Tuesday 30 January 2024

 

POEZIA QË PIKOI NGA SHPIRTI I MUSA RAMADANIT

 

Poeti Musa Ramadani nëpërmjet poezisë "Historia e pikës sime" shfaq një udhëtim historik të asaj që ai e emërton pikë,  mirëpo mqse ai flet si subjekt poetik, si i tillë nuk përfaqson individin, ndonëse në poezi shprehet në formë individuale. “Pika”, si një subjekt poetik, është një brez njerëzor, një etni, një popull, është vetë Kosova në historinë e saj, të cilin e përfaqson subjekti poetik, heroi lirik, vetë poeti. Madje kjo poezi ka nevojë për një lexim historik, pasi e shkruar në vitin 1993 është një pasqyrë e situatës së tensionuar që përjetonte Kosova me konfliktet ndër etnike që kishin shpërthyer në ish Jugosllavi. E parë në këtë aspekt, kjo poezi ka të përmbledhur në nëntë vargje jo thjeshtë një udhëtim Odiseje të Homerit, por gjithë odiseadën e Kosovës, mund të quhet biografia poetike e saj, ku të jetoje në Kosovë do të thotë të  lesh kujtime në llavën e një vullkani dhe po aty të ëndërrosh të ardhmen.

Në aspektin ideor, kjo poezi reflekton artistikisht përvojën dhe identitetin e njeriut shqiptar në trevat veriore në kontekstin e kohës dhe ngjarjeve që kanë cilësuar jetën e tij. Nisur si "një pikë", subjekti poetik shfaq metaforikisht e vizualisht udhëtimin në histori (të  Kosovës), në periudha të ndryshme të jetës (kohës) së saj. Si një “pikë” e thjeshtë, ai shfaq zhgënjimin ("u mërzita") dhe shqetësimin për të ardhmen ("u bëra presje"),dhe kjo ngjarje e vogël (në dukje) shtrihet në një panoramë të gjerë jetësore, duke pasur reflektim e epokave të ndryshme dhe sfidat që ka përballuar populli shqiptar në Kosovë nëpër kohë.

Përmes frazave si "era e mileniume, epoka / Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri", poeti shfaq panoramën e gjithanshme historike të “odisesë” kosovare , ngjarje e periudha që kanë ndikuar në zhvillimin e saj. Madje, dhe në fund të poezisë heroi poetik shpreh frikë në një rikthim  te "pika", duke sugjeruar një ankth për humbjen e identitetit dhe kthimin në një gjendje të pasigurtë, që sugjeron kthimin nën Serbinë, me humbje të shpresave dhe ëndërrave për të cilat populli luftoi e jetoi, duke shfaqur reflektimin shpirtëror të tij për rrugën e përballjen me të ardhmen.

 

I-Poeti Musa Ramadani  është lëvrues i një poezie moderne, tipike e shek. XX dhe në vijim, madje ka eksploruar rrymat e ndryshme të poezive moderne. Poezia "Historia e pikës sime" është ndërtuar me elemente të modernitetit poetik, që e bëjnë të dallohet si shprehje dhe mendësi e kohës kur është shkruar (30.08.1993), por që (tipar i zakonshëm i poezive të Musa Ramadanit), janë aktuale dhe në kohët e mëpasme.

Si e tillë kjo poezi e tij prezanton një lirizëm në mënyrën e shprehjes, në tregimin e udhëtimit jetësor të Kosovës, ku mungesa e një strukture të rreptë formale lejon autorin të shprehë ndjenjat dhe reflektimet në mënyrë të lirë.

Poeti reflekton mbi kohën dhe identitetin në një mënyrë moderne, pse përdorimi i imazheve të shekujve, erërave, dhe epokave shfaq vizualisht një udhëtim të gjatë “individual” ( të etnisë shqiptare) dhe historik, duke e vendosur atë në kontekstin e kohës dhe historisë së gjerë.

Poezia paraqet historinë e udhëtimit jetësor të një populli, madje shpreh një ndje-një përkushtimi ndaj këtij rrugëtimi, ku poeti shfaq pasionin e tij për të kuptuar e përjetuar përvojat e sfidat që kanë formuar identitetin etnik.

Një aspekt modern i poezisë është reflektimi i thellë mbi të kaluarën e të ardhmen, ku natyrshëm poeti shfaq drojën e frikën për tu rikthyer në një gjendje fillestare, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit dhe përballjes me të kaluarën për të arirë në të ardhmen.

Poezia flet me metafora e imazhe të fuqishme për të shfaqur udhëtimin e përvojat e etnisë ku përdorimi i tyre ndihmon në krijimin e një imazhi poetik të përgjithshëm  që përfshin gjithë poezinë, i cili reflekton dritë, qartësi e kuptimshmëri te lexuesi.

Janë këta element modern përmes së cilëve poezia shfaq kompleksitet në shprehjen e ndjenjave dhe refleksioneve e historike të popullit Kosovar dhe shqiptar në përgjithësi.

 

II-Subjekti i poezisë "Historia e pikës sime" është udhëpërshkrimi i jetës të kombit shqiptar(jo vetëm në Kosovë) në kohë (moshë) e ngjarje, i shprehur me një metafore fine, ku ai (subjekti poetik) paraqet veten (vendin dhe etninë e tij)si një pikë që ndryshon, ritet e zhvillohet nëpërmjet kohës dhe përvojave. Me anë të kësaj metafore, poeti reflekton mbi identitetin dhe udhëtimin e etnisë së tij, duke shpre-hur  ndjenja të përkushtimit ndaj zhvillimit nëpër kohë.

Në fillim, subjekti është  një "pikë", një entitet i vogël, i thjeshtë  e i parëndësishëm : "S’pari unë s’isha veçse një pike/Më pas u mërzita e u bëra presje". Megjithatë, me kalimin e kohës e përvojave të ndryshme: "Aventura filloi brenda gjysmëharku" ku ai përjeton ndryshime e zhvillime, përcakton udhëtimin e tij: "Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka/Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri", ku duket hapur historia e kombit tonë në tërësi dhe e Kosovës në veçanti të këto vargje, në të cilat poeti  e vendos veten si një etni, në kontekstin e një historie të gjatë dhe komplekse: "Gjysmëshekulli isha një zero e madhe/Në fillim të këtij mileniumi të tretë" shkruan poeti dhe ne instiktivisht lexojmë: “gjysëm shekulli komunizëm” në të dy anët e kufirit. Në fund ai shfaq  frikë e ankth  lidhur me të ardhmen dhe identitetin e (etnisë) tij, shpreh dyshime për të ardhmen dhe frikë mbi mundësinë e kthimit në një gjendje të pavlerë, të përafërt me fillimin e tij, druan mos mbeten përsëri nën Serbinë si një pikë: "Druaj në mos do të kthehem sërish në një pikë". Pra, përmbajtja e poezisë shfaqet, si histori e Kosovës madje dhe visualisht  nëpërmjet ndjenjave personale e refleksioneve mbi jetën, kohën, dhe identitetin. Subjekti reflekton duke shfaqur një ndjenjë të përkushtimit ndaj vetes dhe rrugëtimit të tij personal.

Të kuptojmë një gjë,formimi i subjektit nga "pikë" në "zero e madhe" është një shprehje metaforike e rrugëtimit të jetës dhe formimin e identitetit shqiptar, ku "Zeroja e madhe" nuk përfaqëson një vlerë absolute, si psh zeroja matematikore, por simbolizon pikërisht “gjysëm shekulli të komunizmit” një gjendje, e cila mund të perceptohet si e zbrazët, e izoluar..

Në thelb, poeti me vargjet e tij kërkon të shpalosë kompleksitetin dhe ndryshimin që ndodh në jetën dhe identitetin e një etnie përmes kohës e përvojave, ku ajo (etnia, populli) synon të sjellë në pah kujtime ngjarjesh dhe momente që  kanë ndikuar jetën dhe formimin e tij , si një burim frymëzimi e krenarie ndaj poeti dëshiron të transmetojë një mesazh më të gjerë mbi jetën, identitetin dhe udhën që ndjekim nëpër këtë botë. Përveç kësaj, siç e cituam më sipër, poeti dëshiron të shprehë një ndjenjë frike apo droje mbi mundësinë e  humbjes së identitetit në një botë që duket e pazgjidhshme dhe e paqartë nga problemet dhe sfidat e shumta që ka.

Në esencë, poeti nuk tregon thjeshtë një biografi personale, pavarësisht se duket e tillë, ai shpreh ndjenjat e eksistencës dhe të qenies së një brezi të tërë, në një vend (Kosovë) dhe kohë që identiteti i etnisë dhe zhvillimi emocional i saj ishte nën një goditje të fortë e ritmike të ngjarjeve në ish Jugosllavi, të zhvillimeve që ndikonin në forcimin (a dobësimin) e ndërgjegjes identitare të kombit. Datën e krijimit kjo poezi nuk e ka ditën kur u shkrua, por kohën kur shpirti i tij, nën ndikimin e zhvillimeve historike e pikoi si lot mbi ndërgjegjen e tij. 

 

III-Musa Ramadani është mjeshtër i të shprehurit metaforik dhe kjo cilësi e tij është e dukëshme dhe te  poezia "Historia e pikës sime" ku ai me finesë përdor metaforat për të shprehur udhëtimin e subjektit poetik (etnisë) në mënyrë moderne, duke ndihmuar në zgjerimin e kuptimshmërisë dhe hapësirat e ndjenjave e përvojave të tij.

Kështu, metafora e "pikës"dhe "zeros" simbolizon një rrugëtim të jashtëzakonshëm të subjektit poetik, ku: pika nis si formë e thjeshtë, ndërsa zeroja është shprehje e një gjendjeje  boshe dhe enigmatike për shkak të izolimit nga rrethi i saj (zeros) , duke treguar ndryshimin, zhvillimin dhe izolimin e subjektit nëpërmjet kohës dhe përvojave.

Termat: Shekujt, era e mileniume, epokat, përfaqsopjnë një metaforë dhe shprehin kohën dhe situatat që populli ka jetuar e përjetuar, ato përfaqësojnë një panoramë të gjerë historike e kulturore, duke i dhënë poezisë një dimension më të gjërë.

Fjalët: “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”janë një përdorim i metaforës për të treguar konfliktet dhe sfidat historike që subjekti etnik ka përjetuar, duke paraqitur një imazh të rrugëtimit të turbullt të kombit në histori, ku lufta dhe paqja janë tema themelore.

Ndërsa vargu: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike” shpreh metafori-kisht një lloj ndroje për një kthim të mundshëm të subjektit në gjendje të kaluar (në situatën nën Serbinë), të krahasuar  me një pikë, e cila shërben si simbol i pasigu-risë e frikës për humbjen e identitetit dhe rikthimin në një gjendje jo të këndëshme.

Këto metafora e simbole poeti i ka përdorur për një lexim piktoresk të tekstit poetik dhe për të shfaqur ndjenjat dhe refleksionet e tij. Ato ndihmojnë në krijimin e një poezie moderne që shpreh një lloj të vërtetë poetike në lidhje me jetën dhe eksperiencën e popullit.

Imazhet në poezinë "Historia e pikës sime" shërbejnë për të krijuar një atmosferë emocionale dhe për të paraqitur udhëtimin e subjektit poetik, etnisë, nëpërmjet kohës e përvojave, ato përdoren për të ndikuar mbi ndjenjat e lexuesit me ngjyrat e formën e tyre, siç ndikon një pikturë duke e bërë përvojën e poetit më të gjallë, më vizuale dhe më të prekshme për lexuesin.

