Friday, 5 September 2025

 

NJË PËRQAFIM AUREOLEJE

 

Nga Timo Mërkuri

Në ditën e Nënë Terezës, kur kujtesa e botës përkulet me respekt ndaj figurës së saj, poezia “Në përqafim aureoleje” e Albina Idrizit vjen si një lutje poetike, si një rrëfim i brendshëm dashurie e përulësie. Ajo nuk është thjesht një poezi kushtuar një shenjtoreje, por një shfaqje e thellë e mirënjohjes dhe dashurisë që poetja mbart për Nënë Terezën. Në vargjet e saj, shfaqet një adhurim i brishtë dhe i sinqertë, i cili e bën lexuesin të ndjejë sikur çdo fjalë është një petal që vendoset mbi aurën e dritës së saj. Këtë poezi në këtë ditë të shënuar menduam ta lexojmë disi më ndryshe nga poezitë e tjera dhe konkretisht të bëjmë :

1. Leximi shpirtëror

Në këtë lexim, poezia është një lutje e hapur e poetes përballë kujtimit të Nënë Terezës. Ajo nuk e sheh vetëm si figurë të lavdishme, por si një praninë shpirtërore të përhershme që përqafon njerëzimin: “Më kujto, si është / me një zgjatje krahu të përqafosh / qindra mijëra shpirtëra rruzullit / njëherësh.”

Poetja, përmes kësaj lutjeje, shpreh dashurinë e saj të pafund për Nënë Terezën, duke e përfytyruar atë si një nënë universale që nuk përqafon një fëmijë, por mijëra shpirtra. Ky përqafim i amshuar është prova e dashurisë që tejkalon kufijtë njerëzorë dhe shndrrohet në dashuri të hyjnizuar.

Edhe pjesa tjetër e lutjes “Të arrish tek tjetri / pa hedhur hapin”tregon adhurimin e poetes për fuqinë e dashurisë së Nënë Terezës, e cila nuk njeh distanca të pa aritëshme. Kjo është dashuria që prek shpirtrat pa fjalë, që mbërrin në zemra me një buzëqeshje të ngrohtë, me fjalë shëruese. Por ajo që duhet theksuar është fakti se këtu, poetja nuk është thjesht vëzhguese, por besimtare e kësaj dashurie universale.

Dashuria e Albina Idrizit për Nënë Terezën duket edhe në bindjen e saj se zemra njerëzore është vendi i takimit të të gjitha besimeve: “dhe zemra e njeriut / është altari më i bukur / i të gjitha besimeve.” Në këtë altar, dashuria nuk ka nevojë për gurë e katedrale, sepse tempulli i saj i vërtetë është zemra njerëzore që rreh për tjetrin. Ky është kulmi i leximit shpirtëror: poetja e sheh Nënë Terezën si shenjë të dashurisë së Zotit, që i përket të gjithëve pa dallim feje, gjuhe apo race.

2. Leximi artistik

Në aspektin artistik, poezia ngrihet mbi figura të qarta dhe domethënëse. Përsëritja e thirrjes “Më kujto” e jep poezinë si një lutje poetike, një psalm dashurie. Struktura e vargut të lirë i jep frymëmarrje të brendshme dhe e lë fjalën të rrjedhë natyrshëm, si një rrëfim intim.

Metafora e fuqishme e “anijeve prej letre” bart në vetvete një kontrast: brishtësia e letërsisë dhe kujtesës njerëzore përballë madhështisë së një figure të pavdekshme si Nëna Tereze. Kujtesa njerëzore është e lëkundshme, shpesh e brishtë, por në të njëjtën kohë ajo mban peshën e kujtimeve të mëdha: “Më kujto, të lutem / këtij udhëtimi sfilitës / në anijet prej letre / që ndërton vazhdimisht / kujtesa konkave e njerëzimit.” Anijet prej letre, ndonëse të brishta, bartin mbi valët e kohës peshën e kujtesës së përjetshme; dhe kjo e bën çdo kujtim të duket si një mrekulli që sfidon harrimin. Kjo figurë poetike është një nga shfaqjet më artistike të dashurisë së poetes për Nënë Terezën: dëshira për ta mbajtur të gjallë kujtimin e saj edhe kur mjeti është i brishtë.

