Dy poezi të një dhimbjeje.
Nga Timo Mërkuri
Poezia e Fatmir Terziut është një dritare e hapur mes botës
së brendshme dhe asaj të jashtme, mes dhembjes së atdheut dhe ftohtësisë së
kohës moderne, mes kujtesës së rrënjëve dhe shkëputjes nga përditshmëria digjitale.
Poezitë “Atdheun nga lajmet” dhe “Këputja nga ekrani” janë dy degë të së
njëjtës pemë poetike: e para prek nostalgjinë dhe dhimbjen e rrënjëve, ndërsa e
dyta sjell krizën e individit në një botë të virtualizuar, ku ekrani
shndërrohet në kufi të shpirtit. Leximi i tyre na ofron një përjetim të thellë
psikologjik, artistik e filozofik.
1. Dimensioni shpirtëror.
Në “Atdheun nga lajmet”, shpirti i poetit ndjen një dhimbje
që buron nga largësia. Lajmet nuk janë thjesht fjalë të shkruara, por “tufë që pëshpërit
në një gjuhë të tretë”, pra larg gjuhës së poetit dhe vendit të tij. Ky varg
flet për shpirtin që nuk gjen dot më qartësi as në gjuhë, as në vend, sepse
zëri i atdheut i vjen i huaj. Është një dhimbje që nuk shpërthen me britmë, por
rrjedh si një pëshpëritje e zbehtë, si një vajtim së brendshmi, si një
nisje logatje-je. Shpirti kërkon
identitetin, por ndeshet me “njerëzit e zbehtë” e me “të huajt që kishin
zëvendësuar në të huaj”. Kjo është plagë shpirtërore, që e bën poezinë një
vajtim të heshtur për humbjen e rrënjëve. Kjo plagë është te emigrantët
shqiptarë që nuk kërkojnë të kthehen në atdhe përsëri. Ndërsa ata flasin një
gjuhë plot mall e dashuri, atdheu flitka një gjuhë tjetër, të ftohtë, si
stalagmite akulli që të çpojnë në shpirt.
Në “Këputja nga ekrani”, shpirti i poetit është i mbërthyer
nga ftohtësia moderne. Ftohtësia nuk është më e natyrës, por e ekraneve:
“këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe”. Shpirti është bërë një gjethe e
brishtë që bie pa tingull, pa aromë, vetëm nga pesha e boshësisë. Këtu shfaqet
një përjetim i thellë i vetmisë së njeriut të sotëm, i cili e humbet lidhjen me
ngrohtësinë njerëzore.
2. Dimensioni artistik.
Artistikisht, Terziu përdor një gjuhë të ngjeshur me figura,
ku simboli bëhet udhëheqës. Në “Atdheun nga lajmet”, lajmet marrin formën e një
libri të fshehtë: “lexonin skupe nga një libër i fshehtë”. Ky imazh poetik e
kthen realitetin mediatik në një mister, një libër të mbyllur, që nuk i përket
më njerëzve. Muret e fjalës që ngrihen në ajër dhe engjëlli i lodhur që mbledh
meloditë e zogjve janë tablo poetike që përzihen mes reales e mistikes, duke
dhënë një frymë simboliste.
Ndërsa “Këputja nga ekrani” mbështetet mbi kontrastin e
thjeshtësisë dhe ironisë. Imaginata e frigoriferit në Gusht, për shembull,
është një figurë absurde dhe groteske që e bën poezinë të mbajë nuanca
postmoderniste. Por brenda këtij grotesku, ka një art të hollë të ironisë:
ftohtësia që përjashton shpirtin dhe e redukton në “perceptime të kota të
reve”. Poezia është një tablo e kohës digjitale, ku imazhet janë të ftohta dhe
njerëzimi i humbur.
3. Dimensioni filozofik
Filozofia e “Atdheun nga lajmet” është filozofia e humbjes
së rrënjëve. Njeriu që jeton larg atdheut e njeh vendin e tij vetëm përmes
lajmeve, por ato lajme nuk sjellin dritë: ato janë të zbehta, të huaja, të
largëta. Fjala që ndërton mure në hava është metafora e komunikimit që nuk bashkon, por ndan; është filozofia e një bote ku informacioni
nuk afron, por e thellon hendekun mes
njeriut dhe atdheut të tij.
