Sunday 26 November 2023

 

Timo Mërkuri 

SHUMËSIA KUPTIMORE E POEZISË “ETJA E KRYQËZIMIT” E ANTON NIKË BERISHËS


 

Takimi me poezinë “Etja e kryqëzimit” të Anton Nikë Berishës te libri “Me shkëlqim yjesh” (f. 35) nuk ishte befasi për mua, pasi duke ditur njohuritë e thella dhe të gjera të autorit për historinë, teorinë dhe praktikën e krishterimit, njohje që përligj një seri veprash krijuese ku përfshihen romane, studime, përmbledhje krijimesh të personaliteteve kishtare, do të më befasonte mungesa e një krijimi dhe emri i Berishës në mes të poetëve që kanë shkruar për këtë temë. Nuk më befasoi as niveli i epërm artistik dhe psikologjik i këtij krijimi poetik, madje as metaforizmi i fjalës “Kam etje” të Jezu Krishtit në “Etja e Kryqëzimit” nuk më habiti për arsye se: së pari kjo fjalë e Krishtit u shqiptuar në çastin që Ai ishte i kryqëzuar dhe se: së dyti kuptimësia e saj është një nga shtyllat kryesore të krishterimit, me zbërthimin e së cilës janë marrë dishepujt e tij qysh në fillesë: papë e kardinalë, komentues e teologë të kishës, biografë kishtarë dhe shkrimtarë të ndryshëm.

Mua më vuri në mendime lidhja që poeti i bënte kësaj fjale me pritjen entuziaste që populli i Shkodrës i bëri Papës Gjon Palit II në vizitën e tij më 25 prill 1993, vendosja e kësaj fjalë në gojën e Papës Wojtila dhe fakti se: ndryshe nga natyra e tij, që anon në krijimin e poezive të mendimit, kjo është një poezi pasionante, simbolike e metaforike, e cila jo rastësisht e ka titullin të metaforizuar në: “Etja e kryqëzimit”, duke lënë të kuptohet që bashkë me Jezusin u (synua) kryqëzua dhe “etja” e tij, dashuria e mëshira (e Atit) për njerëzit, gjë që sjell përfundimin logjik: me ringjalljen e Krishtit u ringjallën dhe ato, si dhuratë e Atit për njerëzimin.

 

I-E parë në kontekstin historik Jezu Krishti e tha shprehjen “Kam etje[1]“ në orën tre mbasdite të ditës së kryqëzimit dhe pasi refuzoi të pinte uthullën që i ofruan me tallje ushtarët romakë ai shqiptoi frazën tjetër: “U krye”. Në burimet kishtare mësojmë se ai kishte kaluar tri orët “e errësirës” nga dreka deri në orën tre të mbas ditës me bindjen e plotë se Ati i tij e kishte braktisur, pasi nuk i ishte përgjigjur britmës së tij (rreth orës nëntë) me zë të lartë, me fytyrën e drejtuar nga qielli: Eli, Eli, lama sabaktani?, d.m.th “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Ungjilli sipas Mateut: K.27. v. 46.). Këtë informacion e gjejmë te Ungjillin sipas Gjonit, ku te Kap. 19:28 lexojmë: “Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha fjalën: “Kam etje!”. S’kanë munguar komentet dhe hamendsimet për një etje fizike për ujë, si pasojë e dhimbjeve dhe vuajtjeve, por po të ishte kjo, ai do të kishte pirë uthullën që i afruan ushtarët romakë, aqë më tepër që pirja e saj do t’i mpinte dhimbjet. Ai nuk e kishte fjalën për etje fizike, ai kishte “etje për mëshirë” nga Ati i tij, kishte “etje për dashurinë” e njerëzve të pranishëm dhe jo të pranishëm. Ndërsa fraza e tij: “U krye” ka kuptimin se çdo gjë u krye sipas shkrimeve të shenjta.

Është e natyrshme pyetja: çfarë qasjeje kanë në kontekstin e poezisë “Etja e kryqëzimit” fraza “kam etje” e Krishtit, vetë Jezu Krishti në kryq dhe populli shqiptar. Them se qasja është shumë e dukshme dhe e pranishme, si në historinë e popullit tonë ashtu dhe në aktualitetin që jetojmë.

