Saturday 29 April 2023

 

PANDOFLA POETIKE E FATMIR TERZIUT

 

Nga Timo Mërkuri

 

Duke lexuar poezine  "Pandofla ime" të poetit Fatmir Terziut, publikuar te portal “fjala e lire” ndjen dhe kupton se ajo është një poezi modern që reflekton temën e emigrimit me gjithë pasojat dhe efektet që  ai sjell, përshkruar përmes metaforave dhe simbolikës.

 

I-Qysh në vargjet e para:Në kthim shkunda pandoflat e mia/grimca rëre të pavëna re nga sytë e mi ranë lirshëm /u bënë njësh me dheun ndanë strehës së shtëpisë në Londër/ binjakëzim, - thashë me vehte” autori përshkruan kthimin e tij në shtëpinë e re në Londër, ku qysh në hyrje të saj ai shkundi pandoflat e tij “të vjetra” që “u bënë njësh me tokën”, duke shprehur metaforikisht procesin e ndryshimit dhe “largimit” nga lidhjet me origjinën dhe identitetin e tij të mëparshëm. Kjo është e natyrëshme në emigracion ku itensiteti i jetës të le pak kohë për kujtime, mendime e përmallime nostaligjike, “grimca rëre” në jetën e përditëshme. Metafora “grimcat e rërës të pavëna re nga sytë” që bien, shfaqin një gjëndje të trishtuar të poetit dhe simbolizojnë ndarjen nga vendlindja dhe kthimin në një realitet të ndryshëm, më pak i njohur dhe më pak i dashur, që i krijon një mëdyshje mbi të ardhmen. Megjithë atë, këto “grimca rëre” që “u bënë njësh me dheun ndanë strehës së shtëpisë në Londër” nuk fundosen në harresë, por janë elementët e një “binjakëzimi” (binjakëzim, - thashë me vehte”, gjë që na dëshmon se poeti do vijojë të jetë një “ambassador” i vendit të tij me vendin që binjakëzohet. Kjo është e kuptueshme për personin e Fatmir Terziut, i cili në Londër është vërtet një Ambasador i kulturës shqiptare me ‘A’ të madhe, por mua më kujton edhe princeshën e Kaninës, Rugjinën e cila në prag të pushtimitn turk, para emigrimit në Korfuz mbushi disa arka me dheun e Himarës (prej nga iku) dhe la amanet para vdekjes që të mbulohej me dheun e atdheut që kishte nëpër arka. Fatmir Terziu ka marrë ‘dheun’ e atdheut, talentin e tij dhe në ‘të mbjell lule poetike dhe i dërgon në Atdhe gati përditë, si pëllumba të bardhë me mesazhe të ruajtjes së identitetit. Askush nuk do ti vinte faj edhe po ti haronte ato “grimca rëre”, sepse shohim që shumë burra shteti kanë haruar “male” atdheu e jo më kodra e brigje. Sa të bukura që janë ato “grimca rëre” që “binjakëzojnë” vendin tonë me Londrën, ato grimca që:zgjoi heshtjen ngjyrë vjollce/të gardiolës simpatike /nën shiun e imët” dhe lulërojnë e aromatizojnë gjithçka londineze:“ku udha/ndryshe dhe magjike/ shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz”. Ka dhe diçka që e lidh me “mua” këtë poezi, këto grimca janë “grimca joniane”, nga viset e mia, gjatë ardhjeve të tij tek ne në Sarandë: “Grimcat joniane lëvrijnë çrregullt /humbja e identitetit qenka një risk i forte/ndërsa shohin se si janë tretur/ mendojnë se kthimi s'qenka vetëm me lotë/por, ndiqka rrugën e fateve të vdekur”. S’di pse më dhëmbi shumë vargu :”mendojnë se kthimi sqënka vetëm me lotë”, më dhembi dhe më trishtoi. Por ti  dërgomi dhe mua ti vesh një herë ato pandofla o Fatmir Terziu, pa do ti kthej me një “trastë” grimcash rëre, nga ajo më e imta që të mbetet edhe në trup e në roba., se boll na trishtove me vargjet : E tashmë, grimcëzat shkulin mall prej shpirtit,/koha gdhihet e ngryset në një sfond si lopatë/në këtë udhë të quajtur të vështirë të kthimit/vetëm ylli i Mëngjesit që i ndjek nga lart” sepse nuk janë vetëm yjet që shohin nga lart, por edhe ne që ju shohim nga larg. Lerma mua “mëkatin” e pandoflës sate.

 

II-Poezia “Pandofllat e mia” është një poezi e qartë  moderne e eksperimentimit me forma të ndryshme, siç janë vargjet e pavarura e të parregullta, që nuk ndjekin një model të caktuar, shkruar me një  gjuhë të thjeshtë dhe elegante. Për nga stili dhe kuptimshmëria kjo poezi mund të krahasohet me stilin e Ëilliam Carlos Ëilliams ose T.S. Eliot, të cilët përdorën metafora dhe simbolika në poezitë e tyre.

 

Kështu, në vargun "grimca rëre të pavëna re nga sytë e mi ranë lirshëm", Terziu përdor një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë në mënyrë të ngjashme me stilin e Ëilliam Carlos Ëilliams në poezitë e tij të famshme "The Red Wheelbarrow" (Karroca e Kuqe) dhe "This is Just to Say (Kjo është thjesht për të thënë)". Siç Williams e përdor vargun "so much depends upon a red wheel/barrow" (shumë varet nga një karrocë e kuqe) në "The Red Wheelbarrow" për të theksuar rëndësinë e një situate të thjeshtë, kështu edhe Terziu përdor fjalën "zgjoi heshtjen ngjyrë vjollce / të gardiolës simpatike" për të dhënë një vlerë emocionale të ngjashme në objekte të thjeshta në poezinë e tij.

 

Po kështu, në poezinë "The Waste Land" T.S. Eliot përdor shumë eleme-nte të ndryshme stilistike, të tilla si fragmentimi i gjuhës dhe marrja e citateve nga shumë burime të ndryshme. Terziu përdor disa elemente të ngjashme stilistike në poezinë e tij "Pandofla ime", duke përdorur një shumëllojshmëri të citateve dhe referencave për të krijuar një atmosferë të ndjeshme, që ka qasje me atë të Eliot në "The Waste Land". Në vargun "shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz" Terziu përdor një referencë gjeografike të ngjashme me Eliot, i cili shfrytëzoi shumë referenca kulturore dhe gjeografike në poezinë e tij. Sigurisht që Fatmiri mund të mos i ketë parë këto afëri pse ai shkruan në stilin e tij , në vijueshmë ri, pa parë se me cilin ka qasje apo afëri, shikim që sigurisht do ta frenonte, por ne që e shohim nga larg shohim që kjo është një rritje e ngjitje e poezisë së tij, e bukur, dinjitoze që na ngazëllen. Askush nuk mund ti thotë një shqiponje që ngjitet në qiell fluturim se dikur aty kanë fluturuar edhe shqiponja të tjera, shqiponjat atë mission kanë, të fluturojnë, sepse atë dinë të bëjnë mirë, bukur, me art e finesë dhe …të jetojnë në fluturim.

 

III- Fatmir Terziu flet me figura letrare në poezinë  e tij, të cilat janë të shumta dhe përdoren me qëllim të pasqyrojnë emocionet dhe ndjenjat e poetit, si dhe të ndjekësve të tij. Metafora e pandoflës së tij është figura kryesore e poezisë dhe përshkruan ndjenjën e humbjes së identitetit në një qytet të huaj, duke i shpërndarë grimcat e vet dhe duke u përballur me sfida të reja. Pandofla është një figurë simbolike që përfaqëson identitetin dhe origjinën, ndërsa ngjeshja e sajme dheun ndanë strehës” në këtë qytet të huaj pasqyron ndjenjën e humbjes dhe ndarjes nga rrenjët e tij.

Ssimbolika e "gardiolës simpatike" në vargun e tretë përshkruan natyrën që shfaqet në Londër dhe vargu "që i yshti për vete t'i shëtisë pikave të reja turistike" përshkruan ndikimin e reklamave në këtë metropol dhe rëndësi-në e qytetit në jetën e poetit.

 

Vargu "Dhe sytë treten nën të njëjtin qiell" dhe simbolika e dallgëzave në vargun e pestë përshkruajnë ndjenjën e vetmisë së poetit në Londër, ndërsa vargu " ata luten të rikthehen tek Joni/malli u ndrit në sy/dhe u duket sikur pandofli/i ka shkulur si mish nga trupi i tij " përshkruan ndjenjën e mallit për brigjet joniane, që mua më shkaktojnë mornica në trup.

 

Në vargun e shtatë, poeti përshkruan ndikimin e mjegullës dhe shiut në qytet dhe vargu "ndjekin udhën e tyre që i lodhi i bëri copë" përshkruan ndjesinë e lodhjes dhe stresit të jetës në këtë qytet.

 

Në vargun e tetë, poeti përshkruan ndjenjën e humbjes së identitetit dhe ndërkohë vargu "ndiqka rrugën e fateve të vdekur" paraqet ndjenjën e dëshirës për të gjetur rrugën e tij.

 

Autori përdor vargje të shkurtra dhe të gjata, fjalët janë të kuptueshme nga masa e lexuesve dhe gjuha e tij është tërheqëse dhe e lirshme. Ai përdor ndërthurjen e vargjeve të gjata dhe të shkurtra në mënyrë që të krijohet një efekt emocional në lexues.

 

Vargu i poezisë përdoret me një qasje të ndjeshme dhe kuptimplotë, në mënyrë që të shprehë ndjenjat e poetit me ngjyrë dhe emocion. Përdorimi i rima dhe ritmit, si dhe stili i poezisë janë të vlefshme për të krijuar një atmosferë të përshtatshme.

