Sunday 22 August 2021

 

PETRIT RUKA YNË

 

Nga Timo Mërkuri

 

Sot ka ditlindjen Petrit Ruka, miku im dhe i të gjithë atyre që shkruajnë e lexojnë letërsi dhe  poezi në veçanti. Njeriu Petrit Ruka nuk pati dhe nuk  ka asnjë armik, poeti Petrit Ruka nuk pati dhe nuk ka asnjë rival: një fenomen i rrallë ky në kohën tonë, në vendin tonë.

        Persosnalisht jam njohur von me Petrit Rukën  në një nga “Manifestimet tona të Triremës Joniane” në Sarandë  në vitin 2015, kohë në të cilën nisi një miqësi e bashkëpunim intensiv,  por me poezinë e tij jam njhur qysh në vitet studenteske  dhe sa herë që gjeja krijime të  tij në organet letrare ( apo portale më von),  më dukej se në “lumin” ujëkthjelltë të  poezisë  shihja tek shkëlqente një copë floriri dhe “hidhesha” ta rrëmbeja.  Çuditërisht këto “copa floriri” nuk qenë të ngurta dhe ca më tepër, porsa i “mirrja” në dorë ndjeja  nëpër vargje një si përpëlitje, një si rahje zemre të një zogu të vogël kur e mer në dorë. Aty kuptova se këto nuk qenë “copa metali floriri” por qenë copa shpirti të florinjtë që Petrit Ruka e shkëpuste nga vetja dhe jua jipte vargjeve që ti shpirtëronte. Prandaj ishin gjithmon të gjalla vargjet në poezitë e tij. Duke qënë se këto “vjersha të florinjta” u bënë të shpeshta gjatë shëtitjeve të mia në rrjedhën e lumit të krijimtarisë poetike,  më ngjitën dhe mua  “ethet e arit” dhe mu krijua bindja se lumi poetik i Petrit Rukës buronte në ndonjë rezervat floriri nën tokë.  Besoj se të gjithë jemi dakort që poezia e Petrit Rukës të lbyrte sytë, të trazonte mëndjen dhe ndjenjat, të zgjeronte shikimin për të parë thesare kudo rreth teje, ta bënte të dashur vendin dhe njerzit, ta “shndronte Vlorën në Mekë”. Të gjitha këto vlera i shtyjnë shumë krijues dhe dashamirës të tij, madje dhe lexues të zakonshëm që, nisur nga vlerësimi i poezisë ta quajnë Petrit Rukën “një poet i madh” dhe që deomos duhet ti ngrihet busti diku.                

      Mua, të më falni ju lutem, nuk e di pse kjo frazë  mbi “poetin e madh” që i duhet ngritur busti patjetër më tingëllon si  krisja e një dege të tharrë lisi kur thyhet nga era. Sepse edhe lisave në rritje u thahen disa degë për tu rrutur të tjerat. Le të mendojmë pakëz mbi krijimtarinë e Petrit Rukës. Askush nuk gabohet po ti quajë poezitë e tij “të arta” në të gjithë kuptimet e kësaj fjale, madje jam i pari që i çmoj të tilla. Veçse në letërsinë shqipe ka shumë poetë që kanë krijuar vlera të tilla letrare dhe Petrit Ruka është mes tyre si njeri nga ata.

      Megjithatë Petrit Ruka dallohet në një aspekt tjetër  nga të gjithë poetët bashkëkohës apo të mëparshëm. Talenti i tij e kishte honestrën (rezervuarin, burimin) në brendësinë e “florinjtë” të shpirtit të kombit, te arti oral shqiptar, aty ku ishin strukur baladat dhe identiteti  ynë.  Ai, si një “poet magjistar” ringjalli dhe ripruri baladat shqiptare të stërmoçme në kohën tonë, duke shkundur prej tyre pluhurin e epokave, duke flakur përtokë  mbetjet e veshjeve fetare të dymijë vjetëve  të fundit dhe duke na i paraqitur ato me “veshjen” origjinale të epokës së tyre. Ishte njësojë si  të nxjerrësh nga rrënojat e antikitetit statujat e tyre, ti pastrosh nga balta, tu riparosh thyerjet dhe ti rivëshë në piedestal duke i thënë botës dhe kohës: Ja si ka qënë kjo statujë! Shikojeni dhe studiojeni!

             Dikush do më thotë që një punë të tillë ka bërë dhe Jeronim De Rada kur mblodhi këngët e “Një rapsodi arbëreshë” apo Mitrush Kuteli kur shkroi “Tregime të moçme shqiptare”.  Këtu ka një të  vërtetë dhe Petrit Ruka duhet të krahasohet me ata të dy së pari. Megjithatë dhe kjo duhet plotësuar dhe më lejoni ta sqaroj: De Rada i mblodhi këngët popullore dhe i botoi në gjëndjen që ato ishin, plot tym dyfeqesh e pluhur lufte mbi pelerinë dhe Mitrush Kuteli i paraqiti në prozë, me një shqipe të pastër, duke i bërë të lexueshme, të kuptueshme dhe të dashura për të gjitha moshat, të gjitha shtresat në të gjitha krahinat shqiptare.

