Sunday 16 October 2022

 

 Timo Mërkuri

POEZIA MODERNE E HAMIT ALIAJ

Në “Njëqint vjet e Martë”

 

             I- Në vlerësimin e poezisë së Hamit Aliaj të gjithë jemi dakort se ajo është një poezi  elitare, një poezi e rrafshit të epërm poetik, madje e një stili të veçantë. E vërteta është se kjo poezi erdhi si e veçantë qysh në fillimet e saj, e dallueshme edhe nga poezia e patriarkëve Kadare, Agolli, Arapi, stileve të të cilëve synonin t’u qaseshin shumë krijues të rinj. Poezia e Hamit Aliaj jo vetëm që nuk kishte gjasa afrimi me to, por edhe nuk synoi t'u qasej sadopak në ndonjë farë mënyre. Poezia e tij erdhi si një djalosh i porsazbritur nga alpet me veshjen tipike  plot bardhësi, duke na folur për gjëra që ne vetëm sa i kishim lexuar dikur diku dhe kjo na krijoi përshtypjen se ai erdhi pikërisht të na ftonte të shkonim ne në lartësitë e tij dhe jo të rrinte ai në komoditetin qytetar. Stili i tij poetik erdhi i beftë, si nga jashtëkoha, i pakuptuar qartësisht, madje duke krijuar rreth vetes një distancë misteri për “kapriçon” poetike, duke bërë që “disa” të prisnin e pëshpërisnin se së shpejti do lëshoheshin  përmbi poezinë e tij me vërtik ortekët e pleniumeve. Ishte dimër i keq për poezinë dimri i atij viti kur doli libri i tij i parë “Bjeshkët janë mbiemri im” (1974), por për çudi, në vend të “ortekëve” mbi poezinë e tij, libri promovohet në sallën e mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë  me një pjesmarje të gjërë. Diskutimet kishin formën e gjetheve të dafinave që do vendoseshin në kurorë për dy poetët e rinj (bashkë me ‘të u promovua  dhe libri i Skënder Buçpapës “Zogu i bjeshkës”). “Orteku” erdhi shumë shpejt, por ndryshe nga sa u hamendësua ai erdhi në formën e një grupi poetësh të rinj, që mbuluan me bardhësinë e krijimeve të tyre organet e shtypit letrar të kohës. Paskëshin qenë Bjeshkë të Bekuara me poetë këto Bjeshkët e Namuna.

            II-Hamit Aliaj vazhdoi të qëndrojë si një poet i veçantë i dallueshëm, i dukshëm mbi “rrafshin e epërm” si një majë mali mbi ‘të, i përmëndur si poeti më fin, i bëlbëzuari si poeti më elegant i trevave veriore dhe i cilësuar si një mit poetik. Të gjitha këto cilësime i përshtaten portretit të tij krijues e poezisë së tij, por  zakonisht këtu qëndrojnë gjithë analizuesit e veprës së tij poetike, duke mos cilësuar apo duke mos kuptuar aspektin tjetër, më kryesorin: qënien moderne të poezisë së tij. Madje unë i lejoj vetes të shprehem se Hamit Aliaj hyri në letërsinë shqipe si një poet modern, ndonëse veshja e poezive të tij ishte tipike shqiptare.

          Për të kuptuar shprehjen “poezi moderne”, në mungesë të një përkufizimi të plotë na duket me vend të citojmë thënien e Anton Nikë Berisha ku shkruan se: “Poezia moderne i shpreh dukuritë përtej asaj që sheh syri. Poezia moderne synon t’i shprehë dukuritë që gjallërojnë në errësirë ose siç mund të përfytyrohen ato ose siç mund të jenë; të depërtojë atje ku syri ynë nuk mund të vërejë, po kjo bëhet përmes “syrit të mendjes” dhe “syrit të shpirtit”[1]” gjë që na nxit ta nisim meditimin tonë për poezinë e Hamit Aliaj qysh nga titulli i librit “Njëqint vjet e Martë” duke shfrytëzuar dhe shpjegimin e Egdar Allan Poe se: “Realja nuk është bota fizike, materiale, por përkundrazi, shpirtërorja, e pakapshmja. Është e anasjellta e gjithçkaje që ndjesitë tona mund të përfytyrojnë dhe që arsyeja jonë mund të përqafojë …[2]. E parë në këtë kontekst poezia e Hamit Aliaj është jo vetëm një poezi e arirë moderne e poetit, por edhe një aritje e poezisë moderne shqipëtare.

             III-Moderniteti i poezisë së Hamit Aliaj është jo vetëm struktura vargore e poezive, por së pari është vetë shpirti i tyre, zemra e tyre që rreh. Të kuptojmë një gja, poezia e Hamit Aliaj nuk ndjehet duke e “parë” me sy të shkruar me gërma mbi fletë libri. Për të ndjerë dhe kuptuar poezinë e tij duhet të bëhesh një me atë vetë, si me thanë, duhet “të shartohesh si filiz në trungun e tij poetik”, të ndjeshë si “ngjitet” ushqimi nga rrënjët e kombit, mitet e legjendat nëpër degë e gjethe, të ndjesh që je një degë e këtij trungu poetik dhe në “degëzat” e tua bëjnë folenë zogjtë e bjeshkëve, të ndjesh dridhjen e vargjeve si gjethet nga era, të mbash në duar e trup dëborën e ngricat e ta ndjesh pranverën para se të vijë te “manushaqet në mes të dëborës”. Për të kuptuar shpirtin e poetit duhet të kesh vetë një shpirt të tillë, duke na kujtuar thënien se e : “Poezia është për elitën shoqërore”.

            Duke parë me vëmëndje metaforat e poezisë së Hamit Aliaj ndjen se ato nuk janë një veshje e jashtëme, një kostum me copë teritali të huaj, qepur sipas modës së fundit të Parisit apo Romës. Ato nuk janë veshje, ato janë mushkëritë dhe zemra e poezisë së, rrahja e të cilave i jep jetë organizmit të tij poetik. Ato nuk janë as ballkone metalike “të shtuara” në ndërtesën e tij poetike, për të soditur panoramën përeth apo për të ekspozuar disa vazo me lule. Ato janë kollonat mbi të cilat është ngritur vetë ngrehina.

            Pra, modernia në poezinë e Hamit Aliaj nuk është diçka e jashtëme, e sajuar, e importuar nga arritjet e poezisë europiane. Ajo ka fituar nga kultura poetike botërore, por rrënjët e saj janë në tabanin vendas, në kulturën e trashëguar, në arritjet e artit gojor dhe të shkruar shqiptar. Sigurisht që talenti i tij zbuloi mënyrat më të përparuara në kulturën shqiptare, i përsosi ato sipas temave dhe çuditërisht si te asnjë poet tjetër, ato ndjehen komod në poezinë e tij, edhe kur ajo ka temë nga e kaluara e largët e kombit dhe historisë sonë. “Erdhi Tanusha në kullën shqiptare/../ Humbiste kreshniku në Tanushën/Si humb mali në një re të bardhë/../Sa kohë zgjati mpirja, gjë nuk dihet/S’thotë Eposi për këtë asnjë fjalë/Veç dihet se Halili ynë/Me Tanushën s’lindi as vajzë as djalë”. (f. 113), duke na treguar se epi shqiptar i hapi shtegun e dashurisë Halilit dhe Tanushës, por i mbylli rrugën e vazhdimësisë (në ndryshimin e identitetit).

               Moderniteti në poezi nuk ka të bëjë me kohën kur shkruhet apo cilëson poezia, moderniteti në poezi ka të bëjë me nivelin më të lartë artistik të shprehjes së ndjenjave dhe ideve, si kjo poezi që në me një frymë epike i drejtohet lumit të Valbonës:  Hej tu thafshin krahët kopilja ime syqiell/Hënë për hënë me u përhanue/Gojë për gojë me u përgojue/../Hej Valbonë vdeksha në ty/Që të qash një herë në njëmijë vjet/ E qarja të ketë emrin tim”.(f.111).

                 Ka një specifikë poezia  e Hamit Aliaj, sa është modern aq edhe është epike, madje mund të thoshnim se palca epike dhe vargu modern janë përbërësit e shtyllës së tij vertebrore të poezisë:. “Janë fyer tash tremijë vjet shesheve të qytetërimit/ Janë të tradhëtuar nga trëdhëtia e parë/ Që krijoi kalin e drunjtë të Trojës”/Rrallë bëhen senator si kali i Kaligulës në senatin romak/Bartin të gjallë e të vdekur njëherësh/Si kali i Kostandinit e Doruntinës” (Kuajt hënërrëzuar f.107).  Lumi im buron në një OH/Dhe ecën përpjetë/ Majëmalesh, majëklithmash/../Drini im bardhezi/../I vdetmi mbi dhe/Prej një klithme buron” (f. 90), ndërsa në një poezi tjetër për Drinin shkruan: “ Buron në lot Dreni”.  Nuk gabohen ata që thonë se Hamit Aliaj është një poet  me frymarje epike në letërsinë bashkëkohore  shqipëtare. “Shtatëqint varre të hapura në bjeshkë/E asnjë të vdekur brenda tyre nuk ka/Ku kanë shkuar të vdekurit moj Ajkunë..? (Ajkuna f.106). Edhe vetë “koha” në vargjet e tij është epike, si e zbritur nga vargjet e eposit dhe mbetur te vargjet e Hamit Aliaj: “Prej mishit tim këpus një skifter/Dhe e lëshoj mbi këtë qytet/Në këtë qytet kam vdekur një herë/../Gjysma ime ishte verë, gjysma tjetër niste vjeshtën” (f.70).

              Metaforat e veçanta të Hamit Aliaj shkëlqejnë e mbeten në kujtesë, pse veç bukurisë së tyre mbartin edhe një ide më të madhe se personalja: “Lotët prapë veshin tesha të vjetërueme/Për të shkuar në varrimin e eposeve/Që tash popullohen me jetimë” (f.100). ose “E mora vdekjen përdore/ e dola gjithë udhëve me të” (f.73). Poezitë e këtij vëllimi dhe kjo frymë epike na dëshmon se arti i madh nuk pranon të kornizohet në formate teorish, pasi çdo teori është një kornizë tepër e vogël për poertretin real të tij. “M’u plak e marta, m’u bë njëqint vjeçe/Vetë shekulli të martën i lindur”(f. 50) shkruan poeti dhe ne vetvetiu mendojmë për “tersin” njëqindvjetësh të fatit tonë si komb e si shtet, ndonëse “Mespërmes të martave kalon lumi im” i rezistencës për të gjetur “Një të diel/./Për meshë a për dasma”. Që kjo poezi është lapidare, besoj jini dakort me mua, por interesante është se kjo poezi kaq moderne në të shprehur, kuptimshmëri dhe vargëzim është ngritur mbi një koncept të thjeshtë popullor, që e cilëson ditën e martë si ditë “terce”, si një ditë e keqe. Në traditën shqiptare, të martave nuk bëhet asnjë festë, nuk lidhet asnjë miqësi apo krushqi, madje as luftërat nuk fillonin ditën e martë. Në këtë të martë njëqintvjetëshe poeti ngre këtë poezi, që çuditërisht zbardh e dritëson nga çdo anë. Për këtë poetin e ka ndihmuar  talenti i tij dhe dashuria për vendin e kombin, të cilat poeti i ka në gjithë qënien e tij. Sigurisht që talenti dhe dashuria janë janë si uji dhe ajri për poezinë, janë ato që i japin jetë poezisë, pasi aty ku shteron talenti vyshket e thahet poezia, ndërkohë që në një “shpirt-shkretëtirë” pa dashuri nuk buron talenti.