Imazhi  “Pika” shfaqet kur autori cilëson vendin si një "pikë", një entitet i vogël dhe i thjeshtë, që simbolizon fillimin e rrugëtimit, një gjendje fillestare, që shkallëzohet nëpër kohë, duke shfaqur një imazh në rritje e zgjerim.

“Zeroja e madhe” shfaq një imazh, kur subjekti përjeton një izolim total, një gjendje  komplekse në jetë që ka ndjenja (dhe problem) të pazgjidhura e të pasigurta.

“Shekujt, era e mileniume, epokat” përbëjnë imazhe me gjerësi historike, të cilat e rrethojnë udhëtimin e subjektit. Ata tregojnë një rrjedhë të kohës dhe ngjarjeve që ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e identitetit të etnitetit të tij.

Imazhet “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri” shfaqin ngjarje e përvoja të ndryshme që ka përjetuar gjatë rrugëtimit, shfaqin një peisazh të ndryshueshëm emocional dhe historik që e rrethon subjektin.

Imazhi“Frika e kthimit në pike” përfaqëson  ndjenjën e frikës  dhe mosdijes për të ardhmen dhe përvojat që mund të sjellë ajo. Është një imazh i ndjeshëm që shpreh ankthin dhe pasigurinë e subjektit për të ardhmen.

Këto imazhe përdoren për të krijuar një vizion të plotë të udhëtimit të subjektit poetik nëpërmjet kohës dhe përvojave, duke e bërë poezinë të ndjehet më afër dhe ta shijojë poezinë edhe në efektin e ngjyrave, si një pikturë.  

Ajo që është për tu shënuar specifikisht është fakti se te kjo poezi simbolet dhe metaforat shfaqen si imazhe të brendshme e të jashtme që e përcaktojnë rrugëtimin e subjektit poetik, etnisë duke shprehur ndjenjat, përvojat dhe refleksionet në një mënyrë që e bën poezinë të gjallë, aktuale.

 

IV-Poezia "Historia e pikës sime"  është një poezi moderne, ajo përdor një të folur metaforike për të shprehur refleksionet dhe përvojat e autorit, mënyrë që është tipike për poezinë moderne. Përveç kësaj, tema dhe stili i poezisë përputhen me tendencat moderne në poezi. Ajo përdor metafora dhe simbole për të shpalosur udhëtimin  historik të subjektit, ndërsa shpreh ndjenjat e pasigurisë e refleksionin mbi identitetin dhe kohën, të cilat janë tema të rëndësishme në poezinë moderne.Përmbajtja dhe struktura e poezisë përputhen me karakteristikat e poezisë modern , duke përdorur një gjuhë e një formë poetike që shpesh lë hapësirë për interpretim të ndryshëm nga lexuesit.

Poezia moderne shpesh përdor gjuhën dhe strukturën që të shprehë ndjenjat, refleksionet dhe përvojat (e autorit, si pjesë e etnisë) në një mënyrë të re origjinale. Ky përdorim i gjuhës dhe strukturës synon të arijë dhe kapë thelbin e emocioneve dhe mendimeve, duke e bërë poezinë një mjet shumë të fuqishëm për të shprehur çështje komplekse dhe për të krijuar lidhje me lexuesin.

Për më tepër, poezia moderne shpesh eksperimenton me forma të ndryshme dhe teknika letrare për të arritur një impakt më të thellë dhe më të përshtatshëm për kontekstin e sotëm. Ajo nuk kufizohet në konventat tradicionale të poezisë, por përpiqet të shfaqë shpirtin e kohës dhe përvojat e saj në mënyrë të shkëlqyer.

Paraqitja e rrugëtimit historic (të Kosovës) në këtë poezi përputhet me këto tipare të poezisë moderne, madje autori shfrytëzon metaforat dhe imazhet për të shfaqur udhëtimin e subjektit poetik në mënyra që janë moderne dhe të përshtatshme për kohën tonë.

Përmbajtja e thellë dhe emocionet e shprehura në poezinë "Historia e pikës sime" e bëjnë atë të përshtatshme për të qenë  shembull i një poezie moderne që reflekton përvojat dhe ndjenjat e individit në botën e sotme.

 

V-Nëse do të përpiqeshim të shihnim poezinë "Historia e pikës sime" si një pikturë që flet dhe ta shihnim këtë nëpërmjet imazheve, formave e  ngjyrave të tyre, ajo do të  cilësohej si një pikturë abstrakte, që përdor forma, ngjyra dhe tekstura për të përfaqësuar rrugëtimin emocional dhe historik të subjektit.

Një piktor do përdorte ndoshta forma të thjeshta dhe abstrakte për të treguar fazat e zhvillimit të subjektit nga një pikë e thjeshtë në një zero të madhe, ai mund ta lëvizte këtë “pikë” fillestare në një formë rrethore, por gjithsesi do të shfrytëzonte ngjyrat e imazheve poetike për të shprehur emocionet e ndjenjat që shoqërojnë subjektin në rrugëtim e sfida. Sigurisht që mund të ketë ngjyra të ndritshme dhe të errëta që përfaqësojnë momente të ndryshme të jetës dhe ndjenjat që përndjekin në kohë. Po ashtu, piktura do të përdorte linja e forma që shfaqin rrjedhën e kohës dhe zhvillimin e historisë së subjektit. Kjo do të krijonte një peisazh abstrakt që shpreh një udhëtim individual dhe emocional nëpërmjet ngjyrave dhe formave.

Pikërisht cilësimi i pikturës së përfytyruar të kësaj poezie si një pikturë abstrakte na shtyu në mendimin se dhe poezia "Historia e pikës sime" ka elemente që e bëjnë të përshtatshme për ta konsideruar si një poezi moderne me elementë të rrymës abstrakte. Kjo është e normale pasi poetët modernë shpesh eksperimentojnë me formën dhe strukturën e poezisë, duke e bërë atë të ngjajë me artin abstrakt. Veçse duhet të pranojmë që: një poet, në një poezi moderne ku pasqyron nëpërmjet ndjenjave dhe emocioneve, historinë e kombit dhe të vendit të tij dhe këtë e bën në mënyrën më metaforike dhe imazhiste , ti japë paralelisht kësaj poezie një qasje me poezinë abstrakte, pa i ulur, por duke ja shtuar vlerat dhe ngjyrat, ky poet duhet pranuar që është një poet i madh dhe që e do popullin dhe vendin e tij me gjithë forcën e shpirtit, si fëmija do nënën e vetë.

Poeti Musa Ramadani i plotëson mjeshtërisht gjithë aspektet e cilësimit me titullin poet i madh dhe bir i popullit të tij dhe ne duhet të mësojmë të lexojmë poezinë e tij modern, që të shohim sa i qëndrueshëm është shfaqur kombi ynë në sfidat e historisë.

 

Sarandë, më janar 2024

 

 

HISTORIA E PIKËS SIME

S’pari unë s’isha veçse një pikë

Më pas u mërzita e u bëra presje

Aventura filloi brenda gjysmëharku

Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka

Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri

Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll

Gjysmëshekulli isha një zero e madhe

Në fillim të këtij mileniumi të tretë

Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike

 

(Më 30.08.1993)

Sunday 28 January 2024

 

 

 

 

Timo Mërkuri

 

EPIDEMIA DEMOSTENIANA E MUSA RAMADANIT

 

 

Qysh në leximin e titullit “Epidemia e quajtur Demosteniana” e poetit të shquar kosovar Musa Ramadani sjell në kujtesë  oratorin e famshëm të  Greqisë antike Demostenin, fjala e të cilit në Agora të Athinës disa herë i ka dhënë drejtimin zhvillimit historik këtij qytet-shteti. Në informacion për lexuesin rikujtojmë se: Agora ishte një hapësirë në qendër të qytetit, që shërbente si treg dhe në ditë të caktuara si një vend për biseda e debate politike, shfaqjen e ideve, aty bëheshin dhe ceremonitë shtetërore, ishte vendi ku oratorët mbanin fjalimet e mbronin  pikpamjet e tyre apo paraqitnin çështjet që preknin shoqërinë. Pra, Agora ishte qendra e jetës politike dhe shoqërore në çdo qytet grek,  ndërkohë që në Romë fjalimet mbaheshin në Senat dhe vendimet shpalleshin publikisht para ndërtesës së tij.

Demosteni ishte një nga oratorët më të njohur të Athinës së lashtë, i  lindur rreth vitit 384 p.e.s. dhe vdekur në vitin 322 p.e.s. Ai ishte një figurë e rëndësishme në historinë e Athinës dhe në botën antike dhe u bë i njohur për aftësitë e tij të rralla oratorike dhe pjesëmarrjen aktive në politikën e qytetit, ku spikatin disa momente  në jetën e tij:

Në fillimet e karrierës së tij politike, Demosteni luajti një rol kyç në politikën e Athinës gjatë Luftës së Peloponezit (431-404 p.e.s.), një konflikt midis Athinës dhe Spartës, ku u shfaq si një kundërshtar i fuqishëm i politikës së Spartës dhe mbrojti politikat e demokracisë Athinase.

Në historinë e oratorisë ka mbetur i famshëm  "Fjalimi për Harangin" i mbajtur në vitin 338 p.e.s.Harangi” ishte një ritual i rëndësishëm në jetën e Athinës së lashtë si një ceremoni nderimi për atletët e ushtarët që kishin vdekur në betejat për të mbrojtur qytetin. Demosteni përdori fjalimin për të nderuar trimërinë e heronjve të rënë në luftë dhe ajo që i dha impuls këtij fjalimi, ishte fakti se ai u mbajt pas një beteje të humbur nga Athinasit. Ai fitoi lavdi me “filipiket” e tij të vitit 351 p.e.s., një seri fjalimesh kundër Filipit të II të Maqedonisë, i cili përpiqej ta pushtonte  Greqinë duke përdorur gjerësisht tradhëtinë brenda grekëve. "Përgjigja kundër Aiskhinesit" është një tjetër fjalim mbajtur në vitin 330 p.e.s. ku akuzoi Aiskhinesin (një politikan i kohës) për korrupsion dhe tradhëti në bashkëpunim me Fiilipin II të Maqedonisë, duke e quajtur atë një kërcënim për shtetin.

Duhet të shtojmë se Demosteni veç lavdisë përjetoi dhe ndëshkime zyrtare, të dirigjuara nga kundërshtarët e tij për shkak të pjesëmarrjes së suksesëshme në politikë e qëndrimeve të tij demaskuese. Kështu: ai u dëbua (internua) nga Athina në vitin 323 p.e.s. kur menjëherë pas vdekje së Aleksandrit të Madh në vitin 323 p.e.s. ai u akuzua, bazuar në një shpifje për bashkëpunim me maqedo-nasit, pavarësisht se internimi vazhdoi për pak kohë, pasi ai vdiq në vitin 322 p.e.s. Përjetoi gjoba financiare dhe përpjekje për diskredititim publik, me qëllim njollosjen e figurës së tij politike e morale, por si gjithmon përgjigjet e tij ishin jo vetëm brilante si art, por edhe shpartalluese për shpifësit.

