Saturday 22 April 2023

 

Timo Mërkuri

 

PERANDORIA E ZOGJVE SHTRIHET DHE MBI VARGJE

 

 

Poetët në të gjitha kohrat i kanë patur miq të tyre zogjtë, u janë drejtuar atyre për të shprehur brengat e shpirtit, kanë kërkuar ndihmë të tipit “ndonjë lajm a ndonjë letë”, bukurinë dhe këngën e tyre e kanë patur si simbolikë poetike, qëndrojnë si figura letrare në “parvazet” apo “degët e vargjeve” si ëndërr, simbol a metaforë,të pafundme janë vargjet poetike apo këngët kushtuar atyre, qoftë në artin e popullit apo artin e kultivuar, kjo qysh nga hershmëria e njerëzimit. Në pamje të parë edhe poema “Perandoria e zogjve” duket se është një krijim “më shumë” për 10 mijë lloje zogj të identifikuar që popullojnë planetin me një numër prej 100 deri në 400 miliardë zogj. E parë me vëmëndje, kjo poemë është një krijim që duhet lexuar veças në morinë e krijimeve poetike për dhe me zogj, kjo për vetë këndvështrimin e autorit dhe realizimit artistik të vargjeve.

 

I-Poema“Perandoria e zogjve”e poetit Bardhyl Maliqi është nga ato krijime letrare, përjetësimi i të cilave të kërkon një njohje të jetës së poetit dhe arsyet që e nxitën për këtë krijim. Kjo kërkesë vjen kryesisht nga strukturimi i krijimit si një bashkëbisedim me bijën e vogël, e cila duke qënë në “moshën e pyetjeve”, zogjtë ishin subjekt i kureshtjes së saj për njohjen e botës.

Autori si nje prind-poet i përgjigjet vajzës në një mënyrë shumë të ndjeshme, me përkëdheli e ngrohtësi me epitetet “vogëlushe, zemra ime, drita e syve të mi, vashëza ime moj, e mira ime moj”, duke vënë një theks të ëmbël si këngëzim te  shprehja plot shpirtërim “moj”, ngrohtësi e cila është shtrirë mbi të gjithë krijimin e tij. Madje nëpërmjet këtij epiteti ne kemi të gdhendur një portret të bukur vashëse, të cilën  mund ta përfyrtyrojmë si një “princeshëz” të vogël me një kurorë lulesh mbi krye dhe me shikimin të drejtuar lart, te buzët e të atit, prej nga buron një gjuhë poetike e pastër, e bukur dhe e kuptueshme, në tingullin e të cilit ajo ndjen dashurinë dhe respektin atëror, madje ajo mahnitet me bukurinë e gjuhës poetike që ati shpreh. Bashkëbisedimi at e bijë, përshkruan pamje që shkaktojnë imazhe dhe ndjenja të forta, duke krijuar kështu një poezi të mrekullueshme.

Kështu, ai i përshkruan zogjtë si "qenie të lira" dhe "engjëj me flatra" që fluturojnë drejt horizontesh të reja ku "pagëzohet dielli çdo mëngjes", duke nxitur në këtë mënyrë fantazinë e fëmijës, por edhe duke i afruar një mënyrë artistike të të shprehurit, e cila mrekullon të bijën me bukurinë e saj. Poeti shfrytëzon kështu ndryshimet në perspektivën e tij dhe atë të vajzës për të paraqitur një pamje të thellë dhe të ndjeshme të botës së zogjve, të shndruar në poezi.

Ndoshta këtu duhet të themi se Bardhyl Maliqi është vërtet një prind i përkushtuar ndaj familjes dhe fëmijët e tij janë të rinj qytetarë të kulturuar.

 

II- Sigurisht që poeti shpalos njohjen e tij për botën e zogjve, ku, duke parë gjërësinë e saj, lehtësisht hamendësojmë për një fëmini në natyrë të poetit, “nxitur” dhe nga vargu i Kadaresë: “Zogjtë po nuk erdhën me fëmijërinë/Nuk vijnë më kursesi”. Fëmijërinë e tij poeti e  kaloi në qytetin e Konispolit, një qytet ku shumica e shtëpive ishin private, ndonëse me dy e tre kate, kishin obore të gjera të mbushura me pemë të ndryshme, degët e të cilave mbështeteshin në dritaret e shtëpive, ku zogjtë hynin lirshëm nga dritaret si djemtë çapkënë kur vinin mbrëmjes dhe donin tu shmangeshin qortimeve të prindërve. Prania e zogjve të vegjël në sofrat e familjeve ishte gjë tepër e natyrëshme dhe kështu fëmijë e zogj rriteshin bashkë. Fëmijët e Konispolit i njihnin zogjtë jo vetëm nga ngjyra dhe cicërima por edhe nga mënyra e fluturimit, ndërsa zogjtë nuk ndjenin ndonjë rrezik prej tyre, pse i kishin mbrojtës të “deklaruar”. Dihet që fëmijëria është baza e nisjes së poezisë, si pista e nisjes së avionëve për çdo poet, pavarësisht kur nis të shkruash poezi.