 

           IV- Poezitë e Hamit Aliaj nuk janë frymëzime djaloshare në breg të detit a në prag të pranverës, ato janë “kronika poetike” të fateve të kombit, që brenda dhimbjes ka farën e dinjitetit të njeriut në veçanti dhe etnitetit në përgjithësi.  Një piktore kam njohur në Kosovë/ Që i plakte vajzat dhe nuset i bënte/Plaka gji(nj)thara që gurin e trembnin”/ lexojmë (në fq 41) plot kureshtje, por te vargjet e mëposhtëme : “Që në kalimin e Gurit Biblik të dukeshin plaka/E prej barbarëve të mos dhunoheshin mes mornicave që më kaluan nëpër trup, m’u kujtuan tregimet e vajzave dhe nuseve kosovare, që bujtën tek ne në atë kohë lufte për barbarët serbë, nuk po e vendos në thonjëza apo kllapa këtë cilësor, por po e rishkruaj: për barbarët serbë, që e shndruan në “armë lufte” përdhunimin, se nga që nuk i mposhtnin dot burrat trimërisht, ju kthyen grave për tu njollosur ballin. Dhe mos e harroni ta sokëllini togfjalëshin “Gurin Biblik” si një shënjë ku u (vra) nda kombi ynë më dysh, mos e harroni ju lutem, se në viset e mia, nënat tona vajtojnë me ligje gjithë jetën te gurët  a shkëmbinjtë ku u vriten bijtë e tyre. “Hajt se mbrapa ju vjen Drini/E prapë të reja ju bën/Sa të kaloni kufirin” lexova, apo më mirë të them që e këndova, sepse si këngë më tingëlloi.

           Tipari i poezisë moderne të Hamit Aliaj, që kudo e kurdoherë të shkruajë për fatet e kombit dhe të vendit është tepër i dukshëm: “Pranvera erdhi turbekulare/Marsi me kollitje automatiku” (f.64), “Ma jep pëllëmbën e vogël praverë e vonuar/Të ta shoh fatin në vijat e duarve/../Harta e dorës më thotë ditë të bukura/Krej krimbat u bënë flutura” (f.61), vargje që të bëjnë të ulërish për “ditët e bukura” të vendit tim. “Rrini urtë lepujt e mi/Se po ju bëj shtetarë/E pastaj ju thërrasin luanë/Kur tju thërasin kështu ju do trimërohi/Mer vesh shqiponja e mësyn drejt jush/../Vjen breshkani e ju çnderon/ ….e na koritni shtetin”(f.57) ironizon poeti klasën politike ndërsa shkruan: “Populli beson si fëmijë, qesh si fëmijë, mban mend si fëmijë”(f.32) sepse populli është fëmija i përjetshëm që rritet e nuk harron kurrë, madje as fajet e bijve të tij.

          Poezia moderne e Hamit Aliaj, bazuar te epika që mbart brenda saj, të krijon përshtypjen se ai njeh vetëm viset e tija veriore, ndërkohë që poezitë e cilësuara prej tij në adresa të ndryshme, Janinë, Artë, Nju Jork, Moskë dëshmojnë për një tjetër gjeografi  udhëtimi, por gjithsesi, kudo që të jenë flasin  për kombin dhe atdheun: “Natën të shkojmë te Ura e Artës/Një gur do ta marr në shpinë/Janinë, çtë panë sytë moj Janinë”(f.98), madje edhe neologjizmat shqipërojnë : “Natoje natën e Greqisë”(f.104). Është forca e dashurisë te poeti, që përparësin e ka për vendin e tij, duke na argumentuar ndryshe se moderniteti s’ka asnjë qasje me kosmopolitizmin.

 

Hamit Aliaj është vërtet një mit i poezisë bashkëkohore shqipe.

             

 Sarandë, më tetor 2022



[1] Ramadan Musliu “Fjalët lindën dritën e yjeve” Shtëpia botuese Beqir Musliu Gjilan 2022 Parathënie e    

  Anton Nikë Berisha: “Poezia modern dhe qënësia e saj si art” f.9

[2] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 15-16

Wednesday 12 October 2022

 

MIKEL  GOJANI

LIBËR QË THELLON NJOHJEN E VEPRAVE STUDIMORE  DHE LETRARE TË ANTON NIKË BERISHËS

Rreth librit “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” të studiuesit Timo Merkuri. Botoi Shtëpia Botuese Beqir Musliu, Gjilan 2022

 

Këto ditë studiuesi nga Saranda, Timo Mërkuri, botoi librin me titull: “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”- Rreth disa veprave shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës. 

Librit është konceptuar në pesë pjesë: Studiuesi i letërsisë gojore; Studiuesi i letërsisë së shkruar; Romancieri; Poeti dhe Rreth librave kushtuar veprave të Anton Nikë Berishës. 

Duke folur për disa vepra letrare dhe studimore të Berishës autori Mërkuri thekson se qofshin ato poetikë, qofshin studimorë, janë krijime që të hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje. Mirëpo, është fakt i rëndësishme se ato frymëzojnë për të shkruar mbi temat e trajtuara prej tij, sigurisht për të shkruar më tej, apo për t’i pasqyruar nga këndvështrime të tjera idetë që lindin si filiza të rinj gjatë leximit [...] Kjo është më se e natyrshme, dashuria ndaj fjalës poetike është më e madhe se dashuria ndaj poetit, Madje shpesh herë emri i një poeti na kujtohet për shkak të vargjeve të tij dhe jo e kundërta. 

Sipas Mërkurit, veprat letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës i ndriçojnë një varg veçantish, “mistere” dhe të fshehta të gjuhësisë dhe të artit të fjalës shqipe nëpër labirintet e shekujve duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që reflektojnë këto veçanti. Kështu, në vazhdën e këtyre vlerësimeve vihet në dukje se këto vepra të Anton Nikë Berishës përligjin aftësi, dije të thellë dhe vlera të mëdha, prandaj si të tilla duhet të lexohen disa herë për t’i bërë pjesë të dijes dhe të pasurisë sate shpirtërore dhe estetike. 

Letërsia gojore në shqyrtimet e Berishës

Meqenëse Anton Nikë Berisha njihet si studiues i shquar i letërsisë, qoftë asaj gojore, qoftë asaj të shkruar, dhe se me veprat e botuara në këtë fushë ka lënë gjurmë të thella në botën tonë studimore dhe shkencore, Mërkuri i ka bërë objekt studimi nga aspekte të ndryshme. Kështu, duke folur për librin studimor të Anton Nikë Berishës “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit dhe botës së tij – Qasje këngëve kreshnike”, thekson se është një nga ato studime të rralla që Berisha e ka bërë me përkushtim e dije, ku shpalosen shumë fakte dhe dëshmi të rëndësishme; theksohet se Këngët e kreshnikëve i cilësojnë elemente të periudhës së matriarkatit, pra i bie të jenë krijime para homerike dhe se janë krijime të kombit tonë dhe dëshmi e pasurisë shpirtërore të tij. Pra, në Këngët kreshnike provohet  sistemi i vlerave etike të shoqërisë homerike. 

Mërkurit merret në veçanti dhe me studimet e Anton Nikë Berishës “Mbi rapsoditë e botuara nga De Rada më 1966”, që janë pjesë e librit studimor të Berisha: “Interpretime së letërsisë së arbëreshëve të Italisë” etj., ku gjurmohen në thellësi vlera të rëndësishme nga kjo fushë dhe të Këngës së Pal Golemit, që është një thesar poetik. 

Studiues i letërsisë së shkruar

Në librin e vet Mërkuri e ndriçon kontributin e prof. dr. Anton Berishës në studimin e letërsisë sonë të shkruar, duke vështruar në mënyrë të veçantë studimin monografik “Gjon Buzuku-poeti ynë i parë”. Që në parathënien e këtij studimi Anton Nikë Berisha na paraqet një seri të dhënash që përligjin mendimin se vepra “Meshari nuk është thjeshtë një përkthim i ndonjë vepre tjetër kishtare me autor përkatës, nuk është thjeshtë një seri shkrimesh të shenjta, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga Gjon Buzuku e më pas të lidhura në një libër, por është më shumë se kaq”, pohon Mërkuri. (f. 73). 

Duke u marrë me Psalmet e hartuara nga Gjon Buzuku e të botuara në “Mesharin” e tij, Mërkuri thekson se ato nuk janë krijime të rëndomta, por të një niveli të lartë artistik të shkruara me pasion dhe frymëzim artistik. 

Në vijim studiuesi nga Saranda na i shfaq përsiatjet dhe vlerësimet e tij rreth disa aspekteve të studimit të Berishës “Pjetër Budi – poet dhe prozator”. Në mënyrë të veçantë Mërkuri ndriçon afrinë e poezisë së Budit me poezinë tonë gojore: “Ishte fakt: poezitë që Budi i shkroi bënin jetën e poezive të artit gojor, sepse ato recitoheshin në kishë ose tubime të ndryshme festash fetare për arsye se ishin krijime me frymë fetare dhe stil gojor. Ndaj themi se për nga struktura poetike, stili, fraza, nga rima e metrika, poezia e Budit ka lidhje organike me poezinë gojore. Jemi në fazën që të dy format e artit ushqejnë dhe mbajnë njëra tjetrën, madje Budi shkroi me vetëdije poezitë sipas strukturës së vargut gojor” (f. 92).

Bota e pasur poetike e romane 

Në librin “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje”, Mërkuri i vështron dhe dy romane të rëndësishme të Berishës: “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar dhe “Nëna e dritës”.

Sipas tij romani “Gjin Bardhela i arbëresh – Etja e gurëzuar” është njëra nga veprat më të rëndësishme të Berishës po dhe të prozës shqipe, për të cilin janë shkruar e botuar 53 punime. Kjo vepër ngërthen një stil të veçantë, i cili, siç theksonte Amik Kasoruho, më tepër flet për “dukuri e ndjenja se për ngjarje”, ku bie në sy një gjuhë e rrjedhshme dhe e pasur, ku dominojnë figurat e gjalla dhe të skalitura. Mërkuri shkruan se romani “Gjin Bardhela ”[...]  ka një subjekt të ndërtuar me momentet më kulturore të historisë, si kështjellat e vjetra të vendit tim ndërtuar me gurë pellazgjikë. “Te muret e këtyre kështjellave s’ka vend për guralecë nivelizues apo për shtresa llaçi lidhës. Pesha e gurëve bën vetvetiu lidhjen e mureve në atë mënyrë që, as tehu i thikës nuk depërton dot mes tyre dhe as tërmeti nuk i ndan dot nga njëri – tjetri. Dhe pavarësisht gjakut të derdhur në muret e tyre ndër shekuj luftërash, pavarësisht shiut të rënë mbi to e gjyleve që shpërthenin mbi bedena, ato emetojnë drejt kohëve të ardhme një dritë të bardhemtë, sepse janë të bardha kështjellat tona, janë Ak Hisar, siç e quanin turqit kështjellën e Krujës, “Kështjella e Bardhë” (f. 112). 

Interesant dhe tepër mbresëlënëse janë dhe rrëfimi për çastet e fundi të jetës së Gjon Bardhelës, i cili nis dhe bisedon me të vdekurit, shpirti i tij takohet me shpirtrat e tyre, merr porositë e fundit, kujton ngjarjet e përjetuara me ta, legjendat me të cilat është rritur, dialogun me të nesërmen, një dialog që shndërrohet në një projektim për të ardhmen. Personazhet që frekuentojnë në roman janë shpirtra arbërorë, që në ngjallje kanë shkruar historinë e Arbrit, ndërsa pas vdekjes s’kanë zbritur në parajsë po ferr, por kanë mbetur në kujtesën e kombit, për t’u përcjellë brezave të ardhshëm arbëreshë veprat e tyre sublime, të shndërruara në legjenda që u jetojnë kohërave. 