               Petrit Ruka bëri shumë më shumë se kaqë. Ai i mori baladat siç kishin ardhur në kohën tonë plot pluhur shekujsh e roba fetare, u shkundi pluhurin dhe u hoqi veshjen zhele,  siç u hiqet statujave balta e ngjitur apo myshku i mbirë mbi to. Edhe kaq do ishte një ndërmarje madhore sepse do ti tregonte botës moderne njeriun pagan shqiptar, njeriun autokton, por ai nuk u mjaftua me kaqë. Ai ndërmori një nismë që i kalonte kufijtë e një “poeti të madh”. Ai i rikrijoi ato edhe një herë artistikisht duke u dhënë një paraqitje bashkëkohore, ndërkohë që u ruajti shpirtin e origjinal. Ato tani duken thjeshtë si baladat origjinale të periudhës së krijimit (fundi i matriarkatit - vijimi i patriarkatit) që gjallojnë në  letërsinë moderne.. Njësoj si statujat e antikitetit të pastruara nga arkeologët dhe të ekspozuara nëpër muzeume, por që “ndonjë” Petrit Rukë u ka dhënë edhe shpirt. Shpirtin e jep vetëm Zoti dhe …poeti.

          Petrit Ruka  i “shpirtëroi” baladat mjeshtërisht, duke  na treguar se këto  janë thjeshtë  balada shqiptare (kot kërkojnë ti paisin me pasaportat e tyre vendet fqinjë) dhe se populli ynë nuk ishte ndonjë popull “i egër” shpellash por ishte një popull që krijoi artin oral shqiptar i pari ndër gjithë kombet. Kaq mjafton që ne sot të krenohemi se jemi bijtë e Ajkunave dhe vëllezërit e Kostandinit.

              Ndaj miqtë e mi, mos nxitoni t’i ngrini bustin Petritit, se ky “i tepelentë” do ngrihet e do e shkrijë vetë, si Selam Musai i Agim Shehut. Unë do t’ju ftoja tja ngremë “bustin” ashtu siç do i pëlqente Petritit, të marim  kopjet e librit të tij të fundit “Andej baltë, këndej erë”, të shkojmë  para Parlamentit dhe t’jua japim  (falas) nga një kopje çdo deputeti. Ka rezik që deputetët të mos e lexojnë fare, prandaj duhet biseduar me njerin prej tyre (sigurisht që duhet të jetë një deputet i “tepelentë”) që në vend të fjalimit, në foltoren e Parlamentit  të nisë të lexojë një baladë të Petritit, psh baladën Kostandini dhe Doruntina. Jam i bindur që deputetët e sallës në fillim do qeshin, pastaj do e dëgjojnë me vëmëndje baladën që lexon kolegu në foltore dhe shumë shpejt nuk do e dëgjojnë fare, se do nisin ta lexojnë vetë  librin. Sigurisht që do bllokohen punimet e një séance parlamentare, por do fitojmë e do shqiptarizohen plot njëqintedyzetë deputetë, Me siguri që këta deputetë  në një seancë “do marin” (dhe duhet ta marin) një vendim që ky libër të ribotohet dhe leximi i tij të jetë pjesë e detyrës së punonjësve dhe titullarëve të ministrive, gjykatave, policive, madje e gjithë punonjësve të supërstrukturës shtetërore si dhe të jetë lëndë mësimore në shkolla dhe universitete…

            Shumë shpejt do shikojmë se rinia sdo kërkojë të largohet nga vendi, nëpunësit do jenë të sjellshëm me popullin, qeveritarët s’do zgjatin duart drejt tenderave, qeveria do qeverisë dhe vendi do ecë. Kjo nuk është ëndër. Ky libër ka brenda vetes ilaçin e shërimit të “sëmundjes” të pushtetit, sëmundje “ngjitëse” që dobëson Shqipërinë dhe shqiptarinë. Me shërimin e kësaj “sëmundjeje” fillon epoka e profetizuar nga Naimi : Për Shqipërinë/ Ditët e mira/ Pas kësaj vijnë.

Ky është monumenti që do t’i ngrihet dhe duhet ti ngrihet Petrit Rukës, se ai nuk punoi për vete (ai vetë qe i papunë 15 vjet) por punoi për vendin e tij dhe krijoi një vepër që vërtet mund të edukojë një popull.

Petrit Ruka nuk qe thjeshtë “një poet i madh”, ai qe shumë më i madh se kaqë.

           

Sarandë, më 21 Gusht 2021

Friday 6 August 2021

 

NEÇO MUKO DHE LIBRI “L Y R A”

Në vend të një falnderimi për Niko Kotheren

 

 

Nga Timo Mërkuri

 

 

     I- Emrin e Neço Mukos e kanë dëgjuar shumë veta sidomos admiruesit e këngës isopolifonike himariote, madje dihet fakti që: ai bashkë me një grup shokësh ndërmori dy udhëtime drejt Parisit, ku në shtëpinë diskografike PATHE inçizoi këngën e re himariote. Në këtë kontekst përmëndet me entusiazëm edhe emri i Tefta Tashkos si pjesmarëse në këto inçzime duke i atribuar  shpesh herë  rol më të  madhe se sa ka patur realisht.  Ndërkohë  lihen në haresë emra që koha e djeshme donte “ti haronte” medoemos. U tentua  të mbulohej me haresë edhe emri i vetë korifeut Neço Muko, por haresën mbi të e davariti vetë kënga himariote si dielli që davarit mjegullën. Pak veta, kryesisht njerëz të fushës së muzikës dhe artit gojor shqiptar dinin diçka mbi novacionin e Neço Mukos në këngën isopolifonike shqiptare ndërkohë që linin në heshtje kontributin e tij në lëvrimin këngën e lehtë, shqiptare, futjen në Shqipëri të këngëve të muzikës së lehtë të vendeve europiane, lëvrimin e serenatave në Shqipëri si dhe lëvrimin e parodive dhe skeçeve, aq të zakonëshyme për grupin. Nuk dinin shumë gjëra banorët e Sarandës ku grupi ushtroi aktivitetin e tij disa vjet radhazi e jo më të dinin nëpër qytetet e tjera të vendit. 

