POEZIA QË DIGJET PA ZHURMË
Nga Timo Mërkuri
Poezia “Ky lloj
plehu që digjet gjithë natën…” e Odise Kotes është një shprehje e thellë dhe e
guximshme e ndjeshmërisë moderne, ku përmes një toni reflektiv e ironik, poeti
zhbiron kontrastet e përditshmërisë njerëzore mes idealizmit dhe pragmatizmit,
mes shpirtit dhe mekanizmit shoqëror. Titulli i saj provokues dhe goditës,
përgatit lexuesin për një udhëtim nëpër rrëmujën shpirtërore dhe krizën identitare,
ku ndjesia e djegies së heshtur shndrohet në art si minerali që shkrihet e
derdhet në një formë skulpturore në fonderi. Poezia shpalos panoramën ku njeriu
modern dyzohet (çuditërisht) ndërmjet Don Kishotit dhe Sanço Panços, ndërmjet
ëndrrës dhe përllogaritjes, ndërsa vetëdija në një realitet të deformuar kërkon
e gjen shpëtim te shpikja e artit. Në këtë mënyrë, Odise Kote i jep zë një
fryme të përbashkët të poezisë bashkëkohore: kërkimin e kuptimit në kaos.
Interesimi për
poezinë nis qysh nga titulli i saj “Ky lloj plehu që digjet gjithë natën…” i
cili është një metaforë shumëkuptimëshe. Njëri nga kuptimet semantike të fjalës “pleh” lidhet me diçka të pavlerë,
mbeturinë, të ndotur dhe kurrësesi s’të shkon ndërmend se pikërisht kjo do të
japë një vlerë poetike, aq më tepër kur lexon se ai digjet gjatë natës, në
heshtje, gjë që të kujton kohën e djegies së mbeturinave urbane. Ka dhe kuptime
të tjera semantike si pleh organik që i shërben luleve, pemëve, bimëve të
rriten shpejt e shëndetshëm. Mirëpo në kuptimin artistik te kjo poezzi, “plehu” është simboli i vuajtjeve, i
dyzimit shpirtëror, krizës ekzistenciale që përjeton njeriu modern. Ai digjet “gjithë natën”, pra larg syve të botës, në vetmi, duke shënuar
përplasjen ndërmjet njeriut dhe vetvetes, pse çdo natë bëjmë shqyrtimin e ndërgjegjes
sonë, bëjmë bilancin e ditës dhe në mengjes, me një vision të rie të frymëzuar
“shpikim artin”. Ky process i
ndërlikuar e galvanizues është proces jo vetëm i shqyrtimit të ndërgjegjes por
dhe i krijimit të produktit artistik.
I-Në një depërtim
poetik ndjejmë se lidhja artistike e titullit “Ky lloj plehu që digjet gjithë
natën…” me poezinë është thelbësore dhe e shumëfishtë për arsye se:
a.“Plehu” në titull përfaqëson ngarkesën e
brendshme ndjesore, mendore e shpirtërore që individi bart gjatë ditës dhe e
djeg natën, në vetmi, pa spektatorë. Kështu “plehu”
shndrohet në simbol të përbrendshëm i përçarjes dhe dhimbjes njerëzore. Në
poezi kjo përfaqësohet nga përplasja ndërmjet idealizmit të Don Kishotit dhe
realizmit pragmantist të Sanço Panços, dy gjendje përballë një realiteti aspak
miqësor e plot kontrase e kontradita thelbësore që njeriu modern i përjeton
përditë. Sigurisht që ky “pleh” që
digjet natën nuk është i jashtëm, por i “brendshëm”, çka nënkupton se përmes përvojave,
mashtrimeve, kalimit të koës etj njeriu digjet ngadalë nga brenda. Ky process
djegie paraqitet në poezi me vargjet: “Na
e kanë vjedhur prej kohësh pyetjen – shpagimin” ose “po na grabisin, zërin dhe
kujtesën”.
b. Poezia
rikthehet në mënyrë ciklike te vargu: “Në
mëngjes na duhet doemos, diçka e re, e freskët… Shpikim Artin”. Amin!
