GJURMËT
E PËRKËDHELJES SË MUNGUAR
Një qasje poetike postmoderne
Nga Timo Mërkuri
Poezia “E përkëdhelur dhe e
papërkëdhelur” e Natasha Lakos është një prej krijimeve që nuk shpaloset si
rrëfim, por si ndjesi që lëkundet në
kufijtë e mungesës dhe dëshirës. Me një ton pyetës dhe ritmik, ajo ndërton një
botë ku përkëdhelja nuk është thjeshtë një gjest fizik, por dhe shenjë e pranimit, e afrimit, e butësisë dhe
dashurisë. Përkëdhelja është ajo gjuhë e heshtur që i thotë çdo njeriu se ai është
i dashur dhe i çmuar, jo vetëm për atë që e jep. Përkëdheljen e ndjejmë dhe nëpërmjet
saj shuajmë një uri të brendëshme që nuk shuhet dot me fjalë apo ushqim. Te
poezia e Lakos kjo nevojë shfaqet si pyetje: ku është përkëdhelja? A egziston në
një botë të ashpër dhe të ftohtë? Pyetja nuk është vetëm poetike, por së pari është njerëzore. E
parë në këtë aspekt themi se kjo poezi vjen si zë i brendshëm dhe nuk kërkon
përgjigje të qarta, por hap hapësira për reflektim, për të ndjerë, për të
kujtuar, për të parë se si gjërat më të zakonshme: buka, qielli, fëmijët
humbasin kuptimin e tyre të zakonshëm dhe mbushen me ankthin e kohës që ka
humbur lidhjet
I-Te
poezia "E përkëdhelur dhe e papërkëdhelur" ndjejmë se titulli nuk është
thjesht emri i një poezie; ai është pasqyra ku shohim si jeta na ledhaton e na
braktis, si dashuria vjen e ikën, si bukuria është dhuratë dhe plagë
njëkohësisht. Në fakt kjo poezi është si një fllad që kalon mbi fytyrën e
jetës: herë e ngrohtë e herë therëse, por gjithmonë e vërtetë. Dhe titulli
është porta hyrëse për në këtë përjetim. Që në tingullin e parë, poetja vendos në
njerën anë të peshores një pendë-përkëdheljen dhe në anën tjetër një gur-
mungesën e saj. Peshorja nuk qëndron në ekuilibër dhe pikërisht kjo mungesë
ekuilibri flet më shumë se çdo barazpeshë, që do të thotë se mungesa “peshon”
(rëndon) më shumë se dashuria. Ky nuk është një dualitet emocional: është vetë zemra njerëzore që mbart dhembje
dhe shpresë njëherësh.
Vetë
titulli shfaq një kontrast të thellë
emocional: ai flet për përkëdhelje të dëshiruar dhe mungesë përkëdheljeje që
lëndon. Në vetë formën e tij, titulli shfaq një dyzim të brendshëm, që bëhet
çelës për leximin e gjithë poezisë. “E
përkëdhelur” sugjeron një ndjenjë butësie, dashurie, mbrojtjeje, ndërsa “e papërkëdhelur” sjell ndjesi mungese, vetmie, braktisjeje. Kjo luhatje mes dy poleve
përkon me përjetimin e personazhit poetik, të njeriut bashkëkohor, që mbetet i
ndarë mes nevojës për dashuri dhe realitetit që shpesh ja mohon atë.
1.Në këtë poezi, përkëdhelja dhe
papërkëdhelja nuk janë thjeshtë gjendje, ato janë mënyra poetike si bota i flet
individit: herë me bukë e herë me uri; herë me fjalë të buta e herë me heshtje
që dhemb. Le ta shohim konkretisht se si shfaqet kjo ndjesi në vargje:
“Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje?”
Kjo është një pyetje që nuk kërkon përgjigje, por ndjeshmëri. A është jeta
ushqim për trupin, apo dhunti për shpirtin? Ç’është buka në një botë që nuk të
përkëdhel?
“Banketet e livadheve të pashkelura ende” tingëllon si një ftesë në
një ambient parajsor ku përkëdhelja mund të mos jetë kujtim, por prekje reale, konkrete,
e paçmuar.
“Djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më” vjen si
një shenjë se liria, forca dhe bukuria dikur i përkëdhelnin djemtë e rinj, por
tani edhe kali (metaforë e ëndrrës dhe guximit) ka ndalur.
“Fëmijë që lëpijnë yjet” shfaq një
pamje tepër ndjesore: fëmijë që kërkojnë dritë para se të kenë shijuar
ngrohtësinë e gjiri. Është papërkëdhelja
më e dhimbshme: mungesa e mëmësisë, mungesa e fillimit të butë.
Dhe në fund, poezia nuk ofron
trupin e femrës për ta zhveshur, por për ta shpëtuar nga ndëshkimi. “Kofshët e bukura të zhveshura” mishërojnë
çlirimin prej turpit, përkëdhelje që njeriu ia jep vetes kur bota nuk ia jep
më.
II- Sa herë bie fjala për poezinë
e Lakos zakonisht dëgjojmë vlerësime me superlativa, por shpesh herë folësit
shtojnë si rastësisht se poezia e saj është një poezi elitare, pak a shumë
hermetike, që kuptohet me vëshirësi etj.
cilësime që në thelb dëshmojnë se folësi është thjeshtë një lexues sipërfaqësor, i
pavëmëndshëm. Poezia e Natasha Lakos nuk është një poezi që duhet të kuptohet,
ajo është një poezi që duhet të ndjehet, të përjetohet. Lako flet nëpërmjet
imazheve të ndërthurura, dhe në zbërthimin e poezisë së saj duhet më së pari të
lexosh imazhet dhe ti përjetosh ato, se të synosh ti kuptosh ato imazhe poetike
është gati e pamundur. A shfaqet dhe në këtë poezi kjo lexueshmëri imazhesh? Po,
dukuria që Lako flet nëpërmjet imazheve të ndërthurura qëndron në mënyrë të
fuqishme në këtë poezi, ku ato (imazhet)
nuk janë të izoluara apo lineare, por krijojnë një rrjet përfytyrimesh që
përplasin botë të ndryshme simbolike, sociale dhe emocionale, shpesh në mënyrë
befasuese dhe të ndërlikuar.
1.Kështu p.sh. në vargun: “Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell,
ujë, apo përkëdhelje”, elementet reale të jetës: buka, kripa, uji, të cilat
janë simbole të traditës, ndërthuren me një koncept abstrakt e ndjesor si
përkëdhelja, duke krijuar një imazh të dykuptimtë, që është njëherazi ushqim dhe
mungesë dashurie. Ndërthurja vazhdon në një tjetër pasazh: “djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që
nuk vrapon më”, ku ndërthuren tre imazhe:
djali (njeriu i ri), kali (figura e fuqisë dhe burrërisë në traditën shqiptare)
dhe ndalimi i lëvizjes (kali që nuk vrapon më) të cilat krijojnë një ndjesi
trishtimi e zhgënjimi nga miti i rrënuar. Le të shohim vargun tronditës dhe
thellësisht poetik në mënyrën moderne: “me
burrat që përmjerin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit
të gjirit”, sepse ai përplas dy imazhe brutale dhe të kundërta:një realitet
grotesk dhe një ëndërr të pafajshme, ku “burra
që përmjerin pranë lopës” është një imazh realist, gati I turpshëm apo
vulgar që zhvesh mitin e burërisë shqiptare dhe e ul në një gjest banal e kafshëror.
Në thelb është sa tronditës aq dhe denoncues. Ndërkohë “fëmijët që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit” është një imazh i
pafajshëm, ëndërimtar, por, sipas stilit të Lakos, ky është vendosur në një
rend të përmbysur: fëmija më parë kërkon “yje”
( ëndra, ideale, dritë) pastaj kërkon ushqim (qumësht), çka mund të lexohet si
një kritikë (e fsehtë) ndaj shoqërive që mohojnë nevojat shpirtërore. Këto dy
pamje imazhsite në varg janë qëllimisht provokuese dhe të ndërthurura, për të
nxjerrë në pah absurditetin, mungesën e përkëdheljes dhe zhbalancimin mes
trupores dhe shpirtërores.
