Tuesday 26 March 2024

 

Timo Mërkuri

TË KËNDOSH POEZITË E AJET DUKËS

 

Nuk qe e papritur për mua dhurimi nga  Mjeshtri i Madh Ajet Duka i librit të tij me poezi “Labëri gjerdan me këngë”. Për ju që nuk e njihni unë po ju them se Ajeti është  një ndër krijuesit e grupit polifonik me iso “Kaonët” që njihet si Grupi i Delvinës por që është pjestar i festivaleve folklorike në Berat, Gjirokastër, Vlorë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut dhe në Francë ku sigurisht është fitues i disa çmimeve prestigjioze, duke arritur kuotën më të lartë në 24.11.2020 kur atij, si drejtues dhe grupit “Kaonët” ju akordua titulli “Mjeshtër i Madh”, dekoratë që ju dha në Vlorë në 100 vjetorimn e Luftës së Vlorës dhe 15 vjetorin e çertifikimit nga UNESCO të këngës sonë polifonike me iso (Iso-Polifonike) si Kryevepër shpirtërore e njerëzimit. Ata që duan ta njohin më mirë Ajet Dukën unë i ftoj të dëgjojnë këngët e grupit të tij dhe ju siguroj që do mrekulloheni njësoj si unë.

Sigurisht që Ajet Dukën e njihja si këngëtar brilant, madje isha i pranishëm dhe e duartrokita fuqishëm dekorimin e tij dhe të grupit, por nuk e dija që shkruante poezi. Megjithëatë, pavarësisht se nuk e dija që shkruante poezi nuk u habita kur më dhuroi librin e tij poetik sepse gjatë eksplorimeve të mia në thellësi të këngës iso-polifonike jam njohur me dukurinë që këngët e suksesëshme të interpretuara, kanë autorë krryesisht antarët e talentuar të grupit. Kështu ishte Neço Muko, kështu ishte Lefter Çipa, i tillë është sot Kristo Çipa ( i përmend sa për ilustrim dhe jo se janë të vetmit) dhe nuk ka arsye pse të mos jetë dhe Ajet Duka, madje unë do thoshja që jo vetëm ska arsye pse të mos jetë Ajet Duka, por detyrimisht duhet të jetë Ajet Duka autor tekstesh kënge të këtij grupi, sigurisht kur grupi do këndojë krijime të reja dhe jo ato të “vjetrat”, siç i quajmë të njohurat. Kjo nuk është rastësi, përkundrazi unë do të thoshja se është deri diku një ligjësi që kushtëzohet nga vetë natyra e këngës iso-polifonike.

Kënga iso-polifonike është një organizëm i gjallë dhe jo një instrument. Që të këndojë grupi në vijë melodike duhet që jo vetëm zërat të jenë të akorduar por edhe timbri i brendshëm i këtyre zërave të jetë në një “tel”, shprehje që do të thotë të jetë i njëshëm, deri aty sa dhe frymarja e këngëtarëve të mos jetë e ndryshueshme as si tonalitet dhe as si kohë. Ne si dëgjues të zakonshëm të një kënge nuk jemi në gjëndje të dallojmë stonimin në një fraksion sekonde të një zëri kënge apo të një këngëtari, por ata , këngëtarët, e ndjejnë këtë stonim, më shumë se sa e dëgjojnë. Po ju jap një shëmbull, dikur bashkë me dy këngëtarë të një grupi po dëgjonim këngën “Janinës çi panë sytë” të interpretuar nga një grup studentësh apo këngëtarësh skocezë dhe unë u habita kur njeri prej miqve të mi, në mes të këngës lëshoi një psherrëtimë me  fjalën “mos”. Çpate e pyeta unë i habitur? Nuk e pe, e shkeli ai- tha për një antar të grupit, në s’gabohem për kthyesin. Lere tani, skëndohet fare kështu vazhdoi miku im këngëtar. Sigurisht që unë nuk e kisha ndjerë, por miku im s’donte më të dëgjonte. Kjo ndodh pse këngëtarët e iso-polifonisë  nuk e këndojnë këngën në kontekstin e interpretimit (si diçka të mësuar në shkollë psh), ata e përjetojnë këngën.

