Friday 5 October 2012

Jan Kukuzeli nuk ka kënduar ... labçe



JAN KUKUZELI NUK KA KËNDUAR… LABÇE


       Ka ca kohë që, në sferat e studiuesve të iso-polifonisë në veçanti dhe të këngës popullore në tërësi, studiues vendas dhe të huaj,kryesisht fqinjë tanë, po qarkullon një tezë, e bukur dhe mikluese në dukje, por që për mendimin tim, jo vetëm që nuk qëndron, por është  thjeshtë shtrëmbërim i së vërtetës, dhe si pasojë është e dëmëshme.
       Teza është  më sëe e pafajëshme në dukje:- Jan Kukuzeli nga Durrësi, korifeu i madh i  muzikollogjisë kishtare ortodokse, shënjt i kësaj kishe, ka luajtur një rol të madh në lindjen dhe zhvillimin e iso-polifonisë shqiptare, sepse e zhvilloi atë dhe në ceremonitë kishtare ortodokse si dhe bëri dhe studime për këtë iso, siç është studimi i tij me tëmën: – MBAJTJA ISO (SHOQËRIMI ME ISO): Mbajtje iso në 8 tinguj, ku disa kanë edhe emërtime karakteristike ( Shih Wikipedia,Enciklopedia e lirë)
       Unë nuk e kam lexuar këtë studim dhe nuk mund të flas për të, por para se të  vijoj më tejë, mendoj të bëj një prezantim të thjeshtë të Jan Kukuzelit  me disa lexues, që mund të mos kenë informacionin e duhur dhe këto të dhëna do ti mar nga Wikipedia, si burim i saktë dhe  ku kushdo mund ti këshillojë..
Shën Jan Kukuzeli ose Joan ishte një murg ortodoksë shqiptarë nga Durrësi. Shenjtor, himnograf, mjeshtër dhe teoricien i muzikës kishtare bizantine.
      Kisha Orthodhokse në mbarë botën e nderon këtë figurë si shenjtor të saj dhe kujtimin e tij e feston çdo 1 tetor
       Janë ngritur mjaft kore kishtare, që mbajnë emrin e tij. Edhe qytetarët durrsakë janë krenarë për këtë figurë duke e kujtuar kontributin e madh e të çmuar dhe duke i dhënë edhe emrin e tij, “Jan Kukuzeli”, Shkollës së Mesme Artistike së qytetit të Durrësit
       Joani, lindi në Durrës,, në shek. XII (sipas disa studiuesve) ose në fund shek. XIII (rreth 1270, sipas disa studiuesve të tjerë). I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël. .Ai u dallua për një zgjuarsi të rrallë, për zërin engjëllor dhe për aftësitë e mëdha muzikore.
Duket që, për shkak të atij zëri, e dërguan në Konstandinopojë për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak. Duke parë talentin e tij të madh dhe përparimin e habitshëm në muzikë, e emëruan drejtues të veprimtarive muzikore të kryeqytetit, duke i dhënë titullin Mjeshtër.Në shkollën imperiale të muzikës ai u bë menjëherë studenti më i dalluar, por veçmas në korin e oborrit perandorak, ku ai u shpall – mjeshtri – i saj”, thuhet në “vitën” e tij. Muzika luante një rol të veçantë në Konstandinopojë, kështu që Joani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit. Për zërin e tij të mahnitshëm e quajtën “zë engjëllor”.
       Kur ai këndonte atje, në kishën e Shën Sofisë, mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar dhe të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.
        Mbreti, ngaqë e donte shumë, donte që ta martonte me një vajzë të një fisniku. Djaloshi i ri vendosi të largohej fshehurazi. Kështu, i veshur si një bari i varfër, u largua dhe shkoi në Manastirin e Lavrës së Madhe në Malin Athos (Ágjion Óros ose Malin e Shenjtë). Atje kërkoi të pranohej në jetën murgjërore.
       Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari, me zë më të lartë se zakonisht. Por një asket (murg që banon në vetmi) që banonte aty pranë e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e këndimit dhe e melodisë, madje duke parë edhe kafshët që nuk kullotnin, por shijonin të magjepsura, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili  e thirri bariun dhe e detyroi të thonte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos ta dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.
Igumeni e urdhëroi që ta linte punën e bariut dhe të merrte drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Joani u bind.  Igumeni u nis për në Konstandinopojë për të takuar monarkun, që t’i kërkonte falje për Joanin. Monarku e urdhëroi igumenin që Joani të lihej i lirë dhe të vendoste vetë se çfarë do të bënte. Igumeni  u kthye në manastir dhe i dha lajmin e gëzuar Joanit. .
Ai vazhdoi jetën e tij asketike (të ushtrimit shpirtëror) më shumë se më parë. U vendos në një shtëpi dedikuar Kryeengjëjve të Shenjtë, pranë manastirit, duke praktikuar agjerimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe Hyjlindëses Mari, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare, që kanë lënë gjurmë të thella në traditën e krishterë orthodhokse.
       Tepër e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse duke e shpërblyer me një monedhë  floriri për himnet e tij të mrekullueshme, ku edhe sot në kishëzën për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit” (Kukuzélisa). E mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur iu afrua, Joani mblodhi të gjithë vëllezërit, iu kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku rrinte.
        Ndërroi jetë më 1 tetor.
       Joan Kukuzeli konsiderohet “burimi i dytë” i Muzikës Kishtare Bizantine, pas Joan Damaskinit.
Jemi në kohën kur kompozitori himnograf është zëvendësuar nga kompozitori që është njëkohësisht psalt (këndues). Është epoka e mjeshtërve të mëdhenj, përfaqësuesi më i shquar i të cilëve është vetë Kukuzeli. Në këtë periudhë, kjo muzikë arrin kulmin e artit të madh. Në të njëjtën kohë krijohen kompozimet e lira, me iso.
       Për kontributin e tij të veçantë, pse jo të jashtëzakonshëm në fushën e artit muzikor, të kishës ortodokse bizantine, Kukuzeli është shpallur nga kjo e fundit “Agjios” – i Shenjtë dhe gjithmonë sipas rregullave klerikale të Kishës Ortodokse, për çdo “të shenjtëruar”, përpilohet biografia apo “vita” siç thirret, e cila përmbledh në vargje tërë jetën dhe të dhënat biografike të njeriut të shenjtëruar.
       “Vita” më e hershme, që është gjendur për këtë gjeni, është ajo që ruhet në Kodikun 46, të Manastirit të Vatapodhit-Halqidhiqi, Selanik, e cila është shkruar në vitin 1550.



