Friday 5 October 2012

Mbeçë more shokë mbeçë ...te isoja



MBEÇË MORE SHOKË MBEÇË...TE ISOJA

Sprove
       Nuk e di pse m’u kujtua kënga e Urrës së Qabesë. Kjo këngë është monumentale edhe  si tekst , pa le më  të keshë fatin ta dëgjosh të kënduar nga  Këngëtari i Madh Demir Zyko. Edhe kur të jeshë larguar a të jeshë duke ikur  në punën tënde diku larg Skraparit, është tepër normale  të këndosh me vetë;-Mbeçë more shokë, mbeçë… dhe ta dredhësh zërin te  iso-ja klithmë e tij me atë ;o i  i  i  i  i  i  i -të patjetërsueshmë.
      E patjetrësueshme është edhe kjo këngë,ose së paku kështu kujtoja edhe unë gjer më dje.
       Dhe jo më kot them gjer më dje.Pikërisht dje ndërsa  diskutoja më mikun tim B.M.për këtë këngë dhe citova si rastësisht një këngë të përafërt me të të fshatit tim,këngë të cilën e kam botuar te libri me përmbledhje ‘’Iso, more djema’’,Bardhi më befasoi kur më tregoi se në vitin 1971 gjyshja e tij i kishte dhënë një variant  tjetër të kësaj kënge,dhe që çuditërisht në zonën e tij të Çamërisë  këndohej me nota pak a shumë të përafërta me melodine e Skraparit.
        Duke qënë se më befasoi ky fakt, e shkruajta këngën sipas variantit çam dhe për efekte krahasimi po ua jap të tre variantet.
       a-Varianti i njohur; 
Mbeçë more shokë mbeçë/Përtej urrës së Qabesë
Të fala mi bëj nënesë/Të dy qet’ e zez t’i shesë
T’i japë nigja së resë
Në pyetë nëna për mua/I thoni që u martua
Në pyettë se ç’nuse mori/Tri plumba për kraharori
Në pyet se ç’krushq i vanë/Sorrat e korbat ta hanë
Në pyettë se në ç’kal hypi/Atje tek hypën meiti.
 Kjo është kënga e famëshme e njohur , e kënduar dhe e propoganduar,me të drejtë, si një perlë e muzikës popullore.Por ja që miku im  B.M. me dha një variant jo më pak pikant të cilin po jua citoj     
      b-Varianti çam;  
Mbeçë more shokë mbeçë/Përtej urrës së Qabesë
Të fala m’i bëj nënesë /Të dy qet e zez ti shesë
Ti japë nigja së resë
Në pyetë nëna për mua/I thoni që u martua
Në pyet çil mori grua/Një astrit një pikalua
Në pyetë ç’këmishe veshi/Një këmish e të pa mëngë
Në pyetë në ç’kal hypi/Në një kal të pa këmbë
Në pyettë ç’krushq i vanë/Mjaltin grerëzat e hanë.
         Po të shikosh të dy  variantet,veç idesë së përgjithëshme të përbashkët,kanë të përbashkët edhe shtatë vargjet e para.Vargjet e tjera në pjesën e parë,aty ku është pyetja e nënës janë pothuaj identikë,po të përjashtojmë dialektizmat ( çilë) dhe një pyetje tjetër për këmishën e dhëndërisë që veshi.Ndryshimi  konsiston vetëm te përgjigjet ku në variantin e njohur përgjigjet janë  të drejtpërdrejta si psh ‘’Tre plumba për kraharori’’,’’Atje tek hypën meiti’’,’’Sorrat e korbat t’a hanë’’.Këto përgjigje të godasin si tokmak në kokë.Kështu e kanë goditur të ‘’zezën nënë’’ dhe unë nuk e di a i ka duruar dot zemra e saj.
           Te varianti çam përgjigjet janë më fine,duan ta mbulojnë gjer në fund gjëmën që ka ndodhur.Asgjëkundi s’përmëndet plumbi,sorrat e korbat dhe ca më pak meiti.Përkundrazi,përgjigjet janë plot ngjyra si psh;Morri grua-një astrit një pikalua,Veshi një këmishë pa mëngë(s’përmëndet fare  fjala qefin),dhëndëri hipi në një kal pa këmbë dhe krushqit,o për krushqit rezervon diçka më të ëmbël si vetë rinia e djalit kur thotë;-Mjaltin grerëzat e hanë.
           Unë nuk e di cili variant është më i hershëm,varianti çam plot finesë dhe elegancë, apo varianti i Skraparit,që ndonëse përpiqet të  ruajë finesën,këtë objektiv nuk e arin dot, se që te vargu i  nëntë ta jep me ‘’tre plumba kraharori’’.
           Por ajo që më bën përshtypje, është vargu i  pestë  ku ndonëse  djali është  duke ‘’mbetur përtej urrës së Qabesë’’ a më saktë,përtej urrës së kësaj jete,ai përsëri i dërgon lajm nënës së tij që, të shesë qetë e zez dhe ‘’ti japë nigja së resë’’,dmth nuses së tij ti japë pjesë  në pasuri,të mos e lejë rrugëve pa mjete jetese,se boll e la ai të ve.
      Unë nuk e di në se ndonjëri nga ju do ti përmbajë dot lotët te ky varg,se unë për vehte dridhem i tëri kur e dëgjoj apo e lexoj.
          Krejt ndryshe është varianti i Pilurit,më poetik,më bregdetar,më qiellor.
