Sunday 27 November 2022

 

RROFSH SA KËNGA O ROLAND ÇENKO

Letër e hapur.

 

I dashuri miku im Roland Çenko!

Lexova shkrimin e Fitim Çaushit “Mercenarët e “isopolifonisë” në veprim” botuar te gazeta Telegraf e datës 15 Nëntor 2022 dhe të them të drejtën, dhe jo vetëm që u indinjova nga fjalori i rrugës që përdorte autori, por sepse ai i përdorte me qëllim ofendimi dhe diskretitimi ndaj figurës dhe punës suaj dhe ca më shumë  u revoltova për shtrëmbërimet që ai i bënte problemit të emërtimit të këngës sonë shumëzërrëshe (vënçe, polifonike me iso) me emrin “isopolifoni”.

Fjalori i rrugës që ai përdor tregon nivelin e tij kulturor, pavarësisht shkollës që ka kryer dhe pretendimit për të qënë “studiues i etnokulturës shqiptare”.Realisht përdorimi i këtyre fjalëve fyese (mercenar) ose me qëllime fyese (vozaxhi) tregojnë se autori nuk ka argumenta bindëse për atë që thotë ose kundërshton dhe i përdor ofendimet si predha topi me “gjuajtje të largët”. Ai nuk e ka ditur fare që ti i përket atij fisi trimash gjirokastritë që kanë luftuar për këtë vend e këtë popull dhe që në mes të luftës kanë kënduar: “i presin plumbat me dhëmbë” dhe “topi bam, ne hop në këmbë”, por dhe në e ka ditur, ai e ka përdorur me një synim tjetër më qëllimkeq.

Ai ka dashur të të thyejë moralisht, të të denigrojë qytetarisht që ti ta lije, ta braktisje misionin tënd të trasmetimit të këngës te brezat e rinj, aq e domosdoshme në këtë kohë. Në qoftë se ju artistët e vërtetë të popullit tim, që kini një përvojë disa brezash kënge në biografinë tuaj, ju fisnikët e këngës sonë isopolifonike do ta linit në “harresë” këtë këngë me mendimin a fjalët e shprehura apo jo: ”Pas meje u bëftë shkretëtirë”, koha e modernitetit që jetojmë do linte vërtet një shkretëtirë harrimi etnokulture pas jush. Unë nuk e di se kujt i shërben një synim i tillë, veçse jam i bindur se artit gojor shqiptar dhe popullit shqiptar nuk i shërben. Pas kësaj mund të them se: kujtdo që i shërben, tregon se ai ka dërguar mercenarët, të cilët e gjejnë kurdoherë si qeni të zotin.

           E vërteta është që ju Roland Çenko dhe gjithë sivëllezërit tuaj këngëtarë jini të mëdhenj, jo vetëm si artistë, por në rradhë të parë si atdhetarë. Përgjigja yte dinjitoze në gazetën Telegraf të datës 26 Nëntor 2022 është dëshmia më e qartë dhe më e dukëshme e dashurisë suaj për artin gojor shqiptar, për kombin e vendin, është një dëshmi e ndritëshme e dinjitetit tuaj qytetar kur shkruan: “Unë nuk jam shkencëtar. Unë jam thjesht një bartës i isopolifonisë. Jam përcjellës i këngës tek fëmijët, që ajo të mos vdesë. Mua lermëni të këndoj. Lermë t’ia marr vënçe gjirokastritçe: “’O shokë vdeksha nga kënga!”. Mos u tund nga “istikam”-kënga o Roland Çenko sepse “S’tundet mali nga gjëmimi” shkruante dhe këndonte Lefter Çipa, por unë në vijim të tij them se: “Nuk gremiset mali pse e qëllon me gurë një mjeran i mbetur rrugëve”.