Populli shqiptar gjithmonë ka pasur “etje” për dashurinë, ndihmën dhe ngrohtësinë e Evropës, si një foshnjë e vogël për dashurinë e nënës së saj, por ka dy momente në historinë e tij që kjo etje është bërë etje zalisëse, pasi fryma e tij (e popullit) ka qenë në grahmat e fundit. Rasti i parë ka qenë me pushtimin turk pas epopesë skënderbejane kur ai mbeti vetëm nën lemerinë e pushtuesit. Në qoftë se në gjallje të Skënderbeut Evropa dërgonte ndihma materiale, financiare, madje dhe ushtarë për t’iu bashkuar ushtrisë shqiptare në luftën anti osmane, pas rënies së kështjellës shqiptare asnjë e tillë nuk u duk në horizont. Është e vërtetë që Vatikani vijoi ndihmën me përgatitje e dërgim priftërinjsh në vendin tonë, me botimin dhe dërgimin e literaturës kishtare, por populli ynë kishte etje, kishte shumë etje për liri. Ishin të shumtë ata që “i tregonin

burimin”, por shumë të pakët ata që i ofronin një gotë ujë.

Rasti i dytë nisi në vitin 1945 dhe arriti kulmin në vitin 1967, me prishjen e kishave, përndjekjen e priftërinjve dhe ndalimin e besimit fetar. Ishte njësoj si një kuçedër që kishte “etje për gjak” të zaptonte burimin ndërsa njerëzit thaheshin nga “etja për besim”, nga etja për një bashkëbisedim, qoftë dhe në heshtje me Zotin, por kuçedra-diktaturë i trembej kësaj heshtjeje gjëmimtare më shumë se topave e avionëve luftarakë. Përballë kësaj kuçedre nuk bënte punë ndonjë Gjergj Elez Ali, pasi vetëm në Shkodër u martirizuan 38 të tillë. Me një “etje” të tillë (pak të shuar) e gjeti Papa Karol Wojtila popullin tonë në atë vizitë të 25 prillit 1993.

Për fat të keq edhe një rast tjetër i është shtuar kontekstit të detyruar historik, por në këtë rast është vetë populli ynë i kryqëzuar në kryqin e tranzicionit të stërzgjatur me një “etje” të madhe për liri, demokraci, zhvillim e bashkim me Evropën, i mohuar tre herë në ditë nga bijtë e tij si Jezu Krishti nga Pjetri dhe nga Evropa dyer mbyllur. Populli ynë i kryqëzuar ka etje për dashurinë dhe ngrohtësinë evropiane.

Në këtë kontekst duhen lexuar këto vargje, me qëllim që ta kuptojmë etjen e Jezu Krishtit në kryq dhe vetë “Etjen e kryqëzimit” në poezi.

 

II-Raportet e popullit shqiptar me krishterimin janë të njohura në thellësi kohe: qysh me Shën Palin, në thellësi me mbi dhjetë shenjtorë me origjinë shqiptare, me papët e Vatikanit me origjinë shqiptare, me shpalljen e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti si “Atlet i Krishtit” më 11 shtator 1457 nga Papa Kaliksti III (“Atleta invitto e propugnatore del nome cristiano”), dhe në kohët moderne: me shpalljen martirë të 38 priftërinjve katolikë ekzekutuar nga regjimi komunist si dhe me nderimin e veprës dhe shenjtërimin e Nënës Tereze.

Klerikët e krishterë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e popullit tonë, ku ata shfaqen si komandantë kështjellash në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si prijës të kryengritjeve kundër otomanëve apo dhe pjesëtarë në çetat e kryengritësve; ata dallohen sidomos për rruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe në periudhën e pushtimit Osman; shkruan e botuan libra shqip, predikuan krishterimin në gjuhën shqipe, madje hapën shkolla ku mësohej krishterimi në gjuhën shqipe.

