Sunday 4 December 2022

 

DHOKSOLOGJIA E ATDHEUT

ose “Pedalimi mbrapa” i Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri

I-Shkrimin e publikuar nga Fatmir Terziu në datën 10 dhjetor 2022 me titullin “Pedalimi mbrapa” e ndjeva si një lloj shkrimi që nuk duhej lexuar, por duhej kënduar me një lloj të veçantë melodie, madje ai edhe nuk duhej të ishte shkruar në formën e prozës por duhej të ishte vargëzuar si poezi, sepse brenda tij ai ka ritmin dhe frymën poetike. Gjat këtij leximi mu kujtua se edhe poezitë e para shqipe të Gjon Buzukut , ndonëse ishin shkruar me frymën e Psalmeve poetike, ai i kishte botuar në formë proze te “Meshari” në ato motet e largëta 1554- 1555, të cilat i ktheu në formën vargore Anton Nikë Berisha[1]në vitin 2016. Në thelbin e tij ky shkrim ishte si një lloj “Psalmi” kishtar, një lloj “Lavdi” apo “Hymni” që i këndohet Perëndisë, Hyjit, Zotit në kishë apo Katedrale me kore kishtare në ditët të shënuara, veçse këtu Fatmir Terziu lëvdon, hyjnizon dhe hymnizon Atdheun me ritualin e këngës së shënjtë. Asnjë formë dhe stil të shkruari për tu kënduar nuk e hyjnizon dhe hymnizon më tepër Atdheun.

Unë nuk e di në se Fatmir Terziu ishte i ndërgjegjshëm për gjetjen apo stilin e të shkruarit dhe qasjen me hymnet kishtare, por në fakt ai është i pari që krijon një poezi (pavarësisht se në prozë) të denjë për një Hymn, Lavd apo Psalm për Atdheun. Të shkruash një Hymn për Atdheun dhe sidomos një Hymn që ti qaset tekstit (të mundshëm) për një dhoksologji kishtare, duhet ta dusah Atdheun në gjithë qënien tënde, ashtu si Apostujt deshën Zotin, birin dhe shpirtin e shenjtë. Kush i ka ndjekur në vijimësi shkrimet e Fatmir Terziut e ndjen se ky shkrim nuk është një rastësi, pavarësisht në se ai është i ndërgjegjshëm për vlerën e krijimit të tij.

II-Në praktikën shqiptare, zyrtare apo kishtare nuk kemi shërbesë që ta quajmë “Dhoksologji e Atdheut”, por kemi “Dhoksologjinë e Flamurit”, shërbesë kishtare që lëvdon, bekon dhe shënjtëron Flamurin tonë kombëtar. Kjo shërbesë kishtare mbahet në shumë kisha e katedrale ortodokse si në Korçë, në Berat, në Tiranë etj. dhe kjo shërbesë bëhet çdo datë 28 nëntor, ditën e ngritjes së Flamurit në Vlorë. Pra për Flamurin tonë Kombëtar, ndërsa kemi Hymnin e Flamurit, kemi edhe Dhoksologjinë e Flamurit. Ishte Fan Noli ai që më ka shtuar në kanonin liturgjik kishtar shërbesën, të cilën e titulloi “Dhoksollogjia e flamurit” dhe hartoi tekstin e kësaj dhoksologjie. Me anën e një terminologjie liturgjike kishtare Noli paraqet atmosferën panagjirike që krijohet gjatë këndimit të Dhoksologjisë së Flamurit me tekstin: “O Zot, që bekon dhe shejtëron, ti bekoje flamurin tonë, dhe shpëtoje shtetin tonë dhe popullin tonë nga çdo rezik dhe shtrëngicë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit nënë hijen tënde dhe vlerësona ne të pavyerit të kremtojmë këtë ditë të lavdëruar me nder, shëndet edhe ditë të gjata këtu dhe kudo. Se ti je Perëndi mëshirplot dhe njeridashës, dhe ty të dërgojmë lavdi, Atit edhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani dhe përherë, dhe në jetët e jetëve[2]”. Kjo shërbesë bëhet duke kënduar tekstin e mësipërm nga kori kishtar dhe të pranishmit.

III-Rituali i bekimit të Flamurit tonë Kombëtar zë fill qysh në datën 28 Nëntor 1912 kur Ismail Qemali ngriti Flamurin në sarajet e Vlorajve. Në një fotografi ku dallohet qartë kryetari i qeverisë së përkohëshme të Vlorës, Ismail Qemalin në praninë e përfaqësuesve të dy feve, hoxhë Haxhi Muhametit dhe at Marko Moçkës, ku këta përfaqësues të komuniteteve fetare bekuan flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenare. Kjo fotografia është botuar në numrin 50 të revistës DAS INTERESSANTE BLATT, më 12 dhjetor 1912, në vitin e 31-të të botimit të saj[3](Nr. 50. Vien, 12. Dezember 1912. XXXI. Jahrg). Pra kemi shërbesën e Dhoksologjisë së Flamurit tonë Kombëtar, por jemi ndër të paktat vende që nuk kemi një Lavd, Psal, Hymn kishtar të atdheut[4].

