Saturday 27 May 2023

 

MILINGONAT

 

Nga Timo Mërkuri

Poezia "Milingonat" e poetit Fatmir Terziu është një poezi moderne, krijuar me një strukturë të veçantë, e ngritur mbi një simbolikë të dukëshme, ku qysh në nisje e kupton se bëhet fjalë për emigrantët shqiptarë.

I- Poezia trajton temën e migracionit dhe ndjenjën e paqëndrueshmërisë në jetë, duke përdorur simbolikën e milingonave, imazhe simbolike dhe metafora për të përshkruar situatën e emigrimit. Realisht populli ynë milingonat i cilëson si tepër “puntore” dhe “të forta” për punën që bëjnë krahasuar me fizikun e tyre, ndaj ka lindur shprehja se “milingona është më e fortë se elefanti”. E parë në këtë kontekst, simbolika e milingonave përfaqson brezin e ri shqiptar që masivisht po emigron jashtë vendit për arsye të shumta, por duke lënë pasoja të rënda pasi vendi  po boshatiset nga brezi i ri, duke shkaktuar plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë puntore aktive dhe produktive. E parë në këtë kontekst kjo poezi është një këmbanë alarmi për vendin tone dhe sidomos për qeveritë shqiptare.

Poeti e ka krijuar poezinë mbi një bashkëbisedim,  ku shprehja: "Sikurse ju kam treguar" që përdoret ka një qëllim të veçantë dhe krijon një efekt të caktuar, pasi përdoret për të vendosur një lloj lidhjeje, një marrëdhënie komunikimi mes poetit dhe lexuesit. Me përdorimin e kësaj shprehjeje, poeti shfaq një ndjenjë të afërisë dhe të besueshmërisë ndaj lexuesit, duke e informuar atë se: kjo nuk është hera e parë që ai po tregon diçka të tillë. Ai flet me një ton të sigurt, duke sugjeruar se ka pasur një komunikim paraprak me lexuesin dhe tani po e vazhdon bisedën e mëparëshme, prej nga nënkuptohet se kjo ikje e “milingonave” ka një kohë të gjatë që kryhet.

Kjo shprehje krijon ndjenjën se lexuesi po merr informacion të rëndësishëm dhe ekskluziv. Poeti paraqet veten si një udhërrëfyes që tregon diçka të fshehtë dhe të veçantë për të. Gjithashtu shprehja ("Sikurse ju kam treguar") shërben edhe si një mënyrë e poetit për të rivendosur vëmendjen e lexuesit dhe për të forcuar mesazhin që po përshpërndan.

Përdorimi i kësaj shprehjeje e bën lexuesin të ndjehet pjesë e një tregimi të përbashkët dhe i jep poezisë një dimension më personal dhe intimitet. Efekti i kësaj shprehjeje është të ndjellë një ndjenjë të mëtejshme lidhjeje dhe përfshirjeje emocionale mes poetit dhe lexuesit, dhe mund të themi me plot gojën se poeti ja ka aritur kësaj.

 

 II-Poeti, duke qënë vetë në emigracion, e njeh më së miri rrugën dhe vështirësitë e kaluara nga emigrantët dhe na i paraqet ato poetikisht. “mola po gërryen traun e kalimit të ligjshëm,/dhe murin e padukshëm të dy gardheve  shkruan poeti ku: “mola” simbolizon pengesat dhe vështirësitë që përballin migruesit në rrugën e tyre drejt një jete të re, ndërsa “asimetria kohore” dëshmon mos- konformitetin me rregullat kohore dhe strukturat sociale të vendit ku emigrojnë .