Me tekste të shkruara nga priftërinjtë dhe të botuara në Vatikan dëshmohet se krishterimi i shërbeu identitetit evropian të shqiptarëve si kordoni ushqyes i fëmijëve në bark të nënës, duke qenë vetë pjesë organike e këtij identiteti. Priftërinjtë mblodhën artin gojor dhe kodet zakonore shqiptare dhe ishin botuesit, komentuesit dhe mbrojtësit e tyre në jetën shqiptare, ndonëse shpesh i vishnin me petkun fetar (me synim mbrojtjeje dhe jo tjetërsimi). Ata ishin të parët që kryen studime shkencore mbi gjuhën dhe gramatikën e gjuhës shqipe, madje duhet theksuar se ishin klerikët që drejtuan mendimin dhe vendimin miratues të alfabetit latin të gjuhës shqipe, duke shpallur kështu faktin që kombi ynë ishte pjesë organike e Evropës.[2]

Në poezinë “Etja e kryqëzimit” Anton Nikë Berisha përqëndrohet te figura e Karolo Wojtilës (Papës Gjon Palit II) dhe te kontributi e tij në njohjen dhe propagandimin e vendit tonë si pjesë organike e Evropës, duke riafirmuar botërisht identitetin evropian të kombit tonë[3]. Poeti përmend shenjtërimin e Nënës Tereza për të cilën papa u shpreh me superlativa[4], foli për Kosovën[5], të cilën e quajti: “Kosova është varrë e shpirtit im” dhe bëri thirrje të shpëtohej nga martirizimi.

Poeti na e paraqet të bukur, plot mirësi e shenjtëri, portretin e Papës Gjon Palit II, pse ai e ka parë Papën nga brenda shpirtit të tij, e ka ndjerë mirësinë dhe dhembshurinë e tij për popullin tonë. Berisha nuk e ka soditur, nuk e ka fotografuar së jashtmi Papën dhe kjo është e dukshme, po ta shohësh me sytë e ndjenjës, prej ku portreti i Papës rrezaton pastërti, bardhësi, mirësi e shenjtëri dhe të krijon besimin se personi i tij është i duhuri për t’i besuar të të drejtojë dhe udhëheqë pasi ai vlerësohet nga poeti si: “Kalorës i fesë së gjallë” dhe ” Lis i jetës me etje të pashuar për dritë”. Së pari Berisha i ka ndjerë shpirtërisht fjalët e Papës, pastaj e ka kuptuar domethënien e tyre, e cila e ka tronditur dhe lumturuar. Ai ka qenë një përjetues i këtyre fjalëve, jo një dëgjues i tyre, këtu e kanë burimin ato vlerësime poetike të poetit: “Hyji vetë shortin e caktoi/e rrezja e Dritës ra në ty/e ndriçoi shpirtin dhe mendjen tënde/dhe nga Vatra e Shën Pjetrit /Biri i Hyjit vuri në buzët e tua /”Mos keni frikë[6]!”/dhe ndenje zgjuar me etjen e kryqëzimit/ duke e shtuar pareshtur / dashurinë – /gurrë e ndriçimit qiellor”, të cilat shfaqin një portret njeriu të shenjtë, të “shënjuar[7]“ nga vetë Hyji, prandaj në gojën e tij i vë edhe fjalë të Jezu Krishtit, të cilat tingëllojnë natyrshëm. Nuk e di pse, por me leximin e portretit të Papës, krijoj bindjen se qysh në atë ditë poeti Berisha ka ndjerë shenjtërimin[8] e ardhshëm të Papa Gjon Palit II, gjë të cilën e ka shprehur te vargjet: “Të përfytyroj pas çastit të gjykimit/me hirin e Hyjit ngjizur”.

 

III- E parë në këtë kontekst poezia, duke shfaqur vizitën e Papës në Shqipëri dhe pritjen e ngrohtë që i bëri populli shqiptar, shpreh dhe konfirmon më së pari identitetin evropian të shqiptarëve, madje edhe elementin fetar e vë në funksion të identitetit evropian, dhe kjo duket në disa aspekte:

Identiteti evropian karakterizohet nga respekti për diversitetin kulturor dhe fetar (dhe Shqipëria është një vend me një diversitet të tillë), që është karakteristikë e Evropës moderne dhe është një përpjekje për të promovuar harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare.