Duke e vështruar romanin “Nëna e dritës”, që i kushtohet figurës së shquar të kombit dhe të humanizmit botëror, Nënës Tereze, Mërkuri shpalos faktin se A. N. Berisha përmes një proze, artistike të skalitur me mjeshtëri, e shpreh figurën e saj, ku përmbushet portreti autentik human, i ngjizur me përkushtimin shpirtëror e hyjnor. Pra, rrugën jetësore dhe gjithë veprimin dhe flijimin e kësaj Nëne të Dritës, e përshkon përshpirtshmëria e thellë dhe lutjet e vijueshme për paqe dhe mirëqenie të njeriut kudo qoftë ai dhe çdo besimi që i përket. 

Vargje poetikisht të nivelit të lartë

Në pjesën e katërt të librit studiuesi Mërkuri ka përfshirë punimet për dy librat në poezi të A.N. Berishës, “Prushi i bukurisë” dhe “Hire të vetmisë”. 

Edhe në këtë fushë Berishës jo vetëm që zë vend të rëndësishëm në letërsinë tonë të sotme, por njëkohësisht ka ushtruar dhe ndikim në rrjedhat e përgjithshme të saj. Mërkuri thekson se Berisha është poet me fizionomi dhe individualitet të mëvetësishëm. Brenda përbrenda traditës sonë letrare, Berisha krijon vargje me ngjyrim të veçantë, që në mbështetje të përvojave të ngritura, kanë vulën e botës dhe të shpirtit individual të poetit. Në këto poema vargjet dallojnë nga vargu tradicional, sepse autori përdor një stil të ndryshëm nga të shprehurit tradicional, duke ndërtuar një krijim të mëvetësishëm me një mendim të thellë filozofik dhe vlera të larta artistike. Ngushtë lidhur me këtë studiuesi Mërkuri konstaton se Anton Nikë Berisha është së pari një poet, krijimtarinë poetike të së cilit duet ta dish ta lexosh për ta ndjerë dhe për të vënë komunikim me të, sepse vargjet e tij janë të përpjeta për t’u ngjitur dhe jo stola lulishteje për të dremitur [...] Me këtë vepër Anton Nikë Berisha na tregon si mund të shkruhet poezia e mirëfilltë sot”.

Një frymë e ngjashme e përshkon edhe veprën “Hiret e vetmisë”, të autorit A. N. Berisha, e cila kërkon përqendrim për të komunikuar mirëfilli me të, përkatësisht për t’u thelluar në kuptimin e vargjeve veç e veç dhe të veprës si tërësi, siç shprehet edhe vetë Mërkuri: “Janë vargje në një shtrat filozofik, por njëherit fjalët janë të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon si “gjashtë bilbila”, dhe u dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e dallueshme të poezia e Anton Nikë Berishës […] Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi dritës shumëngjyrëshe vështrimit – pasurimit tonë poetik”. 

Në fund autori ka vënë dy punime për dy libra të autorëve që kanë shkruar për librat kushtuar veprave të Anton Nikë Berishës. Konkretisht, për veprën e Fatmir Mingulit “Vepra që i bëjnë nder letërsisë dhe botës sonë”. Mbi disa vepra letrare dhe shkencore të Anton Nikë Berishës (Shtëpia botuese ”Faik Konica”, Prishtinë 2019) dhe për “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj (Shtëpia botuese ”Faik Konica”, Prishtinë 2021).

Marrë në tërësi mund të them pa u mëdyshur se vëllimi “Vepra që hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje” i Timo Mërkurit është një libër sa i veçantë dhe me rëndësi të shumëfishtë, po aq me vlera të pamohueshme studimore. 

Klinë, tetor 2022

Thursday 6 October 2022

 

Nga Timo Mërkuri

 LOGATJA E DILISË SIPAS PETRIT RUKËS

 

          I-E papritur ishte për mua thënia e “Mjeshtrin të Madh” Roland Çenko se ka muzikuar një logatje (monofoni) me tekst të qëmtuar në baladën e Petrit Rukës “Nënë ç’ma bëre Dilinë”, madje si për të më shtuar habinë, më shpjegon se: e ka interpretuar në një aktivitet promovues të krijimtarisë së Petrit Rukës të zhvilluar në Gjirokastër. Befasia ishte më se e plotë ndaj  dhe i kërkova linkun në YouTube si dhe sqarime për rastin, nga ku mësova se: në datën 24 prill 2021  në qytetin e Gjirokastrës me regjinë e Kudret Alikaj u zhvillua një koncert, i cili promovonte krijimtarinë poetike të Petrit Rukës,  fragmente poemash dhe poezi  të të cilit shoqëruan gjithë aktivitetin. Vetë Petrit Ruka mungonte për arsye shëndetsore (do shuhej më 06 Korrik 2021), por u bë i pranishëm me një përshëndetje në video kasetë. Në këtë aktivitet Roland Çenko interpretoi një “logatje” (monofoni) me tekst të krijuar nga vargje të qëmtuara në baladën  “Nënë ç’ma bëre Dilinë” të Petrit Rukës, tekst të cilën e paraqesim për lexuesin:

 Logatja e Roland Cenkos

Dola lart brigje më brigje,

ta kërkoj, ta qaj me ligje,

 

Dola, fola, moj Dilinë,

pse s'dëgjon mua të zin-ë?

 

-Të dëgjoj e qaj me lot,

por jam thellë e nuk dal dot,

 

jeta ime nuk ka portë,

ma gëzo ti atë botë...

24 prill 2021

          Befasia m’u shndrua në një mahnitje kur e dëgjova interpretimin mjeshtëror të Roland Çenkos, qoftë për tekstin konçiz , qoftë për vetë vijën melodike të logatjes, një përzierje vajtimi dhe kënge bashkë.  Në një sfond gri, teksti i këngës vinte drejt meje, duke ju “rrëzuar” tingujt vajtimorë si kalorësit e një ushtrie nën goditjet e shigjetave që vijnë nga larg.  Zëri i Roland Çenkos nuk ishte një zë i qartë kënge i kënduar me qejf e gëzim, përkundrazi dukej si një zë “i lodhur” nga pesha e dhimbjes,  si i ardhur nga larg, nga tejëkoha duke tërhequr zvarë tingujt e fundit.  Dhe ato zanore që zgjateshin e holloheshin si filli I një jete që po këputej. Eh moj Dili ç’na bëre! Kaq shekuj e ikur dhe prapë vjen mes nesh.  Unë s’di pse ndjeja se brenda zërit të Roland Çenkos vibronte dhe timbri i Petrit Rukës sidomos kur përmëndej emri i Dilisë. Vetëm atëherë ndjeje më shumë se sa kuptoje se nuk ishte zë këngëtari, por ishte një ngashërim njeriu shkaktuar nga copëtimi i zemrës.

           Të dy ishim miq me Petrit Rukën dhe ndërsa bisedonim në telefon, na dukej se e kishim venë në mes poetin duke e kapur secili nga një krah dhe ecnim rrugëve të baladës së Dilisë duke logatur, jo vetëm këtë tekst, por gjithë baladën e riprurë prej tij. Pse unë isha në Sarandë, Rolandi në Gjirokastër dhe i miri Petrit Ruka ishte në përjetësi, kjo s’kishte të bënte  fare me ne apo me çastin.

           II- Kam folur shumë herë për logatjen, por me qënë se te ky libër kushtuar Petrit Rukës nuk kam patur rast, për lexxuesin e tij po i rikthehem dhe njëherë kësaj teme. Kemi thënë  e shpjeguar se kënga isopolifonike e ka origjinën nga vajtimi me ligje, ose e thënë ndryshe, vajtimet (ligjërimet) mortore të nënave e motrave shqiptare, janë burimi i këngës isopolifonike. Sigurisht që ky proces është zhvilluar për një kohë të gjatë, por duhet theksuar se fillesat i ka në hershmërinë e jetesës në familje. Laboratori shpirtëror i popullit tonë, nëpërmjet një procesi (shpirtëror) trasformimi, ligjërimet e arira si tekst e si vijë vajtimore,  i shndron në këngë isopolifonike. Vetëm në  përsosjen e tij, sipas këtij procesi u krijuan këngë të reja isopolifonike. Shndrimi i ligjërimit në këngë është një process i gjatë kohor, ku teksti vajtimor është i pranishëm gati çdo çast (ashtu si në fabrika lënda e parë).  Kjo është e natyrëshme, nënat tona kanë vajtuar çdo ditë të jetës së tyre për bijtë e bijat e ikur para kohe.  Kohë pas  ceremonisë mortore një e afërme e familjes, gjatë një momenti kur qëndron apo ecën vetëm, diku në arë a në pyll, në një çast ligështimi shpirtëror i kujtohet ligjërimi mortor dhe nis e përmënd tekstin vajtimor me një zë të përvajshëm. Duke qënë e vetme, ajo nuk mund ta vajtojë sipas ritualit mortor ndaj e shoqëron tekstin me rënkime e psherëtima dhe diku më “tejë” (në kohë) edhe e këngëzon, sigurisht me nota dhimbjeje.  Në këtë proces, fillimisht doza vajtimore është maksimale në ‘të, ndërkohë që në një kohë të dytë, doza vajtimore pakësohet duke ja lënë vendit këngëzimit, gjer sa arin momenti që teksti këngëzohet i tëri, me një vijë melodike dhimbjeje. Për ta thjeshtuar kuptimin, le të parafytyrojmë një urë që lidh dy brigje, ku bregun nga nisesh për  te ura e personifikojmë si “vajtimi” ndërsa bregun tjetër e personifikojmë me “këngën”. Distanca e urës që përshkon njeriu për të shkuar nga (bregu i) “vajtimit” te ai “i këngës” figurativisht është “logatja”, gjëndja e ndërmjetme mes vajtimit dhe këngës. Vija melodike e “logatjes” sipas kohës së “ngurtësuar” në melodi ka nota të shumta vajtimi në nisje dhe minimum  nota kënge, për të aritur te pika e fundit, ku mbizotërojnë notat e këngës karshi minimumit të notave vajtimore. Kur “zbret” në bregun tjetër, “logatja” është e gjitha këngë. Në këtë stad muzikalisht quhet edhe “monofoni”. Ky process  nuk “mësohet” në shkollë, ky process përjetohet në jetë. Besoj se e kini vënë re që, gati të gjitha ligjërimet mortore të vitit të mbrapshtë ’97 u shndruan në këngë isopolifonike. Ju siguroj se të gjitha ato kaluan nëpër “urën” e “logatjes”, monofonisë.

            III- Artisti Roland Çenko në zërin e tij ka ngjyrime të jashtëzakonshme dhe këto ai i ka përdorur edhe te kjo logatje me sira dhe me dashuri, gjë që i ka dhënë një timbër të ngrohtë kësaj logatjeje. Realisht ai ka derdhur mbi këtë monofoni shpirtin dhe talentin e tij. Tashmë që e dimë se teksti është qëmtuar nga balada e Petrit Rukës për Dilinë dhe ca më tepër që Petrit Ruka ka ikur, ajo ngrohtësi që ka derdhur Roland Çenko te logatja, neve nuk na ngroh, por na shkakton mornica nëpër trup e mallëngjim në shpirt. Megjithë atë ne duhet të sqarojmë disa aspekte të logatjes, si faza e parë e isopolifonisë.

         Në rraport krahasimi midis logatjes dhe isopolifonisë  sqarojmë se: Kënga isopolifonike muzikalisht është gjithmon më e bukur dhe më e arirë artistikisht se “logatja” (monofonia).  Për nga vetë natyra e saj “logatja” (monofonia) nuk është konkuruese asnjëherë  me këngën isopolifonike. Logatja (monofonia) është fëmijëria e isopolifonisë dhe duke qënë kështu,  nuk është as e drejtë dhe as e  llogjikëshme të kërkosh që: një fëmijë, i cili ndërsa është duke hedhur hapat e para të tij, bëlbëzon disa fjalë gëzimi me timbër melodik,  t'a krahasosh me melodicitetin e një artisti të sotëm të këngës isopolifonike.  Suksesi i atij fëmije është hedhja e hapit të parë, artikulimi i fjalës së parë me nuanca muzikore, pa çka se më së shumti ajo fjalë është mbarimi i një të qari foshnjor. Ky është një hap i vogël i fëmijës, ndërkohë që është një hap madhështor i artit oral, pse kalon  nga vajtimi te kënga isopolifonike. Ky hap i vogël fëmije është “logatja”, e cila në vijën e saj melodike ka të përzier tingujt e fundit të vajit me tingujt e parë të këngës. Realisht dhe “teknikisht” kjo “logatje” e Roland Çenkos është  hapi i fundit ”mbi urë”, kur zbritet te bregu i këngës. 