Teksti i këngës polifonike me iso ka disa ligjësi që nuk mësohen në tekstin e fonetikës së gjuhës shqipe. Së pari zanoret nëpër fjalë mbajnë ekulibrin e fjalës, të frazës (vargut), por më së shumti mbajnë ekulibrin melodik me funksionin e tyre. Psh, gërma “e” ka si veçanti zgjatjen e saj, ndaj përdoret në fund të vargut poetik, aty ku nis iso: “Hyri prilli shkriu bora/ ma o majaveee”. Jo vetëm kaqë, por duke qënë “iso”, ajo “miraton” tekstin dhe melodinë e këngës, pse nqse ajo nuk vijon si melodi, kënga nuk funksionon. Këtë funksion në disa raste e merr dhe gërma “a” dhe “o”, por nuk jep një nivel melodic të kënaqshëm në iso, prandaj preferohet të mos përdoren këto zanore. Shikoni zanoren “u”, ajo sjell në melodi uturimë, dhimbje për vetë faktin se ajo është rritur në pjesën e dhimbëshme të jetës sonë në morte, vaje e logatje. “U e zeza, u” nis një logatje, sigurisht me origjinë dhimbjeje. Dëgjoni Zeqo Hoxhën si e fillon logatjen e tij të famëshme, me një “u uuu” që dëgjohet si një klithmë dhimbjeje shpirti, që ndonëse e zbutur nuk e ka humbur origjinën. Dëgjoni Roland Çenkon apo Erimioni Mërkurin, është kjo “u” që del nga shpirti dhe të tërheq në thellësi të dhimbjes si një gur i varur në qafën e atij që do të mbytet. Këto janë veçanësi që i ndjejnë dhe kuptojnë vetëm mjeshtrat e këngës polifonike me iso, mjeshtrat si Ajet Duka. Ka patur raste që poetë të ndryshëm kanë krijuar tekste me pretendimin që një grup tjua shndrojë në këngë. Pjestarët e grupit e kanë marrë tekstin me kënaqsi, por kanë konstatuar mungesën e këtij ekulibri të zanoreve ose bashkpunimin fin të zanoreve me bashkëtingëlloret (gjuha shqipe i ka të forta bashkëtingëlloret  dhe shpesh prishin ekuilibrin melodik të këngës, ndaj duhen shmangur nga teksti me gjithë fjalën e tyre), prandaj nuk e kanë  bërë pjesë të repertorit të tyre. Këtu poetit ska pse ti ngelet hatri, kënga ka ligjet e saj ashtu si poezia. Kjo më shumë se dituri shkollore është ndjenjë artisti kënge, ndjenjë e artistëve si Ajet Duka, prandaj qysh në krye thashë se nuk u habita kur më dhuroi librin e tij poetik.

Futja në repertorin e këngëve të teksteve poetike të njerëzve, artistë të talentuar si Ajet Duka është një shërbim i madh për këngën tonë polifonike me iso pasi i jep një fytyrë të re kësaj kënge, bashkëkohësinë, fresiknë, aktualitetin dhe më shumë edhe elegancën dhe shprehjen fine të vargut. Ju ftoj ta lexoni librin “Labëri gjerdan me këngë” të Ajet Dukës pse aty do gjeni më të bukurën e vendit tonë (jo vetëm të Labërisë), më të fresktën, aty do ndjeni krenarinë e të qenit shqiptar por dhe shenjtërinë e të qënit djalë apo vajzë i/e dashuruar, aty do gjeni tronditjen e tranzicionit të stërgjatur, dhimbjen e kurbetit, aty do gjeni shpirtin e Shqipërisë. Dhe asjo që ka më shumë rëndësi është se këto vargje janë plot me melodi, si hojet me mjaltë. Nqse jinni banorë të trevave iso-polifonike ju siguroj unë që nuk do ti lexoni poezitë, ju menjëherë do ti këngëzoni në variantin lab të këngës polifonike me iso, sepse jam i bindur që dhe Ajet Duka, para se ti shkruante, i ka kënduar më vete. Ashtu siç i këndova dhe unë gjatë leximit.

 

Sarandë, më  26.03.2024

No comments:

Post a Comment