Shqipëria ka një histori të pasur kulturore dhe fetare që është ndikuar nga traditat e krishterimit dhe (të islamit). Vizita e Papës dhe pritja e ngrohtë që ju afrua atij nga populli shënjon vlerat e tolerancës fetare dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimeve të ndryshme që ekzistojnë aktualisht në Shqipëri, pa marrë parasysh origjinën e tyre. Kjo tolerancë është një karakteristikë e vlerave evropiane, ku liria fetare dhe respekti për besimet e të tjerëve janë parë si vlera themelore.

Historia dëshmon për një lidhje të popullit tonë me Evropën në aspektin e mbrojtjes së përbashkët nga armiqtë e përbashkët, të ndihmesës ushtarake dhe ekonomike, të kulturës dhe të besimit, ku krishterimi ka qenë jo vetëm “spiranca që popullin tonë e mbante të lidhur me Evropën” (Noli).

Pra, vizita e Papës dhe pritja e ngrohtë, gati adhuruese që iu bë nga populli shqiptar tregon përkushtimin e vetë popullit ndaj vlerave evropiane dhe konfirmon identitetin evropian të tij. Mund të themi se kjo ngjarje historike (vizita e Papës) dëshmon se Shqipëria është aktualisht një pjesë e familjes evropiane dhe punon për t’i ndjekur vlerat dhe mësimet evropiane për një të ardhme të ndritur.

 

IV- Në poezinë “Etja e Kryqëzimit” paraqitja dhe kujtimi i vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri janë elemente thelbësore të një ngjarjeje historike, e cila ka ndikuar thellë në shoqërinë dhe kulturën shqiptare, por poezia nuk përqendrohet në aspekte fetare.

Poezia përfshin përbërës të rëndësishëm të vizitës së Papës Gjon Palit II në Shqipëri më 25 prill 1993, dhe krijohet një lidhje e thellë me historinë dhe kulturën shqiptare në kontekstin e kohës: (dhe nga Vatra e Shën Pjetrit), Shkodrës (Në Shkodër të priti Zoja e Këshillit të mirë/– Roje e fatit tonë–), Gjergj Kastrioti ( Erdhe me etjen e kalorësit të palodhur/ dhe puthe dheun e Vendit tim – /grigjën për ta bashkuar – /e në Sheshin “Skënderbe” të Gjergjit), Nënë Tereza (në plimin e buzëqeshjeve të brishta/që i ëndërrojnë skamnorët e Nënës Tereze,/aty – këtu – kudo –) etj. dhe sigurisht Papa Gjon Palit II, figura e të cilit është në qendër të poezisë. Poeti shpreh një vlerësim të madh për Papën si të zgjedhur nga vetë Hyji, madje edhe fjalët e tij cilësohen si të vëna në buzët nga vetë Biri i Hyjit (Jezu Krishti): “ /Biri i Hyjit vuri në buzët e tua “, madje edhe fjalë të vetë Krishtit: “ Kam etje” dhe “Mos keni frikë!”, por shohim lehtësisht se e gjitha kjo, e parë në kontekstin poetik, edhe elementet fetare janë përdorur në shërbim të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Poezia ka dhe një dimension trishtimi aktual dhe një thirrje për unitet në kontekstin e kohës së shkruar, kohë kur Kosova ishte e përfshirë në konfliktin e luftës dhe vuajtjeve, duke prurë një thirrje për përballjen me vështirësitë dhe mbrojtjen e vlerave të besimit dhe identitetit kombëtar.

Fakti që populli i Shqipërisë doli nga diktatura komuniste dhe ateizmi i tij zyrtar dhe priti një Papë të krishterimit për herë të parë, është një ngjarje historike shumë e rëndësishme dhe emocionuese për vendin dhe popullin tonë, që shënoi një hap të madh drejt lirisë fetare për popullin, moment ky që tregoi ndjeshmërinë dhe dashurinë e tij ndaj krishterimit.

