidhur me këtë pritje për diçka apo dikë, ku, poetja përmes imazheve metaforike e shfaq atë (pritjen) si një proces që sjell emocione të forta dhe tension, thua se vetë pritja është diçka e gjallë.

Pritja në këtë poezi  pshfaqet si një gjendje  ndjeshmërie, plot me emocione të ndryshme që nisin si pasurim dhe adhurim, vazhdojnë si ankthe pasiguri dhe përfundojnë si pakënaqësi dhe revoltë. Është një pritje ku nuk shfaqet personi që pritet apo fenomeni, që pavarësisht se ngjall emocione të forta, nuk jep përgjigje të shpejta apo të qarta, duke e bërë këtë gjendje të misterëshme për lexuesin dhe për pasojë tepër intigruese. Përdorimi i elementëve si “të presim edhe pak përpara derës së mbyllur”, “si shiu që s’lag aty ku ka ikur” dhe “të qenë të marrë/më të heshtur se gjaku” shpalos  emocione të padurimit, të mosnjohjes dhe më pas të pakënaqësisë dhe revoltës. Diçka na sjell ndërmend kjo situatë pritjeje, por le ta analizojmë në vazhdimësi.

II-Le të shohim ndryshimin e gjendjes së pritjes sipas distikëve poetikë ku:

1. Në distikun e parë: "Të presim edhe pak përpara derës së mbyllur/Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt." vargjet shprehin një ndjenjë padurimi dhe një lloj ankthi për të parë, ditur apo për të pritur diçka që është fshehur apo dikë, që nuk ka ardhur akoma me gjithë pritjen e tyre të gjatë (Të presim edhe pak,…akoma) duke shpresuar te diçka pozitive për ata.  Vargu "Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt" sugjeron një afërsi me atë që pritet të vijë ose që është fshehur prej dikujt. Ndonëse pritja është besimplote, afërsia e vogël shfaq ndjenjën e pafuqisë të atyre që presin për të arritur apo për të takuar perssonin që presin, apo për të kuptuar gjendjen reale të ndodhisë a fenomenit.

2. Distiku i dytë, nëpërmjet vargjeve: "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur."shfaq një ndjenjë të vendosmërie në pritje, për arsye se po u larguan, nuk u vjen më në  jetë një rast i tillë. "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur" shfaq pritjen aktive,  që mund të përfaqësojë ndjenjën e të qenit të përfshirë dhe të gatshëm për të pritur dikë me të gjithë qënien e tyre, pasi aim und të mos vijë më "Si shiu që s’lag aty ku ka ikur" duke shprehur një ndjenjë  ndarjeje, nga dikush apo diçka që ka lënë gjurmë tek ataa që presin me fjalët, mesazhet, pogramet, premtimet plot shpresë që ka dhënë. Në këto vargje, pritja është e shprehur si një proces i lidhur me emocione të forta dhe të përfshira, ndërsa të qenit në pritje për dikë që nuk është prezent ka shkaktuar ndjesi të ndarjes e të padurimit për ta takuar.

3. Te distiku i tretë me vargjet: "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë/Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët” kemi nisjen e një ndjenje në rritje të padurimit dhe tensionit, që ka krijuar nervozizmin te personi/at që pret. "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë" tregon se kemi një rritje të tensionit që, si rezultat, ka krijuar një ndjesi e pafuqisë për të duruar a pritur më tej,. "Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët" shfaq situatën ku ky nervozizëm dhe tension në pritje po sjellë një lloj konflikti ose ndjenja të pakëndshme mes personave që presin. Kjo interpretohet si një reagim emocional i personave nën presion, duke shkaktuar ndjenja dhe reagime të padëshirueshme mes atyre që presin bashkë, të cilët duhet të kishin një farë lidhjeje mes tyre, së paku në motivin e pritjes.

