Friday 19 August 2022

KUR POEZIA VJEN NGA BRENDA TEJE

Përsiatje mbi poezinë “Pa titull” të Fatmir Terziut.

 

Nga Timo Mërkuri

            Ditën e sotme Fatmir Terziu publikoi në faqen e tij të fb poezinë e titulluar “Pa titull”, poezi që më tërhoqi vëmëndjen edhe për faktin se, sipas vetë poezisë, autori e kishte marrë frymëzimin nga qyteti im, ndonëse dallga poetike kishte lagur me stërkala edhe vende të tjera. Që frymëzimin  autori e kishte marrë nga qyteti i Sarandës, kjo duket qysh në strofën e parë, por ajo që më bëri përshtypje është se poeti ka një tjetër këndvështrim për qytetin, tejë të zakonëshmes poetike.   

 

          I-Zakonisht kur shkruajnë për Sarandën, poetët e ndryshëm e personifikojnë me një vajzë bukuroshe që loz me stërkala, madje nuk kanë munguar as cilësomet si qytet i dalur nga stërkalat e detit, si vetë Afërdita, tempullin e së cilës gjatë antikitetit  qyteti e kishte në breg të detit. Që ta prezantosh Sarandën si një Afërditës është më se e natyrëshme për vetë bukuritë natyrore dhe  resurset urbane të saj, për natyrën plot diell dhe motin “pa” dimër.

        Poeti i është shmangur qëllimisht kësaj tablloje  afërditiane dhe na jep një Sarandë tjetër, të trishtuar si një plakë që falet te kisha e Shën Harallambit ditën e diel. Saranda falet/Saranda falet” thekson autori, madje këtë e citon dy herë. Ky citim nuk është ndonjë klithmë “zbulimi” për ndonjë devotshmëri fetare, por në fakt është një pëshpërimë, e cila me pahir  e kalon pragun e buzëve, si ato pëshpërima që këmi dëgjuar në ato mote  në shtëpitë tona, kur gjyshet, duke sfiduar  ateizmin shtetëror ofronin veten për martirizim, duke hedhur lutjet si ura mes nesh dhe  perëndisë. Duhej heshtur gjatë këtyre lutjeve që t’i dëgjonte  perëndia, ta kuptonte hallin tonë dhe të na ndihmonte. Duhej heshtur edhe që të mos dëgjonte as komshia dhe as ndonjë kalimtar i rastit poshtë dritares sonë, sepse kishim dëgjuar për kalimtarë që nuk ishin dhe aqë të rastit

          Në shtëpinë tonë vetëm gjyshja lutej, madje babai për të mos i nxjerrë telashe “shtëpisë” sonë, ikonës  me portretin e Shën Gjergjit (mbi kalë dhe me heshtë në dorë duke vrarë kuçedrën) nga ana e pasme i kishte vënë një pikturë të Skënderbeut, dhe ai mbi kal, tek sulmonte turqit. Të dyja fotot, pasi i kishte vënë me shpinë nga njera tjetra, i kishte vënë në mes të dy xhamave dhe në këtë mënyrë konizma që tregontë nga njera anë Shën Gjergjin, të cilit aq shumë i lutej gjyshja ime. mjafton ta ktheje mbrapsh dhe të tregonte Gjergj Kastriotin që e donte babai. Gjyshja e shkretë që kishte probleme me shikimin, nuk e dallonte dot Shën Gjergjin nga  Gjergj Kastrioti kështu që i lutej kujdo “shenjti” që të dukej, shënjti i perëndisë apo shenjti i  Shqipërisë.

         Qyteti i Sarandës përbëhej nga popullsi e besimit ortodoks, po aq dhe nga popullsi e besimit mysliman, që në fakt ishte popullsi  kryesisht çame, por ajo që ishte karakteristike para vitit 1967 ishte fakti se gjithë të rinjtë e të rejat çamë vinin në kishë dhe ndiznin qirinj, madje pa asnjë pengesë nga familjet e tyre, traditë që vazhdon akoma edhe sot. Vinin në shtëpitë tona për Pashkë dhe mirnin vezë të kuqe e i çukisnin me ne, ndërkohë ne fëmijët ortodoksë ngopeshim me bakllava në shtëpitë çame për Bajram. 

      

           II- Qyteti i Sarandës e ka ritualin e “faljes” qysh në origjinën e emrit të tij. Qyteti quhet thjeshtë Sarandë   që do të thotë “Dyzetë”, greqisht shqiptohet “Ajo Saranda”, emër që lidhet me 40 ushtarë kristianë, të cilët i përkisnin Legjionit 12-të “Rrufeja” dhe u martiri-zuan në ujrat e ngrira  të  liqenit nga përndjekësi Agrikola sepse refuzuan urdhërin për të mohuar besimin kristian.  Kjo ndodhi  në  9 mars të vitit 320.

