Monday 22 October 2012

ODISE KOTE - QORTIMI I NJË SHEKULLI SHQIPTAR NË POEZINË QYTETARE TË TIMO MËRKURIT



 QORTIMI I NJË SHEKULLI SHQIPTAR NË POEZINË
QYTETARE TË TIMO MËRKURIT
 Poezi të zgjedhura nga Timo Mërkuri



ODISE KOTE

I kam lexuar për vite me rradhë poezitë e Timo Mërkurit. Librat e tij qëndrojnë në një kënd të veçantë të bibliotekës time. Janë aty jo thjesht për mjeshtërinë apo vargun e skalitur, por për risitë, prurjet e sidomos studimet befasuese në lëmi të kritikës folklorike (po e quaj kështu në vend të togfjalëshit studime folklorike) pasi besoj se kemi të bëjmë me një fenomen më të ndërlikuar letrar. Termin Fenomen Letrar, po e përdor për të spjeguar sado pak që e lejon rasti, pusin e thellë ku mbushen kovat me ujë të freskët e të ftohtë të artit poetik e studimor që ofron T.Mërkuri.
E kam pyetur disa herë veten se përse ky njeri që jeton në një trevë plot diell, këngë, det, horizonte e perëndime të zhytura magjishëm në ujra, në pasuritë e paimagjinueshme historike e arkitekturore, në poezitë e vëllimeve të botuara ka veç dhimbje, brengë, trishtim, e përgjigjen e kam gjetur disi tek një poezi, ndër më të bukurat e vëllimeve:

“Liria më goditi si tokmak në kokë,
E më la në mëdyshje më keq se diktatura... »