4.Distiku i katërt:”Në një ritëm më pak, si kraharorit një brinjë/Të presim dhe pak të dëgjojmë ç’do të vijë.” përcjell ndjenjën e një përmbajtjeje dhe të vëmendjes së shtuar në pritje. Krahasimi me një brinjë më pak në kraharor sugjeron një goditje që ka marrë njeriu në brinjë, ku goditja është procesi i pritjes. Vargu"Të presim edhe pak të dëgjojmë ç’do të vijë" shpreh shpresën e fundit për mbritjen e atij që pritet.

5-Te distiku i pestë me vargjet: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë/Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë." shprehin  ndjenjën e zemërimit dhe tensionit të shpirtëror që ata e shprehin me një tis ironie: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë" ndërsa vargu:"Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë" është një thirrje në kulmin e zemërimit që një person e shpreh publikisht me qëllim që të ngjallë reagim zemërimi te të pranishmit e tjerë, duke i prekur në ndjenjat morale.

6.Te vargjet e distikut të gjashtë: "Kishim moshën që kishim, të vërtitemi përqark /Ne të dy çfarë ishim, le të presim edhe pak." shfaqet një moment reflektimi nëpërmjet nostalgjisë për të kaluarën (Kishim moshën që kishim) dhe përvojat e mëparshme. Ky distik është si një shikim apo kthim prapa në kohë, ku autorja flet për një periudhë të kaluar të përbashkët, e cila duket të ketë qenë miqësore duke shfaqur idenë se e shkuara (kujtimi i saj) mund të shërbejë, si një mënyrë për të mbijetuar pritjen aktuale.

7. Distiku i shtatë, nëpërmjet vargjeve: "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më/Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg." shpreh lindjen distancimit mes njerëzve që presin, pse humbet motivi dhe shpresa e veprimit të tyre. Vargu "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më" duhet të shihet  lidhur me vargun "Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg" për të kuptuar pasojat e kësaj pritjeje të gjatë, distancimin, ndarjen e tyre nga njeri tjetri në mos edhe armiqësinë e ardhëshme.  

8.Vargu i tetë: "Cili je ti që për mua s’ke zë?" ka formën e një pyetjeje retorike , e cila nuk kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë nga dikush, por është më shumë një klithmë e brendshme e revoltës së personave që prisnin, por gjithsesi e shprehur në aspektin shpërfillës psh.: Kush je ti more, që do të më pengosh? Në këtë rast, pyetja "Cili je ti që për mua s’ke zë?" është forma e shprehur e revoltës e personit që e bën pyetjen,

E parë në këtë aspekt, poezia“Të presim dhe pak” e poetes Natasha Lako  shfaq një udhëkryq emocional ku pritja evulon në gjëndjen e saj, nga një gjëndje e ngrohtë dhe miqësore , shpresë e besim në nisje, por me kalimin e kohës, mosrealizimi i saj nis e shfaq ndjenjën e mungesës së vlerësimit dhe të moskuptimit të ndjenjave të pritësve nga ana e atij që pritet të vijë,duke krijuar te pritësi  zemërim dhe revoltë. Pra, poezia shfaq një transformim ndjenjash nga një pritje pozitive drejt ndjenjave të zemërimit ndaj të njejtit person. Besoj se çdo lexues sshqiptar e ka përjetuar një situatë të tillë “pritjeje” zhgënjyese, e cila ka prodhuar një revoltë shpirtërore tek ai, por unë dua të them se nuk bëhet fjalë vetëm për një pritje tradicionale, miku, shoku, eprori apo udhëheqësi. Këtë pritje zhgënjyese ne e kemi përjetuar në kohë, por mqse asnjeri, të cilit i patëm besuar  nuk na erdhi në “pritjen” tonë, mqse asnjë kohë e artë që ne e ëndërruam dhe e pritëm  nuk na erdhi, ne nuk duhet të presim “Edhe pak, edhe pak” në të ardhmen, dhe sidomos nuk duhet të presim gjer sa të tjetërsohemi në “balozë” ndaj njeri tjetrit.  Mos vallë duhet ti kujtoj lexuesit rastet kur ne qëndruam shumë vjet në pritje, për ta bindur se tani nuk duhet të presim më.