           Është për të ardhur keq që paraqiten akoma si argumenta anti iso-polifoni fraza dhe citate të personaliteteve të etnokulturës dhe artit tonë. Autori i shkrimit citon babain e etnomuzikologjisë shqiptare Ramadan Sokoli kur thotë se:Polifonia popullore shqiptare,.. nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me literaturën bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike”, fjalë që është plotësisht e drejtë dhe që unë e rithem përsëri: Kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga vajtimi, nga ligjërimi mortor dhe jo nga ndonjë shkollë, popull apo institucion fetar. Kënga jonë iso-polifonike nuk ka origjinë kishtare, por ritet kishtare bizantine kanë qasje me vijën melodike të këngës sonë iso-polifonike. Meqënëse artikull shkruesi nuk e kupton shprehjen qasje, gjë që e ka dëshmuar në disa “gurë që ai ka hedhur në pus” po e sqaroj qysh në fillim: shprehja “kanë qasje” duhet kuptuar që: këto dy fenomene të ndryshme kanë afëri me njera tjetrën, i afrohen njera tjetrës. Në qoftë se do më pyesë se ku qëndron qasja, pra ku qëndron afëria, unë do ti shpjegoja se: në radhë të parë qasja qëndron te kolektiviteti, së dyti te struktura e këngës dhe së treti te vija melodike e isos. Do t’u kujtoja që studimi për “Tetë mënyrat e mbajtjes së iso-s në liturgji” ka për autor dhe ekzekutor Jani Kukuzelin, durrsakun.

           Asnjë studiues shqiptar nuk ka thënë se kënga jonë iso-polifonike e ka origjinën nga ritet kishtare bizantine, pasi është i njohur fakti që kur u krijua kisha bizantine, kënga jonë isopolifonike ishte formuar dhe po përsosej artistikisht dhe strukturalisht më tejë.

             Mqse autori përmendi Ramadan Sokolin, le të jetë i sinqertë në citimet e tij dhe të kujtojë se ky shkencëtar i madh i etnokulturës sonë ka shkruar:  “…atje ku flitet gegënishtja kemi muzikë homofonike, kurse përposhtë këtij lumi (Shkumbini), atje ku ndihet rotacizmi i bashkëtingëllores “n” në “r” ose diftongu “ua” e të tjera veçori fonetike të toskënishtes, atje ndihet dhe isoja se bashku me veçoritë e tjera polifonike”. (Shih Sokoli Ramadan, “Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965, f.127). Me mirë se kaq nuk mund ta thoshte në vitin 1965 shkencëtari ynë i madh. Unë nuk marr përsipër të interpretoj profesorin e nderuar, babain e etnomuzikologjisë shqiptare, por mendoj s’kishte se si ta thoshte më mire nga: “iso dhe veçoritë e tjera polifonike,  “polifoni me iso”. E rëndësishme është që ai ishte i ndërgjegjshëm që polifonia ekzistonte si marrëdhënie mes zërave “polifonikë” dhe “iso-s” si kor, pra “iso” në një anë dhe “polifonia” nga ana tjetër dhe bashkimi i tyre jep atë që e quajmë “polifonia me iso”, polifonia shqiptare ose “iso-polifonia”.

             Sigurisht që shumë kush pas leximit të mësipërm do pyesë se ç’është  muzikalisht “iso-polifonia”? Termi iso-polifoni është bashkimi i termit “iso” dhe “polifoni”. Termi “Iso” vjen nga bashkimi i fjalës “I”-një (nji) dhe soj,(soi, lloji etj.). Polifoni vjen nga greqishtja (poli-shumë, foni-zëra).

