Tuesday 30 January 2024

 

POEZIA QË PIKOI NGA SHPIRTI I MUSA RAMADANIT

 

Poeti Musa Ramadani nëpërmjet poezisë "Historia e pikës sime" shfaq një udhëtim historik të asaj që ai e emërton pikë,  mirëpo mqse ai flet si subjekt poetik, si i tillë nuk përfaqson individin, ndonëse në poezi shprehet në formë individuale. “Pika”, si një subjekt poetik, është një brez njerëzor, një etni, një popull, është vetë Kosova në historinë e saj, të cilin e përfaqson subjekti poetik, heroi lirik, vetë poeti. Madje kjo poezi ka nevojë për një lexim historik, pasi e shkruar në vitin 1993 është një pasqyrë e situatës së tensionuar që përjetonte Kosova me konfliktet ndër etnike që kishin shpërthyer në ish Jugosllavi. E parë në këtë aspekt, kjo poezi ka të përmbledhur në nëntë vargje jo thjeshtë një udhëtim Odiseje të Homerit, por gjithë odiseadën e Kosovës, mund të quhet biografia poetike e saj, ku të jetoje në Kosovë do të thotë të  lesh kujtime në llavën e një vullkani dhe po aty të ëndërrosh të ardhmen.

Në aspektin ideor, kjo poezi reflekton artistikisht përvojën dhe identitetin e njeriut shqiptar në trevat veriore në kontekstin e kohës dhe ngjarjeve që kanë cilësuar jetën e tij. Nisur si "një pikë", subjekti poetik shfaq metaforikisht e vizualisht udhëtimin në histori (të  Kosovës), në periudha të ndryshme të jetës (kohës) së saj. Si një “pikë” e thjeshtë, ai shfaq zhgënjimin ("u mërzita") dhe shqetësimin për të ardhmen ("u bëra presje"),dhe kjo ngjarje e vogël (në dukje) shtrihet në një panoramë të gjerë jetësore, duke pasur reflektim e epokave të ndryshme dhe sfidat që ka përballuar populli shqiptar në Kosovë nëpër kohë.

Përmes frazave si "era e mileniume, epoka / Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri", poeti shfaq panoramën e gjithanshme historike të “odisesë” kosovare , ngjarje e periudha që kanë ndikuar në zhvillimin e saj. Madje, dhe në fund të poezisë heroi poetik shpreh frikë në një rikthim  te "pika", duke sugjeruar një ankth për humbjen e identitetit dhe kthimin në një gjendje të pasigurtë, që sugjeron kthimin nën Serbinë, me humbje të shpresave dhe ëndërrave për të cilat populli luftoi e jetoi, duke shfaqur reflektimin shpirtëror të tij për rrugën e përballjen me të ardhmen.

 

I-Poeti Musa Ramadani  është lëvrues i një poezie moderne, tipike e shek. XX dhe në vijim, madje ka eksploruar rrymat e ndryshme të poezive moderne. Poezia "Historia e pikës sime" është ndërtuar me elemente të modernitetit poetik, që e bëjnë të dallohet si shprehje dhe mendësi e kohës kur është shkruar (30.08.1993), por që (tipar i zakonshëm i poezive të Musa Ramadanit), janë aktuale dhe në kohët e mëpasme.

Si e tillë kjo poezi e tij prezanton një lirizëm në mënyrën e shprehjes, në tregimin e udhëtimit jetësor të Kosovës, ku mungesa e një strukture të rreptë formale lejon autorin të shprehë ndjenjat dhe reflektimet në mënyrë të lirë.

Poeti reflekton mbi kohën dhe identitetin në një mënyrë moderne, pse përdorimi i imazheve të shekujve, erërave, dhe epokave shfaq vizualisht një udhëtim të gjatë “individual” ( të etnisë shqiptare) dhe historik, duke e vendosur atë në kontekstin e kohës dhe historisë së gjerë.

Poezia paraqet historinë e udhëtimit jetësor të një populli, madje shpreh një ndje-një përkushtimi ndaj këtij rrugëtimi, ku poeti shfaq pasionin e tij për të kuptuar e përjetuar përvojat e sfidat që kanë formuar identitetin etnik.

Një aspekt modern i poezisë është reflektimi i thellë mbi të kaluarën e të ardhmen, ku natyrshëm poeti shfaq drojën e frikën për tu rikthyer në një gjendje fillestare, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit dhe përballjes me të kaluarën për të arirë në të ardhmen.

Poezia flet me metafora e imazhe të fuqishme për të shfaqur udhëtimin e përvojat e etnisë ku përdorimi i tyre ndihmon në krijimin e një imazhi poetik të përgjithshëm  që përfshin gjithë poezinë, i cili reflekton dritë, qartësi e kuptimshmëri te lexuesi.

