Friday 15 December 2023

 

Timo Mërkuri

ARMIQTË E PLAKUR TË ALEKSANDËR BARDHIT

 

I-Qysh te leximi i titullit të kësaj poezie nisa të buzëqesh me vete për qasjen që ajo më solli ndër mend. Normalisht duhej të më kujtonte poezinë “Zeusi i plakur” të Sabit Rrustemit, jo nga arsyeja e plakjes, por nga fakti që poeti Rrustemui e ftonte (armiqësisht) Zeusin e Beogradit të zbriste nga maja e Olimpit, se mjaftë qëndroi aty dhe tani si plak që ishte: nuk dëgjonte nga veshët e as shikonte nga sytë dhe i bënte “torovolo” punët aty lart. Sigurisht që këtë qasje duhej të më jipte, por ja që poezia përkundrazi më pruri ndër mend atë këngën labe: “U plake mike u plake/Bran i heq ato çorrape/U plake o mik dhe tinë/ Mbete si kau në brinjë”. Është pikërisht ai tis i hollë ironie me veten, humori, dhe ajo vijë melodike dhimbjeje për gjendjen ku arritën në pleqër shoqruar me forcën e tyre për ta pranuar këtë realitet të largët me ëndërrat e atëherëshme tyre ku u njohën si mik dhe mike. Çuditërisht, ndonëse poezia e Bardhit është larg përmbajtjes dhe sfondit të poezisë tradicionale labe, gjëndja shpirtërore,  ironia e hollë me veten dhe tjetrin është si e marrë “hua” nga kënga që përmendëm.

Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një ndjenjë të thellë ironie në lidhje me idealet për të cilat u hodhën në luftë ( e zjarrtë apo e ftohtë) dhe pasojat e saj. Në vargjeve të tij, ai përdor imazhe për të shfaqur plakjen e armikut të tij dhe vetveten nëpërmjet tragjedisë së konfliktit, ku  ai paraqet një imazh të trishtueshëm të dy kundërshtarëve (pleq)dhe bën një paralelizëm midis tyre, duke theksuar se edhe pse  armiq, ata janë plakur “bashkë” dhe kanë përjetuar vuajtje të njëjta:"Unë me tre plumba të vdekur nën brinjë, ti me një plagë që të rrjedh në shpatull" , imazhe  këto që shfaqin  dhimbjen dhe shkatërrimin fizik të tyre, duke theksuar vuajtjen dhe vdekjen nëpërmjet konfliktit. Interesant është fakti se në leximin e frazës “armiku im” nuk ndjen ndonjë lloj urrejtjeje, përkundrazi të kaplon një farë dhimbjeje dhe trishtimi, ndoshta pikërisht nga tisi i ngrohtë që i hedh poeti armikut me atë cilësorin”im”, si një pelerinë për mos ta lagur shiu.

Në vargjet e tjera, poeti përshkruan monotoninë dhe trishtimin që përjetojnë, ku ditët dhe netët kanë një rutinë të mbyllur e të dhimbshme, duke përdorur imazhe të natyrës si metafora për ndjesinë e pafund të vuajtjes dhe mungesës së shpresës. Asgjëkundi nuk shohim ndjenjën e urrejtjes ndaj armikut te vargjet e poetit, ndonëse plagët ja kanë shkaktuar njeri tjetrit.

Poezi ka një tis të hollë ironie që ndjehet, ndonëse nuk shikohet dhe ajo që është më kryesorja është fakti se personazhi nuk ironizon armikun e tij, nuk ironizon as veten , ai ironizon pasojat e armiqësisë së tyre në kontrast me besimin dhe bindjen me të cilën u hodhën në luftë kundër njeri tjetrit. Ata tashmë janë dy pleq që më shumë se mosha i ka lodhur kujtimi i asaj armiqësie dhe plagët e asaj lufte që bënë. Ata të dy janë të humbur , asnjeri nuk fitoi në atë luftë dhe ky përfundim e shton dhimbjen e plagëve. Të bësh një luftë dhe të mos fitojë asnjera palë është një absurditet, por të bësh një luftë ku të humbasin të dyja palët është një tragjedi. Këtë luftë ka në vargjet e tij poeti Bardhi. Dhe si për ta theksuar më tepër këtë ndjenjë, titulli “U plakëm armiku im” shfaqet si një frazë e fuqishme dhe ironike që ka një ndjenjë të thellë simbolike.