    II-  Shumë gjëra mbetën enigmë mbi këtë grup djelmoshash të rinj me aktivitet në qytetin e Sarandës, por edhe sot në këtë qytet  asgjë nuk të sjell në kujtesë grupin dhe aktivitetin e tij.. Asnjë rrugë nuk mba emrin e tyre, asnjë pllakë përkujtimore nuk kujton veprimtarinë e tyre artistike, madje shumë banorë nuk dinë ku ishte skena ku ata jipnin çfaqjet e tyre të përjavëshme. Të rinjtë këndojnë serenatat korçare dhe nuk e dinë se një pjesë e tyre kishin autor teksti Neço Mukon dhe ishin kënduar së pari në Sarandë. Nuk e dinë përbërjen e grupit, kush ju bashkua grupit në Paris, cilat këngë kënduan ata dhe si u rodhi jeta më pas. Ndërsa për ezistencën e librit “LYRA” të Neço Mukos numëroheshin në disa dhjetra  ata që dinin diçka, se ata që e dispononin këtë libër numëroheshin me gishtat e dorës në krahinën e Vlorës, Himarës, Tepelenës, Sarandës dhe  Gjirokastrës. Kjo edhe për vetë “fatin” e trishtë të librit të parë dhe të vetëm të Neço Mukos.

        III- Libri “LYRA” u botua në Tiranë në vitin 1930 me një tirazh të kufizuar dhe përmbante 53 krijime të Neço Mukos të cilat ai i detajon në:-“Këngë moderne, popullore, patriotike, komik, sentimentale, satirike, monologë, komedira etj”, por ajo që duhet theksuar për këtë përmbajtje është fakti se: të gjitha krijimet janë inçizzuar në disqet e firmës PATHE në Paris dhe se të gjitha janë krijime të Neço  Mukos  Pra veçse këngë himariote, të cilat mbajnë vulën e stilit novator të Neço Mukos, aty janë inçizuar edhe skeçe, këngë humoristike, satirike, komedi monologë të cilat më parë janë interpretuar në skenën  e vogël të qytetit të Sarandës nga grupi i vogël i quajtur“Pif- Paf” që kishte në përbërje Neço Mukon, Koço Çakallin, Pano Kokaveshin dhe Andrea Balën.

       IV- Realisht në pllaka janë inçizuar edhe këngë të muzikës së lehtë të këngëtarëve shqiptarë dhe të huaj që ju bashkëngjitën grupit në Paris si Tefta Tashko Koço –soprano- studente në Konservatorin i Monpellierit, nga Korça, Llambi Turtulli –tenor, student i artit të këngës në Milano nga Korça, Dhimitër (Mitro) Rumbo bariton amator, lindur në Stegopull, Tula (Aristula)  Paleologu, Artiste e valles klasike lindur në Stamboll, Klea  Georga Artiste e  Teatrit Kombëtar  “Odeon” në Paris, rumune si dhe orkestra e drejtuar nga  Maestro Godfry Andolff- pianist.

         V- Siç thamë libri “LYRA” u botua në vitin 1930 në Tiranë pas kthimit të grupit nga Parisi ku kishte realizuar inçizimet e udhëtimit të dytë. Në qoftë se  përmëndim faktin që këto inçizime ishin të suksesëshme, duhet të shtojmë faktin se fati i disqeve dhe aparateve të gramafonit ishte shumë i trishtueshëm për arsye se: me të mbritur në portin e Sarandës, ato u bllokuan nga zyra e Përmbarimit. Arsyeja ishte se për këtë udhëtim dhe realizimin e inçizimeve Neço Muko kishte marë para borxh te një tregëtar, duke vënë si garanci pasurore pikërisht disqet dhe gramafonët. Gjyqi i dha të drejtë tregëtarit me argumentimin se ishte vonuar afati i shlyerjes së huas dhe antarët e grupit humbën burimin e vetëm financiar që shpresonin. Në këto kushte  Neço Muko boton me numër të kufizuar librin e tij “LYRA” (Vol.I.) të cilin e kishte projektuar ta botonte në dy e më shumë vëllime. Shitja e librit eci shumë ngadalë sepse njerëzit e interesuar kishin blerë gramafonë dhe disqe me të cilat i dëgjonin këngët të inçizzuara pa qënë nevoja ti lexonin tekstet e tyre në libër, kështu që Neço Muko u detyrua ti çonte librat e mbetur te shtëpia e tij në Himarë ku edhe mbetën pas vdekjes së tij në vitin 1934. Në vitin 1940 në kohënn e luftës italo-greke shtëpia e tij u bastis dhe librat u flakën në rrugë e pellgje. Po ashtu librat (dhe fotografitë) që kishin antarët e tjerë të grupit nëpër shtëpitë e tyre u bënë objekt bastisjesh dhe sekuestrimesh të italo-gjermanëve dhe më pas të regjimit komunist. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se këto kopje të sekuestruara nuk u administruan zyrtarisht, që të mund të gjëndeshin. Fakti që asnjë kopje libri nuk gjëndet as në Biblotekën Kombëtare (sipas Niko Kotherja) e mbështet këtë  konkluzion.

         VI-  Një kopje të këtij libri e dispononte  Niko Kotherja, aktualisht drejtor në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, i cili mbi këtë bazë reale, me një pro-gram të detajuar dhe grup pune ndërmori nismën e rrallë të botimit anastatik të librit, shoqëruar me dy studime që plotësojnë mangësitë e dokumentimeve biografike të antarëve të grupit.