             Termi “polifoni” muzikalisht ka kuptimin e bashkimit të shumë zërave solo, që në rastin tonë janë “marrësi”, “hedhësi” dhe “pritësi”. “Iso” nuk është zë solo, ndaj nuk bën pjesë në polifoni. Ajo është një zë kolektiv që nënkupton miratimin popullor të zërave solo (polifonisë). Mirëpo autorit të shkrimit kundër teje nuk i interesojnë argumentat pro-shqiptare, të termit iso-polifoni. Ai i quan “grekë” ata që përdorin termin shqiptar “iso” dhe përkundrazi, i quan shqiptarë të kulluar ata që përdorin termin grek “polifoni”. Të kuptojmë një gjë, termi greqisht “polifoni” është një term shkencor me origjinë greke që ka fituar të drejtën e qytetarisë ndërkombëtare dhe përdoret në gjithë popujt e botës, duke treguar një stil, mënyrë, lloj kënge të artit gojor të popujve përkatës. Kështu shpjegohet që kemi polifoni greke, rumune, ruse, franceze, italiane  etj, por këto emërime, stile apo mënyra të të kënduarit s’kanë asnjë lidhje me ndonjë teori kundër ndonjë kombi. Tipike shqiptare është “iso” e cila duke u bashkuar me “polifoninë” krijon atë që quhet “iso-polifoni”. Këtu s’kemi të bëjmë me përparësi të ndonjë kombi ndaj tjetrit, por për bashkimin e dy emërtimeve për të cilësuar një tip të veçantë kënge, e cila ka në përbërjen e saj të dy elementët, “ison” dhe “polifoninë”.

              Kjo nuk u “zbulua” në 25 Nëntor 2005 në UNESCO, ajo është përdorur edhe më parë në qarqet shkencore shqiptare. Realisht termi iso-polifoni e kishte fituar të drejtën e qytetarisë në Shqipëri qysh në vitin 1999 me botimin e Folklorit Muzikor, “Polifonia shqiptare”, pjesa I, miratuar nga Akademia e Shkencave, botuar te Shtëpia botuese e librit universitar botuar te Shtëpia botuese e librit universitar Tiranë,  1999 ku në Kreun III dhe Kreu IV analizohet iso-polifonia labe, iso-polifonia toske etj. në f. 54 dhe f. 66.

            Autori, në mënyrë provokative citon një sërë autorësh të nderuar të cilët shprehen me termin “polifoni” në të shkuarën: [..] “Kosta Loli, ish drejtori i Shkollës së Muzikës në Gjirokastër, ka vlerësuar edhe babain e Roland Çenkos: ”Çdo ditë e më shumë hyja në labirinthet e në mrekullitë e të kënduarit polifonik …Xhevati me shokë këndojnë në mënyrë polifonike dhe harmonike  këngët epike e lirike…Kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor…”.(Thanas Dino, Xhevat Avdalli – Laver Bariu, f. 60)”.[..]. Sigurisht që Kosta Lolit as që i ka shkuar ndërmënd që Fitim Çaushi do ta përdorte si armë denigruese fjalën e tij për babain e Roland Çenkos duke përdorur si armë termin paqësor “polifoni”.

             Mund të citojmë shumë raste të tilla kur personalitete të artit dhe kulturës sonë e kanë quajtur këngën shumëzërrëshe “polifoni” pa asnjë paragjykim, por unë do parashtroj para jush krahasimin historik ku: Në 28 Nëntor 1912 Ismail Qemali firmosi deklaratën e Pavarsisë, ku ishte shkruar :

“…të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme", duke e quajtur vendin tonë Shqipëri. Ndërkohë: në Lidhjen e Lezhës më 2 mars 1444  Gjergj Kastrioti e quante vendin tonë Arbëri. Mos vallë duhet të akuzojmë Ismail Qemalin se paska qënë “kundër” Skënderbeut, mqse e quajti vendin tonë Shqipëri? Mos vallë duhet ti quajmë antishqiptarë gjithë popujt dhe qeveritë e botës pse e quajnë vendin tonë Albania?

          Autori shkruan:[..]”Jo Mjeshtër Çenko, “isopolifonia” është pasuri e korit bizantin, jo “pasuri e rrallë jona”. Pasuri e rrallë e popullit shqiptar është polifonia shqiptare’[..].,por nuk shpjegon se: ku e gjeti që “iso-polifonia është pasuri e korit bizantin” dhe çfarë është ajo që ai e quan “polifonia shqiptare”. Autori nuk e shpjegon për arsyen e thjeshtë se “polifonia shqiptare” është “polifonia me iso”, “iso polifonia”.

