Monday 5 June 2023

 

FATI I POETIT ODISE  KOTE

 

Nga Timo Mërkuri

 

Odise Kote  tashmë nuk është më një poet e shkrimtar me një talent të spikatur që krijon vepra të dëshiruara dhe të kërkuara nga lexuesi, Odise Kote tashmë është më shumë se kaqë, ai është një fenomen letrar që të befason dhe mahnit me veprat që shkruan, me mënyrën si i shkruan, me thellësinë e mendimeve dhe bukurinë gati mistike e që kanë shkrimet e tij. Gati çdo poezi apo prozë e tij së pari të huton, të turbullon me formën, përmbajtjen, fjalën e përdorur dhe  peshën e saj madje dhe me gdhendjen  e vendosjen e saj në varg, si gurët në një mozaik kalldrëmi, duke qënë njëkohësisht një arritje.

Sigurisht që i lexon krijimet e tij, i rilexon për së dyti e për së treti, sepse ato kanë aftësinë jo vetëm të të mahnisin në zhbirimin  e misterit të tyre, por të të tërheqin brenda misterit dhe të të mbajnë rob gjer sa të zbërthesh atë gjer në imtësi, për t'a ndjerë  në tërësinë e tij.Vektorët e ngjitjes së krijimeve të tij u ngjajnë akrepave të orës kur lëvizim në gjysmën e majtë të fushës së sahatit, ku akrepi i vogël që tregon orën përfaqson prozën dhe akrepi i gjatë i minutave tregon poezinë, të dy në një ngjitje drjet orës dymbëdhjetë, ku poezia ka një ngjitje më të shpejtë ndërsa proza e ka më të stabilizuar. Mjafton të lexosh prozën e tij që kulmon me romanin “Amerikani”, mjafton të lexosh poezinë e tij pas vëllimit “Pengje të gurëve” (që është një kuotë e epërme poetike) për ta parë dhe pranuar ngjitjen e nivelit artistik dhe veçantinë e stilit të tij poetik.

Poezia e Odise Kotes rrjedh si një lumë plot "mister",  nga ai lloj misteri që lexuesi ka dëshirë ta zbulojë, ndaj nis e ecën  nëpër rrjedhën e tij si një gjeograf në brendësinë e pyllit tropikal ku rrjedh ky lumë, për të gjetur burimin e tij.

Poezinë e Odise Kotes një lexues sipërfaqsor, kalimtar, soditës vargjesh e rimash më mirë mos ta lexojë fare, mos të nisë udhëtimin nëpër rrjedhën e tij se do përballet me shumë të papritura, të cilat do ta hutojnë më tepër. Poezia e Odise Kotes nuk është shkruar për çdo lexues, ajo është poezi për elitën intelektuale. “Disa njerëz e ndjejnë shiun, të tjerët veç lagen“ ka thënë Dilan.

Mora shkas nga leximi i poezisë së tij “Je fati im”për të shkruar këto rradhë, pse s’dua të tregohem tepër entusiazt, por s’mund të mos jem objektiv për arritjet e tij. Për këtë poezi mund të ulesha dhe të bëja analizën e saj, të fjalëve dhe gjuhës së vargjeve, të strukturës së saj poetike dhe do ishte e lehtë për mua, thua se do isha një ciceron që ju tregoj eksponantet e një muzeumi, shkëlqimin dhe bukurinë e tyre, por poezia asnjëherë nuk është ngurtësuar si një eksponant muzeumi dhe ca më tepër poezia e Odise Kotes e cila është një frymë që i pëshpëritet plot shpirtërimë mikes, bashkëshortes, të dashurës në çastet e praggjumit, butësisht, si ti spërkaste me vesë ëndërrat në prag lulimi.

Këtë herë do flas për tjetër gjë, do  flas për forcën, ëmbëlsinë dhe universalitetin e disa vargjeve të tij, që kanë vlerën e thënive lapidare për dashurinë, të cilat do citohen si referenca nëpër libra e studime, do citohen si thënie nëpër biseda ,do gdhënden në kujtesë si shprehje në një stil të kondensuar dhe të thellë, si pjesë integrale e dashurive. Lexoni me kujdes:

“Dashuria është ajo që e bën jetën tënde të jetë jeta ime."

"Ndarja fizike shndërrohet në pikë takimi të shpirtit."

"Ti je udhëtari im i shpresës dhe agimit."

"Për mua, ti je e gjitha. Ti je bota ime e bukur dhe e vërteta ime."

"Dashuria jonë shpërndan dritën e hënës dhe tingëllimin e diellit."

Këto shprehje do mirren në të ardhmen nga kjo poezi siç shkulen masivët e mermertë nga malet për të ngritur statuja e monumente nëpër parqet e qyteteve. Merrni dhe ju një varg me vete, veçse dijeni, vargjet nuk janë copa mermeri, ato janë pjesë pranvere që do t'ju pranverojë jetën dhe dashurinë tuaj.

 

Sarandë, më  qershor 2023

1 comment:

  1. Burri më la për një grua tjetër pas 12 vitesh martesë, shkoi në një udhëtim pune dhe nuk donte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Po kërkoja ndihmë kur takova Dr. Ellen, një magjistare e fuqishme. Rrethi I shpjegova situatën time dhe doli që burri im ishte magjepsur nga një grua tjetër, kështu që ai harroi shtëpinë e tij, foli Dr.Ellen dhe burri im u lirua nga robëria dhe më vjen mirë që erdhi në shtëpi. pas 3 vitesh ndarje nëse keni nevojë për ndihmë mos ngurroni të kontaktoni Dr Ellen përmes whatsapp: +2349074881619 ose email-it: ellenspellcaster@gmail.com

    ReplyDelete