        Kështu, duke kërkuar  me këmbngulje arin të gjejë dhe dokumentojë jetën e  Dhimitër Rumbos, aktivitetin e tij luftarak gjatë luftës Nac. Çl. dhe fatin e tij tragjik në 9 dhjetor 1959, peripecitë e dënimit të Pano Kokaveshit në vitin maj të vitit 1946 si dhe jetën artistike të Tula Paleologut.                                         Mbi bazën e librit original bëhet bën një botim anastatik i librit “LYRA”. Botim anastatik do të thotë një tip fotokopjimi të librit original, pa bërë asnjë ndërhyrje në tekst dhe në forma-timin e faqeve. Kështu ky botim ka dalur me gërmat dhe formatin e botimit të vitit 1930, duke ruajtur vlerat e tij origjinale, aq më tepër që libri nuk ka mungesa apo dëmtime faqesh apo pjesë tekstesh. Referuar mbi këtë botim shohim tekstin original të këngëve, pa ndërhyrjet e mëpasme (si psh te kënga “Vajz’ e valeve” në të cilën ndërhyri Petro Marko për ti dhënë tingë-llimën bashkëkohore vargjeve të këngës) si dhe numërin e vargjeve të kënduara dhe inçizuara nga vetë Neço Muko në firmën PATHE. Sqarojmë se tekstet e këngëve janë shumë të gjata ndërkohë që va5rgjet e inçizuara janë  shumë të pakta.

        VII- Sikur dhe me kaq të ishte mjaftuar Niko Kotherja  dhe shokët e tij në Ministrinë e Kulturës, do t’u ishim mirënjohës për prurjen e librit, por ata e ka shtrirë më tejë punën e tyre kërkimore. Me një këmbngulje dhe pasion kërkuan dhe gjetën disa disqe të viteve 1929-1930, i trajtuan ato shkencërisht dhe “morën” prej tyre këngët në mënyrën më të mirë të mundëshme, duke i hedhur në një sidi që bashkëshoqërton librin. Janë dymbëdhjetë këngë të mbartura në gjëndje relativisht të mirë që përcjellin zërin original të këngëtarëve pikërisht në inçizimin e tyre në PATHE në vitet 1929-1930. Tejë vlerës sentimentale këto këngë mbartin e na tregojnë stilin e parë të këngës himariote të krijuar nga Neço Muko, sepse  më von kënga himariote mori tingëllimën që i dha Dhimitër Varfi dhe ëmbëlsinë që i hodhi nëpër vijën melodike Katina Beleri. Kjo është një fushë e hapur për studime muzikore të këngës himariote, për ecurinë cilësore të vijës së saj melodike që i jep aq jetë, gjallëri e bukuri kësaj kënge. Na tregojnë zërin brilant të  Tefta Tashkos, Dhimitër Rumbos e Llambi Turtullit në fillimet e tyre, zëra që nuk janë më poshtë në nivel se ai i artistët e tjerë si Tula Paleologu dhe Klea Georga.

  Është një nga librat me një pasuri të pallogaritëshme, të gjithanëshme, që të mëson e tregon vizione të panjohura deri më sot.

 

Sarandë, më korrik 2021    

                                               

 

Dr. Bardhyl Maliqi

 

PERSONALITETI I SHUMËFISHTË I TIMO MËRKURIT

 

Të jesh njëherësh ekonomist mjaft i mirë, por edhe krijues i shumëfishtë si Timo Mërkurit nuk është e lehtë. Studimet ekonomike atij i dhanë idenë e bilancit, të suficitit dhe deficitit buxhetor, konceptin e analizës ekonomiko-financiare dhe praktikat e tyre në realitetin e Shqipërisë. Ndaj ai e kuptoi shpejt dhe mirë se me fjalën nuk duhet tepruar, teprimi sjell proliksitet, por edhe strukturat elipsoide *mungesore apo konciziteti i tepruar krijon probleme dhe keqkuptime, Ai gjithashtu e kuptoi mirë se të gjitha analizat në parim janë njësoj, por në fusha e ndërmarrjet përkatëse ka ndryshime të vogla strukturore, terma e fjalor të ndryshëm, por rrugët janë po ato.  Ndaj Timo është kaq i saktë në përdorimin e fjalës!

        Timo Mërkuri u shfaq së pari si poet lirik, qysh në moshën shkollore, por një poet i veçantë ama, pa ujra në poezi, metaforik e simbolik njëherësh. Një poezi sintetike, pa tepri, por do të thosha se është në gabim kush thotë se ajo është hermetike. Poezia e Timos është shumë e kuptueshme për njerëzit mendje hapur, si argument mund të merrja dhjetëra shembuj, por po mjaftohem me disa tituj librash, p.sh. libri i parë titullohet “Bulevardi i dhimbjes”, i dyti “Loti i detit”, cilido e kupton se për çfarë arti është fjala. Nuk ka nevojë për statistika, se rrugët dhe bulevardet tona ende janë të përgjakura prej ngjarjeve të ’97-tës, prej krimit dhe prej aksidenteve rrugore. Kështu, jo vetëm rrugët, por edhe deti qan nga mijëra të mbytur gjatë shtegtimit në rrugët detare apo tokësore të fatit.