          Le të lexojmë se çfarë shkruan ai më poshtë: [..] “Vasil Tole ka futur në UNESCO, për llogari të Shqipërisë, një kulturë që i përket një populli tjetër, popullit grek, sepse ka shkruar, se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”[..].

            Kjo shprehje ka dy problem në tekstin e saj:

           -së pari shprehja që: [..] “Vasil Tole ka futur në UNESCO, për llogari të Shqipërisë, një kulturë që i përket një populli tjetër, popullit grek”[..] është absolutisht e pasaktë. Në UNESCO është futur isopolifonia shqiptare dhe kjo isopolifoni nuk ka qënë asnjëherë greke. Fitim Çaushi nuk ka as tagër dhe as këllqe që tja japë iso-polifoninë ndonjë populli a ndonjë shteti tjetër. Ajo ka lindur si shqiptare dhe do mbetet shqiptare sat ë ketë diell e hënë. Loja e autorit me emërtimin e këngës sonë vençe është grackë për naivët dhe flamur për atë vetë, por jo për ne. Drejt përgjigjet Roland Çenko kur thotë se: [..]Të dy termat, “polifoni” dhe ”isopolifoni” nuk janë në shqip, nuk kanë shoqëruar këngën qysh nga koha kur ka lindur ajo”.[..], duke thënë një të vërtetë të madhe sepse realisht termi “polifoni” u fut në fjalorin shqip së pari në vitet 30-40, pasi gjer atëherë kënga jonë thirrej thjeshtë: këngë vençe, këngë me iso, këngë labçe etj. Asnjë akt administrativ, asnjë vendim nuk u hartua për të quajtur këngën tonë me termin “polifoni” në kohën kur nisi të përdorej ky term së pari. Ajo u përdor nga studiuesit dhe gazetarët e kohës dhe askush nuk ngriti akuza për “greqizimin e folklorit shqiptar”.

            -së dyti shprehja e autorit : [..] “sepse (Vaso Tole) ka shkruar, se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”[..] është absolutisht e pasaktë. Asgjëkundi nuk është shkruar se “isopolifonia” shqiptare ka lindur në djepin e sirenave greke në zonën e Epirit grek..”, por është shkruar se kënga e sirenave ka qasje me këngën e brigjeve epirote. Pasaktësia e shprehjes së cituar nga autori duket te fakti se nuk është shoqëruar me fusnoote dhe kjo është bërë me qëllim që të mos bëhet ballafaqimi. Kënga e sirenave ka qasje me këngën vençe shqiptare te kolektiviteti i tyre (sirenat ishin pesë, po pesë vet ka dhe një grup iso-polifonik) dhe te vija melodike. Ndërkohë dihet që kënga iso-polifonike e ka origjinën nga ligjërimi mortor i nënave dhe motrave shqiptare. Kaq të vështirë e ka për ta kuptuar dhe pranuar këtë gjë autori.

           I dashur Roland Çenko! Më lejo që ta mbyll këtë letër me një  paragraf të përdorur nag autori, pikërisht me fjalët e aktorit gjirokastrit Nikolla Llambro, i cili: [..] “këto ditë i shkruante në feisbuk, mikut të tij Xhelil Aliut: “Kemi të bëjmë me bastard, shpellarë antishqiptarë të tërbuar dhe kriminelë të paskrupullt të Historisë të kombit. Shajmë fqinjët për veprime antishqiptare, por armiqtë i kemi brenda nesh dhe po na drejtojnë drejt katastrofës dhe zhdukjes kombëtare…” [..]( nga shkrimi i F. Ç. “Mercenarët e “isopolifonisë” në veprim”). Ne s’na mbetet veçse të evidentojmë dhe distancojmë këta “bastardë, shpellarë antishqiptarë

          

        Ndërsa  ti miku im, rrofsh sa kënga e kësaj toke, me këngë në gojë e në zemër.

 

 

Sarandë, më  27 Nëntor 2022

No comments:

Post a Comment