Vizita e Papës sjell një moment të madh të unitetit kombëtar, ku shqiptarët, pavarësisht besimit të tyre, u bashkuan në një emocion të përbashkët për të mirëpritur udhëheqësin e krishterimit, që shënon solidaritetin e popullit tonë, të kalitur përgjatë një historie të zjarrtë.

 

IV- “Etja e Kryqëzimit” është poezi simbolike, metaforike dhe imazhore; ajo shpreh thellësinë e ndjenjave dhe ndjeshmërisë së autorit, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe duke sjellë një përvojë poetike të re në letërsinë shqipe. Këtë e mbështesin elementet poetike si: Metafora e “Etjes së kryqëzuimit” shfaq një kërkesë thellësisht shpirtërore dhe një tendencë për ta penguar realizimin e shuarjes së kësaj etjeje nëpërmjet një dënimi ekstrem si kryqëzimi, metafora:“Shtegtimi i pandalë” që paraqet rrugën e jetës, e cila mund të kuptohet dhe si rrugëtimi i shpirtit drejt dritës dhe diellit shpirtëror.

Përdorimi i dritës si simbol i hirit, kuptimit dhe frymës së shenjtë shfaq dritësimin shpirtëror, të brendshëm të njeriut. Simbol i Kryqit është përdorur për të identifikuar Krishtin si një kërkesë për bashkim shpirtëror, ndërsa imazhi i rrjedhjes se “lumit malor”shpërfaqet si një metaforë për rrjedhjen e kohës dhe fuqinë e dashurisë së dritës që përtërin rrugën drejt dritësimit dhe fisnikërimit. Imazhet Bukë, Krypë, Zemër” përfaqësojnë simbole të mikpritjes shqiptare, të lidhura me traditën dhe kulturën.

Fjalia e amshuar dhe thënia eksplikative[9]: “Fjala e amshuar është porsi pragu përmatanë të cilit jetojmë, lëvizim dhe jemi” në këto vargje theksojnë udhëtimin e thellë shpirtëror dhe kërkimin e dritës hyjnore, duke përdorur imazhe të natyrës dhe teologjisë. Autori shpreh dëshirën për të arritur dritën dhe kuptimin e thellë të jetës dhe mësimet që janë të lidhura me këtë kërkim. Imazhi “Zogj të Hekurt” (avionët serbë) ka një ngjyrë të fuqishme simbolike dhe metaforike, lidhur me ngjarjet e vështira dhe tensionet që përballonte populli shqiptar në Kosovë.

 

V-Në thelbin e saj “Etja e Kryqëzimit” është një poezi moderne me sfond fetar, po nuk është një poezi fetare. Është poezi moderne pasi shfaq elemente të modernitetit në poezi në disa aspekte:

Poezia është e ndarë në seksione, ku secili seksion ka një temë dhe një perspektivë të ndryshme, lloj strukturimi që është i zakonshëm në poezinë moderne, e cila lejon ndryshimet e temave dhe të perspektivave brenda një poezie.

Autori përdor simbole dhe metafora për të shprehur dukuri dhe ide, duke pasuruar thellësinë dhe kuptimësinë e poezisë. Përdorimi në këtë funksion i metaforave, i simboleve dhe i imazheve janë dukuri të veçantisë së poezisë moderne.

Siç treguam më sipër, kjo poezi përdor dukuri dhe ngjarje nga e kaluara e botës sonë për të përcjellë mesazhe aktuale, duke e bërë atë të rëndësishme për kontekstin e sotëm, ku qasja ndaj historisë dhe aktualitetit është një tipar modern i poezisë.

Disa studiues të poezisë moderne kanë theksuar se poezia moderne është më shpesh e përqendruar në përvojën individuale dhe emocionet e poetit, në këtë rast të poetit Berisha, ndërsa simbolikat fetare kanë tendencë të jenë më kolektive dhe të përkujdesen për temat e besimit dhe spiritualitetit.

