Tuesday 22 January 2013

Kur vjen batica...




Kur vjen batica…

 

Përsiatje për poezinë “Deti” dhe disa cikle të botuara së fundi të A.Matos 
Nga Timo Mërkuri
1-Ka ca kohë, që poeti Agim Mato hedh nëpër portalet e internetit, dallgë poetike që të mrekullojnë.Thua se vjen një baticë poetike, e vonuar disa vite, që vetvetiu në shpirt të shkakton gjithashtu, një baticë ndjenjash e kujtimesh. Që të mrekullon, jo aq nga tema “vetëm” Joniane, se sa nga shpirti Jonian, plot drithërimë, që ato mbartin dhe që natyrshëm ja përcjellin  lexuesit. Dhe në rast se lexuesi është  banor i viseve bregdetare, ose së paku e njeh detin dhe magjinë e tij, trasmetimi i ndjenjës dhe mendimit poetik është në shkallën më të lartë. Madje, deri aty, sa që edhe më indiferentin ndaj letërsisë, e bëjnë të ndalet e të meditojë mbi këto poezi. Ashtu siç meditojmë edhe ne mbasditeve apo mbrëmjeve (shpesh herë edhe pas mesnate) në bulevardin e qytetit të Sarandës. Apo më saktë, siç bashkëbisedojmë me detin, në intimitet. Ashtu si besimtarët e gjunjëzuar në kishë, bisedojnë me …Krishtin, apo rrëfehen para tij.
2-Sepse deti ka qënë vërtet “shënjti” para të cilit rrëfeheshim ne. Vetëm ai i dinte të fshehtat e rinisë sonë. Nën muzikën e valëve të tij, ne pëshpërisnim vetmevete deklaratat serioze-komike të  dashurive të para, deklarata që shpesh…vetëm deti i dëgjonte, se nuk patëm guximin t’i deklamonim në gjithë gjërësinë e tyre kur erdhi momenti. Madje, nuk mbajmë mënd  fare se çfarë bëlbëzuam  atë çast turbullire, por deti nuk qeshi me  ne.
Në breg të detit ishin vendtakimet tona dhe valët  na shihnin me admirim dhe me zhaurimën  e tyre, bënin të mos dëgjoheshin larg marrëzitë e premtimeve tona djaloshare, plot ngjyra ylberi. Por ylberë që nuk preknin në tokë gjëkundi. Deti i mori e nuk  na i ktheu më këto ylberë premtimesh (fjalësh), s’di pse, a për të mos na vënë në siklet, a për tu hapur rrugë premtimeve të tjera.
Në breg të detit kemi shfryrë zemërimin tonë në refuzimet apo braktisjet e para, te valët e tij kemi dënesur dëshpërimin tonë prej adoloshenti. Dhe në rast se ndonjëri ka menduar të vrasë veten për ndonjë dashuri të pashpresë, sigurisht që  te valët e detit ka menduar ta  bëjë dhe këtë akt. Por fakti që, absolutisht të gjithë adoloshentët e qytetit  e dinin  shkëlqyeshëm notin, e bënin këtë  mendim të avullonte si ujët  e një pellgu në mes të  verës.
3- Por gjithsesi, ajo që është e rëndësishme është fakti i shënjtërimit të detit, i barazimit të detit  me zotat, me shënjtët. Për këtë Agimi nuk ka faj dhe unë  lutem që lexuesi të mos e marrë si një figurë letrare. Mereni ashtu siç është, një realitet, sepse për ne banorët e brigjeve joniane, Joni është vërtet një bashkëbisedues i duruar dhe dëgjues durimmadh i rrëfimeve tona, duke qënë edhe një fshehës i mëkateve tona..Joni ishte sofra  jonë e jetës   dhe porta e botës..Joni për ne është vërtet i shenjtë, jo aq për faktin e egzistencës së legjendës  antike të qënies  së selisë së Poseidonit në thellësitë e ujrave të tij, midis Sarandës dhe Korfuzit... Jo vetëm për udhëtimet e shën Kozmait nëpër të.
Agimi, duke pohuar këtë fakt, s’bën gjë tjetër veçse pohon një realitet, por të shprehur aq artistikisht.
Ishe altari ku rrëfehesha. Flisja e flisja mes mërmërimës së/dallgëve/me një zë që të mos kuptohej nga të tjerët…rrëfehet me sinqeritet poeti, tashmë para lexuesit, pasi është rrëfyer para detit, duke i treguar mëkatet e bëra dhe ëndrat mëkatare, me zë të ulët, si në kishë.
kur ngriheshin tallazet e tua, e ngrija dhe unë zërin, derisa/ bërtisja mbi shkëmbijtë nga frika se mos nuk më dëgjoje… a thua se kemi të bëjmë në rrëfimtore me ndonjë prift plak , që s’dëgjon mirë nga veshët.
4-Ne e duam detin, madje  dhe jemi edhe xhelozë për të.
Nëpër dimëra kontrolloja tërë gjirin për të mbledhur oktapodët/që flakje enkas, bashkë me leshtërikët dhe  patavrat….
Këto kontrolle të brigjeve më kujtuan fëmininë time. Isha mësuar ta shihja gjithmon të kaltër detin, dhe ashtu të kaltërt e të pastër, deri në tejdukshmëri, e quaja detin timin.
U tmerova një mëngjez dimri, kur pashë se  prurjet e lumit Bistrica e kishin  shndrruar ngjyrën e tij në të kaftë, dhe deti dukej gati si një baltovinë. Unë, asokohe  fëmijë, pa shkuar në klasën e parë, nuk dija gjë për prurjet e turbullta të lumit kur del nga shtrati (kur e trashe zullumin, thotë poeti) ndaj fillova të dënes, se më paskishin vjedhur detin tim të bukur e të pastër dhe ma paskëshin zvëndësuar me një palo det pisanjoz, si jevgjit e lagjes sime.(gjiri u skuq nga balta që tretej…) Ndaj fillova ta qëlloj me gurrë, që të largohej ky det pisanjoz e të kthehej deti im i bukur. E qëlloja me inat dhe me frikë, ashtu siç qëlloja  qenin e komshies, që të largohej nga porta e pallatit, ku do kaloja unë për  të hyrë në shtëpi.