Bardhyl Maliqi për këtë poemë pati dhe një “shtysë” tjetër, e cila më së shumti ndikoi te titulli i librit “Perandoria e zogjve” botuar nga TOENA në vitin 2012. Duke qënë nxënës i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja ”Asim Vokshi” në Tiranë, mqse kishte ecuri në përdorimin e gjuhëve të huaja, atë dhe disa shokë e shoqe i mirrnin me helikopter për të pritur delegacionet e huaja në Rinas dhe për ti shoqëruar në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku ata   shikonin çfaqjen e radhës me qëllim që të krijonin një përshtypje pozitive për mikpritjen shtetërore. Pikërisht në këto udhëtime me helikopter e më vonë edhe me avion, atij i dukej vetja si zog, kur vërente tokën poshtë reve nga avioni nuk dukeshin as piramidat, as klonet, as kufijtë mes shteteve dhe atëherë i lindi mendimi se “Perandoria e Zogjve” është më e madhja dhe më e herëshmja në botë, është perandoria e përjetshme e tyre që nuk e  rrëzon asnjë forcë njerëzore. Këtë sqarim për titullin e “Perandorisë së zogjve” për herë të parë autori e ka bërë në Bibliotekën Nacionale të Zagrebit në nëntor 2013 gjatë promovimit të këtij librit, ndërsa më parë kjo poemë (bashkë me poemën “Ankthi i Statujave” dhe esenë “Etika e poetëve në shkolla”) u paraqit në Kongresin e Dytë të UNESKO-s që u zhvillua në Greqi në tetor 2011, ku poemat e tij u nderuan me një çmim letrar dhe letër falënderimi Ministrisë Arsimit, asaj të Kulturës dhe shtëpisë botuese Toena që kishte botuar këtë libër. Arsyeja ishte jo vetëm pse me poemën “Perandorinë e zogjve” ai ishte në aksin kryesor të kongresit që e kishte temën “Vëllazërimi i botëve”, por edhe për vetë nivelin artistik të realizimit të saj.

 

III-Poema “Perandoria e zogjve” vlerësohet si një poemë jo aq për numërin e vargjeve se sa për kuptimin universal të saj dhe për stilin me të cilën është shprehur. Poema ka gjashtë strofa, të shkruara me një intesitet mendimi dhe me një dendësi figurash artistike, që fotografisht të krijojnë imazhin e një “ndërtimi” me gurë të gdhendur me shumëllojshmëri formash dhe që e mbajnë ende ngrohtësinë e gdhëndjes së tyre..

Në strofën e parë, poeti shpreh dëshirën për të folur për zogjtë, duke ju përgjegjur pyetjes së çupës së tij për ‘ta, duke kaluar shpejt te strofa e dytë, ku nëpërmjet metaforës së perandorisë përshkruan ekzistencën e zogjve në “perandorinë e tyre” një botë prej ajri dhe drite pa kufij, pa fron dhe despotizëm hierarkish. Zogjtë janë qënie të lira, engjëj me flatra që fluturojnë drejt horizontesh të ardhme.

Poeti te strofa e tretë shkruan se zogjtë kanë një ekzistencë më të lashtë se njerëzit dhe kjo bën që të jemi “xhelozë” për lartësinë e tyre, për klithmat, vallëzimin dhe harenë e tyre qiellore. Nga kjo xhelozi ne, njerëzit:  thurrim përralla me qilimë fluturues,/me mite dedalësh dhe ikarësh/dhe sigurisht legjenda metamorfozash të vajzave në qyqe”, për të kaluar më pas te strofa e katërt, ku, si për të na shtuar xhelozinë, poeti këngën e zogjve e quan recitale të pafundme, të cilat lënë pas “moxartët e shopenët tanë, poetët antikë,/kur zogjtë shkruajnë me alfabetin e tyre paraarkadian/epin e zogut perandorak të diellit/dhe lirikat korale në pergamena resh puplore”, strofë e shkruar me një nivel artistik që mund ta quajmë “refreni” i poemës.