I-Pas kësaj natyrshëm lind pyetja, ç’ne poeti Musa Ramadani përdor metaforën “Demosteniana” dhe ca më tëpër si cilësim të një “Epidemie”?

Vlen të dimë se poezia “Epidenia e quajtur Demosteniana”është shkruar në fillim të viteve ‘80 dhe është  përfshirë së pari në librin “Eugjenika e tri deteve” , botim i “Rilindjes” 1986 ndaj në këtë kontekst kohor e historik duhet lexuar.

Koha kur u shkrua kjo poezi ishte Kosova e vitit ‘80, që, e traumatizuar nga dhuna serbe kishte nisur lëvizjen popullore, por hapat që duheshin hedhur për të mbritur në një kurorëzim të saj, kishin nevojë për fjalën dhe vizionin e oratorëve trima, të ditur e të qartë. “Oratorët” që mbinin gati çdo ditë dhe vetëquheshin “demostenë” ishin më së shumti fjalamanë të tipit të kafeneve, flisnin shumë, por pa talent, pa dije e vizion, duke i kundërshtuar të gjithë dhe duke u bërë në këtë mënyrë një pengesë për organizimin popullor. Kosova në atë kohë kishte nevojë të domosdoshme për një orator e lider vizionar, të nivelit të Demostenit dhe jo për një mizëri “oratorësh” mediokër që poeti i përafron me viruset. Kritika e autorit është ndaj kësaj "epidemie", duke sugjeruar se një prirje e tillë për të folur dhe shkruar pa kuptim e ide të qarta, mund të çojë në humbje të vlerave të vërteta misionit të fjalës oratorike, të shprehjes së mendimeve dhe organizimit në një qëndrim të përbashkët, si ai që realizonte Demosteni sa herë që Athina ishte në rrezik. Ramadani sugjeron se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes dëshirës së thjeshtë për të folur dhe aftësisë reale për të shprehur veten në mënyrë që të sjellë vlerë e kuptim për audiencën. Në këtë aspekt, poezia thekson nevojën për një reflektim më të thellë dhe një qasje më të kujde-sshme ndaj komunikimit tonë në kohën moderne. Në qoftë se do shohim dhe Jugosllavinë e asaj kohe, kjo epidemi kishte përfshirë çdo aspekt të jetës politike dhe ekonomike, por unë duke hedhur shikimin  në Shqipëri, ku “demostenët” e vegjël të kohs,  nën statusin e funksionarëve të partisë shtet e kishin ndikuar në rritjen e shkallës së infektimit prej kësaj epidemie në çdo qelizë të jetës shoqërore e ekonomike. Punonjës e funksionarë partie me shkollë të mesme u mbanin leksione specialistëve të diplomuar nëpër universitetet europiane dhe të vendit, madje duke u kërkuar që ti konspektonin fjalët e tyre. Formalizmi ishte zoti i jetës së kohës. Më sipër thamë se poeti e mori shkasin nga situate kosovare e viteve ’80, por talenti i tij e krijoi këtë vepër poetike të tillë që ti përkiste, jo vetëm Kosovës por dhe shumë vendeve europiane, madje edhe kohëve të sotme. Kjo tregon se si talenti kapërcen vende dhe epoka.

 

II-Poeti Musa Ramadani sigurisht e ka njohur aktivitetin  oratorik të Demostenit dhe jo më kot poezinë e ka qasur te ky emër historik , pavarësisht se duhet të themi se poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" ka synuar fillimisht të shprehë një kritikë ndaj shoqërisë kosovare të kohës për humbjen e pozivitetit dhe vlerave në komunikimin e shkëmbimin e ideve me interes të gjerë, duke folur e dalur si turmë. Kosovës atëherë i duhej lideri, jo turma, asaj i duhej masa e mirëorganizuar dhe e drejtuar nga ky lider, të cilin koha do e sillte së shpejti te tribuni vizionar Ibrahim Rugova.

Shpjeguam se titulli "Epidemia e quajtur Demosteniana", i referohet metafori-kisht epidemisë ku këtu ka patur parasysh maninë e një sërë individësh, që të vetëvlerësuar “demostenë” flisnin duke ju imponuar të tjerëve, por që shoqëria i cilësonte si “fjalamanë”të sëmurë nga pa aftësia për të folur e shkruar me ndikim e kuptimshmëri masive. Duke qenë se Demosteni, ishte një prej oratorëve më të njohur të Greqisë së lashtë, i cili kishte një aftësi të madhe bindëse dhe vizion të qartë, qasja me emrin e tij për ca “fjalamanë”tingëllon si një tis ironie hedhur mbi vargje.

Poezia nis ironikisht me një kujtesë historike, ku autori prezanton një kohë kur njerëzit nuk e kishin aftësinë për të shkruar ose folur, dhe se për këtë arsye do të shpallnin të çmendur një person që dinte të fliste dhe të shkruante, sipas parimit që “në fshatin e budallenjve, çdo i ditur quhet budalla”: ”Njëherë, dikur , kaherë, kushedi se kur/ Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë/E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë”duke krijuar një kontrast midis një kohe të largët dhe situatës së vitit 1986 (shekulli XX) në Kosovë. Me këtë metaforë, Ramadani kritikon mungesën e vlerësimit të aftësive të komunikimit dhe shprehjes së mendimeve në shoqëri, duke nxjerrë në pah kohën ku njerëzit qenë të mbyllur në vetvete, nuk qenë të gatshëm të dëgjojnë një lider e të komunikojnë me njëri-tjetrin, dhe pikërisht paralelizmi me fenomenin “Demosteniana” që në vetvete është tepër e zhurrmëshme,vizionare madje edhe publike, përmban ironinë.  

 

Me cilësimin”Demosteniane, qëllimi i poetit nuk është të thotë që të gjithë u bënë si Demosteni, duke mbajtur fjalime të mrekullueshme, por të shprehë një kritikë ndaj mungesës të shprehjes së mendimeve të qarta e në mënyrë efektive. Përdorimi i emrit të Demostenit është  mënyrë simbolike për të theksuar nivelin e lartë të aftësisë oratorike dhe vizionare, aq shumë të vlerësuar në shoqërinë antike greke, që pretendonin oratorët “fjalamanë” pse dihet që fjalimet e Demostenit ishin të mirëpritura dhe të vlerësuara për aftësinë e tij për të bindur e për të udhëhequr publikun.

 

III-Vargjet "Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja" nuk është se shfaqin ndonjë interesim të vërtetë mbi origjinën dhe shkakun e aftësisë së lartë të Demostenit për të folur dhe për të udhëhequr në fjalime. "Përse Demosteni nisi të fliste?" është një pyetje që tregon indirekt një talent të jashtëzakonshëm në aftësinë e tij të retorikës, por që këtu vlen si një sfond në idenë poetike të Ramadanit, gjë që shfaqet e shprehet te vargjet: "Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar / Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi", të cilat reflektojnë mbi natyrën e shkurtër e vlerës së një personi në histori dhe në kujtesën e shoqërisë.  

Duke lexuar vargjet "Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX / E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë" shfaqin një zhvillim historik në lidhje me aftësinë e komunikimit oral, të cilat lidhen me masivitetin në zhvillimet e shoqërisë, ndërsa  me fjalët "E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë", autori sugjeron që në të vërtetë, ndërsa ka më shumë njerëz që flasin dhe përpiqen të komunikojnë, ka më pak njerëz që janë të gatshëm të dëgjojnë dhe të ndjekin atë që tjetri ka për të thënë, pse secili ka vlerësim më të lartë për veten.

Në vargjet e fundit, "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania / Demostenët e kohës i flasin njëri-tjetrit", poeti bën  vlerësimin  për shoqërinë bashkëkohore në Kosovë (dhe jo vetëm), ku sugjeron se ka një mungesë të përgjegjshmërisë në të folur dhe në të dëgjuar ku. njerëzit janë kaq të përfshirë në fjalët e tyre, saqë ata "mbyllin veshët" për të mos dëgjuar çfarë tjetri ka për të thënë. Tashmë oratorët vetëquhen Demostenë, por populli i quan fjalamanë, dhe vetë ky term tregon zhvlerësimin e fjalës që flasin.

Në fakt, përkufizimi i "Demostenëve të kohës" që i flasin njëri-tjetrit mund të interpretohet në mënyra të ndryshme dhe më të gjera, ku një prej tyre mund të jetë lidhur me ndryshimet në vlerat dhe idealet shoqërore në kohën tonë në shek. XXI. Unë do tju ftoja që ta shohim në kontekstin e sotëm “epideminë demosteniane” ku poezia mund të interpretohet si një kritikë ndaj kulturës së mediave sociale dhe të internetit, ku njerëzit janë të shtyrë nga dëshira për të folur dhe shkruar, duke përdorur platformat e tyre për të shprehur mendimet dhe qëndrimet në mënyra që shpeshherë nuk janë të mirëformuluara ose të menduara thellë. Niveli i fjalimeve politike anon drejt vulgariteti, televizionet dhe radiot përdorin një fjalor mjeran,emisionet e debateve publike në TV janë mbushur me fyerje personale, mungojnë idetë, vizionet, kultura e të folurit dhe niveli i dijeve. E parë në këtë  kënd  interpretimi, mund të themi që shpërthimi i komunikimit të pavlerë midis njerëzve, për shembull, në formën e fjalëve të zbrazëta ose që i dinë të gjithë dhe nuk shfaqin interes kur i shqipton tjetri, mund të jetë rezultat i humbjes së vlerave e idealve të rëndësishme në shoqëri Nëse shoqëria humbet fokusin nga ideja e përparimit intelektual, moral dhe kulturor dhe zëvendësohet me një kulturë të materializmit dhe hedonizmit, kjo mund të sjellë përqendrim më të madh në komunikim të pavlerë dhe të zbrazët, siç shpreh poeti. Në këtë kontekst, shprehja "Demostenët e kohës i flasin njëri-tjetrit" mund të përfaqësojë një humbje të lidhjes me vlerat tradicionale dhe një fokus të shumëtrishtuar në aspektet e tjera të jetës, siç janë konsumi dhe argëtimi, në vend të shkëmbimit të ideve dhe vlerave të rëndësishme shoqërore. Pra, ndryshimet në shoqëri dhe në vlerat shoqërore mund të lidhen me këtë interpretim të vargut, në mënyrë që ajo që dikur ishte një qasje e respektuar dhe e nderuar për komunikim e shkëmbim të ideve të rëndësishme, tani mund të jetë zëvendësuar me një formë të pavlerë e të përgjithshëm psh internetit, e cila reflekton një humbje të theksuar të vlerave dhe idealeve në shoqërinë bashkëkohore.

 

IV-Në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" të Musa Ramadanit, aspekti metaforik i poezisë "Epidemia e quajtur Demosteniana" është thelbësor për të kuptuar vetë thelbin në poezi, e cila përdor një metaforë të fuqishme për të shfaqur një realitet shoqëror dhe mendësi kolektive.

Krye-metafora e poezisë është "Epidemia e quajtur Demosteniana", ku epidemia simbolizon sëmundjen (virusin, infektimin) e mungesës së aftësisë për të komunikuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin në një nivel thelbësor. Demosteni, personazhi që përfaqëson aftësinë për të shkruar dhe për të folur në mënyrë efektive, është metafora për një kohë kur komunikimi ishte i vlerësuar dhe i njohur.

