Tuesday 20 June 2023

 

TË KËNDOSH NËN SHI ME LUAN RAMËN

 

Nga Timo Mërkuri

U ndjeva i befasuar nga finesa e poezisë “Të këndosh nën shi” e Luan Ramës, më saktë është hera e dytë që Luan Rama më befason gjer aty sa ta lexoj e rilexoj poezinë e tij dhe të ulem e të shkruaj opinionin tim për krijimin e një autori me të cilin nuk jam takuar kurrë. Shtoi kësaj faktin se as interpretimin e aktores Yllka Mujo “atë natë në teatrin Metropol” nuk e kam parë, por çuditërisht kjo mangësi nuk më pengoi të shijoja vallzimin e vargjeve të poetit. Një detaj shoqërues i poezisë, pikërisht një fotografi shoqëruese e poezisë që tregonte aktoren duke vallzuar nën shi më ngacmoi kujtesën dhe mi bëri të  gjalla vargjet e poetit, duke më kujtuar  imazhin i një valltari që me një finesë vallzonte duke kënduar nën “një shi magjik” me një çadër në dorë. Për këtë ndoshta më ndihmoi fakti se dikur, kur punoja në Helshan të Kukësit te TV Prishtina kisha parë Gene Kelly[1] në filmin"Singin' in the Rain" dhe më kishte mbetur në mëndje ai vallzim me çadër nën një shi melodik. Tani që e rilexoj për herë të tretë poezinë e Luan Ramës jam gati tju dëshmoj se tingulli i vargjeve të tij është melodia e këngës "Singin' in the Rain" dhe nën këtë melodi ose këndohet ose mund të vallzohet dhe vetëm nën një shi të imtë, rrënia e të cilit krijon qysh në ajër një melodi. Thua kjo është magjia e vargut të Luan Ramës apo mos është kujtesa a fantasia ime? Këtë nuk e di mirë, por duke lexuar këtë poezi përjetova një emocion magjie si rrallë herë.

I-Poezia "Të këndosh nën shi" është një përshkrim poetik i një performance teatrale ku aktorja Yllka Mujo është protagonistja. Poeti përdor një krahasim mes performancës së Yllka Mujos dhe atij të Gene Kelly-t në filmin "Singin' in the Rain". Në vargun "nuk ishte Gene Kelly që kërcente me një çadër nën shi, atëherë kjo grua ende s’kishte lindur", autori tregon distancën kohore mes dy aktorëve, por vetë krahasimi me Gene Kelly dhe performanca e tij nën shi simbolizon aftësinë dhe talentin e Yllka Mujos për të shprehur emocionet dhe shkëlqimin artistik në skenën e teatrit. Ky krahasim tregon se aktorja shqiptare ka arritur të krijojë një magji të ngjashme dhe të shkaktojë  emocione të forta tek shikuesi, ashtu siç ka bërë edhe Gene Kelly me performancën e tij të famshme nën shi.

Pikërisht krahasimi me Gene Kelly tregon vlerësimin e autorit për talentin dhe aftësitë e Yllka Mujos si aktore dhe performuese në skenën teatrale, talent  për të cilin besoj jemi dakort të gjithë, dhe unë dëshiroj që te ky  mendim i poetit ka ndikimin e vetë kjo performancë.

Në kontekstin e poezisë "Të këndosh nën shi" të poetit, vargu "si një jeune fille en fleur që Proust kish ëndërruar" përdoret për të përshkruar aktoren Yllka Mujo si një grua e re me një imazh të freskët dhe të pastër, krahasim që e lidh performancën e saj me një imazh të bukurisë dhe rritjes së trishtë, ngjashëm me mënyrën sesi Proust e përshkruan vajzën në romanin e tij. Krahasimi me këtë imazh nga Proust shpërfaq talentin dhe ndikimin e aktores në publik, talent që shkëlqen në lojën e saj dhe mbizotëron skenën dhe vëmëndjen e publikut.

