Saturday 14 March 2020

U L T I M A T U M I


U L T I M A T U M I
Qasje te një Kronikë.. e Albert Habazaj.

Nga Timo Mërkuri


Ultimatumi[1] i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”  dërguar generalit italian Settimio Piançentini dhe vendimet që shoqëruan  atë, janë një ndër kulmet e organizimit të kryengritjeve shqiptare për liri dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të vendit edhe për arsye se  krahas organizimit të kryengritjes, luftëtarët popullorë të Luftës së Vlorës organizuan paralelisht strukturat shtetërore si dhe shpalosnin vizionet  politike dhe diplomatike europiane njëkohësisht.. 
       1-Ultimatumi i Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” dërguar generalit italian Settimio Piançentini është unik në llojin e tij. Zakonisht ultimatumin e lëshon një shtet, një koalicion shtetesh, një ushtri apo koalicion ushtrish që janë apo e ndjejnë veten më  të fuqishme ndaj një shteti, ndaj një koalicion  shtetesh, n jë ushtrie apo koalicion ushtrish  që i gjykojnë apo janë më të dobëta. Në këtë konteks ultimatum ka edhe anën e tij humane pasi kërkon që të ndalohen veprimet e dhunëshme me pasoja vdekjen e njerëzve dhe dëmtimin e pronës kundrejt pranimit të kushteve që  vendos pala që lëshon ultimatumin..
       Në rastin e ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” nuk ndiqet kjo rrugë llogjike. Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” nuk administronte ndonjë ushtri të rregullt dhe ca më pak ndonjë koalicion ushtrisht. Në Beun më 2 Qershor 1920  u mblodhën të  gjithë forcat kryengritëse rreth katërmijë vetë që do nisnin luftën me 20 mijë forca italiane të komanduara nga 12 gjeneralë. Forcat kryengritëse shtoheshin cdo ditë, madje flitet se aritën në 6 mijë vetë, por lista dhe evidence të sakta nuk janë mbajtur[2]..
Është fakt se në Luftën e Vlorës,   kontribut  dhanë edhe Kurveleshi, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Skrapari, Devolli etj. Erdhën  çetat e Çamërisë të drejtuara nga Muharrem Rushiti dhe Alush Taka, çeta e Tiranës me Said Toptanin,  çeta e Himarës me  Nase Labin e  Naqe Konomin. Erdhën edhe 155 bashkatdhetarë nga SHBA  që prunë edhe  Bandën Muzikore “Vatra” të drejtuar nga kompozitori Thoma Nasi, i cili kompozoi këngën hymn “Vlora–Vlora” me tekst të Ali Asllanit. U bashkuan me   luftën e Vlorës edhe kaçakët e rretheve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Kurvelesh etj.. Kryqi i kuq amerikan  pruri ndihma në Kotë, për mjekimin e të plagosurve ku shërbenin edhe mjekët italianë të zënë robër, nën oficeri italian Xhovani Valenca me origjinë arbëreshe, u dorëzoi kryengritësve  depot e municionit në Panaja të Vlorës, ku u paisën shqiptarët me fishekë[3] etj etj. Por gjithsesi kryengritësit teknikisht nuk ishin as më shumë se forcat italiane dhe as të armatosur më mirë se ata. Gjithashtu kryengritësit nuk kishin si prapavijë ndonjë shtet të fortë ekonomikisht. Në qoftë se ndo ndiqej simetria llogjike e faktorëve teorikë, italianët ishin në avantazh në të gjitha drejtimet, si në numër ushtarësh, në armatim që përfshinte  artileri, flotën detare, aviacionin, armatimin e këmbësorisë me të gjitha llojet e armëve modern të kohës. Kishin gjithashtu edhe një shtet industrial të fuqishëm në prapavijë etj.
         Por kryengritësit shqiptarë kishin një element që u ktheu balancën në favor, ata luftonin për atdheun e tyre dhe ishin të gatshëm që të jipnin edhe jetën…si me le… për të çliruar vendin e tyre[4].  Ky ishte “shkëmbi nën këmbët e tyre” ku u mbajtën kryengritësit dhe i nisën me kurajo ultimatumin ushtrisë  italiane.
       2-  Kryengritja e popullit shqiptar e njohur si Lufta e Vlorës nuk ishte një luftë  kaçakçe “dalë ku të dalë”, por në të gjitha hapat organizative të saj ndërtoi struktura shtetformuese.
            Shkëndijën e parë e dha demostrata antifashiste e 28 Nëntorit të vitit 1919 në Vlorë, ku italianët për të fyer ndjenjën kombëtare të demostuesve, pasi grisën flamurin kombëtar, një copë të tij e lidhën pas bishtit të një qeni dhe e lëshuan rrugëve të qytetit. Indinjata që shpërtheu në Vlorë I detyroi italianët  që të strukën nëpër pozicionet luftarake… Osmëni i  hipi kalit/Dhe i foli gjene-ralit /Breshkaxhiu i breshkamadhit/“Dil sterresë jo limanit,/Të shoç të zot e vatanit/Bijt e Ismail Qemalit.”
       Kongresi i Lushnjes[5] , lëshoi një thirrje për “një besë e përgjithshme” për mbrojtjen e trojeve
 shqiptare. Atdhetarët vlonjatë u  mbledhën në fshatin Armen më 23 shkurt  ku vendosën për organizimin e rezistencës antiitaliane. Në funksion të kësaj plaftorme më 10 Mars 1920 krijohet në Vlorë[6]  Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”  “dhe aty u vendos që çështja e Vlorës, të zgjidhej me armë…”
         Me qëllim të koordinimit të veprimeve, më 18 maj 1920  komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, dërgoi  në Tiranë[7] për bisedime  me qeverinë e Sulejman Delvinës një delegacion, ku bënin pjesë Osman Haxhiu, Gani Aliko dhe  Rexhep Sulejmani të cilët u takuan në 23 Maj 1920 me Kryeministrin i cili u deklaroi se: “Qeveria e jonë, kurdoherë ka kërkuar dorëzimin e Vlorës dhe jep fjalën e nderit, se kurrë nuk do të kursehet për të bërë një therori për shpëtimin e Vlorës…”.Po kështu, me letrën e 25 Majit 1920 Sulejman Delvina njoftonte Osman Haxhiun se  Qeveria e Tiranës kishte ndërprerë marrëdhëniet me Komisarin italian Kastoldin, duke i kërkuar atij “bashkimin politik e administrativ të krahinës së Vlorës me pjesën tjetër të vendit[8]”.
           Për fillimin e organizimit të veprimeve, më  29 maj 1920 në pllajën e Barçallait[9] u mblodhën 200 përfaqësues të krahinave që vendosën fillimin e kryengritjes “derisa të bashkohemi me shtetin Shqiptar”[10]. Qeveria e Sulejman Delvinës dërgoi si përfaqsues të saj Ismail Haki Kuçini  Aty u sanksionuan edhe 12[11] antarët e rinj të  Komitetit të  “Mbrojtjes Kombëtare” (Në Beun seç u mbëlodhë/dymbëdhjetë komisjonë,) me përbërje:  Osman Haxhiu Kryetar, Sali Bedinin, Hamit Selmanin, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari, Myqerem Hamzaraj. Sekretar i Komitetit u zgjodh Halim Xhelo, ndërsa Komandant i Përgjithshëm i Luftës u zgjodh major Ahmet Lepenica.
        Në thellim të organizimit  Ahmet Lepenica pas gjashtë ditësh  në Kotë dha dorëheqjen nga detyra e Komandantit të Përgjithshëm të Luftës duke ja lënë këtë detyrë kapiten Qazim Koculi, sipas vendimit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare”. Ahmet Lepenica u ngarkua me organizimin dhe drejtimin e Policisë Ushtarake bashkë me Shero Eminin.             
       Operativ i komisionit ushtarak u caktua major Ismail Haki Kuçi[12], i deleguar i qeverisë së Tiranës[13].  Bateria e vetme e artilerisë që kishin kryengritësit komandohej nga Aziz Çami dhe zv/komandant Elmaz Ademi me artilierë Xhafer Xhuveli dhe Abdurahman Çiraku ..
       Me qëllim që të parandaloheshin veprimet që dëmtonin  qëllimin e luftës, të ndëshkoheshin dezertorët dhe tradhëtarët si dhe të dënoheshin sipas normave  gjyqësore kriminelët italianë, u krijua Gjykata e Luftës me Kryetar Neki Xhenetin dhe antarë gjyqi Sif Kedhi dhe Agjah Bej Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami  e Halim Xhelo.   Krahas saj u krijua edhe Prokuroria  e Luftës  përbëhej nga prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi.
     U mendua edhe për robërit e luftës prandaj në Vajzë u vendos kampi i tyre me komandant  kampit  Rexhep Sulejmani.
     Shtypi që pasqyronte dhe propogandonte  ngjarjet e Luftës së Vlorës ishte  gazeta  “Drita” e  Veli Harshovës Gjirokastër, dhe “Kuvendi” e “Dielli” në Boston..
     