Gjuha e poezisë është e thjeshtë dhe e kuptueshme, por me një ngjyrë emocionale që sjell përpara lexuesin mallëngjim. Përdorimi i fjalëve me ngjyrë dhe emocionale, siç janë "malli", "ndjenjat e humbjes" dhe "fateve të vdekur", tregon qëllimin e poetit për të shprehur emocionet dhe ndjenjat që ai ndjen. Në disa vende, përdoren edhe fjalë të rralla si "gardiolë" dhe "binjakëzim", por përdorimi i tyre nuk krijon një pengesë në kuptimin e poezisë. Poeti përdor edhe rima në disa vende, si në vargun "ku udha / ndryshe dhe magjike / shkruhet si vetull e ndarë nga lumi Tamiz", duke e bërë poezinë më të këndshme për të dëgjuar.

Për përfundim, poezia "Pandofla ime" e Fatmir Terziut është një poezi moderne që duhet lexuar patjetër, madje duhet rilexuar për të ndjerë dhe për ta shijuar si dhe për të kuptuar se poezia e Fatmir Terziut po ngjitet me kënd pranë vertikales në kuotat e epërrme të artit modern, duke mbetur përherë një poezi shqipe, një poezi e bukur që I flet shqip artit dhe kulturës europiane dhe botërore.   

 

Lexojeni, nuk shpenzoni gjë, veçse fitoni shumë.

 

 

Sarandë më 29 prill 2023

Tuesday 25 April 2023

 

REPLIKË ME HUMORESKA

 

Nga Timo Mërkuri

Kisha vendosur të mos u përgjigjem shkrimeve të F. Çaushit në lidhje me çertifikimin nga UNESCO të këngës polifonike me iso si kryevepër shpirtërore e njerëzimit: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit”  që në përdorimin e përditshëm quhet “iso-polifoni”duke nënkuptuar emërtimet e mëparëshme të saj si këngë vënçe, shumëzërrëshe, polifonike me iso ku përfshihen variantet e gjithë trevave ku lëëvrohet kjo këngë si Himara, Çamëria, Labëria, Skrapari, Zagoria Lunxhëria, Myzeqeja, Gramshi etj.

 

I-Dy janë arsyet pse pata marrë këtë vendim; e para është se ky sulm i tij gjasme prej atdhetari që i dhimbset vendi dhe kultura e popullit në thelb ka një “inat” vulgar personal ndaj  akademikut Tole, pse ai nuk e ka ftuar të jetë pjesë e grupit të punës të pregatitjes së dosjes për në UNESCO, sepse ai (sipas tij) e meritonte pë tre arsye:       

            -arsye të parë: - për origjinën e tij (F.Çaushit) nga vendi i polifonisë.

-arsye të dytë - ka punuar me këngën popullore mbi dyzet vjet, duke organizuar shumë koncerte polifonike, lëndën muzikore e ka mbledhur direkt në fshatrat dhe stanet e Labërisë, disa prej tyre i ka regjistruar në TVSH dhe i ka futur edhe në Teatrin e Operës dhe Baletit, Teatrin e Estradës, Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, në Korfuz, Janinë, Kozencë etj etj

- arsyeja e tretë - ai ka ngjitur në kalanë e Festivaleve Folklorike disa këngë cilësore të epikës dhe lirikës labe (sic). [Fitim Çaushi: “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare” Argjiro 2004 f. 140].

Në librin tim “Identiteti iso-polifonik” (Milosao 2018 f.31) duke ju përgjigjur autorit shkruaja:  “Duhet të kuptojmë dhe ka rëndësi të jashtëzako-nëshme që ta kuptojmë, se askush nuk ka mënjanuar njeri, askush nuk ka mohuar punën dhe kontributin disa vjeçar të njerëzve të kulturës popullore, askush nuk ka privatizuar dafinat e fitores. Kjo nuk është fitorja dhe suksesi i një individi të vetëm, ky nuk është suksesi i një brezi të vetëm. Ky është vlerësim për gjithë brezat shqiptarë në shekuj, për gjithë kombin shqiptar, sepse kënga është e gjithë kombit dhe jo e një individi. Emrat individualë nuk kanë asnjë rëndësi. Të gjithë ne shqiptarët jemi triumfatorë me këtë vlerësim që i bëri UNESCO këngës sonë iso-polifonike”.

Duke qënë se ky libër i imi ka një kapitull më vete replikë me autorin e

sipërcituar, ku i kam analizuar gjithë argumentat e tij të librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare”, çdo replikë tjetër do ishte një përsëritje dhe ripërsëritje e argumentave dhe kundërargumentave të shtruara, ashtu siç ndodhi vërtet me librin e tij “Tri humoreska” (Edlora 2021) si dhe vijuesat.

Arsyeja e dytë është etike: autori i librit “Tjetërsimi i polifonisë shqiptare ” shkruan me një fjalor vulgar, që të neverit leximin, qoftë ky libër “studimor” apo artikull i publikuar në median e shkruar. Përdorimi i një fjalori mbushur me epitete fyese personale, me të cilat autori ndoshta kujton se  lartësohet si kritizer, por që në fakt e përbalt atë vetë dhe e shndron në një baltovinë gjithë shkrimin e tij. Sa për të kuptuar densitetin e epiteteve fyese me karakter personal, mjafton tju them se shkrimi i sipërcituar prej  pesë faqesh kompjuterike ka dyzete e kater epitete të tilla fyese pranë emrave të personave të ndryshëm.

Për të mbuluar efektin baltosës të  kësaj gjuhe vulgare, i shoqëron shkrimet me fraza plot përbetime atdhetarie në mbrojtje të artit dhe kulturës nga shovenistët jugorë etj, por paraqitja e tij si një nacionalist  na kujton vetëm thënien e Oscar Ëilde se: “Nacionalizmi është streha e fundit e batakçinjve”. Unë personalisht gjithmon synoj që të hyj në debate intelektuale me “kundër-shtarë” debatues që janë më lart se unë në dijet shkencore, pse nga debate me ‘ta mund të përfitohet, por në një debat me argumenta dhe fjalor vulgar, jo vetëm që nuk ke se çtë mësosh, por rrezikon të biesh në baltovinën e tyre dhe të përbaltesh më kot.

 

II- Shkrimi i tij “Sejmenët e beut të iso-polifonisë, në veprim” publikuar te Gazeta Shqiptare e datës 17 prill 2023 me revoltoi së tepërmi dhe kam disa ditë që po u shmangem sugjerimeve për zgjidhje ligjore. Në këtë artikull autori  fyen me fjalorin më të ulët si: (pseudoartisti Tole, Tole ndërsen sejmentët, këta mercenarë..mediokër, vërsulen si taborë jeniçerësh, lehjeve të këtyre mercenarëve, sa qesharak bëhen këta mjeranë të ndërsyer për beteja donkishoteske, mercenar Mihali, Niko mercenarit, sejmenët e beut, hora të tillë, more matrapaz i grupeve folklorike, megalloman me trurin bosh, krijimtarinë dështake të x etj) , fjalor i pa pranueshëm i cili ka vetëm një synim, provokimin e të fyerve gjer në ekstrem. Ky fjalor është i zakonshëm për atë, madje ai nuk di të shkruaj ndryshe veçse duke përdorur e sajuar epitete fyese ndaj personit që debaton, duke synuar që ta tërheqë “kundërshtarin në mendime”në baltovinën e llogjikës së tij dhe këtë e bën me zë të lartë. Në këtë rast nuk di si mu kujtua një varg i poetit Ymer Nurka “Zëri yt më vjen si lehje”, të cilin u përpoqa ta largoja sa më shpejt nga kujtesa, sepse doja të mirësha me lehjen (më falni ) me epitetet e lehësit (prapë më falni tani dhe në ndonjë rast tjetër që të më ketë shpëtuar dora) autorit të shkrimit.Unë e kuptoj dhe më vjen keq për ‘të, pse ai me fjalorin e tij në artikujt dhe librat që boton  tregon kulturën e tij të mangët dhe edukatën mjerane që ka marë nga familja, por unë nuk e pëlqej shkeljen e etikës qytetare nga  Gazeta Shqiptare me publikimin e shkrimeve të tilla.

Të ky shkrim ka edhe një citim extra për mua ku shkruan:ekonomisti teoricien Timo Këmbaci”, duke kujtuar se më poshtëron me epitetin e tij fyes “këmbaci”. Më lejoni të sqaroj lexuesit që nuk më kanë njohur personalisht: Unë jam diplomuar për financë dhe quhem Timo Mërkuri, por mqse kam një problem shëndetsor te gjuri i këmbës i cili që më vështirëson ecjen, lehësi ynë ( më falni), patrioti ynë e quan të drejtë të më cilësojë me një epitet fyes, pse mendon se duke më tjetërsuar mbiemrin e vendos veten më lart se unë moralisht.  Gabohet si gjithmon, unë i kujtoj se mbiemri im është shumë më i bukur se mbiemri i tij, është mbiemër shqiptar, i cili dëshmon identitetin dhe origjinën time, flet për një biografi qëndrese ndaj pushtuesve  osman dhe për  një origjinë fisnikërie shqiptare, çka më jep të drejtën  të flas me krenari për sheshbetejat ku kanë luftuar të parët e mi. Unë nuk di ç’mund të tregojë mbiemri i autorit, se ajo që “lexoj” unë nuk është aq entusiazte?

Unë nuk do ti përgjigjem autorit me të njëjtin nivel fjalori, pse sipas edukatës dhe kulturës sime dhe duke perifrazuar një poezi të poetit Arben Duka them se: “mua, duke ecur në rrugë mund të më kafshojë ndonjë qen rrugësh, por unë nuk do shndrohem në qen që ta kafshoj atë”. Është detyra e bashkisë që të vrasë apo grumbullojë qentë rrugaçë, që këto kohët e fundit janë bërë shumë lehës dhe besdisës për qytetarët. Unë kam detyrë vetëm ti paguaj  në rregull taksat e bashkisë.

