Saturday 8 December 2012

Matanë kornizës së kohës



MATANË KORNIZËS SË KOHËS…

 

Kiço Papa me “Lirikat e Jonit” në ciklin “Kur flasim për Artin Jonian” Nga Timo Mërkuri


1-Gjatë leximit  të një romani, botuar muajt e fundit, më tërhoqi vëmëndjen një   personazh, i cili dëshironte të hapte një ekspozitë në kryeqitet. Në fakt, unë nuk e mora vesh mirë, në se  ishte fjala për  ekspozitë pikture apo ekspozitë fotografie.  Kjo, jo për fajin tim, po për faktin se personazhi do paraqeste në këtë ekspozitë vetëm …kornizat. Imagjino pak të lutem, një ekspozitë me korniza …bosh. Veç të tjerave, fantasia jote është e lirë që të vendosë në atë boshësi, piktura apo fotografi nga më të ndryshmet. Çdo gjë mund të bësh në një ekspozitë të tillë, por më  normalia do të jetë që, të marrësh në duar kornizën dhe duke e mbajtur  para para fytyrës, të sodisësh përmes kuadratit të saj ambientin përeth. Efekti është vetëm kornizimi i hapësirës, ajo ndjesi e ngushtësisë së  hapësirës që sodit, se në vetvete ambienti dhe hapësira nuk ndryshojnë  vlerat dhe cilësinë. Psh, soditja e pranverës nëpërmjet një kornize të tillë, vetëm sa të kufizon hapësirën  e fushave, pyjeve apo detit që sodit, sepse nuk ka asnjë ndikim në ngjyrën e luleve, këngën e zogjve  apo  lojën e valëve të detit. Pranvera aty është me gjithë bukurinë e saj dhe lulet aty janë, duke u lëkundur si vajza të dashuruara. Madje dhe ngjyrat e luleve  duken si ëndrat e shpirtit, në sytë e vajzave. Si ëndëra fluturojnë dhe pulëbardhat mbi valë.  

Efekti fillestar është vetëm kornizimi i hapësirës, por ama është pikërisht ky kornizim, herë i madh e herë i vogël, sipas largësisë së mbajtjes së kornizës nga sytë, që të krijon atë ndjesi të të qënit i vogël, fare i vogël, madje i papërfillshëm përpara asaj hapësire që sodit dhe që  mundohesh më kot ta kornizosh. Kjo ndjesi ritet e përforcohet më shumë kur e sodit pa kornizë pikërisht atë, hapësirën që doje të kornizoje dhe sheh, se ajo është gjithmon e më e madhe nga sa ke parë apo ke kujtuar. Dhe  vogëlan je vetëm ti dhe ideja jote e marrë.

Kjo është arsyeja që, i revoltuar nga zhgënjimi, klith me dëshpërim…”në djall të vejë, nuk do ta shoh fare”.
Të duhet një forcë e madhe, që të kuptosh se fajin nuk e ka hapësira, madje as korniza, por e ka pikërisht ideja  e të parit të hapësirës nëpërmjet një kornize.

2-Nuk di pse mu kujtua ky personazh dhe ideja  e tij, gjatë rileximit të librit “Lirikat e Jonit” të poetit Kiço Papa. Vërtet nuk e di pse, por ndërsa lexoja poezitë njëra pas tjetrës, më dukej se vërtet po sodisja  pranverën e brigjeve të Jonit, nëpërmjet një kornize.

Korniza, herë ishte ngjitur me fytyrën time dhe për pasojë, hapësira që sodisja nëpër vargje  ishte  e madhe, sa që  rinin apo rendnin   nëpër të,  pyje e lumenj, fluturonin zogj dhe ëndëra, rendnin dallgë të ndjekura nga një trumbë pulëbardhash .

Por shpesh here,  më dukej se mbaja  kornizën me duar të zgjatura, larg fytyrës dhe mezi shikoja nëpërmjet saj, nga ballkoni i shtëpisë sime, dy  hektarë qiell dhe tri dynimë det. 

Ngushtësi e madhe dhe e trishtueshme. Madje as  zogu nuk fluturonte dot nëpër të, e jo më që ndonjë këngë bilbili  të të ftonte fantazinë për shoqëri. Valët copëzoheshin në skajet e kornizës, pikërisht aty  ku  pulëbardhave  u këputej (s’them dot që u mbetej jashtë  kornizës ) një krah.