      Pra shikojmë se kryengritësit kishin krijuar gjithë strukturat e nevojëshme ushtarake për një kryengritje me vizion shtetformues pas fitores. Është kjo arsyeja që edhe hartimin e tekstit të ultimatumit që do i dërgohej Gjeneral Settimio Piançetini ju ngarkua avokatit-luftëtar Avdul Kuçi. Ultimatumi u hartua më Beun në datën 3 qershor 1920, një ditë pas mbledhjes së “Komisionit të Luftës[14]”.
        Për të dorzuar ultimatumin doli vullnetar Mehmet Selimi Mallkeqi i cili u  shoqërua nga Halim Laze nga Kanina dhe Adem Aliko nga Vranishti ndërsa në takim me general Settimo Piançetini asistoi vetëm Mehmet Selimi për arsye  se rojet italiane nuk i lanë dy shoqëruesit e tij. Përkthimin e ultimatumit e bëri Ulise Bozo, një Italian i vendosur në Vlorë si punonjës në vaporin “Pulia”, i cili gjatë luftës shërbeu si ndërlidhës ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.
       Teksti i ultimatumit të Komitetit të “Mbrojtjes Kombëtare” për nga mënyra e hartimit është unik në historinë e ultimatumeve, pasi nuk kufizohet vetëm me paraqitjen e  kërkesës së  fundit” dhe afatin e saj por pasqyron edhe arsyet historike dhe bazën ligjore prej nga buron kjo kërkesë . Para se të jetë një  dokument lufte ky ultimatum është një dokument hymn, patriotizmi dhe atdhedashurie deri në vetëflijim që edhe sot pas njëqint vjetësh frymëzon krenari për historinë tonë dhe nderim e respekt për ata luftëtarë “dyfekt lidhurë me gjalmë” që bënë Shqipërinë. Si i tillë ky ultimatum ka nevojë për një studim dhe analizë më të gjerë se sa është trajtuar gjer më sot. Le ta shohim këtë tekst historie dhe krenarie që një popull “që rojnë moj me gazep/me një çikë bukë në xhep/mbledhur si foshnja në djep” ja drejtonte një nga ushtrive më të mëdha të kohës “ goxha dovlet” në prag  kryengritjeje…  
          
 “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare”
Nr. 6  i protokollit.; Shkëlqesisë së tij, Gjeneralit Settimio Piaçentini!