Duke qenë se poezia flet për armiq që kanë përjetuar vuajtje dhe konflikt, fraza "u plakëm" (ne u plakëm) është një deklaratë që tregon procesin e plakjes së tyre, por në një mënyrë ironike dhe të papritur, ku kjo shprehje mund të interpretohet në disa mënyra:

Mund të shihet si një ironi për plakjen fizike për shkak të moshës, pse "U plakëm" është diçka që ndodh natyrshëm me kalimin e kohës, por në kontekstin e armiqve që shfaqen në poezi, është ironike: sepse ata janë të "plakur" nga përvoja e luftës, jo vetëm fizikisht por edhe emocionalisht.

Mund të shihet si një ndryshim i papritur, pse fraza "u plakem" shpreh një lloj surprize të papritur. Kjo mund të paraqesë një ide se, në vend të fitoreve apo triumfeve të pritura, këta armiq kanë përjetuar vetëm plakjen dhe rrëzimin fizik dhe emocional nga lufta.

E parë në një analizë të pasojave, përmes frazës "u plakem armiku im", mund të shihet një vlerësim i pasojave të luftës dhe ndikimit të saj në atë që dikur ishin armiqtë. Plakja është një simbol i humbjes së fuqisë, energjisë dhe vitalitetit.

Pra, titulli ka një peshë të thellë simbolike dhe ironike. Ai fton lexuesin të reflektojë mbi ndikimin e luftës në njerëzimin tonë dhe të kuptojë se si konfliktet mund të çojnë në humbje dhe plakje, jo vetëm fizike, por edhe emocionale dhe shpirtërore.

 

II-Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një strukturë të thjeshtë por të fuqishme poetike, e cila përdor elemente të shkurtësisë dhe të thjeshtësisë për të transmetuar një mesazh të thellë emocional.

Poezia përdor vargje të shkurtra, të cilat shpesh kanë rima të thjeshta. Kjo shkurtësi e bën atë  të krijojë një ritëm dhe harmoni të veçantë. Psh. vargjet e shkurtra nëpër të cilat shprehet lodhja dhe plakja e armikut janë të përsëritura, duke theksuar kështu rëndësinë e kësaj ndjenje në jetën e poetit.

Pavarësisht thjeshtësisë së vargjeve, poezia përmban imazhe të forta dhe të ngjashme me metafora që përforcojnë ndjesinë e lodhjes dhe konfliktit. Psh. përshkrimi i plagës që rrjedh në shpatullën e armikut përdoret si metaforë për dëmin dhe pasojet që konflikti ka në të dyja palët.

Kontrastet  midis dëmit që kanë prekur të dy palët (poeti me plumbat nën brinjë dhe armiku me plagën në shpatull) e theksojnë mungesën e fitores së qartë në konflikt dhe gjendjen e një plakjeje të përbashkët mes palëve.

Theksojmë se poezia "U plakëm armiku im" mund të quhet një poezi e kontrasteve për shkak të kundërshtimit dhe krahasimit të elementëve të kundërt në të. Kjo poezi shfaq një varg situatash dhe ndjenjash që janë në kundërshtim të vazhdueshëm me njëra-tjetrën: Në këtë poezi, ka një kontrast të thellë midis konfliktit të gjatë dhe lodhjes së përjetuar nga të dy palët, ku ky kontrast është i dukshëm dhe përforcon ndjenjën e një ndënjeje të mbyllur, në vetmi dhe trishtim.

Në poezi, kundërshtimi midis imazheve dhe ngjyrave të errëta të shfaqura  në vargjet e saj dhe ritmit të melodicitetit që sjell përsëritja e disa frazave ka një kontrast që e bën atë të jetë e përshtatshme për interpretime të ndryshëm dhe të ofrojë një përvojë të ndryshme për lexuesin. Kontrasti midis paraqitjes së natyrës (ditëve, netëve, erës dhe lagështisë) dhe emocioneve të brendshme (lodhjes, dhimbjes, mbylljes) është i thellë dhe përforcon ndjenjën e një tensioni të vazhdueshëm midis asaj që ndodh në mjedis dhe atyre që ndjejnë brenda tyre personazhet e poezisë.

Pikërisht për shkak të kësaj përplasje kontrastesh dhe kundërshtimesh të ndryshme, poezia krijon një portret të pasur dhe kompleks të emocioneve dhe situatave të kundërta, duke e bërë atë të jetë një përvojë e fuqishme dhe e pasur për lexuesin.