“Këputja nga ekrani” ngre një pyetje filozofike mbi njeriun
e kohës digjitale: a është ende i lirë, apo është thjesht një gjethe që këputet
nga ekrani? Poezia flet për “dy gjendje, dy nivele, dy mendësi”, duke
përshkruar krizën ekzistenciale të njeriut që nuk gjen dot më unitet. Kjo është
filozofia e fragmentimit postmodern: njeriu nuk është më një i tërë, por i
ndarë mes botës reale dhe asaj virtuale, mes trupit dhe shpirtit, mes
sinqeritetit dhe ftohtësisë së teknologjisë.
Në fund, mund të themi se Fatmir Terziu, përmes “Atdheun nga
lajmet” dhe “Këputja nga ekrani”, ngre një pasqyrë ku shfaqet dyfishtë drama e
njeriut modern: drama e mërgimit dhe drama e shkëputjes nga vetja. Në njërën
anë është dhimbja e mungesës së rrënjëve, ku lajmet e vendit kthehen në zëra të
zbehtë që nuk e ushqejnë më shpirtin; në anën tjetër është ftohtësia e
teknologjisë, ku ekrani kthehet në një mur të pakapërcyeshëm që e largon
njeriun nga vetja dhe nga të tjerët.
“Atdheun nga lajmet”
mund të lexohet si një poezi e frymëzuar nga modernizmi simbolik-ekspresionist,
ndërsa “Këputja nga ekrani” i afrohet një postmodernizmi ironik dhe fragmentar.
Por pavarësisht dallimeve stilistike, të dyja bashkohen në një urë poetike që
lidh dhimbjen e mërgimit me boshësinë e digjitalizimit, duke i dhënë lexuesit një
përvojë shpirtërore, artistike dhe filozofike që mbetet gjatë në kujtesë.
Por unë dua t'i them mikut tim Fatmir Terziut: mos u tremb
nga kjo akullsi në mes të gushtit, ajo është një rrymë ajri që erdhi nga larg.
Atdheu flet vetëm me ngrohtësi shpirtërore, sepse, siç e di mirë t'i miku im,
Atdheu është në shpirt.
Sarandë, më 04.
09.2025
ATDHEUN NGA LAJMET
Nga Fatmir Terziu
Lajmet e
vendit tim i pashë të mbledhura tufë
flisnin me
veten. Pëshpërisnin në një gjuhë të tretë,
edhe në mal,
edhe në fushë,
lexonin
skupe nga një libër i fshehtë:
Ai në të
vetën. Ajo në të sajën.
Gjithnjë i
dëgjonin njerëzit e zbehtë
ndërsa
shfaqeshin nëpër varreza në një vend të largët,
dhe kështu
ndodhte me ditë, me javë, me muaj,
askush nuk i
njihte më të parët,
të huajt i
kishin zëvendësuar në të huaj.
Direkë midis
lajmeve. Fjala, ndërtonte mure në hava.
Një engjëll
i lodhur mblidhte meloditë e zogjve aty pranë,
Po ata, pse
po nxitonin, ku po iknin Ata?
KËPUTJA NGA EKRANI
Të ftohtën
zor se e gjen në Gusht,
për të
kuptuar ngricën dua të shprehem sinqerisht,
gjithnjë
pikturoja frigoriferin me një kusht:
brendisë të
mos i bëja bisht!
Dy gjendje.
Dy nivele.
Dy mendësi
në nevojë,
Më pyesnin,
pastaj më bënin për vete
gjithnjë e
më shpesh përgjigjesha me „Nuk e kuptoj“.
Ndërsa
këputesha nga ekrani si ndonjë gjethe
e largoja
habinë me thonj,
me
perceptimet e kota të reve,
përulësinë:
me konceptin e rëndomtë,
këputjen: me
ekranin që na ftohte neve.