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i zgjedhur nga populli i Vlorës në mbledhjen e Barçallasë më 29 maj 1920, në ndodhjen e të nënshkruarve, ka nderin t’i deklarojë shkëlqesisë Tuaj sa vazhdon: ”Kur ushtria italiane zbarkoi në Vlorë më 1914, komanda italiane me anën e proklamatës zyrtare të saj na siguroi në emër e në nder të kombit italian, se Italia e lirë nuk kish asnjë qëllim zaptimi të Vlorës e, qëllimi i zbarkimit ishte nevoja e sigurimit strategjik të gjendjes ushtarake në rast armiqësie ndërmjet Italisë e të Austrisë. Populli shqiptar i lodhur prej grindjeve të brendshme dhe duke u dhënë besim nderit dhe premtimeve të qeverisë italiane që bëri me anën e proklamave të botuara njëra pas tjetrës, i’u desh më në fund të përulte kokën e të toleronte zbarkimin italian. Dhe gjatë pesë vjetëve toleroi dha vazhdon të tolerojë padrejtësitë e kryera prej italianeve në dëm të Shqipërisë. Prej pesë vjetëve Vlora, djepja e Pavarësisë së Shqipërisë është qeverisur si një nga kolonitë më të ulëta: përveç gjuhës, administrata dhe flamuri tonë na u mohuan nën kondita shumë të ashpra, me të këqija se ato nën sundimin turk, kur Turqia sundonte në Shqipëri. Por e ashtuquajtura Italia e Lirë, pa u turpëruar[15] ka provokuar copëtimin e Shqipërisë me traktate të fshehtë duke mos respektuar nderin e saj me anulimin e traktatit që ajo ka firmosur në Londër më 1915. Na e dimë se një popull i vogël si populli shqiptar nuk mund të sulmojë me armët e tij një fuqi të madhe siç është Italia, por qeveria italiane sado e fortë që të jetë, nuk mundet kurrë të ndalojë popullin e vogël të Shqipërisë që të vdesë për idealin e lirisë së tij. Populli shqiptar e quan copëtimin e Shqipërisë një vepër të Italisë e cila duke ndjekur programin e saj imperialist përpiqet ta mbajë Vlorën si një koloni nën zgjedhën e saj. Por ky popull sot me i bashkuar se kurrë ndonjëherë nuk mundet të tolerojë më dhe ta shohë veten të nxjerrë në ankant si kafshët në Pazar të Europës për të kënaqur lakmitë Italo-Greko-Serbe. Prandaj dhe ka vendosur të rrëmbejë armët e të kërkojë nga Italia lëshimin e administracionit të Vlorës, Tepelenës, Himarës, të cilat vende duhet ti dorëzohen sa më parë qeverisë kombëtare në Tiranë. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me mandat të popullit të Vlorës e të gjithë Shqipërisë, i mbledhur këtu dëshiron që shkëlqesia Juaj t’i përgjigjet kërkesës së tij deri nesër, 4 qershor përpara orës 19.00. Në rast të kundërt për çdo gjë që mund të ngjajë, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk merr asnjë përgjegjësi.                                        
Me nderime: Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare
Osman Nuri, Qazim Kokoshi, Duro Shaska, Ali Beqiri.                   3 qershor 1920
    Gjeneral  Settimio Piaçentini u përgjigj me arogancë se : Përgjigjen do t’ua japin topat e mi në Kotë, Gjorm e Kaninë…” duke shpresuar se kjo përgjigje do hynte në histori, por shumë shpejt u kthjellua për situatën dhe dërgoi me urgjencë te kryengritësit Ulize Bozon me flamur të bardhë, të cilin e shoqëroi për në komandën e kryengritësve Manxhar Selfo nga Shkoza. Por Piançentini nuk haroi ti vinte njeriut të tij si shoqërues një pilot, i cili vezhgonte pozicionet e kryengritësve dhe mbante shënimet e duhura… Gjenerali “krenar” u kërkonte shqiptarëve vetëm një liman në portin e Sazanit dhe Karaburunit. Shqiptarët refuzojnë. Pas dy ditëve filloi bormbadimi italian i pozicioneve të kryengritësve nga ajri, deti e toka që tregonte  hapur ndikimin e “shoferit” pilot. Kryengritësit ju përgjigjën me  armë këtij sulmi dhe fatmirësisht për ‘ta  rrëzuan.. ”me dy plumba një balon[16]” dhe e gdhëndën në këngë…“Aroplanin kush e shtiu?/Trim Avdurramën Aliu/ Këta djemt’ e Shqipërisë/ E hodhë’ për tok’ si mizë”, dhe …Në fushë të Peshkëpisë/Ra ballon’ i Italisë / Këta djemt’ e Shqipërisë/Me manxerrat e Turqisë/ E hodhë në shesh si mizë!” .
      Lufta e armatosur filloi më 5 qershor 1920[17] ku përmasat dhe jehonën e saj e pasqyron më së miri kënga…. Evropa shkruajn' thonë/Ç’është kështu që dëgjojmë?/Bënet dyfek në Vlorë/ Shqiptarët po luftojnë/Me një mbret dyzet milionë/Po me se luftojnë vallë?/Me sëpata, me hanxharë/ Dyfeqet lidhur me gjalmë/ Fishekët në xhep mbajnë….dhe….Atje te Hani në grykë/ Te ura në Drashovicë/ Qëllon topi Italisë/Ka nijet që ta vithisë/Komision' e Shqipërisë/0 moj Shqipëri e bardhë/ Bota ta kanë sevdanë / Të keqen ta kanë marrë/ Se ke trima kordhëtarë/ Barutin me grusht e hanë…për tu kurorëzuar me fitore në 3 shtator 1920.
Festimet popullore zgjatën dy ditë dhe në fund luftëtarëve ju dha nga… një qeleshe dhe një kilogram rrush për rrugës drejt shtëpive. Ishte lavdia e vendit që me varfërinë e saj  përcillte heronjtë e tij…
      