Nga kjo pyetje më ndërmendet Pablo Pikaso me pikturën kushtuar mikut të tij të vetëvrarë, Kalxhemos, që portretin e tij ashtu dhe diellin e pikturoi me nga një vrimë plumbi. Anatomia e lotit ose si më pëlqen ta quaj, gjithë analiza spektrale e lotit të Timo Mërkurit nuk është gjë tjetër veç: Qortimi poetik i një shekulli shqiptar.
Qortim poetik për punët e pakryera të shqiptarëve gjatë një shekulli, dashuritë e pamundura, liritë e pakonsumuara, humbjen fatale të kohës, ikjen prej dritës, fjalës së panxënë, ashtu si thotë imzot Fan Noli,
A nuk ka bërë kësisoj dhe Konica, Fishta, Migjeni ?
Brenga përballë dritës, loti përballë diellit, varfëria përballë detit e pasurisë.
Ç’ballafaqim artistik më domethënës do të spjegojë qortimet e një shekulli në psikikën shqiptare ?
Zakonisht në botë gjendet dy arketipe të formimit artistik: poetë qytetarë dhe të vetëmjaftueshëm. Poetët e vetëmjaftueshëm janë ata që mjaftohen me përkryerjen më së miri të vargjeve.
Poetët qytetarë janë një racë më e rrallë, por me një spektër veprimi intelektual e shoqëror mjaft të gjerë. Ata janë të angazhuar si të thuash krahas artit, edhe si qytetarë, opinionistë, patriotë e deri liderë shpirtërorë të popujve.
I përmenda këto dy veçori, pasi Timo Mërkuri na ka dëshmuar se i përket kësaj race me poezitë e zgjedhura të vëllimit “Anatomia e lotit”.
Disa konkretizime:
U kujtuam se kishim haruar të qeshim...
Këtu dhimbja ka një emër fëmije,
E vdekja ka emrin shtet.
Përkujtimoret ndanë rrugëve,
Si qirinj të ndezur në varrezë...
Kjo shtëpi rrefugjati, si një pikë loti nën qepallë...
Kostandini shekullit xx që shkon të kthejë motrën nga trotuari prostitutave
Plakat e vurgut që u janë shterur lotët
Shkrimi ungjillit të dashurisë
Portokallet e prera në muzg, si kryqe mbi varre...
Pranvera nuk erdhi
Fshati që vdes nga zbrazëtia e djepeve.
Ode për këtë liri.(poezia më e bukur)
Polina e vogël - mbesa që s’është më.
Kur vjen prilli përgjakur.
Kol Mërkuri, legjenda e fislt.
Kam vërrejtur me kujdes se në poezinë, por dhe në studimet e Timo Mërkurit, femijëria ashtu si tek të gjithë poetët e vërtetë, ka një ndikim përcaktues, me fuqi gati gati biblike. Bregdeti jugut, ashpërsia e malit, varfëria, deti, netët e yjeve ëndërrimtarë, folku brilant, gjëagjëzat, bëmat e bregasve, përrallat, ndodhitë e kurbetit, ndarjet, shamia e pritjes, varret, ullinjtë, të gjitha këto mbeten të shtresëzuara thellë vetëdijes së tij artistike. Një pasuri bazike për vepra letrare.
Ky shtresëzim bën që poezia e tij të burojë nga brenda, nga brenda kërcellit të jetës, brenda fenomenit e kohës, brenda bestytnive e ritit, prej të folmes e ligjërimit bregas, e mbi të gjitha prej fabulave dhe etydeve që bujarisht i ofron pasuria burimore e këngëve e vajeve të zonës. Të ngjan se nga magma e padukshme e magjisë bregase, vullkanike dhe e përhershme si Vezuvi, Timo Mërkuri, me simbolin Dhimbje - na ka falur të gjithëve , pak zjarr. Që të ndriçohemi !
Pa qënë poet, por thjesht bregas, vetiu mendja të punon në mënyrë artistike. Kjo gjurmë e fortë, më e forta nga çdo trazim tjetër në jetë e që nuk shlyhet kurrë, e mbetur në cipën e trurit, në kujtesë, në trajta nga më të çuditshmet e të stërholluara, është gjurma fatale.Gjurma fatale e fantazisë, e të menduarit në mënyrë artistike, e thrillerit, e ligjërimit dhe rrëfimit gati magjik. Kjo është gjurma që i duhet një artisti. Dhe i mjafton për gjithë jetën. Ashtu si i mjaftoi Liqeri, Lasgush Poradecit.
Timo Mërkuri është rasti klasik i simbiozës së fatit të poetit me vendlindjen, sikundër ka shumë e shumë shembuj nga letërsia botërore që e ilustrojnë këtë fakt.
Bregdeti jugut, është për Timo Mërkurin jo thjesht vendlindje, por mbi të gjitha e tërësisht teatri ku lëvizin ëndrrat, gjuha, fantazia, çapkënllëqet, zakonet e thyerja e tyre,veset por dhe vyrtytet, vargjet brilante, thukat hidh e prit, humori, tradita e rënia e saj, piratët e detit, kapedanët, hajdutëritë dhe fshehjet, plakat e nuset e reja, vjetërimi dhe cuditë që sjellin studentët nga perëndimi, ndërgjegjia e nënndërgjegjia, fati dhe pandehma, paragjykimi dhe zilia, krushqitë dhe dashuritë e pamundura, ikjet dhe kurbetet, anijet dhe luftërat. vdekjet e kafetë, komentet mbi politikën dhe bujaria, pra është krejt bota.
Bregdeti jugut, është toka, magjia e çuditshme, që me bujari të ofron nga të gjitha anët e drejtimet mijëra shtigje për fantazinë. Të ofron ngjarje, këngë, bejte, histori të parrëfyera kërrkund, sjellje aristokrate, pandehma e fantazma, intriga të vockla kunatash, pësime e brerje ndërgjegjesh, në mëngjes kryqin e në aksham kuranin.
Një copë toke që laget nga deti, shkëmb e pak fushë, plot mistere, me njerëz gjysmë të mençur, gjysmë të marrë, të dehur nga aventurat, e ndoshta prej kësaj, ose pikërisht këtu, është i ndërkallur sekreti i të gjithë atyre që përfitojnë, i të gjithë atyre që e duan botën e aventurës e të shkrimeve.
Përpos kësaj Gjurme Fatale, bregdeti i jugut i dha Timo Mërkurit edhe një sens të çmuar ç’glorifikues, dimension i lakmuar për një art të vërtetë, që rrallë ta japin vendlindjet.
Në letërsinë botërore, shumica e shkrimtarëve kur shkruajnë për vendlindjen apo per  të afërmit, kanë një qëndrim glorifikues. Në të kundërt të saj, po dhe të kushtrimeve që vijnë nga shtresëzimi asimilues i gjithë pasurisë burimore bregase, në kontakt e angazhim qytetar, poezitë e Timos sikur marin një vel e psikikë tërësisht kombëtare, qortuese, me ngjyrime mbresëlënëse e që dallojnë nga cdo gjë tjetër e kudogjendshme, shkruar si tekst poezie.
Sot në botën e qytetëruar Koncepti Kohë është i barazvlerësuar me Konceptin Liri. Me lirinë intelektuale, lirinë krijuese, por dhe me lirinë e një populli. T’i marrësh kohën një populli, një brezi apo një individi, kohën e duhur për të realizuar ëndrrën, aspiratën e tij, në të vërtetë nuk ke bërë gjë tjetër vecse i ke marrë lirinë e tij.
Në këtë kontekst, të merresh e lexosh poezitë e T.Mërkurit nuk është humbje kohe, përkundrazi është përfitim, është depërtim në rrugën e duhur, drejt e në thellësi të lirisë qytetare.
Po leximi poezive të T.Mërkurit kërkon lexues të sprovuar, kohë të përshtatshme e mendje të kthjellët, pasi struktura e poezive është komplekse dhe e ndërlikuar. Duhet kuptuar gjuha e kodeve e simboleve të përdorura, pasi herë përdoret metafora, herë paralelet metaforike, shpesh etydi, enumeracioni detajeve, fabula, një copë meditimi lënë kinse në mes për të rritur fuqinë asosiative, skica e mprehtë, sentenca, fjala e urtë, gjëagjëza, ritmi këngëzues etj, që të altemuara sipas modelit të përzgjedhur sjellin fuqi të freskët perceptimi e ndijimesh gati natyrale.
Shumë prej poezive, që janë dhe vizatime apo skica letrare të holla, shërbejnë edhe si një lloj date-base poetik për vende, ngjarje, data historike, ndodhi qytetare, kalendare iluminizmi e idesh rilindase. Kjo është një tjetër vlerë e librit.
Thuhet shpesh se fjalët fluturojnë kur nuk kanë peshë, kur nuk thonë asgjë. Ndryshe ndodh me mjaft prej poezive të vëllimit. Ato mbeten dhe si proverba, dhe si fjalë e këshilla të urta dhe si porosi, mesazhe e kumte. E gjitha kjo duket si një dukuri e kultit të konseguencës, por nuk është kështu. Në libër vërehet një balancë, në rastet më të mira një raport mjaft i drejtë midis ligjërimit poetik e përgjegjësisë së mendimit publik.
Poezitë e Timo Mërkurit, po të përdorim një shprehje të Gjon Buzukut, kanë të “shkruomitë” e veta, shenjtëritë e veta, të paprekshmen e vet, qënien e vetëdijen e tyre kombëtare, mitin e gjuhës amtare e prejardhjen historike. Çdo poezi ngjan se ka jetën, fatin dhe historinë e vet.
Në poezitë e zgjedhura kemi spektër të gjerë temash, nga individualet deri në rrafshe ku u rreferohet mjaft figurave kombëtare, miteve e legjendave shqipe, elementëve që përbëjnë shenjat e shquara të identitetit kombëtar.
Këtë gjë, ai e bën me vetëdije të plotë, pasi e di mirë se referencat morale të verifikuara si kombëtare i japin shëndet moral një populli, e kundërta e saj, farkimi identiteteve të rremë mbi bazën e dallimit, përjashtimit e përçmimit, përkundrazi të çon në regres historik.
Në poezitë e vëllimit kemi një shikim etnocentrik të fenomeneve, ngjarjeve, datave historike, dhe e gjithë fryma e librit shkon për nga ky skaj. Dhe ka bërë mirë Timo Mërkuri, pasi kjo është rruga e drejtë.
Etnocentrizmi është mënyra kombëtare e të menduarit dhe njeriu është i prirur të besojë se kjo, mënyra kombëtare e të menduarit është dhe mënyra më e mirë”.
Ja kështu duke medituar u kthehem hera - herës poezive të Timo Mërkurit që rinë në një kënd të dukshëm të bibliotekës time.
Suksese.