          Dhe për të filluar ,dhe për të vijuar,të vijnë vargjet si dallgë deti dhe të godasin drejt e në gjoks;
      c-varianti i  kënduar në Pilur;
-O ju zogj që veni e vini/Këtë letër të ma shpini
T’ja shpini të mjerës mëmë/Të më qaj hënë më hënë
T’ja shpini të mjerës motër/Të më qaj kodër më kodër
T’ja shpini të mjerës grua/Të më qaj krua më krua
Dhe në pëjettë për mua/I thoni që u martua
Në pëjettë ç’krushq i vanë /Sorrat e korbat t’a hanë.
    Që në pamje të parë duket se ky variant është më i ri,qoftë edhe për elegancën dhe rjedhshmërinë e vargjeve qoftë edhe për strukturën e vetë këngës apo më saktë vajit.
        Këtu autori u drejtohet zogjve si rëndom në këngët e bregdetit(Ju të bukur zogj/Te ju kam një shpres/Ju që shkoni det e male/Dua t’ju pëjes e mjera /Dua t’ju pëjes  -thotë autori te Vajz e Valëve).Këtu zogjtë do të shpien një letër te nëna e motra që ta qajnë hënë më hënë e kodër më kodër.Dhe pas këtyre do shkojë te gruaja, që ta qajë dhe ajo,por këtë herë  krua më krua.Çuditërisht në këtë rast vjen apo ndillet vaji  para lajmit.Dhe mandata i jipet vetëm gruas.Ajo e di se ç’duhet bërë në këto raste.
      Klisheja e dhënies së mandatës është e njëjtë –I thoni që u martua- dhe vetëm një pyetje përgjigje ka dhe vetëm për krushqit.Për të tjera s’ka nevojë.
      Por ajo që vlen të shikohet me përparësi  është fakti se kjo këngë ose më saktë varianti çam këndohet pothuaj njësoj me variantin e Skraparit,me ato iso si klithma të stërgjatura të një dhimbjeje të madhe.Kjo afërsi e iso-s ,kjo ngjashmëri e saj në këto dy krahina,me kontakte jo aqë të dëndura mes tyre,vlen për tu studiuar nga muzikologët dhe etnomuzikologët .Nuk është e rastësishme ngjashmëria dhe afëria mes tyre.
       Dhe jo vetëm në këtë këngë.Ju rikujtoj se edhe ‘’Kënga e Çelo Mezanit’’ iso-n e ka pothuaj të përafërt me iso-n e Skraparit,në një kohë që këndohet në treva të iso-s labçe si në Vlorë etj.
       Do të ishte normale që iso-ja çame e banorëve të rrethinave të Vlorës ose të Shqipërisë së Mesme  të shkrihej në iso-n labçe ose t’i  përafrohej sado pak asaj,sepse ajo,iso-ja labçe, e rethon ngado,ose më saktë ajo,iso-ja came, ka depërtuar mes saj,  ashtu si lumi që  derdhet në det  dhe natyrshëm bëhet pjesë përbërëse e detit në ngjyrë,shije e dallgëzime.
        Por kjo s’ka ndodhur me iso-n çame e cila edhe në këto treva ,larg vendorigjinës së saj vijon të na japë perla të muzikës karakteristike popullore duke ruajtur profilin e vetë.Duke ruajtur atë iso si klithmë të stërgjatur të një dhimbjeje njerëzore përballë iso-s të  grupit dhe të shtruar labe.
        Ne përmëndëm  iso-n e çamëve të vendosur në rrethinat e Vlorës,e cila ka ruajtur profilin e saj,por kënga e sipërcituar e Urrës së Qabesë është  kënduar në zonën e Konispolit dhe ky variant është marë për studim në këtë shkrim.
        E pra,zona e Konispolit dhe e Skraparit janë ku e ku larg njera tjetrës dhe mund të themi, edhe me kontakte tejet të kufizuara.Çështë ky fill magjik që i bashkon këto dy krahina të cilat edhe gjeografikisht s’janë  kufitarë me njeri tjetrin.
        Do të ishte më e pranueshme që iso-ja çame të ishte e ngjashme apo e përafërt me iso-n e labërisë apo të Himarës për disa arsye dhe pikërisht;
        -Kanë qënë e janë treva kufitare
        -Bile kanë bërë pjesë në të njëjtin pashallëk,atë të Janinës,gjë që ka  ritur kontaktet e tyre si në kohë paqeje ashtu dhe në kohë lufte.
        -Kanë  bashkëluftuar kundër të njëjtit armik në të njëjtat beteja  duke u dhënë kështu edhe temat e njëjta të këngëve.
         -Nuk kanë munguar edhe lidhjet e  martesore  e miqësite e herëshme.
         Pra nga çdo anë që ta marësh,llogjika të shpie se duhej të kishte përafëri apo përngjashmëri melodike te iso-ja.
         Por përkundrazi, këtu ndahen  në mënyrë të dukëshme,thua se secila palë ruan me fanatizëm veçoritë e saj sikur duan të dallohen nga njeri tjetri sa më shumë. Dhe ajo që të bën përshtypje është se iso-ja çame tenton gjithnjë e më shumë t’i afrohet iso-s së Skraparit.Bile më tepër iso-s së Skraparit se sa iso-s përmetare.
    