 

III-Përsa u përket akuzave  që bëhen te shkrimi  mësipërm, po ju sqaroj se autori gabohet qysh në termat që përdor në titull: kënga jonë vënçe (polifonike me iso, shumëzërrëshe etj) nuk i njeh “bejlerët” dhe “çaushët” dhe në asnjë varg të saj nuk i lartëson e përjetëson ata. Arsyeja është shumë e thjeshtë, kënga jonë vënçe është shumë më e herëshme se ardhja dhe krijimi i kastës së bejlerëve dhe shërbëtorëve të tyre, çaushët dhe se ata erdhën me aradhat pushtuese, me urë të ndezur në dorë për të djegur edhe këngën tonë. Unë jam nga Piluri i Himarës, lindur e ritur në Sarandë dhe nuk kam patur mundësi të mësoj turqishten, por në fjalorët tanë kam mësuar se:Bej” është titull i vjetër turk për qeveritarin e një krahine dhe më pas titull fisnikërie më i ulët se i pashait, “çaush” quhej një nënoficer pranë një oficeri të lartë ose një komandanti për të kryer detyra të ndryshme, psh çaushët ngrinin çadrat. Pra një tip Sanço Pança.

 Fjalori i shkrimit plot epitete fyese është pasojë e një kulture pushtuesi turk, fjalor zënkash mejhanesh dhe jo debat intelektual, aq më tepër kur i adresohet një akademiku të suksesshëm. Autori shkruan:partiturat e veprave muzikore të A. P., peshojnë më shumë se sa N.M. dhe V.T. së bashkuduke manife-stuar kështu konceptin turkoshak të matjes së kulturës me okë.

Frazës që autori shkruan se:As N. dhe as sejmenët e tjerë të T., nuk e kanë aftësinë kulturore të vlerësojë faktet dhe argumentet që janë trajtuar në simpozium” unë do ti drejtohesha me pyetjen: Cilat fakte dhe cilat argumenta? Sajesat tuaja që u shpallën si zbulime të veprimtarisë të grupeve armiqësore në kulture, letërsi dhe art, të cilave ju dhanë disa përgjigje? Ju kemi adresuar disa shkrime, pse me ju do miremi gjithë ditën? Të tjerë punojmë, ju rrënkoni me ëh, ëh dhe ankoheni që u lodhët e “s’ju paguam”sa duhet. Po ju risqarojmë dhe njëherë, të tjerët punojnë dhe i sjellin atdheut çertifikime me kurorë mbretëreshe mbi krye, ju ja bëni ëh e ëh duke u përpjekur tja hiqni atë kurorë nga kryet mbretëreshës sonë, këngës polifonike me iso.

 Autori leh e thotë: “tjetërsimet antikombëtare; prejardhjen e polifonisë shqiptare nga sirenat greke…”. Ky jo vetëm që leh, por edhe për të lehur nuk di, pse këtë tezë, këtë teori, së pari e ka sajuar, e ka lehur vetë ai, sepse askund nuk është shkruar kjo nga akademiku jo e jo, por as nga ndonjë autor tjetër shqiptar kjo origjinë e këngës sonë iso-polifonike nga sirenat. Kjo nuk gjendet në asnjë shkresë, në asnjë formulim teorik, në asnjë literature, në asnjë dokument shtetëror. Kjo është  vetëm në .. mëndjen e tij dhe e ka lehur, (ndjesë) shpërndarë si zbulim. Përvoja tregon se ky lehës, autor sajon fraza e shprehje të tipit: “bizantin isosi”, përkthen gabim nga anglishtja fraza dhe shprehje (si vetë teksti i çertifikatës së UNESCO-s, apo shprehjen “The term iso is related to the ison of Byzantine church music and refers to the drone accompanying polyphonic singing” e cila “është një shpjegim për emrin shkencor të kësaj forme të kënduari, dhe nuk ka lidhje me me origjinën e formës vetë” (A. Vehbiu) dhe duke e interpretuar sikur aty bëhet fjalë për origjinën e iso-s apo të këngës me iso, ngre “alarmin” për zbulimin e “agjentëve” në shërbim të të huajve, madje kjo gafë e tij, vihet në qendër të punimeve të një farë simpoziumi, i cili për të miratuar rezolutën e tij kërkon firma me tellall “nëpër fshat” e me mesazhe celulari. Autori i mësipërm nuk e di që akuzuesi ka barrën e provës së fakteve: paraqitni dokumentin ku është pasqyruar “origjina e këngës sonë polifonike me iso” nga sirenat greke, në rast të kundërt ju sugjeroj të mos rreni më, pse populli thotë që “rrena nuk mbulohet me fjalë”.

Akuzat e pa mbështetura me prova quhen thjeshtë shpifje dhe artikull shkruesi mer statusin e një shpifësi të rrëndomtë, por mqse kjo shpifje ka natyrën e një fyerje dhe kjo fyerje bëhet publike, në një shoqëri demokratike ajo trajtohet si një vepër penale. Autori ka shpëtuar gjer më sot sepse: mqse e njohin të tërë, askush nuk e mer seriozisht.

 Artikullshkruesi leh si fakt të një “tradhëtie kombëtare”, madje zbulon një grup tradhëtarësh kur citon:”sejmenët e tij pranojnë, se kufiri jugor midis Shqipërisë dhe Gërqisë fillon në “Qafë Botë” por harron të na japë dokumentat e deklarimit të kësaj tradhëtie, pse nuk është në gjëndje të dallojë ndryshimin e termit “kufiri shtetëror” dhe “kufirin etnokulturor”.

Unë nuk e kuptova frazën e lehur se:Sejmenët e beut të “isopolifonisë mohojnë veprën monumentale të akademikut Pëllumb Xhufi” sepse emri dhe vepra e tij e nderuar prej meje nuk më ka dalur përpara në asnjë rast te ky debat.  Po ashtu më bëri përshtypje te artikulli i mësipërm fraza : “ .x.. nuk krahasohet as me Mjeshtrin e Madh Bajram Lapi..” të cilin unë nuk e njoh personalisht, por mu kujtua se në një intervitë në radio zotëria kishte thënë tekstualisht se: ”..në vitin 1600 Bah kishte ardhur në Vlorë, ku kishte dëgjuar ..këngë (labe), në një kohë që në atë vit (1600) nuk kishte lindur as babai i kompozitorit të famshëm, pse i shkreti Bah [Johann Sebastian Bach (21 March 1685- 28 July 1750) shën. im. T.M.)] do lindte vetëm pas …85 vjetësh dhe asnjëherë në jetën e tij nuk do vinte në Shqipëri, madje unë dyshoj nqse e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin e vendit tonë.

Për sa më sipër të gjitha sa shkruan autori, nuk di pse më vijnë në vesh si…”lehje”. Sigurisht për “faj” të poetit Ymer Nurka, por mos u mërzitni se do merrem përsëri me këtë lehës. Kur shejtani fle, çpate që e zgjove?

 

 

Sarandë, më 25 prill 2023

 

 

Sunday 23 April 2023

 

NGJITJE NË POEZINË MODERNE

 

Nga Timo Mërkuri

Ka ca kohë që poeti Fatmir Terziu krijimtarinë e tij poetike e ”pagëzon” në “lumen” e filozofisë dhe psikologjisë si këtë poezi të fundit “Viktima numër një”.

I-Në aspektin filozofik, kjo poezi përshkruan pafuqishmërinë dhe humbjen e identitetit në një shoqëri të pakujdesshme, duke reflektuar mbi sfidat dhe vështirësitë që mund të hasin njerëzit në shoqërinë e sotme. Poeti shpreh ndjenjën e ankthit dhe paranojës nëpërmjet personifikimeve dhe metaforave, duke theksuar ndikimin e këtyre emocioneve në jetën tonë dhe përdorimin e një makine luksoze si një maskë për të fshehur këto ndjenja. Poeti shfaqet i zhgënjyer me shoqërinë dhe rrethanat e saj, të cilat e kanë ndryshuar dhe e kanë bërë atë të ndjehet si një objekt i përdorshëm dhe pa vlerë. Vargu “përfundimisht na bënë të lutemi vetëm për zemrën” është tepër tronditës në dëshminë e tij, duke qënë një varg tepër i bukur. Është tepër e madhe dhimbja nga diçka e bukur, pse njëkohësihst është dhe më e pa shpresa.

Duhet të pranojmë se fakti që autori është një intelektual shqiptar i emigruar në Londër ku jeton prej disa vjetësh e ka ndihmuar atë të “studiojë” nëpërmjet përjetimit vetiak dhe vëzhgimit të ambientit londinez të zbulojë dhe krahasojë dukuri sociale të dy shoqërive, të cilat janë me distancë kohore dhe shoqërire larg njera tjetrës. Pikërisht kjo është arsyeja që poeti Terziu ka ca kohë që çfaqet me poezi të tipit “filozofik” dhe “psikologjik”, të cilat çuditërisht janë shumë pranë lexuessve shqiptarë, pavarësisht vend ndodhjes së tyre.

 

II-Në aspektin psikologjik, poezia përshkruan gjendjen e trishtimit dhe pafuqishmërisë, duke pasqyruar ndjenjat e pashpresësisë dhe të pakënaqësisë me veten, shoqërinë  dhe jetën. Poeti shpreh një ndjenjë të ndarjes nga vetja dhe realiteti, ndërsa personifikimi dhe metaforat ndihmojnë në përshkrimin e kësaj gjendjeje psikologjike.

Shprehjet metaforike "të na qëllojnë si kuaj në këmbë" dhe "përfundimisht na bënë të lutemi vetëm për zemrën" paraqesin ndjenjën e humbjes së kuptimit të jetës, si dhe një ndjenjë të pakuptueshme të bezdisjes nga marrëdhëniet e mundshme shoqërore. Metafora e "vetëkonsumit" paraqet idenë se shoqëria tregon pak ose aspak  interes për ndjenjat e individeve dhe në vend të kësaj i inkurajon ata të përqendrohen në përmirësimin e pasurisë së tyre materiale.

Në rreshtat "shpejtësia e paranojës mbeti dhjetëfish mbi çdo emocion tjetër nga brenda po ai zë" paraqitet një metaforë e paranojës së ndjekjes së të tjerëve, e cila e kthen individin në një kreaturë që nuk mund të ndalojë nga të rënë në çadrën e materializmit.