Sarandë, më  9-13 Mars 2020



[1] Përmbajtja e ultimatumit sipas librit “Lufta e Vlorës” të autorit Ago Agaj, (i mbiquajtur "Kosovari nga Vlora" si prefekt i Mitrovicës dikur. A.Shehu) të shkruar në Egjipt dhe të botuar në Toronto-Kanada. Vendimi për ultimatumin u muar në Kuvendin e Barçallasë më  23.5.1920 ndërsa ultimatum si document u dërgua në 3 Qershor 1920. Fjala “Ultimatum” vjen nga latinishtja dhe ka kuptimin “e fundit”, pra afati,  njoftimi, kërkesa e fundit etj. Kjo shprehje ka filluar të përdoret në mesin e shekullit 18, ndonëse ultimatumet kanë qënë të zakonëshme ndërmejt forcave ndërluftuese qysh në hershmëri, por të formuluara  pa këtë shprehje.
[2]Gjithashtu nuk janë evidentuar saktë të vrarët dhe të plagosurit shqiptarë në këtë luftë por flitet përafërsisht për 150 të vrarë dhe 400 të plagosur
[3] Xhovani Valenca pas luftës qëndroi në Vlorë ku dhe u vra në 1927 nga një atentator I ardhur nga Italia me këtë synim.
[4] “Mbledhja e këtij kuvendi u bë ditën e shtunë më 29 maj 1920, në vendin e quajtur Barçalla, ku morën pjesë 200 vetë nga pleqësia e katundeve dhe qytetit të Vlorës, ku me një zë u betuan që: Me ndihmë dhe pa ndihmë të viseve të tjera të Shqipërisë, do të luftojmë derisa të bashkohemi me shtetin tonë, ose në mos e arrifshim këtë ideal, të vdesim me armë në dorë, që ta marrë vesh bota e qytetëruar, se shqiptari për lirinë e vet di të vdes, dhe kur vendos të vdes, s’e trembin milionat me ushtri e topa…”. B.Gaçe “Epopeja e Luftës së Vlorës” 16 shtator 2018
[5]  i zhvilloi punimet nga data 28-31 janar 1920 ku  morën pjesë mbi 50 delegatë nga e gjithë Shqipëria
[6] Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” u krijua   në shtëpinë e Osman Haxhiut në Vlorë..Epopeja e Luftes se Vlores 1920” : Prof. Dr. Bardhosh Gaçe
[7]  Tirana u shpall Kryeqytet i Përkohshëm i Shqipërisë me Vendim të Kongresit të Lushnjës  më 9 shkurt 1920. Realisht Kryeqyteti i parë i shtetit shqiptar ishte Vlora, por Qeveria e Durrë-sit u vendos në  Durrësindhe kështu morri atributet e  Kryeqytetit. Realisht Durrësi ishte qytet më i madh se Tirana, ishte prefekturë ndërkohë që Tirana ishte nënprefekturë dhe varej nga Durrësi por në këtë kohë qyteti i Durrësit ishte i pushtuar nga italianët . Me miratimin e të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë. Asambleja Kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht Tiranën  kryeqytet të Shqipërisë.
[8] Po aty…
[9] …të fshatit Dukat…
[10] Halim Xhelo. Gazeta Politika.
[11] Antarët quheshin …komisjonë..
[12] “Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare” e caktoi I.H.Kuçin edhe si komandant të grupit të dytë të forcave, për aftësit e tij ushtarake.Ismail Haki Kuçi u caktua edhe si gjyqtar ushtarak dhe me nismën e tij u bë organizator i gjyqit ushtarak që gjykoi e dënoi me vdekje me pushkatim disa dezertorë dhe spiunë gjatë luftës si dhe agjentë italianë (Fane Veizi- qeveria e kongresit të Lushnjës e veprimtaria e saj, 1918-1920,f.164)
[13] (B.Gaçe-Osman Haxhiu,Tiranë,2002,f.101)
[14] Komisioni i Luftës përbëhej nga 37 antarë, kryesisht ushtarakë të karierës dhe komandantë çetash me përvojë luftarake.


[15] A nuk ju kujton këngën…Itali moj paç lanet/S’pate turp goxha dovlet/Zure luft me një milet/Që rojnë moj me gazep/Me një  çikë buk’ në xhep/Mbledhur si foshnjat në djep
[16] Hidrovolantin që borbadonte nga ajri…
[17] Ndërkohë më 13 qershor 1920 Avni Rustemi qëllonte Esat Pashën në Paris duke i dhënë një hov të ri entusiazmit të kryengritësve dhe duke i prerë rrugën tradhëtisë..