2.Ndërthurja bëhet edhe më
komplekse në vargun: “priftëresha
mijëravjeçare që kërkojnë një njeri” e cila është figurë shumëplanëshe dhe e ndërthurur
me ngarkesë mitike, gjinore dhe filozofike, ku: “Priftëresha mijravjeçare” nënkupton një figurë femërore, akretipale,
e shenjtëruar dhe e mohuar nga realiteti i zakonshëm. Ajo i përket një hershmërie
simbolike ku gruaja ishte ose hyjneshë ose objekt sakrificash e shfrytëzimi, por jo njeri me të drejtën që
të ndjejë dashuri. Pjesa vargore: “që kërkojnë
një njeri” përmbys mitin, pse nga një qenie e lartësuar në tempull apo shënjtëruar
ajo zbret në tokë dhe kërkon njerëzoren, dashurinë, përkëdheljen. Kërkimi i “njeriut” është kërkimi i lidhjes njerëzore,
jo vetëm në aspektin emocional por edhe egzistencial. Ky imazh është trishtues
dhe emacipues njëkohësisht: përfaqson gruan që për shekuj është idealizuar ose
ndëshkuar, por që tani kërkon të jetë vetë ajo subjekt i dashurisë, i
zgjedhjes, i ndjesisë. Në thelb është një figurë modern e çlirimit nga rolet e
trashëguara nga e kaluara.
Në thelb duhet të themi se përmes
këtyre përzierjeve të përmasave konkrete, mitike, emocionale e sociale, Lako
nuk jep përfundime të qarta (kuptimore), por krijon hapësirë poetike, ku
lexuesi ndien më shumë sesa kupton, dhe ku mesazhet shpërfaqen në mënyrë të
aluzive. Ndaj themi se ndërthurja e imazheve në këtë poezi është një tipar
thelbësor i gjuhës së saj moderne dhe eksperimentale.
III-Sigurisht që lindë pyetja për
krijimin e imazheve në poezinë e Lakos dhe nuk nxitojmë po t’ju themi se këto
inazhe krijohen nga ndërthurja e figurave artistike, që mbartin me vete
dritësimin e tyre në ndërtimin e imazhizmit kompleks, që krijon tension midis
botës së ndjeshme dhe realitetit të zhveshur. Le të shohim funksionin e
metaforës, simbolit dhe personifikimit, si pjesë përbërëse të këtij sistemi
shprehës:
1.Metafora është një element
shprehës i poezisë dhe shërben për të ndërtuar imazhe të papritura, shpesh
tronditëse, që ftojnë lexuesin të eksplorojë kuptime të thella. P.sh.: “djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që
nuk vrapon më”. Këtu “jelet e kalit” janë një metaforë e përkëdheljes së munguar. Jelet lidhen me kalërimin, me lirinë dhe estetikën e lëvizjes së
kalit, por në këtë rast paraqitet si diçka që mund të përkëdhelë, pra kali bëhet
pjesë e një kujtese ndjesore. “kali që
nuk vrapon më” është metaforë për fundin e epokës së vrapimit, pasi kali në
traditën shqiptare simbolizon burrërinë, trimërinë. Tani ai “nuk vrapon më”, pra burrëria e dikurëshme
është bërë e panevojëshme. Shprehja “djemtë
e papërkëdhelur” është metaforë për mungesën ndjesore të ngrohtësisë në
rritjen e djemve. Pra gjithë këto metafora
krijon një imazh , ku përmes simbolikës së kalit, jeleve dhe mungesës së përkëdheljeve
poetja ndërton një tablo të ftohtë të burrërisë së braktisur të një brezi të
rritur pa ngrohtësi.