        Krejt ndryshe është  muzika që shoqëron  këngën e mësipërme në variantin e Pilurit .
     Varianti pilurjot këndohet me melodinë e njohur me  emërtimin ‘’labçe’’,pa specifika të dukëshme të cilat të jenë objekt studimi i veçantë.(Them pa specifika të veçanta për ne që e njohim këngën ‘’labçe’’ dhe e kemi tepër të zakonëshme iso-n e saj,se për ata që nuk e njohin duhet të theksojmë se  dhimbja kullon  në çdo notë muzikore të iso-s në të tre variantet).Por varianti pilurjot nuk ka ndonjë përjashtim nga këngët e tjera me temë të njëjtë të kënduar në Pilur ose nga pilurjotët.Kjo edhe për faktin se kur ka dalur kjo këngë në Pilur,nuk ishte krijuar  varianti i të kënduarit ‘’himarjotëshe’’ nga Neço Muko dhe ca më pak të qe krijuar varianti pilurjot i të kënduarit.Pra në Pilur u këndua dhe erdhi gjer te ne me variantin e kohës së krijimit.Dhe koha e krijimit daton  disa shekuj para.
       Nuk dimë se cili variant është më i vjetri,varianti çam,pilurjot apo i Skraparit.
       Por mendojmë se gjithsesi varianti pilurjot është më i ri se dy të parët edhe për faktin se struktura e këngës është  tejet e ndryshmë nga dy variantet e  cituara.
       Ky konkluzion nuk i humbet asnjë vlerë këtij varianti,  si motërzim i varianteve  të tjera.Motërzimi është  shtrati ku eci kënga popullore për të aritur gjer te ne nga thellësitë e shekujve.Është meritë e këngëtarit pilurjot që dhe këtë këngë-perlë e ‘’pashaportizoi’’ si banore të fshatit të tij dhe ndryshe nga dy rastet e mësipërme i dha frymën pilurjote shpirtit të saj.
       Por ajo që duhet parë në këtë  treshe  eshtë gjeografia e kësaj këngë e cila shtrihet nga Skrapari,zbret në Çamëri për tu ngjitur në Pilur të rrethit të Vlorës, duke krijuar kështu një trekëndësh vigan,brenda të cilit u aritën kulmet e iso-polifonisë shqiptare.
       Këtu,brenda këtij trekëndëshi,po të kërkosh,mund të gjeshë miniera të tëra me ar e argjënd iso-polifonik.

No comments:

Post a Comment