Përdorimi i termave si "Epidemia" dhe "Demosteniana" jep një ndjesi të një situate të përhapjes të sëmundjes metaforike që artikulohet. Kjo metaforë e bën poezinë të shfaqë një ndjenjë të thellë të ngjarjeve dhe një situatë të përhershme që prek shoqërinë.

Poetika e poezisë së Musa Ramadanit përdor metaforën si një mjet për të krijuar imazhe dhe për të shprehur ide dhe emocione në mënyrë të përmbledhur dhe të ngjallshme. Përdorimi i metaforës shton dimension tjetër në interpretimin e poezisë, duke e bërë atë më shumë se thjesht një përshkrim i ngjarjeve, por një reflektim më i thellë i realitetit shoqëror dhe psikologjik.

Poezia përmban edhe metafora të tjera, që ndihmojnë në vlerësimin e kuptimit të temave dhe mesazheve të saj, ku disa nga këto metafora janë:

Përdorimi i shprehjes "Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania" është një metaforë që përshkruan tendencën e shoqërisë moderne për të injoruar apo për të mohuar problemet dhe sfidat që lidhen me komunikimin dhe mungesën e vlerësimit të “sëmundjes” së komunikimit.

Përdorimi i terminologjisë "gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë" është një metaforë që paraqet tendencën e uljes së niveleve të përkushtimit e të kujdesit ndaj njëri-tjetrit në shoqërinë moderne. Kjo metaforë tregon për një zhvillim negativ në nivelin e solidaritetit dhe bashkëpunimit shoqëror.

Në vargjet "Ruajna zot, po të kishte prirje për të dyjat / Do ta shpallnin të çmendur brenda nate", poezia shpreh një reflektim mbi prirjet dhe nevojat e njerëzve për të shprehur veten dhe për të kuptuar botën rreth tyre. Kjo është një metaforë që flet për kompleksitetin e natyrës njerëzore dhe për rrugët e ndryshme të shprehjes dhe përballjes me realitetin.

Përdorimi i metaforës në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" ndihmon lexuesin të kuptojë më thellësisht temat dhe mesazhet që autorit i interesojnë të shprehë. Metaforat shërbejnë si mjet për të përforcuar imazhet dhe për të shtuar dimensionin estetik dhe simbolik të poezisë, duke e bërë atë më të pasur dhe më thellë në përmbajtje. Nëpërmjet këtyre metaforave, lexuesi bëhet në gjendje të lidhë më thellë me përvojën dhe mesazhin që poezia përmban.

Simbolika në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" është e veçantë dhe i përshtatet thelbit të poezisë, ku:

Simbolika e Demostenit përfaqëson aftësinë për të komunikuar dhe shprehur veten në mënyrë efektive. Ai gjithashtu është simboli i një kohe kur komunikimi dhe shprehja ishin të vlerësuar në shoqëri. Përtej kësaj, Demosteni simbolizon dhe shpresën për një lidhje të thellë njerëzore dhe për një kuptim më të thellë të njëri-tjetrit.

Simbolika e epidemisë përfaqëson sëmundjen sociale të mungesës së aftësisë  së njerëzve për të komunikuar dhe për të kuptuar njëri-tjetrin në një nivel thelbësor. Kjo simbolizon një krizë në shoqëri, ku lidhjet njerëzore janë të dobëta dhe mungon solidariteti dhe mirëkuptimi.

Në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", simbolika e prirjeve njerëzore është e rëndësishme, pse prirja për të shkruar e për të folur është tema kryesore e poezisë. Simbolika e prirjeve njerëzore përforcon idenë e nevojës së njeriut për të shprehur veten dhe për të qenë në lidhje me të tjerët.

Mbyllja e veshëve është një simbolikë që dëshmon për mungesën e dëgjimit dhe vëmendjes ndaj komunikimit e nevojave të njëri-tjetrit, ku njerëzit mbyllin veshët për të mos dëgjuar, për të mos ndjekur, dhe mos kuptuar problemet dhe nevojat e njëri-tjetrit.

Pra, simbolika në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana" shërben për të thelluar mesazhin dhe për të paraqitur një portret të thellë të shoqërisë së sotme dhe sfidave të saj në lidhjet njerëzore dhe komunikimin. Kjo simbolikë jep një dimension të shtuar emocional dhe intelektual në interpretimin e poezisë, duke e bërë atë më të pasur dhe më të thellë në përmbajtje.

Poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" përmban imazhe të forta dhe personifikime që e pasurojnë përmbajtjen e poezisë dhe lejojnë lexuesin të lidhet me temat e mesazhet e shprehura në poezi.Kështu:

Epidemia është personifikuar si një entitet i veçantë, që përhapet dhe shkakton ndikim në shoqëri. Ky personifikim e bën epideminë të duket si një forcë e pavarur që drejton ngjarjet, që është e pranishme dhe aktive në jetën shoqërore.

Demosteni, si personazh i poezisë, është personifikimi i aftësisë së komunikimit dhe të shprehjess së vetes. Përmes personifikimit ai përfaqëson një figurë njerëzore me karakteristika dhe fuqi të jashtëzakonshme komunikimi.

Edhe pse nuk është një personifikim në kuptimin e vërtetë të fjalës, imazhi i veshëve të mbyllura personifikon njerëzit që refuzojnë të dëgjojnë e të kuptojnë, duke i dhënë një natyrë njerëzore një dukurie të qartë dhe të perceptueshme.

Fjalamania është personifikuar në mënyrë të tillë që bën të duket sikur është një fuqi që i bën njerëzit të mbyllin veshët dhe të refuzojnë të dëgjojnë njëri-tjetrin, duke përforcuar idenë e një epidemie sociale që prek shoqërinë.

Pra: përmbajtja dhe struktura e kësaj poezie  përdor efektivisht elementet meta-forike, simbolike dhe imazhiste, madje dhe psikologjike e filozofike për të shprehur një mesazh të thellë mbi mungesën e komunikimit dhe vlerësimit të tij në shoqërinë modern, ku kombinimi i këtyre elementeve bën që poezia të jetë e pasur e interpretueshme në shumë mënyra për lexuesin.

 

V-Poezia "Epidemia e quajtur Demosteniana" e poetit Ramadani reflekton duke u fokusuar në aspektin psikologjik të shoqërisë, duke shfaqur poetikisht disa aspekte psikologjikë që identifikohen në analizën e saj:

Poeti shpreh një ndjenjë të frustrimit dhe zhgënjimit ndaj situatës politike dhe shoqërore. Kjo ndjesi e zhgënjimit dhe frustrimit shfaqet nëpërmjet ironizimit të pretendimeve të një sërë individësh për pasjen e aftësive të një lideri të madh si Demosteni dhe shprehet te vargjet:”Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni / Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja".

Në poezinë "Epidemia e quajtur Demosteniana", pothuajse shpaloset një ndjenjë e mungesës së liderëve të vërtetë dhe të fuqishëm në shoqëri. Njerëzit janë të shqetësuar për mungesën e liderëve që mund të udhëheqin dhe  frymëzojnë në një kohë të vështirë, mungesë që shkakton një ndjesi të përgjithshme të pasigurisë dhe mosbesimit në të ardhmen. :“ Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar/Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi",.

Poezia shpreh dëshirën për ndryshim e përparim në shoqëri. Në çdo kohë njerëz përparimtarë kërkojnë ndryshime politike e shoqërore për të përmbushur aspiratat e tyre dhe në këtë funksion poezia shpreh  dëshirën për një lidership më të mirë dhe më të fuqishëm, i cili të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri dhe jo një tufë “virusesh” fjalamanë.

Në një kohë të vështirë politike dhe shoqërore, ndër njerëzit mund të ketë një ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkrahjes reciproke. Kjo mund të shfaqet nën ndjenjën e përjetuar se të gjithë janë në të njëjtën anije dhe përballen me sfida të përbashkëta. Në këtë kontekst, poezia mund të shprehë nevojën për unitet dhe bashkëpunim për të përballuar sfidat kolektive, madje edhe duke ironizuar disa dukuri negative. Pasazhi: "Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur / Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë / E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë" përfaqëson një lloj humori dhe mospërputhjeje në shoqëri  e mund të interpretohet si një thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke, duke treguar se në kohën e vështirë, njerëzit mund të kenë nevojë për të mbështetur njëri-tjetrin pavarësisht mungesës së aftësive të tyre. Kjo përshtatet me idenë e solidaritetit dhe bashkë-punimit nëpërmjet sfidave të përbashkëta.

Në përgjithësi, aspekti psikologjik i poezisë "Epidemia e quajtur Demosteniana" ndihmon të shpalosë ndjenjat dhe emocionet e njerëzve në një kohë dhe situate të caktuar për ndryshime dhe zhvillime shoqërore. Duke e kuptuar në këtë kontekst, mund të shohim se poezia reflekton një ndjenjë të përgjithshme të mosbesimit në drejtimin actual dhe nevojën për ndryshim në shoqëri. Këto aspekte psikologjike të shprehura në poezinë "Epidemia e quajtur Demostenia-na"  e bëjnë atë një shprehje të thellë e ndjenjave dhe emocioneve të shoqërisë në çdo kohë. Në një periudhë të vështirë dhe të pasigurt, poezia mund të ofrojë një mënyrë për t'i shprehur dhe për t'u identifikuar me ndjenjat kolektive dhe përvojat.

Këto aspekte e bëjnë poezinë e Musli Ramadanit jo vetëm të arirë artistikisht por dhe të plotësuar psikologjikisht, duke e prurë si një poezi të realizuar në mënyrë mjeshtërore nga një poet i madh, duke e prezantuar si një ftesë për zgjidhje të lidershipit, zgjidhje që e solli koha në vitin 1989 .

 

Sarandë, më 27 janar 2024

 

 

 

 

Musa Ramadani

EPIDEMIA E QUAJTUR DEMOSTENIANA

 

Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur

Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë

E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë

 

Ruajna zot, po të kishte prirje për të dyjat

Do ta shpallnin të çmendur brenda nate

 

Nuk dihet se si ia nisi gojëtarisë Demosteni

Vallë nga prirja, mosfrenimi apo nevoja

 

Kaluan ditë, vjet e shekuj paluar në kalendar

Demosteni u harrua, u zhduk sesi humbi

 

Po sëmundja e tij u përhap nëpër botë

 

Demosteniana u shumëzua deri në shekullin XX

E gjithnjë e më pak dëgjues më pak ithtarë

 

Njerëzia mbyllin veshët nga fjalamania

Demostenët e kohës i flasin njëri - tjetrit

 

Njëherë, dikur, kaherë, kushedi se kur

Kush dinte të shkruajë s'dinte të flasë

E kush dinte të flasë s'dinte të shkruajë

 

Ruajna zot, po të kishte prirje për të dyjat

Do ta shpallnin të çmendur brenda nate

( faqe 259 )

 

 

Sunday 21 January 2024

 

 

Timo Mërkuri

POETI ME FLATRA

 

 

I-Duke lexuar poezinë e Preng Maca “Flatrat” kushtuar poetit Agim Spahiu mu kujtua legjenda e Dedalit dhe Ikarit, babë e bir, që të mbajtur rob nga Minotauri në labirinthin e tij të famshëm,  për të shpëtuar ndërtuan krahë si të zogjve dhe u ngritën në fluturim, por Ikari, si një djalosh pa përvojë, duke ju gëzuar lirisë së fituar papritur  dhe i lumturuar  që mund të fluturonte, duke bërë lojra fluturimi në ajër ju afrua së tepërmi diellit, rezet e të cilit  aty lart ishin shumë më të ngrohta dhe e shkrinë dyllin me të cilin ishin ngjitur krahët. Djaloshi fatkeq ra në det, ku u mbyt dhe   as ati i tij Dedali, i dëshpëruar kërkoi vetë vdekjen duke u rrëzuar e copëtuar mbi shkëmbinj dhe nga gjithë ky rebelim na ka mbetur kjo legjendë dhe emri Ikar i detit që përkujton jo aq birin fatkeq se sa mitin e tyre.