       Duke qënë se Manastiri i Dyzet Shënjtorëve në kodrën Qafë  Gjashtë (ndërtuar ne shek. VI) është pikë zotëruese e qytetit dhe duket së largu nga deti, qyteti mori emrin e njëjtë me Manastirin. Madje dhe në italisht  emri i qytetit quhet Santa Quaranta (Dyzet shëntorët), përkundër Ajo Saranda që shqiptohet greqisht.  

           Vetkuptohet që manastiret janë vende lutjesh dhe përkushtimi  dhe gjatë ritualit të lutjes ortodoksët bëjnë kryqin me tre gishta të bashkuar. Simbolika e kryqit ka qënë dhe është e dukëshme në qytetin dhe jetën tonë, ndaj dhe poeti, duke ju ftuar për heshtje në respekt të ritualit thotë: Saranda bën kryq/ Saranda bën kryq”, për të vazhduar më pas; “Lëkurrësi lutet / Lëkurrësi lutet”.

             Tre pikat  kryesore [Saranda (Qyteti), Manastiri dhe Lëkurësi] janë në një unitet shpirtëror: ”luten”, “falen” dhe “bëjnë kryq” duke dëshmuar shpirtin paqësor të banorëve të këtij  “trekëndëshi”urban, ndonëse në këmbët e tyre “Joni dehet/ Joni pi sa s’bëhet” se : “Dallga e tij ka tërhequr zvarë anijen/ dallga ka humbur vetëdijen” dhe: “Stërkala godet guralecët/stërkala tretet … nuk ecën”. Fatmir Terziu, si poet që është e njeh dhe e kupton më së miri qytetin, banorët  dhe jetën e tyre.


               III-Në Sarandë “Joni pi e dehet” me legjendat e shumta të qytetit, me Poseidonin, diku mes qytetit dhe Korfuzit, me Kodrat e Hermesit mbi qytetin e Sarandës, me Enea Trojanin dhe babain e tij, Ankizmin vdekur e varosur diku këtu, me tempullin e Afërditës dhe tempullin e Diellit, ku është ngritur kështjella e Lëkurësit, me Panin e dehur ne Butrint dhe Amazonat (moniviset) në fushën e Kestrinës (Vrinës). A mnois doni tju them se Zeusi ka lindur në Palavli (avllinë e vjetër) dhe Kroni qëndronte te mali i Kronjit, prej nga e shihte Bistrica me Syrin e saj të Kaltër. Nuk do ndonjë qytet tjetër në vend që të ketë një dendësi kaq të madhe legjendash e mitesh, ndaj dhe “Joni pi e dehet/ ndonjeherë ai godet brigjet” se “dallga e tij ka humbur vetëdijen” dhe “Stërkala godet guralecët/stërkala tretet … nuk ecën” se është e pafuqishme ti bëjë keq kësaj  butësie shënjtërie shpirtërore ku Vurgu lutet për shpirtin që thahet/se Bistrica ka djegur trupin” jo vetëm nga vapa.

             Poeti është diku këtu : “Dhe ne shënojmë të mbushim Historinë përmes kësaj stuhie” shpalos synimin apo objektivin e tij qytetar dhe intelektual, por gjithsesi : ”dhe ne lutemi të jemi të mbështjellë në krahët e strukur/dhe ne lutemi/dhe ne lutemi”, “gjëmojnë” këto vargje me një pëshpërimë .

             “Jam me Shenjtorët dhe jam në gjunjë/pena dhe letra janë pranë meje/dhe ne lutemi/dhe ne shkruajmë” deklamon poeti qetësisht, por kjo qetësi ka diçka ëngjëllore, sepse ka praninë e shenjtorëve të cilët shkruanin e luteshin dhe ata, si poeti. Më me elegancë, më me finesë nuk mund ta shënjtëroje misonin e poetit Fatmir Terziu, veçse dije se dhe unë shkruaj për ty e lutem dhe për ty.

     

             IV-Lind një pyetje në këtë poezi të Fatmir Terziut, ai nuk ndodhet në Sarandë këto ditë që ka derdhur shpirtërisht këtë poezi: si i erdhi frymëzimi për ‘të, madje një frymëzim i adresuar dhe jo i përgjithshëm. Kjo pyetje bëhet më interesante kur sheh stilin e poezisë si një shpërthim i beftë, i menjëhershëm dashurie e malli.