           Të krahasosh logatjen me isopolifoninë është si të krahasosh pikturat me motive gjuetie të banorëve të shpellave me Mona Lizën e Mikelanxhelos, të krahasosh kokat gjigande të Ishullit të Pashkëve me kokat e presidentëve amerikanë të gdhendura në Mount Rushmore, të krahasosh të pakrahasueshmet me epoka të tëra jete në mes tyre. Nuk mund të krahasohet  një foshnjë që loz me top në shtëpi një futbollist. Megjithatë themi se ai foshnja “është” fëmijëria e atij futbollisti të famshëm.

             Për ta kuptuar logatjen duhet të kuptojmë kohën që e lindi. Logatja ka një “ngashmëri” me ninullën, nëna që këndon ninullë fëmijës mund të jetë artiste e këngës isopolifonike, por mbi djep ajo është vetëm nënë dhe zbret te bota e fëmijës e mërmërit ninullën. Nuk mund ti kërkohet kësaj nëne ta këndojë ninullën me grup isopolifonik mbi djepin e të birit.   

               Logatja mund të këndohet si këngë isopolifonike në ambientet e këngës, ku  arin kulmin e përsosmërinë melodike nqse këndohet nga një grup me përvojë,  ashtu si çupkat e vogëla që arrijnë kulmin e bukurisë kur rriten e bëhen për t'u puthur nga djemtë, e jo kur i puth nëna.

 

              IV-Për nga vlera, të kënduarit e një këngë monofonike  është si të gjesh një monedhë antike të artë e cila veç vlerës monetare ka dhe vlerën historike e artistike,  që ja shumëfishojnë vlerën në rraport me një monedhë me peshë të njëjtë floriri të ditëve të sotme. Vetëm vlera e saj historike është një vlerësim më vete.

              Kënga isopolifonike është kënduar gjithmon dhe është dëgjuar e vlerësuar nëpër koncerte e festivale, ndërkohë që logatja ka lehtësuar gjithmon shpirtin e mbushur me vrer dhimbjeje nga mortet e shpeshta të nënave tona. Ajo gjithnjë ka egzistuar, por ne “nuk e kemi pare”, sepse ajo shkonte kokë ulur rrugëve të fshatit, si një vajzë e turpëshme. Tani që nëpër skena e ngjitin artistët si Roland Çenko, mahnitemi me bukurinë dhe njomësinë e saj. Është e vështirë të interpretosh logatjen. Në qoftë se kënga isopolifonike erdhi nga vajtimi duke kaluar nëpërmjet logatjes, për tu “rikthyer” nga kënga isopolifonike te logatja duhet të njohësh çdo qelizë të këngës. Duhet të jesh Mjeshtër i Madh si Roland Çenko.

               Ky arsyetim llogjik na rikthen përsëri te Petrit Ruka dhe baladat e tij. Që të

logatej balada e “Nënë ç’ma bëre Dilinë” duhej që ajo të ishte shkruar ndjeshëm dhe dhimbshëm, si një  vajtim mortor në kohën e herëshme. Fakti që u përzgjodh për tu logatur dhe u realizua suksesshëm, tregon se balada e Petritit Rukës ka zgjuar botën  “foshnjore”  të popullit  dhe kjo logatje (monofoni)  nuk është kryevepër isopolifonike, por është e qeshura e parë e “fëmijës” pas një vaji.

            Duke shkruar këto rradhë , mu kujtua një fjalë e Pëllumb Kullës  kur tha: “Ti je farë! Ti duhesh mbjellë Petrit Ruka”!

           Nga kjo farë mbiu dhe kjo logatje ( monofoni) në repertorin e Roland Çenkos.

 

Sarandë, më tetor 2022

Tuesday 4 October 2022

 

Timo Mërkuri

 

A M E R I K A N I    SOLLI ODISE KOTE

 

 “Është humbja ajo që na mëson vlerën e gjërave”

                                                             Shopenhaueri.

   

 

               Nëpërmjet shtëpisë Botuese “TOENA” Odise Kote solli romanin “Amerikani”, një roman  që të trondit si asnjë tjetër për nga përmbajtja, aq sa edhe të mahnit për artin me të cilin është shkruar. Është një roman tepër i veçantë, që vjen për herë të parë në letërsinë shqipe, me një subjekt të si një dhimbje shpirt, shkruar me një stil poetik me “ngjyrë gri”, në të cilën pikëlonë si shi  e zeza e vuajtjes, si vesë e bardha e shpresës dhe dhe si një tis mjegulle roza e zemrës. Me këtë roman Odise Kote dëshmoi pjekurinë e tij si një shkrimtar dinjitoz i letërsisë shqipe bashkëkohore..

              I-Për nga përmbajtja “Amerikani” i ngjason romanit “Arkipelagu Gulag” të Aleksandr Solzhenitsyn, por me një shtrirjeje hapësinore më të madhe të vuajtjejeve fizike e shpirtërore sepse: në qoftë se  Solzhenitsyn shkruan për vuajtjet dhe torturat e të arestuarve dhe të dënuarve në hetuesi, burgje e kampet e punës, Odise Kote na tregon me një gjuhë artistike se: gjithë Shaqipëria ishte thjeshtë një burg kolektiv, i krijuar nga shteti monist. Në një farë mënyre të gjithë ishim të burgosur, pavarësisht se disa gdhiheshin brenda telave me gjemba të kampit, ndërsa të tjerët brenda klonit të kufijve shtetërorë. “Amerikani” është një roman që sjell një pamje të re mbi fatin, vuajtjen dhe rezistencën e të burgosurve politikë në burg dhe jashtë tij dhe  duhet lexuar patjetër, qoftë për vlerat e tij të veçanta estetike dhe letrare, qoftë edhe si një ndjesë ndaj atyre mijra të dënuarve të pafajshëm, për të cilët ne nuk kemi ditur të vërtetën e dënimit dhe vuajtjeve nëpër burgjet e kampet e diktaturës. Mosdija jonë u jep ish të dënuarve politikë një farë ngushëllimi, por neve nuk na lehtëson aspak nga ndjenja e gabimit, sepse edhe ne i kemi quajtur “armiq”pa ditur asgjë për “armiqësinë” e tyre. Si “armiq” na i paraqitën “drejtuesit” e tribunave, dhe nuk e  menduam se shumë shpejt në të tillë do shndroheshin vetë ata, fqinjët, miqtë e vëllezërit tanë. Vala e arestimeve afrohej drejt familjeve shqiptare (kryesisht) intelektuale dhe artistësh siç u afrohet fëmijëve në ranishte vala e detit, të cilës përpiqen ti “shpëtojnë” duke kërcyer pupthi ose duke ju larguar me vrap. Ardhja e valës së detit dhe kërcimi apo largimi me vrap ndaj saj është një lojë fëminore që krijon shpërthime të qeshurash, ndërkohë që ardhja e valës së arestimeve ishte një gjëmë që fillonte me kuje e vazhdonte me vuajtje.

                 Ka dhe një aspekt tjetër koha e ardhjes së këtij romani të Odise Kotes që ja lartëson vlerat. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri shumë krijues që kishin jetuar ferrin e burgjeve dhe internimeve nisën të shkruanin për vuajtjet e tyre në hetuesinë, burgjet dhe kampet e punes , madje dhe e reklamuan këtë krijimtari si lindjen e “letërsisë së burgjeve”ose “burgologjia”, tezë dhe krijimtari që përkohësisht  tërhoqi vëmëndjen e lexuesve. Më duhet të them se me pak përjashtime (si Visar Zhiti etj.) kjo “rrymë” letrare “humbi” nga interesimi i lexuesve si lumi që humbet në rërën e shkretëtirës dhe kjo, jo për faj të lexuesve, por për gabimin e autorëve. Në shumicën e saj, kjo krijimtari ishte një lloj rrëfenje, shumë larg të qënit letërsi.  ishte një të shkruar “e zeza mbi të zezë”, pa art dhe pa finesë letrare. Në kohën që interesimi për letërsinë po “firon”, “firon”  e  “letërsisë së  burgjeve” e “ndihmoi” indirekt dhe stili i ftohtë, urrejtja e tipit  propogandistik me të cilën ishin shkruar,  duke haruar që arti në përgjithësi dhe arti letrar në veçanti është së pari dashuri. Kjo do të thotë që edhe kur shkruan për  kundërshtarin, sado që ta urresh atë, frazat  dhe fjalët e tyre apo për ta duhen shkruar me art dhe finesë, që të flasin shumë më shumë se sa kuptimi gramatikor i tyre, sepse ato janë pjesë e artit letrar dhe jo pjesë fizike e njeriut kundërshtar.

 

                II- “Amerikani” i  Odise Kotes  është një roman që hyn denjësisht në letërsinë shqipe dhe qëndron në rrafshin e epërm të saj, pse në të gjithë faqet e librit, shkruhet e përjetohet artistikisht jeta në Shqipërinë e errët moniste, por njëkohësisht ndjehet e shihet drita tej kësaj errësire. Në ligjërimin artistik të romanit dëshmojnë vuajtjen, ndjenjat dhe mendimet  personazhe të ndryshëm, ndërkohë që plagët e trupit te të dënuarëve më shumë i ndjejmë në lexim apo në efektin psikologjik dhe luftën për egzistencë.

               Në qoftë se do na duhej të pasqyronim zhvillimin e jetës në “botën” e romanit, kjo do realizohej me një grup fjalësh,  që na kujtojnë përshkrimin në Bibël të krijimit të jetës në tokë sipas radhës: Kaos, Mjegull dhe Kthjelltësi. Një kaos i vërtetë ligjshmërie, veprimesh, mendimesh e ndjenjash përmbytin botën e Nelson Andreas qysh nga momentë që shkel në tokën shqiptare, një mjegulle dëndur mos-orientimi e mbulon jetën e tij në kushtet e një jetese sipas normave e parimeve socialiste pas burgut, mjegull që rëshqet drejt shpërbërjes, për ti lënë vendin një kthjelltësie qiellor e shpirtërore, ose më saktë një triumfi të jetës.

               Përsonazhi Nelson Andrea ardhur nga parajsa amerikane në ferrin monist, në mënyrën më të

papritur për të, si artist, e gjen veten në disa raporte që kurrë nuk i kishte menduar se egzistonin, dhe pikërisht e gjen veten te:  a) -raporti i artistit me diktaturën ku ai  fillimisht, më shumë për shkak të mosnjohjes së funksionimit të jetës në monizëm  ndjehet si “i rrëzuari nga anija në mes të detit” dhe po mbytet, por duke u kapur pas artit të tij, si pas një litari, ringjitet në kuvertën e jetës.

       b) -raporti i artistit me shoqërinë, kur shoqëria shqiptare jetonte nën një ciklon propogande të shfrenuar, pa jetë, pa vision dhe arti i vërtetë shihej si një “blasfemi”, si një sfidë ndaj regjimit, si një ndikim i huaj, ndërsa artistët ishin dënuar, persekutuar, u ishte hequr e drejta e ushtrimit të artit të tyre, e megjithatë ata vijonin të krijonin artin e tyre në heshtje, larg syve të publikut.

         c) -raporti i artistit me vetveten ishte një raport sfilitës për Nelson Andren. Shpirti i tij si artist ishte në vlim si një llavë, ndërkohë që presioni psikologjik, dhuna e shtetit monist dhe strukturave të tij i rëndonin mbi grykën e “kraterit” të tij shpirtëror si pllaka plumbi mbi grykën e reve radioaktive nëpër laboratorët bërthamorë.

