Friday 5 October 2012

Të flasësh për “Artin Jonian”…




Të flasësh për “Artin Jonian”…
…në librin “Joni Poetik” të Fatmir Terziut Nga Timo Merkuri*




Në kohën kur ne, një grup relativisht i vogël krijuesisht sarandiotë nisëm të shkruanim e të  flisnim me njeri tjetrin për “Artin Jonian”, nuk e dinim se diku larg, ishte një mik i yni që po na dëgjonte me vëmëndje. Edhe sikur dikush të na e thoshte këtë gjë, ne përsëri nuk do ta besonim, sepse ne nuk flisnim për të na dëgjuar të tjerët. Ne flisnim për veten tonë, për shkrimet tona, për artin tonë.
-Ne nuk themelonim teori dhe shkolla, ne ishim dhe  jemi vetë nxënës që mësojmë, zbulojmë dhe pasqyrojmë artistikisht ditë  për ditë botën e madhe magjike të Artit Jonian.
Sepse, ta themi e ta dimë, nuk e krijuam ne Artin Jonian, ndonëse kemi folur me tingëllimën joniane, e ngjashme me  zhaurrimën e valëve në breg dhe e pa krahasueshme me asnjë tjetër në botë. 
-Ne nuk jemi deti Jon, ne jemi bijtë e tij të ritur pranë brigjeve jonike që ju mirëpresim edhe juve, miq të dashur, duke ju dëshmuar  bukurinë dhe shënjtërinë e viseve tona.
-Në këto vënde pra, ne një grup i vogël krijuesish, nisëm të flisnim për Artin Jonian, si për  një botë apo qytetërim arti që  nuk ishte pjellë e fantazisë sonë, por  llogjikisht dhe  detyrimisht ka egzistuar, sepse reliket  e saj rrezëllijnë aty këtu. Pak a shumë siç fliste me vete Ugolini për egzistencën e qytetit të Butrintit, para se ta zbulonte atë.
-Dhe ndoshta duhet të  theksojmë faktin se këto biseda nisën të shpeshtohen mes nesh,  pikërisht në kohën e pregatitjes për botim, pas një heshtjeje mbi 30 vjeçare, nga poeti Agim Mato, të librit të tij “Jashtë Eklispsit”. U shpeshtuan kur  poeti Andrea Zarballa formatoi librin e tij poetik “Mos e vështro fundin e detit” për tu ngritur me intensitet më të madh te projekt libri “Fundo” , përsëri i poetit Agim Mato. Dhe kjo ndodhi, sepse te këto vëllime poetike janë të mishëruar më së miri ato pretendime dhe mendime që kemi ne për Artin Jonian. Kjo ishte dhe arsyeja që,  një analizë të  librit poetik “Jashtë Eklipsit”  e bëmë pikërisht nga këndvështrimi që kemi ne për këtë  art. Po kështu projektonim që edhe librat e tjerë ti analizonim pikërisht nga ky këndvështrim.
Dhe nuk e dinim që, ndërkohë një mik i yni, diku larg, projektonte pistën teorike të idesë sonë.
- Ne, pra,  flisnim për vete dhe   një mik i largët, po na dëgjonte me vëmëndje.I mirte fjalët tona, vargjet tona, shkrimet dhe mendimet tona, shpesh herë pa lidhje me njeri tjetrin, i studionte me skrupulozitet dijetari dhe me to formatonte një mozaik teorik, aqë të bukur, sa që edhe ne habitemi me finesën e tij dhe mbi të gjitha, me bukurinë e madhështinë e një bote reale, që ne e kujtonim të copëzuar a të humbur.
Një mozaik të bukur, në formën e një libri  me emrin e magjishëm “Joni Poetik”, pjesë e të cilit është padyshin edhe artikulli i mrekullueshëm “Përse Joni Poetik”.
-Aty pamë të analizuara dhe argumentuara shkencërisht ato që ne pretendonim si  botë dhe hapësira të Artit Jonian.
-Aty pamë  të argumentuara  teorikisht, se teritoret e Artit Jonian nuk kufizohet në brigjet e detit Jon. Arti Jonian është si një oqean. Dhe oqeanet nuk dallohen nga brigjet që lagin, por nga hapësirat e pamata që mbulojnë. Dhe kufijtë shtetërorë e humbasin kuptimin e tyre nën këtë oqean. Por  ne gjithsesi e kemi fjalën për teritore dhe hapësira poetike dhe jo gjeografike.