III-Poezia "Të presim dhe pak" e Natasha Lako si një poezi moderne ka shumë elementë që e bëjnë atë një poezi moderne me tipare metaforike, imazhiste, simbolike, psikologjike dhe filozofike, si rrallë poezi në letërsinë shqipe, duke  ngritur më lart kuotën e poetes. Zakonisht jemi mësuar të lexojmë poezi metaforike, simbolike apo imazhiste, por që të gërshetohen në një poezi tiparet e shumë poezive modern, ca më tepër edhe tiparet psikologjike dhe filozofike unë për veten time e has për herë të parë. Le ti shohim më konkretisht këto elementë:

Tipari  metaforike dhe imazhist në poezi është i dallueshëm qysh te vargjet: "Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur." ku metafora e shiut që “nuk lag aty ku ka ikur” përdoret për të shfaqur pritjen e pafund në një mënyrë poetike dhe imazhiste. Vetë metafora krijon një imazh të fuqishëm, duke e paraqitur pritjen në një mënyrë të pazakontë dhe të ngjashme me natyrën.

Tipari simbolik dhe psikologjik shfaqet psh. te vargjet: "Të presim edhe pak për të qenë të marrë/Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë." ku kjo frazë mund të interpretohet si një simbol i pritjes së pafund dhe ndjenjës së të qenit të përfshirë në këtë pritje në një nivel shpirtëror ose psikologjik. Përdorimi i simbolikës së heshtjes së gjakut ose qënies i përdal shpreh një tension të thellë të pritjes dhe përballjes së padurueshme me këtë gjendje, e cila është në vetvete një dukuri psikologjike.

Tipari filozofik haset te vargjet: "Do të presim edhe pak, do të presim edhe më/Dhe njëri tjetrit do ti thërrasim që larg"pse shpalos një vazhdimësi të pafund të pritjes dhe ndjenjës së distancimit nga anjeri tjetri. Ajo në këto vargje shpreh një dilemë filozofike rreth pritjes së pafund dhe konceptit të prisjes së diçkaje që mund të mos arrijë kurrë.

Këto elemente e bëjnë poezinë e Lakos të pasur dhe të bukur, pse përdorin metaforat, simbolet, dhe imazhet për të shprehur ndjenjat, gjendjet, dhe dilemat që vijnë me pritjen dhe të ardhmen. Është kombinimi mjeshtëror i tyre që e bën këtë poezi një përvojë të pasur poetike dhe shpirtërore, por që njëkohësisht paraqesin talentin e epërm të poetes, e cila mjeshtërisht ka realizuar këtë kombinim tiparesh poetike, pa penguar dukjen (shfaqjen) e secilit në mënyrë të veçantë.

IV- Nuk janë vetëm metaforat dhe simbolikat që cituam më sipër, poezia "Të presim dhe pak" e poetes Lako ka figura të ndryshme artistike për të shfaqur pritjen dhe emocionet që shoqërojnë këtë proces dhe ajo që është më e rëndësishme është fakti se këto figura artistike nuk janë shtesa poetike, por janë element jetikë të modernitetit poetik të autores, të cilët ndikojnë si në idenë e poezisë ashtu dhe në evidentimin e tiparit modern të poezisë sipas distikut ku janë përdorur. Në këtë aspekt, në ndikimin e këtyre figura-ve te natyra e poezisë le të analizojmë disa prej tyre:

Metafora:"Të presim edhe pak me trupin e tjerë, të pritur/Si shiu që s’lag aty ku ka ikur." ndërsa shpreh një pritje të gjatë, mban gjallë dhe shpresën për realizimin e shpejtë të takimit dhe synon shmangien e largimit nga pritja, me nënkuptimin e humbjes së shpresës, si një shans që nuk vjen më në dorë: “Si shiu që s’lag aty ku ka ikur”. Pra kjo metaforë që synon mbajtjen gjallë të shpresës, por ndërkohë krijon dhe një imazh të fuqishëm për lexuesin që përjeton edhe ai pritjen e pafund dhe kapet pas një fije (vargu)shprese.