Në rastin e poezisë “Etja e Kryqëzimit” të Berishës, simbolikat fetare janë

përdorur në një mënyrë të sofistikuar dhe të veçantë për të shprehur vlera dhe ide të botës shpirtërore dhe historike që janë aktuale edhe për kontekstin e sotëm.

 

VI-Në qoftë se do ta shohim në aspektin e teologjisë së krishterë poezinë “Etja e kryqëzimit” dhe frazën e Jezu Krishtit: “Kam etje” do të themi se Jezu Krishti në kryq, duke thënë, “Kam etje” nuk e pati fjalën për etje për ujë, si pasojë e dhimbjeve dhe mundimeve fizike. Ai kërkoi “ujë” dhembshurie nga Ati tij, “ujë” dashurie nga njerëzit. Në teologjinë e krishterë, shprehja “Kam etje” është interpretuar edhe si një dëshirë e Krishtit për të sjellë shpëtim dhe mëshirë për njerëzimin, ku Krishti është “ujë i gjallë” dhe në atë çast ai po e shprehte dëshirën për t’i shpëtuar njerëzit dhe për t’u dhënë jetën e përjetshme.

Referencat ndaj fjalëve të amshuara dhe mesazheve të Papa Gjon Palit II theksojnë një aspekt teologjik të njohurive dhe udhëzimeve fetare. Fjala e amshuar përcjell një kuptim të fesë dhe ngjarjeve historike fetare si thënia: “Dashuria është tharmi i paqes së shpirtit”, apo :” Kush beson nuk është asnjëherë i vetëm/as i vetmuar”.

Po ashtu edhe solidariteti i shprehur ndaj vuajtjeve në Kosovë e roli i Papa Gjon Palit II si një udhëheqës i besimit, shfaq një perspektivë teologjike të dashurisë së Krishtit dhe përkushtimit ndaj paqes dhe drejtësisë.

Kërkesa për një të ardhme të ndriçuar në kontekstin e poezisë ka edhe një dimension teologjik, pse shfaq besimin në fuqinë e hyjnore për të ndihmuar dhe përmirësuar jetën e njeriut.

Pra, “Kam etje” është e rëndësishme për krishterimin, sepse ajo përfshin thelbin e mesazhit të Krishtit dhe të kuptimit të tij të thellë teologjik; manifeston vuajtjen dhe sakrificën e Birit për shpëtimin e njerëzve dhe dëshirën e tij për të sjellë mëshirë të përjetshme për besimtarët. Të kemi parasysh se Berisha është një njohës i thellë i krishterimit dhe interpretimit të disa dukurive të tij, gjë që dëshmohet me një seri të gjerë krijimesh në këtë fushë të gjinive të ndryshme si poezi, studime, romane etj. I tillë shfaqet dhe në këtë poezi.

 

VII- Poezia “Etja e Kryqëzimit” e Anton Nikë Berishës mund të analizohet dhe në aspekte psikologjike dhe filozofike për të kuptuar idetë që shprehen në të.

Në aspektin psikologjik në këtë poezi “Etje” simbolizon etjen shpirtërore dhe dëshirën për të kuptuar thellësitë e jetës dhe të besimit.

Në aspektin filozofik mund të themi se poezia shpreh rolin e besimit në jetën e njeriut, ajo thekson se “dashuria është tharmi i paqes së shpirtit” dhe se kjo dashuri duhet të mbjellë në çdo zemër “etjen e Krishtit në kryq”, dashurinë për njeriun. Ky mesazh ka një dimension filozofik të thellë në lidhje me moralin dhe misionin e njeriut në botë.

Poezia shfaq një qëllim të përbashkët të njerëzve për të ndjekur rrugën drejt dritësimit shpirtëror. Ky drejtim i jetës ka një ndikim filozofik, pasi thekson rëndësinë e gjetjes së qëllimit dhe arsyes së ekzistencës së njeriut.