Unë  dënesja…dua detin tim…dhe vëd me gurë. 

Një dallgë u përplas në shkëmb dhe më mbuloi me stërkala…dhe,…more Agim, atje paskëshe qënë ti dhe më ke parë, ndaj shkrove vargjet…Më mbuloje atëherë me shkumë/dhe lëpija kripën tënde/sëbashku me lotët…
Kështu shkova në shtëpi, me flokë, faqe  e rroba plot njelmësi kripe nga lotët dhe stërkalat dhe u struka në prehërin e nënës sime, me rënkimin …më vodhën detin.
Babai tundi kokën, nëna më përkëdhëli flokët ndërsa e qeshura e gjyshes u përplas te dy dhëmbët e parmë të nofullës së saj të poshtëme, si një dallgë që përplaset në shkëmbinj dhe mbriti te unë si stërkala.
Të nesërmen, pashë që deti im i kristaltë kishte ardhur përsëri në brigjet e mia dhe asgjëkundi s’dukej ai palo det i pistë. Me siguri, mendova, babai im ka vajtur, i ka zënë hajdutët nga veshi, u ka dhënë një dy shpulla të mira dhe pasi ua ka marrë detin tim, ma pruri mua përsëri. Unë ju gëzova detit dhe harova ta falnderoja babanë. Tani u kujtova more Agim, te kjo poezi.
5-…Isha mësuar me shijen e tyre, isha mësuar me hidhërimet/të cilat më dukej se kurrë  nuk do të më ndaheshin… thotë poeti dhe një rrudhë mu thellua në ballë.
Jo aqë për kujtimet mbi jetën e poetit, se sa për kujtimet e përgjithëshme që më solli ky varg, duke filluar që nga ëndrat tona kur shihnim dritat e Korfuzit përballë(Oqeanikët me dritat shumëkatëshe kalonin përballë/dhe nuk e ceknin tokën time, pëlhurat e velirave atje larg/I shtynte një erë tjetër/që mushkëritë e mia se kishin provuar), gjer te pamja makabre e zvaritjes përmbi valë të trupave të bashkëmoshatarëve tanë të vrarë në tentativë për aratisje, lidhur pas një motoskafi ushtarak, për të terrorizuar popullin, nga diktatura në ikje.
Por dëshira dhe ëndrra për aratisje kurrë nuk do fashitej, qoftë edhe nëpër fantazitë më të çmëndura, për ishuj lundrues (kujtoni qilimat fluturues), madje, ah sikur të shkëputej gjithë toka ku qe ndërtuar qyteti, me gjithë limanin, me gjithë shkollën dhe domosdo,  bashkë me  shkollën edhe oborrin e saj, mbuluar me pluhur qymyri të zi.
A thua u bë realitet një ëndër si kjo,vallë?
Një herë kur e trashe zullumin, pashë të vinte drejt meje/një copë e madhe toke me gjithë pemët,si një ishull lundrues.
Për ditë të tëra hypja në këtë ishull si një Robinson Kruzo i vogël…
Në disa komente që ju bënë  këtyre vargjeve në portalet e internetit, ka dhe shprehje dashamirëse, të llojit…më pëlqeu shumë…Sidomos Robinson Kruzoja dhe tretja e dherave…
E pra, mua më mbuloi dhimbja te këto vargje, sepse tej metaforës, pashë gjëra shumë të dhimbëshme, që unë e deti i dimë, që unë i di dhe deti i fsheh në thellësinë e tij.
 Dhe poeti  i rrëfen, sigurisht….
6-Por gjithsesi ishte bukur të jetoje në brigjet e Jonit…Në verë zhytesha në lëndinat e fund-Jonit dhe humbisja në/barin e gjelbër të poseidonas/i gudulisur nga valsi i lehtë i tyre/si valsi i grunjave në fusha…Pranë meje notonin peshq të ngathët e të verbër të thellësive( me siguri ju nuk e dini që  deti ka edhe peshq të verbër), të pamësuar me dritën, të rënë sa herë në rjeta dhe të gjuajtur/ me shqelma nga peshkatarët, sërish në ujë.(epo as për t’u skuqur nuk vlejnë këta peshq të vërbër, ndaj peshkatarët i flakin përsëri në det). Po ne, që kemi kaluar një jetë të verbuar nga një dritë e rremë ideologjie, kush na donte vallë?
Isha si i verbuar edhe unë nga një pluhur i dëndur drite…pohon poeti dhe nuk sqaron gjë. A mos vërtiteshim si peshq të verbër në “rrjetat” urbane të metropoleve europiane, ato ditë të ikjeve, të fillimviteve ’90? Prandaj ndoshta na flaknin nëpër kampe e stadiume dhe ne s’dinim e s’kuptonim pse? Kjo, ka ndodhur më vonë. Tjetër dritë e verboi poetin, që …si një brerore e padukëshme shpresash/që ngjitej nga thellësia e labirintheve të tua (detit).
Shaluar mbi një kal deti bridhja në hapësirat e çuditëshme të /ëndrave dhe ndjeja të më filtrohej trishtimi/ dhe të më avitej POEZIA….
Ne u rritëm me detin, ndaj u bëmë të bukur si deti, ndaj jemi shpirtmëdhenj si deti.
Ne nuk kemi frikë, ashtu siç nuk ka frikë deti…
Frikë nuk pata më se mos më dëgjonin të tjerët… dëshmon poeti rritjen e tij, ashtu siç rritet një dallgë në mes të detit. Madje u rritëm dhe flasim për të na dëgjuar të tjerët, sepse kemi vërtet diçka të veçantë për të thënë.