Autori shkruan se gjatë interpretimit të Yllka Mujos ai pëshpëriste të njëjtin këngë si Gene Kelly: "What a glorious feeling, I’m happy again..." ("Ç'ndjenjë e lavdishme, unë jam përsëri i lumtur..."), një këngë  nga filmi "Singin' in the Rain" e  interpretuar nga Gene Kelly, fakt ky që poeti e përdor si një mjet për të shprehur lumturinë dhe kënaqësinë që ai ndjen gjatë shfaqjes së aktorjes Yllka Mujo në teatër, duke kuptuar se interpretimi i aktores e ka kapërcyer fazën e mahnitjes së spektatorit, ajo tashmë e ka bërë aktorin pjestar të lojës së saj. Sinqerisht që e besoj autorin, pasi lojën e Yllka Mujos të gjithë ne e njohim dhe jo rrallë herë e kemi ndjerë veten shpirtërisht jo spektatorë, por aktorë.

Kjo ndjenjë e poetit ka ardhur edhe për vetë faktin se gjatë lojës së saj në të kënduarin  nën një shi magjik, aktorja Yllka Mujo ka “dalur nga vetja” në një çast frymëzimi, ka hyrë në një lloj euforie duke harruar skenën, rolin, emrin dhe fatin e saj. Ajo kërcen vjeshtën e saj të trishtë, me buzë dhe gjinj të lagur nga shiu duke përjetuar një rini shpirtërore.

Pikërisht vargu "një grua me një tors të njomë" në poezinë "e Luan Ramës ka një kuptim vizual dhe emocional. Fjala "grua" nënkupton një femër të rritur dhe të pjekur. "Tors" është pjesa e sipërme e trupit, veçanërisht pjesa e gjoksit dhe barkut. Termi "të njomë" sugjeron që trupi i kësaj gruaje është i lagur, i mprehtë dhe me ujë shiu, përshkrim që tregon se trupi i saj është i ngarkuar me emocione, mërzitje ose trishtim si emocion i lojës, ndërsa shiut i referohet një shi magjik që bie mbi të. Pikërisht ky imazh na shfaq një shpirtërim rinor të personazhit, që aq bukur di ti interpretojë Yllka.

Përmbajtja emocionale e vargut është e fortë dhe tërheqëse, dhe krijon një imazh poetik i një gruaje që është në kontakt me ndjenjat e saj të thella dhe shpreh trishtimin e saj nëpërmjet performancës së saj në skenë, pra me një grua që e njeh shumë mirë veten e saj. Poetikisht ajo shfaqet si një gjethe e lagur që është "dehur" nga një shi hyjnor dhe është transformuar në një person tjetër, në një adoloshente çapkëne, një bijë e vetvetes, në një vajzë tepër të re, siç do të kishte ëndërruar Proust.

II- Poezia është e organizuar me vargje të ndryshme në një rrjedhje lineare, të pandarë me strofa, pa një strukturë të rregullt apo skemë rimash të përcaktuara. Autori përdor një stil poetik të lirë, duke shprehur ndjenjat dhe imazhet në mënyrë intuitive dhe emocionale, madje duhet të themi se pikerisht këtu qëndron sekreti i muzikalitetit dhe finesës së poezisë, ai duket sikur e ka kënduar poezinë para se ta ketë shkruar.

Poezia përdor imazhe të fuqishme për të krijuar një atmosferë vizuale dhe emocionale, përmendet skena teatrale në teatrin "Metropol" dhe imazhe si Gene Kelly që kërcen me një çadër nën shi, shiu magjik, vjeshta e trishtë, gjethe e lagur, dhe vajza e re ("jeune fille en fleur").

Metafora "nuk di në cilin shesh, në cilën natë" tregon ndarjen midis realitetit dhe imazhit të aktorjes, si në një shesh teatri ku mund të ndodhin ngjarje të papritura, të cilat çuditërsiht nuk na shqetësojnë.

Simboli "shi magjik"  paraqitet si një simbol i magjisë dhe emocioneve të fshehura që shkakton performanca e aktorjes ndërsa aluzioni:"si një jeune fille en fleur që Proust kish ëndërruar" - i referohet vajzës së re të freskët, duke shfaqur ndjesinë e pasurisë së brendshme shpirtërore dhe imazhit që shfaq aktorja Yllka Mujo.

Mesazhi kryesor i poezisë është fuqia e artit teatral për të krijuar emocione të thella dhe të përkohshme. Performanca e aktorjes nën shi paraqitet si një moment magjik që i bën shikuesit të ndjehen të lumtur dhe të mahnitur. Poezia shpreh admirimin për talentin dhe aftësinë e aktorëve për të shkaktuar ndjenja të jashtëzakonshme nëpërmjet artit të tyre.

