Sunday 13 November 2022

 

FESTIVALI I ENGJËJVE TË ISO POLIFONISË

 

Nga Timo Mërkuri

        Në datën 09.11,2022  në Horë-Vranisht u zhvillua Festivali i Parë Folklorik i shkollave 9 vjeçare të Bashkive të Jugut. Organizatori i këtij Festivali ishte Grupi Folklorik “Bejka e Bardhë” sipas një projekti të fituar dhe mbështetja financiare u bë nga Ministria e Kulturës.

Qysh në krye ta radhës duhet të themi se ky Festivali i Parë  Folklorik i shkollave 9 vjeçare të Bashkive të Jugur ka një rëndësi dhe specifikë të veçantë në tërësinë e Festivaleve Folklorike që zhvillohen me shpeshmëri kohët e fundit në vendin tonë për vetë faktin se:

     I -Është i pari Festival Folklorik që zhvillohet me nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe bëhen të dukëshme arsyet e kësaj veprimtarie:

       -Kënga iso-polifonike në kohën tonë ka marrë një goditje të madhe nga vetë moderniteti i jetës në kohën tonë. Moderniteti i jetës goditi së pari mënyrënn e jetesës në fshat, duke ndikuar edhe te teksti dhe vija melodike e këngës.       

       -Emigracioni i popullsisë fshatare drejt qytetit apo jashtë vendit i hoqën këngës isopolifonike “djepin” e saj ku u përkund së pari.

         -Jeta në qytet dhe ca më tepër në emigracion e largon këngën iso-polifonike nga baza e saj e origjinës dhe për pasojë kënga pëson ndikime të natyrës së modernitetit (në rastet e emigrimit nëpër qytete) dhe të natyrës së kulturës së huaj (në rastet e emigracionit jashtë vendit).

        -Distanca e vendndodhjes së re të këngëtarëve me përvojë, të cilët zakonisht qëndruan në fshat me këngëtarët e rinj,të cilët kryesisht kanë emigruar me familje në qytete ose jashtë vendit krijon një shkëputje në procesin e trasmetimit të këngës nga një brez te tjetri.

        -Në familjet që kanë emigruar, për fëmijët dhe të rinjtë kënga “mësohet në familjet” emigrante, por stili i të kënduarit dhe vija e saj melodike “infektohet” nga ndikimet e vendndohjes.

 

        II- Përgjithësisht brezi i ri në vendin tonë, “nuk dëshiron” të këndojë këngë iso-polifonike, pasi ambienti i ri ku ata banojnë dhe koha që po jetojnë ecën drejt një mësimi dhe zhvillimi të një kulture moderne, larg kulturës tradicionale dhe artit gojor. E parë në  aspektin aktual, është befasuese pjesmarja kaq e madhe e nxënësve të shkollave 9 vjeçare në këtë Festival, gjithsej mbi 100 nxënës dhe konkretisht: Grupi i Bashkisë Dekvinë me 18 nxënës, Grupi i Bashkisë Finiq me 21 nxënës, Grupi i Bashkisë Gjirokastër me 8 nxënës, Grupi i Bashkusë Selenicë me 13 nxënës, Grupi i shkollës Kuç me 16 nxënës, Grupi i shkollës “ Hysen Çino” Horë Vranisht 16 nxënës dhe Grupi i shkollës” Pano Meniko” Himarë me 7 nxënës etj. Këta fëmijë të bukur si drita dhe të njomë si vesa janë engjëjt e iso-polifonisë që janë mbledhur ta shpëtojnë atë nga “braktisja” dhe harresa”. Dhe ato kostume popullore që kishin veshur, tamam si engjëj i tregonin.

      -Këta nxënës, me praninë e tyre në  Festival  treguan së pari dashurinë për këngën iso-polifonike dhe vallen tradicionale shqiptare duke sfiduar “braktisjen” që imponon koha. Me praninë, këngën e dhe vallen e tyre “firmosës”  garancinë  se kënga iso-polifonike nuk do të “humbasë” nëpër labirinthet  e modernitetit të kohës së sotme dhe të nesërme. Ata na siguraun se ajo (kënga iso-polifonike) dhe vallja popullore do bëhen pjesë e jetës sonë dhe do të trasmentohen po prej tyre në brezin pasardhës. Të shihje si u ndrinin sytë kur këndonin, të shihje si e hidhnin hapin në valle, thua se do mirnin fluturim si engjëjt e rinj që nisen të shpëtojnë dikë nga reziku i momentit. Lum kush i pa dhe i lumtë kush i uroi këto shqiponja që do riten në këngë.

 

        III-Repertori i pasur i aktivitetit ishte një befasi më vete: U interpretuan rreth 30 këngë e valle nga nxënësit e këtyre shkollave si dhe dy këngë të kënduara nga grupi karakteristik i Vranishtit bashkë me dy recitime përshëndetëse, duke ju sqaruar paraprakisht se repertori kishte këngë isopolifonike, valle isopolifonike, valle të shoqëruara me instrumenta muzikorë, rite pagane dhe ninulla, por më befasues ishte vetë niveli i interpretimit të tyre nga nxënësit. Ja si e paraqet Mjeshtri i Madh Kristo Çipa nivelin e interpretimit : “Vallja karakteristike labe e kënduar dhe interpretuar nga Valltarët e  shkollës së Seleniclës ishte për tu admiruar. Grupi i valleve të shkollës së Finiqit i dha hijeshi festivalit. Ninulla e interpretuar nga nxënësja e Delvinës ishte mbresëlënëse. Riti i zjarrit i shkollës së Himarës po ashtu. Harmonia e këngës gjirokastrite erdhi me aromë manxurane në këtë festival. Instrumentistët e vegjël të Delvinës me violinë dhe klarinetë rikthyen të freskët traditën e sazeve”.

