Monday 25 March 2024

 

Timo Mërkuri

 

MBJELLËSI I STUHIVE

Poezia "Drita e Fjalës" e Odise Kote shpreh një vështrim poetik mbi natyrën dhe fuqinë e fjalës poetike, shprehur nëpërmjet simboleve, metaforave dhe imazheve e ndërveprimin mes tyre  psh.,  fjalën (poetike) qysh në nisje e krahason si “drita e ndezur në farin anës detit” krahasim që në këtë rast shihet si një lloj metafore për arsye se:

I- Metafora e dritës (së fjalës në det) simbolizon frymëzimin dhe shpresën që poezia sjell në jetën e lexuesve, buruar nga shpirti i poetit. Krahasimi me  dritën e farit të ndezur anës detit, i cli shfaq një ndriçim të qartë, të dallueshëm në distancë pavarësisht errësirës së natës apo mjegullës, që paralajmëron detarët për rrezikun e përplasjes së anijes në brigje, duke u shpëtuar kështu jetën marinarëve dhe vetë anijen është më shumë se një krahasim. Veç sa më sipër,në kontekstin metaforik drita e farit në breg të detit interpretohet edhe si një element i përhershëm ndriçimi,  (faret rinë ndezur çdo natë) dhe duke e krahasuar poezinë me këtë dritë , poeti sugjeron se poezia e tij do të mbetet e përhershme, e rëndësishme, e nevojëshmë dhe e kërkueshme (si drita e fareve nga detarët) duke qenë një burim jo vetëm shpëtimi por edhe ndriçimi.

Për këto arsye krahasimi në këtë varg me farin është më shumë se një krahasim i thjeshtë . Kote përdor një imazh të fuqishëm për të shprehurr ndikimin dhe rëndësinë e poezisë në përjetësinë e saj, duke e bërë këtë varg një metaforë të fuqishme për fuqinë e poezisë, e cila ndizet në errësirë dhe nuk shuhet dot. Pra, poezia "Drita e Fjalës" ka një thelb të pasur që shpreh fuqinë e fjalës poetike për të ndikuar në jetën e lexuesit nëpërmjet shprehjeve të forta artistike. Në këtë analizë, le të përqendrohemi në disa prej elementeve kyçe të poezisë dhe në kuptimin e tyre.

Fraza:"E gjuajtur me gurë, "Tradhëtuar, keqkuptuar " shpreh vështirësitë që has fjala poetike, si është goditur dhe përballuar me sfida, që mund të përfaqësojë kritikën e pa merituar, apo kufizimet e soc.-realizmit etj, por që gjithsesi ajo është " mike marinarësh" duke nënkuptuar me këtë varg njerëzit që kanë njohur botën (fizikisht apo kultutalisht). Vargu :"Peng i të vdekurit" sugjeron se poezia është një peng i të kaluarës,I njerëzve që ëndërruan për atë por nuk arritën ta shikojnë, e ta shijojnë ndonëse e dëshiruan shumë atë, apo vizionin e saj. Këto vargjeve paraqesin imazhin e fuqishëm të një poezie që përjeton sfida, keqkuptime, por që gjithashtu gjen forcë dhe mbështetje në misionin e saj.

II-Të kuptojmë, në këtë shkrim nuk dua të jap kuptimshmërinë e vargjeve poetike, port ë analizoj mënyrën e shprehjes së tyre nëpërmjet simboleve, metaforave dhe imazheve që krijohen nga bashkëveprimi i tyre. Në këtë poezi, fjalët (poetike) janë personifikuar me një dritë që ndizet në errësirë, personifikim që sugjeron fuqinë e fjalës për të bërë gjëra të mëdha edhe në momentet më të errëta dhe të vështira të jetës. Ajo paraqet ngjarjet e jetës si "ngjarje të trazuara dallgësh", ku përdorimi i kësaj fraze përfaqson ngjarje të ndërlikuara e të pakëndshme, duke i krahasuar ato metaforikisht me dallgë të trazuara, duke i dhënë në këtë mënyrë një ngarkesë të fuqishme emocionale vargut, duke shprehur ndjenjat e shqetësimit, turbullimit, dhe përplasjeve të stuhishme  që mund të shoqërojnë këto ngjarje. Përdorimi i dallgëve si një metaforë për të pasqyruar ngjarjet është s e zakonshme në poezi dhe i jep ngjyrë tekstit, por këtu, dallgët përfaqësojnë një lëvizje dhe intensitet emocional që karakterizon “ngjarjet”, duke i bërë ato të perceptohen si të trazuara, të forta, goditëse apo të vështira për t'u përballur me to.