Pjesa më e tronditur e poezisë është në fund, kur figura poetike pohoi se ai është një nga "viktimat numër një" duke pohuar ndjenjën e rrëzimit dhe humbjen e besimit në vetveten. Edhe përdorimi i personifikimit "në një guaskë ankthi dhe çuditshmërie ekstreme"  gjithashtu përshkruan ndjesinë e humbjes së vetëdijes se kush je dhe çfarë do në këtë botë, duke ndihmuar në krijimin e një imazhi të thellë dhe të ndjeshëm të emocioneve që përjetojnë personazhet në poezi.

 

II-Në aspektin artistik, poeti përdor rima të vogla dhe rreshta të

shkurtër, të cilat e bëjnë atë të lehtë për t'u lexuar dhe për të kuptuar. Përdorimi i metaforave dhe figurave artistike krijon një imazh të qartë dhe të thellë të ndjeshmërisë dhe trazirave të personazhit në poezi. Poeti përdor një ton të trishtuar dhe të “rrëzuar”, që ndihmon për të krijuar një atmosferë të ndjeshme të poezisë, duke përdorur fjalë të thjeshta, por që duhen lexuar me kujdes në kontekstin e vargut në veçanti dhe të gjithë tekstit poetik.

 

             III-Poezia“Viktima numër një” e Fatmir Terziut veç aspektit social dhe atë filozofiko-psikologjik, na tregon se poeti ynë Fatmir Terziu është në ngjitje të kuotave europiane të poezisë modern, duke mbajtur në shpinë një trastë me halle shqipërie, të cilat ja vështirësojnë, por njëkohësisht e evidentojnë në këtë ngjitje.

 

 

Sarandë, më 23.04.2023

Saturday 22 April 2023

 

Timo Mërkuri

 

PERANDORIA E ZOGJVE SHTRIHET DHE MBI VARGJE

 

 

Poetët në të gjitha kohrat i kanë patur miq të tyre zogjtë, u janë drejtuar atyre për të shprehur brengat e shpirtit, kanë kërkuar ndihmë të tipit “ndonjë lajm a ndonjë letë”, bukurinë dhe këngën e tyre e kanë patur si simbolikë poetike, qëndrojnë si figura letrare në “parvazet” apo “degët e vargjeve” si ëndërr, simbol a metaforë,të pafundme janë vargjet poetike apo këngët kushtuar atyre, qoftë në artin e popullit apo artin e kultivuar, kjo qysh nga hershmëria e njerëzimit. Në pamje të parë edhe poema “Perandoria e zogjve” duket se është një krijim “më shumë” për 10 mijë lloje zogj të identifikuar që popullojnë planetin me një numër prej 100 deri në 400 miliardë zogj. E parë me vëmëndje, kjo poemë është një krijim që duhet lexuar veças në morinë e krijimeve poetike për dhe me zogj, kjo për vetë këndvështrimin e autorit dhe realizimit artistik të vargjeve.

 

I-Poema“Perandoria e zogjve”e poetit Bardhyl Maliqi është nga ato krijime letrare, përjetësimi i të cilave të kërkon një njohje të jetës së poetit dhe arsyet që e nxitën për këtë krijim. Kjo kërkesë vjen kryesisht nga strukturimi i krijimit si një bashkëbisedim me bijën e vogël, e cila duke qënë në “moshën e pyetjeve”, zogjtë ishin subjekt i kureshtjes së saj për njohjen e botës.

Autori si nje prind-poet i përgjigjet vajzës në një mënyrë shumë të ndjeshme, me përkëdheli e ngrohtësi me epitetet “vogëlushe, zemra ime, drita e syve të mi, vashëza ime moj, e mira ime moj”, duke vënë një theks të ëmbël si këngëzim te  shprehja plot shpirtërim “moj”, ngrohtësi e cila është shtrirë mbi të gjithë krijimin e tij. Madje nëpërmjet këtij epiteti ne kemi të gdhendur një portret të bukur vashëse, të cilën  mund ta përfyrtyrojmë si një “princeshëz” të vogël me një kurorë lulesh mbi krye dhe me shikimin të drejtuar lart, te buzët e të atit, prej nga buron një gjuhë poetike e pastër, e bukur dhe e kuptueshme, në tingullin e të cilit ajo ndjen dashurinë dhe respektin atëror, madje ajo mahnitet me bukurinë e gjuhës poetike që ati shpreh. Bashkëbisedimi at e bijë, përshkruan pamje që shkaktojnë imazhe dhe ndjenja të forta, duke krijuar kështu një poezi të mrekullueshme.

Kështu, ai i përshkruan zogjtë si "qenie të lira" dhe "engjëj me flatra" që fluturojnë drejt horizontesh të reja ku "pagëzohet dielli çdo mëngjes", duke nxitur në këtë mënyrë fantazinë e fëmijës, por edhe duke i afruar një mënyrë artistike të të shprehurit, e cila mrekullon të bijën me bukurinë e saj. Poeti shfrytëzon kështu ndryshimet në perspektivën e tij dhe atë të vajzës për të paraqitur një pamje të thellë dhe të ndjeshme të botës së zogjve, të shndruar në poezi.

Ndoshta këtu duhet të themi se Bardhyl Maliqi është vërtet një prind i përkushtuar ndaj familjes dhe fëmijët e tij janë të rinj qytetarë të kulturuar.

 

II- Sigurisht që poeti shpalos njohjen e tij për botën e zogjve, ku, duke parë gjërësinë e saj, lehtësisht hamendësojmë për një fëmini në natyrë të poetit, “nxitur” dhe nga vargu i Kadaresë: “Zogjtë po nuk erdhën me fëmijërinë/Nuk vijnë më kursesi”. Fëmijërinë e tij poeti e  kaloi në qytetin e Konispolit, një qytet ku shumica e shtëpive ishin private, ndonëse me dy e tre kate, kishin obore të gjera të mbushura me pemë të ndryshme, degët e të cilave mbështeteshin në dritaret e shtëpive, ku zogjtë hynin lirshëm nga dritaret si djemtë çapkënë kur vinin mbrëmjes dhe donin tu shmangeshin qortimeve të prindërve. Prania e zogjve të vegjël në sofrat e familjeve ishte gjë tepër e natyrëshme dhe kështu fëmijë e zogj rriteshin bashkë. Fëmijët e Konispolit i njihnin zogjtë jo vetëm nga ngjyra dhe cicërima por edhe nga mënyra e fluturimit, ndërsa zogjtë nuk ndjenin ndonjë rrezik prej tyre, pse i kishin mbrojtës të “deklaruar”. Dihet që fëmijëria është baza e nisjes së poezisë, si pista e nisjes së avionëve për çdo poet, pavarësisht kur nis të shkruash poezi.

Bardhyl Maliqi për këtë poemë pati dhe një “shtysë” tjetër, e cila më së shumti ndikoi te titulli i librit “Perandoria e zogjve” botuar nga TOENA në vitin 2012. Duke qënë nxënës i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja ”Asim Vokshi” në Tiranë, mqse kishte ecuri në përdorimin e gjuhëve të huaja, atë dhe disa shokë e shoqe i mirrnin me helikopter për të pritur delegacionet e huaja në Rinas dhe për ti shoqëruar në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku ata   shikonin çfaqjen e radhës me qëllim që të krijonin një përshtypje pozitive për mikpritjen shtetërore. Pikërisht në këto udhëtime me helikopter e më vonë edhe me avion, atij i dukej vetja si zog, kur vërente tokën poshtë reve nga avioni nuk dukeshin as piramidat, as klonet, as kufijtë mes shteteve dhe atëherë i lindi mendimi se “Perandoria e Zogjve” është më e madhja dhe më e herëshmja në botë, është perandoria e përjetshme e tyre që nuk e  rrëzon asnjë forcë njerëzore. Këtë sqarim për titullin e “Perandorisë së zogjve” për herë të parë autori e ka bërë në Bibliotekën Nacionale të Zagrebit në nëntor 2013 gjatë promovimit të këtij librit, ndërsa më parë kjo poemë (bashkë me poemën “Ankthi i Statujave” dhe esenë “Etika e poetëve në shkolla”) u paraqit në Kongresin e Dytë të UNESKO-s që u zhvillua në Greqi në tetor 2011, ku poemat e tij u nderuan me një çmim letrar dhe letër falënderimi Ministrisë Arsimit, asaj të Kulturës dhe shtëpisë botuese Toena që kishte botuar këtë libër. Arsyeja ishte jo vetëm pse me poemën “Perandorinë e zogjve” ai ishte në aksin kryesor të kongresit që e kishte temën “Vëllazërimi i botëve”, por edhe për vetë nivelin artistik të realizimit të saj.

 

III-Poema “Perandoria e zogjve” vlerësohet si një poemë jo aq për numërin e vargjeve se sa për kuptimin universal të saj dhe për stilin me të cilën është shprehur. Poema ka gjashtë strofa, të shkruara me një intesitet mendimi dhe me një dendësi figurash artistike, që fotografisht të krijojnë imazhin e një “ndërtimi” me gurë të gdhendur me shumëllojshmëri formash dhe që e mbajnë ende ngrohtësinë e gdhëndjes së tyre..

Në strofën e parë, poeti shpreh dëshirën për të folur për zogjtë, duke ju përgjegjur pyetjes së çupës së tij për ‘ta, duke kaluar shpejt te strofa e dytë, ku nëpërmjet metaforës së perandorisë përshkruan ekzistencën e zogjve në “perandorinë e tyre” një botë prej ajri dhe drite pa kufij, pa fron dhe despotizëm hierarkish. Zogjtë janë qënie të lira, engjëj me flatra që fluturojnë drejt horizontesh të ardhme.

Poeti te strofa e tretë shkruan se zogjtë kanë një ekzistencë më të lashtë se njerëzit dhe kjo bën që të jemi “xhelozë” për lartësinë e tyre, për klithmat, vallëzimin dhe harenë e tyre qiellore. Nga kjo xhelozi ne, njerëzit:  thurrim përralla me qilimë fluturues,/me mite dedalësh dhe ikarësh/dhe sigurisht legjenda metamorfozash të vajzave në qyqe”, për të kaluar më pas te strofa e katërt, ku, si për të na shtuar xhelozinë, poeti këngën e zogjve e quan recitale të pafundme, të cilat lënë pas “moxartët e shopenët tanë, poetët antikë,/kur zogjtë shkruajnë me alfabetin e tyre paraarkadian/epin e zogut perandorak të diellit/dhe lirikat korale në pergamena resh puplore”, strofë e shkruar me një nivel artistik që mund ta quajmë “refreni” i poemës.