Metafora: “fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit të gjirit” realisht shumë e
fuqishme që përfaqëson një etje ekzistenciale për ëndrrën para ushqimit, për
frymën përpara trupit, për shpirtësi që tradita nuk ia ka ofruar fëmijërisë
shqiptare,pra kjo metaforë bashkohet me figurën tjetër “burrat që përmjerin pranë lopës”, një metaforë groteske dhe së
bashku krijojnë një imazh të kontrastit brutal mes dëshirës së lartë (yjet) dhe nevojave
instiktive tokësore (gjiri, lopa). Ky imazh është i ndërthurur mes një
kombinimi të metaforës (lëpirja e yjeve) me një skenë groteske dhe realiste (përmjerja
pranë lopëve. Metafora e fëmijës që synon yjet, por pa provuar ende qumështin e
nënës është një figurë e ndërthurur e mungesës së ushqimit, dhe duke u bashkuar
me imazhe të tjera shfaqin një vision poetik të një bote të përmbysur.
2.Simbolet në poezi nuk janë të
qarta dhe të njëkuptimta, por marrin ngarkesë shumë kuptimëshe dhe shërbejnë
për të krijuar një atmosferë filozofiko-shoqërore. P.sh. “buka, mund, kripë, miell, ujë” janë simbole të jetës rurale
shqiptare, që në kontekstin poetik bëhen simbolet tradicionale. Këto simbole bashkohen me
metaforën e përkëdheljes në vargun “Thuaj
a është buka, mund , kripë, ujë” dhe krijojnë nëj imazh dykuptimor ku përkëdhelja
bëhet ushqim shpirtëror po aq i nevojshëm sa buka dhe uji. Këtu vërejmë se
imazhi i krijuar është tipik i jetës shqiptare tradicionale, ku mungon dashuria
e shfaqur hapur, kryesisht nga babai, pse përkëdhelja nuk është parë si
domosdoshmëri në familje.
Simboli: “priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri” bashkohet me
metaforën e mungesë së dashurisë (prifëreshat janë të privuara nga përkëdheljet,
nga shfaqja e ndjenjave), po ashtu folja “
kërkojnë një njeri” është metaforë e mungesës së dashurisë njerëzore, dhe
me personifikimin e mitit “priftëresha
mijraveçare” që shihen si qënie që ndiejnë mungesë dhe kërkojnë dashuri. Kështu
ndërthurja e simbolit, metaforës dhe personifikimit të mësipërm krijon imazhin e një gjendjeje universal shpirtërore,
i cili e ngre poezinë në nivel filozofik e ekzistencial.
3.Lako përdor rrallë
personifikime në mënyrën klasike, por subjektizon sende dhe ide abstrakte për
t’i ngarkuar me jetë dhe ndjenjë. Kështu p.sh. te vargu “përkëdheljet a i përgatit a i mund bota e dallëndysheve” Lako
krijon një imazh të ndërlikuar dhe të brishtë përmes bashkimit të figurave
artistike si personifikimi dhe simboli. Bota, një nocion abstrakt, paraqitet si
qenie e përkëdhelur dhe e ndjeshme, duke u personifikuar si “dallëndyshe”, zog i vogël, simbol i
kthimit, i ngrohtësisë dhe i dashurisë në traditën shqiptare. Dallëndyshja
është një figurë e butësisë dhe e kujdesit amësor, ndaj bashkimi i saj me
konceptin e “botës” krijon një imazh
poetik të një universi që mund të përgatitë përkëdhelje, por dhe t’i mundë ato,
madje kështu ngre një pyetje filozofike mbi natyrën e jetës dhe raportin e saj
me dashurinë. Kjo dykuptimësi pyet: a është bota mbështetëse dhe ndërtuese e
ndjeshmërisë, apo e ftohtë dhe shtypëse ndaj saj? Kështu, ndërthurja e figurave
jo vetëm që krijon një peizazh poetik, por ngre edhe dilema ekzistenciale për
lexuesin modern mbi rolin e ndjenjës në një botë që shpesh shfaqet kundër dashurisë dhe përkujdesjes .
Pra, figurat artistike në poezi
janë në funksion të krijimit të një imazhizmi të shtresuar, sa kontradiktor aq
dhe tronditës, që ndërton një vizion të gruas, njeriut dhe jetës në shoqërinë
tradicionale shqiptare, por nëpërmjet optikës moderne, introspektive. Ato nuk
janë zbukurim stilistik, por strukturë mendimi dhe ndjeshmërie, që përforcon
tonin e pyetësisë, mungesës dhe kërkimit në poezi dhe në ndërthurjen mes tyre
mbartin me vete gjithë dritësimin poetik si figura dhe e ndërthurin në imazh.