Janë këta element modern përmes së cilëve poezia shfaq kompleksitet në shprehjen e ndjenjave dhe refleksioneve e historike të popullit Kosovar dhe shqiptar në përgjithësi.

 

II-Subjekti i poezisë "Historia e pikës sime" është udhëpërshkrimi i jetës të kombit shqiptar(jo vetëm në Kosovë) në kohë (moshë) e ngjarje, i shprehur me një metafore fine, ku ai (subjekti poetik) paraqet veten (vendin dhe etninë e tij)si një pikë që ndryshon, ritet e zhvillohet nëpërmjet kohës dhe përvojave. Me anë të kësaj metafore, poeti reflekton mbi identitetin dhe udhëtimin e etnisë së tij, duke shpre-hur  ndjenja të përkushtimit ndaj zhvillimit nëpër kohë.

Në fillim, subjekti është  një "pikë", një entitet i vogël, i thjeshtë  e i parëndësishëm : "S’pari unë s’isha veçse një pike/Më pas u mërzita e u bëra presje". Megjithatë, me kalimin e kohës e përvojave të ndryshme: "Aventura filloi brenda gjysmëharku" ku ai përjeton ndryshime e zhvillime, përcakton udhëtimin e tij: "Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka/Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri", ku duket hapur historia e kombit tonë në tërësi dhe e Kosovës në veçanti të këto vargje, në të cilat poeti  e vendos veten si një etni, në kontekstin e një historie të gjatë dhe komplekse: "Gjysmëshekulli isha një zero e madhe/Në fillim të këtij mileniumi të tretë" shkruan poeti dhe ne instiktivisht lexojmë: “gjysëm shekulli komunizëm” në të dy anët e kufirit. Në fund ai shfaq  frikë e ankth  lidhur me të ardhmen dhe identitetin e (etnisë) tij, shpreh dyshime për të ardhmen dhe frikë mbi mundësinë e kthimit në një gjendje të pavlerë, të përafërt me fillimin e tij, druan mos mbeten përsëri nën Serbinë si një pikë: "Druaj në mos do të kthehem sërish në një pikë". Pra, përmbajtja e poezisë shfaqet, si histori e Kosovës madje dhe visualisht  nëpërmjet ndjenjave personale e refleksioneve mbi jetën, kohën, dhe identitetin. Subjekti reflekton duke shfaqur një ndjenjë të përkushtimit ndaj vetes dhe rrugëtimit të tij personal.

Të kuptojmë një gjë,formimi i subjektit nga "pikë" në "zero e madhe" është një shprehje metaforike e rrugëtimit të jetës dhe formimin e identitetit shqiptar, ku "Zeroja e madhe" nuk përfaqëson një vlerë absolute, si psh zeroja matematikore, por simbolizon pikërisht “gjysëm shekulli të komunizmit” një gjendje, e cila mund të perceptohet si e zbrazët, e izoluar..

Në thelb, poeti me vargjet e tij kërkon të shpalosë kompleksitetin dhe ndryshimin që ndodh në jetën dhe identitetin e një etnie përmes kohës e përvojave, ku ajo (etnia, populli) synon të sjellë në pah kujtime ngjarjesh dhe momente që  kanë ndikuar jetën dhe formimin e tij , si një burim frymëzimi e krenarie ndaj poeti dëshiron të transmetojë një mesazh më të gjerë mbi jetën, identitetin dhe udhën që ndjekim nëpër këtë botë. Përveç kësaj, siç e cituam më sipër, poeti dëshiron të shprehë një ndjenjë frike apo droje mbi mundësinë e  humbjes së identitetit në një botë që duket e pazgjidhshme dhe e paqartë nga problemet dhe sfidat e shumta që ka.

Në esencë, poeti nuk tregon thjeshtë një biografi personale, pavarësisht se duket e tillë, ai shpreh ndjenjat e eksistencës dhe të qenies së një brezi të tërë, në një vend (Kosovë) dhe kohë që identiteti i etnisë dhe zhvillimi emocional i saj ishte nën një goditje të fortë e ritmike të ngjarjeve në ish Jugosllavi, të zhvillimeve që ndikonin në forcimin (a dobësimin) e ndërgjegjes identitare të kombit. Datën e krijimit kjo poezi nuk e ka ditën kur u shkrua, por kohën kur shpirti i tij, nën ndikimin e zhvillimeve historike e pikoi si lot mbi ndërgjegjen e tij. 

 

III-Musa Ramadani është mjeshtër i të shprehurit metaforik dhe kjo cilësi e tij është e dukëshme dhe te  poezia "Historia e pikës sime" ku ai me finesë përdor metaforat për të shprehur udhëtimin e subjektit poetik (etnisë) në mënyrë moderne, duke ndihmuar në zgjerimin e kuptimshmërisë dhe hapësirat e ndjenjave e përvojave të tij.