               Në strofën e pestë poeti “shkruan”biografinë e zogjve , të cilët  gdhendin me sqepat e verdhë/kodikët e tyre paganë// janë besnikë të natyrës, adhurues të lirisë,/dhe bij të diellit,/që më tepër se çdo gjë urrejnë kafazet”, për të kënduar te strofa e gjashtë hymnin shpirtëror të zogjve që: “kanë privilegjin e qenieve të bukura,/./format e larmishme, lakoret fluturuese, zërat dhe ngjyrat,/janë karta e tyre e indetitetit dhe pasaportat/biometrike,/ ndonëse/ s’kanë nevojë për viza dhe dogana,/pasi zogjtë janë zotër të paprajshëm të qiellit,/të perandorisë së tyre mitike”

 

IV-E parë me vëmëndje, vargjet e kësaj poeme shijohen duke i recituar  me ton të ulët dhe ëmbëlsisht, duke vënë në dukje mjetet e shumta dhe cilësore artistike të përdorura në ‘të. Metaforat e përdorura si: "zogjtë kanë perandorinë e tyre,/perandorinë e tyre prej ajri dhe drite", personifikimi "gëzimin që çel në fytyrat tona, tek i shohim truma-truma të përshkojnë hapsirat qiellore", simbolizmi: "atje ku pagëzohet dielli çdo mëngjes, atje ku pagëzohen hënat e reja", antitezat "perandorinë e tyre pa kufij, pa fron dhe despotizëm hirarkish", alliterimi që i jep tingullit muzikalitet:"drejt horizontesh të reja", përshkrimi imagjinar i jetës së zogjve: "thurrin meloditë parake dhe kompozojnë recitale të pafundme", hiperbolizimi:"zogjtë kanë një ekzistencë më të lashtë se ne", paralelizmi:"për klithmat, vallëzimin dhe harenë e tyre qiellore", onomatope:"me cicërimat e tyre/thurrin meloditë parake", anafora: "atje ku pagëzohet dielli çdo mëngjes“ etj, janë jo vetëm një pasuri e kësaj poeme, por në fakt janë mjetet funksionale artistike që flasin për vlerën artistike të saj, të cilat e qasin këtë poemë edhe me poezinë "Auguries of Innocence" të VVilliam Blake, (poet anglez i shekullit të 18-të, i njohur për lirizmin e tij të thellë dhe vizionin mistik). Poezia e tij "Auguries of Innocence" ("Parashikimet e pafajësisë") ka si temë natyrën dhe qeniet e saj të vogla, siç janë zogjtë dhe  shpreh një ndjenjë të ngjashme me poetin Maliqi në lidhje me lirinë e zogjve dhe qenien e tyre të lashtë. Kjo poemë ka qasje dhe me poezinë "Ode to a Nightingale" ("Ode për një bilbil") e poetit anglez John Keats e cila ka si temë zogun e këngës, i cili përshkruhet si një qenie e bukur dhe me forcë frymëzuese. Në të njëjtën mënyrë si poeti Maliqi, edhe Keats thekson lirinë dhe shpirtin e lirë të zogut të këngës, duke e ndjekur atë në një rrugëtim në botën e tij.

Avantazhi i stilit të poetit Bardhyl Maliqi me poetët e sipërcituar është se ky nuk u drejtohet zogjve me deklarime por bashkëbisedon me bijën e tij për zogjtë, duke u bërë  më e pranueshme ndjenjat e tij  që është në fakt ''llaçi“ ngjitës i vargjeve në ''ngrehinën“ e poemës, pse dihet që asnjë baba nuk e „mashtron“ fëmijën e tij në ''moshën e pyetjeve“.

E parë në gjërësinë dhe thellësinë e saj poema ''Perandoria e zogjve“ e poetit Bardhyl Maliqi është një arritje sipërore, jo vetëm e tij personale por e poezisë shqipe të kohëve të fundit, duke qënë një vepër e rekomandueshme për antologjitë e shkollave të mesme dhe të larta, për një hap më tejë të tyre drejt poezisë moderne.

 

 

Sarandë, më 22.04.2023

 

NJERIU SI HARPË E NATYRËS

Një poezi e Odise Kotes

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Njeriu si harpë natyre" e publikuar nga  Odise Kote eshte nje poezi metaforike qe  shpreh thellësinë dhe kompleksitetin e eksperiencës njerëzore në mënyrë të përsosur. Duke përdorur metaforën e harpës  dhe krahasimin me një kalë të ngarkuar me të shkuarën, Odise Kote shprehet se njeriu është i përkohshëm dhe i kufizuar, por gjithashtu të ndjekur nga një ngarkesë që ndikon në sjelljen  tonë si njerëz. Me një varg tronditës në kuptimërinë e tij, shkruar me një stil të qartë e të ndjeshëm dhe sidomos me përdorimin e suksesshëm të metaforave, krahasimeve dhe personifikimeve  poeti arrin të shprehë përsosmërinë e natyrës njerëzore në këtë poezi.

I-Qysh te strofa e parë Odise Kote shprehë idenë e harmonisë midis njeriut dhe natyrës, ide kjo  e ekspozuar në formën e një metafore, ku njeriu është krahasuar me një harpë:Dyqind e gjashtë eshtrat e trupit dridhen si një harpë” qe cila nëse është e ndjeshme dhe e aftë, mund të krijojë muzikë të bukur nga bashkëveprimi me natyrën. Në këtë kuptim, eshtrat e njeriut, që dridhen si një harpë, tregojnë se njeriu ka nevojë të ndjehet dhe të reagojë ndaj efekteve shpirtërore dhe kontakteve fizike të botës së tij.

Në vazhdim, poeti përmend "gjëra të shenjta në ngasje të rikthimit", duke u referuar ndoshta te ideja e rilindjes ose ringjalljes. Për ta përcjellur këtë ide, ai përdor vargun me një krahasim të vështirë për tu kuptuar kur “krahason” shenjat e rikthimit me një "ç'kurth i madh". Kjo e shpreh idenë se njeriu mund të ketë frikë dhe ankth ndaj çdo gjëje që nuk është e njohur ose që e kërcënon.

Shpesh melodia e “harpës njerëzore” nxjerr “tinguj të egër dhe jo fjalë se ai “tingull”është i shkaktuar nga ndjenja të forta të shprehura nëpërmjet personifikimit si  Dhimbja, frika, pritja, janē tinguj të egër dhe jo fjalē” ku kjo figurë letrare është përdorur për të përshkruar se si ndjenjat e njeriut janë si tinguj të egër që shfaqen në jetë. Kjo teknikë e personifikimit i jep ndjenjave një karakteristikë tipike njerëzore, duke i bërë ato më të afërta me lexuesin. Ky personifikim dhe imazhi që ai krijon sugjerojnë se ndjenjat janë shumë të forta dhe se ato nuk mund të shprehen me fjalë. Në vargun"Kohë e çuar dëm, fundit të zemrës pik - pik, pikon gjak" tregon se ndjenjat shkaktojnë dëme të forta te njeriu dhe shprehin  dhimbjen,  që fillon si një pikim dhe vazhdon të rritet me kalimin e kohës. Në këtë varg të poezisë, pikat e gjakut janë simbole të dhimbjes dhe vuajtjes që ndjen njeriu në kohët e vështira.

 

II-Te strofa e dytë vargu "Askush s’ka lindur të rrijë gur, vetmitar, si qyqar" nëpër-mjet krahasimit me gurin paraqet një pamje të rëndësishme të njeriut dhe jetës së tij, duke sugjeruar se njeriu nuk është i destinuar të jetë vetëm dhe i izoluar si një gur, por ka nevojë për të qenë i lidhur me të tjerët.  Vargu tronditës "Punët e lëna në mes, e gërryejnë shpirtin nga brenda" nëpërmjet  metaforës së fuqishme, që sugjeron se vështirësitë dhe sfidat që njeriu has në jetë mund të shkaktojnë dëme emocionale dhe psikologjike të thella.

Vargu :"Njeriu në fund vjen ngarkuar me të shkuarën, si kalë" paraqet një krahasim të njeriut me kal,  por  metafora e fuqishme në mes të vargut “ngarkuar me të shkuarën” i jep vargut dhe strofës një forcë danteske, duke aluduar se njeriu e mbartë barrën e së kaluarës së tij, por pesha e saj i rrëndon për gjithë jetën pse në jetë (kujtesë) do ti mbeten " boshllēqe tē rēnda" pse në çdo çast kujtimi të saj ai do ndjehet “i tronditur dhe i trembur”.

 

II-Në  strofën e tretë poeti shpreh idenë se njeriu ka nevojë për kontakte pse tërë intelekti i njeriut mund të kthehet në asgjë nëse ai është i izoluar nga të tjerët. Ky koncept është shprehur në formën e një metafore sa brilante aq dhe të fortë e pa  qasje:Inteligjenca bëhet qumësht nëne, s’ndahet me të tjerë” dhe për pasojë në mungesë të kurajës intelektuale: “Dështakët shkëlqejnë në zbukurim tē gjërave pa vlerë” një varg që reflekton si drita në pasqyrë të vërtetën se njeriu nuk mund të arrijë plotësisht potencialin e tij nëse ai nuk lidhet me të tjerët dhe nuk ndjek një qëllim të përbashkët me shoqërinë. 

Metafora”dritëz” te vargu: “Kush dritëz ka, refuzon të vdesë pa histori dashurie” përfaqëson një shpresë të vogël, ndërkohë që "historia dashurie" paraqet një formë te lartë jete Ndaj vargu: “Kush dritëz ka, refuzon të vdesë pa histori dashurie” ka vlerën e një aksiome të ngritur artistikisht mbi një krahasim, të një sentence, të një fjale të urtë dhe ka një qasje të madhe me urtësinë popullore.