Realisht agimi i një dite të re kërkon gjithmonë diçka të re në jetën e njeriut
që të ndjehet ecja në kohë. Lidhur me titullin duhet kuptuar në aspektin që;
arti lind si produkt i asaj që digjet gjatë natës, i “plehut” të shpirtit që “digjet”
përbrenda dhe që vetëm në mëngjes mund të sjellë lulëzimin e një krijimi të ri.
E parë në këtë aspket themi se titulli nuk është thjesht hyrje në poezi, ai
është një çelës simbolik për të lexuar poezinë, pse në thelb ai shpreh krizën e
njeriut të kohës sonë, konsumimin e tij të brendshëm dhe nevojën për art si
formë mbijetese.
II- Poezia “Ky
lloj plehu që digjet gjithë natën...” e Odise Kotes është një reflektim modern
dhe i dhimbshëm mbi ndarjen e brendshme të njeriut mes idealit, ëndrrës e
realitetit, shpirtit dhe mekanizmit. Përmes figurave emblemë, metaforave
ngarkuar me tension jetësor dhe një strukture thellësisht të mirëmenduar, të
lirë e meditative, poeti ndërton një panoramë të krizës njerëzore, ku arti
shfaqet si mjeti i vetëm për të mos u mposhtur nga e vërteta e padurueshme e
realitetit.
a. Poezia hapet
me një varg antologjik që, çuditërisht, më shumë se një hyrje është një pasqyrë
e njeriut të sotëm: “Gjysma e ditës Don
Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço”, ku ndjen se kemi të bëjmë te poezia (si
dhe te romani i Servantesit) me dy figura, që janë një shpirt i ndarë. Një
frymë që endet mes qiellit dhe tokës, mes idealit të lartë dhe pragmatizmit të
ulët. Don Kishoti; ëndrra dhe ideali i pastër, lufta me erën etj., Sanço Panço;
njeriu pragmantist dhe materialist. Poeti na jep njeriun si një qenie e ndarë
më dysh, që djeg brenda vetes plehun e papërpunuar të dilemave, krizës, rrëmuja
që nuk shuhet, por avullon heshtur nëpër natë.
b. Kur vjen
mëngjesi dhe plagët e natës janë ende të freskëta, poeti thotë: “Na duhet doemos, diçka e re, e freskët…
Shpikim Artin”. Kjo fjali tingëllon si
formulë mbijetese, pse e vërteta është e padurueshme, djeg më shumë se
vetë plehu, prandaj njeriu shpik artin, jo për zbukurim, por si shërim, një
strehë të brendshme, një mburojë iluzive e cila e ndihmon të mos vdesë nga
vetëdija. Arti nuk është luks, por mjet shpëtimi.
c. “Na e kanë vjedhur prej kohësh pyetjen –
shpagimin…”, një varg që në leximin e parë habit, por në të dytin të
rrënqeth. “Pyetja”, simbol i shpirtit
kërkues, është zhdukur. Diku përgjatë rrugës njeriu është rrëmbyer nga
kalkulimet, nga përfitimi, nga ajo çka s’është e tija. Ëndrrat i ka braktisur,
dijen e ka kthyer në tregti, dhe është shndërruar në një “përllogaritës të tjetërt” jo
në kuptimin popullor që merret me fjalë për të tjerët, porn ë kuptimin që është
bërë I huaj për vetveten, i ftohtë për të vërtetën e vet.
ç. Vargu “Pak nga pak ndjejmë, po na grabisin, zërin
dhe kujtesën…” kumbon si një klithmë e mbytur pse ndjejmë se zëri që na
grabitet, është kujtesa. Poeti përshkruan një humbje të ngadaltë, por të sigurt
të identitetit, të kujtesës historike, të pafajësisë njerëzore. E qeshura e
dikurshme është mbytur nga veset, ndjenjat janë ngatërruar në mjegullën e
qëllimshme të harresës. Dhe kjo humbje, sado e butë në tingull, është tragjike
në thelb.