               Që Fatmir Terziu është i lidhur me Sarandën shpirtërisht, kjo është një gjë që dihet nga shumë veta. Ai ka qënë i pranishëm për disa vite rresht në Manifestimet tona Poetike të “Triremës Joniane”, madje tepër aktiv aq sa Shoqata jonë e ka vlerësuar me “Pendën e Artë” në vitin 2015 dhe me “Kurorën e Artë” me gjethe dafine në vitin 2016, Bashkia Sarandë i ka dhënë dy herë “Çertifikatën e Mirënjohjes”, poetët e shkrimtarët e Sarandës kanë shkruar për veprat e tij dhe për atë vetë ashtu si dhe ai ka shkruar për krijuesit saranditë me dhjetra artikuj. Për qytetin e Sarandës Fatmir Terziu shpesh herë ka botuar cikle poetike te fjalaelire dhe Albania Post, të cilat i ka përfshirë në librat e tij, por vërejtur prej meje, këto krijime e kanë patur gjithmon një shtysë apo frymëzim gjatë një vizite të afërt me qytetin apo takim me ne krijuesit e Klubit të Krijuesve Jonianë apo një ndjesi marrë me vete.

           Këtë herë kemi një dallim të dukshëm, vizita e tij e fundit shënon disa vite, kohë e mjaftueshme për t’u “ftohur” frymëzimi i momentit. Ajo që duhet vënë në dukje është  këndvështrimi i tij në këtë poezi, një këndvështrim i një tjetër lloji, tepër shpirtëror, tepër “ortodoks”, si një mall, si një brengë, si një dashuri e “humbur”, diku në kohë dhe hapësirë.

             Frymëzimi i poetit nuk është statik, i çastit, nuk është si “barut” i thatë që ndizet menjëherë ndaj dhe poeti mer në dorë penën. Ka dhe një lloj tjetër frymëzimi që hyn në shpirtin e poetit dhe “fle” aty, madje mund të “flejë” për një kohë të gjatë, aq të gjatë sa dhe vetë poeti ta ketë haruar. Ndërkohë që “fle” ai jeton, pra rritet dhe duke u rritur kërkon më shumë hapësirë, kërkon ajër dhe dritë  dhe kur nuk i gjen aty ku është duke “fjetur”,  shpërthen në një moment kur arrin pikun. Është si procesi i lindjes së fëmijës, është si procesi i shpërthimit të vullkaneve, veçse këtu kemi të bëjmë me një tip “vullkani nënujor” që krijon dallgë dhe “godet brigjet” si një i dehur.

          Është malli dhe dashuria e mbajtur nga poeti në shpirt për vite me rradhë, e shtypur nën trysninë e vetë, e shndruar në diamant poezie brenda  shpirtit, e nxjerrë sot në dritë për ne, thjeshtë që ta dimë.

           Ja që ne e kemi ditur gjithmon, se zemra e ndjen zemrën dhe në distancë, sidomos kur është zemër poeti. Ajo që vlen ta themi është se dhe Fatmiri e di që dhe Saranda e do, por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se Sarandës i duhet më së shumti Fatmiri se sa anasjelltas. Sarandës i duhet Fatmir Terziu me atë dijen e tij, me talentin e tij krijues, me atë rrezatimin e tij filozofik ku si një pasqyrë reflektohen jo vetëm bukuritë, por edhe dashuritë e tyre të ndërsjellta.

 

 

Sarandë, më 17 gusht 2022 

Sunday 14 August 2022

 

Timo Mërkuri

 

KALAJA E NDËRTUAR NGA FJALA

 

Përsiatje mbi librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” të Ajete Zogaj

 

I- Veprat e studimore dhe letrare të Anton Nikë Berishës, të vështruara nga Ajete Zogaj në librin “Vepra me rëndësi të shumëfishtë[1]” më së pari shihen si një kala e ndërtuar pranë rrënojave të një kalaje tjetër të hershme, themelet e së cilës qenë hedhur qysh në kohëra të hershme me gurë pellazgjikë. Koha e largët e ndërtimit të tyre, pesha e madhe e gurëve të themelit dhe pesha e mureve të larta e të gjera të kalasë kishte bërë që ato, (themelet) të “shkriheshin” e të bëheshin një me truallin shkëmbor dhe si të tilla, t’u qëndronin tërmeteve të hordhive, që suleshin mbi muret të cilat ato i mbanin mbi supe. Erdhi një kohë dhe rrebeshet e zjarr-pushtimeve i gremisën bedenat bashkë me nuset e bardha, ulën flamujt, vyshkën lulet e lemerisën këngët e djemve e vallet e vashave. Shtresa e pluhurit që binte mbi gërmadha u bë farishte dhe fidanishte e bimëve të harrimit.