       U zgjata jo pa qëllim në biografinë e Jan Kukuezelit, e cila në fakt, është një biografi që na nderon të gjithë shqiptarëve, kudo që jemi. Dhe krenohemi, kur faktin e origjinës së tij shqiptare e gjejme të shkruar dhe në Enciklopedinë e Madhe Angleze.
       Por ama, pikërisht leximi i këtij jetëshkrimi të Jan Kukuzelit të shtyn në disa mendime dhe konkretisht;
     1-Jan Kukuzeli, fëmininë e kaloi në Durrës, por ama Durrësi është  pak larg trevave ku këndohej …labçe. Jo vetëm kaqë, por Durrësi ishte një qytet aristokratik dhe  europian dhe nuk kishte si “shtyllë” kulture iso-polifoninë. Atëherë, ku e mësoi në Durrës  iso-polifoninë Jan Kukuzeli, që më pas ta ngrinte në nivele të larta shkencore etj etj? Se të thuash që e mësoi iso-polifoninë në Kostandinopojë… ku hante kuku-zele, prej nga rjedh dhe mbiemri i tij, i ngjitur nga shokët dhe i mbajtur prej tij (siç na dëshmohet te “vita”, jeta e shënjtorit Jan Kukuzeli në Malin e Shënjtë), pra ta ketë mësuar iso-polifoninë në Kostandinopojë, premisat janë shumë të pakta, për mos të thënë aspak. E pra, iso-polifonia, ose mësohet në fëmini ose s’mësohet dot më.
       2-Gjatë kohës së qëndrimit në shkollë apo më Malin Atos, përsëri nuk mund të mësonte iso-polifoninë dhe ca më tepër ta praktikonte , për arsyen e thjeshtë se  në të dy këto vënde ishte i rethuar në ambiente fetare, ku kënga e vetme që lejohej  ishte hymni  ose liturgjia fetare.
Jam plotësisht dakort,,  që talenti i tij do shpërthente, aqë sa ta shënjtëronte këtë liturgji apo hymn fetar, por ama brenda kornizës… fetare të hymnit apo liturgjisë ortodokse.
       3-Po ç’janë atëherë ato studime për ison dhe tetë mënyrat e mbajtjes së iso-s që ka studiuar ai?
Unë ju thashë që, personalisht nuk kam mundur ti studioj për shumë arsye, por përsëri tërheq vëmëndjen e lexuesit te  liturgjia ortodokse ( të cilën e kam dëgjuar dhe e dëgjoj në kisha të ndryshme) ku zëri i psalltit është një zë i trashë, si i shoqëruar me iso, ku dhe vërtet mbanë një tip iso-je dhe shoqëruesit e tij. Mendoj se këtë lloj iso-je shoqëruese ka studiuar Kukuzeli dhe i ka hedhur në “pentagramin” kukuzelian. Sepse edhe në shërbesat fetare, zëri i psaltit dhe i shoqëruesve të tij, është i ndryshëm nëpër ceremoni të ndryshme. Ndryshe është  psaltja  në ceremoni të ndryshme si lindje, pagëzim, martesë, vdekje, pashkë e madhe  apo ringjallje dhe po ndryshe është dhe interpretimi i shoqëruesve të   psaltit.
Por studimi i këtyre zërave,sado me mjeshtëri të jetë bërë, nuk ka as më të voglin ndikim te iso-ja e iso-polifonisë, sepse është  e ndryshme  shërbesa fetare dhe liturgjitë e hymnet fetare dhe krejt tjetër është të kënduarit iso-polifonik.
       4-Hymnografia dhe liturgjia ortodokse është shumë më e herëshme se shekulli kur jetoi Jam Kukuzeli. Ai i gjeti ato, fillimisht në kishat e Durrësit dhe më pas në Kostandinopojë. Talenti dhe besimi  te zoti i tij, i ngriti në maja, i shënjtëroi.Ai gjeti një liturgji të ashpër dhe e bëri fine, zërat shoqërues të psaltit, iso-n, e përshtati sipas llojit të ceremonisë, duke e zhveshur nga ashpërsia e shekujve.Kjo është arsyeja që  ai u shënjtërua. Edhe sot në kishat tona, një zë melodioz i psaltit, të mallëngjen.
Jan Kukuzeli kishte një zë të ëmbël, që po të jetonte sot do pushtonte skenat e botës  me zërin e tij melodioz. Por ja që ai jetoi në shekullin e XIII dhe pushtoi …kishën e Shën Sofisë dhe zemrat e besimtarëve ortodoksë.
       Se mos e çoi e jëma në Romë apo Paris, dhe kishim për të parë se ç’tenor me famë do bëhej.
        5-Jan Kukuzeli jetoi në shekullin e XIII…
      E, po atëherë iso-polifonia…ishte formuar. Duke mbajtur teorinë e origjinës së iso-polifonisë nga ceremonitë mortore, iso-n e këngëve nuk e shpiku Jan Kukuzeli dhe as e zhvilloi më tejë atë. Iso-ja kishte shekuj e shekuj që kishte lindur, ritej e “zbukurohej” nga një shekull në tjetrin dhe nga një krahinë në tjetrën. Jan Kukuzeli u muar me  atë që e quajmë iso te psalmet dhe liturgjitë, por jo te kënga.
6-Dhe ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se  kënga iso-polifonike nuk është këngë e  “ambienteve të mbyllura” si kishat dhe manastiret. Bile besimi ortodoks nuk lejon që të këndohet …labçe(Me iso) pranë këtyre institucioneve, aqë më tepër që pranë tyre janë dhe varrezat e komuniteteve ose varre të vetmuara.
Kënga iso-poilifonike do një ambient të hapur, si pranë rrapit të fshatit, dhe një ambient të gëzueshëm, si psh dasmat dhe jo zymtësinë e priftërinjve dhe të mureve të kishave, plot me blozë,  nga tymi i thimjamit dhe qiririt.
       7-Pra konkludojmë, siç e kemi theksuar dhe në studimet tona të mëparëshme, se  iso-ja ka lindur para se të lindte krishtërimii. Qenë priftërinjtë ata që e morën iso-n nga vaji dhe nga kënga dhe e vunë te liturgjia, duke shfrytëzuar botën emocionale të saj.,për të ritur devotshmërinë ndaj …zotit, dhe jo e kundërta.
Pra, Jan Kukuzeli, gjeni i kombit tim, shënjtor  i ortodoksisë, emër që i bën nder vendit tim me gjeninë e tij…nuk ka kënduar …labçe. Duke nënkuptuar me këtë se nuk është ai  autori i iso-polifonisë, nuk është ai zhvillues i saj dhe as nbështetës i saj.
       Ai është gjeni në …liturgjinë dhe në himnografinë  kishtare, por jo në iso-polifoni.