         Timo mblodhi si Thimi Mitko, De Rada, Fatos Mero Rrapaj e Veis Sejko këngë burimore me tituj të gjetur e mbresëlënës, si: “Iso more djema”,“Te Lisat në Shënkoll”, “Gjerdan i këputur” , “Ku hardhia pikon vesë” etj. Mbledhja e lëndës folklorike të krahinës së tij dhe botimi i 5 librave me këtë lëndë të pasur e të çmuar gojore popullore në të vërtetë është themeli i vërtet ku u mbështet ngrehina e tij studimore, ajo i dha atij lëndën e parë, sensin e masës  dhe figuracionin fin të pa konsumuar nga të tjerë. Me këto e mëkoi gjyshja dhe i ati, se nëna i vdiq shpejt. Kjo e mbron atë edhe nga kopjimi. Ne kur flasim për artin jonian në kuadrin e krijuesve jugorë të paktën numërojmë si  të parë atë që ka botuar më herët, por në të vërtetë ai është poet proliks dhe i ndikuar nga poezia e Ricosit, të përkthyer dhe kopjuar keq nga italishtja. Timua  në këtë kuptim është më i pastër dhe me sintetik.

         Mbledhja dhe qasja shpirtërore ndaj folklorit bëri që ai të shkruajë dhjetëra shkrime e disa libra për iso polifoninë dhe veçoritë e saj në raport me këngët polifonike të popujve të tjerë. Për Timo Mërkurin isoja është deti ku noton kënga polifonike. Ndaj ai këmbëngul tek ky thelb dallues, i cili ndikoi në pranimin pa rezerva të iso polifonisë si vlerë e veçantë krijuese dhe u pranua prej UNESKO-s si i tillë. Vëreni si i titullon librat e tij në këtë fushë arti, ku studimi dhe krijimi letrar përbashkohen: “Madhëria e saj – kënga iso polifonike”, “Shenjtëria e isos”, “Vesa mbi këngë”, apo “Identiteti isopolifonik”.

         Ne nuk mund të rrimë pa përmendur edhe veprat e tij poetike dy gjuhëshe si Poezi shqip-greqisht apo “Δάκρυα της θάλασσας”-“Lotët e Detit”, si arritje të vlefshme. Por Timo e ka provuar penën edhe në vepra në prozën e gjatë si tek novela “Thomai  që mbolli kripë”, një qesëndi apo satirë e lehtë me disa tipa dhe karaktere. Ai ka botuar edhe vepra në fushën studimore si për shembull: “Epoka që verbon poetët”, “Kur flasim për artin jonian”,  “Vajza e valëve” për Neço Mukën dhe sprovën “Honestra e këngës himarjote”  apo artikujt për Lefter Çipën dhe Këngën Pilurjote, ashtu si ka shkruar pa rreshtur për këngën iso polifonike gjirokastrite, zagorite, përmetare etj. dhe veçoritë krijuesve të korifenjve të kësaj kënge etj.

        Shpesh unë dhe Timo Mërkuri kemi një qasje shpirtërore me krijuesit nga Kosova dhe Serbia jugore, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi  etj. natyrisht këtu përfshihen edhe preferencat individuale kjo është arsyeja, që rrallë jemi përafruar në emra apo autorë të njejtë, përjashto Albina Idrizin ktijimtaria e së cilës ka admirimin e të dyve.

            Ndaj këtu, objekti kryesor imi në fakt është libri më i fundit i Timo Mërkurit, një libër studimor me një varg shkrimesh rreth disa veprave letrare të krjuesve të Kosovës Lindore “Letërsia si shpëtim nga “Rrufetë zeusiane””, botim i Shtëpisë Botuese “Beqir Musliu, Gjilan 2021. Në këtë libër Timo  Mërkuri, por edhe ne të tjerët, theksojmë se poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri në kufij të skajshëm artin e tyre në poezi dhe në prozë, ndaj është e pasur me metafora dhe simbole dhe e parë mnë këtë këndvështruim, kjo letërsi nuk është aspak hermetike dhe moderniste.   

             Në këtë kuptim Pavarësia e Kosovës do të thosha unë e “dobësoi” artion poetik  në figuracionin shprehës, pasi në të u turrën grafomanët, që nuk i bashkon asgjë me artin poetik.   Të gjitha shkrimet e Timos për këtë poezi apo prozë e pasurojnë ndjeshëm artin tonë studimor në tërësi, por edhe në thellësi. Le të thonë disa se “ata që morën pjesë në Kongresin e gjuhësisë të 1972-shit nuk kishin formim të plotë gjuhësor apo letrar”, kështu mund të thonë edhe për Timo Mërkurin se nuk është shkolluar për gjuhë dhe letërsi, por le ta provojnë të maten me të! Ai i qaset më tepër në këtë drejtim poetit, prozatorit dhe studiuesit Fatos Arapi (ekonomist si Timua në profesion.) por unë do të thosha në rastin e Timos atë që pohon Ndue Ukaj tek studimi i tij “Koha për një gjuhë të qartë”:

 “Përgjatë viteve të fundit, ne e kemi injoruar atë çka është esenciale për një shoqëri: pushtetin e gjuhës, dhe mundësitë e pakufishme që ka ajo për të formësuar të vërtetat politike, kulturore, ekonomike e sociale. Kemi injoruar mundësitë që ka ajo për të ndikuar te tjerët: te formimi i botëkuptimeve dhe bindjeve për çështje specifike të shoqërisë. Për pasojë, kemi trilluar autoritete të rreme, që bazohen te forca e ndëshkimit,..”