Këtë ngjarje të njohur nga mitologjia greke e kemi parë si një metaforë të rrezikut të synimit dhe kërkimit të lirisë përmes shpirtit krijues, por sot shohim se na jep një qasje origjinale me poezinë “Flatra” të poetit Preng Maca, bazuar kryesisht te ideja e përbashkët dhe elementët e përdorur në poezi me ngjarjen mitologjike. Në qoftë se do shqyrtojmë qasjen e mundshme do kishim këto elementë:

Dedali ndërton krahë prej druri për të fluturuar e për të shpëtuar nga robëria (labirinthi) dhe si një mjeshtër druri që ishte ndërton krahë për të fluturuar si zogjtë, ku krahët shihen si një formë e shprehjes artistike të dëshirës për liri por dhe pasionit të krijimtarisë, simbolizuar nga flatrat në poezi, por ndryshe nga Dedali që i ndërtoi, poetit i mbinë vetvetiu krahët (taalenti, frymëzimi etj), duke qënë pjesë organike e qënies së tij (shpirtërore)si poet. Në këtë kontekst, fluturimi mund të interpretohet si liria e shprehjes dhe krijimit.

 

Ikari, i entusiazmuar, fluturon shumë lart dhe afrohet diellit, moment ku që shihet si shprehje e një suksesi të pasigurt dhe një ambicjeje e pashtershme që po përballet me rreziqe të mëdha, ku në poezi këtë moment rrezikshmërie deri në humbje të jetës, poeti e paraqet nëpërmjet një sërë imazhes, e metaforash: “ kur t’i kesh ato flatra  duhet t’i fshehësh,/ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,/ pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme./do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh” me të cilat e paralajmëron poetin “Ikar” , Agim Spahiun, i cili pati fatin që të “mos rrëzohej” në det, por dhe fatkeqësinë që të mos e gëzonte për shumë kohë fluturimin..

 

Nxehja e diellit dhe shkrirja e dyllit që lidhte krahët e Ikarit simbolizonë rrezikun dhe  pasojat e fluturimit, duke shfaqur ashpërsinë e sfidave që vijnë me një kërkim për liri, që në poezi shprehet te vargjet: “A e di?/Nëse do t’i presësh /ti do të vdesësh”.

 

Në përgjithësi, kjo qasje duhet të interpretohet si  shqyrtim mbi tensionin midis dëshirës për liri dhe sfidave që vijnë me këtë dëshirë në kontekstin e veprës së Dedalit dhe Ikarit dhe poezisë "Flatrat".

 

II-Nëse shohim poezinë "Flatrat" nga Preng Maca në kontekstin e një rebelimi ndaj shtetit monist dhe e krahasojmë me mitin e Dedalit, nuk mund të mos vërejmë disa ngjashmëri dhe elementë simbolikë të përbashkët. Le ta shohim në këtë qasje:

 

Labirinthi i mitologjisëë greke përfaqëson kufizimet dhe vështirësitë që viheshin  nga shteti (monist) ndaj aspiratave dhe dëshirave për liri të shtetasve  përgjithësisht  dhe poetëve  veçanërisht. Në këtë kontekst, flatrat në poezi mund të interpretohen si simbol i shpirtit krijues dhe imagjinatës që është nën kërcënim nga kufizimet dhe censura e shtetit monist.

 

Dedali, duke ndërtuar krahë prej druri, dhe Ikari duke fluturuar drejt lirisë të shihen si figura të rebelimit që përpiqen të shpëtojë nga kufizimet dhe të qenurit rob të Minotaurit, ose në kontekstin tonë, rob të shtetit monist.

 

Ngritja e Ikarit lart, pranë diellit duke qeshur e lozur në ajër shfaq entusiazmin (ëndërrat me krahë) dhe mosnjohjen e rrezikut  (shkrirja e dyllit) dhe pasojave të mundshme të përpjekjeve për të kapërcyer kufizimet. Kjo është një metaforë për rrezikun dhe sfidat që përcjellin krijimtarinë dhe rebelimin ndaj një shteti monist.

 

Në poezi, flatrat përfaqësojnë ndjenjat, imagjinatën dhe shpirtin krijues të poetit, të cilat të fshehur nga sytë e autoriteteve dhe censurës, shfaqen si një formë e rebelimit, një përpjekje për të tejkaluar kufizimet dhe censurën të imponuar nga shteti monist.

 

Në këtë kontekst, shohim se poezia dhe miti kanë  temë të përbashkët rebelimin ndaj kufizimeve dhe përpjekjeve për të arritur lirinë dhe shparehjen e lirë artistike, ku u  duhet të ballafaqohen me kërcënimet dhe pasojat e revoltës së tyre kreative kundër një sistemi të caktuar.

 

III- Poezinë "Flatrat"  poeti Preng Maca jka kushton poetit Agim Spahiu dhe e ka shkruar me shumë dashuri e ngrohtësi shpirtërore, sa që të krijohet përshtypja se ata të dy do kishin qenë miq të ngushtë. Sigurisht do befasohesisht po tju thoshja se ata të dy nuk ishin njohur në asnjë rast, nuk ishin takuar kurrë fzikisht, i vetmi takim i tyre ka qënë shpirtëror, në planetin e poezisë. Kjo është arsyeja që portretizimi poetik që Maca i bën Spahiut është portret shpirtëror, ngrohtësia e të cilit dëshmon talentin poetik të poetit Maca dhe botën e tij të pasur. Sigurisht që një poezi e tillë plot me ndjenja i takon denjësisht poetit Agim Spahiu, talenti i të cilit jo vetëm që e ngriti atë në qiellin poetik,  por dhe e shpëtoi atë shpirtërisht nga robëria e censurës. Unë e kam njohur Agim Spahiun gjatë kohës që kam qenë me punë në Helshan të Kukësit në vitet ’80, një djalë i bukur, me baluke të gjata, krehur gjysëm anash mbi ballë, që gjithnjë ishte me një trishtim të hollë në sy, si pasojë e goditjeve të njëpasnjëshme që i bënin strukturat mediocre të partrisë dhe të shtetit. Unë nuk e di për rrethet e tjera, por di që organet e partisë dhe të shtetit në Kukës “shkrofëtimin” dhe  “u vente dora në kobure porsa dëgjonin fjalën poet”. Më kujtohej që në një nga takimet tona, (më saktë në një bashkëudhëtim me këmbë nga fshati Tregtan gjer te kthesa e fshatit Fajza, ku unë u ktheva për të bujtur atë ditë te Met Dervishi dhe Flora Gjondeda ndërsa ai vijoi rrugën për në Krumë) biseda solli dhe  zhurmën që bënin organet e rrethit për një manjetofon që poeti kishte siguruar, thua se ishte një vepër e ndaluar. Agim Spahiu ka vuajtur shumë në përndjekjen që i bëhej, ku ngado që të kthehej do shihte si lartësoheshin rreth tij muret e labirinthit monist, por ai “nxorri” flatrat e talentit të tij poetik për të fluturuar jo vetëm mbi muret e këtij labirinthi, por edhe të kohës, duke hyrë në epokën e re shumë vite para se të rrëzoheshin “muret e Berlinit” shqiptar. Prandaj është e bukur qasja me Dedalin dhe Ikarin në funksion të kohës moniste, ku ai, ndonëse ju afrua shumë “diellit” nuk u rrëzua, pasi flatrat nuk i kishte të ngjitur me dyll, por i kishte pjesë të organizmit të tij (poetik).

 

Unë dua të besoj që poeti Maca ka patur parasysh këtë qasje mitologjike kur e krijoi poezinë me metaforën e flatrave, kjo dhe për faktin se poezia ka një shtrat mitologjik në strukturën  artistike të saj, ku:  

 

Flatrat janë  metaforë e fuqishme për ndjenjat, shpirtin artistik dhe imagjinatën që janë realisht të kufizuara nga regjimi, ndaj themi se përdorimi i flatrave si metaforë është element kyç i poezisë. Flatrat shërbejnë si një figurë simbolike që përfaqësojnë përpjekjet për liri dhe shprehje artistike, të cilat mund të jenë nën kërcënimin e kufizimeve dhe censurës, ku  vargu "Sa fatkeq je o njeri... një flatrambajtës si ti!" ndërsa sugjeron një vlerësim të lartë për poetin si një rebel kundër kufizimeve dhe një shpallje e aritjes së lirisë së tij artistike, shpall njëkohësisht edhe  mundin e përpjekjet e tij për të mposhtur pengesat pse termi “flatrambajtës” tingëllon si   “flamurmbajtës”)  . Përdorimi i "tokësorëve"  gjithashtu është një metaforë për shoqërinë e zakonshme dhe kulturën masive. Duke e paraqitur poetin Spahiu si diçka më shumë se një "tokësor," poeti  Maca pohon dallimin a poetit (Spahiu) ndaj masës dhe zakoneve të vendosura nga shoqëria.

 

Përdorimi i imazheve poetike, si dhembja e vazhdueshme dhe fluturimet në ëndrra, ndihmon në krijimin e një pasqyre vizuale dhe thelbin e poezisë, duke kontribuuar në forcimin e ndjenjave dhe ideve të shprehura në poezi.

 

Nëse shohim flatrat si shpirt krijues, ato personifikohen si një forcë ose entitet që ka veti dhe veprime njerëzore.

 

Pra,e parë në gjerësinë e saj,  poezia mund të quhet një vepër metaforike dhe simbolike, pasi shfrytëzon këto teknika letrare për të shprehur mesazhet dhe ndjenjat e saj në mënyrë të veçantë.

 

 

IV- “Flatrat” e poetit Prenga Maca është një poezi e shkruar me dashuri dhe adhurim për poetin Agim Spahiu. Në këtë interpretim  përmban disa elementë dhe vargje që e shprehin në mënyrë të dukëshme këtë ndjenjë të autorit. Kështu : titulli i poezisë: "Flatrat" tregon se poezia është dedikuar poetit Agim Spahiu, fakt që  në vetvete shërben si një indikacion i ndjenjave të veçanta, vlerës së krijimeve të Spahiut dhe dhimbje për vuajtjet e tij në diktaturë, si dhe ndikimit që poezia e tij ka patur mbi poetin Maca.

 

“Më trishtove kur më the, se të kanë dalë flatrat” , një varg i bukur poetik, i cili  kuptohet si një reagim emocional ndaj titullit të bukur të gjetur prej vetë poetit Maca, por tëshprehur si një njoftim i Spahiut. Realisht poezia ka formën e një bisede miqsh me tone të ulëta, thua se druhen mos i dëgjon dikush, duke sjellur në sfond një kohë tjetër

 

Vargu “...dhe me fluturime i sheh ëndrrat” sugjeron se poeti Spahiu shihet si një burim i frymëzimit dhe shpirtit artistik, pasi fluturimet dhe ëndrrat janë simbole të lirisë dhe imagjinatës krijuese.