III- Kjo poezi
paraqet një strukturë dhe formë artistike moderne, të ndërtuar me vetëdije
poetike me disa risi të dukshme strukturore e artistike, të cilat e dallojnë
nga poezia tradicionale dhe i japin asaj një thellësi bashkëkohore:
1.Kështu, e
dukëshme është struktura ciklike ku poezia fillon dhe përfundon me të njëjtën
strofë, e cila vepron edhe si refren (epanostrofë) :
“Gjysma e ditës
Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Ky lloj plehu i
brendshëm që digjet ngadalë, vetëm natën.
Në mëngjes na
duhet doemos, diçka e re, e freskët,
Të mos çmendemi. Nga e vërteta të mos
vdesim. Shpikim Artin”.
Qysh në lexim të
parë ndjehet dhe shihet se ky rikthim jo vetëm i jep një formë rrethore
poezisë, por forcon ndjesinë e një përsëritjeje, një ciklim rrethor, ku
përballja me dhimbjen dhe shpikjen e artit është i vazhdueshëm në kohë. Kjo
është një risi strukturore, pasi sfidon linearitetin e rrëfimit poetik
tradicional.
2.Poezia
ndërtohet në varg të lirë, pa rimë apo metrikë, ndonëse është krijuar me strofa
katërshe. Kjo zgjedhje stilistike është një risi kryesore në aspektin formal
dhe bazohet në përmbajtjen ekzistenciale e filozofike. Liria e vargut shpreh
edhe lirinë e ndërgjegjes poetike që nuk do të mbyllet në skema metrike të
rrepta.
3.Strofa e parë
dhe e fundit sikur vendosin një kornizën ekzistenciale për poezinë, ndërsa
strofat e mesme zhvillojnë dialog të brendshëm: ndërmjet ëndrrës e zhgënjimit,
pasionit dhe kalkulimit. Kjo formë e ndarjes së poezisë në blloqe reflektimi,
me kthim te një ide bazë, është një teknikë e re moderne që i jep poezisë ritëm
mendimi.
4.Përdorimi i
figurave ikonike kulturore në vend të metaforave të zakonëshme te vargu: “Gjysma e ditës Don Kishot, gjysma tjetër
Sanço Panço”.është një risi artistike: poeti i përfshin ato si arketipe të
dy anëve të njeriut modern. Pra, në vend të përshkrimeve poeti përdor simbole
të gatshme, çka rrit densitetin kuptimor të poezisë.
5.Çuditërisht
forma e poezisë së Kotes ngjan me një esse të ngjeshur poetike, gjë që autori e
ka shpesh stil të vetin. Fjalitë janë strukturuar mendërisht dhe shpesh
përçojnë edhe ide filozofike si: “Heq
dorë nga pasioni ëndërr, për t’u shndërruar në përllogaritës të tjetërt”.
Pikërisht ky kombinim i mendimit abstrakt me gjuhën poetike përbën një risi të
stilit të Odise Kotes dhe e afron poezinë me format më impresionuese esseistike
të reflektimit liriko-filozofik.
6.Ndryshe nga
poezia klasike ku arti është i idealizuar, këtu ai del si një reaksion
përvëlues emergjent, një strategji e përllogaritur për të mos u “çmendur”, ndaj: “Shpikim Artin”. Në fakt ky është një pozicionim modern ndaj rolit
të artit, jo si qëllim, por si nevojë shpëtimi përballë kaosit.
Këto elemente e
vendosin poezinë në hapësirën e poezisë moderne meditative, ku struktura nuk i
shërben vetëm estetikës, por pasqyron gjendjen psikike dhe filozofike të
njeriut bashkëkohor.
IV- Ëysh në
leximin e parë ndjen se poezia “Ky lloj plehu që digjet gjithë natën...” e
Odise Kotes nuk vjen në kohën tonë si estetikë kulturore e jashtme, si objekt
zbukurues apo dekor emocionesh të lehta. Ajo nuk kërkon të kënaqë syrin, por të
trazojë thellësisht ndërgjegjen. Nuk ngrihet mbi bukurinë formale, por mbi një
tension të brendshëm, një zjarr të heshtur që ndriçon më shumë errësirën se
dritën. Në këtë kuptim, është një poezi që përfaqëson thelbin e artit modern:
nevojën për të thënë atë që nuk thuhet, për të ndjerë atë që zakonisht shtypet.