Edhe vetë  përsëritja e vargut "u plakëm armiku im, o, sa jemi plakur!" në  këtë poezi ka një efekt të veçantë në poezinë në tërësi sepse:

Përsëritja e kësaj fraze ka një qëllim të thellimit të shprehjes së lodhjes, vjetërsisë dhe plakjes nga konflikti, duke theksuar përsëri dhe përsëri një ndjenjë të vazhdueshme të kësaj gjendjeje. Kjo teknikë e përforcon qëllimin e poetit për të theksuar ndjenjën e përbashkët midis palëve të konfliktit, një lodhje të përbashkët që ata ndjejnë si rezultat i grindjeve dhe betejave të vazhdueshme.

Kjo përsëritje ka një impakt të thellë emocional, dhe krijon një lloj ritmi që forcon ndjenjën e plakjes dhe lodhjes së përjetuar nga poeti dhe armiku. Gjithashtu përforcon idenë se kjo gjendje e përbashkët është e pakapshme dhe pothuajse e paimagjinue-shme, duke theksuar qëndrueshmërinë e saj në kohë.

E parë së jashtmi, struktura poetike e saj  është e thjeshtë, por përdorimi i imazheve të fuqishme (dhe përsëritja e vargjeve) theksojnë thellësinë e ndjenjave dhe tematikën e lodhjes së vazhdueshme nga konflikti. Le të të shfaqim disa imazhe poetike të kësaj poezie duke i shoqëruar ato me ngjyrat e një pikture apo melodinë e një muzike.

Imazhi poetik: "unë me tre plumba/të vdekur nën brinjë/ti me një plagë/që të rrjedh në shpatull!.."na jep mundësinë të  vizualizojmë dy figura që përfaqësojnë poetin dhe armikun, të plagosur në mënyra të ndryshme nga konflikti. Përshkrimi poetik i tyre me plagë në trup  shfaqet si një pikëllim i thellë, ndërkohë që ngjyrat e errëta dhe muzika e ngadalshme mund të përforcojnë këtë imazh të dhimbshëm.

Po ashtu imazhi poetik: "ditët/hapen e mbyllen si porta” përfaqëson një ndjesi të kohës që kalon në një rrjedhë të vazhdueshme monotonie të trshtueshme, duke përdorur ngjyrat që shfaqin ndryshimet e dritës dhe hijes. Melodia që shoqëron këtë imazh mund të jetë e qetë, por me një ndjesi të pakëndshme të marrëdhënieve të përsëritura.

Ndërsa imazhi poetik: "netët bien/erë dheu të freskët,/të lagur."( si dheu i varreve të porsahapur, do shtoja unë në koment) mund të përshkruajë një atmosferë të mbyllur, të thatë dhe të ftohtë që pasqyrojnë mungesën e shpresës ose një situatë të vështirë. Për këtë, ngjyrat e errëta dhe e ftohta mund të jenë domethënëse.

Interesant është se leximi i këtij imazhi të jep ndjesinë se je duke vizituar ndonjë ekspozitë fotografish bardh e zi të shkatërimeve të luftëse, ku shihen qartë të vrarët e plagosurit dhe plagët e tyre ende të pafashuara, vizitë kjo shoqërohesh me një melodi të ngadalshme, të trishtëshme, me akorde të zbutura në ngjyra të errëta. Gjithashtu, ngjyrat e ftohta, si blu i errët, të zi, ose gri të thellë që të regëtijnë në memorje, mund të përforcojnë ndjesinë e mbylljes dhe të ftohtësisë në këtë imazh.

 

III-Poezia "U plakëm armiku im" e Aleksandër Bardhit ka një thellësi psikologjike në pasqyrimin e një konflikti të vazhdueshëm, të lodhshëm dhe dëshpërues për të dy palët. Disa aspekte psikologjike të theksuar në këtë poezi përfshijnë:

Ndikimin e  konfliktit në shëndetin emocional, ku ky konflikti  vazhdueshëm dhe marrëdhënia armiqësore kanë një efekt të madh negative. Në poezinë e Bardhit, monotonia, mungesa e ndryshimit, dhe ndjenja e lodhjes së përsëritur përforcohen nëpërmjet vargjeve për të shfaqur ndjenjën e një trajtimi të pashpirtshëm dhe të vazhdueshëm të konfliktit.