 

VIII- Poezia “Etja e Kryqëzimit” e Anton Nikë Berishës është një poezi moderne e një tipi të ri në letërsinë shqipe, me përmasa të gjera artistike, psikologjike dhe filozofike, e cila duhet lexuar me vëmendje të shtuar për të ndjerë pasurinë e saj shprehëse artistike; përligj pasurinë shpirtërore të një poeti të talentuar, me dije e njohuri të thella në letërsi dhe teologji.

Në këtë mënyrë dëshmohet se talenti krijues është fara e artit poetik, prozë, pikturë etj, niveli artistik i tyre është në varësi të nivelit krijues të përfituar në arsimim, lexim etj.

Anton Nikë Berisha është i bekuar nga Hyji: ka një talent original, të cilin te kjo poezi e ka ngjitur në shkallën e poezisë moderne të kuotës së lartë, duke përdorur mjeshtërisht edhe sfondin poetik fetar. Në letërsinë shqipe rrallë mund të gjesh aspekte të tilla poetike në një poezi moderne bashkëkohore. Kam shumë dëshirë të lexoj poezi të kësaj natyre prej tij dhe mendoj se nuk jam i vetmi, edhe pse te kjo poezi më duket se shoh të gdhendur kryqin ku herë shoh të Kryqëzuar Krishtin dhe herë shoh popullin tim.

 

Sarandë, nëntor 2023


 



[1] Është e kuptueshme që shprehja e Krishtit “Kam etje” s’ka të bëjë me etje fizike, pavarësisht se disa komente e shpjegojnë si të tillë. Midis vargut 27 dhe 28 (të kap. 19), ne kemi, pa dyshim, tre orët e errësirës – nga mesdita deri në orën tre. Pikërisht gjatë kësaj kohe Jezusi (kujtoi se) u braktis nga Perëndia, duke vuajtur dënimin e mëkateve tona (të njerëzve). Duke shfletuar Ungjillin sipas Gjonit, lexojmë te Kap. 19:28 “Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje!”. Në K. 19:29 lexojmë: “Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja”, ndërsa te K. 19:30 thuhet: “Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!”. Dhe duke ulur kryet, dha frymën”.

“Kam etje” e Krishtit na tregon që më e madhe se etja e Tij fizike, ishte etja e Tij frymërore për shpëtimin e shpirtrave të njerëzve. 19:29 Ushtarët i dhanë uthull për të pirë. Me sa duket ata lagën një sfungjer në fundin e një shkopi prej hisopi dhe ia vendosën në buzë. (Hisopi është një bimë që përdoret në festën e Pashkës – Eksodi 12:22). Kjo nuk duhet ngatërruar me uthullën dhe vrerin që i ishte ofruar më parë (Mt. 27:34). Ai nuk e piu atë sepse kjo mund të shërbente si një lehtësues dhimbjesh. https:// krishterimi.al/komentari/gjoni/ gjoni_18-19/. Fjala e Jezu Krishtit në kryq “Kam etje” duhet kuptuar si një etje për mëshirë (nga Ati), si një etje për dashuri (nga njerëzit).

[2] Sigurisht që edhe klerikët, intelektualët e patriotë të besimit islam si busull orientimi të veprimtarisë e propogandës së tyre kishin Evropën, pavarësisht se shumë prej tyre aktivitetin e kryen jashtë Shqipërisë, ata si devizë kishin vargun naimian: O dritë e diturisë që lind nga perëndon. Për shkak të temës së shkrimit kufizohem me klerikët kishtarë.

[3]Qysh në 5 Tetor 1980 nga Otranto, Papa Shën Gjon Pali II duke dënuar persekutimin e besimtarëve dhe të qytetarëve në Shqipërinë komuniste, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste. Në homelinë e Meshës Shenjtë të atij 5 tetori, Papa Shën Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.