Pranë rrënojave të kësaj kalaje, pasardhësit e kështjellarëve ndërtuan një lagje banimi, e cila edhe sot quhet “lagjja e vjetër”: me shtëpitë e “ngjitura” njëra me tjetrën, të larta e të ngushta, që prej së largu ngjasojnë me bedenat e një kalaje të re të “mbirë” nga toka. Pamja prej së largu si kështjellë mund të ishte arsyeja pse muret e tyre i ndërtuan me gurë të bardhë gëlqerorë apo pse lanë disa rrugica të kalldrëmta mes tyre, ndërkohë që dritaret i bënë të ngushta, si frëngji kështjelle.

Një arsye e cilësimit “e vjetër” mund të jetë edhe se këto shtëpi u ndërtuan me gurët e mureve dhe portikëve të kalasë, të rrëzuar nga gjylet e luftërave dhe ende mbanin brenda tyre jehonën e gjyleve, e cila u prish gjumin apo u ndez ëndrra të tymta banorëve. Në verë, vapa që rrëshqet nga çatia e gurtë teposhtë mureve, ngjan me ziftin e ndezur që kështjellarët hidhnin mbi sulmuesit, ndërsa në dimër prej mureve buron një lagështirë dhe ftohtësi, që shfaqet mbi suva si njollë apo hije e një fermani të kobshëm, ftohtësinë e të cilit nuk e ngroh dot zjarri i oxhakëve që rrinë ndezur gjithë ditën.

Kjo kala tashmë është një kala moderne, por banorët këmbëngulin ta quajnë “kalaja e vjetër” dhe është pikërisht kjo dëshirë e tyre që të krijon përshtypjen se pikërisht kjo është shkaku që në sytë e tyre pulson një dritësim i veçantë, sa herë që u flasin të huajve për historinë e tyre.

Është, vërtet, një kala interesante: kisha s’ka shumë vite që është ndërtuar e re, por banorët e quajnë: “kisha e vjetër”, ngase është ngritur mbi gërmadhat e kishës së hershme, të tjetërsuar dikur në xhami e të rrëzuar më vonë. Interesante është se dhe qelat e kishës, banorët i thërrasim me emrat e priftërinjve që dikur qëndronin në ‘to si: qela e Gjonit të Bdek Buzukut, qela e Pjetrit të Bogdanëve apo ajo e Pjetrit të Budëve, sikur duan t’i mbajnë pranë vetes emrat dhe kujtimin e tyre. Madje, në varrezat pas kishës, priftërinjtë të tregojnë një varr të mbuluar me rrasë guri mbi të cilën janë gdhendur fjalët: “varri i vjetër i Kostandinit” dhe me një krenari të dukshme të shpjegojnë se: “Kostandini s’ka varr të ri, pasi ai nuk vdiq prapë mbasi u ngjall”. Ai është përjetësisht i gjallë.

Qendra e qytetit i ngjan asaj së dikurshme, një shesh rrethor prej nga nisen rrugët dhe rrugicat nëpër qytet, si rrezet e diellit që shpërndahen në çdo drejtim. Si zakonisht, te ky shesh bëhen ende kuvendime, por tani këto kuvendime bëhen për libra dhe jo për luftëra.

Pikërisht aty, ku dikur turqit kishin hedhur trupin e zhvarrosur të një prifti a të një prijësi lufte për liri (më shumë thuhet se i ndjeri kishte qenë prift dhe prijës), shpeshherë vijnë edhe të huaj që flasin për librat e bijve të këtij qyteti, që bota ende nuk i ka “zbuluar” ato dhe vlerat e tyre. Gjendet lehtë ky shesh, është pikërisht aty ku nga vashat kërcehet shtruar “vallja e librave” dhe djemtë fluturojnë te “vallja e shpatave”.

Është e veçantë kjo kala për arsye se kalaja është e ndërtuar nga Fjala.

 

II- [..]“Autori i këtij libri i ngjason një arkitekti, i cili e studion deri në detaje projektin e një ndërtese”[..] (f. 22) shkruan Ajete Zogaj te libri i saj, duke na treguar arsyen e ngjashmërisë së korpusit të veprave të Anton Nikë Berishën me ndërtesat e një kalaje dhe më tej duke na treguar thelbin e mënyrës së suksesshme të punës së tij: “Arkitekti” i fjalës së shkruar, Anton Nikë Berisha, i vë ‘themele’ të fuqishme krijesës së tij artistike, pse jo dhe shpirtërore” (f. 22).