Përmbajtja e poezisë ndërthur një imazh të rrugës së vështirë të “milingonave”. Udha me shkurre në të majtë dhe të djathtë paraqet një rrugë të ndarë dhe të vështirë që ata duhet të ndjekin. Kalimi i veçantë që përmendet: “aty ka një kalim të veçantë,/sa herë që një bajgë ua zë frymën milingonave,/ajo është një dalje e pavullnetshme e një transportuesi të stolisur,/mbathur me patkoj të vrarë nga syri i keq”  dhe bajga që ua zë frymën milingonave, cilëson një mundësi kalimi, por që ka një kosto të madhe monetare ose morale, një rrezik të mundshëm dhe një presion të padëshiruar që ata përballojnë në rrugën e tyre. “Transportuesi i stolisur, mbathur me patkoj të vrarë nga syri i keq”, simbolizon një figurë autoritare (policore apo mafioze) të dhunshme, që ndikon në fatin e ri të tyre. Poeti me një tis ironie për shpresat e bukura që kanë në mëndjen e tyre emigratët, por dhe më një ndjenjë trishtimi për zhgënjimin që provojnë në realitet shkruan:nëpër kokë të mbushura me shije estetike,/duhet vëmendje të stacionuar,/në këtë kalim të mbushur me ndjenja frike”, duke lënë të nëkuptojnë se duke kërkuar parajsën, kaluan nëpër skëterë.

III-Për sa i përket strukturës së poezisë, ajo ka një organizim të rregullt dhe një fluturim të lirë të fjalëve. Vargjet ndonëse strukturisht kanë një ndarje kinse në “strofa” që nisin e mbarojnë aty ku fillon vargu “sikurse ju kam treguar”, realisht qëndrojnë të pa ndara duke treguar një unitet të gjithë poezisë, madje duke përdorur një ritëm dhe një lloj melodieje. Në këtë kuptim vargu "sikurse ju kam treguar" shërben si një refren që rikthehet nëpër vargje, duke i dhënë poezisë një ndjenjë të përsëritjes dhe rëndësisë së mesazhit. Përdorimi i fjalëve dhe imazheve të ngarkuara emocionalisht, si "ndjenja frike" dhe "kënduar", krijon një atmosferë të tensionuar dhe përshkruan ndjenjat e milingonave në mënyrë intense.

Poezia është shkruar në vargje të lira, të cilat nuk ndjekin një skemë të caktuar ose një rregull të veçantë. Vargjet janë të shkruara në formën e prozës poetike, duke mos ndarë rreshtat midis tyre dhe duke e bërë poezinë më fluide me një ritëm të lirë. Nuk do të habitesha nqse Fatmir Terziu do niste të shkruante poezinë në prozë së afërmi, sepse  shenjat e saj po I shohim në poezitë tij të  kohëve të fundit.

 Gjuha e përdorur nga poeti është e thjeshtë dhe e kuptueshme. Fatmir Terziu përdor fjalë të zakonshme dhe të kuptueshme që e bëjnë poezinë të afërt për lexuesin. Fjalet e përdorura në poezinë "Milingonat" janë të zgjedhura me kujdes për të përcjellë emocionet dhe imazhet që dëshiron të transmetojë.

Përmes vargjeve të tij, poeti sjell “stinën e vjeshtës, thellësinë e ftohtë dhe ndikimin që kjo stinë ka në shpirtin e tij, ku përdorimi i fjalëve "vjeshtor", "ftohte të thella" dhe "theqaf" krijon imazhe të ftohta dhe të ndjeshme për lexuesin, ku cilësori “vjeshtë” nuk ka dhe aq shumë të bëjë me stinën e vjeshtës.

Poezia "Milingonat" e Fatmir Terziut përbën një kombinim të mrekullueshëm të vargjeve të thjeshta, gjuhës së kuptueshme dhe fjalëve të kujdesshme. Kjo e bën poezinë prekëse dhe të kuptueshme për të gjithë ata që e lexojnë. Me strukturën e saj të hapur dhe të lirë, poezia krijon një atmosferë të ndjeshme dhe lejon lexuesin të interpretojë dhe të lidhet me të në mënyra të ndryshme.