III- Le të analizojmë imazhin e fuqishëm që shprehin vargjet "Le t'ia heqin kambanës gjuhën, t'i presin krahët fjalës/atje ku ka frymë, ka edhe një shpresë", që të para në objektivin tonë shprehen: Frazat "Le t'ia heqin kambanës gjuhën, t'i presin krahët fjalës" përmbajnë disa figura artistike që i japin fuqi poezisë ku,përdorimi i kambanës si simbol për gjuhën e poezisë përfaqëson një metaforë, ku gjuhëza paraqitet si një mjet që shpreh veten, ndjesitë dhe mendimet. Heqja e gjuhëzës nga kambana shpreh një ndjenjë të cenzurës apo të mbytjes së shprehjes së lirë. Përdorimi i termit “fjalë”për  të shprehur krahët, personifikon fjalën, duke e bërë atë të duket si një krijesë e gjallë që ka krahë dhe mundësi për të fluturuar. Të gjitha këto në ndërveprim shprehen me imazh si psh.: Paraqitja e  prerjes së krahëve të fjalës është një imazh poetik që përforcon idenë e cenzurës apo të kufizimit të shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave, duke e paraqitur atë si një proces të dhimbshëm dhe të zymtë, duke përforcuar ndjenjën e izolimit dhe të shpërfilljes së poetit, si dhe fuqinë e poezisë për të kundërshtuar dhe për të shprehur veten nën kushte të vështira.

Vargu:"Le t'ia heqin kambanës gjuhën, t'i presin krahët fjalës" shfaqet si një paralelizëm i akteve te ndërmara ndaj fjalës poetike (Plemiumi i IV psh) të ngjashëm me heqjen e gjuhëzës këmbanës. Këmbana, një simbol tradicional i komunikimit dhe thirrjes, “flet” nëpërmjet gjuhëzëz, një pjesë metalike që varet në mes të saj, si gjuha në mes të gojës dhe prodhon tingujt të ndryshëm nëpërmjet forcës dhe mënyrës së goditjes së kësaj gjuhëze në faqet e saj, të cilës duke i prerë (hequr) këtë gjuhëz e privon atë nga aftësia e saj për të folur apo për të shprehur veten. Po kështu, prerja e krahëve të fjalës është një imazh i fuqishëm që tregon se si poezia mund të ndikohet dhe të cënohet nga veprimet e jashtme, duke e bërë atë të ndihet jashtë funksioni te saj, si zogjtë kur u priten krahët.

Megjithatë poeti shpreh se:"Atje ku ka frymë, ka edhe një shpresë" duke na paraqitur një mesazh optimist dhe frymëzues. Ai thekson se edhe në momentet më të errëta dhe të vështira të jetës, shpresa për fjalën nuk humbet. Fryma, si simbol i jetës dhe energjisë, përfaqëson jetën, por edhe mundësinë e ringjalljes, edhe në mes të errësirës së ndërgjegjes. Kjo shprehje kujton lexuesin për forcën e brendshme që gjithmonë ekziston, edhe në situata të pamundura. Pikërisht këto vargje, duke sjellu një kontrast midis vështirësive dhe shpresës, paraqitur një pamje të plotë të forcës së fjalës poetike.Dritën nuk e shuan dot,/sirena lamtumire,/barkat e mbytura,/as forma e zbrazur e bregut/lindje – vdekje”, këto vargje të shprehura me simbole dhe metafora japin imazhin që dëshiron poeti për idenë që ai mbart. Psh te vargu: "Dritën nuk e shuan dot": Drita është simbol i kuptimit, shpresës dhe ndriçimit, por ky përdorim i "dritës" është metaforik dhe përfaqëson shpresën dhe një qëndrueshmëri thelbësore në mes të errësirës dhe vështirësive., ndërsa ndriçimi i një drite të ndezur (imazh) që reziston ndaj shuarjes përforcon idenë e qëndrueshmërisë dhe forcës së shpresës. Ose le ta shohim te fraza: "Sirena lamtumire", ku sirena përdoret si një simbol i thirrjes për të ndarës, por përdorimi i sirenës si një entitet mistik që thirret për të komunikuar një ndarje është metaforik, dhe në tërësi shfaq imazhin e një sirene anieje që largohet (nga porti) duke përforcuar ndjenjën e largimit dhe ndarjes.