            Timo Mërkuri  e bën analizën e krijimeve duke depërtuar brenda shkrimit dhe duke qenë aktiv dhe jo si soditës nga jashtë. P.sh në analizën e poezisë Çoje vetullën Idriz Seferi i drejtohet poetit Sabit Rustemi me fjalët. “Shihe pak me vëmendje, o Sabit Rustemi, shihe Idriz Seferin.Me ato vetull të ulur mbi sy ai nuk po sheh sheshin e Gjilanit, por po sheh diku më larg...” fq. 61 dhe vazhdon: Ndaj sulu vrik në Prishtinë e ngrije atë flamur miku im dhe me ‘të, së pari fshiji sytë e përlotur Idriz Seferit, e më mbrapa ngrije te vendi më i lartë i Prishtinës. Nisu si plumbi, se je më pranë, ndaj mbërrin më shpejt, e unë po. nisem sa ora e të mbërrij tek të jesh me flamur në dorë. Dhe ashtu sup më sup do shndërrohemi në shqiponjën dykrenore të atij flamuri. Atëherë do shohësh si do ta çojë atë vetull Idriz Seferi, do t’i ndrijnë sytë e do të këqyrë me dashuri. Fq 63

         Timo Mërkuri shkruan gjatë për poetin Sabit Rustemi. Ai është mjaft i njohur ndër ne, boton në gazetat letrare në Shqipëri, organizon takime poetike, manifestime e konkurrime në kuadrin e klubit letrar “Beqir Musliu”, na ka ftuar në Gjilan dhe ne e kemi ftuar në Sarandë, por këto i them unë, pasi në kuadrin e analizës poetike nuk kanë pesha specifike të posaçme. Kur Timoja qëndron tek poeti Sabit Rustemi thotë: . Kjo ndjenjë dukej se reflektohej në subkoshiencën time nga vargjet e poezive… E diela e dashurisë…

Le të jetë kjo dita e faljeve / për mëkatet që nuk i themi/ E diel e dashurisë/qoftë çdo ditë… teksa ti këndon lutjen e re… Hyjnesha ime/ mos më le pa atë që ma more…dhe…Hyjnorja ime/ e kam pritur këtë orë lumturimi/kam jetuar/për ta dëgjuar magjinë e këtyre buzëve…të dua fq 17

Përkundër kësaj dukurie, Timo thekson se përmbledhja dyvellimëshe e Sabit Rrustemit “Hyjnorja ime je ti”, e mbushur me krijimtarinë gati dyzet vjeçare të autorit, është si  një pyll vetëm me pemë e fidanë dashurie. Është rasti i parë në letërsinë shqipe që jepet një përmbledhje e tillë vetëm me poezi dashurie, leximi i të cilave të fut në një botë gati magjepsëse. Fq 20 të librit të tij.

Timo Mërkuri thekson atë që duket se është thelbi i kësaj eseje për artin, se në Malin e Çepurit e ka selinë poezia e Sabitit si Apoloni në Olimp.

… Fle rrëzë Çepuri/erën e tij prej mali thith …Tërë natën e lume/nëpër faqe lulesh e gjethesh / strukem / e nuk bëj zë…, duke kërkuar dashurinë…të shoh në çdo lule / peme e flatër zogu… sepse edhe vendi ku takohen të dashuruarit është i shenjtë ose shenjtërohet me dashuri: …Çepuri/deri n’atë kupë të qiellit shpërthen/për Ty moj Peri… Aty ku takohemi/në cilëndo botë/përmes të përzjarrtës dashuri/diell të ri krijojmë…

Timo thekson se poezia e Sabutit na thotë se të krijosh një diell të ri do të thotë të krijosh një botë të re, të krijosh një jetë të re. Këtë magji e ka vetëm dashuria dhe e shpreh kështu magjishëm vetëm Sabit Rrustemi. Lexojeni dhe jetojeni poezinë e tij, më të bukur do t’ju bëjë, ju siguroj unë, na këshillon Timo në fq. 20. -

         Poeti i këndon dashurisë si një ëndrre të bërë realitet vetëm për të personalisht dhe për rrjedhojë, ka  bindjen se ai, i dashuruar, do jetojë përjetësisht, se vetëm ai e njeh dhe e ka provuar dashurinë, çelësin e përjetësisë dhe Timo Mërkuri citon në librin e tij vargje të shumta të poetit:

… Bota gënjehet nëse mendon/se mund të jetojë pa ne/e dashur…Ajo ëndërr që nuk po e shoh/dashuria ime është. /. Vetëm po e ndjej se e dëshiroj/ orë e çast po e jetoj…ti je e paprekshmja ime/…ëndërr që nuk shihet/e një jetë të tërë kërkohet… Ecejakeve pas një ëndrre/na mërdhinë fjalët/ / E dashur/acar fjalësh mërdhiu dhe motin/ Mua jotja mungesë … sepse……kjo botë / është krijuar nga dashuria… fq 26

E pra, s’paska droje ky bard të flasë për dashurinë, madje dhe vetë Zotit i qëndron përballë

”Nëse asht mëkat/me dashtë/mos më fal o Zot/Kam me e dashtë përditë/nga çasti në çast/Vullnetarisht e pranova/këtë fat” madje dhe në mot të hidhët…”një shi si ky moti e kam ëndërrue/dhe ty dhe ty moj/tek ai shteg Çepuri/degët tuj m’i shkundullue” dhe…”Një pamje luleje/me aromë Çepuri /përfiton syve me pranverë” prandaj i thotë vashës … “Laj sytë me një puhi mali/a gurrë Çepuri/dhe nisu” sepse…”Vetëm unë/si një pikë e fundme uji/tek ajo rrënjë luleje kam ngelur/dhe Çepuri”. Fq 29

4. (Kujtesë e harruar)