               Personazhi Nelson (Nelo) Andrea në njëzetëetre vjet burgim, persekutim, përgjim etj. lufton për të ruajtur shpirtin e tij artistik e human  dhe jetën në një shoqëri që “i grabiti” dhe identitetin e tij, sepse e ndjen që, nëse burgu apo kjo jetë që bën si një i mënjanuar ja shkërmoq personalitetin dhe talentin nën dhunën  e përditëshme, atëherë ai zhvlerësohet si njeri, dhe ska të ardhme dinjitoze si artist prandaj:  Lahet, ushqehet, vesh jelekun dhe këmishën e bardhë me jaka të larta dhe zbret në kube. Kubeja ishte kisha e tij, ajo kishë si e At Artur Liolinit atje në Boston. Kubeja dhe interpretimi në violinë janë instrumentet që e shndrrojnë Nelo Andrean shqiptar, një varrmihës komunaleje në Nelson Andrean amerikan”.  Kjo  rezistencë intelektuale është lufta e tij, mbijetesa është fitorja, sakrifica e tij ishin vitet e humbura, jo vetëm në burgje e kampe pune, por gjithë vitet e qëndrimit në Shqipëri. “Nelson Andrea për herë të parë në jetën e tij ndjeu dhimbje, dhimbje të fortë në gjoks. Më shumë se dhembje ajo ishte keqardhje për vetveten. Kishte shpenzuar kot së koti njëzet e tre vitet e jetës së tij në këtë vend. Kujt ia kishte falur dhe përse”?

                Përfytyroni një djalosh të rritur e selitur në bulevardet dhe sallat e koncerteve të Bostonit të vijë në Shqipëri, prej nga ka ikur dy vjeç fëmijë dhe porsa ve këmbën në tokën shqiptare, i vënë një thes në kokë e prangat në duar, madje pas shpinë dhe gjendet përballë goditjes së një shteti me mentalitet dhe metoda mesjetare të sjelljes dhe drejtimit. Realisht Nelson Andrea nuk ishte armik i  Shqipërisë dhe as i pushtetit monist, madje ai s’dinte gjë për luftën Nac. Çl.  (çpunë kam unë me luftën thotë ai me vete diku) dhe as për shtetin monist apo luftën e klasave . Ai ishte nje shtetas amerikan që erdhi në atdheun e tij të lindjes, Shqipëri, por erdhi në kohën e gabuar dhe me pasaportën (e gabuar) amerikane. Ishte kjo pasaportë që e pozicionoi atë si “armik” të vendit të tij, ishte ajo që nervozonte  hetuesit, policët dhe gardianët e burgut, madje edhe “tutorin” e tij Rako Siranin. Ajo pasaportë i dha emërtimin “imperialist” ndaj dhe presioni psikologjik dhe dhuna ishin goditje që i vinin njera pas tjetrës fizikut, personalitetit, psikologjisë dhe talentit së tij me forcën e befasisë dhe pastaj me forcën e qëllimit të tyre. Instiktivisht, për tu mbrojtur prej tyre ai u mbyll në heshtje, si në një “koracë mbrojtëse” , e cila mirte formën më të përshtatëshme  rezistente ndaj çdo lloj goditjeje, pa e ndjerë se kjo “formë e përshtatëshme” ishte në fakt një përthyerje e personalitetit dhe psikologjisë të tij, si hekuri që, kur nxehet, përthyhet edhe nga vetë pesha e tij. Përkundër portretit së disa personazheve të “letërsisë së burgjeve” që paraqiten “heroikë” në birucat, burgjet apo kampet e internimit e që më së shumti ngjajnë me “heronjtë” pozitivë të soc- realizmit, (veçse në kahun e kundërt), Odise Kote te personazhi i tij paraqet objektivisht edhe ndikimin tjetërsues të presionit të diktaturës mbi ‘të. Nelson (Nelo) Andrea nuk u vu në shërbim të policisë dhe të hetuesisë, nuk bëri madje as “tradhëtinë e butë” (qëndrimin  shpërfillës ndaj fatit të miqve dhe shokëve të tij), por koha e gjatë prej njëzet e tre vjetësh nën trysninë, jo vetëm psikologjike por edhe ekonomike e fizike, bëri që edhe ai të “ndikohej” nga fryma e kohës e “hakmarjes”  e adresuar te personat shkaktarë të vuajtjeve të tij.  Është një fenomen i njohur psikologjik: një njeri me personalitet të spikatur e kulturë të lartë, kur detyrohet të jetojë në një ambient ku dhuna është e pranishme në gjitha poret e jetës së shoqërisë dhe në të gjitha format, pas dhunimit, ai instiktivisht kërkon që të largojë nga vetja ndjenjën poshtëruese të këtij dhunimi duke u hakmarrë ndaj dhunuesit: “Andrea mori frymë thellë dhe iu drejtua ambasadorit amerikan: Shkëlqesi! Më keni nderuar shumë sot… Por më falni …aty në rreshtin e tretë është dikush që nuk duhej të ishte në këtë sallë, dhe as që duhej ta kishte dëgjuar këtë muzikë! Syri i Nelson Andreas kishte pikasur në rreshtin e tretë, tek të ftuarit, Rako Siranin”. Ai mendoi si shqiptar i persekutuar (dhe jo si amerikan i dënuar në Shqipëri) se ishte parimisht e drejtë që të kërkonte mos praninë e Rako Siranit , shkaktarin e vuajtjeve të tij në atë sallon të ambasadës Amerikane ku ai, si i ftuar i veçantë bashkë me të bijën dha një koncert recital me violinë, ndaj me siguri e ka befasuar përgjigja e ambasadorit amerikan: “Pa probllem, pa probllem, - reagoi shkathtësisht ambasadori…. U ngrit për kortezi nga vendi, i përshëndeti dy violinistët, at e bijë, dhe kërkoi: Pa probllem, kjo është demokracia. Vazhdojmë me programin më tej”. Do ti duhej për ca kohë një klimë e re, një mënyrë e re jetese për të rigjeneruar këtë “shtypje të koracës” së tij, apo edhe për ta flakur në harresë vetë koracën. Pasqyrimi i këtij ndikimi është dëshmi e njohurive gjer në imtësi të psikologjisë së njeriut nga autori dhe kjo e bën personazhin e tij shumë real.

 

                   III-Ka dhe një pamje tjetër  që e bën këtë roman një vepër të  realizuar artistikisht: ai bën objekt të trajtimit artistik shumë ngjarje historike të kohës, tradita dhe zakone tipike të qytetit të gurtë, të fshehta që i dinin të gjithë, por që nuk i përmëndëte askush, portrete personash të “gdhendur” si në gur etj. Të gjitha këto dukuri, ngjarje  e persona në fakt nuk janë dhënë me synim që të evidentohen në veçanti, por shërbejnë si një “ambient” ku jeton “historia” e trajtuar në roman. Pasqyrimi i tyre me nivel artistik nuk i ngre ato në piedestal, por i afron si “bazorelievë” në bazamentin e monumentit artistik të veprës.

                  Me artin e tij, si me një hark violine Odise Kote ka prekur fijet më të holla dhe të padukëshme të jetës duke na dhënë një muzikë të dhimbëshme gjer në asht në këtë roman të  shkruar me një intensitet artistik, që të krijon përshtypjen se  ngjarjet nxitojnë të përfundojnë shpejt, nxitimthi,  si një periudhë dhimbjeje, pa sqarime e hollësira të tepërta : “Sapo shputat e këmbëve prekën tokën shqiptare, të ëndërruar prej kohësh, atë e ndalën. Pa më të voglin shpjegim, dy burra të fuqishëm e zunë për krahësh, e rrëzuan barkas në tokë dhe i hodhën pranga në kyçat e duarve... Më pas e ngritën si pupël, pasi i hodhën thesin e xanës mbi kokë e hypën në Gazin 69 të degës së punëve të brendshme”, ndërsa na paraqet brenda Gazit 69 të policisë   personat që e kryen këtë veprim,: “Veç shoferit, ishin dhe dy burra të tjerë të armatosur... Dëgjohej kohë pas kohe një bisedë e shtruar dhe kolla e thatë e njërit prej tyre.... Tjetri ishte hokatar. Rrëfente pa pushim histori fshati, me gracka dhelprash, pusi e rrëshkitje burrash nga fiqiri, dredhka, rrëmbime nusesh dhe brinjarë...Të dy pinin cigare të dredhur. Binte erë e keqe...”. Mjaftojnë keto dy vijëzime portreti, për të njohur nivelin kulturor të policëve, por dhe për të parandjerë zhvillimin “profesionist”  të hetimit: “Kur u kthjell disi pa se një gjatovino syskifter ishte ulur përballë. Hollak, shufër lajthie, sikur kishte mbirë nga hija... Papritur kujtoi se ai vinte nga skëtera. Gjatovinua syskifter e pyeti për emrin, familjen dhe arsyen; përse kishte ardhur prej asaj Amerike në Shqipëri”. Do mjaftonte pyetja: “Pse kishte ardhur asaj Amerike..”një formulim pyetje që e bëjnë zakonisht njerëzit e paarsimuar të zonave rurale, miqve që bujtin nga qyteti: ç’kemi asaj kasabaje? për tu bindur se dhe hetuesia përbëhej nga nëpunës pa qytetarinë që kërkonte  posti zyrtar. Më tej : ... e afroi (karriken shën.im.) pranë tij dhe foli me një zë të shtrajtshëm, ...që ngjasonte me tyrjelat e holla që futen imtësisht në vesh. “Të gjithë e kemi nga një sekret... Të kthehemi tek ne të dy. Si thua? Heshtja tënde mund të na kushtojë jetën të dyve. ...Një muaj më parë.... Më transferuan këtu në këtë humbëtirë, në këtë moçal. Përse? Mos ndoshta një provë e re? Papritur u shfaqe ti., dhuratë nga qielli apo mallkim? Ti do të jesh ose varri, ose shpëtimi im. Le të mos i humbasim kohë njëri tjetrit.” Te këto  tre rreshtat e fundit  shohim portretin psikologjik të një hetuesi sadist, që për tu ringritur në detyrë pas “ardhjes në këtë humbëtirë” kërkon shpëtimin te kryqëzimi i “viktimës”, te thyerja, mposhtja, apo zbërthimi i tij. Kuptohet që këta tipa janë ata që ngritën shkallare me kufoma për tu ngjitur në karierë apo në shpëtim të vetes së tyre. “Tek kjo dhomë kanë hyrë me dhjetra armiq të popullit. Kanë hyrë si luanë e kanë dalë si qengja. Mos e kërko fatin e tyre. Mos e ndill. Ndjesa dhe falja janë një udhëtim i mbarë. Ndaj këtu do zbrazesh. Do më thuash fije e për pe se kush të ka dërguar e për kë punon?”i kërcënohet të arestuarit duke dëshmuar vulgaritetin qytetar, cekëtinë profesionale dhe dhunën si mjetin e vetëm, jo vetëm të tij, por të një brezi zyrtarësh policie që lemerisën gjithë popullin me vrazhdësinë shtazarake. Në qoftë se dikush do hamendësojë për “gjatovinën syskifter”si për një rast të veçantë, le të shohim hetuesin tjetër:“ E kishin zevëndësuar (gjatovinën) me një shkurtabiq babaxhan, mustaqezi dhe kokë të madhe. Sytë i kishte të skuqur dhe këmishën e mbante zbërthyer dy kopsa për të treguar gjoksin e gjerë leshtor... dhe i pëshpëriste: Mos u tremb buçko. Pyetje rutinë. Më pas do kemi ca punë, po do t’ja dalim. Si thua? ...Shkurtabiqi e shqepi në dru. Me ç’i erdhi përdoresh.... Njëzet e shtatë mesnata të tjera rresht, që zgjatnin deri në agim”.