IV- Vargjet "Kur askund të mos më shohin, e të mos jem, poezia ime do të jetë!, fe ekzistence" shprehin jo vetëm ndjenjat e poetit por dhe besimin e tij te fjala poetike. Nuk e di pse më kujton vargun e Pushkinit “Një monument i ngrita vetes”, por le të flasim me gjuhën e analizës: "Kur askund të mos më shohin, e të mos jem" ky varg është i njejtë me shumë poetë psh. Agolli “Kur të mos jem”, madje dhe ideja e vargut tjetër vijues (në mes të librave kërkomë shkruan Agolli) veçse Kote e shpreh n ë një kuptimshmëri më të gjerë, e cila e ndryshon tërësisht vargun nga poetët e tjerë, të cituar ose jo.

"Poezia ime do të jetë!, fe ekzistence" shkruan poeti duke e shprehur fuqinë e poezisë për të ekzistuar jashtë kohës dhe hapësirës fizike. Kjo flet për një transcendencë të poezisë mbi jetën dhe vdekjen, duke e bërë atë një formë të shprehjes së përjetshme.

Përkufizimi i fjalës "fe" në kontekstin e analizuar është më tepër i bazuar në kontekstin e poezisë të Kote dhe nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me shprehjen e Shën Gjonit në Bibël, "E para ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndia". Megjithatë, mund të shohim një lloj korespondence shpirtërore mes këtyre dy koncepteve, sidomos në kontekstin e simbolikës së tyre të ndjekur nga autorët respektivë.Në poezinë e Odise Kotës, "fe" paraqitet si një koncept që e tejkalon realitetin materiale dhe që është i lidhur me ekzistencën e pashmangshme, ashtu siç është sugjeruar në vargun "poezia ime do të jetë!, fe ekzistence". Kjo frazë paraqet poezinë si një fenomen që ekziston në një nivel më të lartë dhe që ka një qëllim të thellë, e cila kundërshton idenë e thjeshtësisë materiale. Në Shkrimin Shenjtë, në këtë pasazh nga fillimi i Ungjillit të Shenjtë sipas Shën Gjonit, "Fjala" është përdorur për të paraqitur Hyjin, si një koncept i përparuar, para materies dhe që është burimi dhe kuptimi i gjithçkaje. Kështu, në këtë kontekst, "Fjala" paraqet Hyjin, si fillimi dhe fundi i gjithçkaje.

Edhe pse ndërlidhja e drejtpërdrejtë midis këtyre dy koncepteve është e vështirë për tu bërë, ato kanë një element të përbashkët në qëndrueshmërinë e tyre simbolike. Të dy shprehjet paraqesin një koncept që tejkalon realitetin material dhe që ka një rëndësi thelbësore në kuptimin e ekzistencës dhe qenies. Në këtë drejtim, mund të shihen si shprehje të përpikta të një mendësie që shikon përtej realitetit fizik dhe që përqendrohet në dimensionet e thella të jetës dhe ekzistencës.

V- Vargu "Dritë e ndezur, mënyrë se si mban në heshtje atë shkëlqim ..." nga poezia e mesiperme është i pasur me imazhe dhe metafora që përforcojnë thelbin dhe fuqinë e poezisë, ku:"Dritë e ndezur"është një fillim shumë i fuqishëm, pasi drita është shpesh një simbol i kuptimit, shpresës dhe udhëzimit. Imagjinoni marinarët që lundrojnë në një det me furturë dhe befas shohin së largu dritën e farit, ata shohin tokë, shpëtim, shpresë për  ushqim e jetë. Në kontekstin e poezisë, "dritë e ndezur" shfaq një ndjenjë të fuqishme të dijes, kulturës, dashurisë për artin dhe letërsinë, pavarësisht furtunave ku jetojnë. Më kujtohet Çurçilli në një mbledhje të kabinetit kur ministri i luftës kërkoi që fondet e caktuara për arsimin dhe kulturën ti kalohen ministrisë së tij për ti përdorur në zbarkimin në Normandi, ai duke kundërshtuar tha me zë të lartë: në qoftë se këtë luftë nuk e bëjmë për arsim dhe kulturën tonë kombëtare, për çfarë dreqin tjetër e bëjmë, kush ma thotë?