       Arsyeja që më detyroi të merësha me këtë shkrim është fakti se duke  ja veshur Jan Kukuzelit meritën e lindjes, zhvillit dhe përparimit të iso-polifonisë bëhen disa shtrëmbërime të së vërtetës, që të çojnë në konkluzione të gabuara dhe ,pse , edhe të dëmëshme dhe konkretisht:
       -Duke ja veshur Jan Kukuzelit që jetoi në shekullin e XIII këtë autorësi, pa dashje zvogëlojmë “moshën” e iso-polifonisë.
       -E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut individual ose së paku, vepër e një grupi priftërinjsh, në një kohë që ajo është vepër e gjithë kombit.
    -E quajmë iso-polifoninë vepër dhe kontribut, vetëm i ortodoksëve, kur edhe në krahina  të myslimanizuara të vendit tonë,iso-polifonia ka qënë edhe është…pjesë e “genit” tonë të identitetit kombëtar.
       -E quajmë iso-polifoninë vepër e …popujve ortodoksë, por ortodoksë  nuk janë vetëm shqiptarët, pra humbet kështu  karakteri kombëtar i kësaj vlere të madhe.
Dhe për këtë ,përdoret kontributi fetar i një bashkëkombasi tonë, emir dhe lavdia e të cilit për kontributin e dhënë  i ka kaluar që në gjallje të tij kufitë e mirënjohjes së thjeshtë ballkanase, duke u shndruar në një shënjtor të besimit ortodoks..

       E megjithatë, unë ju  them se ai…  Jan Kukuzeli, nuk ka kënduar…labçe

No comments:

Post a Comment