Prandaj kanë kaq shumë dritë imazhet e Lakos.
IV- E parë në vijueshsmërinë e
leximit artistik shohim se struktura pyetëse e poezisë nuk është e rastësishme,
pse ajo nuk përdoret si mjet stilistik,
por si mënyrë për të shprehur gjendjen e paqartësisë dhe të pasigurisë. Çdo
pyetje është një përpjekje për të kuptuar:
A është jeta vetë përkëdhelje, apo thjesht një formë e tejzgjatur e
lodhjes?
A është buka një akt dashurie, apo një sakrificë që vjen me dhimbje e
lodhje?
A janë ëndrrat një strehë e
brendshme, apo thjesht një tjetër formë zhgënjimi?
Lako nuk jep përgjigje të
drejtpërdrejta, pse poeti nuk është për të zgjidhur ekuacione dhe formula, por
duhet të themi se pikërisht mungesa e përgjigjeve e bën strukturën pyetëse më
të ngarkuar emocionalisht. Ajo lë të kuptohet se përkëdhelja dhe mungesa e saj
nuk janë të dallueshme, se në shumë raste ato bashkëjetojnë në përditshmërinë e
njeriut. Kështu, pyetjet bëhen pjesë e një kërkimi të brendshëm, i cili më
shumë se të sqarojë, synon të ndjejë dhe të ngrejë dyshime.
Në këtë mënyrë,ndërsa themi më
sipër se titulli nuk është vetëm hyrje në temën e poezisë, ai është edhe
përmbledhje e saj, struktura pyetëse i jep formë dinamike kësaj përvoje, duke e
kthyer poezinë në proces të vazhdueshëm kërkimi dhe vetëpyetjeje.
V-Poezia” e Lakos ngrihet mbi një
ndjeshmëri pasigurie, që shpaloset përmes një zëri që pyet, jo për të marrë
përgjigje, por për të ndarë një brengë. Por duhet të kuptojmë se këto pyetje
nuk janë retorike as zbukurime stilistike; ato janë vetë zemra e poezisë. Ato
marrin formën e një lutjeje të përsëritur, një psherëtimë që s’pushon dhe bëhen
ritmi i saj i padukshëm, frymëmarrja që mban vargjet gjallë.
Që në vargun: «Thuaj, a është buka, mund, kripë, miell,
ujë, apo përkëdhelje...?», poetja na nxit të mendojmë përtej fjalës. Buka,
si simbol, nuk është më vetëm nevojë fizike, por një shenjë e mallëngjimit për
butësinë, për dashurinë. ”Të japësh bukë do të thotë të duash njerinë” thotë një
fjalë. Por këtu pyetja përfshin një boshllëk emocional: e kërkon përkëdheljen
si një nevojë po aq të domosdoshme sa buka. E njëjta mungesë përshkon vargun: «Në cilën anë është qielli dhe në cilën anë
kthesa që na ndjek prapa...?» ku
poezia përmbyset mbi veten; ajo s’është më udhëtim drejt së ardhmes, por një
qark i mbyllur, ku kthesat nuk i paraprijnë, por e ndjekin.
Në këtë tekst të mbushur me
imazhe që shpesh janë tronditëse, ndjesia e humbjes, e pështjellimit dhe e
kërkimit ndihen më fort se çdo mesazh i drejtpërdrejtë. Pamje si: «burrat që përmjerin pranë lopës» dhe «fëmijë që lëpijnë yjet para qumështit të
gjirit» krijojnë një botë, ku grotesku dhe fëmijërorja, realiteti dhe
ëndrra ndërthuren pa ndarje të qartë. Ato të shqetësojnë, por edhe të prekin,
sepse janë reale në mënyrën e tyre metaforike, si dhimbja që s’mund ta thuash
drejtpërdrejt, por vetëm ta shfaqësh.