              Le të shohim dhe një skenë nga një ditë pune e të burgosurit Nelson Andrea: “Nuk ishte ngopur plotësisht me ajër..., kur befas, m’u në fund të qafës hollake iu vërvit me shpejtësi rrufeje kamzhiku i gjatë i Gërdhuqit. Sikur i preu damarin. Ai e kishte përgjuar, i qe afruar tinës nga pas dhe pastaj i ishte turrur si bisha, si bisha kur i turret presë së vet. “Imperialist, armik i popullit, qen - ishin të uluriturat e mbushura me jargë të kapter Gërdhuqit. Kujt i bën shenjë ti, kujt i jep sinjal? Kaq ta bësh dhëmbin. S’më ikën dot nga duart. Lëkurën do të të rrjep” - nuk pushonin të goditurat me kamzhik dhe këpucët e rënda me proka.... Kapter Gërdhuqi pushoi vetëm kur u lodh”. Dhe të mendosh se Nelson Andrea në këtë prag dhune nuk ishte në ndonjë prag tentative aratisjeje, përkundrazi ishte në një përhumbje muzikale pas stërlodhjes fizike nga puna e rrëndë, pikërisht në momentin kur: “Nisi të fërshëllejë një melodi që si një shpend i padukshëm, doli lehtësisht nga hapësirat e mushkrive. Sikur tingujt mezi ç’prisnin ta shpërthenin kafazin e kraharorit e ta shtynin me duart e padukshme shpendin, ta shtynin lart, lart, që ai të dilte prej andej dhe të ikte pakthim, drejt qiejve. U ndje krejt pa peshë. Sikur do të fluturonte dhe vetë”.... “Nelo Andrea doli nga zyra e komandantit të kampit Meleq Hazënbeu më i gjakosur se sa hyri. Gjaku i shpërtheu nga të gjitha venat. E kishte kuptuar përfundimisht se hapat për në zyrën e komandantit të kampit nuk ishin ato që të conin tek një zyrtar shteti, por rruga që të çonte drejt e në ferr”, atëherë sheh qartazi përballë njera tjetrës dy botë, dy kultura, dy njerëz që “flasin në epoka të ndryshme” ndonëse janë bashkëkohës.

           Artisti është më i fortë se diktatura, më jetëgjatë se ajo, prandaj diktatura së pari godet artistët dhe poetë, i burgos, i internon, u heq të drejtën e publikimit të artit të tyre, sepse e di që arti, nëpër  rrugëkalimet e fshehta dhe të heshtura, ndez zjarrin e shpresës dhe mbi mendimet si “dru të lagura nga frika”. Diktatura i vret artistët, por ajo nuk ka fuqi të vrasë artin e tyre, pasi ky art  jeton edhe shumë dekada pas rënies së diktaturës, madje pikërisht në këtë kohë, ky art ndrin si një kometë, e cila në vend të bishtit të zjarrtë ka kujtimet e jetës  dhe rezistencëss së artistëve ndaj diktaturës.           

          Në kohën që kapterat e burgjeve dhe kampeve ëndëronin dhe projektonin forma më “efikase” dhune ndaj të burgosurve, ata përjetonin vizione të gjera humanizmi. Kështu, mqse  atë ditë kishte përfunduar hetuesia e tij pa ndonjë fajësi, Nelson Andrea kishte përjetuar një frymë mirësie e faljeje kristiane: “Zoti nuk do që ca të qajnë më tepër e ca të qajnë më pak. Fituesi le të falë. Falja nuk është kurrë frikë. Dhe i pushtuar i gjithi nga mornica të holla mirësie, asaj dite me diell të ngrohtë, edhe kapter Gërdhuqin, përbindëshin e pashpirt të kampit e shikonte disi me përdëllesë”, pa menduar se me këto ndjenja ai dëshmonte “fitoren” dhe forcën e tij, sepse trimi dhe i forti gjithmon fal, i dobëti vret.  Gjatë pushimeve në hetuesi përjetonte suksesin e tij të dikurshëm në konkurimin: “...për një vend violinisti në orkestrën e madhe simfonike të Bostonit. ...Fitoi. Prej gjashtë muajsh ishte njëri nga tre muzikantët e rinj të Orkestrës”. “Ai ëndërronte shtegëtime të detajuara për shpirtin e tij. Në vende të shenjta, të bekuara. Sepse gjithësia është brenda njeriut. Njeriu i di destinacionet e veta. Por tani i ngjante se përbrenda tij ishte bërë eklips, me kaq shumë terrinë, vetmi, përçudnim”, ndaj dhe rriste në vetvete besimin se: “Një ditë do të iki nga ky ferr dhe do ti rrëfej botës tmerret e mizoritë e tij” çka  na kujton At Zef Pllumbi dhe devizën e tij: “Rrno vetëm për me kallzue”.

 

            IV-Jeta shqiptare e kohës nuk linte asnjë njeri të merrte frymë lirisht dhe të realizonte dëshirat e tij shpirtërore, ajo ishte një jetë e komanduar, e planifikuar, e kontrolluar nga lart. Nga lart vinin tollonat ushqimore,  nga lart vinin të drejtat e studimit, që në shumicën e tyre s’kishin asnjë qasje me pasionet e maturantëve, nga lart vinin emërimet në punë, nga lart komandoheshin shijet e veshjes dhe të qethjes, filmat që do shiheshin e muzika që do dëgjohej, pantallonat që do visheshin dhe stili i qethjes së flokëve. Madje dhe dashuritë dhe martesat ishin nën suverjim, çdo dashuri apo martesë me një vajzë apo djalë nga familje “me njollë në biografi” “njolloste” dhëndërin ose nusen dhe familjen e tyre. Përgjithësisht ishte një jetë monotone, me mangësi të theksuara gjer edhe te ushqimet bazë, një jetë që nuk të frymëzonte dhe në rast se dikush do dilte jashtë kornizës të shoqërisë, menjëherë do vihej nën suverjim.  Intelektualët dhe  artistët ishin shënjestra e parë e goditjes së vigjilencës së organeve policore. Lajmet mbi arestime poetësh e shkrimtarësh, inxhinjerësh nafte e mjekë, heqje të drejte botimi apo ushtrimi profesioni e botimi apo internime familjesh ishin bërë një rutinë e përditëshme. Frika dyndej qyteteve më shpesh e më dëndur se mjegulla.           

               Nelson Andrea, ky artist, pjestar i një prej orkestrave më të njohura simfonike në botë, gjëndet papritur përballë strukturave të një shteti që hymnizonte kultin e dhunës. Ishte shteti i diktaturës së proletariatit që “drurin” e kishte në fakt  “direkun e anijes shtet” ku mbaheshin  të gjitha “velat” e tij. Ndërkohë kujtojmë se romani fillon në vitin 1967, kohë kur zhvillimi dhe përparimi i vendit kërkonte nderimin dhe vlerësimin e intelektualëve për të drejtuar sektorët të jetës, sepse një shoqëri që vlerëson dhe nderon artistët e intelektualët është një shoqëri që punon për zhvillimin dhe përpraimin e saj. Mirëpo në Shqipëri,  fakti që këta të rinj e të reja ishin intelektualë i bënte ata të pabesueshëm për shtetin. Ishte në fakt koha e një antagonizmi “de fakto” midis intelektualëve dhe nëpunësve  “çerek të arsimuar” që kishin mësuar vetëm shkrim e këndim nëpër kurset e përshpejtuara kundër analfabetizmit. Këta “çerek të arsimuar”   e ndjenin dhe e kuptonin se përparimi dhe arsimimi i vendit do ti spostonte në vijën e dytë e të tretë të drejtimit administrative, shtetëror dhe artistik, ndaj me arogancë, servilizëm, spiunllëk, provokim dhe sidomos duke ushtruar dhunë psikologjike ndaj artistëve dhe intelektualëve i rëndonin kohës së “tyre” për mos të ikur, siç u rëndojnë balonave qeset me rërë për mos tu ngritur.

               Thuhet se dhuna fizike është “forca” të dobëtit, ku këtu përfshihen dhe të paaftit dhe “çerek të arsimuarit”, që në këto vite quhen rëndom “analfabetë” sepse  s’dinin asgjë tjetër veçse të lexonin gazetën.  Si të tillë ata kishin gjetur mbështetje te dhuna, që e përdorin pa kursim kur ua lejonte posti zyrtar. Është e tmerëshme dhuna që ushtrohet mbi intelektualët dhe artistët, është e dhimbëshme, shkatëruese, sepse është e pamëshirrëshme. Kjo dhunë, veç arsyeve të tjera mban brenda saj edhe inatin e analfabetit ndaj intelektualit, për arsye se: vetë prania e  intelektualit dëshmon dobësinë e tyre të “fshehur”, jo në sirtarë tavoline pas së cilës ulen, por në sirtarët e ndërgjegjes dhe kujtesës së tyre. Pse shteti u dha poste drejtuese dhe fuqi ekzekutuese njerëzve të tillë, në vend që të vendoste në ato vende njerëz të arsimuar është një nga arsyet që vendi ynë mbeti mbrapa në gjithë fushat e jetës, ndërkohë që ishte  një nga  faktorët që ndikuan në rrëzimin me vonesë të komunizmit te ne.             

                Për të përballuar presionin psikologjik Nelson Andrea “aratiset” nëpër kujtimet e tij të jetës dhe dashurisë amerikane, aty ku rijeton lumturinë e “braktisur” prej tij për të mbajtur një premtim apo amanet të babait. Këto kujtime i japin “ajër” frymarjes së tij, por ja që “nuk jetohet vetëm duke marrë frymë, duhet ndjerë aroma e jetës në çdo moment” (Samuel Lion). Këto kujtime i japin forcë  për të rezistuar dhe i ushqejnë shpresën se një ditë “do ikte nga ky ferr”. Këto kujtime, ku “rritej” shpresa, ishin si ca “ishuj” të largët në mes të oqeanit të “frikës”. Aty zbriste Nelson Andrea dhe jetonte jetën e tij. Ai bënte aty krahasimet mes dy jetëve dhe përpiqej që të gjejë dhe në Shqipëri një copë jete amerikane, kryesisht me shokët e tij të punës: Oto, Neri dhe Sadiku dhe më pas Lola dhe Margarita, por mëson se dhe atje ishte i suverjuar, madje tmerohet kur i kërkojnë të denoncojë shokët e tij. Në këto kushte, i rënë në “kurth”ai pranon në heshtje “urdhërat” e Rako Siranit për një sërë vendimesh mbi jetën e personalitetin  e tij. Pranon të “vetëquhet” nipi i tij, të ndryshojë emrin në Nelo Andrea nga Nelson Andrea, pranon të martohet me një vajzë shurdh-memece, viktimë e pafajëshme e fatit dhe shtetit, pranon të heqë dorë nga profesioni i tij dhe të punësohet në skuadrën e fidanishteve dhe pas burgimit të dytë, në atë të varrezave, pranon dhe hesht për çdo gjë që i thotë Rako Sirani. Ai, në dukje shndrohet në një mekanizëm, që lëviz e jeton vetëm nën kurdisjen e Rako Siranit. Veçse kjo “jetë e kurdisur”  ishte për sytë e Rako Siranit dhe atyre që e shihnin si “imperialist”, ndërsa për veten e tij, Pandorën dhe fëmijët  mbrëmjeve ai mbyllej në kube dhe zbriste “parajsën muzikore në tokë” me violinën Stradivari, atë violin që e mbrojti nga shteti si flamurin që mbron në luftë ushtari besnik.