Imazhi:"Të presim edhe pak përpara derës së mbyllur/Dy hapa larg diçka është fshehur prej dikujt." shfaq një pritje të afërt (para derës së mbyllur) dhe u jep besim e shpresë atyre që presin (dhe lexuesit) për një arritje plot shpresë.

Ndërkohë simboli i kohës së shkuar:"Kishim moshën që kishim, të vërtitemi përqark/Ne të dy çfarë ishim, le të presim edhe pak."dhe kthimi prapa për të qenë atje sërish shfaq një nostaligji për të shkuarën (rininë?) dhe keqardhje për moshën(kohën) e shkuar, që nuk i ndihmon dot në këtë pritje të gjatë dhe të lodhëshme. Këto figura artistike përdoren për të theksuar emocionet, dilemat dhe ndjenjat e tensionit që shoqërojnë pritjen në poezinë e Natasha Lako. Ato gjithashtu krijojnë dhe imazhe të forta e koncepte të thella që bëjnë  lexuesin të ndiejë thellësisht emocionet dhe dilemat që karakterizojnë pritjen e pafund në këtë poezi.

Similimi (figurë letrare që përdoret për të krahasuar dy gjëra të ndryshme në një mënyrë të përbashkët ose të ngjashme për të përforcuar një ide apo për të bërë një koncept më të kuptueshëm): "Të presim edhe pak sa të bëhemi nervozë/Të shajmë njëri tjetrin si bënin balozët." i pritjes duke u krahasuar me një gjendje të ngjashme me nervozizmin dhe tensionin e balozëve krijon një imazh të ngjashmërisë midis dy situatave. Ky similim sjell në vëmendje ndjenjën e frustrimit (një ndjenjë kur pritjet ose synimet nuk përputhen me realitetin, duke shkaktuar te pritësi ankth, zhgënjim e tension emocional) që shoqërojnë pritjen e gjatë dhe të padurueshme.

Edhe personifikimi:"Më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë."shfaq heshtjen si diçka që mund të jetë si gjaku  krijon një imazh të fuqishëm të një heshtjeje thellësisht të ndjeshme dhe të pazakontë, duke e personifikuar atë dhe duke e bërë të përjetohet si një gjendje ndjesore.

Ajo që duhet të shprehim është fakti se këto figurat artistike, si metafora, imazhi, simboli, similimi, personifikimi dhe të tjera, jo vetëm që kanë një ndikim thelbësor në idenë dhe tiparet e poezisë, por ato së pari janë vetë pjesë organike e poezisë dhe idesë së saj. Ato ndihmojnë në shprehjen e ideve në mënyra të ndryshme e të thella, përmes tyre, autoria arrin të transmetojë emocione, mendime dhe ndjenja në mënyrë të pazakontë dhe poetike. Për shembull, përdorimi i metaforave për pritjen e pafund në poezinë e Natasha Lako e bën këtë idé të përjetohet si një proces i panjohur, i ngarkuar me emocione dhe tension.

Figurat artistike të Natasha Lakos e pasurojnë poezinë duke e bërë atë më të thellë, më imazhine, dhe më të pasur me kuptime të thella, ndërkohë ato japin liri për interpretim dhe shpërndajnë përvojën poetike në mënyra të ndryshme për lexuesin. Për shembull, imazhet e krijuara përmes metaforave dhe simboleve në poezinë "Të presim dhe pak" kontribuojnë në krijimin e një atmosfere emocionale dhe poetike, duke e bërë atë më të pasur në kuptime dhe thellësi.

Këto mjete artistike formojnë një atmosfhere që shpesh rrit ndjenjën e pritjes, tensionit, mospërfilljes, apo të emocioneve të tjera që autoria ka synuar të shprehë, duke ndihmuar  në shfaqjen e tyre në një mënyrë të hollësishme dhe të thellë, duke e bërë poezinë të shprehë fuqishëm emocionet dhe gjendjet që autori dëshiron të transmetojë.