Përkëdhelja në këtë poezi është
mungesë, është gjithçka që s’është më. Jo rastësisht përmendet “jeta e dallëndyshes”, një figurë që në
letërsinë shqipe ka mbartur gjithmonë simbolikën e ndjeshmërisë, të mëmësisë,
të fjalës së butë. Po Lako nuk e përkëdhel as dallëndyshen, por pyet nëse ajo
përgatit ndonjë përkëdhelje, apo e mund bota. Dhe në këtë pyetje, kuptojmë se
edhe simboli i shpresës është bërë i lëndueshëm.
Në thelb, kjo poezi nuk është për
t’u shpjeguar, por për t’u dëgjuar shpirtërisht. Çdo figurë stilistike, qoftë
metaforë, qoftë simbol apo personifikim, nuk është aty si stoli, por për të
lënduar butësisht dhe për të na thënë: mungesa, pyetja, përkëdhelja e humbur janë
më reale se çdo përgjigje.
VI – Poezia “E përkëdhelur dhe e
papërkëdhelur” e Natasha Lakos sjell një frymë të re në poezinë shqipe moderne,
duke e pasuruar atë si në përmbajtje, ashtu edhe në formë e ndjeshmëri. Kjo
poezi nuk kërkon thjesht të prekë emocionin, por dhe të shqetësojë mendimin, të trazojë shpirtin,
të thotë gjëra që zakonisht mbeten të pathëna.
1.Së pari, ajo që bie në sy është
mënyra e re e përdorimit të figurës – jo më si stoli estetike, por si një
mënyrë për të pyetur thellë mbi qenien. Figura nuk është përshkruese, por
pyesëse – dhe kjo i jep poezisë një tension të brendshëm, një frymë filozofike.
Vargu “Thuaj, a është buka, mund, kripë,
miell, ujë, apo përkëdhelje?” është më shumë se një lojë fjalësh, është një
përpjekje për të kapur kuptimin e një ndjenje njerëzore përmes gjërave më të
thjeshta të jetës. Aty përkëdhelja vendoset përkrah bukës dhe ujit – si
domosdoshmëri jetike.
2.Struktura poetike është një
tjetër risi. Poezia nuk ka një vijë të drejtpërdrejtë, një fill që shkon nga
pika A në B. Vargjet janë të fragmentuara, si mendime që të shfaqen në çaste
trazimi, si copa ndjesish që nuk kërkojnë të rrëfejnë një histori, por të
sjellin një përjetim. Kjo mënyrë e shkëputur, e pashtruar, i jep poezisë një
frymë moderne, të ngjashme me prirjet e letërsisë evropiane, ku përjetimi është
më i rëndësishëm sesa tregimi.
3.Lako nuk ka frikë të vendosë
krah për krah të bukurën dhe grotesken. Në një varg përmenden burrat që
përmjerin pranë lopës dhe fëmijët që lëpijnë yjet. Ky kontrast tronditës nuk
është provokim për efekt – është mënyra se si poezia përball realitetin me
ëndrrën, dhimbjen me dëshirën. Kjo ndërthurje krijon një estetikë të re, ku
poezia nuk shmang më të shëmtuarën, por e përfshin si pjesë të së vërtetës.
4.Një tjetër risi është trajtimi
i përkëdheljes si një simbol i mungesës njerëzore; një lloj dashurie që nuk
është thënë, por që gjithkush e ka ndjerë në ndonjë formë. Përkëdhelja del nga
kuptimi i saj i zakonshëm dhe merr një ngarkesë të re; ajo bëhet gjithçka që
mungon: ngrohtësi, afërsi, kuptim, mirësi. Madje edhe mungesa e saj shfaqet si
një formë e dhunës.
5.Poezia e Lakos sjell edhe një
zë të fortë femëror, por jo në mënyrë sentimentale. Ajo nuk ankohet, nuk
ëndërron si heroinat e dikurshme, por pyet, sfidon, vë në dyshim, kërkon. Është
një zë që kërkon të kuptohet, jo të mëshirohet. Dhe kjo e bën poezinë e saj modern,
jo thjesht për nga forma, por për nga qëndrimi.