Wednesday 4 March 2020

Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë


Të vdesësh i bukur… dhe të rrosh në këngë
Sprovë

Nga Timo Mërkuri
     1-Sa herë që dëgjoj  këngën e Kanan Mazes[1],  vargu që më mbetet në mëndje dhe më vë në lëvizje fantazinë është pikërisht vargu…”Kanan tu prish bukuria”. Unë e di  që ky varg flet për  plagosjen e një luftëtari lab në sulmin mbi pozicionet italiane në Kotë[2], ku gjylja e topit i mori gjysmën e nofullës. Nuk kemi të bëjmë me sfilata apo konkurse bukurie. Por le ta lexojmë bashkërisht këtë këngë kënduar nga luftëtarët shqiptarë të Luftës së Vlorës në 1920 që thotë…O bobo se ç’qënka Kota/ Më e bukur se Evropa/ Bytym mitroloz e topa/ Kanan Mazeja nga Shkoza/Me një nofull copa-copa/Kanan t’u prish bukuria/Le të rrojë Shqipëria/  Shiko si mblidhen bukuritë në një vend, sikur i vë  zoti  me dorë.  Kanan Maze i bukur  plagoset në Kotën e bukur që, siç e thotë kënga ishte Më e bukur se Evropa… 
      1.a- Nuk më përqëndrohet  vëmëndja te vargu…Me një nofull copa copa…, thua se nuk na bën përshtypje ashtu siç nuk i ka bërë përshtypje as vetë Kanan Mazes plaga në nofull. Normalisht  luftëtari duhej ta ndalonte sulmin, të tërhiqej për t'u mjekuar diku. Tek e fundit, të dëshpërohej, ndoshta të pendohej për aventurën. Por jo! Ai vazhdon luftën sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Pikërisht në atë moment e thërrasin shokëtKanan t’u prish bukuriaKaq, asgjë më shumë. As përshembull “t’u enjt plaga”, “të rrjedh gjaku çurgë”, "bobobo, ç'të gjeti, o vëlla"! Jo! I thonë vetëm "t’u prish bukuria". Vërtet, ajo gjyle i mori gjysmën e nofullës, ia “prishi” bukurinë luftëtarit lab, po si vallë në atë çast e në atë vend ku vriteshin e gjymtoheshin burra nga gjylet, gjendej "oreksi" të flitej për “bukurinë”. Po, ja që gjendet, kështu mendon rapsodi. Ai gjykon se ky detaj ishte tepër i rëndësishëm, në mos më thelbësori për luftëtarin që u godit e që edhe mund të vdiste.  Ai gjykon dhe na thotë edhe ne se “bukuria” e luftëtarit në momentin e vdekjes[3] ishte diçka më e rëndësishme se plaga apo dhe jeta e tij. Ishte thelbësore edhe për  vdekjen e njeriut shqiptar[4].
        2- Te romani “Ultimatumi” i Petro Markos[5] ku përshkruhet Lufta e Vlorës në 1920 ka një pasazh mbresëlënës. Shumë nga luftëtarët shqiptarë ishin fshatarë të varfër dhe vetkuptohet që edhe rrobat i kishin me arna e copë e çikë. Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare nuk kishte fonde t’i paiste luftëtarët me uniformë[6]  ndërsa Qeveria e Lushnjës jo vetëm që s’kishte fonde, por ishte pozicionuar me “qëndrim në hije” në problemin e konfliktit. Gjithësesi, luftëtarët fshatarë po shkonin në luftë ku edhe mund të vriteshin. Problemi nuk ishte aq shumë te rënia. Problem të vërtetë përbënte fakti se do vriteshin me rroba të vjetra, të grisura. Kjo ishte tërësisht e papranueshme për traditën shqiptare.
      Sipas kësaj tradite, dhëndëri ditën e dasmës dhe luftëtari ditën e betejës duhet të vishen me rrobat të mira. Dhëndëri vishet me rroba të reja sepse duhet të vejë i bukur te nusja dhe luftëtari  vishet me rroba të mira sepse mund të vritet dhe duhet t’i vejë i bukur vdekjes[7], si nuses. Plaga e plumbit nuk quhet shëmti, ajo është  zbukurim në trupin e luftëtarit, kudo që të jetë.. Prandaj, shkruan Petro Marko, këta luftëtarë të varfër i thirën  një nga një komandantët e çetave dhe plot kujdes që të mos cënoheshin në sedër nga varfëria, gjetën për secilin nga një arsye dhe bënë si bënë, iu dhanë nga një palë rroba të reja[8].  Ata, thotë Petro Marko, i morën rrobat qetësisht, i veshën dhe fluturuan nëpër llogore, sikur nxitonin për në dasëm. S’kishin drojë nga plumbat, ishin gati t’i dilnin vdekjes përpara serbes, pa ia përfillur hijen e rëndë, siç iu dilnin vashave te burimi i fshatit dhe iu hidhnin romuze çapkënësh.
       3- Një tjetër situatë në pragvdekje përjetohet edhe te “Bilbilenjtë trembëdhjetë”. Këta kaçakë quheshin  “Bilbilenjtë” nga emrat e dy komandantëve të tyre  Bilbil Shako  nga Rexhini i Kurveleshit dhe  Bilbil Resuli nga Progonati. Por më mirë  le të flasë kënga në vendin tonë… O Kurveleshi me vulë/Të bënë sa doli ujë/Shtatë[9] pashallare u çkulë/Per Bilbil e per Resulë/O ju të shkretët kaçkënë,/Shkurti u prishi takëmë,/U hodhi borë të rëndë.../…/ Pashai hapi fermanë/ -Ngrehu bilbil e hidh litarë/Dale bej të dredh cigarë/Se nuk jam çanak me dhallë/Po jam bilbili me pallë/…/Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë…Biografinë e tyre e …ligjëron kënga. Ne le të ndalemi tek ç’na intereson në momentin e ekzekutimit të vendimit të gjyqit ndaj tyre. Me vdekjen, me varjen në litar. Dihet që gjatë ekzekutimit, kur litari shtrëngon fytin e të dënuarit, nga mungesa e ajrit, viktima hap gojën dhe nxjerr gjuhën për të ndihmuar frymëmarrjen. Shtrëngesa dhe gjuha jashtë i japin fytyrës së të vdekurit në litar pamje jo të bukur. Por në qoftë se në momentin e varjes midis dhëmbëve mbahet shtrënguar ndonjë send, pengohet gjuha dhe fytyra ruan kështu një farë normaliteti. Bilbil Shakua e dinte këtë, ndaj kapardisur i tha pashait: "Dale, bej të dredh cigarë". I duhej cigarja në gojë, veç të tjerash edhe për të penguar gjuhën e për të mos i dhënë pashait turk kënaqësinë ta shohte të shpërfytyryar.
Bilbil Shakua[10] me pallë/Me dhëmb e shtrëngoj cigarë…thotë një këngë tjetër.  Prandaj kanë ngelur të bukur në kujtesën tonë “bilbilenjtë” madje edhe emrin ua themi me ëmbëlsi e dashuri sikur flasim për bilbila këngëtarë..
      4- Kaq shumë ështe rrënjosur në jetën shqiptare koncepti i të vdekurit “i bukur”, sa
djemtë tanë nizamë, ndonëse të ndarë forcërisht nga atdheu e familja qysh në fëmijëri dhe të rritur në ambiente të huaja ushtarake, në prag të vdekjes nëpër sheshbetejat e Arabisë, linin amanete të pashembullta që koha i bëri këngë madhështore.