[4] Në Shkodër, më 25 prill 1993, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar veprimtarinë e Nënës Tereze tha: “Të dashur, nuk mund mos të përshëndes një person fort të përvuajtur që ndodhet mes nesh. Është Nëna Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dinë nga vjen, cili është Atdheu i saj. Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë ishte pikërisht kjo rregulltare e përvuajtur, kjo shërbëtore e përvuajtur e më të varfërve ndër të varfër që përçonte në tërë botën emrin e Atdheut tuaj. Në të, në personin e Nënës Tereze, Shqipëria është nderuar gjithmonë. Ky është misioni i saj e i të gjithë atyre, që porsi ajo, janë ndjekës të vërtetë të Krishtit, apostuj të Krishtit, apostuj të dashurisë e të përdëllimit. Ju falënderoj sot në emër të Kishës universale, ju falënderoj, të dashur shqiptarë, për këtë bijë të tokës suaj, të popullit tuaj”! Në një rast tjetër, me besimin te shenjtëria e Nënës Tereza Papa ishte shprehur: “aty ku nuk shkoj unë, shkon Nëna Tereza”.

[5] Në lidhje me Kosovën Papa Gjon Pali II më 7 qershor 1998 i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë,: “Jo larg nesh – thekson Papa – në Kosovë, opsionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. Ja edhe fjalët e Papës Ëojtila për paqen në Kosovë gjatë mesazhit Urbi et Orbi – drejtuar Romës e botës të dielën e Pashkëve të 4 prillit 1999 nga Vatikani: “Nga Zoti i Ngjallur kërkoi dhuratën e çmuar të paqes, posaçërisht për tokën e martirizuar të Kosovës, ku lot e gjak përzihen në një skenë dramatike, plot urrejtje e dhunë. Mendoj për ata që u vranë, për atë që mbeten pa strehë, për ata që u ndajnë nga familjarët, për ata që u detyruan të ikin larg. E uroj të mobilizohet solidariteti i të gjithëve që, më në fund, të nisin e të flasin vëllazërimi e paqja. E si mund të mos prekemi thellë përballë vërshimit të dhimbshëm të burrave e të grave të Kosovës, që na trokasin tek porta, duke na kërkuar ndihmë? Në këtë ditë shenjte, e ndjej për detyrë t’u drejtoj një thirrje të ngushtme autoriteteve të Republikës Federale të Jugosllavisë, të lejojnë hapjen e një korridori humanitar, për të krijuar mundësinë që ndihmat të arrijnë tek popullsia, e grumbulluar në kufirin e Kosovës. Për veprat humanitare nuk duhet të ekzistojnë kufijtë; hapja e korridoreve të shpresës mbetet detyrë e përhershme”.

[6]Frazë e thënë së pari nga Jezu Krishti: Ungilli sipas Mateut. K 28,v 10: Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do më shohin''. Më 22 Tetor 1978 në meshën inaguruese të Pontifikatit të tij, Papa Gjon Pali II , duke cituar Jezu Krishtin tha: “Qëndroni, mos kini frik. Hapjani, hapjani, dyert e zëmrës suaj krah me krah, Krishtit.- Mos, kini frik, t’ia hapni dyert Dashurisë së Zotit.- Mos kini frik, ta shihni Atë. Mos kini frik nga vetëvetja juaj. Mos kini frik nga e Verteta juaj. Mos keni frikë për ta mirëpritur Krishtin, dhe që ta pranoni pushtetin e Tij”.

[7] Fjala shenjtor ka kuptimin e një njeriu të “shenjuar”, të bërë me shenjë, të zgjedhur nga Hyji në mes të njerëzve, për të qenë vazhdues dhe përçues i fjalës së tij.

[8] Më 27 prill 2014, të Dielën e Mëshirës Hyjnore, Papa Françesku shpalli shenjt Gjon Palin II.

[9] Terminologjia “thënia eksplikative” mund të përdoret për të përshkruar një lloj shprehje ose thënie që ka për qëllim të shpjegojë, për të dhënë sqarime apo për të shtuar detaje për një koncept, ide, apo informacion të caktuar. Këto thënie janë zakonisht të përdorura për të bërë diçka më të qartë për lexuesin ose dëgjuesin, duke ofruar informacion shtesë ose duke shpjeguar një koncept në mënyrë më të hollësishme. Thëniet eksplikative mund të përfshijnë shembujt, ose detajet që ndihmojnë në kuptimin e një ideje apo koncepti.

No comments:

Post a Comment