               Në strofën e pestë poeti “shkruan”biografinë e zogjve , të cilët  gdhendin me sqepat e verdhë/kodikët e tyre paganë// janë besnikë të natyrës, adhurues të lirisë,/dhe bij të diellit,/që më tepër se çdo gjë urrejnë kafazet”, për të kënduar te strofa e gjashtë hymnin shpirtëror të zogjve që: “kanë privilegjin e qenieve të bukura,/./format e larmishme, lakoret fluturuese, zërat dhe ngjyrat,/janë karta e tyre e indetitetit dhe pasaportat/biometrike,/ ndonëse/ s’kanë nevojë për viza dhe dogana,/pasi zogjtë janë zotër të paprajshëm të qiellit,/të perandorisë së tyre mitike”

 

IV-E parë me vëmëndje, vargjet e kësaj poeme shijohen duke i recituar  me ton të ulët dhe ëmbëlsisht, duke vënë në dukje mjetet e shumta dhe cilësore artistike të përdorura në ‘të. Metaforat e përdorura si: "zogjtë kanë perandorinë e tyre,/perandorinë e tyre prej ajri dhe drite", personifikimi "gëzimin që çel në fytyrat tona, tek i shohim truma-truma të përshkojnë hapsirat qiellore", simbolizmi: "atje ku pagëzohet dielli çdo mëngjes, atje ku pagëzohen hënat e reja", antitezat "perandorinë e tyre pa kufij, pa fron dhe despotizëm hirarkish", alliterimi që i jep tingullit muzikalitet:"drejt horizontesh të reja", përshkrimi imagjinar i jetës së zogjve: "thurrin meloditë parake dhe kompozojnë recitale të pafundme", hiperbolizimi:"zogjtë kanë një ekzistencë më të lashtë se ne", paralelizmi:"për klithmat, vallëzimin dhe harenë e tyre qiellore", onomatope:"me cicërimat e tyre/thurrin meloditë parake", anafora: "atje ku pagëzohet dielli çdo mëngjes“ etj, janë jo vetëm një pasuri e kësaj poeme, por në fakt janë mjetet funksionale artistike që flasin për vlerën artistike të saj, të cilat e qasin këtë poemë edhe me poezinë "Auguries of Innocence" të VVilliam Blake, (poet anglez i shekullit të 18-të, i njohur për lirizmin e tij të thellë dhe vizionin mistik). Poezia e tij "Auguries of Innocence" ("Parashikimet e pafajësisë") ka si temë natyrën dhe qeniet e saj të vogla, siç janë zogjtë dhe  shpreh një ndjenjë të ngjashme me poetin Maliqi në lidhje me lirinë e zogjve dhe qenien e tyre të lashtë. Kjo poemë ka qasje dhe me poezinë "Ode to a Nightingale" ("Ode për një bilbil") e poetit anglez John Keats e cila ka si temë zogun e këngës, i cili përshkruhet si një qenie e bukur dhe me forcë frymëzuese. Në të njëjtën mënyrë si poeti Maliqi, edhe Keats thekson lirinë dhe shpirtin e lirë të zogut të këngës, duke e ndjekur atë në një rrugëtim në botën e tij.

Avantazhi i stilit të poetit Bardhyl Maliqi me poetët e sipërcituar është se ky nuk u drejtohet zogjve me deklarime por bashkëbisedon me bijën e tij për zogjtë, duke u bërë  më e pranueshme ndjenjat e tij  që është në fakt ''llaçi“ ngjitës i vargjeve në ''ngrehinën“ e poemës, pse dihet që asnjë baba nuk e „mashtron“ fëmijën e tij në ''moshën e pyetjeve“.

E parë në gjërësinë dhe thellësinë e saj poema ''Perandoria e zogjve“ e poetit Bardhyl Maliqi është një arritje sipërore, jo vetëm e tij personale por e poezisë shqipe të kohëve të fundit, duke qënë një vepër e rekomandueshme për antologjitë e shkollave të mesme dhe të larta, për një hap më tejë të tyre drejt poezisë moderne.

 

 

Sarandë, më 22.04.2023

1 comment:

  1. Burri më la për një grua tjetër pas 12 vitesh martesë, shkoi në një udhëtim pune dhe nuk donte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Po kërkoja ndihmë kur takova Dr. Ellen, një magjistare e fuqishme. Rrethi I shpjegova situatën time dhe doli që burri im ishte magjepsur nga një grua tjetër, kështu që ai harroi shtëpinë e tij, foli Dr.Ellen dhe burri im u lirua nga robëria dhe më vjen mirë që erdhi në shtëpi. pas 3 vitesh ndarje nëse keni nevojë për ndihmë mos ngurroni të kontaktoni Dr Ellen përmes whatsapp: +2349074881619 ose email-it: ellenspellcaster@gmail.com

    ReplyDelete