 

“Sa fatkeq je o njeri... një flatrambajtës si ti”, varg mund të konsiderohet si një përsiatje dhe vlerësim i lartë për poetin Spahiu, ku përdorimi i "flatrambajtës" mbart konotacionin e një titulli me rëndësi (flamurmbajtës) dhe interpretohet si një shprehje e lartësimit të poetit.

 

Vargjet: “A e di? Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”  shfaqin një ndjesi tragjike dhe mund të interpretohen në mënyrë të ndryshme: si një paralajmërim për një lloj sakrifice apo vuajtje që poeti mund të përjetojë në rast dorëheqjeje nga krijimtaria poetike, për të cilën aq shumë i është sugjeruar Agim Spahiut në monizëm, për të mos u përndjekur. Unë ju them se organet në Kukës kishin shumë frikë nga poezia e Agim Spahiut (dhe jo vetëm), është kjo frikë e tyre që çoi në masa të ashpra ndaj poetëve të tjerë. Në Kukës, në kohën e monizmit i ishte shpallur luftë poezisë.

 

Te vargu “...Miku im të lutem ruaju” fjala "lutem" përforcon ndjenjën e thirrjes dhe kujdesit ndaj mikut  Spahiu,, fjala “ruaju” ishte një këshillë që ja jipnin poetit gjithë miqtë e tij të sinqertë, ndërkohë vargjet: “Kur t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh, ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin” sugjerojnë një ndjeshmëri  dhe  dhimbje të padurueshme që shoqëron shpirtin krijues të poetit Maca, (i cili spostohet në kohën e poezisë) për mikun e tij, pse flatrat, si simbol i imagjinatës dhe lirisë, duhet të mbahen dhe fshihen për të shmangur pasojat e njohura nga kufizimet dhe censura.

 

Është pikërisht dashuria vëllazërore mes dy poetëve që i sugjeron Macës vargjet :”...pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme, të padurueshme. do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh” ,  vargje që shfaqen si një parashikim i mundshëm i sfidave dhe vuajtjeve që mund të përjetojë poeti ( Spahiu) për shkak të përpjekjeve për të mbajtur fshehur pasionin e tij poetik.

 

Të tronditin vargjet profetike:”Do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh. Por e pamundur o mik i vlerë! Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”, të cilat kanë një konotacion tragjik me fatin e poetëve në monizëm, të cilët sido që të vepronin do kishin një përfundim të dhimbshëm. Prerja dhe sakrifica mund të shihen si një pasojë e dhimbëshme e dëshirës së madhe  për liri dhe krijimtari poetike.

 

Pra, poezia "Flatrat" shpreh një adhurim dhe dashuri për poetin Agim Spahiu, duke e konsideruar atë si të veçantë e të vlerësuar mes (krijuesve) tokësorë e shprehur kjo imazhe të fuqishme, që gati na afrojnë me një shenjtërim të figurës së mikut të tij poet. Në këto vargje adhurimi dhe dashuria vijnë si dallgë njera pas tjetrës, duke shpërndarë imazhe që u ngjasojnë stërkalave të detit mbi shkëmb, ku përthyhen si në prizma drita e na shfaqin një brerore dritësimi mbi kryet e poetit Agim Spahiu. Kemi pak poezi me kaq shumë dallgë shpirti.  

 

Sarandë, më Janar 2024

 

Preng Maca

              FLATRAT

           (Poetit  Agim Spahiu)

 

Miku im të lutem ruaju!...

Më trishtove kur më the,

se të kanë dalë flatrat

dhe me fluturime i sheh ëndrrat!

Është e vështirë të kesh flatra.

(këto gjëra të veçanta më trembin!)

kur t’i kesh ato flatra  duhet t’i fshehësh,

ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,

pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme.

do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh.

Por e pamundur o mik i vlerë! 

A e di?

Nëse do t’i presësh

ti do të vdesësh.

Sa fatkeq je o njeri...

mes tokësorëve,

një flatrambajtës si ti!

 

Monday 15 January 2024

  

TË PRESËSH DIAMANTIN

 

I-Nuk e di pse, por te titulli i poezisë “Intervistë për puthjen” e Natasha Lakos  fillimisht sytë më shkuan te fjala “puthje” e cila më solli në kujtesë Eseninin me vargjet:” Puthjes emër djemt' s'i kanë gjetur/puthja s'është mbishkrim qivur i ngrirë/puthja fryn si trëndafil me fletë/ që në buzë petalet i ka shtrirë” e poezisë “Lejlës bukuroshe” që më kishin lënë një aromë dehëse qysh në leximin e parë. Ndërkohë u kujtova që Kacalidha me vargjet: ”Puthja fillon me një buzore /Pu-pu, pu-pu, pu-pu, pu-pu! /Puthja fillon me një buzore /Fillon në buzë, tretet këtu”. ( “Puthja”, Heraldikët e borës, Onufri 2023 f 286) ende hezitonte të jipte puthjen e parë, ku ajo pu-pu-ja e tij ndjehej a lexohej si një “pu-pu, sa turp”. Esenini fokusohet në ndjenja romantike në këtë poezi me varg e rimë të rregullt, tipike poezi klasike, ndërsa Kacalidha paraqet emocione të qeta intime, të lidhura me një situatë dhe moment dashurie, të shprehura me poezi moderne. Ndërkohë që Esenini përdor imazhe natyrore si simbole përjetimesh të ndjenjave, Kacalidha përdor imazhe të thjeshta, të kuptueshme e të qarta për të shprehur momentin intim dhe gjëndjen e trazuar shpirtërore. Esenini është në (ose pas) momente përjetimi, ndërsa Kacalidha i emocionuar “bëlbëzon”  në çaste para puthjes për të cilën duket se ende nuk e ka kurajën, Esenini shpalos hapësirën e puthjes në kufijtë e erës së trëndafilit ndërsa Kacalidha hipotekon kufijtë e saj te “parcela” e buzëve, por për ne ajo që ka rëndësi është fakti se të dy poetët i këndojnë puthjes së dashurisë dhe për të vijuar më tejë, po shohim konturet e kuptimit të puthjes shprehur në vargjet e Lakos (e pranoje si një petale/që ta pranonin si një petale) sepse duke perifrazuar Eseninin, do thoshnim që puthjes djemtë, as emër, por as përkufizim nuk i kanë gjetur.

E parë në këtë këndvështrin, krahasimi i puthjes me një petale (si një petale) nga Natasha Lako përdoret për të shprehur ndjeshmërinë, delikatesën, bukurinë dhe fragilitetin e puthjes krijon një imazh të bukur fin, duke i dhënë  asaj një vlerë të veçantë, duke e bërë  të shihet dhe perceptohet si diçka tërheqëse , e përkryer në delikatesën e saj,  përcjellëse e bukurisë dhe freskisë. Fjala "petale" e përdorur nga poetja sugjeron bukuri, finesë dhe pranueshmëri ndjenjash të holla, ndryshe nga diçka fizike e rëndë apo e fortë. Ky krahasim shpall se puthja nuk është thjesht një kontakt fizik, por një trazim  ndjenjash shpirtërore. Krahasimi me një petale thekson fragilitetin, fresiknë e bukurinë e asaj që mund të duket e vogël në pamje, por ka një ndikim të madh dhe vlerë thelbësore në jetën e njeriut, qoftë për faktin se puthja zgjat pak, por përjetohet me vite, madje puthja e parë përjetohet gjithë jetën.

Nga kjo ndjejmë se puthja e dy dashnorëve është një akt emocional i shprehur me kontaktin e buzëve, që shihet e vlerësohet si shprehje e ndjenjave në një lidhje shpirtërore e fizike, e cila mund të jetë e ëmbël, e përzemërt, pasionante, që gjithsesi përfshin një moment intim që jep siguri, ëmbëlsi e ngrohtësi, shuan debatet mes partnerëve dhe u mundëson të përjetojnë një moment lumturi të pakrahasueshme. Puthja mbyll gojët që të flaës heshtja, mbyll sytë që të shihet parajsa, ajo të bën të ndjehesh i pasur dhe i kompletuar. Unë nuk pretendoj për saktësi përkufizimi, ndaj ftoj për ndihmë Shekspirin që thotë se: "Puthja është gjuha e dashurisë", Nerudën që ligjëron se: "Puthja është një tingulli që flet ato fjalë që nuk mund të thuhen", për të ndalur te Viktor Hygo me postulatin e tij: "Puthja është gjëja më e sinqertë në botë". Këto ka thënë Natasha Lako me krahasimin e saj petalor, duke ju qasur metaforës së Eseninit në kufijtë e Kacalidhës.

 

II- Natasha Lako jo vetëm flet pak, por stili i saj modern i të shprehurit poetik ka një dendësi të diamanntë arti e kuptimshmërie, që kërkon një mjeshtër prerës diamanti në zbërthimin e kuptimshmërisë dhe vlerave të saj, pse dihet që ky gur i çmuar në formën natyrore rrallë e shfaq plotësisht vlerën dhe bukurinë e tij, ndaj  nevojitet një mjeshtër që të shohë nç brendësi të tij vijat ndarëse të formave dhe të realizojë atë prerje delikate, e cila nxjerr në pah pasurinë e shumëllojëshme të tij.

Kështu te  poezia e Lakos qysh te strofa e parë të lindin hamendësime mbi kuptimshmërinë poetike : “Epo, po të të pyesnin për puthjen,/çfarë do të thoshe ti,/ po të kërkoje punë”. Në kundërshtim me sa thotë në titull, te ky varg shohim se nuk jemi në një intervistë, por është momenti i një pregatitje për intervistë pune, ku poetja (ç’ne poetja?) pyet një vajzë të re, që pregatitet për atë intervistë, për të parë në se është e pregatitur. Duket se biseda ka nisur më herët, ndaj poezia fillon (vazhdon, në fakt) me fjalën “Epo”, fjalë që përdoret në kuptimin "e pra" (…po të pyesnin).

Vazhdimi i leximit të ngatëron me shumë me vargjet: “E pranoje (ti), si një petale (puthjen) /që ta pranonin (ata), si një petale”? Vargjet kanë qasje me poezinë e Eseninit: “…që në buzë petalet i ka shtrirë” dhe për  krahasimin e  puthjes me petalet folëm më sipër, por ndërkohë metafora e petales ka qasje dhe me diçka tjetër të brishtë, me naivitetin vajzëror, mungesën e përvojës së saj në shoqëri. Kjo qasje jep një interpretim të ri, dhe mundëson një perceptim tjetër të dilemës që shpreh poezia, lidhur me pyetjen e papritur për diçka të brishtë e të bukur në botën e punës. Pyetja (ç’kërkon kjo pyetje në një intervitë pune xhanëm?) ndez imagjinatën e vajzës, e cila instiktivisht nis e percepton bukurinë dhe ëmbëlsinë ndjesore të puthjes, por përgjigja cilado qoftë është e rrezikëshme: në rastin e pranimit të puthjes si petale, intervistuesi mund të hamendësojë për atë si për një vajzë e lehtë, në rastin e kundërt hamendëson si për një vajzë me kulturë patriarkale. Intervistuesi përfaqson një institucion shtetëror apo një kompani private, por asnjeri rast nuk e favorizon vajzën, pavarësisht se ne vazhdojmë të admirojmë krahasimin e puthjes si petale. Nuk e di pse por më duket se po qaset malësorja e Migjenit me atë: “A don qymyr zotni?”  të cilën poetja “lehtësisht” mund ta kishte futur si pyetje interviste për dukurinë e njejtë të dy kohëve. Është kjo qasje që më shtyn të shoh te pyetjet një ‘vijë’ ironie të poetes për dukuritë e kohës, përfshirë dhe “intervistat e punës”, të vetmet që nuk nuk mund të mendojnë si pyetje puthjen, këtë esenciale të jetës, sepse në kohët moderne ka shumë puthje por pak dashuri.