E megjithëatë pranvera  ishte aty, e shtrirë nëpër vargje, e kornizuar nëpër tema.

3-Një vëllim poetik, i botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” para viteve ’90,  ishte e kuptueshme që të kishte kornizën e temave të kohës. Madje, nga një poet i ri, në botimin e vëllimit të parë,  pritej që  brenda kornizës së temave të dukej së largu fotografia e “njeriut të ri” shpatullgjërë e buzëqeshur, që punonte për vitin …2020 e më tejë. Duke patur  fatin e zakonshëm, të lagej në stendën e emulacionit nga shiu i parë dhe  të …flakej në… harim.

Por Kiço Papa në këtë kornizë nuk vuri ndonjë fotografi heroi.Vuri thjeshtë shpirtin e tij i cili…ka qënë në breglumë dhe ka dëgjuar bilbilat/u zhyt thellë në lumë dhe troftat/nuk u trembën prej tij/kur doli vizatoi dhe lumin dhe bilbilat/dhe ligjërimin e  bilbilave/dhe guximin e troftave dhe guralecët/dhe leshtërikët e lumit/Ky është lumi tha…/Hyri në pyll dhe u shkri me gjelbërimin/doli andej dhe vizatoi gjethet,trungjet/rrënjët,moshën e pyllit/dhe vizatoi gjelbërimin jo vetëm të drurët/por dhe te hieja e tyre.Ky është pylli tha.(Ftesë, fq 3)

… vijon dhe në poezinë tjetër “Emri i ditës” ku shkruan…Zgjohem herët dhe i vë emrin ditës./… /Kërkoj shëmbëllimin tim në të gjithë sa krijova…/E prapë u hipi trenave, kamionëve…(lere fare, ky varg i  fundit është pjesë e kornizës. Ashtu siç janë  korniza dhe temat e titujt e disa  vjershave të këtij vëllimi, korniza dikur plot shkëlqim varaku, por që sot  përshkohen nga labirinthet e tuneleve,    kanë hapur  krimbat e kohës, nëpër të).
…për të shpërthyer të cikli “Prillet e mi” …i dehur nga bukuria.. me vargjet  brilante… Në ditlindjen e saj më ftoi pranvera/dhe miqësisht më dehu/…pemët këndonin ca si ninulla/për lulet që do bëhen kokrra.
 Sepse…çdo prill që erdhi la diçka tek unë/diçka të përzëmërt nga bukuria e tij…duke shprehur dëshirën e tij  si poet…dua të bëj një këngë/që të ngjajë me një shtëpi të madhe/Çatinë tja bëj me kaltërsinë e rpillit/me diell tja lyej dyer e dritare…
për të aritur te poema “Krijo bukurinë” me vargjet e ëmbëla …kujdes,kur të jap një lule/duhet të krijosh pranverën me të/../dhe kur ta kesh njohur mirë arkitekturën e ëndrës/mendo se ku do ti vendosim krevatet e vogla/të fëmijëve që ende skanë lindur…

4-Një vëllim poetik ky, i botuar para viteve ’90, nga një poet i ri, që dhe tani pas njezetë vjetëve mbart  te ne, freskinë  pranverore të …ëndrave djaloshare të poetit.

Kur e mora në dorë për ta rilexuar vëllimin poetik, mendova se  në faqet e tij, do ti gjeja  lulet e ëndrave të petëzuara nga shtypja e faqeve dhe  të thara nga koha. Pak a shumë, siç gjenim dikur,  në mes të fletëve të librit të botanikës, lulet dhe bimët e mbedhura nëpër eskursione dhe futur mes fletëve, për praktikë mësimore.

Lule pa aromë, me petale të thara, që të ndillnin veç të vajtoje mbi to. Apo edhe mbi kujtimin e çasteve të mbledhjes së tyre.

Por nga ky vëllim, çuditërisht, në fillim erdhi drejt meje me duhmë aroma e luleve përzier me ëndëra ( sikur të qenë shpërthyer kacekët e Eolit, ku qenë mbyllur)dhe më pas nisa të shoh ato, lulet dhe ëndërat, dhe kaltërsinë e detit që e kishte pirë të tërën, aty ku gjej profilin e brezit tim/dhe ëndërrën e Leftër Talos..

Në fillim ja behu kënga e zogjve …mbrëmë në dritare çukitën shumë zogj…dhe zhaurrima e lumit ( si nuk qe tharë  shtrati i tij kaqë mote) e më pas nisa të ecij vetë brigjeve të tij.