 

             V- Duhet të pranojmë se Odise Kote në rrëfimin dhe ballafaqimin e dukurive, mendimeve dhe kujtimeve dëshmon një mjeshtëri të lartë krijimi për mënyrën e pasqyrimit dhe kundërvënies së tyre, aq të gjalla. Kjo sepse ai e sheh dhe e shkruan letërsinë si pjesë vazhduese të shpirtit njerëzor dhe jo si një produkt i mëndjes.  Ca më tepër, në rrugëtimin e subjektit të librit ai shënon datat e ngjarjeve si piketa kohore, si një kronikë që saktëson ngjarjet: “Ditë e paharuar, 23 maj 1967. Avioni i linjës Vjenë - Tiranë ulet në pistën e, rreth orës 23 e 18 minuta”,  “Në nëntor, gjashtë muaj pas arrestimit.., e zunë ethet e forta me temperaturë të lartë” , “Kur u mbushën pesëmbëdhjetë muaj nga burgosja, ...Ishte korrik. 9 korrik 1968.”, “Ora 2.30 minuta.Natë e ftohtë, me shi dhe erë “, “Ishte shkurt, 14 shkurti, Shën Valentini”, “Ora 19.45 koha kur Nelo Andrea hyri në kube”, “Në pranverë, në 27 maj 1980, në mesnatë...Nelo Andrean e arrestuan”,    ”Ora ishte e njëjtë, si e herës së parë, 3.40 minuta. Ndjesë, 10 minuta më vonë se hera e parë” etj. duke i dhënë edhe në formë librit një saktësi strukturore dhe korektësi kohore.

               Odise Kote është një penë e bukur letërsie, që jeton me letërsinë dhe për letërsinë. Kjo ndjehet së pari te dashuria me të cilën shkruan, dashuri me të cilën i tregon ato që shkruan si përjetime ëndërrash. Kjo duket te bukuria artistike e ndërtimit të fjalisë, që të ngjason me një ylber të shtrirë dhe ai nervi, oh ai nervi që i përshkon tej e tej fjalët e ligjëratave, të bën të dridhesh si para dashurisë së parë. Lexojeni romanin dhe përjetojeni dhe ju këtë ndjenjë.  Odise Kote në fakt e dashuron letërsinë dhe kjo është e dukëshme te ëmbëlsia dhe shpirtërimi i  ligjëratave, gati si të folura me pëshpërimë, thua se  i dridhet zëri e zemra nga emocioni si para vajzës  për të cilën ëndëron,  kur flet si ”autor”, pa tonalitet. Kjo sepse ai realisht  ka paraqitur botën e tij shpirtëore, shpirtin e tij në momente shpërthimi të “llavës së frymëzimit”që vjen nga shpërthimi i “vullkanit të heshtur”. Thua se ai vrapon e kërcen pas kësaj llave, rrëshqitjes të së cilës ja di drejtimin: domosdo nëpër sokakët e Gjirokastrës.

             Unë ju them se si stilist Odise Kote është i veçantë në letërsinë shqipe, madje jo vetëm kaq, ai e pasuron së tepërmi fjalorin letrar me fjalë dhe fraza, të cilat, ndonëse kanë ngjyrën e “hirtë”, si gurët e kështjellave të hirtësuar nga vjetërsia e kohës, çuditërisht në ligjëratat e vargjet e tij ato “çelin” petale plot ngjyra duke pranveruar ambientin e hirtë dhe kuptimshmërinë e frazës. Shprehjet dhe fjalët: “cërga të mëdha drite”, “krusmë mërzie”, “një teh kryeneç drite ”,  “tejanë”. “Hollak”, “ kishte mbirë nga hija”, “Ta dërgoj shpirtin në ferr dhe zemrën ta pjek atje në heshtje të harresës”,. “Fol me të vdekurit, që të kuptosh të gjallët”, “Heshtja fryhej e veshtullohej”, “egërshane”,” tejçim pëshpërime”, “Njeriu nuk ia mbath dot fatit të tij”, “Lotët janë gjuha e heshtur e dhimbjes”, “Jazëk”, “qielli përvëlak”,” sokakët shtrembaluqë”, “Rrokopuja dhe rrëmeti”, “popëla”,” të vjen anicirë”etj... të cituara sa për ilustrim,  flasin për një njohuri dhe dashuri të autorit për fjalorin dhe shprehjet komunitare të qytetit të tij, dhe lartësinë e tij artistike në përdorimin e suksesshëm të tyre në një roman bashkëkohor. Madje mbi bazën e kësaj përvoje Odise Kote krijon fraza  që kanë formën dhe forcën e shprehjeve të urta, rrahur në kudhrën e kohërave  e që zbresin në tekst si rrufe në të kthjellët dhe të befasojnë me dritën dhe shkrepëtimën e tyre si: “Zogjtë nuk e ndërtojnë folenë në kafaz, që të vegjëlit e tyre të mos trashëgojnë robëri”, “Turpi nuk të shëron. As të ndihmon të lash mëkatet”, “Rojtari heshti, u dogj përbrenda si një perëndim”, “tradhëti që mbahej mbërthyer me njëmijë gozhdë për të mos u shqepur”,” Qetësia që vinte nga pranimi. Nga dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit”, “Errësira nuk mund ta dëbojë errësirën, vetëm drita mund ta bëjë diçka të tillë. As urrejtja nuk mund ta dëbojë urrejtjen, vetëm e vërteta dhe dashuria e kryejnë këtë mission”, ” Të fajësosh një gjarpër se ka dhëmbë helmues nuk është mençuri” etj.

           Thuhet se për të vlerësuar një autor, duhet të shihet fraza e nisjes së romanit, ngjyra dhe tingulli i fjalëve. Në këtë aspekt nisja e romanit të Odise Kotes i ka  ngyrën gri dhe tingullin e rëndë me disa sekuenca lirike, kryesisht nëpër kujtimet e tij: “Nuk kishte si ta kuptonte prej nga i vinte ajo krusmë mërzie. Gojën e kishte te mbushur me shije hidhërimi. Në kokë i kumbonin fort tingujt e kohës së dytë të koncertit për violinë të Bethovenit”. Kjo gri e stilit të tij, ndërsa është ngjyra dominuese e romanit, kalon si një re e fundit  e dimrit që ikën, në qiellin pranveror që po hapet pikërisht në pasazhin e fundit të romanit: “Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar, çdo grimcë e thërmijë nga trupi dhe jeta e saj, ishte larguar përfundimisht. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”, duke i lënë vendin një stine të re në jetën e personazhit.  

            A ju kam thënë që Odise Kote është gjirokastrit, që e do Gjirokastrën dhe ka marrë prej saj, madje duke lexuar krijimet e tij të krijohet bindja se ai ai është krijuar nga era e Malit të Gjerë  dhe  aroma e manxuranës e vasilikoit,  nga gurgullima e Drinos dhe e qeshura e vashave nëpër sokakë, nga mërmërima e plakave nëpër dasma  dhe vaji i tyre nëpër ksodhe, trokëllima e hapave djaloshare në Qafën e Pazarit dhe hieja e kështjellës si feste mbi krye që i bën vend dritës së diellit në sytë e tyre. Më duket mua apo Odise Kote është i dyzuar, qytetar dhe intelektual që mban strukur në një xhep të zemrës dhe kujtesës jetën, etimologjinë dhe psikologjinë e djeshme të qytetit. Duket sikur është arshivë, por në fakt ai është gjirokastrit i ditur dhe i talentuar.

               Shumë herë, mjafton një fjalë e tij për të dhënë një portret njeriu apo të një kohe. Fjala turke “sakën” të cilën autori e “shpjegon” artistikisht si : “fjalë turke me mister dhe fuqi të çuditshme. Ngrin, stepesh sa e dëgjon... përdoret gjerësisht. Fjalë - kod, kyç. Ngjan me një prizëm ku bien gjithë lutjet, kërkesat, dëshirat, trillet, veset, mëshira dhe të gjitha thyejnë kokën në brinjët e mprehta, të thepisura, tehe që s’falin” , dhe për të cilën unë do shtoja : “fjalë  që tregon një urdhër për stopimin në vend të dëshirave , nismave, ëndërrave dhe çdo mendimi të ri”, por që dëshmon faktin se shoqëria shqiptare ishte ndalur në “mesjetën turke”dhe psikologjia e shtetit ishte një psikologji mesjetare. Kjo fjalë tipizon edhe vetë personazhin që e përdor aq dëndur, Rako Siranin sa që atë normalisht mund ta quash thjesht : “shoku sakën” dhe me këtë  fjalë e ke dhënë me ngjyrat e duhura portretin e tij. Një fjalë është, por gjeografia e kuptimshmërisë së saj kërkon një fjalor të tërë për tu treguar.

            Gjuha e të folurit komunitar sa ka bukurinë, filozofinë  dhe tingëllimën e fjalëve tipike aq ka edhe rrezikun e një fjalori uniform që përdoret nga një libër te tjetri, nga proza në poezi. Mjeshtëria e autorit është pikërisht mënjanimi i krijimit të një të shprehuri uniform në gjithë krijimtarinë e tij. Të kuptojmë se: lulet që çelin në një lëndinë janë të gjitha lule tipike lëndinash, por ato nuk janë lule njëngjyrëshe dhe as të parcelizuara sipas ngjyrave. Aq më pak janë të njëjtat në të gjitha lëndinat.  Ashtu si çupkat zgjedhin lulet që i lidhin kurorë, për ti mbajtur në kokë në lodrat e tyre  nëpër këto lëndina,  apo lulet që i mbledhin në tufa dore dhe i marin me vete në shtëpi, ashtu dhe autori përzgjedh fjalët dhe frazat tipike komunitare për ligjëratat dhe vargjet e tij, duke u çfaqur gjithnjë  sa origjinal aq dhe i “shumëngjyrshëm”.

 

             V-Me një dendësi bërthame ku struket jeta e një peme të ardhëshme, Odise Kote përshkruan ngjarjet e jetës së qytetit të gurtë, duke ravijëzuar doket, zakonet dhe kulturën, humorin dhe humanizmin e banorëve të thjeshtë: “Mbledhje tek brigadier Bariu:

- Shokë ... nuk jemi vetëm. Kemi në krah Republikën Popullore të Kinës. Kina është me ne.

- E ç’na ka Kina ne? - s’u përmbajt Dikja - aq grurë sa hanë minjtë në hambar të një anije, aq grurë do Shqipëria. Shpëtuam! Veç atyre që tha brigadier Bariu, kam dëgjuar se Kina do të na sjellë edhe copa doku, dok more dok, dok. Dok për pantallona. E dini ju sa e madhe është Kina?

-“Domethënë - e prishi dedikatën e tij Oto - tani kemi aleatë edhe Valarenë dhe Kinën”...E pra, të barazosh si “aleatë” të Shqipërisë Valarenë, një fshat i vogël në Gjirokastër me Kinën, vetëm shurdhi nuk e dëgjon ironinë.

           Prishja( e kishave) paraprihej nga tubimet e zgjeruara të grave e vajzave. Ato diskutonin me zjarr ligësinë e zakoneve prapanike dhe helmin reaksionar të besimeve fetare. Rrokopuja dhe rrëmeti nuk ndalej. Si të mos mjaftonte ky rrëzim, disa kisha mesjetare u shndërruan menjëherë në vatra kulture. Kërcim dhe hare. Disa të tjera u bënë hambarë të misrit dhe fasuleve”pasqyrohej “nisma e rinisë” për prishjen e kishave dhe xhamive.

            Me një muzikë : “...prej tingujve të ç’akorduar, atyre tingujve që binin si me dhunë në veshët e njeriut nga fillimi deri në fund, pa asnjë ndryshim, pa asnjë ndalesë. Ishte e panatyrshme mënyra se si luanin. Ngjante se ishin nën një nxitje e shfryrje shtazarake, të çuditshme, të panatyrshme, për ta dërguar zhurmën e tyre (për muzikë as që bëhej fjalë), nga kreu në fund, edhe pse ishte dukshëm blasfemi, në timpanët e qytetarëve mjeranë” shoqërohej dita festive e votimit.