 

III-Më sipër përmenda diamantine, por duhet të dimë se struktura e diamantit përbëhet nga një shumësi diamantësh më të vegjël në formën e trupave gjeo-metrikë brenda njeri tjetrit, të ngjeshur  nga një trysni e jashtëzakonëshme. Kjo strukturë rrit fortësinë dhe vështirëson ndarjen e tij në pjesë, nqse ushtrohet një goditje ritmike e fortë në të njëjtin vend të diamantit, struktura e tij shpërbëhet në pjesëza të vogëla që shpërndahen në formën e nje reje pluhuri të shndritshëm, duke u bërë i pavlefshëm. Për këtë arsye ka lindur profesioni i mjeshtrave ndarës të diamantit, të cilët pasi studiojnë vijat,  më saktë hijet e vijave të brendëshme realizojnë mbi ato goditjen e lehtë dhe ritmike, e cila e ndan atë në aq pjesë sa kërkon. Natyrshëm që mund të rezultojnë dhe pjesë më të vogëla, por ato shfaqin më qartë finesën dhe bukurinë e tij, ndaj pasi lëmohen,përdoren si gurë unazash, ndërsa copat relativisht të mëdha kanë destinacione të tjera përdorimi duke filluar që nga gjerdanët, kurorat mbretërore e deri te rezervat valutore në banka.

Kështu dhe poezia e Lakos ka strukturën e diamantit: ajo shfaq aktin e puthjes së dashurisë të krahasuar me një petale, por petalja në vetvete është një imazh që sjell në vëmendje bukurinë, delikatesën dhe fragilitetin aktit. Përsëritja e saj: “E pranoje, si një petale,/që ta pranonin, si një petale”  shfaq imazhin e petales në dy skaje duke e forcuar  atë në kujtesën e lexuesit dhe tingullin poetik, ndërkohë që vetë puthja në këtë poezi nuk shfaqet vetëm si simbol  e metaforë e dashurisë, ajo shpalos një vështrim më të gjerë mbi kuptimin dhe ndikimin e saj në një marrëdhënie. Lako e shfaq puthjen në mënyrë të ndërlikuar, duke krijuar një dimension më të gjerë se thjesht një akt romantik, pasi sjell në vëmendje aspekte të historisë në imazhin e pyjeve të djegura, sjell imazhin e puthjes “copë të mbetur mijëravjeçare” si diçka e çmuar dhe e vlefshme, e cila mbetet pjesë e kujtesës për mijëra vjet, shfaq dukurinë identitare të saj në prizmin zakonor të traditës patriarkale. Nga mënyra se si e shfaq në poezi. Ndërkohë poetja na flet për“puthje të mëdha”, një metaforë që mund të ketë domethënie  të ndryshme në  situate të ndryshme, duke shfaqur një ide më shumë se sa një vlerë e madhe financiare. Shihni pra sa pazgjidhmërisht janë lidhur në tërësinë e tyre këto element artistikë sa që të duket se heqja e njërës prej tyre, rrezikon shkatërrimin e gjithë poezisë dhe kjo është bërë në funksion  të nxjerrjes në pah të vlerave të dashurisë, duke i treguar nëpërmjet puthjes, ku disa fragmente pyetjesh janë si ato pjesët jo organike mbi diamantin në momentin që nxirret nga toka, të cilat sigurisht që pastrohen, por kujdes: mos e hiqni cilësorin “torrollakët”, është shumë i bukur.

Jo më kot e krahasova poezinë e Lakos me një diamant të madh, të cilit i duhen gjetur vijat (damarët) ndarrëse, aq më tepër që këto vija janë kufijtë ku ndahen ngjyrat e dritës që reflekton imazhet ky diamant poetik. Unë ju them se të realizosh një poezi të tillë është vërtet si të presësh  dimamantin e ta shndrosh në gurë unazash a  gjerdani, madje në dimamant  kurore mbretërore apo rezervë valutorë. Eshtë pikërisht kjo bukuri e diamanttë e poezisë që më bind në  mendimin se poetja ka dashur të na shfaqë puthjen e dashurisë si “një trëndafil në fundëri”(Neruda) rurale të modernitetit të kohës, mbi të cilin hedh një tis ironie me pyetjet e saj.

 

IV- Le të lexojmë vargjet: “apo se puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura /e të përvëluara nga zjarri,/që mijëra vjet më parë” të cilat shfaqin një sfond poetik në kontekstin historik dhe tradicional të puthjes, duke na e shfaqur atë si një akt që ka ekzistuar në të kaluarën e largët, ka ardhur në kohët tona nëpër flake ( në fakt e kemi mbartur me vete nëpër flakë), është e rëndësishme, ndaj ende egziston, ëndërohet dhe flitet për atë..

Natasha Lako përdor historinë për të krijuar një portret të trishtueshëm të puthjes, duke e paraqitur atë si diçka që ka ardhur pas tragjedish të lashta, ku vajza dhe djali nuk mund të realizonin lirshëm një puthje, pasi ajo shkaktonte pasoja të rënda: vrasje të nxitura nga kodet zakonore. Indirekt Lako hedh spirancën e kësaj poezie moderne në identitetin tonë kombëtar pasi reflekton mbi kodet zakonore në kulturën tradicionale shqiptare që ndalonte puthjen  e të dashuruarve lirshëm. Këtu duhet të ndalemi te arti ynë gojor, i cili është plot me vargje triumfuese djemsh që“puthin gushë e faqe”apo“dy mollët e gjirit”, vargje që këndoheshin në shesh të fshatit në festa dhe, jo vetëm që askush nuk revoltohej kundër tyre, por përkundrazi, bashkoheshin në grupin e këngës duke mbajtur iso, akt ky që shprehte miratimin popullor për puthjen dhe dashurinë. Vajzat putheshin lirshëm nëpër këngë, por kur tentonin të dilnin jashtë portës së shtëpisë drejt puthjeve, ose do dëgjonin sokëllimiën e babait si një krismë pushke: “Futu bërna” ose qortimin e nënës: ”Bëj të dal e s’më lë nëna /Më thotë: “Vajzë futu bërna”/Se janë dyfeqe të rrënda”. Poeti popullor nuk sqaron se cilat janë ato dyfeqe të rrënda që nëna i përmend vajzës por i metaforizon: ”Dyfeqet e djalërisë/ Që i vën zjarrin shtëpisë”. Këto “dyfeqe të djalërisë”nuk janë vetëm aset i këngëve, ato janë realitete historike e jetësore të dashurive në trevat tona, që kanë mbritur gjer te ne në formën e hasmërive. Një gjë kaq e ëmbël si puthja, e cila në fakt është porta e parajsës mbi tokë ka sjellur kaq shumë plagë, në trup e në shpirt, të cilat as nëpër këngë nuk janë mbyllur dot. Prandaj poetja thotë: “Pyete puthjen vetë çfarë ka parë /këtë copë të mbetur qindramijëravjeçare” sepse duhet të pranojmë që “puthja” është pjesë e historisë sonë, e përgjakur apo e mbuluar me orizin e dasmave.

Vargjet e poezisë së Lakos ("kur puthja quhet,/e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje , të cilat bota i njëson, / a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër, / gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe, / të puthjeve edhe më të mëdha") i ngjajnë asaj cope diamantit që ka disa vijë në brendësi, të cilat duket se shfaqin një ndërlidhje të shpirtit, kujtesës dhe ndjenjave me aspektet e realitetit të shoqërisë. Poetja mund të na referojë te puthjet e mëdha si simbol i ndryshimeve të mëdha në jetën e individëve apo shoqërisë së gjerë. Në këtë kontekst, "puthjet më të mëdha" mund të paraqesin ndryshime thelbësore, transformime apo veprime që ndikojnë në gjendjen ekonomike, financiare dhe në dinamikën shoqërore. Kjo lidhje e puthjeve me gjendjen ekonomike dhe kredinë e madhe mund të jetë një mënyrë metaforike për të shprehur fuqinë  e dashurive të mëdha. Një "puthje më e madhe" mund të simbolizojë një ndryshim të fuqishëm, pozitiv (ose negative), që ka forcën për të ndryshuar gjendjen shoqërore të individëve, të një komuniteti apo të një populli. Puthja e Halilit me Tanushën ishte një puthje e madhe, po ashtu e Skënderbeut me Donikën, pa haruar puthjen legjendare të Jerina Dushmanit me Lek  Zaharinë. Kujtojmë se shpesh herë aleancat princërore arbërore që bëheshin garantohe-shin nëpërmjet krushqive. Sigurisht që kjo lidhje metaforike mund të ndërtojë një paralele midis fuqisë së ndikimit të dashurisë,  afërsisë dhe veprimeve të mëdha që ndikojnë në jetën e njerëzve në nivele të ndryshme të shoqërisë. Megjithëatë ajo vija te diamanti synon të na thotë se ato “puthjet edhe më të mëdha” u përkasin shefave të mëdhenj ku do punësohet vajza e intervistuar, ndërsa “kreditë e mëdha” janë favoret financiare, por unë them që ti kushtoni vëmëndjen dashurisë dhe puthjeve se shefat e mëdhenj nuk dinë të puthin, ata dinë vetëm të kafshojnë.

Kur poetja përmend puthjen si "një copë të mbetur mijëravjeçare", ajo duhet të interpretohet si një qasje që e çon kujtimin dhe kuptimin e puthjes përtej kohës aktuale, ku përdorimi i një periudhe të gjatë kohore është për të theksuar se ky akt nuk ka ndryshuar shumë në thelb, pavarësisht zhvillimeve e ndryshimeve të shoqërisë nëpër kohë, dhe e sheh atë si një gjë të çmuar. Puthja është një simbol universal i dashurisë dhe afërisë që ka ekzistuar në të njëjtën mënyrë dhe formë në epoka dhe sisteme shoqërore të ndryshme të popullit ton. Këtu Lako hedh spirancën te identiteti kombëtar shqiptar i aktit të puthjes si simbol dashurie (sepse ka kombe që dashurinë nuk e shprehin me puthje). Përpos kësaj, përdorimi i termave të gjatësisë kohore është një mënyrë që thekson rëndësinë dhe vlerën e këtij akti në shoqëri, duke e paraqitur si një traditë të vjetër (jo relike) e të gjallë, që vlen për dashurinë si oksigjeni për njeriun, që ka qëndruar dhe vazhdon të ketë një impakt të madh në jetën dhe kulturën tonë .