Në kulmin e terrorit serb në Kosovë ishte Sabit Rrustemi poeti që guxoi të shkruajë kundër Titos poezinë  “Plakja e Zeusit” me vargjet fshikulluese kundër tij si:  Po plakesh /Tash asgjë nuk të kujtohet/ As lëngu i ançarit/ Humbe lumit të madh i vockël/ As zot/ As yrnek/ Kot bëhesh servile/ Fëmijë reprize /Ushtron cacitjen /Me shkopin mashtrues/ Prej ballit kodër/ Vëngër vështron/ Presat e vdekjeve kah ndërrojm fq 49 Plakja e Zeusit

         Timo Mërkuri shkruan e sqaron pse poeti Mirko Gashi është një autor gati i panjohur tek ne në Shqipëri, sepse ai nuk është lakuar e lëvduar nga kritika e kohës. Po ku qëndron sipas Timos merita e tij. Përmes një kinse “lojë fjalësh” e një figuracioni që më shumë i ngjan lojës së gjetheve të lisit kur fryn era, poeti shkruan një manifest rezistence e proteste, sa të thellë nga mendimi, sa të fortë nga guximi aq dhe vizionar nga qëllimi…

Ashtu i lidhur/i thoshte grigjës në Golgotë/qëndro ime bijë qëndro im birë/për fenë dhe kombin/ju jeni martirë….Në oborrin e Isës/pleq e të rinj/plaka  e të reja/Shikojnë/ pentagramin e ylberit/ dëgjojnë/ cicërimën e ngjyerave/Përroi i Maksimit/u shterr nga zilia… fq 9-10

Varr varr e varr/Istukë Gostivar e Tivar / Po ji gëzuar/mos rri me lot/sonte niset hëna e plotë / Nëpër guaca po fle gaca/sonte niset hëna e plotë…ose… Sonte është Nata e madhe/Betoven tani e di/si lindi/Oda e Gëzimit… Në bebëzën time/hyri më parë shqiponja / prej bebëzës vetëton vetëtima…fq 10

       Timo Mërkuri zbërthen faktin  se janë dy elemente që e kanë ndihmuar Mirko Gashin në shmangien e ndëshkimit të policisë serbe  për artin e tij poetik: Së pari gjuha që e përdor poeti është një gjuhë e thjeshtë, gati e zakonshme e qytetarëve të thjeshtë, por që ai diti ta “punojë” si një dru lisi, që gdhendet bukur për një portë shtëpie a tavolinë dhome. Ai realizoi me fjalorin e thjeshtë atë art që nuk e kishte realizuar askush. Gjuha e thjeshtë në vargjet e tij përthyhet në shtatë drita, siç përthyhet rezja e diellit në prizëm duke na dhënë një “ylber” ndjenjash e mendimesh. Lexuesit jo vetëm e kuptojnë gjuhën e poezive të tij, por edhe e admirojnë dhe e përvetësojnë, ndërkohë që shteti kalonte indiferent pranë poetit dhe fjalorit të tij të “rëndomtë”. Në këtë indiferencë pushtetore ka luajtur rolin e saj edhe paraqitja prej bohemi e  poetit.

       Së dyti ka ndikuar logjika e “fshehjes” sipas së cilës vendi më i mirë për të “fshehur” diçka të shtrenjtë është vendi “para syve” ku të tërë e shohin, por nuk e kuptojnë. Mirko Gashi jo vetëm që i publikonte poezitë e tij në organet e shtypit, po edhe i deklamonte ato në grupe shokësh në kafene dhe vende publike. Ata që e kuptonin poezitë i shkruanin nëpër fletoret e tyre, ndërsa ata që kishin misione suverjimi, nga që s’kuptonin gjë nga vargjet e tij, qeshnin me këtë bohem zhurmaxhi dhe largoheshin. Fq 12-13

         Në analizën e poezisë së poetes Albina Idrizi Timo Mërkuri zbërthen botën e femrës kosovare në ato vite të vështira  të të qënit femër, të të qënit nënë::

Biri im /Jam nënë, dhe/ më qeshet kur gëzohesh ti/ më dhemb atje ku lëndohesh ti.../ Jam nënë, dhe/ mund të fal /atë që nuk falet../. Se jam nënë/ vetëm se jam nënë….

Kur mendon se këto vargje, oqeanike për nga dashuria që mbartin, vijnë nga Gjilani, një qytet i vogël i Kosovës së porsadalë nga ferri (i luftës dhe i shtypjes), gjëja e parë që konstaton është zemra e madhe e autores,  fq 65

E lodhur jam /si drenushë e plagosur/ plagën e thellë duke lëpi/ njësoj si imi popull… fq 65

Kurdo që të kthehesh/ ngado që të vish /ti eja/ dhe në timen jetë /Nëse nuk mundesh dot/ ...në rreze përvidhju/ ditëve me diell... apo në pikë shiu shndërrohu/ ditëve me shi fq 67

         Timo Mërkuri më ka folur para disa kohësh për poeten Peso Pemza, më ka folur veçanërisht me konsiderata që i thekson edhe në shkrimin për të, ku faktin që ajo shkruan në dialektin gëgë e sheh si pasuri e letërsisë kur thotë: Standardizimi i gjuhës nuk do të thotë braktisja e dialekteve, aq më tepër kur këto dialekte rrëzëllejnë pasuri gjuhësore, fonetike e poetike në jetën tonë. Aq më tepër kur dialekti gegë i ka dhënë historisë së letrave shqipe kryevepra qysh në hershmëri të jetës së kombit tonë. Eposi i Kreshnikëve është një mal që nuk fshihet dot nga historia dhe që vazhdon të dëshmojë metaforikisht forcën e Mujit dhe bukurinë e Tanushës. “Lahuta e Malcis” gjëmon kushtrime dhe “Vaji i bylbylit” na pikon në zemër. Ndërsa Migjeni ecën i trishtuar shtigjeve malore se nuk mundi të gjejë në qytet një palë opinga për Lulin e Vocër [...] dhe citon një seri vargjesh të kësaj poeteje:

“Sa herë vizatoj një fëmijë/trishtohem/se një vijë e tepërt/mund ta bëjë të duket plak…fq. 80 baba ka hi n’uj/o voglush/s’don me i ra tamom/moshës që ka/ shtratit i rrudhet si jetimët /u menu qysh jo/për mangët e kmishës qe i teprojnë/prej se u rralluen përqafimet/ baba n’gjys ditës gëzohet/kur hija i vogëlohet. Fq 81më çoi deri në kënetë ky shi/tani e di si vajtojnë kallamat/në erë/dhe si është malli për ty..fq 81 tani kur lexoj poemën e një zogu/bindem/se në çdo fluturim drejt qielli/ai merr me veti një gjysmë lisi/sa herë që sheh zjarrin e diellit në të sosun/më parë nuk e dija/se perënditë/zgjidhkan trupa të vegjël me flatra/për banim/mu sikur dashuritë fq 81t’pata sheju si lisin plak n’vjeshtë/që e shtrijnë gjon e gjat/si djalin ma t’mirë t’fisit që e vrasin për gjak/kallxo/n’cilin rremb t’ra peni i kuq/që mbetëm pa krushq…fq 84 etj.

           Por të më falin Timo Mërkuri dhe Peso Pemza, pasi unë nuk arrij ta kuptoj këmbë-nguljen e të shkruarit në dialekte a të folme, qoftë të Hekuran Halilit që vjershëron në çamërisht apo të Pesos në dialektin gegë. Atyre iu duket sikur fitojnë simpatinë dhe duartrokitjet e lokalistëve, por ndërkaq humbasin lexuesit në masë të madhe. Ne s’mund të kthehemi mbrapa 100 vjet në kohë për të folur gegërisht apo toskërisht.

        Tre shkrime të plota i kushton Timo Mërkuri jo më vetëm poetes, por tashmë edhe prozatores së talentuar  me origjinë nga Tërnova e Bujanovcit, Albina Idrizit: Shenjtëria e fjalës, Përsëri erdhi marsi dhe Një roman ndryshe…Qysh në kontaktin tonë të parë me Albinën, në Manifestimin e zhvilluar në Gjirokastër më 2011, konstatuam talentin e veçantë të saj. Timo Mërkurit i bëri përshtypje qysh atëherë talenti i saj në poezi e në prozë, ndaj qysh atëherë shkroi shkrimin “Drenusha e plagosur” për vëllimin poetic “Dashuruar me diell” krahas një seri shkrimesh të autorëve të tjerë nga Saranda, Shqipëria, Kosova, Serbia Jugore dhe Bosnja.

           Dhe të shkruash për prozën e saj nuk është aq e lehtë pasi Albina e hymnizon, e shenjtëron dhe e lartëson fjalën edhe në aspektin polisemantik e ligjërimor, por edhe në aspektin estetik.  Jo thjesht se e para ishte fjala te Ungjilli sipas Gjonit, as pse fjala është e bukur dhe e shenjtë, se ajo ka ëmbëlsi jetëdhënëse,  se duke folur e lëmë mbrapa hijen e pritjes. Fjala mund të jetë e paktë, por kuptimplote. Libri bëhet kështu altari i fjalës së shenjtëruar të Albinës.

        Përsëri Mars është romani që tërhoqi vemendjen e të gjithëve, por edhe të Akadamikut Rexhep Qosja, edhe vëmendjen vlerësuese të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Është një vepër kundër lakmisë dhe egoizmit të paskrupullt. Timo Mërkuri diferencon karakteret e personazheve, bën përqasje me “Shpirtrat e vdekura” të Gogolit apo “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Qëllimi i përqasjes mbetet evidencimi i saktë i veprës së Albinës. Të ndërtosh varrin për së gjalli mbetet një ansurditet dhe një makabritet të çuditshëm. Ky është paradoksi i jetës dhe i vdekje.

      “Për një mëngjes ndryshe” titullohet romani më i ri  i shkrimtares nga Gjilan, një roman për temën e gjithmonshme të letërsisë – për dashurinë. Por, e veçanta kuptimisht e rëndësishme dhe arstistikisht e dukshme e këtij romani është dashuria prej autores e quajtur figurshëm “ndryshe” dhe kjo ndryshe do të thotë: dashuri me përkushtim moral shumë nderimmeritues. Protagonistja e romanit Ema dashurohet në një të ri, student, me emrin Guri, të cilin rrethanat e kobshme jetësore në mërgim e bëjnë të varur prej drogës. Dhe këtë varësi ai do ta sjellë edhe në vendin e vet, kur të kthehet prej emigrimit, natyrisht në sajë të këmbënguljes së pandalshme të Emës. Përkushtimi i Emës ndaj Gurit dhe fëmijës që ka me të, më në fund ia kthejnë jetën dhe kuptimin dashurisë midis tyre. Timua na thotë se leximi i kësaj vepre  krijon efektin e ajrit dhe të dritës dhe kjo në thelb është magjia e krijimit të Albina Idrizit.

 

Sarandë, më gusht 2021