-Aty pamë se nuk jemi vetëm ne, një grusht krijuesish saranditë  që flasim dhe shkruajmë  për Artin Jonian.  Ne jemi shumë, ndonëse fizikisht larg njeri tjetrit. Nuk jemi vetëm ne poetët sarandiotë, antarë të Klubit të Krijuesve Jonianë, por janë edhe këngëtarë , historianë, shkrimtarë e poetë  nga rrethe të ndryshme, të cilët kanë ardhur mes nesh edhe nëpërmjet analizave në këtë libër. Dhe unë do kërkoja lejen tuaj të shtoja dhe piktorët, skulptorët e muzikantët vlonjatë e sarndiotë dhe për tu bindur për këtë unë do tju ftoja të vizitonim sëbashku Ekspozitën e Artit këtu në Sarandë për të parë sa shumë dritë e kaltërsi, pra jetë dhe shpresë jete ka në ato krijime të botës joniane. Por edhe poetë grekë, qipriotë, italianë  etj, kanë emrin dhe veprën e tyre në këtë botë të Artit Jonian.
-Por ajo që ka më shumë rëndësi është  se ky libër i mikut tonë Fatmir Terziu na dha kurajon ta themi me zë të lartë faktin se ne, krijuesit saranditë, nuk ju njohim dhe nuk ju vlerësojmë juve, miq të nderuar, të pranishëm ose jo, nga ajo letra e ngjyrosur që quhet pasaportë. Ne ju njohim nga zemra juaj  e derdhur nëpër vargje e shkrime, dhe jinni ashtu siç e ndjejmë ne, sivëllezërit e simotrat tona.
Me këtë status ju kemi  ftuar në këtë Manifestim Poetik dhe në këtë promovim libri, ku
ju  urojmë “mirëseardhjen “ me dorë në zemër, për tju përcjellur me zemër në dorë. Me këtë status të shënjtëruar ju ka pritur Joni  dhe Saranda.                 
Është vërtet i shënjtë deti Jon dhe qyteti ynë.  Shikoni pak. Jo larg prej këtej, në ujrat e Jonit e ka patur selinë e tij Poseidoni. Pak më lart, te kodra ku është kalaja e Lëkurësit, ka qënë tempulli i Diellit dhe te ajo kodra aty përballë, ku tashmë janë ndërtuar pallate, aty pra ka qënë tempulli i Afërditës. Ato kodra në veriperëndim të qytetit janë të Hermesit , pak më tejë, në jug të qytetit kanë ecur  shënjtorë e profetë, që nga Shën Terini e Shën Spiridhoni e gjer te Abaz Aliu.
Dhe mbi të gjitha, ky qytet është dyzetë herë i shënjtëruar, dhe  ska pranuar asnjë emër tjetër për veten e vetë, emër që është përpjekur tja imponojë politika vendase apo ajo e pushtuesve.
Prandaj ju themi, miqtë e mi, që edhe po tju stërpiken flokët nga ndonjë stërkalë vale, mereni këtë si një ripagëzim në një vend të shenjtë.
Sepse edhe vetë Krishti, nga Gjon Pagëzori, me ujë u pagëzua, në lumin Jordan.
Mos vallë u zgjata shumë, se që skam dalur nga tema, këtë e di vetë.
Por unë, duke përfituar nga durimi dhe mirësia juaj, në emër të Klubit të Krijuesve Jonianë të qytetit të Sarandës, por dhe në emrin tim veçanërisht, do ta falnderoja z Fatmir Terziu për këtë dhuratë të bukur që  u bëri krijuesve të shoqatës sonë, dhuratë e cila realisht nuk është vetëm për ne, por është për të gjithë ju, miq të nderuar, për të gjithë lexuesit dhe krijuesit që duan të  jetojnë, të krijojnë dhe të njohin botën e madhe të Artit Jonian.
Faleminderit Fatmir Terziu.
Faleminderit të gjithë të pranishmëve.

* Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Joni Poetik” të Fatmir Terziut në Sarandë, më datën 23.06.2012  gjatë zhvillimit të Manifestimit Poetik “Trirema Jonike”.

No comments:

Post a Comment