O ju korba që më hani/ Sytë e zez të mos m’i ngani / Sytë e zez mos mi qorroni/Se jam djal’ e më shëmtoni … Vargje të tillë që përshkrujanë atmosfera e situata gati të pabesueshme, do të zgjonin ndoshta edhe zilinë e vetë Homerit.
      5- Pikërisht kjo traditë ka kultivuar te luftëtarët e luftrave antiturke[11] një zakon të habitshëm, në dukje makabër. Kur plagoseshin në luftë dhe shihnin se fitorja ishte e armikut dhe tërheqja e pamundur, iu luteshin shokëve t’iu... "mirnin kokën me pallë", t'ia dërgonin shtëpisë së tyre. Të mos i linin në dorë të armikut që do t’i përçudnonte e do t'i turpëronte duke ua ngulur trofe në hunj kokat e bukura, a do t'ua përplaste shkëmbinjve, siç bënin rëndom ushtarët turq Është emblematik rasti [12] i Zenel Gjolekës së plagosur në Rekë. i tha bashkluftëtarit Shuaip Gjorduka, fjalët që aty për aty u bënë këngë: Shuaip të kam si djalë /Jam lavosurë në ballë/ Mos më le në ta të gjallë/ Hiqma kokënë me pallë…është tepër kuptimplotë por nuk është i vetmi. Sado makabre që të na duket sot një veprim i tillë, ai ishte produkt i një tradite fisnike shqiptare që synonte t’i  ndërpriste armikut çdo mundësi shëmtimi të fytyrës së luftëtarëve të vdekur.
        6- Zakoni i të vdekurit “i bukur” arrin kulm në rastin e Osman Takës, djalit çam nga Konispoli, kryetari i degës së Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për zonën e Prevezës. Për këtë të shkuar atdhetari, në vitin 1886, si i zbulojnë me tradhëti vendin ku strehohej dhe pas një përleshjeje me armë, kur iu mbarua municioni e arrestojnë bashkë me katër bashkëluftëtarë. Gjyqi në Janinë e dënoi me varje, ekzekutimi do bëhej publikisht në Filat, do asistonin edhe Valiu dhe Kadiu i Janinës. Para ekzekutimit, Osman Takën e pyesin për dëshirën e fundit. Valltar virtuoz siç ishte, s'mund të mos kërkonte ta lejonin të kërcente një valle të fundit, bashkë me shokët e dënuar. Të famshmen dhe të njohurën “Valle e Osman Takës”. Aq bukur u hodh ajo valle, aq mbresa ngjalli e përcolli, saqë Valiu turk, i detyruar nga entusiazmi i popullit të pranishëm, por edhe nga hutimi i ushtarëve të tij, shpalli faljen [13] e të dënuarve.
Kujtesa na sjell pranë melodinë e “Fyellit të Tanës” që shoqëron këngët e të dënuarve para
skuadrës së pushkatimit, ose thirrjet e tyre për Shqipërinë dhe lirinë. Janë aq të shumta rastet, sa derdhen e na vijnë si jehonë kënge e ansamblit të historisë.
        7- Në 17 Maj 1941 Vasil Laçi[12], djalosh 19 vjeçar, qëllon me pistoletë katër herë  mbi Perandorin 71 vjeçar të Italisë Fashiste Viktor Emanueli III, i cili largohej nga Shqipëria në përfundim të një vizite zyrtare që kishte nisur në datën 10 Maj. Mbante në duar një tufë lule[13], me të cilat maskonte pistoletën. Në momentin që ngriti armën të qëllonte nuk haroi të thërriste …Rroftë Shqipëria…Por pikërisht kjo thirrje  pasoi ndërhyrjen e një oficeri fashist ndaj tij. Vasil Laçi humbet shenjën dhe plumbat goditën  makinën në pjesë të ndryshme. Arestohet menjëherë dhe në çast fillon torturimi i tij. Gjatë hetimit  deklarimi “lejtmotiv” i tij ishte…E bëra për Shqipërinë”. Dënohet me vdekje me varje në litar me Vendim Nr. 227/41, Datë 26 Maj 1941, nga Gjyqi Ushtarak i Fuqive të Armatosura të Njisueme të Shqipërisë. Francesko Jakomoni, Mëkëmbësi i Përgjithshëm i Viktor Emanuelit III nxori një Dekret po më 26 Maj 1941, që Miratonte Vendimin e Gjykatës Ushtarake kundër Vasil Laçit dhe urdhëronte ekzekutimin e tij. Në momentin e ekzekutimit[14], në orën 5.45 të datës 27 Maj 1941 në oborin e burgut të Tiranës, kur u pyet për dëshirën e tij të fundit, Vasili me një gjest serbez kërkoi një krehër dhe pasi krehu flokët…“u shoqërue në trikëmbëshin e pregatitun, ku i dënuemi tha disa fjalë”[15]  që u konfirmuan se ishin …“Poshtë Fashizmi! Rroftë Shqipëria!”. Vasil Laçi, edhe pse hero i brezave më të rinj e kohëve më moderne, zbatoi ndoshta instiktivisht kodin e lashtë për të vdekur i bukur pas aktit që ndrin si diamant në historinë e Shqipërisë.
       8- Hitoria shqiptare e quan të zakonëshme  traditën e vdekjes së luftëtarit “ i bukur”. Pa folur për formacionet ushtarake të Ilirisë apo Arbërisë, ku vetë uniforma ushtarake u jipte luftëtarëve një pamje të bukur, le të kujtojmë faktin se luftëtarët shqiptarë edhe të vetmuar i kushtonin një rëndësi të madhe veshjes në lufte. Në kundërshtim me kalorësit persë apo mongolë që në inkursionet e tyre të gjata, në shumë raste edhe nevojat personale i kryenin në shalë të kalit në ecje e sipër, kalorësit shqiptarë të të gjitha kohërave, veshjen dhe pastërtinë vetiake[16] e kishin detyrim në vetvete të imponuar nga edukimi  familjar. Kjo ska të bëjë me rregulla ushtarake, kjo është pjesë e traditës dhe e besimeve popullore sepse:
a)- Luftëtari kur vritet u lë familjarëve dhe shokëve pamjen e fundit si një fotografi të përjetshme. Referuar në atë pamje ngrihen edhe këngët dhe vajtimet e mëvonshme. Sa më e bukur të jetë pamja, aq më ngushëlluese është humbja për të afërmit, aq më të bukura do jenë këngët e vajet për rënin  
b)- Asnjë këngë apo vajtim nuk përmend papastërtinë e luftëtarit në çastin e vdekjes edhe pse mund të jetë përbaltur gjatë betejës apo rënies. Kjo përbaltje është pjesë që i mbetet fushës së luftës, jo portretit, as jetës të luftëtarit, sidomos jetës së pafundme në këngë. 
 c)- Gjithashtu, luftëtari i vrarë shkon para zotërve që e gjykojnë për jetën në tokë. Paraqitja e kënaqshme para zotit, shton mundësitë t'i falet ndonjë mëkat a ndonjë gabim bërë gjatë jetës në tokë.
  ç)- Në "atë botë", i rëni "takohet" edhe me të parët e tij, me nënën e babanë dhe duhet patjetër të ketë paraqitje sa më të kënaqshme në "takimin" me ta. Këtë ia kanë mësuar vetë prindërit në jetë.  