Kështu, metafora e "pikës"dhe "zeros" simbolizon një rrugëtim të jashtëzakonshëm të subjektit poetik, ku: pika nis si formë e thjeshtë, ndërsa zeroja është shprehje e një gjendjeje  boshe dhe enigmatike për shkak të izolimit nga rrethi i saj (zeros) , duke treguar ndryshimin, zhvillimin dhe izolimin e subjektit nëpërmjet kohës dhe përvojave.

Termat: Shekujt, era e mileniume, epokat, përfaqsopjnë një metaforë dhe shprehin kohën dhe situatat që populli ka jetuar e përjetuar, ato përfaqësojnë një panoramë të gjerë historike e kulturore, duke i dhënë poezisë një dimension më të gjërë.

Fjalët: “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri”janë një përdorim i metaforës për të treguar konfliktet dhe sfidat historike që subjekti etnik ka përjetuar, duke paraqitur një imazh të rrugëtimit të turbullt të kombit në histori, ku lufta dhe paqja janë tema themelore.

Ndërsa vargu: “Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike” shpreh metafori-kisht një lloj ndroje për një kthim të mundshëm të subjektit në gjendje të kaluar (në situatën nën Serbinë), të krahasuar  me një pikë, e cila shërben si simbol i pasigu-risë e frikës për humbjen e identitetit dhe rikthimin në një gjendje jo të këndëshme.

Këto metafora e simbole poeti i ka përdorur për një lexim piktoresk të tekstit poetik dhe për të shfaqur ndjenjat dhe refleksionet e tij. Ato ndihmojnë në krijimin e një poezie moderne që shpreh një lloj të vërtetë poetike në lidhje me jetën dhe eksperiencën e popullit.

Imazhet në poezinë "Historia e pikës sime" shërbejnë për të krijuar një atmosferë emocionale dhe për të paraqitur udhëtimin e subjektit poetik, etnisë, nëpërmjet kohës e përvojave, ato përdoren për të ndikuar mbi ndjenjat e lexuesit me ngjyrat e formën e tyre, siç ndikon një pikturë duke e bërë përvojën e poetit më të gjallë, më vizuale dhe më të prekshme për lexuesin.

Imazhi  “Pika” shfaqet kur autori cilëson vendin si një "pikë", një entitet i vogël dhe i thjeshtë, që simbolizon fillimin e rrugëtimit, një gjendje fillestare, që shkallëzohet nëpër kohë, duke shfaqur një imazh në rritje e zgjerim.

“Zeroja e madhe” shfaq një imazh, kur subjekti përjeton një izolim total, një gjendje  komplekse në jetë që ka ndjenja (dhe problem) të pazgjidhura e të pasigurta.

“Shekujt, era e mileniume, epokat” përbëjnë imazhe me gjerësi historike, të cilat e rrethojnë udhëtimin e subjektit. Ata tregojnë një rrjedhë të kohës dhe ngjarjeve që ka ndikuar në zhvillimin dhe formimin e identitetit të etnitetit të tij.

Imazhet “Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri” shfaqin ngjarje e përvoja të ndryshme që ka përjetuar gjatë rrugëtimit, shfaqin një peisazh të ndryshueshëm emocional dhe historik që e rrethon subjektin.

Imazhi“Frika e kthimit në pike” përfaqëson  ndjenjën e frikës  dhe mosdijes për të ardhmen dhe përvojat që mund të sjellë ajo. Është një imazh i ndjeshëm që shpreh ankthin dhe pasigurinë e subjektit për të ardhmen.

Këto imazhe përdoren për të krijuar një vizion të plotë të udhëtimit të subjektit poetik nëpërmjet kohës dhe përvojave, duke e bërë poezinë të ndjehet më afër dhe ta shijojë poezinë edhe në efektin e ngjyrave, si një pikturë.  

Ajo që është për tu shënuar specifikisht është fakti se te kjo poezi simbolet dhe metaforat shfaqen si imazhe të brendshme e të jashtme që e përcaktojnë rrugëtimin e subjektit poetik, etnisë duke shprehur ndjenjat, përvojat dhe refleksionet në një mënyrë që e bën poezinë të gjallë, aktuale.

 

IV-Poezia "Historia e pikës sime"  është një poezi moderne, ajo përdor një të folur metaforike për të shprehur refleksionet dhe përvojat e autorit, mënyrë që është tipike për poezinë moderne. Përveç kësaj, tema dhe stili i poezisë përputhen me tendencat moderne në poezi. Ajo përdor metafora dhe simbole për të shpalosur udhëtimin  historik të subjektit, ndërsa shpreh ndjenjat e pasigurisë e refleksionin mbi identitetin dhe kohën, të cilat janë tema të rëndësishme në poezinë moderne.Përmbajtja dhe struktura e poezisë përputhen me karakteristikat e poezisë modern , duke përdorur një gjuhë e një formë poetike që shpesh lë hapësirë për interpretim të ndryshëm nga lexuesit.