Që në vargun e
parë, njeriu ndahet në dy figura ikonike: “Gjysma
e ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço”. Këtu nuk ka lojë
stilistike, por një metaforë ekzistenciale: njeriu i sotëm është ndarë mes ëndrrës
dhe përllogaritjes, mes idealizmit dhe pragmatizmit që vret ndjenjën. Ky dyzim
nuk është një vëzhgim i karakterit njerëzor, por një pasqyrë reale e kohës sonë;
kur ideali dhe realiteti nuk ecin paralelisht, por përplasen.
Poezia flet me
gjuhën e dhimbjes së heshtur, me fjalë që digjen pa zhurmë: “pleh”, “mokra”, “përllogaritës”, “grabisin”,
të cilat nuk shërbejnë për të shokuar lexuesin, por për ta zbuluar fenomenin,
për t’i dhënë zë ndjesive që mbeten të pashprehura. Është një poezi që të fut
në mjegullën morale e shpirtërore të një bote të përmbysur, ku të qeshurat e
pafajshme janë zëvendësuar nga ndjesi të përziera dhe ku kujtesa; ajo
mbështetje intime e identitetit, po grabitet pak nga pak.
Në një nga
momentet më goditëse, poezia thotë: “Në
mëngjes na duhet doemos, diçka e re, e freskët... Shpikim Artin.” Kjo është
një deklaratë e fuqishme mbi funksionin e artit: jo si luks, por si nevojë për
të mbijetuar. Arti nuk paraqitet si një zbukurim i realitetit, por si një
shpikje ekzistenciale, si mënyrë për të përballuar të vërtetën që ngulmon të na
rrënojë. Është një ide e thellë që ndikon lexuesin në planin intelektual, duke
e detyruar të pyesë: çfarë është arti për mua? A më shpëton, apo më gënjen?
Në planin
shoqëror, poezia shpërfaq një realitet zhgënjyes ku zëri i njeriut është zbehur
dhe vetë njeriu është shndërruar në “përllogaritës
i tjetërt”. Është një klimë ku konformizmi mbizotëron, ku hapësirat
idealiste janë ngushtuar dhe të vërtetat e mëdha janë fashitur. Por poezia nuk
bën moral, as nuk thërret. Ajo hesht dhe digjet, dhe përmes kësaj, na flet më
fort.
Në fund, kjo
poezi të prek në tre shtresa të qenies: në shpirt, si një dhembje që nuk e di
nga vjen; në mendje, si një pasqyrë që të detyron të mendosh; dhe në
ndërgjegje, si një thirrje për të mos harruar vetveten. Është një poezi që nuk
kërkon të pëlqehet, por të kuptohet; dhe kur kuptohet, nuk të lë më rehat.
Është një poezi antologjike që nderon autorin dhe vetë letërsinë shqipe.
Sarandë, më 30 prill 2025
Ky lloj plehu që
digjet gjithë natën ...
Gjysma e
ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Ky lloj
plehu i brendshëm që digjet ngadalë, vetëm natën.
Në mëngjes
na duhet doemos, diçka e re, e freskët,
Të mos
çmendemi. Nga e vërteta të mos vdesi. Shpikim Artin.
Na e kanë
vjedhur prej kohësh pyetjen - shpagimin,
Bluhemi si
mokra, errësirës, plojë e fatit të fshehtë.
Ç’bën njeriu
i shkretë? Heq dorë nga pasioni ëndërr,
Për t’u
shndërruar në përllogaritës tē tjetërt?
Rugëve të
pista, nē lozhat e teatrove, pakujdesitë spontane,
E kanë
mundur vesin e të qeshurës së pafajshme.
Mosnjohja e
kufijve, qëllimshëm ngatërron shanset e senset,
pak nga pak
ndjejmë, po na grabisin, zërin dhe kujtesën...
Gjysma e
ditës Don Kishot, gjysma tjetër Sanço Panço,
Ky lloj
plehu i brendshëm që digjet ngadalë, vetëm natën.
Në mëngjes
na duhet doemos, diçka e re, e freskët,
Të mos
çmendemi. Nga e vërteta të mos vdesim. Shpikim Artin.
No comments:
Post a Comment