        Ajo që vlen të përmëndim në këtë Festival është fakti se të gjitha këngët e kënduara dhe valet e interpretuara ishin këngë e valle burimore, të fshatit dhe krahinës së tyre dhe jo këngë të “importuara” nga ndonjë fshat apo krahinë tjetër dhe ca më pak të ishin këngë të përpunuara. Ata krenoheshin me këngët e tyre të origjinës, i këndonin ato me passion duke ruajtur vijën melodike dhe tonalitetin tipik. Atë që manifestuan këta fëmijë engjëj është mirë ta dëgjojnë disa “grupe” të ngritura nëpër qytete, që ende nuk kanë mësuar të mbrojnë dhe interpretojnë këngën e tyre.

 

         IV-Vërtet që duhen përshëndetur Mjeshtrat që punuan me nxënësit: Roland Çenko, Ajet Duka, Meçan Myrto, Katina Bodini, Albana Gjika, Murzika Balili dhe Kristo Çipa, jo aq për faktin se u mësuan një këngë apo interpretim nxënësve, por së pari se u futën në shpirt  dhe e bënë aspiratë të jetës së tyre dashurinë për artin tonë gojor. U mësuan nxënësve vallen e Vranishtit, që e kanë të vështirë ta mësojnë dhe artistë me përvojë, u mësuan ninullën, duke u treguar se me tingujt e artit tonë gojor janë ritur breza të tërë, u mësuan ritin e zjarrit, duke duke u treguar se nga ka kaluar kënga jonë isopolifonike nëpër hershmëri. Vërtet që duhet përshëndetur organizatori i këtij Festivali, Kristo Çipa për vetë faktin se ky Festival ishte si një seminar mësimor i artit gojor shqiptar, iso-polifonisë, valles dhe gjinitë që u interpretuan. Duhen përshëndetur më së pari se na provuan që nxënësit e shkollave 9 vjeçare janë vërtet engjëjt e iso-polifonisë, ata mund ta mësojnë, interpretojnë dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se ata mund ta trasmentojnë këtë art gojor në nivelin sipëror tëtij.

 

            V- Si në çdo Festival edhe në këtë u dhanë çmime të ndryshme fituesve, por juria, në vend që të jipte çmime tradicionale  si Çmimi i parë, i dytë, etj. ajo zgjodhi të jipte çmime me emrat e korifejve të artit gojor dhe konkretisht: Çmimi “Lefter Çipa” ju dha  shkollës Delvinë, Çmimi “Neço Muko” ju dha shkollës Himarë, Çmimi “Avni Varfi” ju dha  shkollës Vranisht, Çmimi “Muhamet Tartari” ju dha shkollës Kuç, Çmimi “Nertesi Asllani” ju dha  shkollës Selenicë dhe Çmimi “Dhimitër Varfi” ju dha  shkollës Finiq.  Vendosja e këtyre çmimeve ka një efekt të pranishëm emocional, nxënësit i kanë njohur, kanë lexuar dhe dëgjuar për kontributet e këtyre artistëve ose për disa prej tyre, emrat e të cilëve kanë çmimet. Kjo i nxit ata të mësojnë më shumë për këta korifej të artit gojor, të lexojnë krijimtarinë e tyre dhe shkrimet që u kushtohen atyre, të synojnë aritjet artistike që i bënë ata të mëdhenj. Këto çmime mënjanojnë vendosjen në “radhë” të të talentuarve dhe i bën ata pjesë të botës artistike të korifejve.

            Edhe çmimet që u dhanë për individë mbanin emrat e artistëve të njohur të artit iso-polifonik shqiptar si: çmimi “Golik Jaupi”, “Qirjako Bala”, “Leni Mërkuri”, “Vendim Kapaj”, “Arap Çeloleskaj”, “Hyso Xhaferaj”, “Nebi Xhaka”, “Feti Brahimi”, ”Maliq Lila” u krijonte nxënësve një ndjenjë emocionante, aq më tepër që u jipej individualisht sipas rolit interpretues që kishin patur artistët, emrat e të cilëve kishin çmimet. Kështu psh Klajdi Hysenaj heqësi i valles së kënduar labe me djem morri çmimin “Arap. Çeloleskaj”, heqësi i famshëm  valles së Vranishtit. Sigurisht që nxënësit dëshirojnë ta lexojnë emrin edhe në këtë shkrim, ashtu siç e dëgjuan kur u vlerësuar dhe tërhoqën publikisht çmimin, por unë mund të përmënd disa prej tyre si: Ranja Kongjini interpretuese e ritit të zjarrit Himarë, që morri çmimin  “Hyso Xhaferri”, Shejla Rrapaj si marrëse e këngës së vajzave, Nikoleta Gudi heqësja e valles së Finiqit, Instrumentistat e Delvinës Gentjan Majko dhe Arnando Majko, Lejla Laze që interpretoi ninullën delvinjote, marrësit e  këngës kuçiote Leonard Alikaj dhe Eridjan Luçaj e shumë të tjerë.

              A e shihni se sa shumë engjëj të rinj ka kënga iso-polifonike? Duajini, si ata duan këngën dhe vallen.

 

Sarandë, më 12.11.2022

No comments:

Post a Comment