Kemi për t’ju folur për Artin Jonian

7-Në një kohë që folklori dhe letërsia e shkruar  kanë malin si një pikë referimi, orientimi dhe mbështetjeje, madje deri aty, sa edhe kur nuk përmëndin malin, hieja e tij zgjatet …mbi vargje, bota artistike e Artit Jonian  ka detin si hapësirën mbi të cilën fluturon si pulëbardhë, lundron si anie, noton apo  jeton si bregdetas apo detar.
-Nqse mali, fizikisht të kufizon  hapësirën e shikimit, edhe për shkak të relievit, deti përkundrazi, ta zgjeron këtë hapësirë shikimi, të mpreh bebëzat për të parë më larg, duke të forcuar në këtë mënyrë shikimin. (Rallë ndodh që detarët të vuajnë nga  miopia).
Dhe kjo hapësirë e pamatë,  nuk vonon të bëhet pjesë hapësinore e jetës, e botës shpirtërore të banorit të brigjeve dhe për pasojë, e ndjenjave dhe e shijeve të tij, duke e rritur njeriun jonian dhe botën e tij, duke e bërë më të bukur atë. U rita sa shtatë dete- shkruan poeti Lefter Çipa në një nga poezitë e tij.
-Deti të mba në kontakt me botën e përparuar europiane (oqeanikët me drita shumëkatëshe kalonin përballë), duke u bërë porta e botës për ne. Nga kjo portë kanë hyrë në jetën dhe kulturën tonë arti i fqinjëve dhe i atyre që kishin hyrë te fqinjët. Kontaktet fizike, shkëmbimet ekonomike dhe kulturore kanë shërbyer edhe në pasurimin dhe modernizimin e mjeteve dhe formave të shprehjes artistike. Në Artin Jonian mungojnë   “klithmat e britmat” zemërake e inatçore. Në Artin Jonian flitet vetëm me zemër, me shpirt,  me pëshpërimë, që mos ta dëgjojnë të tjerrët - thotë A.Mato. Ashtu siç flitet për dashurinë dhe në  çaste dashurie.
-Ne, banorët e brigjeve joniane, kemi marrë e kemi dhënë kulturë  me fqinjët, duke afruar botët shpirtërore të kombeve, duke ngritur dhe pasuruar formën e të shprehurit, zgjeruar  mënyrën e të konceptuarit dhe zbukuruar mënyrën e të jetuarit..
Kjo është arsyeja që në Artin Jonian, mungon  çfardolloj ndjenje nacionalizmi të sëmurë, urrejtjeje arkaike,  ndërsa përkundrazi i jep hapësirë e zhvillim modern  patriotizmit, në kuptimin e zhvillimit, përparimit dhe europianizimit të tdheut.
-Përkundër statizmit të malit, që imponon edhe një statizëm në jetë e për pasojë dhe në art, deti është  diçka e gjallë, në lëvizje të  përherëshme, jo vetëm me batica-zbatica, por edhe me rrymat detare dhe dallgët e valët, me botën bimore dhe ihtiologjinë  e tij, gjithnjë në lëvizje e zhvillim.  Kjo reflektohet  sa në  një mënyrë jetese aktive, po aq edhe në një art të gjallë, në zhvillim të përditshëm.
-Bregdeti jonian është edhe një hinterland i legjendave dhe i një qytetërimi antik, që nga zotat e tokës e të detit, zotat e nëntokës e sirenat e  detit, ullinjtë e qiparizat, kallamat e fyejt, shpellat e dokumentuara si vendbanime të njerëzve të  epokave të herëshme, emrat e vendbanimeve me kuptimet domethënëse të tyre etj. etj, të cilat, jo vetëm që janë  pjesë organike e formimit tone kulturor, duke e zgjeruar dhe pasuruar atë, por vijojnë të jenë pjesë e jetës sonë të përditëshme artistike, me ritet e tyre ( të modernizuara,  kristianizuara apo europianizuara) apo  me shprehitë e trasmentuara nëpër breza.