Konflikti i gjatë sjell një stres të vazhdueshëm dhe lodhje të thellë psikologjike. Poezia paraqet një atmosferë të mbylljes dhe një monotoni të jetës, që përforcon ndjenjën e lodhjes dhe mungesën e shpresës për ndryshim.

Në një konflikt të gjatë, individët mund të përjetojnë mungesën e zgjidhjes dhe të ndiejnë se nuk ka rrugëdalje prej situatës. Kjo mund të shkaktojë ndjenjën e mbylljes (në një dhomë të errët) dhe të vështirësisë për të parë dritë në fund të tunelit, një përparim ose ndryshim pozitiv në situatën e tyre.

Poezia "U plakëm armiku im" pasqyron një konflikt të gjatë dhe lodhjen që rrjedh nga ai, ajo gjithashtu shfaq një ndikim të thellë emocional, ku disa aspekte plus psikologji-kë janë:

Ndjenja e pashpresësisë dhe mungesa e shpresës që përjetohet në një atmosferë të dominuar nga konflikti, Kjo mund të krijojë një ndjesi të pashpresë, e cila shfaqet në poezinë e Bardhit përmes monotonisë të përshkruar në ditët e hapura dhe të mbyllura si porta.

Mungesa e aftësisë dhe mundësisë së pjesmarrësve për të ndryshuar situatën që shfaqet në rastet e një konflikti i vazhdueshëm. Individualët në një situatë të tillë mund të ndihen të bllokuar, pa mundësi dhe pa shpresë për të ndikuar në rezultatin e konfliktit, duke sjellë ndjesi të një lodhjeje të thellë dhe një qndrim pasiv.

Konflikti i vazhdueshëm mund të krijojë pengesa të mëdha për komunikim dhe bashkëpunim mes grupeve të njerës palë ashtu dhe mes palëve. Kjo situatë e pengon kontaktin dhe bashkëpunimin për gjetjen e zgjidhjeve, duke e bërë atë edhe më stresuese dhe e vështirë për ta kaluar.

Pra, poezia e Bardhit shfaq një pasqyrë të thellë të ndikimit psikologjik të konfliktit të gjatë te individët e përfshirë si pjesmarës në atë, duke rritur ndjenjën e mbylljes në vetvete, tyë lodhjes dhe mungesës së shpresës për ndryshim në situatën e tyre, për pasojë duke tjetërsuar natyrën e tyre drejt ashpërsimit të karakterit dhe sjelljes.

 

IV-Gjuha dhe fjalët që përdoren në poezinë "U plakëm armiku im" të Aleksandër Bardhit janë të thjeshta dhe të përdorura me kujdes për të paraqitur një ndjenjë të thellë emocionale. Autori përdor  gjuhë të qartë dhe të drejtëpërdrejtë për të shprehur ndjenjat e lodhjes dhe mbylljes nga konflikti.

Fjalët përdoren në mënyrë të zgjedhur për të shfaqur imazhe të forta dhe të ngjashme me metafora që përforcojnë ndjenjën e lodhjes dhe të plakjes. Përdorimi i fjalëve si "plumbat", "plagë", "hapen e mbyllen si porta", "netët bien" dhe "erë dheu të freskët, të lagur" sjellin një ndjenjë të thellë të dhimbjes, lodhjes, dhe një mbylljeje të ndjesive.

Në këtë poezi, Bardhi përdor një gjuhë të rrjedhshme dhe të shkurtër për të shprehur në mënyrë të qartë dhe të thellë ndjenjat që lidhen me konfliktin dhe dhimbjen që vjen si pasojë e tij. Gjuha e thjeshtë dhe metaforat e përdorura sjellin një ngarkesë emocionale që ndihmon lexuesin të ndjehet pjesë e emocioneve dhe botës  shpirtërore  të shprehura në këtë  poezi të shkurtër moderne. Lexojeni këtë poezi të Aleksandër Bardhit, do tju pëlqejë, ju siguroj unë.

 

Sarandë, më dhjetor 2023

 

Aleksander Bardhi

u plakëm armiku im

u plakëm armiku im,

o, sa jemi plakur!...

 

unë me tre plumba

të vdekur nën brinjë

ti me një plagë

që të rrjedh në shpatull!..

 

u plakëm armiku im

o, sa jemi plakur

 

ditët

hapen e mbyllen si porta

netët bien

erë dheu të freskët,

të lagur.

 

 ExLibris nr 260

No comments:

Post a Comment