Fraza:"Mënyrë se si mban në heshtje atë shkëlqim" është shpirtërore e poetit, pasi shfaq atë aftësi të fshehtë dhe të thellë të poezisë për të ruajtur dhe për të përforcuar kuptimin dhe shkëlqimin e saj në heshtje, ku heshtja në këtë kontekst interpretohet si një qetësi, ndjenjë e brendshme që përforcon fuqinë e poezisë për të transmetuar një mesazh të fuqishëm. Ndriçimi në heshtje mund të simbolizojë një lloj të vërteteje apo dijeje që shfaqet në mënyrë të heshtur.

Vargu poetik "që paralajmëron se kam mbjellë stuhitë" është një shprehje e fuqishme dhe simbolike që përforcon rolin dhe personin e poetit në poezinë e Odise Kotes. Ky varg është një kulm i shfaqjes së dëshirës së poetit që përforcon forcën dhe idenë e tij në fjalën poetike, analiza e  të cilit paraqitet si vijon:

Fraza:"Që paralajmëron":është i rëndësishëm, sepse shpalos një synim të poetit për një gjëndje apo rezultat të fuqishëm që do shkaktohet nga poezia e tij, për forcën e të cilës ai është shumë i ndërgjegjshëm.. Kjo fjalë paraqet një formë të aftësisë së autorit për të parë përtej kohës aktuale dhe për të parashikuar ose paralajmëruar për të ardhmen.

Ndërsa fraza:"Se kam mbjellë stuhitë" përforcon idenë e forcës së vargut të tij poetik dhe efektet që ai do sjellë në një të ardhme të afërt. Poeti përdor  fjalën "mbjellë" e cila shpreh procesin e krijimit dhe investimin e pasionit dhe energjisë së tij në krijimin e poezisë me një objektiv tutje fjalës. "Stuhitë" janë një metaforë e forcës dhe ndikimit të fuqishëm, të cilat janë të lidhura ngushtë me forcën që ka poezia, duke qënë larg kontekstit real e fizik që cilësohet, duke përforcuar rolin e poetit si një “Zot”, krijues i stuhive, një lloj paralajmërimi apo njoftimi për fuqinë dhe ndikimin e poezisë. Poeti paraqitet si një vizionar që mund të parashikojë dhe krijojë realitete të reja përmes fjalëve dhe imazheve të tij. Ky varg shfaq shpirtin dhe misionin e poetit për të shkaktuar ndryshime dhe për të përforcuar kuptimin dhe ndjenjat e lexuesve përmes krijimeve të tij poetike. Ky është synimi më i plotë i fjalës së poetit, e thënë poetikisht nga Odise Kote.

VI- Stili poetik i përdorur në poezinë "Drita e Fjalës" të Odise Kotes, është një shembull i qartë i krijimit të artit modern poetik. Kjo poezi përdor një varg teknikash të ndryshme për të krijuar një përvojë të thellë estetike dhe emocionale për lexuesin. Disa nga këto teknika përfshijnë simbole, metafora, personifikime, dhe ndërveprime që sjellin imazhe të ngjarjeve, emocioneve, dhe mendimeve më shumë se sa do të mund të bënte një paraqitje e drejtpërdrejtë e tyre. Në këtë kontekst, simbolet janë elemente thelbësore të poezisë së tij psh., drita e fjalës përfaqëson fuqinë dhe ndikimin e fjalës dhe poezisë në përgjithësi. Kjo dritë simbolizon shpresën, frymëzimin, shpirtin e poetit dhe vlerën që fjalët kanë në jetën tonë. Metaforat dhe personifikimet, të tilla si "sirena lamtumire" dhe "barkat e mbytura", e pasurojnë kuptimin e poezisë duke i dhënë jetë objekteve dhe dukurive abstrakte. Një ndërveprim i tillë i elementeve stilistike krijon një përvojë të thellë poetike dhe lejon lexuesin të zgjerojë gamën e interpretimeve nëpërmjet imazheve dhe ndjenjave që shprehen. Kjo poezi është një përfaqësim i fuqishëm i krijimit të artit modern poetik, ku shprehja estetike dhe emocionale lind nga kombinimi i teknikave të ndryshme letrare dhe shprehive artistike.