1 comment:

  1. Nuk mund ta besoja se do të ribashkohesha ndonjëherë me ish të dashurin tim, isha aq i traumatizuar duke qëndruar vetëm pa një trup që të më qëndronte pranë dhe të ishte me mua, por isha aq me fat që një ditë takova këtë magjistar të Dr. Ediomo, pasi i tregova per gjendjen time ai beri cdo gje qe ishte e mundur qe te shihte te dashurin tim te kthehej tek une, ne fakt pasi beri magji ish i dashuri im u kthye tek une me pak se 48 ore, ish i dashuri im u kthye duke me lutur qe nuk do te rikthehej kurre. me ler perseri, 3 muaj me pas u fejuam dhe u martuam, nese edhe ti ke te njejten situate. Ai është shumë i fuqishëm në punët e tij;
    * magji dashurie
    * magjitë e tërheqjes
    * nëse doni që ish-i juaj të kthehet
    * Ndaloni divorcin
    *thyej obsesionet
    * shëron goditjet në tru dhe të gjitha sëmundjet
    * magji mbrojtëse
    *infertiliteti dhe problemet e shtatzënisë
    * magji llotarie
    * magji me fat
    Kontaktoni Dr Ediomo në emailin e tij: drediomo77@gmail.com
    faleminderit shume zoteri qe ma ktheve ish te dashurin tim emailin e tij: drediomo77@gmail.com ose telefono/whatsapp:+2349132180420
    +2348155926512

    ReplyDelete