Po, Anton Nikë Berisha “ndërton” (krijon) me “fjalën” vepra artistike dhe studimore të cilat kanë në themele faktet historike dhe shkencore, madje këto fakte janë shkrirë në një me “themelet “ e veprës së tij poetike, duke e bërë veprën të qëndrueshme, të pa rrëzueshme nga “tërmetet”.

Ai është një “arkitekt” dhe “ndërtues” veprash që i qëndrojnë kohës për nga pasuria stilistikore dhe shumësia kuptimore dhe që tërheqin vëmendjen me bukurinë e tyre. Citimi i Ajete Zogaj se: “[...] në strukturën artistike të tekstit poetik, asgjë nuk i është lënë rastësisë. Gjithçka është e menduar dhe e thënë bukur dhe funksionon si një tërësi, si ‘një mur [...] i një kështjelle’ i cili nuk duron t’i heqësh asnjë gur” (f. 15); na flet për gjetjen e unitetit artistik të veprës së Anton Nikë Berishës: “Vepra e letërsisë [...] është para së gjithash art i fjalës...” (f. 56) thekson Antoni, si një i ditur i moçëm që i tregon rrugën nga të shkojë, një djaloshi të ri,

Ngjasimi i veprës së Anton Nikë Berishës me një kala - kështjellë është lehtësisht i kuptueshëm për ata që kanë lexuar librin e tij “Hyrje në historinë e letërsisë gojore shqipe ”, e cila është një vepër “hijerëndë” si një kala, që gjithsesi të fton të hysh në rreshtat e faqeve dhe të ngjitesh në bedenat e kapitujve të saj, ku përjeton bukurinë, por edhe heroiken e etapave të ecjes së artit tonë gojor dhe s’të bën zemra të largohesh prej saj.

 

III-Anton Nikë Berisha ka aftësinë të ndriçojë me llambën e arsyetimit dhe të logjikës shkencore zgafellet më të errëta të epokave të hershme, të zbulojë e të identifikojë dijet dhe thesaret e artit gojor, t’i bashkojë copat e fakteve në një mozaik logjik, të zbulojë dhe të bëjë funksionale për kohën e sotme urën “primitive” nëpër të cilën kanë kaluar epokat e artit gojor për të mbërritur te arti i sotëm i kultivuar (i shkruar).

Me metodën e tij të punës ai ndryshoi konceptin e studimit të origjinës dhe kohën e lindjes së disa llojeve të letërsisë shqipe dhe provoi dhe argumentoi vijueshmërinë e artit gojor në artin e kultivuar shqiptar (letërsinë e shkruar). Ai nuk është “një magjistar” i fjalës që krijon vepra nga “hiçi”, ai është një njohës i thellë i “fjalës” dhe i gjuhës shqipe dhe i zhvillimit të tyre nëpër epoka, madje duke e krahasuar dhe ballafaquar edhe me arritjet e popujve të tjerë. Përkthimi i veprave si “Epi i Gilgameshit”, ndër librat më të vjetër të shkruar të njerëzimit, i “Këngës së këngëve”, i “Psalmeve”, të “qasje artit poetik” (Poetikës) së Aristotelit, ka qenë në funksion të këtij studimi ballafaques të zhvillimit të artit oral në epoka të hershme.

Me studimet e tij mbi artin letrar gojor dhe mbi fillimet e artit të shkruar të fjalës shqipe, ai sjell kohën e hershme pranë të sotmes moderne dhe e bën të pranishme tek njeriu ynë i sotëm dhe më gjerë. Anton Nikë Berishës “i mësoi të flasë e kuptojë” shqipen moderne arti gojor i hershëm dhe ne na tregoi se arti ynë gojor, si në fillesat dhe vazhdueshmërinë e tij ka folur vetëm shqip. Argumentoi shkencërisht hershmërinë e llojeve të letërsisë sonë gojore, i lidhi ato me ligjësitë tipike të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si pjesë e tërësisë evropiane dhe si pjesë evropiane e shkëputur nga kontinenti që, e lidhur me disa “zinxhirë azie” tërhiqej si anie e shpartalluar nëpër tallazet e luftërave drejt një lindjeje të panjohur dhe të padëshiruar për të.