Aty ku…Dimri i fyer nga mospërfillja/i bie gjoksit dhe shfryn shkulma ere.
Për të takuar poetin i cili…na ka premtuar se një ditë prej ditëve/diçka të bukur ka për të na thënë…
…që na e tha në fakt në këtë libër, të bukur dhe të freskët përjetësisht, si një ëndër.  Si një ëndër rinore, të parë nëpërmjet lojës së afrim-largimit nga sytë, të kornizës së temave  të imponuara të kohës.


5- Sepse  kornizën, para poetit dhe para poetëve e vendosi  diktatura, e cila gjithmon përpiqej ta mbante në një distancë nga sytë e poetit, jo për të shtuar misterin e kornizës, por thjeshtë për të ngushtuar hapësirën që shikohej. Ose më saktë, duke lënë hapur për shikim dhe admirim vetëm atë hapësirë, ku ndodhej  ajo vetë.

Poetët gjithmon përpiqeshin ta afronin kornizën, thjeshtë për të rritur hapësirën e shikimit, për të parë edhe yjet e qiellit tejë “yjeve” tokësorë, për të parë edhe vjeshtën e dimrin natyror tejë “pranverës” që ndërtonim ne.

Por loja me afrim-largimin e kornizës të krijon atë ndjesi të të qënit “i vogël”, gati i papërfillshëm përballë hapësirës.( Pak a shumë  këtë ndjesi provoi dhe Amstrongu kur e pa tokën nga hëna).

Shtoi kësaj fatkeqësitë familjare, nga ato fatkeqësi që …vajtohen me gjëmime deti, që e thinjën brenda një çasti e s’e lanë  gonxhen e buzëqeshjes të çelë në fytyrën e poetit, për dekada me radhë.

Vazhdo me fatin e trishtueshëm të stërmundimit në punë, për të përballuar jetën,  gati të të gjithë poetëve emigrantë, për të kuptuar atë …”në djall të vejë, nuk do ta shoh fare hapësirën”  edhe të Kiço Papës,   rezulton me mosbotime të krijimeve poetike të mëvonëshme të këtij poeti lirik.

6-Ama, themi me mosbotime, sepse dhe të dojë, Kiço Papa nuk largohet dot nga poezia.

Sepse dhe të dojë të largohet, s’ka ku vete, sepse shpirtin e ka lënë te Lirikat e Jonit.

Te ato lirika ku, çuditërisht, vargjet që flasin për detin e për valët numërohen me gishta, por ama, mbi të gjitha vargjet fryn flladi i Jonit. Jodi i  flladit jonian  ka pastruar mushkëritë e poezive duke ua bërë më të pastër tingëllimën vargjeve. Limonat dhe ullinjtë i reh era e detit dhe këngën e bilbilave e shoqëron iso-ja e valëve. Duke ecur bashkë me Kiço Papën nëpër poezitë e këtij vëllimi, të duket se  ja, pas atij vargu do të të  mbulojë një dallgë deti apo pas  metaforës së radhës, do fluturojnë mbi ty pulëbardhat, duke të spërkatur shikimin me kaltërsinë e  stërkalave të valëve. Me atë kaltërsi që kanë dhe vetë poezitë . Ato poezi që , jo më kot Kiço Papa i ka titulluar  “Lirikat e Jonit” . Unë ju them se jo rastësisht, poeti  ka emigruar në …brigjet e Jonit. Përballë brigjeve ku u shkruan këto poezi. Për të mos u larguar nga vendlindja e tyre.

7-Unë e di, që Kiço Papa, mbrëmjeve, ulur në parvazin e dritares të shtëpisë të marë me qera, herë  nis shikimin të lozë me hënën e yjet  në qiellin e Korfuzit, e herë  dërgon mendimet të shëtisin në bulevardin e Sarandës, aty ke jemi ne, miqtë e tij. Dhe nis me ne një bisedë në heshtje, dhe i shkruan  bisedat që mos ti harojë, por çuditërisht i shkruan në vargje. Sepse Kiço Papa është poet dhe i tillë do të mbetet. Unë ju them se së shpejti ai do na pranverojë  bisedat me lirika të reja.

Edhe me përkthime, si përkthimi mjeshtëror, prej poeti, i poezive të Vretakos, botuar para pak kohësh te Fjala e Lirë.

Sa për kornizat, edhe Kiçua, njësoj si ne, i ka haruar…

No comments:

Post a Comment