Vargjet në poezinë "Të këndosh nën shi" nuk janë të ndara dhe nuk ndjekin një skemë të rregullt të rimave, madje edhe ritmin nuk e kanë të njejtë. Ky stil poetik i lirë jep autorit lirinë për të shprehur ndjenjat dhe imazhet në mënyrë emocionale dhe intuitive, madje edhe me një varg të vetëm.

Fjalët në poezi janë të mrekullueshme dhe shpesh të ngjashme me objekte natyrore, emocione dhe imazhe vizuale. Përdorimi i fjalëve të tillë krijon një atmosferë të pasur dhe të ndjenjave të thella që i bëjnë lexuesit të lidhet me poezinë.

Gjuha në këtë poezi është e imazheve dhe emocionale, autori përdor fjalë dhe fraza që evokojnë ndjesi dhe vizualizime të ndryshme psh, shprehjet si "shi magjik", "vjeshta e saj gri me rininë e kolme", dhe "gjethe e lagur" krijojnë një imazh poetik dhe shprehin emocionet dhe gjendjen e aktores në mënyrë të thellë.

Gjuha poetike e pasur me figura letrare si metafora, simbole dhe personi-fikime shton dimensionin artistik dhe emocional të poezisë. Për shembull, metafora "kërcen vjeshtën e saj gri me rininë e kolme" përdor vjeshtën si një simbol të moshës së trishtë dhe aktorja shfaqet si një çupkë e re dhe e freskët.

Përdorimi i gjuhës poetike dhe figurave artistike krijon një atmosferë magjike dhe përcjell emocionet dhe imazhet e aktorjes në mënyrë tërheqëse dhe thellësisht të ndjeshme, duke theksuar ndikimin e artit teatral dhe shpreh ndjenjat dhe mahnitjen që ajo sjell tek shikuesi.

Rileximi i kësaj poezie  ju siguroj unë që do tju japë një kënaqësi që rrallë të vjen në jetë dhe mos kini ndroje dhe turp, këndoni dhe ju këngën "Singin' in the Rain" dhe sidomos vargun"What a glorious feeling, I’m happy again..." ("Ç'ndjenjë e lavdishme, unë jam përsëri i lumtur...").

 

Sarandë, më qershor  2023

 

 

 



[1] Gene Kelly është një aktor, koreograf, regjisor dhe këngëtar i njohur amerikan, i lindur më 23 gusht 1912 dhe ndarë nga jeta më 2 shkurt 1996. Ai njihet si një nga figurat më të shquara në historinë e filmit muzikor. Ai revolucionarizoi zhanrin e filmit muzikor duke sjellë një “atletizëm” dhe energji unike në performancat e tij. Sekuencat e tij të famshme të kërcimit, të karakterizuara nga aftësitë e tij atletike, finesa dhe prezencë karizmatike, kanë lënë një ndikim të pashlyeshëm në botën e artit.

Një prej filmave më të famshëm të Kelly është "Singin' in the Rain" (1952), në të cilin ai jo vetëm që luajti rolin kryesor, por gjithashtu ishte bashkë-regjisor dhe koreograf. Ky film shpesh konsiderohet si një nga muzikalet më të mëdha të të gjitha kohërave dhe tregon shkathtësitë e jashtëzakonshme të Kelly si aktor. Performanca e tij e bërë në këngën  "Singin' in the Rain",ku ai këndon dhe kërcen, është bërë moment kult në kinematografi.

1 comment:

  1. Burri më la për një grua tjetër pas 12 vitesh martesë, shkoi në një udhëtim pune dhe nuk donte të kthehej në shtëpi për të qenë me familjen e tij. Po kërkoja ndihmë kur takova Dr. Ellen, një magjistare e fuqishme. Rrethi I shpjegova situatën time dhe doli që burri im ishte magjepsur nga një grua tjetër, kështu që ai harroi shtëpinë e tij, foli Dr.Ellen dhe burri im u lirua nga robëria dhe më vjen mirë që erdhi në shtëpi. pas 3 vitesh ndarje nëse keni nevojë për ndihmë mos ngurroni të kontaktoni Dr Ellen përmes whatsapp: +2349074881619 ose email-it: ellenspellcaster@gmail.com

    ReplyDelete