IV- Kjo poezi e poetit Fatmir Terziu përmban disa elemente ideore të theksuar në mënyrë të veçantë, pse nëpërmjet vargjeve të tij, poeti shpreh temën e emigraci-onit të rinisë, shpresave të humbura, nostalgjinë, vetmisë dhe vjeshtën si simbol të plakjes dhe humbjes, ku:

Poezia shpreh ndjenjën e humbjes së shpresaave të rinisë në një marrëdhënieje të qëndrueshme me vendin e tyre. Poeti përdor imazhin (dukjen, pamjen fotografike) e "milingonave" për të përshkruar ata që marrëdhënien (me atdheun) e kanë “përfunduar” apo ndërprerë, të cilën ai e krahason me një fije të theqafit që shpërndahet dhe zhduket. Ky element ideor i jep poezisë një ndjesi të trishtuar dhe të melankolishme.

Vjeshta është përdorur si simbol i plakjes dhe humbjes: Përmes imazheve të ftohtësisë dhe thellësisë, ai përshkruan një kohë të errët, që simbolizon përfundi-min e një periudhe të jetës dhe hyrjen në një fazë të re.

Poeti flet nëpërmjet figurave artistike. Në vargjet:

"Sikurse ju kam treguar,

mola po gërryen traun e kalimit të ligjshëm,

dhe murin e padukshëm të dy gardheve,

ka udhë milingonash të mbushura deng dhe asimetri kohore."

 

poeti përdor  metaforën  nëpërmjet të cilës përshkruan një situatë ku mola, muret dhe udhët simbolizojnë pengesat dhe sfidat në jetën e emigrimit. Milingonat, të cilat përfaqësojnë të rinjtë duke udhëtuar nëpër këto rrugë të vështira , tregojnë për përballjen me sfida të ndryshme, por dhe për zhvillimin e tyre të pavarur. Metafora "milingonat" dhe imazhet që i shoqërojnë përforcojnë idenë e një ikje masive njerëzish  në një rrugë të vështirë, drejt një të ardhmjeje të re, të cilën

do ta nisin qysh nga fillimi.

Simbolin poeti e përdor për të përfaqësuar një ide, një ndjesi, një koncept apo një gjendje emocionale nëpërmjet një imazhi të veçantë. Në vargjet:

"sa herë që një bajgë ua zë frymën milingonave,

ajo është një dalje e pavullnetshme e një transportuesi të stolisur,

mbathur me patkoj të vrarë nga syri i keq,

plaqurritet,"

“bajga” simbolizon diçka negative, diçka që pengon rrugën e milingonave. Ajo përfaqëson sfidat dhe pengesat jo natyrale, por njerëzore dhe shoqërore që emigranti duhet të përballë në rrugëtimin e tij. Po ashtu, syri i keq dhe plaqurritja simbolizojnë pasojat negative dhe pengesat që individët mund të hasin gjatë këtij rrugëtimi.

Poeti përdor imazhe për të krijuar pamje të dukshme dhe të ndjesueshme në mendjen e lexuesit. Në vargjet:

"sikurse ju kam treguar,

nëpër kokë të mbushura me shije estetike,

duhet vëmendje të stacionuar,

në këtë kalim të mbushur me ndjenja frike,"

 

imazhet e kokave të mbushura me shije estetike dhe kalimi i mbushur me ndjenja frike përshkruajnë një atmosferë të tensionuar dhe të vështirë, duke  ndihmuar të krijohet një pamje emocionale dhe të theksojë ndjenjat e lexuesit në lidhje me rrugëtimin e milingonave.

Në vargjet:

"Sikurse ju kam treguar,

udha ka shkurre në të majtë, ose sipas rastit

në të djathtë,"

 

përdorimi i shprehjes "ose sipas rastit" bën një supozim në lidhje me drejtimin e shkurres në udhën e milingonave. Ky stil krijon një ndjenjë të paqartësie dhe mosdeterminizmi në rrugëtimin e tyre.