 

IV-Strofa e katërt është e shkruar me një stil të qetë dhe të qartë, ku poeti flet nëpërmjet  figurat artistike, të cilat  e bëjnë atë një strofë të bukur dhe emocionuese.

Te kjo strofë në vargun "Të dëgjosh pëshpërima kuajsh, zēra për vdekje nga lulet"  autori personifikon natyrën duke e bërë atë të zëshme dhe të ndjeshme. Ky personifikim e paraqet natyrën si një kafshë që mund të “komunikojë” me njeriun dhe të tregojë histori. Në fakt pjesa e vargut “vdekje nga lulet” është unike për nga finesa dhe gjetja dhe të ngelet në kujtesë për nje kohë të gjatë, të shijon edhe pa e kuptuar domethënien.

 "Ēngjëjt e pyjeve" dhe "qimiterēt" janë dy simbole të poezisë që paraqesin natyrën, pyjet dhe drurët si qënie me shpirt dhe nëprmjet këtij simbolizmi kanë qëllim të ruajnë dhe të mbrojnë këtë planet.

Paralelizmi "Burri s'mēson nga fitoret, por veç nga humbjet" ndërsa paraqet  kontrastin midis fitoreve dhe humbjeve në jetën e njeriut, rikujton idenë aq të njohur popullore  se si njeriu mund të mësojë nga humbjet dhe të rritet si një person I kalitur nën goditjet e tyre.

 

V-Kemi të drejtë të themi se vargu poetik i Odise Kotes te "Njeriu si harpe natyre" flet nëpërmjet figurave poetike, hapja e të cilave ngjason me hapjen e dritares në një mëngjes prilli me diell pas një ante me shit ë rrëmbyer ku ajri i freskët dhe i pastër të zgjeron frymarjen. Vargjet me figura artistike të ndryshme, të kuptueshme dhe të shkruar me finesë e bëjnë atë një poezi të bukur dhe të ndjeshme, të dëshirueshme për tu rilexuar.

 

Sarandë, më 20 prill 2023

Thursday 20 April 2023

 

PETRIT RUKA KISHTE NJË LËMSH NË ZEMËR

 

Poezia “Kam një lëmsh në zemër” e Petrit Rukës, është një poezi e mbështetur mbi këngën popullore  me të njëjtin titull e cila është shtrati ku rrjedh vargu i tij poetik, por ndryshe nga vargjet e artit gojor që janë një “rrëke” burimi, poezia rrjedh e rrjedh si lumë, çuditërisht shumë i kthjellët dhe i ftohtë, nga ai ujë që pi e nuk ngopesh. Kënga popullore është e shkurtër, disa pak vargje por me një fuqi emocionale që të trondisin:

Kam një lëmsh në zemër

Sdi kujt ti drejtohem

Tu drejtohem maleve

Mallet më largohen

Tu drejtohem fushave

Fushat zbukurohen

Tu drejtohem vajzave

Vajzat po martohen..

I-Këtë këngë e kemi dëgjuar të kënduar, e kemi lexuar të shkruar nëpër përmbledhje krijimtarie të këngëve të popullit, e kemi studiuar të analizuar nga studiues dhe shkrimtarë,gjer në atë shkallë sa që kemi menduar se ska mbetur gjë për të thënë akoma për atë. Ja që Petrit Ruka na tregoi se kjo këngë e ngritur nga ndonjë fshatar i varfër e i drobitur, i cili pos të tjerave ka mbetur dhe pa martuar për shkak të halleve dhe të varfërisë, i cili në hambar ndoshta skishte drithë as për të aritur stinën e re të korrjeve, brenda gjoksit të tij kishte një “hambar”me këngë, apo kishte vetëm këtë këngë që ishte “balsam” dhe “ushqim” për vete, për vendin dhe sidomos për gjithë kohërat. Askush nuk e di kush është autori i këtij teksti tejë shekspirian, se nqse Shekspiri “lëvizi” pyllin, ky fshatar lëvizi malet me gjithë pyjet mbi supe. Askush nuk e di se kur dhe ku u këndua së pari kjo këngë, se për ta kënduar sigurisht që e këndoi vetë ai djaloshi fshatar me “një lëmsh në zemër”. Madje ai, autori dhe këngëtari nuk e ka zbërthyer ndonjëherë “lëmshin e zemrës” për të na treguar se çkishte në përbërjen e tij ky lëmsh, ishte lëmsh i krijuar nga një fill i gjatë, apo një sërë fillesh lidhur e mpleksur me njeri tjetrin. Sigurisht që ky lëmsh ishte më i konklavitur se nyja gordiane të cilën asnjë Aleksandër jo vetëm që nuk e zgjidhte por as edhe mund ta priste. Askush nuk di si e pse u krijua dhe askush nuk e zhbleksi dot këtë lëmsh në zemër.

II-Ja që Petrit Ruka  nisi ta zhbleksë lëmshin, ta bëjë fije fije, jo për ta këputur por për ta parë se çqe ky lëmsh e çqe ky fill që e kishte krijuar atë lëmsh. Ç’tu desh kjo punë more Petrit Ruka, pse s’më pyete të të thoshja qysh kur e nise se ajo që pe e që na tregove dhe neve,  nuk qe lëmsh filli por qe lëmsh lemerish që vetëm Zoti e dinte qysh e mbante në shpirt ai njeri i varfër dhe i pasur njëkohësisht. Se po të qe fjala që tjua jipnin ta mbanin atë lëmsh lemerish Atlasët dhe Herkulët, ata do mirnin malet me lemeri, do dilnin nga mitet e legjendat dhe do bëheshin roje stanesh te ndonjë fshatar si ky që tregojmë.

Petrit Ruka hyri brenda këngës, e ngrohu me vlagën e shpirtit të tij atë lemeri- lëmsh, fijet u bymyen dhe ai kapi një fill të hollë fare dhe nisi, jo ta tërheqë por ta shtrijë nëpër vargje. Do ti që ai fill u bë i gjallë dhe nisi të marrë dhe fillin e vargut të poetit tonë, u mbleks me të, u shtri në të, u ndrit e u rinua me të dhe Petriti vetë na e pruri në këtë poezi. Kjo është e vetmja “teknikë” e zhbleksjes së lëmshit të artit gojor, të hysh brenda tij e të bashkohesh me të. Këtë “teknikë” Petrit Ruka e zbatoi dhe në “rikrijimin”(që më mirë do ishte ta quanim “ringjallje”) të baladave, “teknikë” që e zotëronte vetëm ai dhe si ai. Janë përpjekur para tij me dhjetra shkrimtarë, poetë e studiues të artit gojor por kanë dështuar pse ata e “shihnin” lëmshin nga jashtë. Se si i ra ndër mend Petrit Rukës të hynte brenda dhe si hyri brenda këto janë punë gjenish që nuk i kuptojmë dot ne të gjallët e vdekshëm.

III-Siç thamë, Petrit Ruka na dha këtë poezi, përmbajtja e të cilës ndjek një rrjedh emocionale dhe jep një portret të sinqertë të ndjesive të poetit, sepse duhet të pranojmë që Petrit Ruka ishte një ndër poetët më të sinqertë në letërsinë shqipe.

Vargjet e para të poezisë, që realisht janë vargjet e para të këngës popullore na paraqesin një ankth  të pashpjegueshëm, në imazhin metaforik të "lëmshit në zemër", por edhe të dilemës kujt ti drejtohet për ti kërkuar ndihmë. Si shqiptar, poeti popullor dhe Petrit Ruka i drejtohen fillimisht malit, për vetë mardhëniet që ka njeriu shqiptar me ‘të, por ja që ky personifikim bashkëbisedue-si nuk del i suksesshëm, sepse  në qoftë se te kënga popullore “Malet më largohen” , te poeti ynë malet jo vetëm që largohen, por shfaqen armiqësorë pasi “Mjegull vënë përpara,/Sytë më qorrohen”, thua se duan ta lenë aty me atë lemeri lëmsh. Nuk është hera e parë që edhe malet “na kthejnë shpinën”.

Te strofa e dytë kemi një qëndrim qesëndisës të poetit kur sheh se “gratë zbukurohen” që nënkupton se ato vishen nuse, por gjithsesi ëndërrat e rinisë “Tek vitet e mia,/Këmbët u pengohen/Në prag të mëshirës/Zemrat u ngat’rrohen”. Shumëkush këto vargje i çmon si me humor, por unë ju them se poeti “qesh” që të mos qajë, ose më saktë që të mos ulërijë nga dhëmbja e kujtimeve a ëndrrave të braktisura që ai ndjen.

IV-Befas poeti del nga shtrati i këngës popullore, (asnjë varg për fushat që zbukurohen, pasi “zbukurimin” jua dhuroi grave) dhe del në rrugë:T’ju ankohem këngëve,/Këngët hidhërohen,/Sa shtrohen mbi letër,/Zënë e vjetërohen,/S’i plakat në dimër,/Nxijnë dhe sterrohen”. Dikush do pyesë se: çështë kjo zezonë që po sjell në vargje Petrit Ruka i bardhë, por unë ju them se vargjet e poetit i nxiu koha. Çfarë kënge të “bukur” mund të shkruajë në këtë kohë të zymtë, te cila shpresë , te cila ëndërr ta ngjyejë penën që fjalët të cicërijnë si zogj nëpër vargje? Edhe kaq sa ka bërë, ka bërë shumë, ka shtrydhur pikat e fundit të ëndrrave, i ka ushqyer me gjakun e tij dhe ka bërë që ato të çelnin “gjethen” e parë të shpresës. Kaq mund të bënte poeti, pjesa tjetër u takonte të tjerëve, atyre që jo vetëm nuk e bënë, por goditën poetin që mos ti ushqente ëndërrat e tij për ne.

Në qoftë se strofa :T’ju rënkohem shokëve,/Shokët më rrallohen,/Të gjithë ndrrojnë adresat,/Në varreza shtohen./O ky lëmsh në zemër,/E di, … që do helmohem” ka një tis realiteti, strofa tjetër ulërin me kujë:T’i ankohem zemrës,/Lëmshi më zmadhohet,/Si qebap kafeje,/Mbi zjarr rrotullohet”, sepse sa do durrojë e shkreta zemër, një anije me dërrasa të vjetra në tufanin e oqeanit? “Lëmshi më zmadhohet” thotë poeti dhe ne na bëhet një gulç në grykë, sepse ai lëmsh i tij ishte shtuar dhe me një fill më tepër e ne s’e ndihmuam dot.