-Mënyra dhe forma e shprehjeve si dhe figuracioni në Artin Jonian është  i ndryshëm nga trevat e tjera të vendit, duke qënë plot ngjyra e reflekse ngjyrash, të botës mbi apo nën ujore, duke qënë gjithmon një formë shprehjeje  e gjallë,  në lëvizje, si dhe vetë deti. Shumë lehtë, kur lexon një poezi joniane të fanepsen në vetëdije dallget e valët, stërkalat e pulëbardhat, notarët apo polumbarët.
-Kjo është arsyeja që nëpër vargjet poetike të Artit Jonian gjen aqë shumë muzikë. Po të lexosh me vemëndje poezitë e Artit Jonian, nëpër zanoret e  fjalëve mund të dallosh lehtësisht notat e një muzike të lehtë, simfonike apo të një ligjërimi.
Ashtu si në një lodër valësh a dallgësh mund të dëgjosh një këngë sirenash.
-Në  Artin Jonian  ka vetëm ngrohtësi. Ngrohtësi në fjalë e vargje, në ndjenja e  në ngjyra, në mendime e në ngjyra. Aty s’ka  “dimër” dhe “ nuk bie dëborë”. Madje dhe zemërimi nuk rrokulliset si “ortek dëbore” por “përplaset si një dallgë” dhe, ajo që ka rëndësi… copëzohet në stërkala.
8-Diku kam lexuar se…për të kuptuar poetin, duhet të njohësh vendlindjen dhe fëmininë e tij. Kjo poezi, është vendlindja dhe fëminia e poetit, është  biografia dhe gjeografia e vendrritjes së tij.E shprehur shkurt, e gdhendur mjeshtërisht në vargje.
Pak a shumë edhe unë në fëmini, kisha lexuar e dëgjuar për bukurinë e  dëborës, kur bie dhe mbulon malet e fushat, pemët e shtëpitë. Por unë këtë bukuri e kisha nga fantasia e leximeve. Më duhej të jetoja disa vjet në malësitë e Kukësit, të kaloja disa dimra, me borë dhe akull, për ta njohur këtë bukuri që të magjeps, por edhe që të vret.
Por ne që jemi rritur në brigjet e Jonit, këtë poezi hymn apo simfoni për detin, e shohim si një …rrëfim fëmije, nxjerrë nga shpirti i tij. Ja lotët e poetit dhe stërkalat, shihe dhe ndjeje dhimbjen e tij, jo vetëm te vetmia robisoniane.Zgjate dorën nëpër vargje dhe do ndjesh peshqit që të shkasin mes gishtave. Ec me fundo nëpër funddeti, përmbi lëndinat e gjelbëra detare, ngrij kokën lart e do dallosh një dritë. Atëherë do ndjesh se …po rritesh. Atëherë do kuptosh se po bëhesh më i bukur, jo thjeshtë fizikisht.
 Kjo ndjenjë rritet te kjo poezi dhe të  vjen si një dallgë e ëmbël, plot stërkala dhe pulëbardha arti përmbi to.
Epo…ky është Arti Jonian.
Jo thjeshtë vargje në portal, por dallgë ndjenjash përmbi vargje.
Vazhdo Agim, me dallgën tjetër.
Se s’vjen batica  vetëm me një dallgë.

1 comment:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * magjitë e tërheqjes
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtëse
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    * magji llotarie
    * magji me fat
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    ReplyDelete