Po ashtu në vargjet:

"ajo është një dalje e pavullnetshme e një transportuesi të stolisur,

mbathur me patkoj të vrarë nga syri i keq,"

 

personifikimi i transportuesit të stolisur dhe patkojës së vrarë i jep ndjenjë jetës dhe personalitetit në objekte të padukshme, duke krijuar një ndjenjë të thellë emocionale dhe vizuale për lexuesin.

Mund të përmendim edhe vargjet:

"nëpër kokë të mbushura me shije estetike,

duhet vëmendje të stacionuar,"

ku kontrasti midis kokave të mbushura me shije estetike dhe vëmendjes së stacionuar paraqet një antitezë midis bukurisë estetike dhe kujdesit të thellë që duhet treguar ndaj tyre, por ajo që duam të theksojmë nëpërmjet këtyre citimeve është fakti se poeti përdor një shumësi figurash artistike, ose më mirë të themi se ai krijon një poezi nëpërmjet figurave artistike  me të cilat  thekson dhe shpreh ndjenjat e tij, duke krijuar imazhe të fuqishme që frymëzojnë lexuesin.

Poezia "Milingonat" e Fatmir Terziut është  një poezi moderne, dhe moderniteti i saj mund të vërehet në disa aspekte:

Densiteti i ideve dhe mendimeve të shprehura në pak vargje, ku heqja e secilës prej tyre krijon një “çalim” të poezisë.

Figuracioni buron natyrshëm dhe nuk është pjesë “zbukuruese” e poezisë por pjesë strukturore dhe ideore e vargut.

Poezia përdor një gjuhë të thjeshtë, por me imazhe të forta dhe ndjenjë të ngarkuar emocionalisht.

Ajo shfaq një strukturë jo-tradicionale, duke mos u ndarë në strofa të rregullta dhe të caktuara, siç ndodh në poezinë klasike. Kjo liri strukturore dhe gjuhësore tregon për një qasje të re dhe të lirë ndaj formës tradicionale të poezisë.

Poezia përmban imazhe të fuqishme dhe figurat letrare të shpeshta si metafora, simbole, personifikime etj, që shërbejnë për të paraqitur emocione, mendime dhe ide në një mënyrë të shkëlqyer dhe të veçantë, duke krijuar një imazh artistik dhe japin lirinë e interpretimeve të ndryshme.

V-Me gjithë bukurinë poetike që ka në vargjet e saj, nuk na hiqet nga mëndja  fakti se kjo poezi e trishtueshme  flet (jo vetëm) për të rinjtë shqiptarë të mbetur pa shpresë në atdheun e tyre,  që emigrojnë në kërkim të një jete më të mirë, duke kapërcyer vështirësi të pa imagjinueshme nga ne. Për këtë arsye nqse  do asistoj në recitimin e kësaj poezie në ndonjë tubim poetik, pavarësisht nga admirimi për talentin poetik të autorit, ju siguroj se nuk do ta duartrokisja, sepse duartrokitja do ngjasonte si  një goditje shpulle ndaj atyre të rinjve që emigruan larg atdheut, ndërsa unë do dëshiroja që ti përqafoja të gjithë me radhë dhe tu thoshja se i duam dhe nuk i kemi haruar që janë pjesë e jona, pjesa më vitale e atdheut dhe i presim të kthehen.

 

 

Sarandë, maj 2023

1 comment:

  1. Burri më la për një grua tjetër pas 12 vitesh martesë, shkoi në një udhëtim pune dhe nuk donte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Po kërkoja ndihmë kur takova Dr. Ellen, një magjistare e fuqishme. Rrethi I shpjegova situatën time dhe doli që burri im ishte magjepsur nga një grua tjetër, kështu që ai harroi shtëpinë e tij, foli Dr.Ellen dhe burri im u lirua nga robëria dhe më vjen mirë që erdhi në shtëpi. pas 3 vitesh ndarje nëse keni nevojë për ndihmë mos ngurroni të kontaktoni Dr Ellen përmes whatsapp: +2349074881619 ose email-it: ellenspellcaster@gmail.com

    ReplyDelete