Veprat studimore të Anton Nikë Berishës janë të shumta por e përbashkëta e tyre është: themeli shkencor i veprës, gjuha e qartë dhe e rrjedhshme artistike me të cilën është shkruar, informacioni i madh i përzgjedhur nga disa burime të besueshme. Me këto tipare thelbësore autori na sjell gjithmonë vepra tipike të rrafshit të epërm. Ajete Zogaj në librin e vet unqaset dhe i analizon veprat: “Poetika e letërsisë për fëmijë[2]”, “Vepra letrare e Martin Camajt[3]”, “Poetika e fjalëve të gurta”[4], “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë[5]” dhePoezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”[6] dhe ndriçon më të mirën për secilin libër studimor. Me gjithë tiparet e përbashkëta që kanë këta libra si studime shkencore, ato kanë tipare të veçanta interpretimi, portretin e gdhendur dhe vlagën shpirtërore me të cilën janë “gdhendur”. Në kohën që “Poetika e letërsisë për fëmijë” ka një ndjenjë të theksuar shpirtërimi në stilin e të shkruarit “Vepra letrare e Martin Camajt” ka dimensione monumentale te portreti i tij,Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë”, ndoshta ndikuar edhe prej letërkëmbimit të përfshirë në të ka, një frymë debati mes miqsh, ndërkohë që “Poetika e fjalëve të gurta”(Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit) ka një frymë poetike dhe shpirtërim vëllazëror që e gjejmë me të njëjtën ngrohtësi edhe te libri “Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror”, gjetje që na dëshmon indirekt “dobësinë” dhe dashurinë e Anton Nikë Berishës për poezinë. Këto tipare të veçanta janë vënë në dukje nga Ajete Zogaj në mënyrën e saj të arguemntuar. Mirë, thuhet me të drejtë se analiza – interpretimi i një vepre është gjithmonë në një rrafsh më të ulët se vetë vepra.

 

IV- Anton Nikë Berisha me “fjalën” e tij poetike krijon vepra “të mira”(A. Z) që lexohen e rilexohen gjersa të mbeten në kujtesën e lexuesit, si për të vërtetuar fjalën e Abbasel-Akkad : “Lexoje një libër të mirë tri herë, sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë”. (f. 13). Vetëm pasi i lexon dhe i rilexon e kupton dhe e ndjen se veprat e tij janë si poema të bukura për nga stili fin i të shkruarit, janë lulishte ndjenjash të shprehura: të dëshirueshme për t’u lexuar, hyjnore për t’u dëgjuar, thesare të pazëvendësueshme për nga vlera e dijeve dhe e të dhënave që përmbajnë; ato të frymëzojnë për t’u ulur e për të shndërruar në shkrime përshtypjet që të lindin. “Ky libër [...] më përkujtoi mendimin e ...Stendal: “Një libër i mirë është një ngjarje në jetën time”. Leximi i librit [...] vërtet ishte jo vetëm një ngjarje në jetën time, por edhe një udhërrëfyes për artin e fjalës që do të ‘udhëtojë’ gjatë jo vetëm me mua (A. Z., f. 19)”.

Krijimtarinë e Anton Nikë Berishës, Ajete Zogaj e vështron edhe nga një kënd më vete, nga këndi i bukurisë dhe finesës artistike. Në kushtet kur te veprat e Anton Nikë Berishës shihet dukshëm madhështia natyrale e artit tonë gojor si shkëmbinj të ngritur mbi hone, Ajete Zogaj tek “të çarat” e këtyre shkëmbinjve sheh lulet që kanë mbirë pas shkrirjes së dëborës dhe niset për t’i mbledhur e për të bërë një tufë për lexuesin. Nuk i druhet lartësisë, sepse çdo majë mali e ka një shteg nëpër të cilin mund të arrish aty.

Le të shohim shkrimin “Rreth vëllimit “Roman vlerash të jashtëzakonshme poetike”. 52 punime të autorëve shqiptarë dhe të huaj për romanin “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të Anton Nikë Berishës. Rreth këtij vëllimi autorja e librit shkruan: “Vëllimi ‘Roman vlerash të jashtëzakonshme’ i përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha, është libër i veçantë dhe sigurisht edhe i jashtëzakonshëm. I veçantë, ngase përfshin 52 punime për një roman të letërsisë shqipe, dhe i jashtëzakonshëm për lexuesit e shumtë, jo vetëm shqiptarë por edhe të huaj për arsye se për të deri më tani janë shkruar e botuar rreth 30 punime në italisht.

Këtë veçanti, këtë vlerë të jashtëzakonshme poetike, me stilin e mëvetësishëm, me pasurinë gjuhësore, me koloritin e kujtesës historike, me valljet, doket, zakonet, ritet... e shumëçka tjetër, autori Anton Nikë Berisha e shtjellon romanin “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, sikurse ‘fijet e pëlhurës së endur në vek’, duke e krijuar një vepër të mrekullueshme arti, të ‘skalitur’ bukur në artin e fjalës, mbase kryeveprën e tij!