          Me një dendësi kuptimore fjalësh për situatën e ankthshme: “I ngjante se kudo e vështronin tinës, sikur i kërkonin llogari: Akoma jashtë je ti? Miqtë e tu u arrestuan. Po ti të paskan harruar apo …”? “Moj, mos e kanë lënë gjë për pranverë? Ku harrojnë këta!” autori jep  atmosferën qytetëse në periudhën e luftës kundër liberalizmit dhe ndikimeve të huaja, duke arritur majat më të larta të ironisë popullore te zbulimi i grupit armiqësor në ushtri: “Në qytet kishin nisur arrestimet... arrestimet e asaj vjeshte.... Po arrestoheshin ushtarakë të Divizionit Labëria.. Midis të arrestuarve, thuhej se ai që qenkish “koka” e grupit armiqësor ishte dhe një ushtarak veterinier... Ai rriste dhe stërviste kuaj parade. Kuajt, u tha në aktakuzën publike nuk stërviteshin sipas platformës kineze, siç dhe ishte urdhëri, por vazhdonin me metodikën e vjetër sovjetike. Nga ky moskuptim i qëllimshëm i direktivës, kuajt e paradës ishin nervozë dhe nuk para mbanin vithe. Ato rrezikonin ti hidhnin hopa - me bythë përpjetë gjeneralët e kolonelët e ushtrisë”, por menjëherë pas këtij humori të zi vjen si një ulërimë paragrafi tjetër:  Ndaj familjes së tij u veprua menjëherë, egërsisht. E “zhdukën” nga faqja e dheut”.  

                 

             VI-Ka një personazh romani i Odise Kotes që mund ta cilësojmë pa frikë si një ndër personazhet më të realizuar në letërsinë shqipe bashkëkohore, ka një Rako Sirani që nuk e ka asnjë krijim letrar. Një njeri i rëndomtë, ish punonjës i seksionit të sekuestrimeve të floririt të tregëtarëve të periudhës së luftës, punonjës arshive në Komitetin Ekzekutiv, pra ky Rako Sirani ju paraqit Nelson Andrean te porta dalëse e burgut si një : “Engjëlli që e priti përjashtë”duke e sqaruar se ishin “kushërinj të largët nga ana e nënës”. “Unë e di ç’hoqa të rregulloja lirimin me kusht”i thotë Nelsonit si argument përfundimtar bindës, sikur ti thoshte që “jetën ma ke borxh mua” dhe vijoi: “Ta thashë që në fillim të kam nipçe! I njëjti gjak më solli këtu”! Për të njohur nivelin kulturor mjafton të tregojmë se kur Nelsoni e pyeti çdo me thënë lirim me kusht, pa të drejtë ushtrim profesioni, ai ju përgjigj: “Kusht i vetëm i lirimit është se nuk do t’i biesh më qemanes, ja kësaj - dhe nxorri... nga thesi i plaçkave violinën Stradivar. Të ndalohet dhe pikë. Punë e madhe! Hahahaha  dhe kjo e qeshur tingëllon si një e qeshur triumfi edhe ndaj shtetit. Rako Sirani ja hedh edhe shtetit të tij, kur ja do interesi.

              Misterin e ndihmës që Rako Sirani  i afron Nelson Andreas sqarohet pa dashje nga vetë Rakua kur i thotë: “Unë do të ndihmoj jo vetëm se të kam timin por e kam dhe detyrë shteti”. Ne që e kuptojmë se çfarë e si qenë këto detyra shteti  na mbushet trupi me mornica. “Do shikoj mos të nxjerr dhe një pasaportë të re shqiptare. Mbase të ndërroj dhe emrin se ky që ke, … bie erë amerikanizëm. Do na hapësh punë. Mbiemrin mbaje siç e ke.” vijon Rako Sirani të paraqesë platformën e tij ndaj “nipçes” duke treguar dhe  rrugën e “zbatimit”: “Mos e vrit mendjen. Ç’i qi t’ëmën! Shko vish teshat e reja që të kam blerë se do të dalim në qytet. Dhe sakën, sakën: Gojën me kyç”!

              Rako Sirani përfaqson ata nëpunësit e vegjël të shtetit, që pa arsim e kulturë, por me një shkathtësi veprimi që “nxjerr dhjamë nga pleshti” ju ngjitën pushtetit siç u ngjiten disa miza afrikane gjedhëve.  Këto miza thithin gjakun e gjedhëve për të jetuar, por në rast rreziku ato largohen me shpejtësi prej tyre dhe zhurmojnë rreth sulmuesit, duke i paralajmëruar në këtë mënyrë “ushqyesit“ për afrimin e “armikut”. Kjo formë bashkëjetese quhet “simbiozë”. Shteti mbante në simbiozë  njerëz-“miza” të tilla që i thithnin “rrogën”për tu ushqyer dhe si shpërblim këto “miza” zhurmonin  rreth njerëzve që nuk e donin shtetin. “Jam arkivist në Komitetin Ekzekutiv të qytetit, por punoj dhe atje - dhe uli tonin kapardisës të zërit - punoj dhe në Degën e Brendshme si shifrant. Më thërrasin herë pas here” i pohon Rako Sirani Nelson Andreas kinse me sinqeritet, por në fakt me përllogaritje gjer në imtësi, për ta frikësuar që të mos revoltohet ndaj tij.

              Për nga  niveli i inteligjencës që kishte, Rako Sirani kryente veprime të vogëla, por duke i bërë publikisht, ky publicitet u jipte dimensione të “mëdha” dhe e paraqiste autorin si një  nismëtar kurajoz dhe besnik i partisë: ..“Si përherë në ballë shoku Rako!

-Vota jonë plumb për armikun. Të rrojë Partia. Të rrojë pushteti i popullit! - pas kësaj ngrohtësie shtirakelëngëre që të sillte të vjellën në grykë, një tjetër anëtar i komisionit u ngrit dhe i afroi një fletore - listë me emra”.

- “...në skenë u ngjit Anusheja, marrukja rome me dekolte ekstravagante e sisët plot, ..Në të vërtetë ishte çasti kur në dokumentar udhëheqësi nga tribuna e fitoreve hidhte lule mbi popullin dhe marrukja Anushe tërhoqi mikrofonin e ia nisi avazit:  Këndo o bilbil, këndo / topemadhiinënës -o …!Por atë çast,  ai (Rako Sirani) u lëshua si zhgabonja ... duke ia rrëmbyer mikrofonin nga dora. Pastaj e përmblodhi hopa dhe e zbriti pa një pa dy përposh shkallëve”.

                Janë këto veprime publike që ja “rritin”vlerën Rako Siranit në sytë e atyre “atje lart” dhe i japin guxim dhe shtysë për tu ngjitur “më lart”. Emërohet  sekretar i komitetit të partisë për artet, kulturën e propagandën me detyrë që e kupton si: “Jam për të mos lejuar pinjollët e borgjezëve e pasanikëve që të hyjnë në art”. dhe më pas emërohet në ministri.

               Në qoftë se mendohet që qëllimi i Rako Siranit në jetë është bindja politike, kariera partiake apo administrative, ky mendim buron nga veprimet e dukshme të tij, ndërkohë që ai si objektiv ka ...”floririn”. Duke punuar në seksionin e sekuestrimeve të floririt tregëtarëve të pasur, në vitet e para të pas luftës ai njohu pasurinë, forcën e pasurisë dhe synoi në jetë pikërisht këtë pasurim. Gjatë sekuestrimit te familja e Kristaq Bukëvallës tenton të krijojë lidhje dashurore me të shoqen e tij, për të aritur më pas te floriri i fshehur. Këtë qëllim ka edhe organizimi prej tij i martesës së Nelo Andrea me Pandorën, vajzën shurdh-memece të Bukëvallëve, e cila do trashëgonte pasurinë e tyre. E papritur dhe dështim për Rako Siranin në këtë plan ishte dashuria që lindi natyrshëm mes Nelo Andreas dhe Pandorës, para së cilës u ndje i pafuqishëm. Vajtja në Ministri i dha mundësinë që të njihte situatat politike rajonale dhe botërore dhe kuptoi se erdhi koha që ta braktiste “kalin” e mëparshëm. Kjo është arsyeja që u ndodh në pritjen në ambasadën amerikane, përballë me Nelson Andrean, duke na dëshmuar një nga arsyet e shumta pse shumë ish funksionarë e punonjës dikasteresh të kohës së monizmit u pozicionuan djathtas në politikë, duke i shkaktuar vendit një tranzicion të stërgjatur.

              Rako Sirani është personazhi më i realizuar, por duhet të pranojmë se personazhi më shpirtëror është Pandora shurdh-memece që dashuroi  Nelson Andrean dhe luftoi të mbrojë dashurinë e saj. “Dashuri mes dy njerëzve nuk matet nga numëri i fjalëve që ata shkëmbejnë mes tyre”-thotë diku Milan Kundera. Në kët kontekst unë do kërkoja mirëkuptimin tuaj që të shënoja pranë thënies së tij se: Dashuri nuk matet as nga numëri i puthjeve që shkëmbejnë partnerët. Dashuria matet nga vlaga e zjarrit që ndezin në shpirtin e njeri tjetrit, nga besimi që mbjellin e rritin në zemrën e njeri tjetrit. Dashuria matet me ballë tërmeti  që shkakton në shpirtin e secilit  afrimi i rrezikur te njeri prej tyre. Dashuria është ëndër, është ëndër,  është e vetmja ëndër që të vjen dy herë në jetë. Dashuria është dhimbje, është dhimbje që të godet rrëshqitazi në brinjë e të meh frymën, të mbledh stomakun sa një grusht, të arratis gjumin nga sytë e ta vonon agimin e ditës së re. Dashuria është vetëflijim, që si një çafkë ngrihet lart, lart, klith si në një lamtumirë e zhytet thellë në det. Nuk del mbi valë përsëri, ndoshta është shndruar në një peshk, sepse s’duhet të humbasë, s’duhet të vdesë kursesi. Nga mënyra se si e përshkruan Odise Kote dashurinë e Pandorës dhe të Nelsonit ndjejmë dhe kuptojmë se është një dashuri  e përfshirë në një roman dhe jo një roman që ka të shkruar një histori dashurie.

             Në kohën që Rako Sirani gruan e tij e quan dhe e trajton si një “shkurre”, Nelson Andrea gruan e tij shurdh-memece nisi ta njohë e ta dojë “si gruan e tij” në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pasi ishin të dy nën një rrezik dhe në kushte minimale jetese. “Do puthemi me buzët që kemi” thotë një shprehje niviciote me një kuptim shumë më tejë se puthja e mirfilltë e dy njerëzve.

            Njerëzit e vuajtur që i bashkon fati e njohin njeri tjetrin, kur shohin se ata (njerëzit që dashurojnë) ecin në jetë dhe prania e tyre, për arsye objektive bëhet pengesë për një ecje të mëtejëshme, ata vetëflijohen dhe largohen nga jeta e njeriut që duan duke e lënë të lirë në ngjitjen e tij: “..ajo... Iku ndoshta në vijën e saj të yllësisë. Pandorka e bukur, gruaja që i kishte dhënë gjithçka Nelo Andreas shqiptar,. Ndoshta e kishte kuptuar që në kohën e re, Nelsonit amerikan, nuk mund t’i jepte dot asgjë. Mbase për këtë shkak dhe ishte larguar, ashtu siç dinte ajo: qetësisht, thjesht, pa ndërlikime, pa lamtumirë”.

             Ky vetëflijim nuk është në legjenda, këtë vetëflijim e bëjnë  vetëm ato gra që përjetojnë dhimbjen dhe dashurinë e vërtetë, si e urta Pandorë.

 

            VII- Romani “Amerikani” i Odise Kotes është nga ata libra që sado të shkruash dhe të flasësh për ‘ta, ke gjithmon diçka të re për të thënë.

 

Sarandë, më shtator 2022