Poezia moderne shpesh përdor gjuhën dhe strukturën që të shprehë ndjenjat, refleksionet dhe përvojat (e autorit, si pjesë e etnisë) në një mënyrë të re origjinale. Ky përdorim i gjuhës dhe strukturës synon të arijë dhe kapë thelbin e emocioneve dhe mendimeve, duke e bërë poezinë një mjet shumë të fuqishëm për të shprehur çështje komplekse dhe për të krijuar lidhje me lexuesin.

Për më tepër, poezia moderne shpesh eksperimenton me forma të ndryshme dhe teknika letrare për të arritur një impakt më të thellë dhe më të përshtatshëm për kontekstin e sotëm. Ajo nuk kufizohet në konventat tradicionale të poezisë, por përpiqet të shfaqë shpirtin e kohës dhe përvojat e saj në mënyrë të shkëlqyer.

Paraqitja e rrugëtimit historic (të Kosovës) në këtë poezi përputhet me këto tipare të poezisë moderne, madje autori shfrytëzon metaforat dhe imazhet për të shfaqur udhëtimin e subjektit poetik në mënyra që janë moderne dhe të përshtatshme për kohën tonë.

Përmbajtja e thellë dhe emocionet e shprehura në poezinë "Historia e pikës sime" e bëjnë atë të përshtatshme për të qenë  shembull i një poezie moderne që reflekton përvojat dhe ndjenjat e individit në botën e sotme.

 

V-Nëse do të përpiqeshim të shihnim poezinë "Historia e pikës sime" si një pikturë që flet dhe ta shihnim këtë nëpërmjet imazheve, formave e  ngjyrave të tyre, ajo do të  cilësohej si një pikturë abstrakte, që përdor forma, ngjyra dhe tekstura për të përfaqësuar rrugëtimin emocional dhe historik të subjektit.

Një piktor do përdorte ndoshta forma të thjeshta dhe abstrakte për të treguar fazat e zhvillimit të subjektit nga një pikë e thjeshtë në një zero të madhe, ai mund ta lëvizte këtë “pikë” fillestare në një formë rrethore, por gjithsesi do të shfrytëzonte ngjyrat e imazheve poetike për të shprehur emocionet e ndjenjat që shoqërojnë subjektin në rrugëtim e sfida. Sigurisht që mund të ketë ngjyra të ndritshme dhe të errëta që përfaqësojnë momente të ndryshme të jetës dhe ndjenjat që përndjekin në kohë. Po ashtu, piktura do të përdorte linja e forma që shfaqin rrjedhën e kohës dhe zhvillimin e historisë së subjektit. Kjo do të krijonte një peisazh abstrakt që shpreh një udhëtim individual dhe emocional nëpërmjet ngjyrave dhe formave.

Pikërisht cilësimi i pikturës së përfytyruar të kësaj poezie si një pikturë abstrakte na shtyu në mendimin se dhe poezia "Historia e pikës sime" ka elemente që e bëjnë të përshtatshme për ta konsideruar si një poezi moderne me elementë të rrymës abstrakte. Kjo është e normale pasi poetët modernë shpesh eksperimentojnë me formën dhe strukturën e poezisë, duke e bërë atë të ngjajë me artin abstrakt. Veçse duhet të pranojmë që: një poet, në një poezi moderne ku pasqyron nëpërmjet ndjenjave dhe emocioneve, historinë e kombit dhe të vendit të tij dhe këtë e bën në mënyrën më metaforike dhe imazhiste , ti japë paralelisht kësaj poezie një qasje me poezinë abstrakte, pa i ulur, por duke ja shtuar vlerat dhe ngjyrat, ky poet duhet pranuar që është një poet i madh dhe që e do popullin dhe vendin e tij me gjithë forcën e shpirtit, si fëmija do nënën e vetë.

Poeti Musa Ramadani i plotëson mjeshtërisht gjithë aspektet e cilësimit me titullin poet i madh dhe bir i popullit të tij dhe ne duhet të mësojmë të lexojmë poezinë e tij modern, që të shohim sa i qëndrueshëm është shfaqur kombi ynë në sfidat e historisë.

 

Sarandë, më janar 2024

 

 

HISTORIA E PIKËS SIME

S’pari unë s’isha veçse një pikë

Më pas u mërzita e u bëra presje

Aventura filloi brenda gjysmëharku

Kaluan shekuj, era e mileniume, epoka

Luftëra, armëpushime, shumë paqe e pak liri

Harku ecte udhës së rrethit e u mbyll

Gjysmëshekulli isha një zero e madhe

Në fillim të këtij mileniumi të tretë

Druaj në mos do të kthehem sërish në një pike

 

(Më 30.08.1993)

No comments:

Post a Comment