Romani ‘Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar’ me të drejtë është vlerësuar si i jashtëzakonshëm. Të tillë atë e bëjnë një varg elementesh si mënyra e shtjellimit të tekstit, sistemi i veçantë dhe i pasur i të shprehurit si dhe gjuha poetike, që kanë nxitur lexime dhe rilexime të shumta nga studiues të ndryshëm, përkatësisht një shumësi interpretime dhe vlerësime” (f. 105).

Për të dëshmuar vlerën e veprave të Anton Nikë Bershës, sidomos të romanit “Gjin Bardhela i arbresh& Etja e gurëzuar”, Ajete Zogaj i sjell disa mendime të rëndësishme të autorëve të ndryshëm për këtë vepër: “Kasoruho shkruan: “Rrëfimi i Gjin Bardhelës është plot oht shpirti, është malli i përvëluar, është dhembje dhe kohë e ngrirë, është shpirti që zien, është shqiptim i shpresës përherë të gjallë. Shkurt është një shtegtim njerëzor jo i individit, por i breznive”; Domenico Corradini H. Broussard, në punimin e tij “Kënga e mallit në solo violinë” thotë se “Gjini është shtegtar i durueshëm, Odiesu i ri në kërkim të Itakës së vet dhe se [...] Gjin – Anton Nikë, si një gdhendës i shkathët që prej dimrit të thatë nxjerr lulet dhe pjesët e larta ose rreth e përqark, rikujton me krenari legjendat, traditat dhe mitet nga Iliria e lashtë [...] dhe se: “Tek ai është një kërkim gjuhësor që nuk e gjen te shkrimtarët e tjerë”; Dante Maffia vlerëson: “Me aftësi të veçantë, Anton Nikë Berisha ndërlidh në kontekstin e romanit, nga njëra anë, legjendat e përrallat, si pjesë e traditave të rrënjosura të ngulimeve arbëreshe e, nga ana tjetër, edhe tërësinë e paragjykimeve që shkallë - shkallë janë shndërruar në një mënyrë të ekzistimit e të perceptimit “të realitetit; Sergio Paolo Foresta-s e krahason romanin e Berishës me veprat e autorëve botërorë. “Në rrafshin letrar është një shtegtim homerik, virgjilian, dantesk, pushkian, sipas Edgar Lee Masters”.

“Ju shkruani hyjnisht” do t’i shkruajë Berishës shkrimtarja e shquar italiane, Nicla Morletti”; Bardhyl Matraxhiu shkruan: “Në romanin e Bardhelës gjithçka është bërë me kompetencë e shije”; Vinçenc Belmonte flet për frymën e poezisë së pastër (në roman – v. ime) ‘gjë që, në të vërtetë, e bën atë një poemë moderne mbi fatin e Arbrit e mbi tragjiken e ekzistencës njerëzore”; “Shpirti poetik i Anton Nikë Berishës nga këndi që shprehet, nuk mohon për të bërë të ditur se edukimi i shpirtit nëpërmjet së bukurës është punë e vështirë dhe e gjatë sa edhe vetë jeta” shkruan Giuseppse Napolitano etj. (Citimet e më sipërme janë marrë nga libri i Ajete Zogaj f. 101 e në vijim) dhe se përmbledhje a tyre në një shkrim[7], ngjason me mbledhjen e trëndafilave në parcela kohore dhe tokësore të ndryshme, krijimi me ‘to i një tufe të bukur dhe dhurimi i saj lexuesve të librit, duke i vënë ata (lexuesit) në mendime për veprat e këtij autori. Me citimin e mendimeve ajo bën bashkë-autorë të shkrimit të saj shkrimtarë dhe analistë të tjerë, duke dëshmuar kështu modestinë, mirësinë por edhe nivelin krijues e vizionar të saj.

 

V-Anton Nikë Berisha është poet, madje një poet i veçantë që e zgjedh fjalën e duhur, e “gdhend” dhe e “lëmon” atë me plot dashuri; edhe fjala ka nevojë për dashurinë e poetit, që të ketë shkëlqimin e duhur në vargje. “Anton Nikë Berisha i ngjanë atij skulptorit që dalë-ngadalë laton gurin për të nxjerrë figurën ...dhe e nxjerr bukur, mahnitëse...ngase, arti i mirëfilltë synon t’i arrijë majat... me gjuhën e artit, me ‘gdhendjen’ e fjalës” thotë Ajete Zogaj (f. 32).

