Monday 24 December 2012

SA SHUMË DIELL, SA SHUMË NGROHTËSI…



SA SHUMË DIELL, SA SHUMË NGROHTËSI…


ose …një kartolinë për Drita Lushin


Duke lundruar në internetin e shqetësuar nga teoria e të ashtuquajturës përmbysje e botës, sipas kalendarit Maja, u afrova në brigjet e portaleve të datës , ku në limanin Kulturor , më priste një cikël poetik i Drita Lushit. Një cikël plot dashuri për njeriun, për jetën. Një   cikël plot dritë e ngrohtësi. Si për ti thënë lexuesit, “detar” të shokuar nga frika e …përmbysjes së botës, …eja, strehou te unë ti, o i lodhur dhe i  stërmunduar në furtuna  të jetës. Eja te unë, të gjesh …bukë e ujë, shpresë e dashuri, dhe mbi të gjitha ngrohtësi njerëzore. ( Në mos gabohem, këto fjalë, përafërsisht janë dhe në bibël, janë gdhendur dhe te statuja e lirisë në ishullin e vogël, pranë  Nju Jorku).

Kam një liman
qetësie (në vetën time..shënimi im T.M),
oaz për ëndërrat
dhe dashurinë..

Fllad i ngrohtë fryn nëpër vargje, në këto ditë dhjetori plot ngricë në shpat malesh e mendime…

Dielli përsëri
buzë kodrës,
detit,a liqenit do të LINDË,
e do  të na buzeqeshë
i veshur në ar.
…..
E ne nga lumturia
do të duhemi  më fort,
mbi  këtë Tokë të lashtë,
që kurrë, kurrë, s’ka mort!

…dhe më shumë se admirim për vargjet ndjen ngrohtësinë që buron prej tyre, ngrohtësi e marë, jo nga dielli, por nga zemra e poetes, e nënës, e gruas. Se është vërtet e ngrohtë zemra e  vajzave tona, që rezaton valë dashurie, si dielli valët e dritës dhe nxehtësisë. Dhe poetja, diellin, herë e sheh si një djalë çapkën që i vjen rrotull, ndaj loz e qesh me të, duke shpalosur botërisht madhështinë e shpirtit dhe bukurinë e tij…

Një ditë dielli,
si një djalë,
më shkeli syrin
e tij të bukur,
e unë
i fala buzëqeshjen.
 …dhe herë e pi si një kupë vere…
Dita ime pi Diellin
Në një kupë të gjelbër pranvere
Ndërsa unë…
Shoh si meteorët përtypin retë…

…planetët  na kanë zili mua dhe tokën… shkruan poetja, pikërisht ditën kur pritej, sipas kalendarit Maja, përmbysja e botës, duke shpallur kështu forcën e dashurisë…

..sepse dashuria për njeriun dhe dashuria për jetën më shumë se krahë fantazie, i jep guxim …

Në prehër të qiellit skicoj
forma yjësish,
ndërtoj një galaktikë
ku unë e ti të jemi hëna dhe dielli
e femijët tanë të jenë yjet,

(…a nuk ju kujtohen përallat e gjysheve me dashurinë e  diellit me hënën)

kometat na bëjnë hije
kur ne udhëtojmë me meteoret
në orbita të reja në kërkim të planeteve
të përveçëm me iniciale dashurie “D”.

Dukë lexuar këto vargje të lindm dëshira të jesh ti dielli, personi, të cilit i drejtohet poetja me kaqë finese, me kaqë dashuri.
Shihni sa poetikisht flet poetja te poezia Një drejtim…

Të gjitha rrugët më çojnë drejt teje.
Më çon zemra, që ty të ka rrahje.
Më çon fjala qëndisur me mëngjesin.
Më çon shpirti bashkë me universin.

…dhe ne s’na ngelet gjë tjetër veçse  ta kemi zili dhe ta admirojmë me fjalët…lum ti i lumi...kush po vjen drejt teje. Një botë plot pranverë, plot diell e ngrohtësi. Plot jetë e dashuri. Dhe masiv akulli po të jeshë, mal me lule do të bëhesh, ku shpresat do të riten si lisa dhe në degët e tij zogjtë  do ngrenë folenë.Dhe s’do ketë nevojë për shtegëtime, se në këto vise poetike ka vetëm pranverë.
 Shih se ç’pranverë po lulon nëpër këto vargje, të shkruara në këto ditë  dimri, shih se ç’lule ëndrash  zemre po shpërndajnë aromën e tyre në ajrin ku jetojmë. Shih sa shpresë jep edhe  këtë ditë, kur gjithë mediat emetonin në eter tmerin e një fundi që s’di pse e kërkojnë.
Shih sa të bukur e të ngrohtë na e bëri dhe momentin e  leximit të  tyre, sa që dëshirojmë të mos mbarojnë këto caste magjike.
E ne, s’mund tëmund të bëjmë gjë tjetër veçse, duke shpresuar për prille të tjera në mes të dhjetorëve, ti drejtohemi poetes plot mirënjohje:
-Faleminderit Drita dhe…Gëzuar Vitin e Ri.

No comments:

Post a Comment