Friday 5 October 2012

Gjeli i komshiut






Rruga e lagjes sime

Sa e bukur është rruga e lagjes sime,
sa e bukur.Vetem
 të rinjtë i mungojnë. Djemtë që kanë mërguar.
Ndaj më ngjan si një det pa brigje,
ndaj më ngjan si një vajzë pa fat.

Si vajzat e vendlindjes sime  që mbeten pa martuar.

Vjeshtë e përdhunuar

S’e kuptuam kur erdhi vjeshta.Veç kur pamë
gjethet e rëna, si copëra fustani grisur me dhunë
dhe bajamen e vogël, që dridhej në erë
si një vajzë e përdhunuar.

Atëherë vumë re
se gjimnazistet  shkonin rrugës të menduara.
Një vajzë  po hipën në target

Vajzë e bukur, që si pulëbardhë a si ëndër Afërdite
Dole apo do zhytesh në thellësitë e detit ?

Kam ndrojtje të të afrohem.Lumturohem duke të parë.
Por kur shoh për ku je nisur, më vjen të ulërij.



Sofra  e shtëpive tona.




E varfër sofra jonë, një fetë bukë
lyer me dritë hëne
                              dhe rreth saj
një trumbë fëmijësh që çukisin përralla.


Shkojnë shpejt të flenë
                              të përqafojnë babanë emigrant
duke shaluar ëndrat, si një kal me flatra.


Eh, Shqipëria ime, Atdheu i refugjatëve.


Rikryqëzim.


Kryqin e Golgotës
                        kaq shumë e mbajta në shpinë
sa dhe vetë u shndrova në një kryq.

Eh, moj Shqipëri e kryqëzuar tek unë
Dhe unë mbeta i kryqëzuar te ty.

Po kush do na e ndezë qiririn vallë?
Apo do ringjallemi përsëri?


Në Krujë


Te kjo kala e lashtë, emra kapedanësh
                 derdhur në bronx a gdhendur në mermer
si trarë ku mbahet historia.


Shkruaj dhe unë emrin tim, në një gur bedene
të vogël, si fletë thirrje ushtrie.



Deti i hidhëruar


Qyteti i trishtuar, ulur në prag të shtëpive
dhe një hënë e dëshpëruar, që tenton të vetmbytet.

As sot s’erdhën djemtë nga kurbeti. As nesër s’vijnë.
Nga lotët e derdhur është hidhëruar deti.


Pothuaj e zakonëshme.

E sollën në arkivol nga kurbeti. Dhe kuja
si një thikë na godet në gjoks papushim.

Gjashtë jetimë. Dhe një vejushë. Dhe dy pleq.
Dhe heshtja jonë që pi duhan në dhomën e pritjes.


Edhe këtë vjeshtë….


…fushave të Vurgut,  plugu s’ra.
Heshtja leson dhimbjen.Dhe në muzg
Ferrat nxijnë mbi të si dregëza mbi plagë.


Ëndra që pashë mbrëmë


Mbrëmë pashë një ëndër të bukur shumë
Vetë Zotin pashë që foli shqip
-Të bëhet dritë- tha hijerëndë
E dorën zgjati mbi vendin tim.

Dhe u bë dritë…

Shteruan burimet e lotëve, e gëzimi
Si shatërvan shpërtheu në çdo zemër….

…..Mbrëmë
                    pashë një ëndër që më lumturoi të tërin

…Sa keq që ishte ëndër.




Gjeli i komshiut


Do ta vras gjelin e komshiut
                                              se më zgjoi
Porsa ti më erdhe në ëndër
Dhe nuk munda të të puth.
                                           Nuk munda të të flas.
Sa pa fat qënkam unë i ziu.
Dhë në ëndra qënkam i pa fat.

Do ta vras gjelin e komshiut
                                          Do ta vras!

No comments:

Post a Comment