Përdorimi i figurave artistike në poezi ndikon në shprehjen e idesë kryesore dhe në krijimin e një përvoje poetike të pasur dhe të ngjashme me realitetin, duke e bërë poezinë të përjetohet më thellësisht nga lexuesi. Ato shpesh shpërfaqin thellësinë e ndjenjave, ideve dhe emocioneve në një mënyrë që ftojnë në reflektim dhe interpretim të hollësishëm.

V- Natasha Lako në poezinë "Të presim dhe pak" sjell disa risi poetike që dalin në pah në kontekstin e poezisë shqiptare:

Natasha Lako  shfaq një ekspresion të ndjenjave në mënyrë abstrakte dhe universale si pak poetë shqiptarë. Shprehja e ndjenjave në mënyrë abstrakte dhe universale është një proces i paraqitjes së emocioneve në një mënyrë që ka kuptim për njerëz të shumtë, pavarësisht nga kultura, gjuha apo përvoja individuale. Kjo mënyrë e shprehjes së ndjenjave ka tendencën për të përdorur simbole, imazhe, apo elemente të përgjithshme që të komunikojnë një mesazh emocional në një nivel më të gjerë dhe më të përgjithshëm.

Për të kuptuar këtë lloj shprehjeje, ka rëndësi të përdorim simbole apo forma artistike që kanë një prani të përgjithshme dhe që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme nga njerëzit. Poetët dhe artistët që shprehin emocionet nëpërmjet poezisë, muzikës, apo artit vizual shpesh përdorin gjuhë të përgjithshme që prekin në ndjenjat bazë të njerëzve. Për shembull, një poezi që shfaq nostalgjinë për një vend të humbur ose një melankoli mund të ndezë ndjenja të ngjashme te lexuesit pa marrë parasysh përvojat e tyre individuale.

Natasha Lako përdor një gjuhë poetike që lejon interpretimin e gjerë të ndjenjave dhe situatave emocionale, duke përforcuar ndjenjën e përjetimit të pritjes së pafund në një mënyrë që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke i dhënë mundësinë për t’u identifikuar me përvojën e shprehur. Në poezinë shqipe kjo risi është defiçitare.

Poezia e Lakos ka një lirizëm të shpërndarë, nuk ka një strukturë të rregullt apo një këndvështrim të konsoliduar. Ajo shpërndan lirizmin mes një vargimi të lirë dhe këndvështrimeve dhe më të lira, duke sjellë një ndjenjë eksperimentimi poetik dhe liri në shprehje.

Natasha Lako kombinon ndjenjat dhe mendimet në një mënyrë komplekse, duke reflektuar një larmi emocionesh e mendimesh që lidhen me pritjen, nostalgjinë, frustrimin dhe mosdijen, kompleksitet  që sjell një thellësi të veçantë në poezi dhe e bën atë të jetë më shumë se thjesht një përshkrim i një situate, por një reflektim më i thellë mbi perceptimin dhe përvojën njerëzore.

Poetja Lako përdor imazhe dhe metafora që lidhen më shumë me kontekstin modern të poezisë dhe përjetimet bashkëkohore, duke u fokusuar në përvojat dhe emocionet e përditshme në një mënyrë që ka një lidhje të fortë me lexuesin aktual.

Këto elemente e bëjnë poezinë të shprehet si  risi në mënyrën sesi ekspresohet , si përdoren figurat letrare, si i lidh emocionet me lexuesin, dhe si e shfaqet pritja dhe ndjenjat në një kontekst që reflekton realitetin dhe përvojat e kohës së sotme. Ato e bëjnë këtë poezi një shtrirje dhe eksperimentim i lirë i shprehjes poetike, i lidhur ngushtë me emocionet dhe realitetin bashkëkohor. Aritja e tyre e shndron këtë poezi nga një “bocet” eksperimental apo mësimor (për dikë) në një monument të realizuar mjeshtërisht, të denjë në përfaqsim të artit (poetik) shqiptar.

 

Sarandë, më dhjetor 2023

No comments:

Post a Comment