Shpesh disa shokë më thoshnin se Petrit Ruka ishte ironik në poezi dhe për të ma vërtetuar më citonin vargje dhe strofa. Unë gjithnjë kam këmbngulur që Petrit Ruka ishte ndër më seriozët në poezinë shqipe, madje edhe kur shkruante vargje që tingëllonin si me humor, ai ishte tepër serioz, pse ishte “ngushtuar”, ishte rrethuar nga “hallet” që e kishin vënë në qoshen e ringut të jetës dhe po e godisnin pa pushin dhe ai shmangien prej goditjeve të  tyre e shihte te shtegu i ngushtë i “humorit” (në dukje) ku hallet e brengat e “trashura” nuk kalonin dot. Lexojeni strofën e fundit:T’i ankohem vdekjes,/Veç ajo gëzohet,/Si vejushë e djegur,/Zë e më afrohet,/Me mua të gjorin,/Vdes që të martohet” dhe shikoni kontrastin në vargje: Vdekja gëzohet dhe si vejushë i afrohet, pse me atë të gjorin ajo “vdes” që të martohet. A nuk ju kujtohet kënga “Mbeçë more shokë mbeçë” me vargjet befasuese:”Në pyettë nëna për mua/I thoni që u martua/Në pyettë se çgrua mori/Tre plumba për kraharori/Në pyettë se çklrushq i vanë/Korbat dhe sorrat ta hanë”. Pas kësaj qasjeje kush mund të thotë se Petrit Ruka thurte vargje me humor, veç po të shtojmë: “me humor të zi”.

V-Veç se me vargjet e fundit të poezisë së Petrit Rukës ;” Kam një lëmsh në zemër,/Po kujt i besohet”?! mund ta mbyll këtë shkrim, duke ju thënë se vërtet Petrit Ruka kishte një lëmsh të madh në zemër. Besojeni dhe ju siç e besova unë.

 

Sarandë, më 20 prill 2023

Friday 14 April 2023

 

Timo Mërkuri

 

KËNGA S’KA PRONAR

  

Lexova me vemëndje të madhe fjalën e hapjes të Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” Nderi i Kombit të mbajtur në çeljen e “Simpoziu-mit  për polifoninë labe” në sallën UNESCO të Muzeut Historik Tiranë më datën 25 mars 2023. Zakonisht fjala e hapjes në aktivitete të tilla është ceremoniale, duke u lënë referuesve të drejtën dhe detyrën të ngrenë problemet e të sugjerojnë zgjidhjen, por në këtë rast fjala e çeljes ishte tepër orientuese për drejtimin që duhej të mirnin diskutimet dhe sidomos nxitëse për goditjen e personave të shënjuar, të cilët: “janë vënë në shërbim të huajve, edhe pse me një kosto jo të vogël për identitetin kombëtar”. Sipas kryetarit të kësaj shoqate personat e vënë në shërbim të të huajve, pra armiqtë e brendshëm, agjentët as më pak dhe as më shumë janë një “pseudoakademik dhe shpura e tyre me interesa të fshehta komerciale”. Fjalë të “mëdha” për një simpozium shoqate,  fjalë  klishe të një kohe të shkuar, që tingëllojnë tepër arkaike në kohën e sotme.

Megjithë atë klisheja arkaike e fjalës së çeljes është e keqja më e vogël, kur shohim se kemi të bëjmë me një tip pleniumi të IV të KQ të PPSH që zbulon grupe armiqësore në art dhe kulturë. Për ti rënë tamam në gjurmë “agjentit” të zbuluar dhe të demaskuar në simpozium po ju jap disa fakte të tjera “kompro-mentuese” për ‘të që i kanë shpëtuar  çaush-“zbuluesit”. Ai, “agjenti”pra, më rezulton edhe autor i monografisë “Himni Kombëtar Shqiptar” i vetmi studim shterues në këtë fushë, është mbledhës dhe autor i librit “Këngët partizane, Trashëgimia shpirtërore e Luftës Antifashiste Nac.Çl”, është autori i “Enciklope-disë së Polifonisë me iso” (shqip-anglisht), botim i realizuar me mbështetjen e Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes fondit të Ambasadorit Amerikan për trashëgiminë, është autor i monografisë së vetme për kompozitorin më të madh shqiptar Çesk Zadeja, autori i operas “Skënderbeu kryezot” me tekst të Fan Nolit. Doni më, mbani shënim: ai ka bërë që në Akropol për herë të parë dhe të fundit (deri më sot) të kumbojë gjuha e bukur shqipe në operan e kompozuar prej tij :”Eumenides” me përkthim të Ismail Kadaresë. Paska bërë “hatara” ky agjent, super agjent, ky poli agjent. Shyqyr që “dumbaba” na ka lënë ca çaushë nëpër këmbë se do na kishte marrë ...Europa me kohë.

 

I-Arsyeja e organizimit të atij simpoziumi është pse kënga jonë vënçe u shpall nga UNESCO si kryevepër shpirtërore e njerëzimit: [“Albanian folk iso-poliphony” a Masterpiece of dhe Oral and Intagible Heritage of Humanitu] që e përkthyer në shqip do të thotë: “Polifonia popullore shqiptare me iso: një Kryevepër e Trashëgimisë Gojore dhe Jomateriale të Njerëzimit” dhe në përdorimin e përditshëm quhet “iso-polifoni”duke nënkuptuar këngën vënçe, shumëzërrëshe, polifonike me iso dhe variantet e gjithë trevave ku lëëvrohet kjo këngë si Himara, Çamëria, Labëria, Skrapari, Zagoria Lunxhëria, Myzeqeja, Gramshi etj. dhe ky miratim është bërë pa marrë miratimin e shoqatës Labëria, pse : “ai që i vë vulën është komuniteti lab”. Se çfarë vule do vejë komuniteti lab në UNESCO akoma nuk e kam kuptuar, por di që UNESCO  e shpalli këngën tonë polifonike me iso  “mbretëreshë” shpirtërore e njerëzimit dhe i vuri mbi krye një kurorë të artë, ndërsa këta këmbngulin të heqin kurorën dhe ti vënë qylafin lab.

 

II- Oratori për të bindur dëgjuesit për të “drejtën e vulës” labe, bën një shëtitje në historinë e origjinës së Labërisë: Në kohën para Krishtit, një popull i quajtur “Labeat”.. përmëndet për herë të parë nga Tit Livi, gjatë luftës së tretë iliro-romake”dhe se ky  fis ilir është origjina e popullatës labe. I këtij mendimi është edhe albanologu Baroni Nopca-s, emri i labëve lidhet me emrin e fisit ilir të Labeatet-ve –Lacus Labeatis që banonte afër Liqenit të Shkodrës.

Mirëpo nqse do ecim sipas këtij orientimi historik të kryetarit të shoqatës “Labëria” do shohim se: Fisi ilir i Labeatëve në luftën e tretë iliro-romake  në vitin 168 p.e.s. në drejtimin e mbretit Gent u mund nga ushtria romake dhe mbreti Gent u kap rob. Labeatët që i shpëtuan romakëve erdhën në vendin që sot quhet Labëri, (atëherë quhej Himarë) pas vitit 168 p.e.s., por ligjëruesi nuk na thotë në se  këngën vënçe  e sollën me vete nga Shkodra, por ai shpalos njohuritë e tij duke thënë se: Polifonia ka lindur si nevojë jetësore kulturore në malet e Labërisë, për të shoqëruar gëzimet, hidhërimet dhe ceremonitë familjare në shekuj”. Sipas tij lindja e këngës labe është e periudhës pas vitit 168 p.e.s., mirëpo Profesori Aleksandër Peçi në fjalën e tij në këtë simpozium theksoi se: “Që të arrijë këtë perfeksion që ka sot kjo marëdhënia e 4 zërave nuk mjaftojnë 1000 vjet, por duhen disa mijvjecarë, e pse jo, mund të jetë pellazgjia fillesa e polifonisë”. Personalisht unë afrohem me fjalën e profesorit për kohën që i është dashur këngës vënçe, polifonisë (me iso) për tu formuar e përsosur dhe kurrsesi nuk mjafton koha që nga viti 168 p.e.s. edhe sikur lebërit ta fillonin jetën në “malet e Labërisë” me këngë vënçe qysh të nesërmen e mbritjes. Unë e kërkoj fillesën e këngës në fund të matriarkatit dhe në këtë drejtim jam më afër me Profesor Peçin.

 Gjithmon sipas fjalës së kryetarit, labeatët erdhën pas vitit 168 p.e.s., por “haron” të thotë se në këto vise gjetën himariotët kaonë e më në jug ishin Thesprotët ndërsa në juglindje mollosët, prania e të cilëve është dokumentuar dhe mijra vjet më parë, por gjithsesi  le të vijojmë udhëtimin historik që na afron fjalimi.

Labeatët e ikur nga lufta iliro-romake erdhën në një trevë ku banonte një popullatë të kulturuar, ku kënga vënçe ishte niveli më i epërrm i kulturës orale të kohës, që kishin si kryeqytet fetar Dodonën (të cilën e shkatëroi Pal Emili në vitin 167 p.e.s.) ose siç shkruan Çabej: “Labëria hyri si pykë në Toskëri dhe ndau në mes një njësi të hershme”. (Çabej Ε., 1994, Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes, Tiranë,fq.49.). Do ta “shmanguim”  akademikun Shaban Sinanit që këmbngul se “Labëria ngushtoi kufijtë gjeografikë të Himarës jo më parë se shekulli XVIII”. (Akademia e shkencave e Shqipërisë, 2004, Himara në shekuj, Tiranë, fq.327.), sepse ka gjasa që edhe ai të jetë “agjent” i vënë në shërbim të të huajve për qëllimet e tij komerciale?