IV-Duke lexuar këtë shkrim të Fatmir Terziut shoh se natyra e tij është e llojit të Hymneve, Lavdeve, Psalmeve që lëvdojnë Zotin në shërbesat kishtare me ndryshimin domethënës se këtu lëvdohet, hymnizohet dhe hyjnizohet Atdheu.

Vërtet kemi nevojë për një Hymn të tillë, kemi nevojë për një shërbesë kishtare , një Dhoksologji të Atdheut, kemi nevojë që të shprehim dashurinë tonë për ‘të, sepse nuk jemi njerëz pa atdhe, nuk jemi muhaxhirë, por jemi një popull parahënor në këtë vend, që e quajmë Shqipëri.

Sinqerisht kjo mu kujtua ndërsa e lexova dhe e rilexova këtë shkrim të Fatmir Terziut, të cilin ju ftoj ta lexoni dhe ju.

PEDALIMI MBRAPA

Nga Fatmir Terziu

Nënë Shqipëri, nënë e kuqe gjaku, na mbaj afër dhe larg skuqjeve dhe përskuqjeve të reja e të vjetra. Lëreni dhimbjen të kalojë në cepin e grisur të Historisë dhe të vetë histerisë. Na mbaj. Mbajini ato lotë, mbajini ato grushta, mbajini ato skuqje, ato përskuqje. Kur budallenjtë luten që të vdekurit të ringjallen. Na mbro nga gënjeshtrat e tyre. Lërini të pushojnë. Le të gjejnë paqen viktimat e aksidentit propagandistik.

Nënë e kuqe gjaku, na mbaj fort. Kur brothma e armatës irrituese takon shiritin e papagallit dhe kafka e dehur e përshëndet gjithashtu. Rubinë iu derdh nga koka. Gjak u mbush koha, historia, jeta, rruga, e djeshmja, e sotmja, e ardhmja. Gjak! Gjak edhe nga ai ku pikojnë lotët e tij. Unë mendoj se ai mendoi se kishte vdekur. Mbajeni atë me një himn. Ftojeni panikun të shkojë në këndin e vetë. Një kurorë xhevahirësh. Mjeku ndihmës…

Shenjtore e kuqe gjaku, na mbaj fort. Mos e urreni të ardhmene fëmijëve, ose mos e romantizoni të kaluarën mes gjakut. Barku juaj, ai na bekoi. A ka mbetur ndonjë bekim për ne? Një djalë që nuk është djali yt? Një djalë që vendos kokën në një gomë të fryrë, që media e quan gomone?! Gjakderdhje në hapësirë propagandistike. Lëre të jetë të paktën një e vërtetë. Lëre në jetë! Mos ia trego rrugën e paudhë për hir të një kafshate. Mos! Mos! Mos! Nënë Shqipëri, nënë e kuqe gjaku, na mbaj afër dhe larg skuqjeve dhe përskuqjeve të reja e të vjetra.

Sarandë, më 04.12.2022

[1] Anton Nikë Berisha: “Gjon Buzuku-poeti ynë i parë” Faik Konica, Prishtinë 2016

[2] Tekstin e kësaj dhoksologjie ma dërgoi Andre Llukani të cuilin e falnderoj publikisht.

[3] Sipas shkrimit të publikuar në fb me titull ”Marko Moçka, kleriku që bekoi flamurin” të Andre Llukani të dt 29.11.2022 ku jep edhe informacionin e mëposhtëm: “Marko Moçka ka lindur në Vlorë, në vitin 1857. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në vijim u shkollua në Janinë. Studimet e larta i kreu në Sh.B.A. Në vitin 1911 atë Marko Moçka me një grup studentësh shqiptarë që studionin në atë kohë në Sh.B.A takuan presidentin Uillson, ku diskutuan për moscopëtimin e Shqipërisë. Në këtë kohë atë Marko Moçka krijoi lidhje me Ismail Qemalin dhe u kthye në atdhe. Më 28 nëntor 1912, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, atë Marko Moçka bashkë me hoxhë Haxhi Muhametin bekuan flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, të cilin valëviti Ismail Qemali nga ballkoni i sarajeve të familjes Vlora, në orën 17:30 minura. Atë Matko Moçka është botuesi i revistës “Diaspora Shqiptare”. Ai ka shërbyer në kishën e Shën Kollit në Poro të Vlorës”. Prej Andre Llukanit janë marë edhe fotografitë që shpqërojnë shkrimin.

[4]Këngë Hymn, Lavd apo Psalm kishtar të llojit; ” Zot mbroje (bekoje) Amerikën”.