Në poezinë moderne, ky lloj krijimi poetik ka një vlerë të jashtëzakonshme. Ai lejon shprehjen e ideve dhe emocioneve në një mënyrë unike dhe të sofistikuar, duke e bërë poezinë të jetë më shumë se thjesht një kombinim i fjalëve, por një eksperiencë e thellë e reflektimit dhe kuptimit të botës dhe vetvetes. Kjo shkëlqen në  epokën tonë kur shprehja poetike është shumë e vlerësuar për aftësinë e saj për të shfaqur kompleksitetin e njerëzimit dhe për të frymëzuar reflektim dhe ndërgjegjësim.

Gjithashtu, theksojmë se ky stil ofron një liri të madhe për shprehjen e emocioneve, mendimeve, dhe përvojave nëpërmjet teknikave letrare të ndryshme. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj lirie stilistike është aftësia për të shkruar në një mënyrë që është më abstrakte dhe subjektive. Poezia moderne shpesh përdor simbole dhe metafora të pasura për të shfaqur përvojat njerëzore në mënyra të hapura për interpretime të ndryshme. Kjo lë lirë lexuesin të gjejë kuptime të ndryshme në poezi, duke e bërë atë një përvojë të fuqishme dhe personale.

Në kontekstin e poezisë moderne, krijimi i artit poetik përveçse përpiqet të japë një pamje të botës së jashtme, fokusohet më tepër në shfaqjen e botës së brendshme, emocioneve, konflikteve dhe gjendjeve të ndryshme psikologjike. Kjo krijon një lidhje të ngushtë mes poezisë dhe lexuesit, pasi lexuesit mund të ndjehen të identifikuar me përvojat dhe ndjenjat që shprehen në poezi, ndoshta me një fjalë, me një figurë apo me një kuptimshmëri.

Pra, në poezinë moderne, si poezia “Drita e Fjalës” e Odise Kotes përdorimi i simboleve, metaforave, personifikimeve dhe ndërveprimeve të ndryshme është thelbësor për të shprehur mendime, emocione dhe përvoja në një mënyrë që tejkalon thjeshtinë e fjalëve të drejtpërdrejta. Kjo është e rëndësishme për shkak të shkallës së gjerë të kompleksitetit të shoqërisë dhe jetës moderne, si dhe përvojave të thella dhe të ndryshme që njerëzit përjetojnë.

 

Sarandë, më mars 2024

 

 

Odise Kote

Drita e fjalës ...

 

Kur askund të mos më shohin,

të mos jem,

poezia ime do të jetë,

ajo drita e ndezur në farin anës detit.

E gjuajtur me gurë,

tradhëtuar, keqkuptuar,

ama mike marinarësh,

peng i të vdekurit.

 

Udhëtarët që erdhën kësaj ane të botës,

të gjithë të rinj,

ngjarje të trazuara dallgësh,

baticë - zbaticë

shënjuan në kujtesë.

 

Le t'ia heqin kambanës gjuhën,

t'i presin krahët fjalës,

 

Atje ku ka frymë,

ka edhe një shpresë.

 

Dritën nuk e shuan dot,

sirena lamtumire,

barkat e mbytura,

as forma e zbrazur e bregut

lindje - vdekje.

 

Fillestare në agim,

zhgënjyer në perëndim.

Thelb historie,

ku mbin fara e një tjetre ...

 

Kur askund të mos më shohin,

e të mos jem,,

poezia ime do të jetë!,

fe ekzistence.

 

Dritë e ndezur, mënyrë se si

mban në heshtje

atë shkëlqim ...

 

që paralajmëron se kam mbjellë stuhitë ...

No comments:

Post a Comment