6. Një nga risitë më të thella të
kësaj poezie është aftësia për të komunikuar në të njëjtën kohë në mënyrë të
drejtpërdrejtë dhe të koduar. Lako i drejtohet lexuesit me një ndjeshmëri që
nuk predikon, nuk jep mësime, por e nxit të mendojë. Lexuesi nuk mbetet në
rolin pasiv, por përfshihet në procesin e kërkimit – kërkimi për të kuptuar,
për të emërtuar atë që mungon: përkëdheljen si mungesë dhe si nevojë njerëzore
universale. Në thelb, kjo poezi nuk të fton vetëm ta lexosh. Të fton të hysh
brenda saj, të pyesësh bashkë me të, të ndjesh boshllëkun dhe nevojën për
përkëdhelje – si një gjë e heshtur, por e domosdoshme për qenien njerëzore.
VII – Poezia e Natasha Lakos
arrin të ushtrojë një ndikim të thellë tek lexuesi i sotëm përmes disa
shtresave domethënëse. Së pari, ajo prek një nerv të ndjeshëm të ndërgjegjes
kolektive, duke risjellë në dritë plagë të trashëguara nga përvoja jetësore në
kulturën tradicionale shqiptare, sidomos në marrëdhëniet midis gjinive, në
tensionin mes ndjenjës dhe detyrës. Kështu, lexuesi ndeshet me një proces
introspektiv: a kemi mbetur ende një shoqëri që nuk di të përkëdhelë? A
vazhdojmë të rrisim fëmijë “me yje në sy,
por pa qumësht dashurie”?
Poezia flet me ndershmëri e thellësi
për dilemën e brezit të sotëm, që ndodhet në një udhëkryq mes një kulture
rrënjosur në kode të ngurta dhe një bote moderne që kërkon më shumë ndjeshmëri,
komunikim emocional dhe kujdes të ndërsjellë. Tek të rinjtë, kjo poezi mund të
rizgjojë vetëdijen për nevojën për të rimenduar marrëdhëniet ndërnjerëzore,
duke e vendosur përkëdheljen, aktin e butësisë, si një gjest human dhe
emancipues, larg paragjykimeve që e lidhin atë me dobësinë. Të shkruash vargje
të tilla si: “cila përkëdhelje i takon ndonjë
shkrese si thile e vogël, /ngjashmërinë e nënave të padashuruara, me një
kaligrafi universal” apo “ apo me
brekë stolisurat vajza” më shumë se talent duhet guxim e ndershmëri me
veten,
Së fundi, në një kohë kur
individi përpiqet të çlirohet nga peshat e patriarkatit dhe modeleve të ngurta
të të menduarit, kjo poezi shfaqet si një hapësirë lirimi dhe kuptimi. Ajo i
jep zë një dhimbjeje të përbashkët pa u mbyllur në moralizime, por duke e
sublimuar përmes një ndjeshmërie estetike dhe një qasjeje filozofike që i jep
lexuesit jo vetëm fjalë, por edhe guximin për të pyetur. Dhe kjo është,
ndoshta, një nga fuqitë më të mëdha të artit poetik.
Sarandë, më prill-maj
2025
E përkëdhelur dhe e
papërkedhelur
Thuaj, a
është buka, mund, kripë, miell, ujë, apo përkëdhelje,
përgjigje në
janë për ne banketet e livadheve të pashkelura ende,
bota e
dallëndysheve përkëdheljet a i përgatit a i mund,
krahasimin e
të rrugëve me të parrugëtit, si dy krahë më thuaj,
në cilën anë
është qielli dhë në cilën anë kthesa që na ndjek prapa,
cila
përkëdhelje i takon ndonjë shkrese si thile e vogël,
ngjashmërinë
e nënave të padashuruara, me një kaligrafi universale,
më thuaj,
djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më,
a mund t’i
krahasosh,
me burrat që
përmjerin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet,
para
qumështit të gjirit, apo me brekë stolisurat vajza,
priftëresha
mijëravjeçare që kërkojnë një njeri,
kaq
paqartësisht veçohet ja buka, ja mundi, ja ëndrra, ja unë.
Fol qoftë
për një palë kofshë të bukura të zhveshura, që mbeten
pas çdo
droje dhe përdëllimi,
triumf i
pikëpyetjeve kur kanë një vend.
No comments:
Post a Comment