 Sarandë, më 2 Mars 2020











[1]  Kanan Maze (1878-1936). Patriot i shquar përparimtar, luftëtar trim, Hero i PopuIIit. . Rreth vitit 1900 shkoi nizam në Jemen. Për zotësi ushtarake e futën në një shkollë ushtarake, ku u kualifikua për oficer kavalerie.  Pas luftës  të Vlorës, u kurua në  Athinë me ndihmën financiare të miqve të tij patriot.  Ndër miqtë e tij bënin pjesë  edhe Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Avni Rustemi etj. Kur Avni Rustemi u kthye nga Franca ku vrau Esat Pashe Toptanin, dhe u takuan, Kanan Maze i tha që donte ti puthte gishtin që shkrepi koburen… dhe Avni Rustemi iu përgjigj, " Unë do të puth nofullën që e dhe  për Shqipërinë…Pasi u shërua  u emërua oficer i xhandarmërisë.  Më 1924 u vu në krye të forcave të Kudhësit e marshoi drejt Tiranës. Luftoi në Berat e në Kavajë, deri në rrëzimin e Zogut. Në qeverinë e Nolit shërbeu me besnikëri.  Zogu, kur erdhi në fuqi, nuk e përndoqi,  por e la në ushtri me detyrën e nëntogerit. Më pas Kanani kreu detyrën e Qarkomandantit në rrethet e Gjirokastrës, të Përmetit e të Tepelenës.  Më 1928 Zogu e çmobilizoi. Më 1935 u lidh me forcat antizogiste të Fierit dhe pas dështimit të saj  Zogu e dënoi me vdekje, por u detyrua ta anullonte vendimin (Gazeta “Labëria” shtator 2010 f.3 dhe 9). Vdiq në varfëri të madhe, në fshatin e tij.
[2]    Realisht vendi i quajtur “Kotë “ ishte thjeshtë  terreni i nënvizuar  në hartat e ushtrisë italiane si “kuota 860” ku dhe u vendos një garnizon ushtarësh italianë. Për nga rëndësia strategjike vendi u fortifikua së tepërmi prej tyre. Pikërisht ky  fortifikim i pa parë deri atëherë në ato anë tërhoqi vëmëndjen e  luftëtarëve shqiptarë mbi domosdo-shmërinë e marjes prej tyre dhe i dha udhë këngës …O bobo se ç’qënka Kota…

