Tuesday 23 November 2021

 

KUR LEXON SPROVËN E TIMO MËRKURIT

 

Nga Anasatas Nika

Mrekullohesh duke e lexuar e përjetuar çdo rresht të kësaj sprove madhore të Baladës Shqiptare të Murimit, se pa kuptuar fare, sa hap të parën  faqe-portë të legjendës, gjëndesh si në një skenë teatri ku trup-legjendat me kostumet e tyre të ndryshme, do të” sfilojnë” para Timo Mërkurit e më tejë  për të treguar hiret e tyre personale dhe natyrisht të vendit që përfaqësojnë. E ngjan sa "sfilatë" e sa si "gjyq", e sa si "ring"....Sa dramatike, e sa  ndonjëherë komike ..E sa TRAGJIKE!  E Timo Mërkuri si një njohës i hollë, një profesionist i zot, si një  “avokat “ me kulturë të lartë e logjikë të fortë fillon apologjinë e tij. E ty si një spektator i thjeshtë i magjepsur ,ndjek tërë atë mori vëndesh e njerëzish gjithe ankth, duke shpresuar që legjenda e tyre të fitojë “kurorën” ..  Për një çast si me magji  e çuditërisht sa hap e mbyll sytë, gjëndesh  në një kalë Kostandini a Pegasi dhe fillon të kalërosh shekuj e shekuj urave e kështjellave, kishave e manastireve ku ndeshesh me tre  vëllezër e tre nuse, një nënë, mbret e sulltan, e tutje gjen “dizet” ustallarë, kryemjeshtërin e nusja e tij, zogu që u bë më pas dallëndyshe, nuse e kafshë që murrosen, e pas orësh të tëra  e shekujsh të tërë, pas 178 porta-faqesh  zbret  në skenën ku krenare me kurorën e triumfit mbi krye” sfilon”  -  Balada Shqiptare e Murimit-dritëson e shkëlqen më shumë se kurrë BESA shqiptare.

Natyrisht, pas kësaj sprove të vështirë, vetë Timo Mërkuri me Skeptrin e Fitores të ngritur lart.

Të kërkosh të  udhëtosh  në mite e legjenda e të kërkosh të zbulosh atësinë, është si të thuash të shkosh e të gërmosh në themelet e një ngrehine mijëravjecare ku i kanë mbetur veç rrënojat e shumë gurë të saj janë rrëmbyer e vendosur mureve  diku afër e larg, e të tjerë gurë nga larg  janë përzier me to. Të futesh thellë llagëmeve, të  gërmosh e hapësh tunele ku nuk ka dritë e gjurrmët humbin e  ngatërrohen, diku njësohen e diku ndahen, kapërcen kufij e prapë bashkohen, e kjo  kërkon sy të fortë  mëndje të ftohte e shpirt të zjarrtë, ndesh e dëgjon gjurrmë e  zëra të huaj, e ty duhet të gjesh e ndjekësh fillin ku diku humbet e këputet, zërin e  gjakut të ngjizjes, të rrëfimit të gjyshes e të të parëve të tu, të dheu tënd në atë mori e kakofoni zërash të huaj,  ku shpesh të bukur, tronditës e joshës ....E ty duhet të heqësh shekujbaltën urave, kështjellave, kisha-manastirëve, të lidhësh fillin e këputur, të njësosh iso-zërin …

Eshtë vërtet  një guxim e riskim i madh, por mbi të gjitha një kulture, inteligjencë e aftësi e lartë, është një strapacim i madh, një ngulmim në kufij të së pamundurës gjer në marrëzi, një punë shumvjeçare me orë e ditë e muaj të tëra plot sakrifica të panumërta, mbi të gjitha është (e duhet të jetë patjetër… )  një thirrje e  fortë e vazhdueshme qysh në zanafillë të jetës (qysh kur ngjizesh barkut të nënës, rrëfimet e të kënduarit e gjyshes- eh, jo si ninullë për të vënë në gjumë, por si kushtrim për të zgjuar brënda tij e mbajtur gjallë udhnisjen  e këtij misioni të vështirë (se jo kushdo e merr dhe  bën këtë, duhet të kesh lindur për këtë, duhet të të flasë një zë i brëndshëm e si thonë: je i përcaktuar e  paracaktuar  ...) E kur ja del mbanë, si  në këtë sprovë  legjendë murimi, duke e nxjerrë e sjellë  kaq bukur e hijshëm në dritë (e cilësuar si një nga këngët më tronditëse të të gjithë popujve) e  po kaq i sukseshëm dhe në studimet tjera të mëparshme si analiza folklorike këngësh a poemash veri e jug, jug e veri-të studimit të  Iso-Polifonisë Himariote…E pra, kjo është për tu ngritur në këmbë, të përulesh me nderim, të duartrokasësh fortë për këtë mision të paracaktuar e përcaktuar e    kryer me sukses, një nder e krenari e madhe në drejtim te vlerave e traditave  si një personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare, e duartrokit edhe më fort akoma kur sheh e dëgjon si një i vlerësuar në arenën ndërkombëtare.

E krenar si mik e bashkqytetar, si një studiues, ndoshta sot më i miri në llojin e tij, me gojen e shpirtin plot  them :" TE LUMTE TIMO MERKURI. SUKSESE NE LEGJENDA , BALADA E POEMA TE TJERA..."

 

Sarandë, më 23.XI.2021