Me qenë se Ajete Zogaj “na ftoi” në fushën e skulpturës, në lidhje me dy veprat poetike “Prushi i bukurisë[8]” dhe “Sytë e heshtjes[9]” mund të paralelizojmë se: atë madhështi dhe hijeshi që Mikelanxhelo ka derdhur te Davidi, poeti ynë e ka derdhur te poema “Prushi i dashurisë”, ndërkohë që atë dritësim e përdëllim shenjtërie që skulptori derdhi te portreti i Shën Mërisë në kompleksin “Shën Mëria mban në prehër Krishtin e zbritur nga kryqi” që njihet edhe me emërtimin “Nëna” si dhe “Zbritja nga kryqi”, poeti e ka derdhur te libri poetik “Sytë e heshtjes” kushtuar Nënës Tereza. Prandaj mund të them se: Anton Nikë Berisha pikturon e gdhend përmes fjalës poetike.

 

VI-Stili letrar i Anton Nikë Berishës në prozë dhe në poezi, sa të ndryshëm duken aq janë të ngjashëm dhe të afërt, madje mund të themi se është i njëjti stil i derdhur në forma (skulpturore) të ndryshme. Këtë mund ta shohim më së miri te romanet “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar[10]”, “Bimorja[11]” dhe “Nëna e dritës”[12], të cilët për nga rrjedhshmëria e ligjëratës, nga pasuria dhe pastërtia e fjalës ngjasojnë me një muzikë, por: ndërsa “Gjin Bardhela...” ngjason me një simfoni, “Nëna e dritës” së bashku me “Sytë e heshtjes” ngjason me Hymne lavdërimi për hirin hyjnor, ndërkohë “Bimorja” tingëllon si një intermexo midis. Janë nga ato libra që, pasi i lexon, i thua vetes në lidhje me Anton Nikë Berishën: ”Ndihem me fat që e lexoj veprën e tij, ndihem i nderuar në miqësinë e tij”.

 

VII- Me librin e saj “Vepra me rëndësi të shumëfishtë” Ajete Zogaj ka bërë një punë të lavdërueshme e me nivel të lartë analize, duke paraqitur krijimtarinë e Anton Nikë Berishës si një krijimtari e rrafshit të epërm. Ndërkohë kontributi i tij merr një vlerë të shtuar në kohën tonë, kur “lumi” i rrëmbyer i botimeve mediokre “ka dalë nga shtrati” dhe ka “përmbytur” raftet e librarive dhe të bibliotekave, ku zënë dhe krijojnë myk nga mos leximi, duke krijuar, në këtë mënyrë një ambient mbytës edhe për librin cilësor.

 

Sarandë, gusht 2022

 



[1] Ajete Zogaj, Vepra me rëndësi të shumëfishtë. Mbi disa vepra të Anton Nikë Berishës. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2021.

[2]Anton Nikë Berisha, Poetika e letërsisë për fëmijë. Botoi Universiteti i Gjakovës“ Fehmi Agani”, Gjakovë 2020.

[3] Anton Nikë Berisha, Vepra letrare e Martin Camajt. Studim. Botoi Sh. B. “Beqir Musliu” Gjilan 2020.

[4] Anton Nikë Berisha, Poetika e fjalëve të gurta. Qasje veprës letrare të Azem Shkrelit. Botoi Argeta – LMG, Tiranë 2010.

[5] Anton Nikë Berisha, Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë. Letra, bisedë, poezi, kritikë. Botoi Sh. B. “Faik Konica”, Prishtinë 2018.

[6] Anton Nikë Berisha, Poezia si shtegtim i qenësishëm shpirtëror. Rreth poezisë së Daniele Giancane-s. & La poesia è un viaggio esistenziale. Della poesia di Daniele Giancane. Shtëpia botuese “Milosao” Sarandë 2020.

[7]Ajete Zogaj, vepra e cituar. Shkrimi “Romani Gjin Bardhela i Arbëreshs &Etja e gurëzuar” në 52 këndvështrime” f. 101.

[8]Anton Nikë Berisha, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës. Me parathënie të shkrimtarit italian Dante Maffia. Botimi i tretë i pandryshuar. Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2020.

[9]Anton Nikë Berisha, Sytë e heshtjes. Në Nëna Tereze në shtatë shpalime; Shpalimi i tretë: Ujëvarë drite në zemër & Sytë e heshtjes”. Botuan “Faik Konica” , Prishtinë, Kuvendi Françeskan Gjakovë 2019.

[10] Anton Nikë Berisha, Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2002.

[11] Anton Nikë Berisha, Bimorja. Roman. Botimi i dytë i përpunuar. “Faik Konica”, Prishtinë 2012.

[12] Anton Nikë Berisha, Nëna e dritës. Në Nëna Tereze në shtatë shpalime. Shpalimi i parë. Botuan “Faik Konica” & Kuvendi Françeskan Gjakovë, Prishtinë 2019.