[3]Një variant i kësaj kënge thotë U vra Ziguri te porta / Të xhumanë në saba / Komita ne Kotëe ra / Shkozë ç'u bë lakëra / çu vra Kanan Mazeja /çe mori në nofulla/ Kanan tu prish bukuria / Le të rrojë Shqipëria. Por interpretohet si vrasje jehona e plagosjes së Kanan Mazes duke ruajtur besnikërisht vargjet dialoguese. Realisht  për Luftën e Vlorës në vitin 1970, Instituti i Folklorit mblodhi dhe  botoi 108 këngë popullore, një pjesë e të cilaave janë motërzime .
[4] Vargu …Me një nofull copa copa…na kujton vdekjen e Pirros së Epirit në vitin 272 p.e.s. në qytetin e Argos. Porsa ishte kthyer nga Italiaku kishte humbur 2/3 e ushtrisë së tij dhe pas një lufte të shkurtër me mbretin maqedon  Antigon Gonatën niset për në Peloponez kundër  mbretit Spartan Areut. Në bêtejën e bërë në qytetin e Argos ( në gjirin e Korinthit), ndërsa ishte si zakonisht në vijën e parë të luftëtarëve të tij, shkëputet në ndjekje të një ushtari grek në një rrugicë. Aty një grua e qëllon nga dritarja (apo çatia) me një tullë (apo tjegull )  dhe ai rrëzohet i trullosur në tokë. Ushtari që ndiqej prej tij kthen kokën pas dhe, kur e pa Pirron të rrëzuar për tokë afrohet dhe, o nga frika e ringritjes së tij ose e njohu që ishte mbreti Pirro e godet me shpatë me synim që t’i priste kokën, por i emocionuar siç ishte, shpata e goditi në nofull dhe ja coptoi atë. Ndërsa ushtari nisi të brohorasë si triumfator se  kishte vrarë mbretin Pirro, u mblodhën në vendgjarje luftëtarë nga dy ushtritë ndërluftuese dhe  një oficer, kur pa Pirron të vrarë dhe të masakruar, pasi dëgjoi rrjedhën e ngjarjes nga ushtari i tij,  i tha…Ti nuk kishte të drejtë të vrisje një mbret si mbreti Pirro e jo më ta masakroje e ta shëmtoje trupin e tij. Ti kishe për detyrë ta kapje të gjallë dhe tja dorzoje atë mbretit tënd.Ti ke shkelur ligjet e luftës ndaj do gjykohesh e dënohesh me vdekje… Spartanët e njihnin  kodin e epirotasve për mosshëmtimin e trupave të kundërshtarëve të vrarë dhe peshën që ai kishte në jetën e tyre. Prandaj në rastin në fjalë ushtari vrasës i Pirros u dënuan dhe ekzekutua brenda asaj dite publikisht.
[5] Shtëpia botuese Omsca-1, viti botimit 2002
[6] Madje edhe pas fitores ju dha të gjithë luftëtarëve nga një qylaf i bardhë si “shpërblim”.
[7] Këtu e ka origjinën edhe zakoni që pleqtë e vendit tonë i pregatisin për së gjalli “rrobat e dekijës”(vdekjes) dhe i mbanë në  sënduqe të pastëra, duke mos i lënë për momentin e fundit si një peshë e tepërt për fëmijët..
[8] Vetkuptohet që ishin rroba “të lehta”karakteristike të fshatit përkatës, fustanellë, bluzë a këmishë e bardhë.
[9] Një variant tjetër i këngës thotë …katër pashallarë…
[10] Edhe fakti që…Bilbilenjtë trembëdhjetë/Vanë në litarë vetë… ishte porosia e Bilbil Shakos që të mos lejonin xhelatët ti shtynin drejt litarit por të shkonin vetë në litar, si një sfidë krenarie ndaj pashait.
[11]Është vërtetuar se ushtritë ballkanike të antikitetit ilire,greke e maqedonase si dhe të  mesjetës së herëshme respektonin kodin e vdekjes së luftëtarit kundërshtar duke mos e shëmtuar kufomën e tij dhe lejonin palën kundërshtare që ti mirte luftëtarët e saj të vrarë dhe ti bënte ceremoninë e vdekjes sipas zakoneve të tyre. Masakrimi i kufomave erdhi në Ballkan bashkë me dyndjen sllave, të cilët erdhën si turma të pakontrolluara si dhe me ushtrinë turke që e kishte praktikë dhe metodë friksimi dhe nënshtrimi masakrimin e robërve dhe të trupave të kundërshtarëve të vrarë.  Ndërsa shqiptarët respektimin e trupit të të vrarit, qoftë ky edhe hasmi personal e kishin të sanksionuar edhe në Kanun.
[12] Vasil Laçi ( Piqeras 15 Shtator 1922- Tiranë 26 Maj 1941) Hero i Popullit. Në fakt mbiemri i tij është Llaçi por historianët shqiptarë ju referuan dokumentave italiane ku cilësohej “Laçi” pasi italishtja nuk e ka gërmën “Ll”.
[13] Në disa shkrime të publikuara dhe në vvikipedia thuhet se Vasili ishte i veshur me “kostum kombëtar” në momentin e atentatit. Kjo nuk është e vërtetë dhe nuk dokumentohet në asnjë burim. Konti Çiane në ditarin e tij do ta kishte shënuar këtë specifikë, po ashtu edhe në dokuemntat e hetimit dhe gjykimit. Praktikisht, kostumi kombëtar ishte veshje e shtrenjte dhe Vasil Laçi nuk kishte burime financiare për ta blerë. Po ashtu kostumi kombëtar ishte veshje që binte në sy dhe fashistët do ta vinin në qëndër të vëmëndjes për simbolikën e saj si dhe do  ta kontrollonin imtësihst. Në momentin e varjes ai ishte me xhaketën e tij, që kishte veshur gjatë atentatit.
[14]Në materialet e publikuara, si datë e ekzekutimit diku shënohet data 26 Maj 1941 dhe diku data 27 Maj 1941.
[15] Ditari i Kontit Çiano Jemi konsultuar edhe me Nasho Jorgaqi “Atentatori i Perandorit” Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” 1979
[16] Vetkuptohet në raport me kohën..