3. Leximi filozofik

Në planin filozofik, poezia e Idrizit është një reflektim mbi praninë dhe mungesën, mbi universalen dhe të përkohshmen. Dashuria e poetes për Nënë Terezën merr trajtë pyetjeje ekzistenciale: “si është të jesh gjithandej / pa qenë askund”? Kjo pyetje na kujton se shenjtëria nuk është prani fizike, por energji shpirtërore që e kapërcen kohën dhe hapësirën, duke na bërë të besojmë se përjetësia është thjesht emri tjetër i dashurisë.

 Ky varg bart një kuptim të thellë filozofik: Nënë Tereza nuk është më në botë fizikisht, por prania e saj është kudo, në shpirtin e njerëzve, në kujtesën e botës, në gjestin e dashurisë që ajo u mësoi të gjithëve. Poezia e shfaq atë si një figurë që tejkalon qënien fizike, trupin dhe hyn në dimensionin e përjetësisë. Po ashtu, pohimi se dhimbja dhe gëzimi kanë të njëjtën gjuhë, është një reflektim filozofik mbi unitetin e përvojës njerëzore: “si dhembja si gëzimi / kanë të njëjtat pasthirrma / në të gjitha gjuhët e botës.” Këtu poetja shfaq bindjen se dashuria dhe dhembshuria e Nënë Terezës prekën diçka më thelbësore se kulturat e ndryshme ,prekën vetë natyrën njerëzore.

4. Në një ditë përkujtimore si kjo, kur emri i Nënë Terezës shndrit mbi kujtesën e njerëzimit, poezia e Albina Idrizit ngjan si një portë faltoreje e vogël e hapur për zemrat e njerëzve, ku lexuesi hyn për të ndier nga afër ngrohtësinë. Fjala poetike nuk është vetëm përkujtim, por është përjetim. Kur lexuesi dëgjoi vargjet: “Më kujto, si është / me një zgjatje krahu të përqafosh / qindra mijëra shpirtëra rruzullit / njëherësh,” ai nuk pa vetëm një imazh poetik, por ndjeu dhe një dridhërimë mallëngjimi në zërin e poetes, çka e bëri të përjetonte çastin  si i përfshirë  dhe ai vetë në atë përqafim. Ndaj themi se kjo poezi e bën të prekshme një dashuri që është e pamatshme. Në një ditë si kjo, lexuesi  dhe dëgjuesi merr një mësim të heshtur: dashuria nuk është teori, por gjest i përditshëm. Ndërsa vargjet thonë: “Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron,” secili kujton se edhe gjesti më i thjeshtë ka peshë të pafund kur buron nga zemra.Kjo poezi, e lexuar në Letnicë, aty ku Nënë Tereza dëgjoi për herë të parë fjalën e Atit, bëhet një udhëtim i dyfishtë: kujtesë dhe përjetim. Lexuesi jo vetëm që përkulet me nderim, por përfshihet në një dashuri që nuk ka kufij, duke u bërë edhe vetë pjesë e saj. Dhe kështu, fjala poetike arrin të ribëjë për një çast atë që bëri jeta e Nënë Terezës: të mbledhë njerëzit rreth dritës së dashurisë.

5.Vlerat që shfaq Albina Idrizi në poezi; dashuria universale, respekti për çdo shpirt, përqafimi shpirtëror dhe introspektimi  gjejnë reflektim edhe  tek poetët modernistë europianë si Rainer Maria Rilke, T.S. Eliot dhe Federiko García Lorka, por me një ndryshim tepër domethënës për ne: Ndërsa këta poetë meditojnë filozofikisht mbi ekzistencën dhe humbjen, Idrizi e bën këtë në një mënyrë të ngrohtë, intime dhe humaniste, duke e shndruar përjetimin në një lutje dhe përqafim që prek zemrën e lexuesit. Vargjet:

Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron.”