Është koha që dashuria dhe puthja jo vetëm vlerësohen pak, por tentohet të shndrohen në diçka pa vlerë, ndaj poetja ngre zërrin e vargjeve: "Por mos i beso, torollakët/që pyetjen për puthjen thonë mos e beso/megjithëse është gjëja më e sigurt" dhe unë ju them se është hera e parë që Lako përdor epitetin përbuzës “torrollak”, të cilin e rezervon vetëm për ata që minimizojnë apo mohojnë rëndësinë e puthjes, atë që është  “gjëja më e sigurtë” dhe më e bukur (do shtoja unë) në këtë botë.

 

V- Poezia "Intervistë për puthjen" e Natasha Lakos shpalos disa dimensione psikologjike të ndërveprimit të individit me një aspekt të gjerë emocional. Kjo poezi shpreh një vështrim mbi përvojën e puthjes, por në të vërtetë, nëpërmjet këtij subjekti, ajo eksploron ndjesinë e dashurisë, identitetin dhe kërkimin e kuptimit të gjerë emocional në kohën tonë të modernitetit rural.

Aspekti i identitetit e dashurisë është thelbësor në poezi, ndaj poetja përdor puthjen si një metaforë për ndjenjat, të cilat njeriu i përjeton, por i mban të fshehura në shpirt, ku puthja përfaqëson një mënyrë për të shprehur ndjenjat,  emocionet, por dhe për të kuptuar largësinë emocionale që ndjehet në jetën e sotme të përditshme.

Poezia paraqet  kërkim të përhershëm për kuptim mbi puthjen dhe dashurinë në kohët e sotme. Pyetjet e hapura dhe dilemat që shfaqen rreth puthjes, siç janë "çfarë do të thoshe ti për puthjen?" apo "pyete puthjen vetë çfarë ka parë?" pavarësisht se me një tis ironie poetja i shfaq si pyetje interviste, reflektojnë kërkimin e vazhdueshëm të njeriut për të kuptuar dhe për të gjetur kuptim më të thellë në ndjenjat dhe eksperiencat e tij.

Përvoja  e dhimbjes dhe vuajtjeve shpirtërore të individit, apo tragjeditë e shkaktuara në botën patriarkale shqiptare, të përmendur në poezi si "pyjet e djegura," shpalos një dimension psikologjik që sugjeron se shpirti ka përjetuar vuajtje dhe shpesh herë puthja ka shkaktuar tragjedi të mëdha, pasi ka qenë në kundërshtim me doket kanunore të jetës patriarkale shqiptare. Përmendja e "pyjeve të djegura e të përvëluara nga zjarri, që mijëra vjet më parë," shfaq tragjeditë e shkaktuara nga puthja, e cila ka qenë e përjetuar në jetën e shqiptarit.

Mosbesimi ndaj këshillave të tjerëve për të mos e besuar vlerën e puthjes ("Por mos i beso, torollakët ") reflekton aspektin  psikologjik të pavarësisë emocio-nale.

Poezia paraqet konfuzionin e madh emocional me kuptimin e puthjes. Një vështirësi për të kuptuar si duhet të interpretohet apo vlerësohet puthja bëhet qartë nëpërmjet pasazheve që trajtojnë se çfarë do të thoshte apo përfaqësonte puthja për individin. Ky konflikt mund të lidhet me mungesën e qartësisë në interpretimin e ndjenjave dhe të sjelljes së një personi.

 

IV-Poezia "Intervistë për puthjen" e Natasha Lakos ka një theks të dukshëm filozofik në paraqitjen e puthjes si një subjekt për të reflektuar mbi të vërtetën, ndjenjat, dhe interpretimet e subjektit në një nivel më të lartë.

Në thelbin e saj, puthja është përdorur si një simbol që shpreh kompleksitetin e jetës së njeriut dhe përvojën e tij, ku puthja, si një gjest i thjeshtë në dukje, bëhet më shumë se një akt fizik, ajo shfaq ndjenjat, identitetin dhe kuptimin e vërtetë të vetvetes dhe të marrëdhënies me të tjerët.

Një ndërhyrje filozofike shfaqet në mënyrën  si puthja shihet nga këndvështri-mi i individit dhe shoqërisë. Një ndarje mes interpretimit individual dhe atij kolektiv pasqyrohet në dilemën lidhur me vlerësimin e puthjes, duke çuar  në pyetje njohjen e së vërtetë dhe si shoqëria interpreton apo shqetësohet për interpretimin e veprimeve të thjeshta.

Në këtë poezi, filozofia shfaqet në mënyrën se si puthja përcakton identitetin e një personi. Puthja është mjeti i përdorur për të shprehur ndjenjat, si dhe të zbulojë misterin e mendimeve e perceptimeve personale në lidhje me vetveten dhe me të tjerët.

Poezia ndriçon dilemën filozofike të vlerësimit të thjeshtësisë së puthjes në krahasim me hapësirën  e të vërtetave të fshehura të ndjenjave njerëzore.

Thuhet se "puthja është një gjuhë", poezia shfaq qartësinë e komunikimit mes individëve nëpërmjet gestit fizik të puthjes. Aspekti filozofik i kësaj poezie qëndron në interpretimin e puthjes si një mjet i cili përdoret për të shprehur dhe kuptuar një sërë ndjenjash, mendimesh dhe emocionesh në një nivel më të epërm.

Një aspekt filozofik lidhet me kompleksitetin e thjeshtësisë, ku puthja, një veprim i vogël në dukje, shpreh një botë të madhe emocionale dhe ndjesore që shpesh nuk mund të shprehën me fjalë. Kjo shkakton një dilemë: a mund të përfaqësohet një kompleksitet aq i madh me një gjest kaq të thjeshtë si puthja?

Një element i rëndësishëm filozofik është edhe reflektimi mbi interpretimin e të vërtetave dhe perceptimeve. Poezia paraqet një mosbesim ndaj këshillave të tjerëve,(torrollakëve) duke shtuar shkallën e vështirësisë për të kuptuar një realitet të fshehur. Ky aspekt shpërfaqet në dilemën filozofike të kërkimit për një kuptim më të thellë përtej asaj që mund të duket të qartë në sipërfaqe.

Poezia fillon me një pyetje retorike në lidhje me puthjen dhe vazhdon me një reflektim të thellë mbi kuptimin dhe ndikimin e saj, ku kjo lloj pyetjeje dhe reflektimi shfaq ndërveprimin midis poezisë dhe filozofisë, ku puthja nuk është vetëm një veprim, por një objekt i analizës dhe mendimit thelbësor.

Kontrastet dhe dilemat filozofike që shfaq poetja në lidhje me puthjen janë në aspektin filozofik, psh pyetja nëse puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura nga zjarri që mijëra vjet më pare, shfaq një kontrast midis historisë dhe aspektit më bashkëkohor të puthjes.

Puthja në poezinë e Natasha Lakos është një subjekt i analizuar gjerësisht dhe interpretuar nëpërmjet metaforave komplekse dhe pyetjeve filozofike. Duke e krahasuar atë me një petale të mbetur mijëra vjet, ajo ngre kuptimet e puthjes si diçka që tejkalon kohën dhe ka një ndikim të qëndrueshëm. Nëpërmjet dilemave dhe kontrasteve të shfaqura në poezi, Lako sjell një aspekt reflektues të ndërveprimit midis njeriut dhe puthjes, duke e paraqitur atë si një fenomen që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme nga individi. Kjo qasje filozofike tregon një reflektim të thellë mbi kuptimin dhe ndikimin e një veprimi të tillë të thjeshtë në një nivel më të thellë intelektual.

 

V-Poezia e Natasha Lakos shprehet nëpërmjet kontrasteve poetike të gjera që e bëjnë atë një përvojë letrare të pasur, një risi, çka e shtyn ta ndërtojë poezinë mbi kontraste. 

Poezia shfaq një kontrast mes qasjes filozofike dhe emocionale ndaj puthjes, pasi ajo fillon me një përkujdesje për kuptimin e puthjes nga një këndvështrim filozofik, ndërsa më pas kalon në emocione dhe ndjenja që lidhen me përvojën personale dhe qëndrimin ndaj këtij veprimi.

Një tjetër kontrast që vërehet është mes kuptimit të puthjes  në këndvështrim filozofik dhe rëndësisë së  njohjes së këtij veprimi në përvojën njerëzore.

Kontrasti mes puthjes së analizuar e kërkimit për kuptim të saj, në krahasim me përditshmërinë e puthjeve dhe përvojave të thjeshta që njerëzit përjetojnë, sjell një polaritet midis këtyre dy llojeve të përvojave.

Poezia e Lakos ka një tonalitet të rëndë dhe reflektues në disa vende, por ka vargje të thjeshta dhe të qarta, duke sjellë një kontrast në stilin dhe tonalitetin e saj. Në këtë poezi mbizotëron ngjyra gri e mendimit, por nëpër vargje, si vetëtimat mes reve shkëlqet e rozta e puthjes. Kjo poezi është një poezi e mendimit, por në strukturë ka vargje plot frymëzim e dritësim imazhesh.

Këto kontraste poetike e pasurojnë krijimtarinë poetike të Natasha Lakos , pasi shfaq një gamë të gjerë emocionesh, analizash dhe perspektivash të ndryshme lidhur me një temë të tillë si puthja

Pra, poezia "Intervistë për puthjen" e Lakos mund ta karakterizohet si një poezi që shfaq një gamë të gjerë kontrastesh në lidhje me temën, duke qënë një poezi me tipare metaforike e imazhiste shprehur në aspektin psikologjik dhe filozofik, ku kontrastet shprehin  ndërveprim kompleks midis ideve filozofike dhe emocioneve, duke e bërë atë një përvojë poetike të re dhe të pasur.

Poezia shfaq kontraste midis analizës së thellë të kuptimit të puthjes nga një këndvështrim intelektual dhe emocioneve që lidhen me përvojën personale. Ky kontrast në mes këtyre dy qasjeve tregon një tension të thellë midis kuptimit filozofik dhe përjetimit emocional të puthjes. Kjo është një poezi e veçantë në letërsinë shqipe dhe ajo që ka më shumë rëndësi është se ajo është një poezi e realizuar mjeshtërisht, fin dhe ëndrrandjellëse si një gur diamanti i vogël në një unazë fejese, të cilën vajza që e mba jua tregon shoqeve me krenari.

 

Sarandë, më janar 2024

 

 

 

Natasha Lako

INTERVISTË PËR PUTHJEN

 

Epo, po të të pyesnin për puthjen,

çfarë do të thoshe ti,

po të kërkoje punë,

sipas përvojës që nuk lë njeri në terr.

 

E pranoje, si një petale,

që ta pranonin, si një petale,

apo do të thoshe se puthja në vetvete është asgjë,

që të miratonin me kokë se puthja në vetvete është asgjë,

apo se puthja ka ardhur pas pyjeve të djegura

e të përvëluara nga zjarri,

që mijëra vjet më parë,

por që mund të dilte gjatë intervistës bllof.

 

Një tundje miratuese koke, ose një dështim,

ose një mëdyshje e madhe kur puthja quhet,

e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje, të cilat bota i njëson,

a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër,

gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe,

të puthjeve edhe më të mëdha.

 

Pyete puthjen vetë çfarë ka parë,

këtë copë të mbetur qindramijëravjeçare,

që edhe një tjetër të paktën,

puthjen, ta ketë një copë të mbetur mijëravjeçare.

 

Por mos i beso, torollakët,

që pyetjen për puthjen thonë mos e beso,

megjithëse është gjëja më e sigurt