 

III- Vijojmë të lexojmë  Çabej (shpresoj të mos jetë “agjent”) kur thotë se:   Toskeria është toka që janë ruajtur më mirë meloditë e moçme të vendit” dhe shton se: “këngët e Veriut janë këngë solo, simbol i shtëpisë së vetmuar, i ekzistencës së izoluar dhe i karakterit individualist të njeriut të malit, – të Toskërisë janë këngë polifone, korale”. (Çabej Ε.

Të sqarohemi, kënga vençe, (polifonike me iso, iso-polifonike, shumë-zërrëshe etj.) është një e vetme dhe ato që quhen këngë himariote, labe, çame, zagoriote, lunxhiote, myzeqare, skrapariote, gramshiote etj. janë thjeshtë variante të kësaj kënge, janë degë të pemës së këngës vënçe shqiptare. Është kënga shqiptare vënçe, polifonike me iso (etj.) që është tipike, vetëm shqiptare, pasi popujt e botës kanë polifoni në kuptimin e këngës me shumë zërra, por kënga shqipe është polifoni me iso. Është pikërisht zërri “iso” që e dallon dhe e specifikon këngën tonë. Brenda saj kjo këngë ka disa variante që përfaqsojnë karakteristikat më të veçanta të krahinave përkatëse,  duke qënë njëkohësisht në identitet shqiptare. P.sh. kënga himariote, çame etj. ka si “trung” faktin që është art gojor shqiptar me tipar kolektivitetin dhe anonimatin, në këto këngë nuk evidentohet individi, ato vlerësohen si grup.

Lebërit erdhën nën trevën e himarës, u përshtatën ambinetit ku: banorët që gjetën në vendet ku u vendosën, mikpritja e tyre, miqësitë, krushqitë, aleancat kundër të njëjtit armik krijuan një klimë të ngrohtë për këtë përshtatje. Këtu u njohën edhe me këngën polifonike me iso, e ndryshme nga kënga e tyre solo, u pëlqeu dhe e mësuan. Në këtë rast merita është e grave, ishin ato të parat që, në praninë e grave dhe nuseve me origjinë himariote mësuan ritin vajtimor kolektiv, përjetuan logatjen si fazë shndrimi e ligjërimit në këngë dhe prunë të parat në familjen labe këngën vënçe. Burat lebër nuk dinë të vajtojnë, pse ata e quajtën dobësi, turp, pasi “burat nuk vajtojnë” ndërsa burat himariotë vajtonin, zakon që jeton akoma edhe sot në disa fshatra të thella të Himarës.

Në qoftë se do më lejoni të bëj  krahasime mes stileve të varianteve do ju thoshja se: Vija melodike e ëmbël e variantit himariot, çam etj. është jo vetëm si përshtatje e temës por si nivel i epërrm arti, i përpunuar në shekuj. Variantet himariote, çame, lunxhiote etj janë lëndinë dashurie, varianti labe është fushë beteje, është krismë pushke ( “Përshtypja që del prej këngës labe është malli i ashpër dhe shpirti heroik…. Se epike është fryma e këtij fisi, këngët më të dashura të tyre janë këngë trimash…” (Çabej Ε., Po aty, fq.49). ndërsa varianti himariot, çam etj është pëshpërimë dashurie. Varianti lab na mëson si të vdesim, varianti himariot, çam etj na mëson si të jetojmë. Varianti lab , duke patur para ardhës këngën solo i kushton edhe sot një rëndësi të madhe zërrit dhe funksionit të marrësit, ndërsa kënga himariote, çame etj. i kushton rëndësi kolektivitetit, ndaj dhe marrësi i këngës së tyre thotë vetëm gjysëm strofe (Vajz’ e valeve...) dhe menjëherë hyn grupi në këngë.

Këto dallime thelbësore na tregojnë se kënga labe është dega më e re e këngës vënçe shqiptare, është varianti më i ri i këngës polifonike me iso. Kjo shpjegohet me kohën  më të “pakët” që komuniteti lab pati në dispozicion për të përpunuar këngën vënçe, ndërkohë që popullata toske e mori këtë këngë qysh nga vajtimi me ligje dhe e shndroi në këngë, ashtu si Krishti që shndroi ujin në verë.

 

IV-Jam plotësisht dakort me shprehjet se: polifoninë (e ka fjalën për këngën vënçe. Shën. im. T.M.) nuk e polli as sirenat greke e as Homeri”. As kisha bizantine, do shtoja unë  sepse ajo ka vetëm rreth 1700 vjet që ka lindur, ndërkohë që kënga jonë vënçe ka moshë disa mijra vjeçarë. Duke qënë dakort me  këto dy pohime nuk shoh arsye të pranoj pohimin se: “Pra kënga labe ose labërishte është gjeneza e polifonisë (këngës vënçe)”pasi kjo deklaratë jo vetëm që nuk ka asnjë bazë shkencore dhe historike, por synon autorësinë e këngës vençe, polifonike me iso duke mënjanuar dhe zhvlerësuar gjithë variantet e zonës të Toskërisë, madje duke lënë të kuptohet se ato variante gjasme janë “bija” të këngës labe. Ky është një pretendim shumë i madh që nuk e mban dot varianti lab as estetikisht dhe as shkencërisht. Ky pretendim synon “privatizimin” e këngës vënçe, polifonike me iso si një pronë private e trashëgueshme, por kënga vençe nuk ka pronar.

Ne vlerësuam që varianti lab është një degë e pemës së këngës, por nuk është trungu dhe aq më pak rrënja e pemës, varianti lab është  një gur diamanti i kurorës së këngës sonë vënçe, por ai nuk është vetë kurora, kurora është kënga “Polifonike shqiptare me iso”. Diamanti është një vlerë, por kurora është një simbol që përmbledh disa vlera, madje dhe pa disa nga këto vlera ajo mbetet kurorë, mbetet simbol. Vlerë më vete janë dhe varianti himariot, lunxhiot, çam, zagoriot, gjirokastrit, skrapariot, mallakastriot, myzeqar, varianti i Gramshit etj. Vlerë janë dhe variantet e arvanitasve, e Zarës në Kroaci, e arbëreshëve, e Ladorishtit etj. Dhe ju siguroj unë se asnjeri nga këta variante nuk e ka origjinën nga varianti lab.

 

V-Shprehja:Barinjtë (labë shën.imi. T.M), duke qenë të veçuar me bagëti në stane, pa njerëz për rreth, ju ka lindur nevoja të shprehin gëzimet dhe hidhërimet” jo vetëm që nuk është një përfundim studimesh, por më shumë ngjan me një deklaratë impulsive, veçse kjo deklaratë ka dy rreziqe

- e para: mohon origjinën e këngës nga ligjërimi mortor, origjinë që përligj strukturën njëjtë të këngës me grupin vajtimor (ku te kjo e fundit mungon vetëm zërri i prerësit, pse askush nuk guxon të presë në mes vajtimin), madje edhe funksionimi i këtyre zërrave është i njëjtë. Po ashtu dhe përkimi i personave te zërrat e vajtimit dhe të këngës është gjithashtu rastësor, gjë që të shpie te parimi i anonimatit, krahas kolektivitetit. Profilizimi i zërrave të këngës, në kuptimin e artistëve të njohur u bë shumë më von ndërsa në vajtim nuk kemi “profilizim” sepse vajtoret nuk janë “profesioniste” pavarësisht aftësive të larta të disa prej tyre. Argument është dhe fakti se vija melodike e këngës ka origjinë nga ligjërimi mortor, kjo duket te logatja (edhe te logatja e Zeqo Hoxhës së Kallaratit), pse vajtimi duke kaluar nëpër”urën” e logatjes ka dalur në bregun e këngës, madje logatja kryesisht fillon me “iso”, rënkim para se të shqiptohet teksti .

- e dyta të kjo tezë mohon kontributin e nënave dhe motrave nëpër shekuj, shpirti i të cilave ishte laboratori krijues i shndrimit të vajit në këngë.

Unë ju them se kënga ka ardhur te koha jonë duke lundruar si një anie nëpër një oqean lotësh të nënave e motrave shqiptare, madje akoma edhe sot ky laborator funksionin me këtë makineri të stërlashtë. Dëgjoi si vajtojnë nënat himariote, çame etj. nëpër morte, si i sjellin fjalët e ndritëshme si lumi kur sjell copëza floriri, vurja veshin vijës “melodike” të vajtimit dhe do pyesësh veten si nuk shëmben malet, se burat nuk e durojnë dot. Shihe grupin e vajtoreve dhe “rolet” e secilës prej tyre në vaj, a nuk të ngjajnë me rolin e zërrave të këngës. Kur flitet për origjinën e këngës flitet për shpirtin që çahet në copa, jo për thelat e mishit të pjekur që këputin  dhe hanë barinjtë e “vetmuar”. Po nuk e dini jua them unë, edhe vajtimi edhe kënga  te shqiptarët kanë tipar kolektivitetin dhe anonimatin. Të gjitha gratë vajtojnë e rrënkojnë, sigurisht që vajtoreve më me përvojë u lihet gjithmon radha e nderit por ato quhen thjesht “gratë që vajtojnë” dhe jo grupi i filan vajtoreje. Edhe grupet e këngës quhen grupi  i filan fshati dhe jo grupi i filan këngëtari.

            Që të mos keqkuptohet ndonjë po theksoj se sot edhe nënat labe  vajtojnë me ligje, me tekste brilante dhe me një vijë vajtimore (nuk mund ta quaj melodike) që të çpon si thikë në zemër. Ato janë poete për ti patur zili, vajtore që të dëshirosh të të vajtojnë (kishte hak Fan Noli). Është shpirti i tyre artist që e pranoi shpejt këtë pjesë të ritit mortor, është meritë e tyre që e përvehtësuan mjeshtërisht.

 

VI-Shprehje të tipit: “Enigma e këtij emërtimi qëndron se ku fle lepuri dhe pse është gjetur ky emërtim”?! Akoma filma me diversantë shikoni ju? Akoma kërkoni “armiqtë e brendshëm të partisë e të Popullit në letërsi, art e kulturë” për të organizuar pleniume të IV të K.Q. të PPSH?

 

 

Sarandë, më Prill 2023