“dhe zemra e njeriut / është altari më i bukur / i të gjitha besimeve.”

tregojnë se humanizmi i poetes nuk është abstrakt e filozofik, por i prekshëm; nuk është vetëm përshkrim, por një përvojë shpirtërore që zgjon ndjesinë e përbashkët njerëzore dhe admirimin për praninë universale të dashurisë.

Kur ne e shohim Albina Idrizin duke ecur në modernizëm  paralel  me poetët më të zëshëm europianë, por në “trotuarin tjetër”, atë pranë jetës reale, ndjejmë një trishtim të ëmbël dhe një admirim të thellë. Afërsia shpirtërore është e dukshme: idealet e saj humaniste, përqafimi i njerëzve, dhe përjetimi i dhembjes dhe gëzimit janë pjesë e së njëjtës rrjedhë mendimi dhe ndjenje.

Por realiteti e ndryshon rrugën e saj; ajo nuk kërkon famë, as skena të mëdha. Ecën në trotuarin e përditshmërisë, duke dhënë dorën e dashurisë, duke përqafuar njerëzit në heshtje, dhe duke i dhënë kuptim jetës me fjalë që shërojnë: “Me vështrimin që fshik, / me buzëqeshjen që ngroh, / me fjalën që shëron.”

Ndjejmë përulësinë dhe nderimin, sepse vlerat e mëdha nuk varen nga famë apo tituj, por nga përkushtimi i përditshëm dhe pastërtia e shpirtit. Në këtë ecje paralel, ku modernizmi europian takohet me përulësinë e jetës reale, kuptojmë se dashuria dhe përkushtimi njerëzor janë të njëjta kudo dhe Idrizi bëhet bashkëudhëtare e shpirtit tonë, duke na mësuar se praninë e madhe shpirtërore e gjen jo në famë, por në gjestet e përditshme që ngrohin zemrat. Në këtë mënyrë fjala e Albina Idrizit nuk është thjesht kujtesë, por shndërrohet në një aureolë dritë që na përqafon të gjithëve, sikur vetë Nënë Tereza të zgjaste dorën e saj mbi njerëzimin

Ndaj dhe ne ndjejmë krenari për poeten tonë.

 

Sarandë, më 5 shtator 2025

 

NË PËRQAFIM AUREOLEJE

Më kujto, si është

me një zgjatje krahu të përqafosh

qindra mijëra shpirtëra rruzullit

njëherësh.

 

Të arrish tek tjetri

pa hedhur hapin.

 

Me vështrimin

që fshik,

me buzëqeshjen

që ngroh,

me fjalën që shëron.

 

Ndërmendmë, se

si dhembja si gëzimi

kanë të njëjtat pasthirrma

në të gjitha gjuhët e botës,

dhe zemra e njeriut

është altari më i bukur

i të gjitha besimeve.

 

Më kujto, të lutem

këtij udhëtimi sfilitës

në anijet prej letre

që ndërton vazhdimisht

kujtesa konkave e njerëzimit,

si është të jesh gjithandej

pa qenë askund.

1 comment:

  1. Dëshmi

    Isha ​​plotësisht e shkatërruar kur marrëdhënia ime mbaroi. Besoja vërtet se kisha humbur dashurinë e jetës sime përgjithmonë. Pastaj gjeta Dr. Dawn dhe gjithçka ndryshoi.
    Me mirësi, mençuri dhe udhëzim të fuqishëm, ajo më solli përsëri dashurinë që mendoja se ishte zhdukur. Sot, jemi më të lumtur se kurrë!
    Dr. Dawn vërtet i shndërroi lotët e mi në gëzim.

    Dr. Dawn Mund t'ju Ndihmojë me:

    ✅ Magji Dashurie
    ✅ Magji Shtatzënie
    ✅ Rivendosjen e Martesës / Marrëdhënies
    ✅ Kura Bimore për HIV, Sëmundje të Veshkave, Probleme me Zemrën, Infeksione dhe më shumë

    📧 Email: dawnacuna314@gmail.com
    Telefon/WhatsApp: +2349046229159

    Mos vuani në heshtje. Dr. Dawn mund t'ju sjellë lumturinë përsëri në jetën tuaj!

    ReplyDelete